Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës ka dërguar për verifikim në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, listën me emrat e imamëve të autorizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, të cilët do të angazhohen në procesin e deradikalizimit brenda burgjeve të Kosovës, konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Lidhur me angazhimin e rreth 20 imamëve për t’iu qasur deradikalizimit të personave të caktuar, të cilët janë duke vuajtur dënimet në burgjet e Kosovës për veprat që kanë të bëjnë me terrorizmin, Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, ditë më parë kanë nënshkruar marrëveshjen e përbashkët.
Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, theksoi se imamët e Bashkësisë Islame të Kosovës nuk do ta zëvendësojnë punën e psikologëve dhe sociologëve, të cilët janë të angazhuar nga qendrat korrektuese. Por, sipas tij, bashkëpunimi ka të bëjë me atë që nga qendrat korrektuese të evitohen literaturat fetare të paautorizuara, të cilat kanë depërtuar në këto qendra, dhe aty të dërgohet literaturë e autorizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.
“Pasi që të përfundon procesi i verifikimit, atëherë imamët do ta vazhdojnë punën nëpër qendrat korrektuese. Duhet ta bëj të qartë për opinionin publik se nuk flitet për organizime masive, qoftë të ligjëratave, qoftë të organizimit të riteve fetare. Janë vetëm për ata persona, të cilët janë të radikalizuar dhe për personat tjerë që shprehin interesimin e tyre që të jenë pjesë e organizimit të këtyre riteve fetare brenda qendrave korrektuese, gjithmonë pa e cenuar asnjëherë sigurinë dhe funksionin e qendrave korrektuese të Kosovës”, tha ministri Tahiri.
Në anën tjetër, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora thotë për Radion Evropa e Lirë, se përvojat e vendeve evropiane që kanë angazhuar imamë në procesin e deradikalizimit të personave të dënuar, janë treguar të suksesshme. Sipas tij, Bashkësia Islame e Kosovës, bazuar në marrëveshjen me Ministrinë e Drejtësisë, tashmë ka caktuar imamët që do të jenë të përfshirë në zbatimin e programit të paraparë në marrëveshje.
“Në këtë rast, imamët që janë përzgjedhur, janë shumë meritorë, që kanë një kualifikim të mirë, imam që janë dëshmuar me punën dhe përkushtimin e tyre, deri më tash, në Bashkësinë Islame. Andaj, shpresojmë që edhe puna e tyre do të jetë e suksesshme, qoftë në ligjërimet për të cilat kanë nevojë të burgosurit, qoftë edhe me programet që janë për deradikalizimin e atyre që janë të burgosur”, tha Bajgora.
Ndërkaq, ministri Tahiri thekson se zbatimi i marrëveshjes ka të vetmin qëllim që t’i dilet përballë fenomenit të radikalizmit fetar në qendrat korrektuese, në mënyrë që personat e që vuajnë dënimin për radikalizëm fetar, pas përfundimit të dënimit të mos paraqesin rrezik për shoqërinë dhe për shtetin.
“Padyshim që në formën se si është tani, ata paraqesin rrezik për shoqërinë tonë. Mirëpo, ne në asnjë rrethanë, nuk do të tolerojmë që një gjendje e tillë të vazhdojë dhe do të marrim masa, në secilin rast që është i nevojshëm, që ky rrezik i mundshëm të evitohet. Këta njerëz, në momentin që do të përfundojnë dënimin e tyre, në momentin që dalin nga qendrat korrektuese, duhet të jenë të gatshëm që të mos paraqesin rrezik për shoqërinë tonë dhe të jenë të gatshëm që të inkuadrohen në punën e tyre ditore, të jenë pjesë e shoqërisë tonë”, tha Tahiri.
Kryeimami Bajgora ka shprehur bindjen se në rast se të gjitha palët e angazhuara në procesin e deradikalizimit të personave të caktuar, që vuajnë dënimet në qendrat korrektuese, e kryejnë punën e tyre si duhet, sukseset do të jenë të pashmangshme.
“Ne ende nuk kemi qasje në atë se sa është përqindja e radikalizmit të tyre nëpër burgje. Andaj, së pari neve na duhet ta bëjmë një regjistrim nëpër burgje se si qëndron situata dhe pastaj të fillojmë me programet përkatëse, për të cilat tashmë janë trajnuar imamët tanë nëpër seminare dhe konferenca të ndryshme që janë mbajtur vitin e fundit, por edhe të një trajnimi që është kryer në Angli, përkitazi me këtë çështje”, theksoi Bajgora.
Në qendrat korrektuese të Kosovës tashmë gjendet një numër i qytetarëve të vendit, të cilët po e vuajnë dënimin për pjesëmarrje në luftërat e huaja, në Irak dhe Siri, por edhe për tentimin për të shkuar në luftërat e huaja.
Më herët, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, patën theksuar se është vërejtur prania e radikalizmit në mesin e të burgosurve, madje edhe tek ata të cilët po mbajnë dënimin për vepra penale krejtësisht tjera dhe që nuk ndërlidhen me terrorizmin.
Sipas autoriteteve të Kosovës, rreth 316 persona nga Kosova kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Besohet se në zonat e luftës ende gjenden 140 persona, ndërkaq që në Kosovë janë kthyer 117 prej tyre.
Komentet