“…Nga luftërat vijmë, në luftëra shkojmë…” Ismail Kadare
“Ju takon juve të përmirësoni botën” Gjon Pali i II
Duke shëtitur në një rrugicë pylli të një fshati turistik malor të Alpeve italiane, një mëngjez të kthjellët gushti, mendimi vuri flatrat dhe më ktheu prapa në kohë. Para syve të mi u ripërtërinë skena ngjarjesh, njerëzish e mjedisesh, që ishin palosur si fletët e zverdhura të një ditari të vjetër në mëndjen time. E shkuara u shpalos me fytyrat e njohura të shokëve e të shoqeve të fëminisë, të shkollës, të punës, të kampeve të internimit, të burgjeve, të të njohurve të rastësishëm në udhëtime, në plazhe, në ceremoni vdekjesh, në dasma, në… Më dukej se i kisha pranë, se bisedonja me ta, se së bashku shëtisnim në këtë pyll magjepsës, se shkonim drejt një teleferiku që do të na ngrinte në majën e një mali, ku horizonti zgjerohej e ku shikimi tretej në këto bukuri të natyrës…
E shkuara, sa e fuqishme mbetet gjithmonë ajo në veten tonë. Sido që të ketë qenë, e trishtuar apo e gëzuar, e dhimbëshme apo e këndëshme, na mban gjithmonë robër të saj. Ne çdo ditë flasim e mendojmë për të nesërmen, për muajt e vitet që do të vijnë, por istiktivisht, pa dashur kthehemi mbrapa tek muajt e vitet e kaluara, tek bëmat e më shumë tek ato që nuk mundëm të bënim, tek ato shpresa e ëndrra që i futëm nëpër sirtare sepse nuk qemë të aftë t’i realizonim, sepse nuk ditëm t’i sendërtojmë, sepse nuk na lanë të tjera krijesa si neve t’i vinim në jetë…
Në këto çaste, kur përfytyrimi më ka bashkuar me qindra njerëz që sot janë të shpërndarë në të katër anët e vëndit tim dhe të botës së madhe, më duket vetja si ujët e një pellgu, në të cilin hidhet një gur e valët në formë rrathësh ngrihen e zgjerohen duke u përplasur në breg. Ndoshta gurin e hodhi kjo natyrë e bukur, që më solli ndërmënd një tjetër vënd po kaqë të bukur në të cilin, tridhjetetre vite më parë, kryeja shërbimin ushtarak: Martaneshi, Vërvjaka, Liqeni i zi, Kaptina… Valët e ujit janë si ato të kujtimeve, të mendimit që në këtë rast më çon në bangot e shkollës, në kantjeret e ndërtimit, në fusha, në shëtitore qytetesh, në qeli burgjesh, në plazhe, në galeri minierash, në reparte ushtarake, në të gjitha ato brigje ku rrodhi plot dallgë e shkumë lumi i jetës sime.
Në këtë mori skenash, që pushtojnë në këto çaste trurin tim, merr formë e trupëzohet një qënie e stërmadhe, që përmbledh gjithshka, vë rregull në mendimet e mia të davaritura dhe më kërkon, në heshtje, të flas për të. Eshtë Brezi im, një mori njerëzish të lindur në dhjetëvjeçarët e katërt e të pestë të shekullit që po lemë pas. Një dhimbje e njohur fillon të më sëmbojë zemrën, një dhimbje e herëshme, për të cilën mjeku kohë nuk gjeti kurrë barin e shërimit. Eshtë dhimbja për Brezin tim, për fatin e tij, për fatkeqësitë e tij, për ëndrrat e tij të shkërmoqura, për shpresat e tij të cunguara, për mundin e tij prej Sizifi të shkuar kot, për lirinë e tij të panjohur, për varfërinë e tij të njohur, për…
Ne lindëm e u rritëm me ajrin e luftës. Nga prindët tanë trashëguam një Vend, në të cilin sundonte një regjim, që i kishte rrënjët në gjak e që mbillte urrejtje. Ishte një kastë njerëzish, të sjellë nga koha dhe tragjedia e luftës së dytë botërore në krye të Vendit. Kaqë shumë i ishin mirënjohës asaj lufte, që u kishte dhënë pushtet mbi një popull me njëmijë probleme të trashëguara nga historia, saqë fjalën “luftë” nuk e hoqën kurrë nga goja, e bënë lejtmotivin e të qënurit në jetë, alfën dhe omegën e jetës dhe veprës së tyre. Fëmininë dhe rininë tonë na e mbushën me shfaqjet më të ndryshme të këtij koncepti, me lakimet e togfjalëshat më të larmishme të atij emri, që zakonisht shoqërohej nga ndajfolja kundër. Luftë kundër borgjezisë, kundër kapitalizmit, kundër revizionizmit, kundër pronës private, kundër interesit personal, kundër ideologjisë së huaj, kundër shfaqjeve të huaja, kundër besimeve fetare, kundër “ botës së vjetër “, kundër kanunit dhe mbi të gjitha kundër “ armikut të kllasës “ të brendshëm e të jashtëm…
Krahas kësaj lukunie të lemerishme termash, të afta të atrofizonin çdo ndjenjë njerëzore, na u desh të mësonim dhe termin “ dashuri “, por jo atë që gjen të spjeguar në cilindo fjalor të botës. Dashuria jonë duhet të ishte diçka e veçantë, e pakufishme, por jo për prindërit tanë, për djalin a vajzën që na tërhiqte, për lirinë a të drejtat tona si njerëz. Ajo duhet të ishtë e tillë për marksizëm-leninizmin, për Stalinin, për Partinë e Punës, për internacionalizmin proletar, për atdheun socialist, për Mao Ce Dunin e mbi të gjitha për “udhëheqësin e shtrenjtë” të partisë e të popullit, Enver Hoxhën. Këto dy fjalë, të lashta sa bota, bashkëudhëtaret e njerëzimit në mijëvjeçarë, sinonime konceptesh të bastarduara e të përmbysura nga idhtarë të ideve marramendëse si molla biblike e Evës, na përkundën djepin, na shoqëruan hapat e para të fëmijës, lodrat e adoleshentit, fantazitë e të riut.
Në mëndjet tona fëminore, bota përfytyrohej si një fushë e përjetëshme beteje, ku luftohej vazhdimisht mes të mirësh e të këqijsh, ku të mirët kishin një emër të përbashkët: bolshevik, partizan, komunist. Të këqijtë ishin gjithmonë po ata: gjermanët, fashistët, ballistët. Secili prej nesh mundohej të njëjtësohej me kampin e të mirëve, për të ushqyer shpresën se një ditë do të arrinim “parajsën tokësore”, ku shndriste i paperëndueshëm dielli i komunizmit. Ky ishte iluzioni fëminor, e vërteta ishte diçka tjetër. Ajo përkonte me idenë e fushës së betejës, por pa dashje, pa kuptuar ne ishim pjesëmarrës në këtë luftë. Ne luftonim me njëri tjetrin, me shokun e bangës në shkollë, me fqinjin, me të afërmin.
Në shkolla mësuesit na shpjegonin se nazistët vrisnin ebrejtë, romët, jevgjitët në emër të pastërtisë së racës ariane. Bëhej fjalë për miliona njerëz, viktima të urrejtjes raciale. Ne ishim pak më shumë se një milion dhe ishim të ndarë më dysh: “ne” dhe “ ata”. “Ne” ishin të mirët, njerëzit e partisë e të pushtetit, kurse “ata” ishin të këqijtë, “armiqtë e kllasës”, ata që bënin tërë prapësitë. Ne duhet të shiheshim vëngër, të mos i flisnim njëri tjetrit, paçka se ishim komshij me shtëpi, se shkonim në të njëjtën shkollë, se barisnim në të njëjtën rrugë, se shihnim të njëjtin qiell, se kishim të njëjtat dëshira, se ishim e njëjta racë, se flisnim të njëjtën gjuhë, se ishim i njëjti popull…
Ne duhet të ishim në luftë të përherëshme, në një luftë tinzare, të pabesë, sepse kishim lindur nga prindër të ndryshëm, që në të ashtuquajturën “luftën e madhe kundër okupatorit e tradhëtarëve” kishin patur mendime e qëndrime të ndryshme. Ne atëhere nuk kishim lindur, por megjithatë ne mbanim në kurriz “fajet” apo në gjoks “meritat”, të cilat mbeteshin të përjetëshme. Në të vërtetë të paluajtëshme mbeteshin vetëm “fajet”, që trasmetoheshin në breza, ndërsa “ meritat”, në mjaft raste zbeheshin, zhdukeshin e bartësit e tyre shpesh përfundonin në rradhët e “ atyre”, duke pësuar ato qëndrime, që deri atëhere mbanin me të tjerët. Kjo ishte mendësia që përcillte rritjen tonë, në një Vend ku vënia në jetë e saj krijonte tabllonë e lemerishme të burgjeve, të kampeve të internimit, të mohimeve nga më të ndryshmet, të dallimeve raciale nën emrin”klasore”, të fyerjeve, të dhunës, të nëpërkëmbjes.
Në këtë rend absurd idesh, konceptesh, qëndrimesh e veprimesh mëndja jonë nuk mund të zhvillohej normalisht. Ajo qe si një arë e palëruar , në të cilën mbinë vetëm ferra e barishte të këqia. Në të u mbollën e u kultivuan urrejtja, mosbesimi, frika, hipokrizia, puthadorja. Horizonti ynë u ngushtua. Ne nuk mundëm të përceptojmë vlerën dhë fuqinë e koncepteve të tilla si: liria, toleranca, respekti për tjetrin, për mendimet e ndryshme nga tonat, për aftësinë e pakufizuar dhe të pakufizueshme të njeriut, për nismën e tij, respekti për botën e huaj, për kulturën dhe përparimin, për prindët, për traditën, për historinë.
Bota jonë niste më 8 nëndor 1941 dhe çdo raport kongresi shënonte një etapë zhvillimi të saj. Modeli ynë i imitimit ishte Pavlik Morozovi, një fëmijë që kishte paditur babanë, sepse nuk kishte dorëzuar drithin në pushtet, heronjtë tanë ishin Lej Feni, Fuat Cela, Alo Qosja, Shkurte Pal Vata etj…Ç’mund të dilte nga një përzjerje e tillë kundërvlerash? Dolëm ne, Brezi im i gjymtuar, që nuk pati kurajon as të përpiqet të ndryshojë diçka, megjithëse bota, rreth e larg nesh, ndryshonte çdo ditë. Ne ditëm vetëm të uniformoheshim, të vazhdojmë lojën e llahtarëshme të prindërve tanë të xhelatit e të viktimës, të duartrokisnim çdo trill e delir të Neronit tonë, çdo proçes ku dënoheshin njerëz të pafajshëm, çdo sulm kundër çdo lloj ndryshimi në të mirë të sistemit komunist jashtë, çdo lloj goditjeje të vlerave shpirtërore tonat, madje dhe kundër besimit tek Zoti.
Ne nuk jetuam, ne mbijetuam si zvaranikët që tërhiqen në kërkim të një qosheje me diell. Ne humbëm vitet më të bukura të rinisë sonë, duke gërmuar me kazma malet e fushat sepse malet do t’i bënim si fushat. Ne, skllevërit modernë të shekullit të njëzetë, në ndryshim nga ata të botës së lashtë, nuk kishim të drejtë të mbanim dhe flokët siç dëshironim. Pantallonat dhe fundet duhet të kishin përmasat e përcaktuara e të miratuara nga “Faraoni” dhe vartësit e tij. Ne shkrimë të gjithë talentin e aftësitë tona për t’i kënduar madhështisë së “ Sulltanit”, me vargje, me këngë, me piktura, me gdhendje, madje duke gdhendur dhe malet që emrat e dyshes me nga pesë shkronja të shiheshin së larti nga qielli, mbasi “ Dielli” ynë ishte më i shndritëshmi i gjithësisë.
Ç’ndodhi me ne? A jemi ne tërësisht përgjegjës për atë që nuk bëmë, që nuk mundëm, nuk ditëm apo nuk deshëm të bëjmë? Apo një fatalitet historik, shumë më i madh e më i fuqishëm se “vullnetet tona të ndrydhuna”, na shtypi pa mëshirë e ne nuk patëm forcë të ngrihemi? Të tjerët na i dhanë shembujt: polakët, hungarezët, çekët kishin afërsisht histori të ngjajshme me ne. Ata luftonin, organizoheshin, qëndronin, flijoheshin për t’a ndryshuar jetën e tyre. Ata përballeshin me përbindshin e, megjithëse humbisnin, fitonin diçka, jo vetëm për të patur më shumë liri, por dhe për të lënë një gjurmë në të ardhmen, në historinë e tyre. Ata do të kujtohen si brezi i Kryengritjes së Budapestit, i Pranverës së Pragës, i Solidarnostit. Po ne, Brezi im, për çfarë do të mbahemi mënd? Për hosanatë e pambarim zinxhirit të pafund të krimeve të një regjimi jashtë çdo përmase njerëzore? Për frikën tonë proverbiale, që na e kishte vënë cakun e bisedave brënda vijave të një fushe futbolli? Për mungesën e kurajos e të guximit për të kërkuar gjërat më të domosdoshme: të drejtën për të menduar me trurin tonë, për të lexuar librat që na pëlqenin, për të dëgjuar muzikën që na pëlqente, për të mësuar gjuhën që na pëlqente, për të mos u ndjerë të përgjuar, të ndjekur, të spiunuar në çdo çast?
Ç’farë bënë të shkolluarit, intelektualët e Brezit tim për t’a ndryshuar sadopak këtë gjëndje të pazakontë, për të ndërgjegjësuar të tjerët, kur Vendi ishte katandisur të qeverisej nga ish shoferë, ish karrocjerë, ish elektriçista, madje ish mjelëse lopësh (pa vënë në dyshim respektin për zanatet) në fundin e shekullit të njëzetë? Në Vendet e tjera kishin qenë klubet Petefi, Karta 77, Sollzhenicinët, Pasternakët e Zakarovët që ngritën zërin e i treguan botës të vërtetën rrënqethëse të “socializmit real”. Tek ne s’kishin të mbaruar sagat për komisarët e kantatat për partinë e Enver Hoxhën. Shkrimtari simbol i brezit tonë që, me talentin e tij të pazakontë, i ngriti monumente letrare të pavdekëshme komunizmit dhe dyshes majakovskiane parti-Enver, për viktimat e dhunës së tyre përdori vetëm sarkazmën, u tall duke i paraqitur si qënie të dobëta, pa dinjitet e pa personalitet. Ndërsa ata e kishin treguar personalitetin e tyre, duke qëndruar me armë maleve të Shqipërisë, në mbrojtje të lirisë së humbur të popullit të tyre. Ende sot, mbas dhjetë vjetësh leksionesh antikomuniste, nuk gjen frymëzimin të shkruajë diçka për Vloçishtin, Orman-Pojanin,Tepelenën, Spaçin, Qafën e Barit…
A jemi në gjendje sadopak dhe sot të matemi me dobësitë tona, me një të shkuar, në të cilën shumë pak prej nesh morën guximin të vetëflijoheshin për të thënë të vërtetën? Emrat e tyre, të panjohur ende sot për pjesën më të madhe, janë çengelët e shpëtimit për Brezin tonë, janë yjet që ndriçojnë qiellin sterrë të një të shkuare që, sa më shumë kalon koha aqë më shumë na bën të skuqemi. Le të tregojmë një minimum ndershmërie e t’i ngremë një monument këtyre njerëzve, këtyre shokëve tanë, që e dinin se do të vdisnin ose do të kalbeshin nëpër burgje, por nuk nguruan të thonë të vërtetën e të akuzojnë haptas regjimin, që po martirizonte një popull duke paragjykuar zhvillimin dhe mirëqënien e tij. Në këto monumente do të ketë një vazo për lule të freskëta, ndofta do të jenë të vetmet vende në të cilat Brezi ynë i meriton lulet. Së bashku me lulet t’i kërkojmë dhe të falur mbasi, në kohën që ata u therorizuan, ne nuk patëm as në vetvete kurajo t’i admirojmë, por i quajtëm të papërgjegjshëm, sepse një proverb i lashtë i yni thoshte:”Nuk i bihet murit me kokë”. Filozofinë e këtij proverbi ne e bëmë lejtmotiv të ekzistencës sonë mjerane, sepse nëpërmjet saj justifikonim dobësitë tona, nënshtrimin e vullnetshëm ose të forcuar ndaj së keqes.
“ Në gjysmën e ecjes së jetës sonë, u gjenda në një pyll të errët…” kështu fillon një nga kryeveprat e letërsisë botërore. Po të perifrazojmë këto vargje, por në kah të kundërt, më duket se sjell idenë e atij ndryshimi të madh, që erdhi në jetën tonë në vitin 1991, një vit më vonë se në të gjitha Vendet e tjera. Kjo vonesë dëshmonte prapambetjen tonë në krahasim me të tjerët. Ndërsa të tjerët kishin vënë si synim rindërtimin e shoqërisë , nëpërmjet tejpamjes, ne derdhnim lotë për vdekjen e tiranit dhe harxhonim dyzet miljonë dollarë për të ngritur piramidën e tij mes Tiranës. Ndërsa të tjerët hapnin kufijtë e i lejonin qytetarët e tyre të kërkonin fatin në botën e lirë, ne shtangeshim para skenash vandalizmash homerike të tërheqjes zvarrë të kufomave të të rijve, “faji” i vetëm i të cilëve ishte se kishin tentuar të kalonin kufirin. Ndërsa të tjerët, të vetëdijshëm për dështimin e pashmangshëm të sistemit komunist, mundoheshin me të gjitha mënyrat të përfitonin nga përvoja dhe ndihma e Vendeve të pjesës tjetër të Evropës, në e kthenim mbrapsht ofertën e gjermanit Shtraus për kredi e kërkonim armë…”Ne nuk jemi as Lindje as Perëndim” deklaronte atëhere Kryetari bizantin i Shtetit shqiptar, që “shquhej” për “modernizimin” e Vendit nëpërmjet tufëzave dhe arëzave.
Nga largësia e viteve duket më qartë absurditeti, në të cilin jetuam. Çdo epitet për të karakterizuar atë është i pamjaftueshëm. Në fund të shekullit të njëzetë, njerëz që të zinin rradhën në mesnatë e t’a ruanin atë deri në mëngjes, për të marrë një litër qumësht, besoj se nuk ka patur as në vendin më të varfër të Afrikës. Ne bashkëjetonim me varfërinë skajore të tregut e tonën, me nenin 55 e internimet dhjetravjeçare, me sulmet kundër antenave të televizorëve e kundër shpendëve të “tepërta” të fshatarëve, me demaskimet “revolucionare” para kolektivave e ankthin para çdo punonjësi të Sigurimit e na dukej se gjithshka ishte normale. Aqë shumë ishim mësuar me të keqen, kaqë shumë na kishte hyrë në palcë, saqë na ishte errësuar arsyeja e na ishin zbehur shqisat.
Kështu arritëm deri në vitin e ndryshimit të madh, për të cilin ne i mbetëm përsëri borxhli historisë dhe ndërgjegjes sonë. U desh vrulli dhe forca e të rijve të Shkodrës, Kavajës, Tiranës, studentëve të Universitetit etj., pra të një brezi tjetër, të bijve tanë, që t’i jepnin grushtin e fundit një kufome që kutërbonte, por që mundohej të qëndronte duke ndërruar maskat. Por ajo rini, që u ngujua në grevat e urisë në qytetin Studenti e gjetiu, nuk kishte as përgatitjen, as përvojën për të marrë në dorë drejtimin e një Shteti të ri, në një gjëndje katastrofale e në një rrugë të pashkelur më parë. Periudhën kalimtare nga një sistem i dështuar në një tjetër, që kishte dhënë prova të mjaftueshme rezultatesh e qëndrueshmërie, në popuj të zhvilluar e të lirë, do t’a administronim përsëri ne.
Ishte prova e së vërtetës, rasti i fundit që koha, si në një tabaka të argjentë, na servirte për të përmirësuar imazhin, për të ndrequr gabimet, për t’u shkëputur kryekëput nga një e shkuar pa lavdi. Ishte një barrë e rëndë, por dhe një piksynim tepër fisnik e i bukur: të rimëkëmbnim Atdheun tonë, t’a çlironim përfundimisht nga vargojtë e komunizmit e pasojat e tij, nga mungesa e lirive, nga varfëria, nga shkëputja prej botës, nga prapambetja proverbiale, nga dhuna, gënjeshtra, pabesia e krimi të istitucionalizuara në pushtet. Duhej të ngjallnim shpresën në një të ardhme më të mirë, të nisnim ecjen e ngadaltë, të vështirë por dhe të sigurtë drejt një objektivi të përbashkët me shumë popuj të tjerë, drejt pjesëmarrjes në Bashkësinë Evropjane. Për të sendërtuar këto synime madhore, që do të ndrronin rrjedhën e historisë për një popull të drobitur, siç ishte populli ynë, duhej një mendësi tjetër, jo ajo me të cilën me ose pa dashje ishim brumosur ne. Klasa politike duhej të kishte kurajon dhe largpamësinë e duhur të vinte në jetë një seri reformash radikale, që do të prisnin gjithë urat me sistemin e lënë pas krahëve. Koha e re kërkonte një përveshje të përgjithëshme të mëngëve, kërkonte punë, mund e sakrifica të reja. Nuk kishte asnjë shkop magjik që, me një të rënë, do të sillte mirëqënien.
Mirëqënia, që përbënte një nga ëndrrat shekullore të shqiptarëve, duhet të arrihej si rezultat i vënies në jetë të parimeve të tjera, të rregullave të tjera, të ligjeve të tjera. Mirëqënia do të vinte dalngadalë, hap mbas hapi të ndërtimit të një shoqërie tjetër, në të cilën, Shteti i plotfuqishëm që drejtonte çdo lëvizje të individit, që nga djepi deri në varr, duhej të hiqte dorë nga një pjesë e funksioneve e t’ua kalonte këto qytetarëve të tij. Kjo nuk do të thoshte se roli dhe rëndësia e tij pakësohej, por ndryshonte fushë veprimi. Ky Shtet, që nuk duhej njëjtësuar më me partitë politike, duhej të ishte garanti i një objektivi tepër të rëndësishëm: t’ju siguronte gjithë qytetarëve të tij mundësi të barabarta në nisjen e startit drejt mirëqënies, në një Vend të lirë, por në të cilin ligjet, që rregullojnë jetesën në bashkësi, duhej të ishin e, mbi të gjitha, të respektoheshin nga të gjithë.
Shteti duhej t’ju kthente qytetarëve jo vetëm liritë e mohuara për pesëdhjetë vite, por dhe pasuritë e shtetëzuara padrejtësisht, nga një regjim kusarësh. Ai duhej të gjente rrugët më të frytshme për të vënë në shfrytëzim gjithë pasuritë e mundëshme të Vendit, nëpërmjet një strategjie të menduar mirë e të zbatuar po aqë mirë. Ai duhej të vlerësonte e të ndante me kritere të ndershme e të drejta atë pasuri të trashëguar nga homologu i tij i mëparshëm, pasuri që ishte baraz me djersën dhe mundin e gjysëm shekulli pune të papaguar të shqiptarëve nga kapitalizmi shtetëror komunist. Ai duhej të shpërblente veçanërisht ata, që në këtë pasuri kishin ndihmesën e tyre, nëpërmjet viteve të gjata të punës së detyruar pa shpërblim, si pasojë e dhunës së Shtetit proletar. T’i kthente kësaj pjese të popullsisë, jo vetëm me fjalë, dinjitetin e nëpërkëmbur, t’i njihte me sinqeritet peshën e vuajtjeve të saj, të kthente në të shpresën e t’i siguronte mundësitë materiale për t’u ndjerë barabar me të tjerët, ishin nga të parat detyra, që viheshin para kujtdo që pretendonte të printe ecjen drejt një shoqërie, të bazuar mbi vlerat e larta të qytetërimit.
Këto ishin përparësitë që duhet të kishte në rrugën e tij Shteti demokratik e së bashku me to, reformimin e tij, krijimin e istitucioneve të reja, futjen e një mendësie tjetër në to. Kjo mendësi e re, që dalngadalë do të pushtonte gjithë mjediset, do të ishte baza e krijimit të një shoqërie civile që, nga ana e saj do të shprehte një klasë politike, të denjë për emrin e të aftë për t’a drejtuar atë shoqëri drejt synimesh gjithënjë e më lakmuese. Por si i realizuam neve këto detyra, që papritmas koha na vuri në tryezë? A qemë në gjëndje t’i përgjigjeshim sfidës së madhe të fundit të shekullit?
Pa mohuar një sërë arritjesh të rëndësishme si liria, në kuptimin e gjërë të fjalës, nisma private, mërgimi e ndonjë tjetër, më duket se synimet e tjera nuk qemë në gjëndje t’i kapim, madje as të hyjmë në rrugën e drejtë që çon në realizimin e tyre. Kuadri politik i vendit, faktor përcaktues në zhvillimet e mundëshme kaloi nga një skaj në tjetrin.Kishim dikur një parti shtet dhe uria gjysëm shekullore për to na çoi sot në një numur apokaliptik, 53 në një Vend me tre miljon banorë e me një sistem maxhoritar votimi, një paradoks i vërtetë. Nuk mohohet se dhe në Vende të tjera, me sistem parlamentar, ka shumë parti, por kjo gjë nuk është një dobi për to e një arsye për t’u marrë shembull nga ne. Në Vendet që peshojnë sot në botën e zhvilluar, gjejmë një bipolarizëm politik, që përfaqësohet nga dy parti të fuqishme ose, në ndonjë rast si Italia, në dy blloqe partish. Këto dy parti ose dy blloqe shprehin dy mënyra të ndryshme të të konceptuarit të shoqërisë e të drejtimit të saj, kanë dy programe të ndryshme e çdo katër a pesë vjet dalin para zgjedhësve, për të marrë votbesimin e qeverisjes. Kush fiton qeveris, kush humbet kontrollon dhe përgatitet të qeverisë.
Në Shqipëri teorikisht dy grupimet kundërshtare janë të pranishëm, por praktikisht, ndryshimi mes tyre dhe lufta e mprehtë politike nuk ka në qendër, të konceptuarit e ndryshëm të modeleve të zhvillimit, por lakminë e pakufi për të zënë pushtetin. Ky synim është i lidhur krejtësisht, jo me dëshirën për të realizuar në të mirë të Vendit ato gjëra që kundërshtari nuk i bëri, por me krijimin e mundësive të përfitimit vetiak, familiar, farefisnor e të rrethit të përkrahësve e simpatizantëve. Si pasojë e kësaj mendësije Shteti, që duhet të ishte garanti i mundësive për të gjithë, është kthyer në një vegël të një grupi, që në çfarëdo mënyre merr drejtimin e tij. Klientelizmi është bërë kriteri bazë i funksjonimit e korrupsjoni, karburanti që e vë në lëvizje. Alternanca e pushtetarëve shërben për të vazhduar “luftën e klasave” deri në nivelet më të ulta të administratës shtetërore, gjë tepër e dëmshme, mbasi nuk lejon formimin e asaj strukture të përherëshme të Shtetit, që është shtylla kurrizore e tij e që, në teori, duhet të formohet duke patur si të vetmin kriter meritokracinë. Rasti i dy të rijve, të laureuar në Hollandë për administratë, që nuk gjejnë vend pune në zyrat e Shtetit shqiptar mbas muajsh sorollatjeje, tregon se jemi tepër larg rrugës që duhet të ndjekim. Ai tregon gjithashtu se “Aleanca për Shtetin”, që aktualisht qeveris Shqipërinë, nuk është e tillë siç ka emrin, por është lidhje interesash të ndërsjellta të përbërësve të saj dhe mbarëvajtja e Shtetit mbetet i fundmi shqetësim i saj.
Në dhjetë vjet Shteti demokratik qeveritë e parlamentet e kuqe apo blu nuk vendosën të kthenin pronat pronarëve të ligjshëm, nuk krijuan në kohë kuadrin e duhur ligjor për thithjen e kapitaleve të huaja, të domosdoshme për daljen nga palëvizshmëria gjysëm shekullore, nuk patën kurajon të jepnin konçesionet ekonomike të huajve. Ata nuk qenë në gjendje të siguronin funksjonimin normal të Shtetit të së Drejtës, nuk krijuan modelet e istitucioneve të pavarura, vazhduan të qeverisin nga sekretaritë e partive, kaluan stafetën tek njëri tjetri për ligje iliberale, si ai i shtyrjes së afateve të qiraxhinjve në shtëpitë private, shpërblyen me copa letre pa vlerë jetët e marra apo të gjymtuara të viktimave të komunizmit, kontribuan në shkatërrimin e shtetit dhe imazhit të vendit më 1997, etj. Këto dy forca politike madhore të Shqipërisë drejtohen nga përfaqësues të Brezit tonë, të formuar moralisht e intelektualisht në shkollat e regjimit më dogmatik të Lindjes komuniste, të mbrujtur me mendësinë stataliste e populiste, të paaftë të konceptojnë e të shtjellojnë një strategji afatmesme e afatgjatë, për të nxjerrë Vendin nga bataku. Arsyeja e thjeshtë do të këshillonte krijimin e një force politike më të vërtetë të ndërsjelltë, liberale e liberiste si Aleanca e të rijve demokratikë, që sot qeveris Hungarinë. E Djathta e bashkuar, që duhet t’a kryente këtë funksjon është tepër e copëzuar e në gjirin e saj ka parti që nuk e njohin vehten në këtë strategji dhe për konceptet ultranacionaliste e të vjetra që mbartin.
Paaftësia për të shfrytëzuar shortet e demokracisë, shpërdorimi në mundësitë që krijon ajo për të shprehur pikpamjet dhe opsionet politike, pamundësia për të hartuar strategjitë e taktikat e duhura ekonomo-politike bindëse, rezultative e në pajtim me veçantitë e Vendit e kërkesat e kohës, vërtetojnë katërcipërisht se klasa politike shqiptare nuk është në lartësinë e detyrave të saj. Pasojat e këtij përfundimi pasqyrohen në gjendjen e Vendit që, megjithë ndonjë rezultat makroekonomik si monedha, fatkeqësisht paraqet një mungesë të madhe përsa i përket zhvillimit të gjithanshëm e të ekuilibruar ekonomik, konsolidimit të Shtetit ligjor, imazhit të përgjithshëm dhe treguesit të besueshmërisë, sidomos mbas ngjarjeve tragjike të vitit 1997. Sot Shqipëria , me ose pa të drejtë, hyn në rradhën e vëndeve problematike për kontinentin, quhet qendër trafiqesh të paligjshme nga më të ndryshmit. Me këto kredenciale ajo paragjykon marredhëniet e saj me botën e sidomos me Evropën.
Sfidën, që koha na vuri para, dhjetë vjet të shkuara, ne nuk qemë në gjëndje t’a përballojmë. Dështuam në misionin tonë për të ndërtuar një Shqipëri bashkëkohore dhe konkuruese mbi gërmadhat e socjalizmit. Problemeve të vjetra, të trashëguara nga pesë shekuj zgjedhë turke e gjysëm shekulli sprove komuniste, i shtuam të tjera, ose së paku nuk qemë në gjëndje t’i parandalojmë. Më kujtohet një mbasdite festive, për një përvjetor të gazetës Liria në pallatin e kongreseve. Më kanë mbetur në mëndje fjalët e një veterani të burgjeve politike dhe të antikomunizmit: ” Shqipërisë sot i duhen dymijë idealistë”. Ndofta shifra ishte tepër e madhe, ndofta ajo nuk i përgjigjej as popujsh shumë më të mëdhenj e më të zhvilluar se i yni, por pohimi ishte i shenjtë. Ne nuk qemë në gjëndje t’i përgjigjeshim kësaj kërkese parësore të Vendit tonë, në një çast tepër delikat për të ardhmen e tij. Ishin vitet e para të demokracisë, ishim ende në kohë për të rimarrë rrugën e drejtë, të cilën , sigurisht, ata qindra idealistë do t’a kishin bërë më të lehtë. Ata nuk u dukën në skenë, ose më saktë nuk patën forcë t’a pushtojnë skenën. Koha dhe të tjerët i thyen dhe ata të paktit që u munduan të qëndrojnë e të luftojnë me të vetmen armë të idealit, ndershmërinë. Asgjë për t’u habitur, historia e botës është e mbushur plot me shëmbuj të tillë…
Ka çaste në jetën e njerëzve, por dhe të popujve e të brezave, në të cilat bëhet i detyrueshëm vetërrëfimi, prova e vetëdijes.Më duket se ne kemi arritur në një të tillë. Duhet të kemi kurajon t’a vemë në peshore vehten tonë si brez, pavarësisht nga bindjet politike të secilit e me ndershmëri të pranojmë se i përkasim një “Brezi të humbur”. E di se nuk është e lehtë, përkundrazi është mjaft e vështirë, e dhimbëshme të kuptosh se ke kaluar një jetë të tërë lufte në humbje, se merita më e madhe mbetet riprodhimi, mundi për të rritur e çuar përpara një brez tjetër, bijtë tanë. Nëse ky brez pasardhës do të jetë i aftë të bëjë ato që ne, për shumë arsye nuk i bëmë, nëse do të mundet t’a fusë Vendin tonë dhe të tij në rrugën e vërtetë të përparimit, duke rifituar sadopak “kohën e humbur”, ne do të jemi gjithsesi të paguar, në rast të kundërt do të jemi të dështuar në katror.
Ka një ligj etik e moral në jetën politike të çfarëdo demokracie të vërtetë, që është dhe një nga treguesit e shkallës së besueshmërisë së saj. Eshtë tërheqja nga skena në çastin e duhur, kur roli ka mbaruar ose beteja është e humbur. Me dhimbje më duhet të pohoj se roli ynë ka mbaruar, sepse ne i humbëm të gjitha betejat e për pasojë, tani me vetëdije e sadopak ndershmëri, duhet të lemë të tjerët në skenë, bijtë tanë. Ju urojmë me gjithë zemër atyre një fat më të mirë nga i yni e ju lemë si trashëgim moral një porosi: të mos përsërisin gabimet tona, të mos përvetësojnë veset e mendësinë tonë, të mos pajtohen kurrë me tiraninë, në çfarëdo forme qoftë edhe nëse do t’ju duhet t’a paguajnë me çmime tepër të shtrenjta atë mospajtim…Nuk është shumë e lehtë, por nuk është e pamundur.
Le t’i besojmë shpirtit krijues dhe mendësisë bashkëkohore të bijve tanë fatet e Vendit. Edhe nëse janë të rinj, edhe nëse ju mungon përvoja, edhe nëse do të gabojnë në ndonjë gjë të fillimit, atyre ju përket e ardhmja, le t’ju lemë në dorë dhe të tashmen. Jam i bindur se do të dijnë t’a ndërtojnë e administrojnë më mirë se ne. Një hap mbrapa i Brezit tonë sot, në jetën politike e administrative të Vendit, do të na nderonte në sytë e brezave të ardhshëm, që në botën e kompjuterve e të globalizimit, nuk do të arrijnë as t’i konceptojnë e jo më t’i falin vonesat, paaftësinë e gabimet tona, të cilat që tani janë duke paragjykuar dhe jetën e tyre.
Le të bëjmë tonën thirrjen e Papës Gjon Pali i II, drejtuar të rijve, në ditën botërore të rinisë, në Tor 0Vergata:” Ju takon juve të përmirësoni botën”. Aty qenë dhe të rinj shqiptarë, që valëvisnin flamurin me shkabën dykrenore. Nëse për bashkëmoshatarët e tyre amerikanë, anglezë, francezë, italianë etj. fjalët e Atit të Shenjtë ishin një shtysë për të ndrequr e përmirësuar pamje të ndryshme e të veçanta të shoqërive të tyre, për të rijtë tanë janë një thirrje e fuqishmë për të rindërtuar gjithçka nga themelet. Nuk do të jetë e lehtë barra dhe për ta, mbasi vështirësitë janë shumë të mëdha, por më mendësinë e njeriut të lirë e pa paragjykime, me entuziazmin, vrullin, nismat dhe shpirtin krijues të moshës, me përgatitjen e duhur në shkolla e shoqëri të tjera, duke vërejtur, përsiatur e përshtatur përvojat e të tjerëve, ata do të dijnë t’i përballojnë ato e të fitojnë mbi to.
Detyra jonë është të mos i pengojmë në punën e tyre dhe nëse ndonjë gjë e tyre nuk do të na pëlqejë, do të na duket e tepërt, e çuditëshme, e papranueshme. Ne, mendërisht, i përkasim një bote tjetër, megjithë kufizimet e saj dhe shpesh nuk arrijmë t’i kuptojmë ndryshimet që urdhëron koha dhe zhvillimi. Po t’i kishim kuptuar barra e tyre sot do të ishte më e lehtë.Uroj që në zgjedhjet e ardhshme administrative të kandidohen sa më shumë të rij e të reja. Do të jetë një tregues i dy vullneteve mjaft të rëndësishme: i tonit, për të filluar tërheqjen me nderin e armëve dhe i tyre, për të marrë përgjegjësitë e detyrat, për pasojë dhe mundimet që ato kërkojnë për përballimin e vënien në jetë. Uroj gjithashtu, që kriteret e zgjedhjes e të pjesëmarrjes në garën e ardhëshme, të jenë ato të përmasave morale, por njëkohësisht të aftësive vetiake e të përkushtimit ndaj një pune që, po të bëhet mirë, jep frute e kënaqësi jo vetëm për autorët.
Këto ishin disa nga arsyetimet, që më erdhën ndërmënd në atë bisedë të gjatë të përfyturuar me të njohurit e të panjohurit e asaj aradhe njerëzish, që është Brezi im. Ndofta kishte diçka të pazakontë në këtë bisedë, ndofta i vura përsipër atij të meta e gabime më shumë se ç’kishte, ndofta gjyqi i historisë nuk do të jetë kaq i ashpër, do t’i njohë dhe rrethanat lehtësuese. Do t’i njohë faktin se patëm fatin më të keq të gjithë brezave të këtij shekulli të Vendit tonë, për të jetuar nën thundrën e e diktaturës më të paskrupullt, më mizore, më të pabesë që kishin njohur shqiptarët. Qemë Brezi i triskave dhe i racionimeve, nuk shijuam as fëmini, as rini, as burrëri. Fëminia na kaloi duke luajtur me topa lecke e duke dëshiruar një copë bukë më shumë sesa racjoni i përditshëm i triskës. Rinia u shkri në aksionet e pafund, në kampet e internimit e të punëve të detyruara, në kufizimet më absurde që mund të përfytyrohen. Burrëria na erdhi në një kohë që ndryshoi gjithçka, por që ne na gjeti të papregatitur për këto ndryshime. U detyruam të fillonim jetën nga hiçi, mbasi e gjithë puna e bërë deri në atë kohë ishte shumëzuar me zero. Disa prej nesh u morën me politikën e rezultatet u renditën më sipër, të tjerë filluan rrugën e pasurimit e disa të paktë dhe ja arritën, shumica përballon një jetë me vështirësitë ekonomike, shpesh të pakapërcyeshme, të kësaj faze të pafund kalimtare dhe shumë morën rrugët e mërgimit, për t’u bërë shërbëtorë e shërbëtore, duke gëlltitur në heshtje lotët e hidhur të një dinjteti shpesh të lënduar.
Çfarë ruan e ardhmja për ne, nëse do të ketë një të tillë mbas një jete ankthi e mundimesh, është vështirë të parashikohet. Ne mbetëm gjithmonë në luftë, në një luftë të gjatë e të vështirë për mbijetesë. Qe një luftë pa armë, por jo më pak mizore. Viktimat e saj qenë ëndrrat tona të varrosura, dëshirat tona të parealizuara, liria jonë e gjymtuar, vitet e të vetmes jetë të flijuara për egoizmin e pafre të kolltukofagëve. Jeta jonë qe një tribut që i duhej paguar utopive kriminale të të ashtuquajturve teoricienë të komunizmit, padijes, mungesës së skrupujve e xhahillëkut të atyre që i vunë në zbatim në Shqipëri ato teori, arkitektëve të botës së ndarë në zona ndikimi, paaftësisë së prindërve tanë për të kuptuar e shmangur rrezikun e gangrenës komuniste, paaftësisë sonë për t’a kryer me sukses operacionin e zhdukjes së saj. Dashje pa dashje ne e paguam atë tribut, nuk mundëm t’i shmangeshim. Ai qe fati ynë i hidhur, i ashpër, i pamëshirshëm. I ngjan legjendës së Sizifit…
Korrik2000
Komentet