Të marrësh Mesharin tonë ndër duar:
Zdritje… Eh seh dasunit seh botesse saneh… Janë fjalë në gjuhën e vjetër shqipe, në atë që fliste dhe Skënderbeu dhe arbërit në trojet e tyre gjithandej.
Siç e dimë. Është libri ynë i parë, u botua në vitin 1555, në 5 janar, si sot, pra 470 vjet më parë dhe e vetmja kopje që i ka shpëtuar rrebesheve të shekujve, nga errësira e gjatë e pushtimit dhe e zjarreve të tyre, për fat është dhe ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit.
LIBËR NË ERRËSIRË
Autori Gjon Buzuku, prifti arbëror katolik nga Veriu i Shqipërisë, mbase nga fshatrat e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, famullitar i një kishe jo larg vendit të botimit të librit, nëse u shtyp në trevat e Ulqinit a të Tivarit, mbase dhe gjetiu në Bregun Dalmat, por ka shumë mundësi dhe në Venedik, sipas një mendimi më të përgjithshëm, se nuk është përcaktuar se ku, se i mungojnë faqet e para, 16 bashkë me ballinën, që i shtojnë misterin dhe dhembshurinë. Libër i plagosur.
Vendi po bënte shekullin e pushtimit nga perandoria otomane dhe do të rrinte dhe shekuj të tjerë në robëri.
Buzuku ynë, është kështu dhe autori i parë i letërsisë shqipe, që dimë.
“Meshari” i tij nuk është thjeshtë një libër kishtar, që përmban lëndë të ndryshme biblike të përkthyer, liturgji, të shoqëruar me copëza proze tregimtare. Rëndësia e tij është e jashtëzakonshme, jo vetëm për historinë e gjuhës tonë, por për gjithë kulturën e kombit, identitetin e tij.
Vepra është parë dhe si sintezë e botës së një populli, gjuhë dhe shpirt dhe mendësi, kahu i ecjes së Arbërisë dhe çelësi i shumë enigmave.
Aty është e foluar e shqiptarëve në Mesjetën e tyre, pa evoluimin e dukshëm të dy dialekteve tona dhe na bën të besohet se do të ketë patur dhe ka patur dhe vepra të tjera pararendëse.
Të zhdukura (!?!).
Buzuku duket se ndjek kështu një traditë të formësuar të shkrimit të shqipes, që do të vijojë dhe me autorë të tjerë. Gjuha shqipe aty është e kultivuar, kurse në pasthënie shprehet qartazi dashuria për arbërit dhe dheun e tyre, – Eh seh dasunit seh botesse saneh, – si frymëzuese e kësaj bëme për të ndritur mendjet e bashkatdhetarëve, zdritje – shkruan Buzuku, Më drithëron kjo fjalë, mos vjen nga “zë + dritë”
“Meshari” është shkruar me alfabetin latin me shkronja të tipit gjysmëgotike, i zakonshëm në atë kohë në Italinë e Veriut. Dhe për tingujt e shqipes që nuk i ka latinishtja, janë përdorur dhe pesë shkronja të posaçme, të ngjashme me ato të alfabetit cirilik. Gjithsesi libri ndihmon dhe linguistët indo-europianistë në rrafsh të gjerë.
Mbi të gjitha është dëshmi dhe kurajo për ne, shqiptarët. Nxorëm libra në errësirë..
ZBULIMET E LIBRIT TONË TË PARË
Është mbuluar dhe zbuluar herë pas here…
Mesharin tonë së pari e gjeti në Vatikan gjakovari Gjon Nikolë Kazazi më 1740. Deri atëhere dihej i humbur. Pastaj sikur u harrua prapë dhe më 1909, një vit pas Kongresit të Manastirit, kur si alfabet i shqipes u konfirmuan sërish shkronjat latine, ato të Mesharit, e rigjeti Pal Skiroi nga Palermo dhe përsëri më 1930 At Justin Rrota nga Shkodra, që e fotografoi në tre kopje dhe i shpërndau.
Më 1968 “Mesharit” iu bë një (ri)botim shkencor në Tiranë me faksimile dhe trasnskribim, pajisur me një studim të gjerë nga profesor Çabej.
Ndërsa origjinali dergjej atje, në Vatikanin e ndaluar. Duke u harruar. Studiuesit nuk kishin mundësi të dilnin nga Shqipëria diktatoriale sa herë t’u duhej, por kur nisnin ndonjë, misioni ishte ndryshe…
Vendoseni në një shtrat topi si heronjtë Librin e Parë, mbështilleni me Flamurin Kombëtar dhe çojeni drejt qendrës së Kryeqytetit, aty ku pret në bronz Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Dhe të vihemi presin në radhë shqiptarët, me mijëra, të ardhur nga të gjitha trevat e të shohin Librin e tyre të Parë, ta prekin. Kemi udhëtuar me shekuj drejt tij… Në kërkim të mesharit:
RRËFIME DIPLOMATIKE ME MESHARIN:
1. Edhe unë e kam kërkuar Mesharin tonë, kam ëndërruar të jem përballë tij…
Kisha hyrë në portat e shtetit të Vatikanit, të rrethuar me mure të larta dhe me roja zviceriane me shtiza të gjata ndër duar. Më ishte dukur sikur isha futur në një katedrale qiellore, jo në një tjetër kohë, por në vetë përjetësinë.
U ktheva andej nga Biblioteka e famshme. Plotësova ç’duhej me rigorozitet dhe kërkova Librin e Parë Shqip. Doja ta shihja, ta merrja ndër duar, ta ledhatoja…
Vetë Prefekti i atëhershëm i Bibliotekës, një kanadez hollak, i veshur me te zeza, me koletën e bardhë të priftit katolik, se nga shkoi nëpër ca labirinthe, në Mesjetë me siguri dhe u kthye me një sasi fletash ndër duar, pergamena apo fotokopje të tyre?
– Ky është libri që kërkon? – më pyeti në italishten e tij të bukur, me akcent. – Shikoje…
E mora librin me duart që më dridheshin.
– Jo, jo! – thashë me pikëllim të thellë, – s’është ky, – megjithëse nuk e kisha parë kurrë “Mesharin”.
– Do ta gjejmë, – shtoi gjithë siguri. – Këtu asgjë nuk humbet. Do të jetë në rikonstruktim.
Ndjeva dhëmbje, dyshim dhe frikë. Të jetë zhdukur vërtet? I vetmi ble që kishte mbetur në të gjithë botën, që për çudi nuk ndodhej në atdheun e vet.
Rreziku i grabitjes, i zhdukjes së tij, me qëllim, pa qëllim, ishte, është… unë s’besoj se bleu tjetër i “Mesharit” tonë humbi rastësisht në Raguzë, para do kohe. Ç’duhet bërë?…
Dhe kundërlajmi mbërriti. Gjithë ngazëllim u ula mbi makinën e shkrimit, poshtë në zyrën time të nëndheshme, kantinë a bodrum, ç’kishte qenë dikur, në vilën e Ambasadën dhe shkruajta fjalinë e parë, rraha tastat me po ato shkronja si të “Mesharit”.
U gjet… – dhe thashë me vete: Shekulli nuk mund të mbyllej pa ‘Mesharin’ tonë… të rikonstruktuar. Po çoja informacionin në Tiranë, ku qe përhapur lajmi në media se në Vatikan nuk gjendej më Meshari ynë. Po mua më lajmëroi vetë Prefekti i Bibliotekës, se “atje asgjë nuk humbiste”, kush i përhapte këto lajme të pavërteta? Libri është gati për përdorim, – përfundoi ai me një zë paksa solemn. Po gati për në atdhe kur do të jetë?
2. Dhe në një ditë romane plot me diell, në fundin e dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XXI, u nisëm nga ngrehina apokaliptike e ambasadës tonë.
Megjithatë më dukej si ditë shelbuese.
Takim drithërues, i ëndërruar gjithë jetën. Vetura e sorrtë e ambasadorit na futi në shtetin e vogël, por të madh në atë shpirtëror, të Vatikanit.
Ja portat e Bibliotekës. Kolegu ynë, Zef Bushati, kishte folur me miqtë e tij për një takim me… Mesharin. Po dridhesha. Sikur ndizeshin vetvetiu qirinj. Mezi po prisja në sallë.S’po kuptoja ç’po flisnim. Dhe ja, një nga punonjësit e Bibliotekës së famshme erdhi, e solli. I ngazëllyer dhe ai prej ngazëllimit të syve tanë. M.E.SH.A.R.I. Ja, i vërteti, i gjallë.
E prekëm me radhë. Sipas hierarkisë. Me kujdes, jo ashtu, gati thirri punonjësi i Bibliotekës. E kishte me ambasadorin.
Unë i fundit. Doja të qaja. Kur m’u duke se nuk po më shikonte kush, e putha. Fletët ishin të mbrojtura.
Duhet ta sjellim në Shqipëri, gjëmoi një zë brenda meje. Patjetër, patjetër. Unë kam parë “Mesharin”, doja t’i tregoja kujtdo që takoja, kam prekur Librin tonë të Parë dhe ditët e mia sikur u ndanë para dhe pas Mesharit.
Sa i madh do të ishte gëzimi i përbashkët, kur shqiptarët të gjitha ta shihnin librin e tyre të parë në vendin e tyre!
Natyrisht që duhet festuar…
3. Dhe sërish shkova në Bibliotekën Apostolike si drejtues i Ambasadës së vendit tim në Selinë e Shenjtë. Doja librin tim, “Mesharin”, më kishte marrë malli… ai Libër-At’, të përulesha para Tij dhe të lutesha në heshtje. Rivjen ai emocion, kur më priti Prefekti i Bibliotekës, Mons. Cesare Pasini, dhe së bashku mbajtëm “Mesharin” tonë të shenjtë. Duart e mia u mbushën me mornica si me shkronjat tona. Se me këtë libër kishim zbuluar një fillim…
REALIZIMI I ENDRRëS
Por dhe mund të kërkohej të vinte këtu për pak kohë ky libër i mërguar, të ekspozohej, të vizitohej nga të gjithë, të prekej me sy, me duar, të shikonte ai libër shqiptarët e vet. Po, na thoshin, mund të bëni një kërkesë zyrtare. Por… ngrinin supet. S’ka ndodhur ndonjëherë. Si me Mona-Lizën, edhe ajo ka dalë nga Luvri. Buzëqeshnin.
Shteti mund të bëjë, ja, ne jemi shteti, ka ambasadorë, avionë, reciprocitet, agjentë, të ketë dhe pakëz fantazi dhe dashuri më shumë… për të kaluarën. Ne i dhamë kohë më parë Vatikanit Kodikët tanë për një ekspozitë atje, u befasua Roma e madhe, çuam dhe të famshmin, të Purpurtin, që me të drejtë u vu mbi një shtrat topi, kur e nisëm. Dhe Vatikani mund të na i kthejë nderin duke na dërguar “Mesharin” mysafir në dheun amë, kështu bisedonim me njëri-tjetrin në tryeza diplomatike. Dhe harrohej “Meshari”… duart e diplomacisë tonë merreshin më shumë me librin e trashë të menysë së restoranteve.
Ndërroheshin ambasadorët, ministrat e Kulturës, por jo dëshira e thukët për të pasur Mesharin mes nesh.
Dhe një ditë, kur isha kthyer në atdhe, ia thashë ministrit të kulturës, z. Aldo Bumçi, e dëgjoi, heshti, u entuziazmua kujdesshëm, u prek… Po, po, u përgjigj, do ta sjellë Qeveria jonë në këtë 100 vjetor të themelimit të shtetit modern shqiptar.
Dhe nisi çështja “Meshari”. U hartuan shkresa, marrëveshje, me po ato shkronja me të cilat është shkruar dhe “Meshari”, i firmosi Ministri, pastaj Biblioteka jonë Kombëtare me Biblioteka e Vatikanit… erdhën përgjigjet nga jashtë me po ato shkronja me të cilat është shkruar dhe “Meshari”. U bënë verifikimet e sigurisë, u kontrolluan kushtet. Meshari do të vijë do të ekspozohet në Tiranë. Mbas 457 vjetësh. 5 shekuj…
Nderimet më të mëdha meriton dhe Meshari ynë, – rindiznim bisedën. Një tempull, një piedestal. Pranë armëve të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Dhe ato do të vinin…
Të derdhim në bronz fjalët e shqipes së vjetër, me shkronjat latine, ato zgjodhëm, edhe pse ishim të rrethuar nga alfabete cirilikë. Ishte prirja jonë natyrale me Perëndimin Evropian, ën së dashunit së botës s’anë.
…U Doni Gjoni, i biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gjã të ëndigluom ën së shkruomit shenjtë… desha me u…për sã mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e…
Të ndriçojmë mendjet e njerëzve, ja si thotë, përsëritnim fjali të shenjta të Mesharit, pra ky ka qenë edhe njëri nga qëllimet për të cilin e bë Meshari ynë. Dhe është dhe një lutje që nuk e ka asnjë meshar në botës, e shtoi Buzuku ynë: Gjithë popullsinë… ndër Arbanit ata n’mortajet largo, ty të lusmë. O Zot. Te Arbëria, pra aty i rreh zemra Buzukut.
RADHA SHEKULLORE
PËR TË PARË LIBRIN
Dhe do të shkruaja: Pritje e grumbulluar në breza, ëndërr e përbashkët dhe e atyre që s’janë! Përzierë me ca mister dhe me gëzim! Një libër!… i pari fare. Aty nisi… Do t’i afrohemi më shumë se kurrë, do të mund ta shohim si dorën tonë, që shkruan… Meshari i shqiptarëve, i gati 5 shekujve më parë, që ka mbetur i vetmuar në një Bibliotekë të huaj, ndër më të mëdhatë në botë e më të rëndësishmet, vjen në tokën e gjuhës së vet për herë të parë. Sikur kthehet nga një mërgim i gjatë si harrimet. Dhe shpërthejnë emocioni dhe malli, përsiatjet dhe kujtimet. Rimëkëmbja e një kombi vjen nga e kaluara, nëse e dashuron atë, thotë një i mençur i madh. Do të vijë nga qielli Meshari, se libër qiellor është.
Me avion nga Roma do të zbresë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe mes pritësve, sigurisht do të dalin dhe hijet e Budit, Bardhit e Bogdanit, e poetëve themeltarë, Naimi e Fishta, do të dalë hija e romancierit të parë shqiptar, Ndoc Nikaj, e atyre që nisën prozën moderne shqipe, Koliqi e Kuteli, gruaja e parë shkrimtare, Musine Kokalari, do të vijnë nga Kosova Mekuli, Shkreli, Podrimja, do të dalin fëmijët me tufa me lule.
Meshari mbi një shtrat topi, Libri i Parë i Shqiptarëve, i një nga gjuhët më lashta të botës, asaj që shpjegon emrat e perëndive, siç thoshin rilindasit tanë. Tallazitet Flamuri Kombëtar që e mbështjell Veprën. Nga të dy anët e bulevardit njerëzit duartrokasin. Makina që tërheq topin me Librin përsipër, sipas protokollit, i afrohet qendrës së kryeqytetit. Ndal aty tek shtatorja e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, Heroit Kombëtar, po aq dhe europian. Libri gati është moshatar me armët e Skënderbeut, po është më i ri Libri se armët në përgjithësi dhe bota duhet të kthehet tek arma e librit për t’u harruar gjithë armët e tjera, përsërisja me vete.
Dhe njerëzit në rradhë për të parë Librin e tyre të Parë. Qëndrojnë para tij, përkulen me nderim.
Nga fletët e tij gumëzhijnë zëra, pyje, lumenj, vringëllima shpatash, orteqe eposesh, digjen qirinj, dridhen gishtrinj, mijëra – të një populli, shkëlqejnë sy, si yjet, që edhe kur shuhen, drita e tyre vjen e pavdekur, diellore, gjithë dashuri e amëshueme, del frymë nga ato fletë, por edhe gjak, del vetë ëndrra, fjalë, fjalë, fjalë të librave pafund të një populli, shkresa, memorandume, ultimatume, përgjigje, kujtesa kolektive, e folura jonë që përmbledh jetë, atë që shkoi e atë që do të vijë, vetë përjetësinë.
U kthye Meshari, Mesh- ari, meshë e artë është kjo ditë. Dhe më shumë…
DHURATA E PAPA FRANÇESKUT
DHE LUTJA PRESIDENTIT
Papa Françesko zgjodhi Shqipërinë për të bërë vizitën e parë apostolike në Europë, sepse, siç e tha dhe vetë, është një vend emblematik përsa i përket harmonisë ndërfetare, që ka vuajtur në shekuj dhe ka një kishë të hershme, qëndrestare dhe martire, e cila është persekutuar, është vrarë dhe ringjallur përsëri.
Dhe në një ditë shtatori të 2014 Papa Françesku zbriti në aeroportin e vetëm të Tiranës që mban emrin “Nënë Tereza”. Dukej sikur vetë Nënë Terezës, si bijë e këtij vendi, sipas zakoneve shqiptare e ballkanike kishte dalë, ashtu shpirt prej ere, në pragun e shtëpisë për të pritur atin, Atin e Shenjtë Papa Françeskun siç kishe bërë e gjallë për të pritur në prill të vitit 1993 Papa Gjon Palin II.
Ati i Shenjtë në takimet e mëdha theksoi, se kishte dëgjuar që emri i vendit tonë rridhte nga emri “shqiponjë”, prandaj, na porositi, që të fluturonim lart si shqiponjat, por të mos harronin folenë dhe plagët.
. Dhe Presidentit të atëhershëm të Republikës i dhuroi librin e parë të gjuhës shqipe, “Mesharin” të dixhitalizuar… por presidenti nuk e kuptoi dhuratën, e ka vendin në Bibliotekën Kombëtare, tha, dhe e çoi atje, ku dhe e kishin.
Kumti i asaj dhurate, sipas meje, ishte që edhe Presidenti duhet të dijë, ja, libri i parë, lexojeni, që Presidenca të ketë bibliotekën e vet patjetër, jo vetëm garden…
Do t’i lutesha sinqerisht Presidentit të tanishëm që ta rikthente dhuratën e shenjtë “Mesharin” në vend, në Presidencë, ta vinte në një vend të lartësuar si monument në një nga sallonet para derës së bibliotekës. Nëse s’ka, ta krijojë.
“Mesharin” e ka, të parin…
Po shiu është jeta ringjallja begatia , ai bje per të vadit tokën ushqyese të gjithesise , kur dielli eshtë i nxehte dhe shiu rembimthi bie mbi tullat e poçarit duke ja shkërmoq një nga një si për ti thënë në baltë e hi do të kthejë perseri po nuk mësove fuqinë e ringjalljes , edhe ty argate qe vendin tënd braktise per tu skllavuruar në vend te huaj tokat do ti marin ujërat e mia dhe në vende te largëta do ti çoje,
kurë te kthehesh gjemba do te gjesh ne token tënde qe të çpojnë kembetet e tua qe me braktiset. Unë kam nevoje per shërbimin tuaj si dhe ju per ujrat e mia në djall va fshin njerzit që smë duan . Le të mësojnë se unë jam pjesë e ringjalljes dhe e larjes se mëkateve.
Mos e ba zanin e shiut me u zemru Ilir Gurabardhi.
Unë e kam respektuar më shumë se në poemën tende duke e vlerësuar ringjallje dhe jo gjarpër nën gëmushë zhurmën e jetes, ai nuk lu kukamçefti me rufetë se eshtë vetë jeta qe mbart histori , nga lotët e nxehtë të nënave kosovare per bijtë e tyre djersen e argatit lotin e femijeve të mbetur jetim dhe te mërgimtareve tanë . Ai vjen te rifilloje jeten por duhet ta dish dhe administrosh se pasaj e lenden dhe te vë perpara . Ai eshte vuajtja dhe vjen per te treguar jeten ringjalljen po në këte ringjallje thotë populli ka edhe nga ata qe dalin si kërpudha pas shiut e lodrojnë si kermij.
Futu ne faqen time te shikosh sa bukur i këndohet shiut.
Te pershendes Ilir, te flm qe i lexon poezite e mija. Arti eshte universal. Çdo te mire, Elida