Debati i dukshëm rreth kishës ortodokse të Shen Thanasit në Dhërmi, është kërpudha e sajuar që tenton të fsheh vatrën e nxehtë të një problemi fontamental në raportet historike midis fesë së krishtere ortodokse dhe asaj katolike. Si i tillë tejkalon Himarën, Epirin, Greqinë apo Shqipërinë. Duke u përpjekur për lexuar skenarin e debatit kupton se ai synon të fshehë rinisjen e një misioni të dështuar 135 vjeçar, (1628-1763) të ngritur nga kongregata e Propagandës Fide për të mbjellë katolicizmin në zonët e Himarës, (dhe të Pargës) qoftë edhe në formën e Unias (Baziliane). (Në një raport të misionarit Silvestro Sladhi drejtuar Vatikanit me 1760 midis të tjerash theksohet se “midis Himariotëve nuk ekziston asnjë katolik. Të gjithë janë armiq të Papës dhe përndjekës të pamëshirshëm të tij…”)
Tërheq vëmendjen fakti që një rinisje të misionit me qëllime të vjetra e të reja, zë fill pas 350 vjetëve. Debati nisi pikërisht në përvjetorin e vdekjes së Shën Kozmait që konsiderohet një nga dy shkaktarët kryesorë të dështimit të katolicizmit të Himarës. Arsyeja e parë lidhet me shfaqjen në skenën gjeopolitike të kohës të Rusisë, që i dha fund krahut ushtarak e ekonomik të Vatikanit në Ballkanin Perëndimor,- Republikës së Venedikut. (Është koha që Himariotët nuk i shkruajnë me letra Papës për ndihmë ushtarake kundër Turqisë, por Shën Petërburgut).
Kuptohet që sot ata morën përsipër një nismë të tillë nuk janë, as të vetëm, as aq të thjeshtë, as se ky skenar është i momentit. Prapa tyre ka projekte të kushtueshme, por jo të panjohura. Aplikimi i tyre kësaj here bëhet sipas fjalës së urtë, “gjetkë pula kakaris e gjetkë e bën vezën” (për të humbur gjurmët) Një nga protagonistët e këtij debati, A. Shkreli është i njohur në implementimin e dy projekteve të tjera me po këto ngjyrime, por të dështuara. Bëhet fjalë për projektin në lidhje me objektin “kishë -xhami” në kalanë e Shkodrës dhe ai me qendrën kulturore për intelektualët myslimanë në kishën-teqe të Melanit në Gjirokastër. Nga ana tjetër debati i nisur duket se kërkon të lehtësojë punën e institucioneve që do të thonë fjalën “shkencore” më pas, duke hapur shtegun publik për teza të manipuluara. (Pak a shumë kjo histori i ngjan heroizmit të Shkurtë Palvata-ve nga regjimi komunist)
Ky manipulim ngërthen deformime në një serë drejtimëshe dhe nivelesh ku mbizotëron ai patriotik si më i afti për të mbuluar çdo prapësi.
Deformimi më i thjeshtë. Ai i realitetit të objektit të kultit sot.
Dihet se një objekt kulti përcaktohet nga raporti qe vendosin besimtarët me të, pavarësisht nga parametrat dhe natyra arkitekturore. Besimtarët ortodoksë në Dhërmi e pranuan atë ndërtim, ngritur në vendin e shenjtëruar nga një kishë e shek. VI, si kishën e tyre. Fakti që ata falen atje me përkushtim prej 23 vjetësh dhe janë gati për çdo sakrificë në mbrojtje të saj, nuk lejon asnjë ekuivok dhe nuk pranon asnjë ndërhyrje. Çdo qëndrim i kundërt përbën provokim dhe shkelje të së drejtës fontamentale të njeriut, të drejtës së besimit.
Se dyti. Në një vend ku masa e legalizimit të objekteve të paligjshme përbën suksesin politik të çdo qeverie, nuk mund të pranohet arsyetimi se duhet prishur një objekt kulti në emër të zbatimit të ligjit.
Se treti. Vet strukturat përgjegjëse të shtetit deklarohen se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me vlerë aktive dhe të regjistruar kulturore, për arsyen e thjeshtë së është shembur përfundimisht që me 1972.
Duket se synohet personalizimi i vendit të shenjtë nga figura e një misionari të katolicizmit, për ta glorifikuar sa më bindshëm atë. (Edhe perandoria otomane, adoptonte kishat në xhami me shpresë se tradita e besimit do të bënte më të lehtë ndërrimin e fesë) Por e vërteta historike nuk pranon identifikimin e kësaj kishe, jo me një murg, por as me fenë katolike e as me hallkën e saj kalimtare të UNIA-s. Themelimi i saj daton në shek.. VI si kishë ortodokse. Misionari Catalano erdhi këtu pas mbi 10 shekujsh. Kisha e Shën Thanasit vazhdoi ekzistencën e saj si kishë ortodokse deri me 1972.
Së katërti. Dhe arsyetimi i shembjes së kishës për gjetjen e varrit të misionarit të Propagandës Fide, Nilo Catalano, përbën një abuzim. Të dhënat që fshihen, flasin se eshtrat e tij janë tërhequr nga italianët në luftën italo-greke me 1940. Pra, në mënyrë shumë abuzive dhe për të mbjellë mëri publike thuhet se varri ndodhet nën muret e këtij objekti semblist kultit që forca madhore e shtetit e shembi me pabesi.
Abuzimi me Nilo Catalanon dhe me historinë e misionit 135 vjeçar për përhapjen e katolicizmit në Himarë.
Pas etikitemit të Catalanos si arberesh, (Prof Matteo Mandala na thotë se është me origjinë spanjolle), harrohet se ai ishte një misionar fetar për të ndërtuar midis himariotëve urën për në fenë katolike dhe në mënyrë apriori i vishet manteli i pionerit të shqiptarësisë dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Faktet historike janë shumë kokëfortë për të kundërtën. Pas kryengritjes së dështuar të Dhionisios Filosofos me 1611 në Epir, u intensifikua myslimanizimi i dhunshëm e popullsisë së krishterë. Në këtë situatë nga Himara e lidhjeve të kahershme me Venedikun u shpeshtuan kërkesat drejtuara Papës për ndihmë ushtarake. Shpresa e himariotëve për ndihmë ushtarake, bashkë me krizën që përjetonte kisha ortodokse, u përdorën nga Vatikani, nëpërmjet Propagandës Fide, si mundësi për të ngritur në Himarë sistemin e misionarëve të katolicizmit të rajonit. Si bazë ekzistonte letra e famshme e himariotëve e 1581, sipas të cilës, ata, në këmbim të ndihmës ushtarake pranonin njohjen e autoritetit të Papës dhe besimin e tij. (Një vit më vonë Papa iu përgjigj me ironi të shenjtë. “Ne do t’ju kujtojmë në lutjet tona”.
Ndihmë ushtarake nuk arriti kurrë në Himarë. Misionet fetare vazhduan deri me 1763. I pari misionar, me 1628-1643, ishte qiprioti Neofitos Rodhinos, i cili kishte braktisur fenë ortodokse. Atij i takon merita e hapjes së shkollave fetare në Vuno, Himarë dhe Nivicë.
Periudha e pranisë së tij në Himarë përcakton dhe fazën e pare të Misioni mbi një-shekullor i Propagandës Fide në Himarë. Faza e dytë shkon deri me 1693 dhe e treta deri në fundin e misionit, me 1763. Përcaktimi i fazave lidhet më shumë me përbërjen e misionarëve. Kështu edhe misionarët e fazës së dytë vazhdojnë të jenë me prejardhje greko-ortodokse.
Nilo Catalano, me prejardhjen spanjolle shënon fillimin e fazës së tretë, që do të pasohet nga Filoteo Zaosi, Bazilio Matranga, Xhuzepe Skivo dhe Ioani Strati (1733) nga Dhërmiu. Kontributi i secilit misionar në favor të katolicizmit nuk kishte me pak vlera se ai i Catalanos. Ndryshimi i vetëm është se ai u varros në Dhërmi.
Abuzimi i radhës është ai në lidhje me kontributin “kombëtar fetar shqiptar” të Catalanos dhe të misionarëve të tjerë paraardhës dhe pasardhës të tij. Ne radhë të parë në atë periudhë asnjë mision fetar nuk kishte lidhje me kombin dhe kombësinë. Kështu që misionarët katolikë, ose bazilianë në Himarë, aq më tepër ata, i shërbenin me besnikëri misionit për të cilin kishin ardhur, që ishte përhapja e fesë së tyre. Edhe hapja e shkollave i shërbenin këtij qëllimi.
Historia dhe prof. Matteo Mandala na thonë se këta misionarë ishin Bazilian. Nathalie Clayer na njofton se në fillim të shekullit të XVIII, ekzistonte urdhri monastik grek, i bazilianëve të cilët arritën të kishin edhe seminarët e tyre “të destinuara për formimin e klerit të ritit grek, që dhanë po ashtu ndihmesën e tyre për formimin e një elite laike greko-shqiptare” Kjo do të thotë se nga pikëpamja hierarkike ky komunitet njeh autoritetin e Papës, ndërsa në funksionin praktik fetar, aplikonin ritin bizantin në gjuhën greke, i cili zbatohet ende midis arberëshëve të Italisë. Për këtë u quajtën Unitarë-bazilianë. Nathalie Clayer na thotë për këtë se “riti greko-bizantin kishte qenë një element qendror që karakterizonte italo-shqiptarët dhe, në veçanti, institucionet e tyre specifike (kishat, kolegjet, seminarët) cilësoheshin zakonisht si greco-albanese ose dei Greci (“e grekëve”).
Realiteti ortodoks i Himarës dhe qëllimi i përhapjes së katolicizmit nëpërmjet Unias e bënte më të domosdoshëm, ruajtjen e ritit bizantin, pra atij grek. Kjo do të thotë se edhe shkollat e hapura këtu ishin të karakterit fetar dhe i shërbenin këtij qëllimi edukimit në gjuhën e fesë. Skenaristët e këtushëm dhe të tanishëm, përpiqen me disa “ndoshta”, për fjalor të shqipes, dorëshkrime të humbura etj., ta identifikojnë Catalanon me kombëtaristin shqiptar me të hershëm edhe në lëmin e kishës.
Por i këto pretendime i rrezojnë pa mëshirë peshkopët arbëreshë që vizituan Tiranën në prillin e 2014. Ata deklaruan zyrtarisht se KOASH, “për ne arbëreshët me ritin bizantin në Itali ish dhe qëndron si një pikë referimi i përditshëm. Ne nuk kemi asnjë interes material ose territorial dhe fetar këtu në Shqipëri, ku Kishta Orthodhokse e bën shumë mirë e me nderë e shenjtërimit e popullit. …”
Raportet historike dhe aktuale greko-arbëreshe- në sferën fetare e laike – dhe fetare midis arbëreshëve dhe KOASH-it e bën të pavlerë demonizimin e faktorit grek në debat. Fatkeqësisht e riaktivizuan rishtazi skemën e njohur të antihelenizmit për të forcuar shqiptarizmin, deklaratat e OMONIAS dhe PBDNJ-së. Këto subjekte politike, për rritjen e kredibilitetit të tyre, arritën, që nëpërmjet disa qarqeve të caktuara greke me interesa në minoritetin etnik grek në Shqipëri, të futin në hullinë e tyre Ministrinë e Jashtme Greke. Ky ishte një As në duart e skenaristeve për “memoralizimin” e Catalanos, jo aq në favor të idesë për të krijuar piedastele për simbole fiktive të një krenarie virtuale kombëtare. Por edhe për ta shkëputur Propagandën e re Fide nga kuadri strikt fetar, drejt një horizonti “laik” me perspektivë të qartë politike dhe gjeopolitike.
Për skenarin ka kohë që punohet
Nga ana tjetër skenari nuk është i momentit. At Foti Fico nga Bregdeti, brenda mëkateve të tij kishte tërhequr vëmendjen Kryepeshkopit Anastas për tolerimet që ishte detyruar të bënte ndaj strukturave katolike, protestante, ungjillore e të tjerë në territorin e Mitropolisë së Gjirokastrës. Fshati i Shën Ilisë përballë Butrintit me banorë katolikë e myslimanë nga Veriu i vendit (nga ku më parë ishte rrëzuar me dhunë një kryq ortodoks), u ngrit nga këto strukturat katolike fill pas ngjarjeve të 1997 dhe përbën ndoshta treguesin e parë praktik të realitetit të pritshëm.
Nuk duhet harruar se censusi i 2011 i nxori katolikët gati sa dyfish të ortodokseve dhe strukturat ortodokse e kaluan thuaj në heshtje këtë abuzim historik.
Pak para vizitës së Papës së në Shqipëri, shtator 2014, nga “analistë” politikë shumë afër grupit të skenarit të tanishëm pati botime dhe analiza në media ku ortodoksia shqiptare identifikohej me strukturat ortodokse te shekullit XIV-XV që bënin aleanca me otomanët për të përballuar katolikët. Protokolli i vizitës së Papës kishte parashikuar kreun e ortodoksëve shqiptarë të rreshtuar midis krerëve myslimanë që rrinin vazhdimisht përballë grupit katolik. Një skemë e tillë çuditi dhe vet Papën, i cili tha se “ç’është ky rreshtim sikur jemi në ndeshje!” Vet apostrofat e Papës për “shqiponjën që duhet t’i kthehet folesë” u interpretua gjithashtu si nxitje për të përqafuar besimin katolik, atë që po bën vet kryeministri apo figura të tjera laike shqiptare.
Komentet