I tillë është botimi më i ri i Mjeshtrit të Diplomacisë, Shaban Murati “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”
Falë përvojës mbi 40 vjeçare në fushën e gazetarisë, publicistikës politike dhe karrierës së pasur diplomatike, promovimi disa ditë më parë i librit të 11-të të “ patriarkut të analizës diplomatike” siç e konsideron ish – kryeministri Aleksandër Meksit përbën ngjarje në jetën politike, diplomatike dhe publike. Për më tepër se vjen në momentin e duhur me një temë intriguese tejet aktuale.
“Çështja e paqenë e detit…” është analizë dhe pasqyrë analitike, manual diplomatik, kronikë e pasur me burime arkivore dhe konsulencë/oponencë reale; të shoqëruara dhe me një katalog të larmishëm rekomandimesh praktike për procesin e vendimmarrjes politike/diplomatike që ai i ka bërë me guxim dhe kompetencë edhe kohët e fundit deri në vitin 2015 kur ishte rikthyer si Këshilltar i Posaçëm i Ministrit të Jashtëm.
Më poshtë, po ndalemi shkurt për një publik të gjerë në gjetjet dhe përfundimet më kryesore që përshkruhen me hollësi në 230 faqet e këtij libri që disponohet dhe në gjuhën angleze.
Jo Kufiri Detar por Shelfi Kontinental!
Duke iu referuar përvojës, fakteve dhe traktateve përkatëse dy dhe shumëpalëshe të mbi 100 viteve të fundit, Shaban Murati pohon me gojën plot se “Çështja e detit është e paqenë”! Ai dëshmon qartë se Greqia dhe Shqipëria, ndonëse të pakënaqura me ndarjen territoriale të fuqive të mëdha kanë nënshkruar dhe pranuar me kohë Protokollin e Firences dhe Aktin Final të Parisit mbi delimitimin e kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë të vitit 1925 – 1926, pa pasur asnjëherë kurrfarë pretendimi territorial. Tjetër gjë janë rivendikimet e qarqeve ultranacionaliste që nuk janë politikë zyrtare pavarësisht ndikimeve të tyre jo të vogla.
Gjithashtu, rishikimi i kufijve detarë nuk ka qenë përparësi për politikën e jashtme greke deri më 2015 kur atë e konsideroi të tillë për herë të parë ish-ministri i Jashtëm Venizellos.
Çështja e paqenë e “detit”, sipas autorit, u sajua dhe u shpreh papritur në vitin 2007, kur pala greke pas kërkimeve dhe zbulimit të rezervave të pasura me naftë në Bllokun 5 Jon kërkoi një Marrëveshje për përcaktimin e “ shelfit kontinental”. Jo rastësisht libri i botuar në vitin 2012 nga diplomatja dhe negociatorja greke Anastasia G. Strati që përmendet shpesh në libër është sponsorizuar nga Shoqata Kombëtare Greke e naftës. Pikërisht kjo është pikënisja ku diplomacia jonë nën diktatin politik dypalësh u zhyt dhe u “mbyt” në “Detin” e turpit. Ish- Kryeministri Berisha ka përcaktuar shelfin kontinental për hartimin e një marrëveshjeje për grupin e punës ngritjen e të cilit e urdhëroi në vitin 2007; Mirëpo, çuditërisht dy vjet më vonë, në vendimin e miratimit nga qeveria na doli Marrëveshje për delitimimin e kufijve detarë.!!! Kështu, me një operacion politik dhe diplomatik “ blitz” brenda dy viteve u zhbë gjithë praktika juridike dy dhe shumëpalëshe me pasojë dhënien e 350 km katror Greqisë, po të mos ishte Gjykata e Lartë Kushtetuese që e anuloi Marrëveshjen e 27 prillit 2009.
Ndaj sipas autorit të librit, edhe bisedimet e tanishme në proces me palën greke duhet të zhvillohen vetëm për përcaktimin e shelfit dhe zonave ekonomike ekskluzive. Vendimi historik i Gjykatës Kushtetuese nuk lë rast dhe shans për asgjë tjetër.
Kur nxiton, vonon
Ndryshe nga praktika e gjatë ndërkombëtare ku, me përjashtim të konflikteve dhe krizave ushtarake apo humanitare, në çdo rast tjetër diplomacia e çdo vendi vepron “me nge”, me procedura të kujdesshme dhe që kërkojnë kohë; sepse aty përfshihen shumë agjenci dhe subjekte të tjera, ligje, rregulla dhe procedura, analiza dhe studim dosjesh; kurse hartimi dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së 27 prillit 2009 shënoi një “rekord guines” por fatal për vendin tonë: brenda dy viteve, vetëm me katër raunde negociatash, veç 2 – 3 takimeve “kokë më kokë” Një rast i paprecedent sidomos për një problem të tillë me ndjeshmëri të lartë politike dhe publike, ku nxitimi është këshilltari, madje dhe armiku më i keq!
Në libër jepet kontrasti me Turqinë, e cila ka zhvilluar me Greqinë po për këtë çështje në detin Egje plot 41 raunde negociatash; Rumania dhe Bullgaria kanë 20 vjet që negociojnë për 17 km katrore, kurse Kroacia me Sloveninë 26 vite për 19 km katror. Këtu dua të shtoj nga përvoja e punës në Ambasadën tonë në Bruksel rastin e Belgjikës dhe Holandës që ndryshuan vetëm 80 ha tokë të një minienklave kufitare që ndryshimet klimatike e kishin kthyer në “tokë të askujt”; edhe pse bisedimet ishin tejet miqësore dhe pa probleme, sërish u deshën plot dy vjet për “kopsitjen” e aspekteve teknike dhe procedurale deri te miratimi dhe ratifikimi i marrëveshjes përkatëse që hyri në fuqi këtë vit.
Ky nxitim i habitshëm e kapi “gafil” diplomacinë tone; sidomos për një temë ku i mungonte profesionalizmi; sepse diplomacia nuk është thjesht notere ose formalizuese, siç është shprehur ndonjë ish-ministër i Jashtëm, por institucion politik me shumë filtra dhe mekanizma horizontale dhe vertikale, vendase dhe të huaja. Presioni i tmerrshëm dhe “diktatura” e afateve dhe urdhrave absurd të tipit “ bëje ose ik, deri sot/deri nesër e pret shefi” ia prenë asaj shtigjet dhe mbikalimet për hapat dhe demarshet e mirëfillta diplomatike.
Natyrisht që në këtë “ yrysh jodiplomatik” ekipi ynë negociator, pa dashur të mbulojë apo justifikojë “gjynahet” e drejtuesve të tyre, e kishte të pamundur të njihej siç kërkohej qoftë dhe me “abc”-në e dosjeve të së kaluarës dhe ca më pak t’i referohej përvojës së vendeve të lartpërmendura që kanë qenë të gatshme për të na këshilluar.
Vetëkuptohet që ky nxitim enigmatik duhet të shmanget në procesin e tanishëm të negociatave, që marrëveshja e synuar të mos jetë thjesht “më e mirë se e mëparshmja” dhe të mos shkaktojë “tërmete” politike, diplomatike dhe kushtetuese si gati 10 vjet më parë. Vërtet që datat në diplomaci kanë rëndësinë e tyre, por gjithnjë me kohë, pas hapave dhe pa “djegur etapat”. Sepse sa herë jemi nxituar, jemi vonuar dhe kemi gabuar.
Si të barabartë, jo si “lypsarë”!
Libri nxjerrë në pah edhe pozitat e dobësuara dhe inferiore negociuese të palës sonë në vitet 2008 – 2009. Mjaft të kujtojmë efektet sizmike politike të shpërthimit në Gërdec, konsumimin e viteve në pushtet vetëm tre muaj përpara zgjedhjeve të reja parlamentare; madje për këtë qëllim sapo ishte dorëzuar sërish me një nxitim të tepruar te pala çeke kërkesa për statusin kandidat dhe pritej miratimi i vendeve anëtare të BE-së e të Greqisë, etj.
Në këto kushte të theksuara asimetrie, diplomacia e çdo vendi do t’i sugjeronte politikës që të shtyhej diskutimi i një çështjeje të rëndësishme dhe me ndjeshmëri të lartë për më vonë, kur këto pozita të jenë përmirësuar, me qëllim që të sigurohen përfitimet maksimale, që pala jonë të mos jetë kurrsesi në pozitën e “lypësit”. Më konkretisht, presioni grek mund të zbutej apo sfumohej me procedura dhe taktika diplomatike tashmë të njohura, qoftë dhe me vazhdimin e negociatave, por pa nxitim, se në fund të fundit nuk kishte ndonjë krizë apo konflikt mes dy vendeve tona. Aq më tepër kur, siç nënvizon Murati, pala greke, veç ligjit të luftës, kishte 31 vjet pa dhënë përgjigje lidhur me kërkesat tona për një marrëveshje për ujerat e ëmbla, ndërtimet e HC-ve mbi lumin Vjosë, piramidat kufitare, etj.
JO, Arbitrazhit Ndërkombëtar!
Versioni i referimit të kësaj çështjeje te Arbitrazhi Ndërkombëtar përbën një kapitull të rëndësishëm në këtë libër.
Sipas autorit të librit, referimi në arbitrazh që pala greke, por dhe ndonjë aktor tjetër vendas vazhdon ta ketë “shumë për zemër” se gjoja mund të fitonim diçka më shumë se nga marrëveshja e anuluar e detit do të ishte një gafë dhe precedent i kushtueshëm politik dhe diplomatik për palën tonë; Shaban Murati argumenton hollësisht dhe me shqetësim se ky Arbitrazh i pakuptimtë do të zhvleftësonte traktatet dhe marrëveshjet e mëparshme shumëpalëshe dhe realitetin e të dy vendeve tona; do të injoronte vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese dhe do të rikrijonte dhe ndërkombëtarizonte artificialisht një problem të paqenë si çështja e përcaktimit të kufijve detarë ndërmjet dy vendeve tona.
Ndërsa nga ana praktike, lind pyetja se çfarë do të kërkohet nga arbitrazhi, kur mes dy vendeve tona nuk ka pretendime dhe konflikte mbi kufijtë, detarë apo tokësorë; a do të hedhim në arbitrazh këtë vendim apo marrëveshje të vdekur? Ekspertë/diplomatë të njohur grekë vazhdojnë të argumentojnë se referimi te arbitrazhi qenka përcaktuar dhe në marrëveshjen e anuluar të detit. Vërtet që kjo është klauzolë e njohur në marrëveshjet dypalëshe, por jo kur ato kanë vdekur juridikisht.
Së fundi, librin e bën më tërheqës gjuha e thjeshtë dhe e qartë për lexuesin e thjeshtë, referimi edhe i problemeve të tjera madhore sidomos problemi çam, katalogu i larmishëm me argumente dhe ballafaqime, kombinimi i retrospektivës historike me aktualitetin, mbështetjen te dokumentet më të rëndësishme juridike të të dy vendeve, të Departamentit Amerikan të Shtetit të vitit 1971 dhe instrumente të tjera ndërkombëtare.
Për çdo ide dhe argument, ka referime të shpeshta te autorët tanë më të njohur, si prof. i ndjerë Arben Puto, prof. dr. Ksenofon Krisafi, pa dyshim zëri më autoritar dhe i besueshëm në teorinë dhe në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare, përfshirë dhe përvojën në negociatat me palën italiane në fushën e “Detit”, eksperti i mirënjohur Myslim Pasha, prof. Beqir Meta, Eqerrem Zenelaj, Romeo Gurakuqi, etj.; por dhe te shtypi ynë që ka kontribuar ndjeshëm e sidomos “Gazeta Shqiptare”. Referenca të ngjashme gjen dhe për autorë dhe ekspertë greke si Basil Kondis, Antonio Baldacci, 1971, etj. Ja pse njohja dhe referimi ndaj këtij libri është jo vetëm i dobishëm, por dhe pashmangshëm për këdo.
Komentet