Nastradini i kishte marrë para borxh një mikut të tij dhe nuk po ia kthente në kohë. Një ditë miku i tij erdhi përsëri për t’ia kërkuar paratë e tij. Nastradini i tha:
-Do t’i kthej paratë shumë shpejt.
-Kur? – pyeti huadhënësi.
-Shiko këtu, – i tha Nastradini. Unë i kam mbjellë këto gëmushat përballë shtëpisë sime. Do të vijë pranvera dhe ato do të rriten. Do të vijnë delet dhe do të kullotin, duke u fërkuar do të lënë leshin nëpër gëmusha. Unë do ta mbledh, do ta shes në pazar dhe do t’i kthej paratë e tua.
Kur miku i tij filloi të qeshë, Nastradini i tha:
-Hajde, qerrata, qerrata! Tani ti po i ndien paratë e thata në dorë dhe je i lumtur! A nuk je i lumtur?
Komentet