Do njerëz mendojnë se prishja në gusht e një objekti me funksion fetar në Dhërmi ishte një akt i dhunshëm e i paligjshëm. Një pjesë syresh, nisur nga paragjykime me sfond etnik, fetar ose politik, ranë pre e dezinformimit që forume, zyrtare ose jo, bënë për këtë çështje, sikundër OMONIA, MEGA, KOASH, e tekembrama edhe vetë Partia Demokratike. U ngulmua të tërhiqeshin në debat besimtarët fanatikë, Greqia zyrtare, shqiptarët dhe grekofonët e Himarës, priftërinjtë e huaj (edhe ata me programe politike thellësisht antishqiptare), analistët “e gjithëdijshëm”, intelektualët myslimanë, ambasadorë të Perëndimit në Shqipëri, albanistë etj. Por në të shumtën e rasteve me fort tymtoi një mjegullnajë se u sqarua gjëkafshë.
Në të vërtetë sqarimi nuk është fort i vështirë. Por ndërmendni paksa një tenxhere presioni, kapaku i së cilës nuk bën të hapet forcërisht, pa u mekur më parë presioni…; e ndërkohë që presioni shfryn, kurrnji fjalë e arsyeshme nuk gjen shteg për te veshët e atyre që fort vikasin e pak dëgjojnë. Mjafton t’u hedhësh një sy artikujve të panumërt lëshuar këto ditë në pazarin mediatik dhe sheh se, të ndezur prej sho-shoqit dhe artikull-pas-artikulli, po shkohet deri në piskama për një kryqëzatë të perëndimit Papal kundër lindjes ortodokse! Nën efektet e delireve konspirative po përmendet se sikundër dje Bizanti ra si rezultat i qëndrimit të Perëndimit, sot Papati çka s’e arriti me Kostandinopojën e shek.. e XV, po përpiqet ta arrijë me këtë kishëzën me blloqe betoni të Dhërmiut në shek.. XXI. “O kohë, o kishë e Shën Thanasit!” do thërriste Ciceroni sot.
U mbeltua në dheun e mosgjësë fakti themelor se kisha monumentale kish pasur një të kaluar kaq të rëndësishme për kulturën e trevës dhe të gjithë Arbërisë; madje u vu në diskutim si e paqenë lidhja e kësaj kishe me kulturën arbërore të ‘600-ës dhe ‘700-ës, e madje u tha se ajo i përkiste kohës para pushtimit osman. E ndërkohë që njerëzit të cilët e njihnin historinë e gurëve të saj nuk u ndjenë për t’i ikur rrokanisjes në ujëra të turbullta, iu hy një debati patetik, i lindur shterpë për sa kohë nuk sqaroheshin metimet e fanatikëve etno-religjiozë, pra nëse ndërtimi pa leje duhej të prishej apo të legalizohej; apo nëse duhej negociuar prishja e kioskës së betonit përmes një kuvendi popullor mbarëkrahinor e mundësisht ndërkombëtar apo jo. U arrit deri aty madje sa, me vrundull e me artikulime sofiste, u metua, herë nën zë e herë mbi zë, të mohohej edhe fakti se kisha ishte Monument Kulture që mbrohej nga shteti, duke ua atribuuar komunistëve prishjen e saj herë në 1967-ën, herë në vitet ’70 e herë në ato të ’80-a; herë për motive kinse ideologjike antifetare e herë sepse u qenë dashur gurë për të ngritur ujësjellësin e fshatit.
Kisha dhe hija e kishës, në fakt kanë qenë dhe mbetën Monument Kulture. Ajo është shpallur e tillë me Vendim nr. 6, datë 15.01.1963, mbështetur në VKM nr. 130, dt. 09.04.1955, në bazë të të cilit Kisha e Shën Thanasit, me nr. rendor 24 në listën përkatëse të monumenteve. “vihet në mbrojtjen e shtetit duke marrë parasysh vlerën historike, shkencore dhe artistike…”.
Kisha si e tillë ka tërhequr edhe vëmendjen e dy studiuesve më të spikatur të trashëgimisë arkitekturore ortodokse në Shqipëri siç janë profesorët A. Meksi dhe P. Thomo, të cilët pasi e studiuan kishën, e kategorizuan si të ndërtuar mbas pushtimit osman dhe e përfshinë atë në artikullin tematik “Arkitektura pasbizantine në Shqipëri– Kishat njënefëshe”, në nr. 19 të revistës shkencore “Monumentet”, në vitin 1980.
Në fakt, rëndësia e kishës është me tepër historike sesa arkitekturore; madje edhe studiuesit e mësipërm pasi bëjnë përshkrimin e saj, teknikën e muraturës, tipologjinë planimetrike, këmbanaren e murit, ikonostasin e gurtë që ka pasur etj., nuk lënë pa e përmendur varfërinë stilistikore të saj. Afërmendsh klasifikimi i saj si Monument Kulture i Kategorisë së Parë, ish-gjykuar atbotë nisur nga kujtesa historike që ajo kishë përcillte dhe nga prania e atyshme e varrit të një prej figurave më emblematike të shkrimit e mësimit shqip në Himarë e gjetkë, siç ishte ai i peshkopit të Durrësit, Nilo Catalano (1694).
Kjo rëndësi nuk i është bjerrë as sot e gjithë ditën atij vendi të shenjtë, ndonëse ngritja e ngutshme me gurë dhe blloqe betoni të një mjedisi të shfytyruar, që ofendonte rëndë çdo memorie historike, e të paprecedentë edhe në Shqipërinë e varfër, e vulosi rrënimin që iu pat bërë kishës pas viteve ‘80. Edhe pas 25 vjetësh, ai mjedis, pavarësisht fondeve shumëmiliardëshe që KOASH-i hodhi me zemërgjerësi për ringritjen e kishave ortodokse në Shqipëri, ai mjedis pra kaq i rëndësishëm për historinë kishtare të krahinës dhe historinë kulturore të krejt vendit, u la në shortën e vet të mjerë. Qeveritë për çerek shekulli erdhën e shkuan, por askush më parë nuk kish marrë përgjegjësinë historike e politike të rindërtimit të atij memoriali kulturoro-fetar kombëtar tipik nën moton “ubi erit, sicut erit”.
Pa dashur të ftilloj hollë rolin e murgjve bazilianë, apo të thuajse siculo-arbëreshit Nilo Catalano, pasi për ta është shkruar e debatuar mjaft, po nënvizoj këtu faktin që për E. Çabejn, kolosin e gjuhësisë shqiptare, kishte kaq rëndësi figura e Catalanos sa në librin e tij “Elementë të gjuhësisë e të literaturës shqipe” (1936), në kapitullin “A – Shkrimtarët e Vjetër”, i lë atij një vend të posaçëm krahas Buzukut, Matrangës, Budit e Bogdanit.
Kështu, edhe pas rrënimit të mureve, nuk doli asnjë akt ministror apo qeveritar që ta hiqte kishën nga lista e monumenteve dhe fakti që në listat e përditësuara ajo nuk rezulton, nuk ka të bëjë me stausin e rrënojave të saj dhe të truallit, por me praninë fizike aktuale. Objektivisht vendi, themelet, gurët e varret e saj janë ende aty, sikurse me fjalë të tjera shprehet edhe një thumbues i të dy krahëve “në konflikt” si A. Vehbiu, i cili së fundmi pohon thekshëm faktin se “kisha e Shën Thanasit në Dhërmi është objektivisht sot një monument kulture për arbëreshët dhe për shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare, sepse në Dhërmi dhe gjetkë, kur të tjerët merreshin vetëm me punët e feve përkatëse, murgjit bazilianë si Nilo Catalano, Filoteo Zassi, Zef Skiroi etj. krijonin vatra arsimore dhe kulturore që frekuentoheshin edhe nga besimtarë të feve të tjera”.
Gjithsesi, lidhur me këtë moment ligjor, qeveria shqiptare, pa u kompleksuar nga shprehje marrakote mbresëlënëse, të cilat sipas orarit e përcaktojnë atë herë si sadiste, herë si nacional-komuniste, herë si pro-ISIS e së fundmi edhe si nacional-katolike, po ndjek thjesht rrugën e saj të rivlerësimit të trashëgimisë kulturore të vendit, trashëgimi e cila po bdarej në nivele ngjethëse. Në mbështetje të projektit RAB (Rehabilitimi Arkitekturor i Bregut) ajo po punon sot për projekte rivlerësuese të një sërë objektesh private e shtetërore, sheshesh urbane e rurale, pejzazhesh natyrore e historike, restaurimesh dhe rikonstruksionesh të objekteve me vlera të veçanta kulturore e stilistike, e në këtë kuadër një projekt i rëndësishëm është dhe rikualifikimi i një vendi sakral për kulturën dhe fenë siç është kisha e Shën Thanasit. Fakti që kisha e vjetër nuk është më mbi kuotën e truallit, për rastin e një monumenti kulturor nuk do të thotë asgjë, pasi ligji nr. 9048 në fuqi, “Për Trashëgiminë Kulturore”, në nenin 14 të tij, shpreh qartë se “në rastin e fatkeqësive natyrore, të shembjes ose të djegies se objekteve me vlera të trashëgimisë kulturore, kur nuk vendoset kryerja e rikonstruksionit, mbi truallin e mbetur ose mbi pasurinë rrënojë, lejohet ndërtimi vetëm në sipërfaqen dhe vëllimin e mëparshëm, duke respektuar kategorinë dhe llojin e monumentit të dëmtuar”. Në këtë kuptim, ajo u përmbahet detyrimeve që rrjedhin nga nenet 59, 78 dhe 83 të Kushtetutës.
Natyrisht për një shkas a një tjetër, shpesh ndërhyrje të tilla ndezin konflikte pronësore, mendësie, intoleraca të natyrave të ndryshme religjioze e identitare në një vend si Shqipëria. Por në rastin konkret, bëhet fjalë pikërisht për ruajtjen dhe ekuilibrat e komponentëve identitarë të një kulture, popullsie e krahinë, duke u kujdesur pikërisht për të kundërtën e asaj që F. Lubonja ngre në një artikull të tij; pra për marrjen në konsideratë gjatë procesit të ndërhyrjes edhe të identiteteve që ndeshen në rajonet e ndryshme kur këto ndërhyrje janë në shkallë të gjerë. Gjithë duke cituar analistin e mësipërm, në rastin konkret, nuk kemi të bëjmë me një “identitet të vetëm e aq më pak të ngurtë, por kemi të bëjmë me shumë identitet në proces… që bashkëjetojnë e bashkëveprojnë me njëri-tjetrin përsa i përket rëndësisë dhe dominancës. Edhe kur flasim për shqiptarët dhe veçanërisht për raportin e feve të tyre me të ndjerit shqiptar, duhet të flitet për shumë identitet, ku hyjnë edhe identitetet fetare që ata kanë përqafuar në shekuj si të krishterë ortodoksë, katolikë, myslimanë sunitë dhe bektashi etj., e, po ashtu, duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë me një proces historik në të cilin kanë ndodhur ndryshime e formime dhe zhdukje e sinkretizma identitetesh në rrjedhë të shekujve…”.
Prandaj gjykoj se jo veç autoritetet politike dhe fetare, por edhe instrumentet e tyre lokale, duhet të bashkëpunojnë me të zgjedhurit vendorë e të mbështesin projekte të tilla rivlerësuese, që u japin dinjitet siteve të nëpërkëmbura apo të harruara nën peshën e hondraqeve dhe ujerkut të hedhurinave, e t’i shndërrojnë ato jo thjeshtë të vizitueshme, por edhe grishëse në pikëpamje të rilindjes urbane, duke i konsideruar shembull të mirë për qasjen ndaj temave monumentale të kujtesës sonë kombëtare.
Komentet