PJESA E II
Y J E T E K O M B I T
Nuk shuhën me ujë …
e, as, nuk mbulohën me baltë!
Kur vuejtja dhe sakrifica e një njeriu mërrijnë me kalue edhe cakun e jetës e kur këtë ai e ban për Fé, Atdhé e Përparim, atëherë, ai ka mërrijtë me ba atë që ndoshta nuk bajnë gjenerata të tana të një populli.
Ata, atëherë, rreshtohën në Elterin e Atdhetarëve të atij Kombi!
Nderimi dhe lavdia për tà asht e përjetshme, kur vendosja në këtë piedestal asht e meritueme dhe e pakundërshtueshme.
Nëse, sot duam me pyetë a e meriton apo jo këte nderim
DON LAZËR SHANTOJA, unë po ju përgjegjem se kjo nuk më përket me e thanë unë, mbasi për mue asht ndër nderimet ma të mëdha të jetës seme që me ligjëratën teme me përkujtue 50 vjetorin e pushkatimit të tij. E, ku të fillojmë? Tek lindja apo tek vrasja e këtij demokrati, letrari, publicisti e vigani poliedrik të kulturës shqiptare që vdekja mizore prej katilëve komunistë, tue la me gjakun e tij tokën shqiptare e ngriti meshtarin katolik Don Lazër Shantoja, të parin në atë Elterë të bekuem me datën 5 mars 1945, përkrah martirve që dhanë jetën për një Shqipni të lirë e demokratike.
Yjet e Heronjve të Atdheut nuk shuhën me ujë e, as nuk mbulohën me baltë. Ata qëndrojnë nalt, fort nalt e gjithmonë mbas kthjellimit të kohës ata shndrisin e vezullojnë, tue u ba udhërrëfyesit e brezave të ardhshem për dashtni e sakrificë ndaj Atdheut.
Ai u pushkatue i çuem zvarrë (jo nga frika e vdekjës), porse nuk ecte dot, mbasi kambët ia sharruen me sharrë druvarësh, krahët ia thyen dhe nuk i banin asnjë mjekim deri atë ditë që e hodhën tek gropa, vetëm se ishte meshtar i devoçëm, publicist i njoftun dhe antikomunist i betuem. Këtë e vërteton fakti se ato tortura makabre që komunistët kanë ba mbi trupin e Don Lazrit, janë ndoshta ndër të rrallat raste që njeh historia e dhimbëshme e të vujtunve në Sigurimin famkeq komunist shqiptar.
Dihet se pushtuesit e këtij truelli përdorën forcën e dhunën për me na mbajtë me shekuj në robni. Turqit, jo vetëm na shndëruen, na dhunuen e na poshtnuen, por kur e lypte rasa përdorën ëdhe shpatën jo vetëm në fushat e betejës, në shtëpitë e katolikëve, por edhe në qelat e priftënve, madje, edhe i ngulnin ndër hunjë, mbasi nuk kishin të ngimë me kokat e tyne, por mos të harrojmë se ata, ishin turq, ishin edhe pushtues, prandej vëpronin ashtu.
Ndër ditët e para të këtij shekulli fituam lirinë….Një andërr!
Çdo ditë e ma shumë shohim me sy, se në shekullin XX aq sa ecet përpara në shkencë e teknikë, aq ecët mbrapa në formimin e ndërgjegjës së njëriut, thotë një dijetarë…
Dikush kujton se historia mbyllët me dyert e furrave të gazit, por jo, gaboni! Si thoni, do të kënaqeshin komunistët me aq sa banë nazistët?
Shka do të thonte Bota sot po të shihte një dokumentar të përsekucionit komunist në Shqipni të bamë kundër atdhetarëve apo dijetarëve dhe klerit katolik?
Si do t’i përgjegjej historisë kur hetonte Don Lazër Shantojën të lidhun për karrigë, me kambë të këputuna, apo i shkrryem përdhé në qeli mes ndytsinës e, nana e tij tek dera tue u thanë katilëve:
“Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirësi… mos e leni kështu djalin!”….
Po, sikur të xhiroheshin autorët e gjallë të krimeve: Aranit Çela, Fadil Paçrami, Lilo Zeneli, Xheudet Miloti, Xhemal Selimi, Toger Baba, Shyqyri Çoku, Dhimitër Shkodrani, Asllan Lici, Hysni Ndoja etj. që vetëm “zbatonin” ligjin? A mund të besonte kush në Botë se këto bisha gjindën të lira në Evropë dhe kanë dalë nga një popull prej ma pak se një miljon njerëzish (atë kohë)?
Cili evropian beson se:
Shkenctarët vetëm pse janë priftën i kanë mbytë për së gjalli në gropë gjirizi….
At Serafin Kodës i nxjerrë hetuesi gabzherrin me thonjë….
Imzot Jul Bonatin e fusin në një manikomjo, ku, e shkyjnë të çmendunit….
Papà Josif Papamihajlin e mbysin, tue e zhytë për së gjalli në baltat e kampit të shfarosjës së Maliqit të Korçës….
Papà Pandin e gjejnë në pyll tek një cung me kokë të këputun me spatë…
At Frano Kirin e lidhin tri ditë fëtyrë për fëtyrë nën një të vdekun….
Don Mikel Beltojën në vitin 1974, para pushkatimit, Shyqyri Çoku me shokët e tij katilë, e shkyejnë për gjymtyrësh vetëm se prifti thërriste: “Rrnoftë Krishti!”
Po, sa e sa të tjerë që këta mizorë i hodhën nga dritarët se, gjoja kanë vra vetën?!
Të gjitha këto që rreshtova nuk krahasohën me atë që u ba mbi trupin e Shantojës, sëpse, ky i mjeri u la edhe me jetue si thotë populli: “Gjallë e për gazep”.
Sigurimi i Shtëtit vëpronte kështu, se, nën pelerinën e kuqe të komunizmit për mish kishte të ngjeshuna ndjesitë fundamentaliste që instruktoheshin nga shovinistët sllavo-aziatikë. Torturat e mizoritë të tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshëve të egra, që ndryhej ndër shekuj ndër këto qenje që për fat të zi edhe këto thirreshin “shqiptarë” edhe pse nuk kanë një pikë gjak shqiptari.
Për kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye e shkye copë copë edhe pa jetë për tokë, mandej qetësohëj e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në lamën e gjakut të pastër të presë së tij.
Vetëm kështu, shpjegohët ajo që u ba mbi Don Lazër Shantojën të parin e, mbas tij mbi të gjithë klerin katolik shqiptar e të huej që ranë në duart e këtyne kriminelëve trathtarë.
Çdo antikomunist për tà ishte atdhetar, prandej duhej zhdukë, ky asht “ideali” i çdo komunisti. Ky “ideal” ka shty komunistët me çvarrosë edhe eshtnat e atdhetarëve për me i tretë, tue fillue nga At Fishta, Don Ndre Mjeda, Xanoni dhe të gjithë klerikët e varrosun në Katedrale, në Kishën Françeskane, ndër Jezuitë, në Kishën e Zojës tek Kalaja etj.
Para vitëve 1930 kur ende nuk kishte fillue me binjtë në Shqipni fara e keqe e bolshevizmit, ishte At Gjergj Fishta, Shantoja e Don Kolec Prennushi që paralajmërojnë me shkrimet e tyne rrezikun që po vinte edhe këtu. Fara e keqe po binte e po rritëj shpejt e kudo!
Don Lazri shkruante në gazetën “Ora e Maleve”(me siglën Y), nr. 48, viti 1924: “Ndodhjet politike të vjetve të fundit mund të thomi përgjithsisht u kanë dhanë arsye fjalve të publiçistit rus të mbytun nga bolshevikët”.
Shpirti i Demokratit të madh i shprehun në këtë gazetë si dhe në revista e fletore të tjera dhe qëndrimi i tij në 1926 kundër Ahmet Zogut, (në kontradiktë me vetvedin mbas 1940 ashtu si shumë të tjerë, ndoshta për shansët e krijueme të Shqipnisë Etnike), janë një fushë e gjanë për studjuesit e ardhshëm, mbasi na rreshtojmë faktet e vetëm ata të çliruem nga pasioni do të mundën me gjetë vendin e merituem për këta dijetarë, tue fillue nga Shantoja, hapsina kulturore e të cilit e ven atè përkrah penës ma të fortë të Jugut të madhit Faik Konica, si për kah forca e stili por edhe karakteri modern i shprehjës. Për këtë na Gegët duhët të krenohemi!
Prof. Dr. Angjela Cirinçione shkruen: “Historia e Letërsisë shqiptare pa emnin e Don Lazër Shantojës del e mangët dhe e vorfën”.
Jo, pa qëllim po i referohem shkrimit Z. Aurel Plasari në gazetën “Drita”, dt.15 gusht 1993, ku, citon Prof. Dr. Ernest Koliqin, që shkruen: “Shumë herë kam pyetun pse komunistat janë sjellun kaq egërsisht në një mënyrë kaq rrënqethëse me të mjerin poet, që mbas kthimit në Shqipni jetonte pa u impenjue në lamshin e rrymave politike të ndryshme që turbullojshin vendin, veçanërisht nga vjeti 1941 deri në 1944”.
Prof. Isak Ahmeti shkruen: “Ai ka krijuar disa nga vargjet ndër ma të bukurat në poezinë shqipe. Si poet për shembull, ai dallohet për hov të vetvetishëm frymëzimi dhe për ngrohtësi ndjenjash që bulzojnë si shembëlltyra të shkëndijshme.” (“Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia” fq. 177), dhe vazhdon po aty (fq.179): “…letërsisë shqiptare me siguri do t’i kthehët edhe Don Lazër Shantoja, që ishte me të vërtetë si një prijës i popullit, si një apostull dhe interpretues artistik i kohës kur jetoi dhe vëproi”.
E, tue lexue këta rreshta më epet me pyetë edhe mue:
Kush ishte ky Don Lazër Shantoja, që në gazetën “Ora e Maleve”, në vitin 1924, me datën 28 nandor shkruen: “Ligja ndalon cungimin e gjymtyrëve të trupit, por politika e Evropës pranon cungimin e organizmëvet të gjalla shoqnore që janë kombet”.
Pra, njëzet vjet ma parë Shantoja shkruen:
“…Ligja ndalon cungimin e gjymtyrve të trupit…”
Mos ndoshta dikujt i kishte mbetë ndër mend kjo shprehje?!
E, mbas njëzet vjetësh, nana e tij ju lutet gjymtuesve:
“Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirsi…. mos e leni kështu djalin!”.
Bota asht e madhe. Nuk kam ndigjue as lexue kund se ka pasë Nanë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet, di vetëm se një Nanë Shqiptare, nana e Don Lazër Shantojës, po!
Ky asht komunizmi!
Nanat shkodrane janë të gdhenuna nga gurët e Rozafës.
Don Lazër Shantoja mbetët në Martirët e Krishtënimit model i masakrës së Sigurimit komunist antiatdhetar.
Ja dhe disa të dhana pse u masakrue kështu publiçisti i njohun Don Lazer Shantoja: (Dosja nr. 174) vjeç 52, nga Shkodra, asht i biri i Kelit dhe i Luçes, ka krye shkollën e lartë teologjike për prift.
Kur u kap nga forcat partizane Don Lazri ju tha atyne ndër sy: “As ma pak e as ma shumë se ajo që kam dijtë me kohë, se, komunistët janë veç trathtarë!”
Në një faqe proçes-verbal shënohet: “Kur kam ikë, një natë kam fjetë tek Don Nikoll Gazulli, në Dedaj kam ndejë 22 ditë tek Mark Tom Prela, ndërsa Sheuqet Çelkupa ka ardhë në Shkodër dhe ka bisedue me Cuf Lohën me u dorzue, e të dy bashkë, më duket janë takue me Riza Danin. Sheuqeti, me anë të mbesës seme Siles, e shoqja e Zef Prenkës, në rrugën Marvukej, e kjo nëpërmjet të malësorit Lekë Lulashi nga Grizhja, më ka çue lajm të pres edhe një javë se Sheuqeti kishte folë me Rizanë e Cuf Lohën. Riza Danin e Dan Hasanin i kam pasë miqë me kohë.
Si korrier për shpurje e ardhje lajmesh nuk kam pasë kurrë… Kur po pritsha përgjigje nga mbesa e ime Silja, nuk dij sesi u zbulova nga forcat e Ndjekjës.
Miku ma i ngushtë i emi ka kenë Beqir Valteri.”(proçes- verbal dt. 31 janar 1945).
Akt-akuza e bame nga prokurori Jonuz Mersini, ka dt. 28, 29 janar 1945, ku shënohet një faqe e daktilografueme me të gjitha vëprimet e bame prej gjyqit e deri tek pushkatimi.
Lexoni me kujdes këto pak rreshta:
– Ka ba marrëveshje për përmbysjen e Zogut në 1939, për me sjell Princin Savoja, që në vitin 1938 bashkë me M. Krujën.
– Ishte president i kulturës popullore në Institutin “Dante Aligheri”.
– Asht qenë inisiator i grupit indipendent.
– Në vitin 1940 ka mbajtë konferencë në Egjipt, me të mërguem kundër Aleatëve.
– Më 28 nandor 1939, ka mbajtë fjalim në Romë me rastin e dorëzimit të Flamurit me titull: “Shqipnia në kuadër të Përandorisë romake”.
– Ka shkrue artikullin: “Luftën e fitojmë na!”.
– Ka shkue në Shën Naum, Strugë dhe Dibër e ka mbajtë fjalime.
– Ka shkue nga Jugosllavia në Zvicërr si emigrant në kohën e Zogut. Atje asht takue me M. Krujën, i ardhun nga Italia.
– Ka pasë lidhje me gjeneralin Fistun, Kol Ashikun, e armiqë të tjerë në mal. Mbas prokurorit u pyet i pandehuri dhe kërkoi pafajsinë, mbasi nuk ka bërë ndonjë faj.
***
Më datën 31 janar 1945, ditë e martë, ora 15.00, në Shkodër, u dha vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreu, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi: “I pandehuri Dom Lazër Shantoja me vdekje, me pushkatim.”
Me datën 2 shkurt 1945, aprovohet nga Gjykata e Lartë Usht. Tiranë, vendimi i dhënë në bazë të ligjit nr. 21, dt. 30 janar 1945, nga gjykata ushtarake e korparmatës së III, Shkodër: “Dom Lazër Shantoja, vjeç 52, nga Shkodra, dënohet me vdekje – me pushkatim”.
Me datën 9 shkurt 1945, u mblodh komisioni për zbulimin e kriminelëve të Luftës për Tiranën… Shoku Jusuf Alibali, vjeç 24, nga Shkodra, deklaron si mbas akt-akuzës së sipërme.
Poshtë shënohet: Deklaruesi (Jusuf Alibali) d.v. Komisioni hetimor: J.Alibali d.v.
“Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945.”
Ja një parandjenjë e tij:
“Sod kshtu t’shpërblen ty bota! Po mizore
e padrejtë s’ sundon der n’ t’ sosun t’ motit!
Koh’ ka për t’ ardh’, qi ty kjo tokë Arbnore
Dikur tash ka për t’ njoftë, o njeri i Zotit !”
Edhe unë besoj… se po!
5 mars 1995
PROFESOR FILIP NDOC FISHTA
“Uria asht ma e pashpirtë sesa hekuri!”
Don Marin Barleci
“Kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar”
Prof. Filip Fishta ishte i biri i Ndocit dhe i Çiles. Nana ishte bijë nga familia Shiroka. Filipi ka lé në Shkodër në vitin 1904. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të naltat i përfundoi në Beograd për gjuhësi. Ka kenë doktor i shkencave filologjike dhe profesor në Universitetin e Sobonne-s në Francë. Qysh i ri bashkëpunon me Ndue Palucën, edhe ky figurë e “harrueme”.
Ishte mik i Prof. Gaspër Ugashit, Karl Gurakuqit, Ernest Koliqit e në veçansi mik i etënve Justin Rrota, Donat Kurti dhe Bernardin Palaj.
“E thrret Atdheu”, si shumë atdhetarë të tjerë që mbasi mbarojnë studimet jashtë vinë me dhanë ndihmesën e tyne modeste në Shqipninë e porsa rilindun. Në vitin 1933 emnohet në Elbasan, ndërsa në vitin 1934-35 vjen në Shkodër dhe në 1938 asht në Tiranë, në Institutin “Nana Mbretneshë”, ku vazhdon me punue deri në mars të vitit 1944.
Në mars, emnohët në bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare, deri në fillim të vitit 1945, ku la disa punime shkencore.
Me datën 19 janar 1945 arrestohët nga komunistët, i akuzuem si kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar. Deri këtu asgja e jashtëzakonshme. Fillon hetimet para një komisioni hetimor të përbamë nga Frederik Nosi, Mynir Tirana dhe Andrea Jakobini. Cilësohet prej tyne si njeri që ka kontribue për ardhjen e fashizmit italian dhe se, me artikujt e tij ka shpërnda idetë fashiste anë e kand vendit. Relacioni asht i shkurtë por me përmbajtje që i rrezikon kokën e profesorit.
Prof. Filipi deklaron: “…Nuk mund të cilësohem si gazetar, përveç disa artikujve teknik-shkencorë, p.sh. ”Historia e lindjes së shtypit”, etj. si letrar-artistik po, por jo politik. Nga gazeta “Mesagero”, kam përkthye artikuj nga jeta e familjës italiane dhe pushimet verore. Nuk kam pasë të baj me BRUFSH-in (Rinia Universitare Fashiste Shqiptare). De Angelis-in e kam njoftë se i kam dhanë mësim fëmijve të tij…”(Dosja 7842).
Rreshti i fundit i deklaratës ishte i mjaftueshëm me provue lidhjet e ngushta të Filipit me fashizmin. Dëshira e italianëve me botue një revistë “Jeta Shqiptare” në Firencë, nën kujdesin e Prof. Filip Fishtës, që nuk u hap atje por në Tiranë, ku ka shkrue prof. Kol Prela, Rebi Alikaj, Injac Ndoja etj. e rreshton Prof. Filip Fishtën në bankën e të akuzuemve, para Trupit Gjykues me datën 11 qershor 1945, për dënim si “kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar”.
Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetar, nën/kol. Bilbil Klosi, antarë Argjir Lipivani dhe Gjylhani Shehu (oficera), prokuror Ismail Çaushi dhe sekretar Mustafa Zaja, i japin dënimin e “merituar”, 30 vjet burg me heqje lirie dhe konfiskim “pasurie”.
Cila ishte “pasuria” e Profesorit?
“Një raft me libra, një shtrat, një dyshek dhe dy batania. Një lagen, një tavolinë me dy karriga. Një sahat xhepi dhe një stilograf.” (simbas proçes-verbalit të ruejtun ne arkiv). Komisioni i shtetizimit të “pasurisë” shkoi tek shtëpia ku banonte me qera profesori me një kamion të madh, por nuk pat me shka me u mbushë, përveç policve që solli me vedi dhe i këthej prap në Sigurim.
Ku bazohej akuza?
Prof. Filip Fishta ka shkrue tek: “Tomori i vogël”, “Hylli i Dritës”, “Shkëndija”, “Shkolla Kombëtare”, “Balli i Rinisë”, “Drini” dhe “Fashizmi”.
Prokurori thekson: “Vetë juve z. Kryetar, i patë artikujt e tij sa të ndyrë ishin!…”
“Faji” i profesorit ishte se ai qysh i ri rreshtohej me At Justin Rrotën, Eqrem Çabejn, Aleksandër Xhuvanin etj. ndonse vepra e Prof. Filip Fishtës u zhduk menjëherë mbasi ai vdiq. Prof. Androkli Kostallari e “ndihmoi” profesorin kur doli nga burgu, i “premtoi” se do të riabilitohej dhe se do të i jepej e drejta e botimit të shkrimeve, por deri sot punimet e tija “prehën në paqë të pafund”, mbasi nuk i dihët ende “vorri”.
Arsyeja që më ka shty me kujtue prof. Filip Fishtën nuk asht njohja përsonale, as vlera e tij si dijetar apo shkenctar, mbasi kjo asht detyrë e atyne që do të nxjerrin në dritë veprën e tij, ose që e kanë atë (në kjoftë se ndodhë ndonjëherë me tregue), por më ka shtangue guximi i avokatit të tij, z. Kol Dhimitri, i ruejtun në dosje. Një çudi e vërtetë!
Kundërshtimi i akuzave, mënyra sesi ai nxjerr në pah vlerat letrare dhe shkencore dhe ndoshta, tue u vetsakrifikue për një atdhetar që si të gjithë të tjerët kërcnohej nga vdekja prej tradhëtarëve të paditun dhe barbar, që mendonin dhe vepronin për gjithshka që shkatrron kulturën dhe shkencën ose ma keq, kërkonin labirintët e shmangëjes nga rruga e qytetnimit evropian.
- Avokati i nderuem në mbrojtjen e tij me datën 13 qershor 1945, thotë: “Filip Fishta ka kryer studimet e veta në Beograd, duke u diplomuar në fakultetin e Letërsisë, dhe ka vazhduar mësimet edhe në Sobonné të Francës për disa vite. Është një person me kulturë të lartë, gjë që e bën të besueshme se nuk mund të bëhet vegël e okupatorit në vendin e tij…
Edukoi rininë shqiptare dhe këtë qëllim të tij, me krenari duhet të pohojmë se e ka arritur, sëpse, sa e sa breza që i drejtoi, e kujtojnë me mirënjohje e dashuri të sinqertë.
… Por, nuk mund të akuzohen nëpunësit e asaj kohe, si vegla të okupatorit, sëpse ata nuk kanë pasë një qëllim të tillë, dhe nuk kanë bërë ndonjë veprim kundër popullit shqiptar, ashtu si edhe Filip Fishta, ka kryer vepra kundër shqiptarëve, duke pranuar një revistë kulturore dhe për më tepër shqiptare….
Po të ishte me të vërtetë një vegël, sigurisht, do të ngarkohej me ofice politike ose të paktën administrative të larta, mbasi ishte me kulturë dhe me zotësi të rrallë, pra, mospërfitimi nga italianët në kohën e pushtimit të tyre është prova më e gjallë se ky nuk ka qenë vegël e tyre.
… Profesori nuk ka propaganduar për fashizmin, por ka vënë në dispozicion të idealeve të Kombit tonë të gjitha fuqitë e veta, kur rraca e jonë shqiptare shuhësh nga shkrimtarë të paskrupull, si artikulli në “Rivista d’Albania”, kundër Cordignanos me 1941. Artikulli titullohet “Shqipnia jonë”…
Ka mbrojtë në programe mositalianizimin e shkollës sonë kombëtare.
Filip Fishta ka pasuruar kulturën shqiptare me shkrimet e tija të cilat janë aq të vlefëshme dhe të çmueshme, sa është e madhe vobegsia e jonë letrare.
Nga ana tjetër, si mund të bëhët vegël informator një shkenctar, që gjithë jetën e tij e ka dedikuar në librat e kulturës, në mbrojtje të idealeve kombëtare.
Kërkoj që të merrën si shkaqe lehtësuese veprimet kombëtare.”
Avokat Kol Dhimitri d.v.
Duhet me thanë “shyqyr” që nuk e mori vesht kush këtë mbrojtje, mbasi mund të këthehej vendimi edhe “me pushkatim”…
Prof. Filip Fishtën e pata njohtë mbasi pat dalë prej burgut, mbasi atë kohë erdhi në Shkodër. Punonte në podrumet e Muzeut Popullor të qytetit. Ishte i thjeshtë dhe i veshun keq. Kur fliste e bante disi të veçantë shqiptimi i një “thëje” në maje të gjuhës. Na atëherë nuk mujshim me kuptue se kush mund të ishte ky burrë që me një leckë në dorë, fshinte pluhunin e kopertinave të librave që ishin të hullun për tokë. Ai i fshinte me kujdes dhe i sistemonte mbi një tavolinë.
Ata ishin librat e sekuestruem në bibliotekat e Françeskanëve dhe të Jezuitve. Prof. Filipi dhe Prof. Izet Bebeziqi ishin ngarkue me atë punë aq të rëndomtë vetëm, me hangër një kafshatë bukë të thatë me emnin “pastrues”, pikërisht Ata, që ndër këta libra kishin edhe artikujt e tyne.
Librat e ndamë prej tyne, mandej zënin vend në “bibliotekat” përsonale të “Prof. Doktorave” Jup Kastrati e Kostallari me shokë, libra e materiale që i kanë edhe sot ndër shtëpitë e bibliotekat e mëdha të tyne.
… Duhet plotsue fraza, mbasi volumet e mangta i plotsuen me “Revolucionin Kultural” në vitin 1967, me bibliotekën e Argjipeshkvisë dhe të njerëzve që u arrestuen dhe u zhdukën me atë rasë.
- Prof. Kol Alimhilli, thonte:
“Në sistemin komunist, profesorët e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë, ndërsa, hamajtë e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë shtetin.” (Shkoder, 1958).
PARTIA DEMOKRISTJANE
ISHTE VETËM NJË IDE
Shpesh, flitej se asht mendue për një Parti Demokristjane.
Shpesh, bisedohej se “ka kenë formue” kjo parti në Shqipni.
Kishte nga ata që e thonin të sigurt ekzistencën e kësaj partie; por nga shumë burime që për mue kanë kenë burime të sigurta edhe pse ishin burime gojore, si bie fjala Prof. Gaspër Ugashi, Mark Gjon Shllaku, At Meshkalla, Don Mark Hasi, At Gegë Luma, At Dioniz Maka, Prof. Nush Radovani, Don Nikoll Mazrreku, At Gardini, Monsinjor Mikel Koliqi, etj. me të cilët, kur unë kam bisedue për këtë çështje, e thonin pa ma të voglin dyshim, “…se kjo parti nuk ka ekzistue kurrë në Shqipni,“ por, asht kenë një shpikje e komunistëve për me shkatrrue klerin katolik, inteligjencën dhe rininë entuziaste për ndryshime politike demokratike. Asnjë organizatë antikomuniste prej vitit 1943 nuk ka pasë në emnin e saj një sigël demokristjane. Asnjë përson nuk merr përsipër një detyrë nga kjo parti. Ende sot nuk gjindet një dokument ku shkruhet një pikë e statutit të kësaj partie. Arkivet sot kanë edhe detaje të programit të „Besëlidhjes së Veriut“, që u formue në vitin 1943.
Kjo përputhet edhe me thanjet e At Gjolajt, në librin „Çinarët“. Ky libër u ba shkak që në vitin 1998 me u bisedue kjo temë edhe njëherë me z. Nino Kurti. Ai kishte lexue librin dhe ishte i kënaqun që At Gjolaj, kishte shkrue një fakt që njihej edhe prej z. Nino, tue fillue nga loja e Sejfullah Malëshovës e deri tek laboratorët e Sigurimit të Shtetit, në lidhje me këtë parti fantazëm e çpikun e gjithmonë e pakenun, që hangri sa e sa koka njerëzish të pafajshëm.
- I nderuemi z. Nino Kurti tregon se në muejn maji të vitit 1945, kishte shkue në shtëpinë e Mark Gjon Shllakut (Gjon Mark Pyka i Rusit), mbasi ishin shumë shokë. Aty kishte gjetë Mark Lulashin dhe Paulin Kel Palin, që sapo kishin shkundë mandin e po hanin në oborr. Ka shkue pak ma vonë edhe njëfarë Mark Palit nga Laçi, që Nino kishte kohë që nuk e kishte takue. I fundit ka mërrijtë Pjetër Berisha edhe ky krejt rastësisht. Asht bisedue për zgjedhjet që do të zhvilloheshin në dhjetor. Asht bisedue idea e ardhun nga Tirana prej Mark Palit dhe dyshimi që kishin të gjithë këta përsona se mos kjo ide asht lojë e Sigurimit. Ndoshta, dy-tre nga këta përsona ndonjëherë kishin bisedue për këtë parti, por sëbashku nuk e kishin bisedue kurrë.
Atëditë, i kujtohej mirë Ninos, se ishte kenë i pari Pjetër Berisha që ka hapë bisedën për këtë parti. Si parime për të gjithë nuk kishte të panjoftuna, kuptohet pa hy ndër detaje, por debati ka fillue tek mënyra se si do të reagojë pjesa e kulturueme myslimane dhe a do të mërrijë ajo pjesë e pergatitun e myslimanëve me ba për vedi shumicën tjetër. Njëkohësisht edhe a do të pranojnë ata me u drejtue kjo parti nga përsona që përfaqësojnë pakicën e popullsisë?
Problemi i dytë ishte kenë lidhja me klerin për me pa a pranohet prej tyne si parim. Këtë e ka marrë përsipër Paulin K. Pali e Mark Shllaku, me e bisedue me At Gjon Shllakun.
Kur asht ba fjalë se kush mund të ishte kryetari, Mark Lulashi ka propozue emnin e Andro Petroviq, i cili nuk ishte aty dhe as nuk dinte gja për këtë bisedë. Të gjithë ishin dakord për Andron mbasi njihej si njeri i aftë, i prëgatitun mirë si intelektual dhe shumë besnik.
Mbas pak ditësh Mark Shllaku kishte njoftue Ninon se, At Gjon Shllaku nuk ishte dakord që të formohet një parti e tillë, mbasi largimi i Delegatit Apostolik të Vatikanit Imzot Leone Nigris nga Shqipnia, prej qeverisë së Tiranës, më 5 maji 1945, asht tregues shumë i keq për problemet e katolikëve në Shqipni. At Gjoni u kishte tregue se një çështje si kjo as nuk mund të bisedohet me Provinçialin At Mati Prennushi, e as me Imzot Thaçin, mbasi asnjeni nuk janë dakord. Mendimin e tyne sigurisht, ai e dinte nga takimi me Sejfullah Maleshovën, ku, At Gjoni asht kenë prezent. At Gjoni kishte shtue se propozimi i Tiranës asht lojë e komunistëve prandej si përfundim “kleri nuk përzihet në çështje partishë politike mbasi mund t’a pësojë si At Lekë Luli prej zogistave”.
Nino dinte se asht ba edhe një përpjekje tjetër prej Prof. Gjelosh Lulashit me At Çiprian Nikën, Guardian i Françeskanëve, por edhe kjo pa asnjë rezultat. At Çipriani, përveç shkaqeve të paraqituna nga At Gjoni, kishte shtue se ishte njoftue që edhe shkollat fetare po mbyllen. Gjendja sa vjen e randohet mbasi kishte sinjalizime se ka xhakoj të përzimë me Sigurimin. Ai madje, kishte porositë Prof. Gjelosh Lulashin, që mos të përzihen asnjë në këtë çështje mbasi si po shifej, edhe anglo-amerikanët Shqipninë e kanë lanë në dorë të jugosllavëve dhe “nuk dijmë si do të bahet halli i jonë”. At Mati Prennushi me një letër porositë në mënyrë të preme të gjithë françeskanët që “mos të përzihen në politikë!”
Nino, shtonte, se nuk ishte kenë dakord që në fillim që kjo parti të formohej në lidhje me klerin.
Kur Mark Shllaku i ka tregue se po formohet një organizatë pa pjesmarrjen e klerit dhe asht Mark Çuni që do t’a drejtojë, Nino ishte kenë dakord dhe i kënaqun për tè. Me Ninon janë kenë të gjithë papërjashtim shka ishin për formimin e Partisë Demokristjane.
Kjo ishte edhe arësyeja që as nuk asht bisedue ma për atë parti që mbeti vetëm një IDE. Mbas tyne nuk asht mendue ma as si ide. Ai e kishte njohtë ma parë Mark Çunin si djalë shumë inteligjent, trim, i vendosun dhe besnik. Ai e formoi Organizatën “Bashkimi Shqiptar” e dha edhe jetën për tè. Anëtarët e asaj organizatë edhe sot e kanë për nderë që kanë ba pjesë në té dhe janë drejtue nga atdhetari i flaktë Mark Çuni.
Nino e lente ide edhe për faktin se përsonat që janë kenë në shtëpi të Mark Shllakut, madje, edhe Andro Petroviq që nuk ishte aty, të gjithë janë arrestue vetëm për organizatën “Bashkimi Shqiptar” dhe as që asht tregue prej ndonjenit se asht mendue për parti demokristjane, as gjatë torturave, as gjatë proçesit gjyqësor, madje, as kur ishin ndër kampe e burgje. Ata nuk e kanë zanë në gojë atë ide mbasi mund të ridënoheshin edhe mbas njëzet vjetësh. Ata vetëm kanë porositë njeni tjetrin që mos me zanë me gojë emnin e Andro Petroviq, mbasi mund të baheshin shkak për zhdukjen dhe pushkatimin e tij kurdoherë nga komunistët.
Nino Kurti e përfundoi bisedën e tij me këto fjalë: “Hipotezat, provokimet e bame në hetuesi, në gjyqe etj. janë kenë vetëm trillime dhe shpifje, mbasi vetëm po të dihej idea, asnjeni nuk do të shpëtonte me kokë. Kjo ide asht kërkue për 50 vjetë rresht nga Sigurimi, por asnjëherë nuk asht ra në gjurmët e vërteta të sajë, mbasi kryesore kemi pasë besën.
Unë jam edhe sot për një Parti Demokristjane të vërtetë, mbasi ajo do të ndikonte shumë për hymjen në Evropë, po ku, me e gjetë sot një Andro Petroviq, apo Mark Çunin me e drejtue këtë parti?”.
Mbas asaj bisedë per fatin e keq nuk u pashë ma me Ninon, mbasi Ai vdiq ndër ato ditë.
Ka pasë edhe një variant tjetër që flitej sikur Mark Pali i Laçit të Kurbinit, kur ka ardhë në Shkodër tek shtëpia e Mark Shllakut, asht kenë i dërguem për Partinë Demokristjane nga Imzot Vinçenc Prennushi. Edhe ky variant nuk qëndron mbasi as nuk asht folë në atë shtëpi për Imzot Prennushin. Njëkohësisht, si mujte Imzot Prennushi me dërgue Mark Palin për një detyrë kaq të rëndësishme, krejt në kundërshtim me Argjipeshkvin Metropolitan të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçin, apo me kushrinin e vet, Provinçialin e Françeskanëve At Mati Prennushin?
- At Meshkalla thonte: “Asnjëherë Shqipnia nuk asht kenë e pergatitun për një parti demokristjane, mbasi kleri nuk duhet me u përzi ndër parti politike, ndërsa brezi i inteligjencës ishte ende në formim. Partia nuk bahet me aq pak njerëz të pergatitun sa kishte ajo kohë. Duheshin edhe pak vite, por komunizmi kje një shkatrrim për të gjitha fushat, sëpse, as që mund të bahej ma fjalë për qeverisje demokratike.
Shkollat marksiste-leniniste kanë me e pengue demokracinë e qeverisjen demokratike edhe mbas përmbysjes së komunizmit. Shkaqet dihen!”
- At Gegë Luma deklaron në gjyq në vitin 1968: “Shqipnia ka dy krahina të ndame, Veriu dhe Jugu, ka tre besime të ndame, myslimanë, orthodoks dhe ma pak se të gjithë katolikë. Sikur të kishte edhe dy parti, një në pushtet dhe një opozitë, popullsia do të ndahej në shtatë pjesë, që asht vështirë me u kuptue njena me tjetrën vetëm dy pjesë të sajat, jo ma shtatë. Atëherë, ku mbetë vend për Parti Demokristjane?”.
- Vetëm më 16 nandor 1990, Don Simon Jubani, mbas Meshës së Parë më 11 nandor, ka ba një përpjekje zyrtare me formue Partinë Demokristjane, tue ngarkue Prof. Nush Radovanin me këtë detyrë.
Ramiz Alia u frigue nga ky veprim dhe në fillim të dhjetorit shpallë të formueme “Partinë Demokratike”. Kaluan ma shumë se gjasht muej me zvarrisje burokratike dhe demokristjania nuk aprovohej nga Ministria e Drejtësisë në Tiranë.
Kur Prof. Nushi takohet në vitin 1991 me demokristjanin Pikoli, në Ambasadën Italiane në Tiranë, Pikoli i thotë: “Na nuk merremi me ju, na do të përkrahim shumicën!”. Nushi mbyllë kapitullin tue u largue përfundimisht nga Shqipnia. Si të gjitha partitë tjera…formohet edhe “demokristjanja” që asht sot.
Kjo dhe vetem kjo, asht arësyeja që u vuna me dijtë “dishka” për Organizatën e Parë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”.
ORGANIZATA “B A S H K I M I S H Q I P T A R”
“… Kallxon nji zojë, e cila aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim personal të Sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si njiditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasatorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian, i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni ende gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë”, duhet – vazhdoi ai “ si mbas porosisë që kam prej qeverisë seme, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” (At Daniel Gjeçaj “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare” fq. 36.).
Me datën 28 janar 1946, ora 09.00, në Kinema “Rozafat” të qytetit të Shkodrës, hapet gjyqi kundër Organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, e përbame nga ky trup gjykues: Kryetar: Mustafa Iljazi, Antarë: Namik Qemali e Tonin Miloti dhe prokuror: Aranit Çela. Në bankën e të akuzuemve ishin:
- At Giovani Antonio Fausti S.J., vjeç 46, nga Breshia, Itali.
- At Daniel Llesh Dajani S.J., vjeç 43, nga Blinishti, Zadrimë.
- Mark Ndoc Çuni, vjeç 26, nga Bushati, Shkodër.
- At Gjon Loro Shllaku O.F.M. vjeç 38, nga Shkodra.
- Gjergj Vat Bici, vjeç 26, nga Gurzi, Milot.
- Gjon Prenk Shllaku, vjeç 22, nga Shkodra.
- Ndoc Gjelosh Vata, vjeç 24, nga Gurzi, Milot.
- Preng Llesh Lezaj, vjeç 24, nga Bulger, Lezhë.
- Pjetër Gjok Ejlli, vjeç 20, nga Beltoja, Shkodër.
- Andro Lubo Petroviq, vjeç 32, nga Shkodra.
- Ernest Gjok Dema, vjeç 26, nga Shkodra.
- Gjelosh Lulash Bajraktari, vjeç 20, nga Ndreaj-Shosh,
Dukagjin.
- Luigj Ndoc Kçira, vjeç 20, nga Shkodra.
- 14. Prof. Gjelosh Lul Marku, vjeç 32, nga Kastrati, Shkodër.
- Zef Gjin Mirdita (Buka), vjeç 19, nga Shkodra.
- Gjovalin Kol Zezaj, vjeç 17, nga Shkodra.
- Nino Zef Kurti, vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.
- Myfit Qamil Bushati, vjeç 18, nga Shkodra.
- 19. Qerim Sadik Myftari, vjeç 27, nga Vuthaj, Guci.
- Luigj Sokol Shoshi, vjeç 32, shegërt i Kaçulinit në Shkodër.
- Frano Pjetër Mark Mirakaj, vjeç 29, nga Iballe, Pukë.
- Pjetër Palok Berisha, vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.
- Osman Brahim Plaka, vjeç 25, nga Tirana, ish oficer.
- Pjetër Sali Pjetërnikaj, vjeç 33, nga Mërturi, Dukagjin.
- Pjetër Mark Delija, vjeç 18, nga Shoshi, Dukagjin.
- Dedë Mëhill Deda, vjeç 30, nga Palaj, Dukagjin.
- Jakë Vas Çunaj, vjeç 23, nga Bushati, Shkodër.
- Pashuk Kol Matia, vjeç 22, nga Bërdica, Shkodër.
- Pjetër Kokërr Gjoka, vjeç 27, nga Toplana, Dukagjin.
- Nik Deli Lekbibaj, vjeç 30, nga Nikaj, Dukagjin.
- Rrok Martin Lacaj, vjeç 22, nga Bushati, Shkodër.
- Çesk Zef Gjeluci, vjeç 20, nga Shkodra, punëtor në
Shtypshkronjën Françeskane.
- Ndoc Rrok Jaku, vjeç 44, nga Jubani, Shkodër.
- Tonin Nush Bianku, vjeç 18, nga Shkodra, punëtor në
Shtypshkronjën Françeskane.
- Lazër Simon Kodheli, vjeç 17, nga Shkodra, punëtor në
Shtypshkronjën Françeskane.
- Ndue Bib Doda, vjeç 31, nga Kaçinari, Mirditë.
Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje:
Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946,
(Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë):
“Aprovohet ndëshkimi me vdekje për:
- P. Giovani Fausti nga Breschia Itali,
- P. Daniel Dajani nga Shkodra,
- P. Gjon Shllaku nga Shkodra,
- Mark Ndoc Çuni nga Bushati,
- Qerim Sadik Myftari nga Vuthaj, Guci,
- Gjelosh Lulash Bajraktari nga Dukagjini.
Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.
Ndëshkimi me vdekje i Gjergj Vat Bicaj, kthëhet në burgim të përjetëshëm.
Aktet e fajtorisë të Frano Pjetër Mark Mirakaj, kanë për t’u shqyrtuar më vonë dhe vendimi do t’ju komunikohet mbas shqyrtimit.
Ministri i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare
Gjeneral Kolonel Enver Hoxha d.v.
“Sot ditën e hënë, datë 4-3- 1946 ora 05.00, në vendin e caktuar u ekzekutuan armiqtë e popullit, dhe vullneti i tyre i fundit ishte:
- Gjelosh Lulashi: Thoni babës të më falin se e kam trazue. Të më falin shokët, se ndonji shpifje e kam ba prej zorit qi kam pasë. Nanës të fala dhe të mi puthin vllaznit. Borxhet që kam mbetë të mi paguejn prindët. I fali me zemër të gjithë ata që më kanë ba keq. Rrnoftë Shqipnia!
- Patër Danjel Dajani: I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor. T’i japin prindët (far’e fisi), P. Zef Shllakut me pasë me më thanë dy meshë.
- Patër Giovani Fausti: Jam kondend se vdekja po më vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitve, xhakojve, Apostolikve dhe Argjipeshkvit. Rrnoftë Krishti Mbret!
- Patër Gjon Shllaku: Lamtumirë mi thoni shokve Françeskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!
- Mark Çuni: I fali të gjithë ata qi më kanë gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë. I thoni nanës që i kam Ludovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ja paguejnë. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!
- Qerim Sadiku: I fali ata qi në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënue me vdekje, dhe ata që do të më ekzekutojne. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnija!
Prokurori Ushtarak (Tonin Miloti) d.v.
Shënim (FR):
Në ligjëratën e drejtë gjithënjë i jam përmbajtë origjinalit edhe në ortografi. (autori).
Me datën 3 korrik 1946, Gjykata Ushtarake e Shkodrës njoftohet:
“…Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Frano P. Mark Mirakës.
Njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tij të fundit.
Frederik Nosi d.v.
Porosia e qeverisë jugosllave u zbatue shumë shpejt nga Enver Hoxha, prandej edhe ata e dekoruen më 1 korrik 1946, “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, dekoratë që e “gëzon edhe sot” atje ku asht!…
***
Ndonse materiali që kam pasë në dorë asht mjaft i pakët asht i mjaftueshëm për me nxjerrë në dritë organizatorët, pjesmarrësit, si dhe të pafajshmit e kësaj organizatë.
Mark Çuni:
“Unë dhe Prof. Gjelosh Lul Marku kemi drejtue punën e kësaj organizatë. At Fausti ka kenë në Tiranë deri në maji të ’45, pra, nuk ka dijtë gja kur kemi formue organizatën. Fausti e Dajani nuk na kanë folë për politikë… Me At Gjon Shllakun nuk kam pasë asnjë lidhje për këtë punë… Nuk dij se asht bisedue për “dorën e zezë” ndonjëherë. Unë kam veprue në kundërshtim me rregullat e seminarit, por këtë e kam ba në kokën teme, e dij se asht gabim por unë e kam ba… Për traktin e dërguem prej xhakonit Gjon Shllaku tek Tuk Jakova, unë nuk dij gja. As për atentat nuk dij se asht bisedue… Klerikët nuk kanë ba pjesë në organizata politike mbasi e kanë të ndalueme, dhe as na nuk e kemi kërkue një gja të tillë. Faji bie mbi mue…
Prof. Gjelosh Lul Marku:
Unë si profesor në seminar jam lidhë me Mark Çunin; me té kemi organizue dhe kemi shtypë trakte kundër mënyrës së zgjedhjeve të 2 dhetorit, mbasi në këto zgjedhje nuk kemi pa asgja demokratike. Këto zgjedhje forcojnë vetëm qeverisjen e komunistëve dhe të asnjë force tjetër politike, kjoftë demokristjane ose social-demokrate… Unë nuk kam bisedue asnjëherë me Dajanin e Faustin për këtë punë, mbasi ata e kanë të ndalueme me marrë pjesë në organizata politike… Dij se At Gjon Shllaku ka pasë parime antifashiste dhe pro nacional-çlirimtare, dhe se i ka shfaqë me mjaft intelektual që shkonin në Kuvendin e Fretënve, por nuk dij se ka formue parti e organizata…
Unë, kam pranue se kam mendue vetëm unë për “dorën e zezë”, por, për këtë nuk kam bisedue me klerikë, por vetëm me shokët e mij… Forca të tjera politike nuk e dij se ka këtu…
Gjergj Vat Bici:
Kryetar ka kenë Prof. Gjelosh Luli, dhe ka drejtue me Mark Çunin. Nuk dij se kemi pasë në organizatë Faustin e Dajanin. Mark Çuni më ka thanë se At Dajani nuk di gja në këtë punë…
Andro Petroviq:
Unë kam pasë shoqni me Paulin K. Palin e Mark Shllakun, me të cilët kemi bisedue për një organizatë, por nuk kam kenë kur asht formue … Nuk kam ndigjue prej askujt se At Gjon Shllaku, asht i përzimë në këtë punë… Nuk dij se në Shqipni ka pasë ndonjiherë parti demokristjane!
Mark Gjon Shllaku:
Unë kam shkue tek At Gjon Shllaku me i rregullue një radio, por nuk kemi bisedue për organizata e parti. Ai ka drejtue Shoqninë “Antonjane”, dhe nuk dij se ajo shoqni ka kenë politike.
Pjetër Gjoka:
E vetmja bisedë politike që më ka ba mue At Fausti, ka kenë kjo: “Pa Kosovën, nuk ka Shqipni Etnike!”.
Luigj Kçira:
At Fausti e At Dajani, nuk dijnë kurrgja se unë kam hjellë trakte. Ata mi ka dhanë Mark Çuni e Gjergj Bicaj. Unë i kam lanë në shtëpi të Gjovalin Zezaj, dhe bashkë me té kemi dalë me i shpërnda. Këtë e ka dijtë edhe xhakoni Gjon Shllaku e Zef Kuqi. Tue i shpërnda na ka kapë Kol Shytani e Gjon Prennushi, dhe jemi arrestue atë natë, më 27 nandor 1945. Kush na paditi s’e dij…
Xhakoni Gjon Shllaku:
Kam propagandue kundër komunizmit ateist dhe i kam dhanë raport P. Dajanit. Kur u kapën hjellsit e trakteve na u trembëm shumë, deshtëm me u arratisë, por nuk na ka lanë P. Dajani, i cili asht këshillue me Argjipeshkvin. Mark Çuni asht takue me Jup Kazazin në shkurt të 1945….Jezuitët i kanë mbajtë lidhjet me reaksionin nëpërmjet Qerim Sadikut e Gjelosh Lulashit.
… Më 26 nandor 1945, Mark Çuni e Gjergj Bicaj, më kanë dhanë mue nga 200 copë trakte, të cilat neve ia kemi dhanë djelmoshave Zef Mirdita e Luigj Kçira për me i shpërnda…
…Ndërhynë prokurori Aranit Çela:
Thuaj i pandehur, çfarë ke thënë në hetuesi për Klerin Katolik dhe kryesisht për mënyrën, se si këta klerikë që janë këtu në bankën e të akuzuarve me juve, mbanin lidhje me të arratisurit dhe si mendonin me organizuar kryengritjen e armatosur, për të rrëzuar Pushtetin Popullor?
Xhakoni Gjon Shllaku i përgjigjet:
Në se doni, unë edhe e çveshi këmishën, dhe shifni si e kam trupin e nximë kur i kam thanë ato fjalë, nuk asht e vërtetë, që këtë organizatë e ka formue At Fausti e At Dajani… Për poezinë e Tuk Jakovës më ka shty delegati Nigris, se e kishte pritë keq Tuk Jakova… Për rektorin, asht e vërtetë se e ka shkye gazetën “Koha e re”… Dij se ata që ndanin trakte duhet të ishin të armatosun.
Gjelosh Lul Marku:
Nuk asht e vërtetë se u kemi thanë shpërndarsve të trakteve me kenë të armatosun,..nuk asht e vërtetë se kemi pasë lidhje me të arratisun.
Mark Çuni:
Asnjë person nuk ka pasë armë. Unë nuk i dij lidhjet e xhakonit Gjon Shllaku me delegatin Nigris… Nuk kam pasë asnjë dijeni për poezinë e dërgueme tek Tuk Jakova. Gjoni ndoshta, i thotë këto, se don me shpëtue vedin.
At Giovani Fausti S.J.:
Unë nuk dij sëpse e zaptoi Italia Shqipninë, se nuk na ka lypë lejen tonë e, as nuk e kemi ftue që të vinte… Kur kanë ikë gjermanët nga Tirana, unë jam plagosë…
Për lëvizjen Nacional-çlirimtare nuk e kam dijtë se ç’parime ka pasë. Derisa lëvizja Nacional-çlirimtare nuk përket Fenë, jemi në pajtim të plotë me këtë lëvizje. Ballin e Legalitetin i kam quejt si lëvizje nacionaliste dhe kundra Italisë fashiste, por nga krenët e tyne nuk njof, vetëm Don Zef Shestanin, por unë me té nuk jam takue asnjëherë. Jam largue për shkak se ky merrte pjesë në politikë…
Të gjitha sendet janë ba pa dijeninë teme. Françeskanët dhe Jezuitët nuk kanë ardhë në Shqipni për qëllime politike por për qëllime fetare, dhe jena mundue gjithmonë me u largue nga politika….Unë i nënshtrohem gjykimit por nuk kam punue kundër Pushtetit. Kundër qeverisë nuk kam folë, veç kundër Partisë Komuniste, të cilën e kemi konsiderue ateiste dhe imorale…
Mora vesht, kur erdha nga Tirana, se Mark Çuni asht marrë me trakte dhe se ishte udhëheqës i atij grupi. Deshtme ta qitnim jashtë prej Seminarit, por atëherë ishte kot, prandej e mbajtëm… Në atë kohë ka ardhë edhe xhakoni Gjon Shllaku, që donte t’ikte po ne e mbajtëm.
Kisha nuk duhet të përzihet në politikë. Zogu vërtetë i ka mbyllë shkollat por në punë të tjera nuk asht përzi. Kisha kjoftë edhe një qeveri tiranike e nderon për mos me shkaktue randime ma të mëdha, dhe shkakton salvimin e Kishës. Padër Anton Harapi, ka hy në qeveri për me shpëtue Shqipninë, por ka ba gabim se qeveria ishte kuislinge, dhe qëndrimi i em ka kenë negativ.
Xhakojt nuk mund të marrin pjesë aktive në ndonji parti. Unë kam njoftë mjaft Katolik intelektual, që mund të punojshin mirë në punët e qeverisë por, për fat të keq, Katolikët janë m i n o r a n c ë…
Ndërhynë prokurori A. Çela:
Juve kështu keni kërkuar me përçarë popullin shqiptarë, duke e konsideruar pjesën Katolike gjithënjë një m i n o r i t e t !
At Giovani Fausti, përgjigjet:
“Jo, jo, e keni gabim, jo minoritet, por m i n o r a n c ë , e kam fjalën për PAKICË…”
At Daniel Dajani S.J.:
Unë përsëris, nuk dij gja se ka pasë organizatë terroriste. Nuk kam marrë vesht se asht formue organizatë për me luftue kundër Pushtetit… Unë kam predikue kundër komunizmit ateist dhe i kam thanë xhakojve, me e luftue ateizmin ku të ju nepët rasa… Nuk dij që P. Fausti ka shprehë ndonjëherë ide fashiste… Pohoj, se nuk jam marrë me politikë mbasi këtë na e ndalojnë rregullat e Institucionit tonë… Jezuitët në asnji mënyrë dhe asnjiherë, mos me u marrë me politikë… Nuk dij se ka pasë ndonji Jezuit që ka shty xhakojt me u marrë me politikë.
Asnjiherë nuk kemi kenë kundër çlirimit të Shqipnisë, madje, e kemi dashtë këtë, prandej edhe nuk e kemi pengue. Mbas ikjes së gjermanve nuk më ka pëlqye që qeveria ra në duert e komunistave. Komunizmin e kam urrye gjithmonë se asht ateist dhe se lufton Fenë. Persëris, se, as nuk dij se egziston organizatë terroriste dhe as nuk kam ba pjesë ndër to.
At Gjon Shllaku O.F.M.:
Jam kenë dhe jam kundër çdo lloj diktature. Për këtë jam kenë i keq edhe me italjanët, mbasi ardhjen e tyne e kam quejtë pushtim. Për këtë edhe Sejfullah Malëshova më ka kërkue me formue nji parti Demokristjane por nuk më kanë lejue eprorët, për mos me u përzi Kleri në politikë…
Me datën 28. 01. 1946, i kam thanë edhe z. Prokurorit se Kisha lejon pjesëmarrjen në politikë të anëtarëve të saj, mjaft që politika të përdorët për të miren e shoqnisë dhe të popullit.
Unë nuk kam ba pjesë në këtë organizatë dhe as nuk kam sjellë njeri në këtë organizatë mbasi po e përsëris, nuk më asht lejue me u përzi në politikë… Arsyeja kryesore asht se drejtimin e shtetit e morën komunistët ateista… Kur asht inaugurue Shtëpia e Kulturës në Shkodër, unë kam shprehë bindjen teme, se asht e para herë që Shqipnia çlirohet me gjakun e bijve të vet.
Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të popullit shqiptar… Për organizatën “Bashkimi Shqiptar” e kam marrë vesh kur asht arrestue At Fausti e Dajani. Ma përpara nuk kam ditë kurrgja.
***
Me datën 08. 02. 1946, kur po fillonte seanca e mbas drekes, porsa del para trupit gjykues Z. Myfit Q. Bushati, ish student i gjimnazit të Jezuitve, i arrestuem edhe ky si anëtar i kësaj organizatë, ndërpritet seanca nga ndërhymja e prokurorit A. Çela, i cili i drejtohet kryetarit të trupit gjykues me këto fjalë: “Me qenë se avokat Muzafer Pipa, implikohet në këtë proçes, se ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave apo ka qenë pjestar, kërkoj që të përjashtohet si përfaqsues mbrojtjëje i të pandehurit Patër Gjon Shllaku me shokë”.
Av. Muzafer Pipa tha: Në lidhje me kërkimin e z Prokuror, unë nuk kam ndonjë kundërshtim por, në këtë rast unë nuk përfaqsoj Myfit Q. Bushatin.
Kryetari i trupit gjykues lexon vëndimin:
“Vëndim: Me qenë se Muzafer Pipa, mbi egzistencën e organizatës së ashtuquajtur Demokristjane, ka patur dijeni dhe i atribohet faji që pretendohet që organizator është Patër Gjon Shllaku, në anë tjetër, që të pandehurit që ky përfaqson kanë qenë pjestarë të organizatës “Bashkimi Shqiptar”, që do të bashkohej me Demokristjanën, sipas parimit juridik, nuk duhet të përfaqsojë, për derisa i atribohet faji i dijenisë ose i pjesëmarrjes, prandaj, Trupi Gjykues, konform kërkesës z. Prokuror, Vëndosë përjashtimin e tij si përfaqësues Mbrojtjëje i të pandehurve: Patër Gjon Shllaku, Rrok Martini, Çesk Gjeluci, Ndoc Rrok Jaku dhe emron Ranko Çerankoviq.”
Avokat Muzafer Pipa doli nga salla e gjyqit. (Dosja nr. 1068).
Nuk shkoi gjatë dhe Aranit Çela e mbajti fjalën që i pat thanë në bar “Impero” të Fushës së Çelës: “Hë… Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për ty!”.(Dëshmi e Prof. Gaspër Ugashit).
***
Don Luigj Pici, edhe ky ato ditë kryen një akt tjetër burrnor. Predikon para besimtarëve në Kishën e Reçit, se Klerikët e akuzuem për Organizatën “Bashkimi Shqiptar” janë të pafajshëm. Edhe ky prift vritet pa gjyq edhe pse ishte antarë i Kryesisë së Frontit të Qarkut të Shkodrës.
Po, avokat Paulin Pali, që guxoi me i shtërngue dorën avokat Muzafer Pipës për qëndrimin e tij burrnor, si përfundoi ?
– Edhe këtë do ta lexoni !
Populli i Shkodrës ruen në kujtesën e tij përjetë veprën heroike të Prof. Kol Prelës, Deputet i Kuvendit Popullor në zgjedhjet e 2 dhetorit, i cili si burrat paraqet para gjyqit:
DEKLARATË:
Unë i nënshkruemi Kol Prela, profesor në Liceun e Shtetit Shkodër, dhe Përfaqsues i Dekretuem në Asamblenë Kushtetuese, përsa i përket të pandehurit Patër Gjon Shllaku, Françeskan nga Shkodra, deklaroj sa ma poshtë vijon:
- Gjon Shllakun e kam njoftë për herë të parë në verën e vjetit 1940 kur u ktheva prej Italijet, mbasi mbarova studimet universitare. Qyshë në takimet e para që kam pasë me té kam muejtë me konstatue, se ai ishte nji element anti-italian dhe anti-fashist. Kudo qi kishte rastin dhe mundësinë demaskonte dhe disaprovonte ardhjen e Italisë këtu dhe vëprimet që Italia me trathtarët bante vazhdimisht këtu, në dam të tonë. Në rast konkret dij, se, ai propagandonte kundër njollosjes së Flamurit tonë Kombëtar me fashjot e Liktorit e, kundër artikullit denigrues për Popullin Shqiptar që P. Fulv Cordignano pat botue në revistën “Albania”. Madje, në këtë rasën e fundit nuk u kondenue vetëm me disaprovue por edhe punoi për përpilimin e broshurës: “Cordignano në gjyq përpara botës”, tue gjetë gadi të gjithë bibliografinë, tue përkthye të gjithë copat e autorve gjerman që nëvojiteshin për atë përgjigje. Nuk e vuni emnin në fund mbasi broshura delte n’emnin e grupit të profesorëve të Liceut të Shtetit të Shkodrës e me vue emnin edhe ky, do të dukej se profesorët e nji instituti shqiptar mos të ishin në gjendje me shkrue nji artikull pa kërkue ndihmën edhe jashta rrethit të tyne. Këtë, mund t’a dishmojnë edhe Prof. Mark Ndoja e Prof. Simon Deda, të cilët në këtë kohë janë kenë në kontakt vazhdimisht me të pandehurin.
Këtë qëndrim anifashist ka vazhdue t’a mbajë gjatë gjithë kohës që kam kenë në kontakt me té, d.m.th. deri në qershor 1943, datë në të cilën jam ilegalizue, mbas së cilës nuk kam pasë ma rasë me ra në përpjekje me té derisa asht shlirue Shqipnia.
Mbas shlirimit dihet prej të gjithve se P. Gjoni, ka dhanë kontribut në lamën që ishte ma i pregaditun d.m.th. në atë të kulturës. Ka ba konferencën për inaugurimin e Shtëpisë së Kulturës në Shkodër, në të cilën ka thanë ndër tjera edhe këto fjalë:
“Asht e para herë që Shqipnia shlirohet me gjakun e bijve të vet. Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të Popullit Shqiptar”.
Përmbajtjen e kësaj deklarate, jam gadi me e vërtetue edhe para Gjyqit të Popullit, po mos të jemi i nxanun në shkollë me mësime.
V.F.L.P
Deklaruesi
Shkoder, 14. 02. 1946. Prof. Kol Prela d.v.
Shënim (FR): Edhe Prof. Simon Deda në Durrës, mbytet në Sigurim dhe hidhet nga dritarët i vdekun. Mos, ndoshta, edhe Ai kishte pregatitë ndonjë deklaratë si kjo e Prof. Kol Prelës!?… Aspak çudi!…
E, pra, qé! Me fakte vritën profesorë, filozofë, avoketën, antifashistë, atdhetarë, klerikë, njerëz të thjeshtë, të pastrehë, vritën e vritën pikërisht ata që me trutë e tyne tue dashtë me i shërbye Atdheut, stërklatën murin e vorrëve të Rëmajit, më 4-mars-1946, sëpse, guxuan e thanë:“Komunistët kanë vorrue Shtetin në gropën e gjakderdhjëve, të grindjëve, të përçarjës, të ngatrresave, të plaçkitjës, të vëllavrasjës dhe spijunlleqëve!…”
- Kishte kohë që e kishte thanë At Gjon Shllaku O.F.M.:
“Tjetër kund njerëzit e idealit nëse i mbysin për së gjalli, i nderojnë për së vdekuni.
Ndër né, ata mbyten dy herë… edhe harrohën!”.
DERA QË PO HAPET …
“….Si mbas parimit komunist: Sytë që kanë pa duhën verbue; e duhën shurdhue veshët që kanë ndigjue; e pré gjuhët që mund të flasin; e, shkurtue krenat që mendojnë!“
Engjulli i birucave
Shumë vjetë ma parë më çonte nana tek një rrugicë qorre në Gjuhadol që thirrej rruga e Murgeshave këtu në Shkodër, jo larg prej shtëpisë seme. Aty ishte kuvendi i Motrave Stigmatine, shkolla e tyne e Kisha. Kjo Kishë e vogël ishte shumë joshëse, gjithmonë mbushej plot! Në Elterin kryesor kishte një bazoreliev të bukur të Shën Bonaventurës (Shna Bafti), që ishte edhe Pajtori i këtij Urdhni. Flitej se ishte vepër e fratel Salës. Para Kishës ishte kuvendi.
Ecësha në heshtje vetëm e me krye ulët. Kur afrohesha tek rrugica, kontrollojshe me sy gjithkah apo më sheh kush mandej, me dorën e vogël timen, mbasi atëherë isha gjashtë vjeç trokitshe tek dera e madhe me hark. Dera kishte një vrimë të rrumbullakët me një teneqe me bira prej ku shihej nga mbrendë se kush troket. Shpesh trokitshe me një gur të vogël, mbasi nuk mërrijshe tek rezja e derës. Motrat ishin mësue me dorën time, hapshin derën me një buzqëshje të ambël më futnin në korridor, më lëmonin kokën e më thonin: “Prit, po ta thërrasim hallën!”.
Gati çdo ditë shkojshe me pyet hallën Gjyzepinë, si jeni?… Atë përgjegje unë nuk duhej me ia tregue askujt… sigurisht, aty dishka mëshefej! Edhe sot ato motra që kanë mbetë kur më shohin të thinjun ma shumë prej kohës se sa prej moshës, më thonë: “Ai Fritzi i vogël je ti?”, unë me mburrje i përgjegjem: Po, po. Sigurisht me njëfarë krenarije, sëpse parulla që më jepej mbeti gjithmonë sekret. Kurrë nuk ia kam tregue njeriu të gjallë…”jemi mirë”…, ose “kanë kapë mbramë edhe një prift”, “nuk na kanë thanë gja”; por, ajo që pritej e që shumë shpejt ndodhi ishte: “Mund të vij shpejt se po na nxjerrin jashtë…”.
Ashtu ndodhi, halla erdhi shumë shpejt me lot në sy e veshun me zhgunin e saj që e bajti me nderë deri në vdekje, ashtu si të gjitha motrat e të gjitha kuvendëve të Shqipnisë që nuk u kthyen kurrma aty. Kuptohet, u duheshin komunistëve. Duheshin prishë çerdhët e edukimit të rinisë, prandej ishte mbyllë edhe shkolla e tyne.
Kështu u veprue edhe me Motrat Servite… madje, aty u vendos qendra e Sigurimit të Shtetit, prej ku drejtohej spijunazhi komunist që ka vazhdue deri tashti dhe birucat e torturave.
U shpërndanë të shkretat pa asgja mbas shpirtit me përjashtim të rruzarëve që mujtën me futë ndër xhepa, të Kryqit që bajtën gjithë jetën, të ndonjë figurje në parzëm së cilës i ishin kushtue dhe ia mbajtën gjithmonë premtimin: “Zojën e Shkodrës”, ose “Zojën e Papërlyeme”. Ndër mangë kishin ndonjë shami hundësh, ndërsa në dorë një shami me ndrresat përsonale. Ushtarët e Mbrojtjës ua kishin kontrollue plaçkat dhe mbas kontrollit i kishin nxjerrë jashtë me fjalorin e tyne komunist.
Morën rrugët, kush tek motra, kush tek vëllai, kush tek nipi, kush tek mbesa, kush në fshat e kush në malësi, u shpërndanë të shkretat për një kafshatë bukë të thatë, ashtu si e kishte edhe dera së cilës ia mësynë. Kudo ku i shkeli kamba atij praku ia kanë shpërblye atë pritje që i zoti i shtëpisë me zemër, u tha: “Eja… mirëse të ka pru Zoti, një kafshatë bukë si ta kemi, do ta ndajmë bashkë!..”.
Kudo gjetën strehë. Në çdo shtëpi ku ranë kishte të paktën një fidan që ato kishin rritë e edukue në fidanishtën e mrekullueshme të tyne. Shkollat e motrave ishin të hapuna katër kapakësh për vajzat e të gjitha besimeve. Aty vinin nga çdo krahinë e Shqipnisë. Të gjitha hynë në punë me fitue jetesën. Disa qëndisnin, ndonjena mbante fëmijët e të afërmve, dikush shkonte me la rroba, dikush punonte në bujqësi ose kujdesej për bagëtitë, pra, secila do të mundohej e lodhej shumë vetëm e vetëm pse kishte veshë zhgunin dhe i ishte kushtue Kryqit!
Motër Luigja mue më mësoi bukurshkrim. Unë këtë nuk duhët t’ia tregoja as mësueses, as shokëve, mbasi atëherë përdorej në shkolla shkrimi skript. Nuk duhët të bija në sy për shkrimin e bukur mbasi çdo gja e bukur ishte në kundërshtim me mësimet komuniste që përhapte shkolla e re komuniste.
Një ndër arsyet që komunistët hapën shkolla në çdo skaj të vendit, ka kenë pikërisht kjo: me përhapë vetëm ideologjinë komuniste. Me shkatrrue parimet e edukimit atdhetar dhe fetar. U ba një rrugë e dy punë. Edhe u hapën këto çerdhe të ideologjisë marksiste-leniniste dhe në të njajtën kohë komunistët morën shtëpijat të gjithë tregtarëve për me i këthye në lokale shkollore. Pasuninë që kishin ua shtetizuan dhe paisën shtëpijat e veta. Magazinat i boshatisën me ndihmue Jugosllavinë dhe mbasi i futën ndër biruca pronarët ua morën edhe arin e argjëndin, që nuk e mori vesh askush nga iku. Që në ditët e para u fillue puna me programet e diktueme nga jugosllavët dhe u punue që rinia me u marrakotë me internacionalizmin proletar dhe ateizmin materialist. Asgja ma shumë se kjo edukatë nuk i ka shërbye, siç thonte At Fishta, klyshve të Rusisë.
Ky helm ka hy në gjakun e të gjithë shqiptarëve mbasi po të vërehët edhe sot me kujdes rezultati, secili prej atyne që ka mbarue këto shkolla as nuk don me dijtë ku bie Shqipnia, tue fillue nga “unë”.
Disa nga këto motra shkuen me punue në spital. Aty gjetën kënaqësi se uniforma e spitalit në ballë kishte “Kryqin e Kuq”, madje, në kohën e Revolucionit Kultural u patën ba përpjekje me e heqë, por kje kërcënimi për përjashtim nga ajo Organizatë Ndërkombëtare që mbeti në disa objekte. Edhe sot kujtohën motrat Luçia, Kjara, Ludovika, Marta, Çeçilia, Neta, Gjystina etj. Gjithmonë me buzë në gaz. Motër Bernardina e Marta punonin vetëm sanitare; e kush mund të harroje motër Juditën e Virgjinën për bamirësitë e tyne? Cila merrte shpërblim për ndihmën që jepte? – Askush nuk i ka shpërblye ndonjëherë këto motra, përveç shpifjeve, përbuzjes, apo pushimeve nga puna prej Xhyhere Mushanit me shoqët e saja partizane.
Aty punoi edhe halla, Motër Gjyzepina, që shpesh shërbente edhe në spitalin e burgut. Për këtë të burgosunit i kishin vu emnin e nderuem “Engjulli i birucave”, sëpse, kur shihnin fëtyrën e saj ata ishin të sigurt se do të shëroheshin. Ajo nuk bante mrekulli por buzëqeshja e saj ua ringjallte shpresën e jetës dhe të lirisë. Gjithmonë u thonte: “Sot je ma mirë, ço mendjen tek Zoti, se Ai të jep shndetin por edhe lirinë, mos u mërzitni, i gjalli e ka dermanin!”.
Shumë prej tyne punonin ndër punët ma të ndyta, ndër repartët ma të vështira, si Motër Gjystina Çoba, që punonte gjithmonë natën në kirurgji, e çfarë kirurgjie? Ajo punonte natën vetëm mos me lanë spitalin asnjë çast pa një MOTËR, vetëm me u ndodhë kurdoherë pranë të sëmurëve në çastët e fundit të jetës. Shumë herë ajo me kujdes e sakrificë ka thirrë natën ndonjë prift të “panjohtun”, për me ngushllue ndonjë të sëmurë të dispruem, ose me i ba Shartët e Fundit të jetës.
Ato gjithmonë simbolizonin humanizmin sëpse katolikë e myslimanë e dinin se ato kishin vetsakrifikue gjithë jetën për Kryqin që kishin në ballë dhe, për atë që mbanin në parzëm. Ato mbetën të paharrueme dhe u respektuan jo vetëm nga populli por edhe nga mjekët e ardhun nga të gjitha viset e vendit, tue fillue nga doktorët: Karagjozi, Pandi Todi, Basria, Dhimitër Lluka etj.
Dr. Federik Shiroka e Pjeter Prela ishin ma shumë se vëllaznit e tyne, mbasi motrat ishin të vetmët me të cilat mujtën me komunikue nën za me ndonjë italishte nëpër dhambë, në lidhje me gjendjen politike dhe a do të vazhdonin gjatë “këta”?
Ato fluturuan nga gëzimi kur ndigjuan Papën Gjoni XXXIII-të, tue përshëndetë popullin shqiptar për herë të parë në gjuhën shqipe:
“Për shumë mot Pashkët!”
Ishin të lumtuna kur në fundin e korridorit të spitalit silueta e ndonjë polici të mirë i thirrte: “Ec shpejtë, se ka ardhë një i sëmurë rëndë!..” Aty, ai podrum i dukej vendi ma i lumtun mbasi ai ishte vendi me ndihmue të ftofunit ndër çimentot e birucave ose, të zhytunit në ujë në pikën e dimnit, apo të thyemit kockash e kafkash nga levat e hujtë e kriminelëve të sjellun pandjenja. Aty ato u mjekonin plagët e kambëve të djeguna nga pezhgvja e vlueme që u hidhnin hetuesit për me i ba me folë. Kishte njerëz që trupin e kishin të veshun me plagë që vetëm kullonin qelb dhe shpesh i sillnin aty vetëm me vdekë. Ato i rikthenin në jetë por viktimat e shkreta pa u shërue mirë i merrnin ndër shkalca plehu, mbasi nuk njihëj barela ndër ato vende e i çonin me vazhdue prap torturën deri në vdekje. Torturuesit kishin një ide: “Nuk ju lejojmë me vdekë edhe pse doni ju, do të ju sjellim prap në jetë mbasi nuk ngopemi duke ju torturuar!..” Ishin motrat ato që ua lagnin buzën e rreshkun me ujë, ishin motrat ato që u rrinin tek koka tue u thanë uratë, ishin motrat ato që i ngopnin me dromca buke, ishin motrat ato që në vesh i përshpërisnin: “Qëndro edhe pak se, nuk e kanë të gjatë…” e, kjo e fundit ishte ma shumë se uji, buka e gjumi, me të cilat ata nuk ngopeshin kurrë.
Tregonte i ndjeri Zef Nika: “Numuri i të vdekunve në tortura as nuk ka me u dijtë kurrë. I vetmi burim mund të jenë raportët e Ministrisë së Mbrendshme që i janë dërgue Byrosë Politike të K.Q. të P.P.Sh. Të gjithë toturoheshim njësoj, veç ndryshonte zgjatja se sa mujte me durue viktima. Të gjithë hetuesit kanë një difiçencë mendore, të etëshëm për gjak…”.
“Njeriu pa zemër asht një makinë pa pasion mendimi që nuk ka as familje, as miq, as Atdhé; zemra përmban bazën e mbrekullueshme e të pandame të zhvillimit shpirtnor”, thotë, A. I. Hercën.
Pikërisht për këtë, Motrat mbetën të paharrueme sëpse, shumë të burgosun të masakruem ato i shëruen me fjalën e ambël, dashtninë për jetën dhe shpresën e lirisë.
Ato u plakën… dhe koha e bani të vetën. Edhe pse të moshueme, të kërrusuna, të lodhuna nga puna, mundi dhe pesha e randë e vitëve dërmuese ato u gjetën tek telat me gjemba, ndër dyert e burgjeve dhe të kampëve me çue sado pak një ndihmë që mujtën me mbledhë, tue trokitë ndër dyert e këtij populli fukara për ata fatzezë që nuk kishte mundësi me ju shkue kush, ose tek ata klerikë që prej frike nuk i afrohej kush atij vendi të mnershëm. Motrat u gjetën në Beden, Maliq, Tepelenë, Burrel, Vlashuk, Tërbuf, Rinas, Levan- Fier, Gocë-Kavajë, Rreps, Ballsh, Spaç, Vlonë, Sarandë, Urë-Vajgurore, Qafëbari e anë e kand Shqipnisë, sëpse anë e kand kishte vetëm kampe e burgje e nuk kishte asnjë kamp e burg pa një klerik katolik deri në vitin 1989. Ka fillue At Gegë Luma e At Dioniz Maka në janar 1945, e kanë mbyllë burgjët Don Mikel Koliqi, Don Simon Jubani, Don Nikoll Mazrreku, At Zef Pëllumbi etj. në vitin 1989. Jam i sigurt se Motër Dava duhët t’i kenë njoftë rrugët e gjithë Shqipnisë mbasi edhe ajo deri në vitin 1989, ka shkue në të gjitha burgjët e kampët me strajcën e saj të arnueme. Ato prisnin në pishën e diellit apo në shullanin e erës kur po i mbushët mendja një polici injorant me i thanë, “silli këtu ato plaçka!”, shpesh “merri me vehte se nuk pranohën, mbasi nuk ka zënë mend…”, ose ma shpesh se kurrë, përsëritej nga goja e tyne e ndytë: “Mos eja më, se ka ngordhur…”.
Kur Shkodra mbeti pa klerikë, Motër Luçi Koliqi solli nga kampi Bagmin për Vojime dhe në mungesë prifti, u autorizue me krye edhe shërbime të lejueshme fetare.
Mbas “Revolucionit Kultural të vitit 1967” vendi mbeti pothuej pa asnjë klerik. Ishte e frigëshme për të gjithë me u shkue prifti tek shtëpia. Klerikët u detyruen mos me shkue as ndër të afërmit e tyne mbasi njerëzit rrezikonin punën. Shumë nga fshatrat nuk kishin asnjë shërbim fetar sado të vogël. Pushkatimi i Don Shtjefën Kurtit për Pagëzimin që i bani një fëmije shtoi edhe ma shumë frikën në popull. Prifti ishte e pamujtun me qarkullue në qytet jo ma ndër fshatra, shkuemja e tij atje binte në sy përnjëherë. Ishin motrat ato që shkonin ndër famullitë e mbetuna shkret ku priteshin me dashtni ndër sofrat tejèt të vorfnueme të fshatarëve, mbasi Kishat e qelat as nuk diheshin ku kanë kenë, shumica ishin rrafshue, një pjesë ishin ndërtesat e kryesisë së koopërativës, ose vatrat e antikulturës. Ato shkonin atje të unëshme, të zbathuna dhe ma të vobegta se mund të mendohën, ishin të palëkundshme dhe të vëndosuna me ruejt Fenë e ndezun ndër zemra, aty ku po fikej.
Shtëpia merrte dritë e fiset shtoheshin aty ku shkelte kamba e motrave me Pagëzue fëmijë.
Në vitin 1974, halla ishte plot 74 vjeç. Kur Pagëzova vajzën, ajo më tregoi këtë histori: E kishin thirrë me shkue në fshatin Pëllanë për me Pagëzue tre fëmijë të një fisi. Rrugës në makinë e kishte pyetë një burrë: “A je motër Gjyzepina, ti?” – Po, unë jam, ishte përgjegjë kjo. Ai prap e kishte pyetë: -“A kujtohesh, kush jam?”. Kjo nuk e kishte njohtë. Ai i kishte kujtue kësaj se ishte ai djali i ri që e kishin pru tue vdekë prej hunit nga hetuesia e konviktit “Malet tona”, tek spitali aty afër dhe kishte vazhdue: “Kur erdhe ti tek dhoma ku isha unë, t’u luta: Motër, më beko, se po vdes! Ti më the se, – unë po lutëm në Fenë teme, se në Fenë tande nuk di. Unë atëherë të thashë: -Motër, ti lutu, se myslimanë e katolikë të gjithë bashkë NJË ZOT BESOJMË! Ty t’u ba qejfi kur unë të thashë ashtu dhe çove sytë kah qielli e the: -Zot në doren tande këtë djalë, ndigjoje lutjen teme! Dhe dole për dere. Mbas gati një ore që po u rrapatësha në shtrat nga dhimbjet erdhën dy ushtarë me ty, më more dhe më fute në operacion aty nga ora 11.00 e natës. Mbasi më doli narkoza u bana mirë dhe qé tek jam sot gjallë. Të gjithëve u kam tregue sësi ti u lute për mue dhe unë shpëtova.”
Unë, tha halla, i ndërpreva fjalën e i thashë: “Jo, jo, ishte lutja jote e fortë dhe besimi që ke pasë në Zotin që të ka shpëtue, jo unë!”
- Prof. Arshi Pipa thonte: “Unë i besoj efektit të lutjës, kur lutja bahët me intensitet të fortë, kur ajo nuk asht një përsëritje mekanike formulash, kur jetohët prej njeriut.”.
- Po, sa volume, mund të shkruhën për Motrat e nderueme të tokës shqiptare?
“I HUMBUNI…” DON ALFONS TRACKI
Misionarët në Shqipni vritën tri herë,
pushkatohën, harrohën dhe, të tretën
herë, Ua dhunojmë edhe vorrin…
“I humbun…”, vetëm kaq shënohej ndër rregjistrat e klerikëve që ishin mbrenda “perdës së hekurt”, e ndoshta, përgjithmonë mbetëj ashtu. Nuk asht e meritueshme që shumë figura të ndrituna të historisë sonë kombëtare të mbulohën nga pluhuni i harresës. Jo ma pak përgjegjësi historike dhe morale kemi edhe përpara veprës së misionareve të fesë, të cilët, në rininë e tyne, me punë vetmohuese provuan me fakte se toka Shqiptare për ta ishte Atdheu i dytë i tyne.
Kjo asht arësyeja kryesore që më shtyni me u ndalue tek “i humbuni” Don Alfons Tracki, i ardhun misionar nga Breslau.
Don Alfonsi ka lind nga prindët Jozef e Marta Tracki, në vitin 1896 në Breslau. I ati ishte oficer i gardës mbretnore. Don Alfonsi kishte edhe dy vëllazën të tjerë, Hansin dhe Gjergjin, që u vranë në Luftën e Dytë Botnore, ndërsa motra e tij Kordola mbas vitit 1944 nuk dihet ku ka përfundue. Alfonsi i ri, pa mbushë 17 vjet, vjen ushtar në Shqipni me forcat Austro-Hungareze. Mbas luftës vëndos me qëndrue këtu, pikërisht, kur Breslau i kalon Polonisë. Në natyrën e tij dallohet kjartë gërshetimi i karakterit të vendosun gjerman me besimtarin katolik polak. Lè në një anë armët e hekurta dhe rrokë armën ma të fuqishme të njerzimit, tue u ba përjetësisht ushtar i Krishtit në armatën Shqiptare. Ai e admiroi këtë armatë sëpse asht pikërisht ai kler që një vit maparë, bashkë me të gjithë atdhetarët shqiptarë kishte ngritë nalt edhe njëherë flamurin e Gjergj Kastriotit, tue i ba të ditun botës se Shqiptarët janë këtu. Edhe pse kishim kalue pesë shekuj robni të dhunëshme fara e krishtënimit jo vetëm, nuk ishte shue, por kishte marrë aq hov sa me shumë frikë e thom, “drue se nuk përsëritet kurrma!….”
E, ku i kanë vorret? – Kurrkund!..
Imzot Mikel Koliqi më tregonte se veprimtaria e Trackit, ishte baza e “Veprimit Katolik” në Shqipni. Krahas veprimtarive sportive e zejtare vendin kryesor e zente aktiviteti atdhetar. Vazhdon edhe ai vetë Seminarin Papnuer të Jezuitve dhe i përfundon studimet teologjike në Bosnje. Në vitin 1926 shugurohët meshtar.
Formon lidhje të ngushta miqësore me meshtarët Shqiptarë Kolec Prennushi, Pjetër Meshkalla, vëllaznit Gazulli, që simpatizojnë Lëvizjen e malësorëve të Veriut kundër Zogut. Don Gjoni u var nga Zogu, ndërsa Don Nikolli u dënue me katër vjet burg në Gjinokastër. Për këtë lidhje edhe Tracki u nxuer jashtë nga Shqipnia nëpërmjet të Musa Jukës, i cili nuk e shihte me sy të mirë grumbullimin e rinisë shkodrane rreth Trackit. Ndërhymja e Bajraktarit të Shkrelit, Vat Marashi tek Zogu, e rikëthen Trackin në Shqipni, me kusht mos me qëndrue në Shkodër. Ai shkoi në qendrën malarike të Velipojës ku banonin malësorë të ramë nga Alpet.
Zotnonte mirë gjuhën shqipe gja e cila bani me u hy në zemër fshatarëve. Njohja e zakonëve të malësisë e vëndoste në krye të vendit mbasi shumë shpesh, malësorët kishin nevojë për mendimin e priftit ndër kuvendët e tyne. Merrej me pajtim gjaqësh dhe ishte kudo ku lypej me u shmangë vëllavrasja. Kjo arësye e shtyni shpesh me ndërhy edhe pranë organëve qeveritare për me shpëtue ndonjë që binte në duert e gjermanve.
Po cili kje shpërblimi që mori prej nesh?
Në vitin 1944 Hausdingu i shpjegoi Trackit, se në Shqipni ka shumë ngatrresa të mbrendshme dhe se mundësia e ardhjes në pushtet asht e komunistëve, mbasi ata i ndihmojnë edhe anglezët prandej, eja me né, se do të kenë edhe ndryshim sistemesh dhe ti do të konsiderohësh edhe gjerman. Pavarësisht se ti i ke ndihmue shumë shqiptarët nuk ka me t’a dijtë kush për nderë pra, mos e rreziko jetën me qëndrue këtu!
Tracki ju përgjigj: “Jo, nuk vij me ju, mbasi nuk kam ardhë në Shqipni për qëllime politike, as ushtarake dhe as si pushtues.
Këtu unë kam Atdheun e dytë, Shqipninë, të cilit, i kam shërbye si Meshtar dhe këtu, due të vdes si Shqiptar!”.
Ata ikën, ndërsa Tracki qëndroi këtu.
Për me evitue përpjekjet me partizanë në ditët e para të 1945 ai shkoi në malësi tek priftnit Nikoll Gazulli, Luigj Pici, Ndre Zadeja dhe se fundit tek Don Injac Gjoka. Aty e njoftuen se kërkohet nga disa partizanë, që në Velipojë e kanë shpallë armik. Ato ditë edhe Ndoc Jakova ikë nga ushtria mbasi fillojnë përshpëritjet se Ndoci asht i lidhun ngusht me klerin katolik. Edhe Ndoci shkon tek Don Injaci, ku takohet me Trackin dhe të dy bashkë shkojnë në Shpellë të Mëri Kokës në Stenë.
Po kalonte vitin me grupin e Gjergj Vatës, Martin Sheldisë, Gjelosh Lulit, Mark Malës, Nikoll Prenk Dedës, Pjetër Gjokës etj.
Jeta e malit dihet. Tracki nga Breslau në shpella të Veriut.
E, pse? Për ata që njohin zonën e Shllakut asht e kjartë vuejtja dhe sakrifica që ka ba Tracki.
Zoji Themeli, kryetar i Seksionit Mbrendshëm të Shkodrës më 31 dhetor 1945, njofton Drejtorinë e Mbrojtjës së Popullit në Tiranë: “Ju njoftoj se përveç Dom Alfons Trackit që gjindet në këtë qark, nuk ka elementa fetarë me kombësi gjermane.” (Dosja 1885).
Në mes të natës së 12-13 shkurtit 1946, kur forcat e Ndjekjës nisën për në Dushman, mbasi ishte ba një vrasje atje gabojnë rrugë. Koha e keqe me shi kishte vështirsue kalimin. Prrojet kishin shpërthye. Brigada merr drejtimin kah shtegu i shpellës, jashtë së cilës atë natë bante roje Ndoc Jakova. Në shpellë ndigjohen disa krizma armësh që u shuan shpejt. I pari i ndigjoi Gjergj Vata, i cili i zgjoi shokët nga gjumi dhe po prisnin sinjalin prej Ndocit për me veprue. Nuk ndihej asgja. Mendojnë pse Ndoci nuk po i ban me dijtë, shka ndodhi!?.. Vrojtojnë me kujdes jashtë dhe vërejnë se aty afër ndigjohen ecje këpucësh ushtarake, që ushtojnë pak prej natës e pak prej gurve të kalldramit të rrugës. Pergatitën me ça rrethimin nga një shteg që nuk njihëj nga Ndjekja. I pari prinë Gjergji, mbasi dinte shtigjet, të tjerët u nisën mbas tij.
Don Alfonsi nuk pranoi me marrë atë drejtim pa shkue deri tek vendi ku ishte Ndoci. Gjergji ka kundërshtue tue parashikue pritën. Don Alfonsi ishte i vendosun me shkue kah Ndoci, parandjente dishka të keqe dhe u nis. Kur mërrinë tek vendi gjenë Ndocin e plagosun randë… ishte i lamë me gjak. Ndoci e njeh… Don Alfonsi i jep të zgjidhun, e kungon dhe e vojon, i çon kokën nga balta e pellgu i gjakut, e mbështetë për parzëm, i ban Kryq dhe qëndron me té derisa Ndoci jep Shpirt… Si një babë i mirë që shtërngon fort djalin e vet në fund të jetës.
Afrohën forcat e Ndjekjës. Don Alfonsi nuk lëvizë nga vendi, madje, u thotë: “Afronju, mos kini frikë se nuk kam armë, tashti ejani kur të doni se unë e kreva detyrën teme!…” E lidhën me litar dhe e sollën në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës. Aty ra në duert e një krimineli fanatik, i pa ngopun me gjak klerikësh, tek katili Fadil Kapisyzi që për pesë muej nuk la gja pa ba në trupin e Trackit. Përpilohët, si gjithënjë një proçes fals (me sekretar Kol Kirin), ku nuk mungojnë as shpifsit, as trilluesit kundër misionarit të pafaj që kishte shpëtue sa jetë të rinjësh nga duert e nazistëve si: Çesk Kabashi, Zef Kol Preka, që me paturpësi e akuzon Trackin se i kishte kërkue 200 napolona me i shpëtue djalin, apo një vagabond si Gjovalin Mazrreku, që e quan me fjalorin e njohun të agjentit sigurimit: “Fashisti i poshtër Don Alfons Tracki”.
Debili Rustem Sykja e akuzon për propagandë naziste etj. Shpërblimi i veprës së misionarit të palodhun ndaj atyne të rinjve që i kishte ndihmue pa dallim feje dhe që ndodheshin në sallën e kinemasë “Rozafat”, ishin thirrjet e tyne mizore te paturpëshme: “Plumbin ballit … kriminelët në litar!..”
Tracki deklaron në gjyq (Dosja nr. 1885): “Për doktrinën fashiste kishe me thanë se kjo ka gjetë njeriun dhe njeriu kokën. Sa për nazizmin, unë jam gjerman por, nuk jam nacional-socialist. Nuk jam as nuk due me kenë mbasi si doktrinë asht e gabueme. Na kurrfarë ndihmet nuk i kemi dhanë. Tham se fashizmi dhe nazizmi janë njilloj, e duhet me kenë kundër… Unë me politikë nuk jam marrë, pyetni ata që kam ndejë me ta. Prifti po të merret me politikë sharron, prandej edhe kam ndejë larg… tek Oberlajn dhe Dr. Hotnik nuk kam shkue, kishin zyre të tjera se merrëshin me hetime politike… Në rrethin “Veprimi Katolik” flitej për fenë… Propagandë kundër Bashkimit Sovjetik nuk kam ba, por si gjerman kam dashtë me fitue Gjermania në luftë kundër Rusisë…
Kam kenë tek Hausdingu, por kjo nuk don me thanë se jam nazist. Fillimi i luftës ka kenë i padrejtë…Për Gjrmaninë naziste jam gëzue që ka mbarue. Nazizmi nuk asht potencë që ka dalë nga populli por me dhunë. Nuk e lente kush fitorën e nazizmit, se ishte çue gjithë bota kundër… Delegati Apostolik nuk ka shkue te Hausdingu, por më ka çue mue për disa dezertor italian… për pilotët, po, kam ndërhy dhe u asht falë jeta… Mos me ndigjue me ba përkthime në Gestapo nuk e queja gja të mirë, mbasi unë punoja në interes të popullit shqiptar…Unë dola në mal se partizanët nuk ishin ushtri e rregullt, vepron kushdo në kokën e tij, të vrasin dhe të përsekutojnë… Me Ndoc Jakovën kemi nda bukën dhe sende të tjera, që na nepshin katundarët, por edhe kemi ble… Partizanët kur na kanë rrethue në luftë, unë jam diftue ushtar! Nuk kam dijeni se Papa ka bekue armët..Unë këtu kam kenë në atdheun tem.”
Disa mendime politike të Trackit: “Krotnik më ka thanë se na po shkojmë, por ky popull asht në grindje në mes të shoqi-shoqit e mund të fitojnë komunistat, se i ndihmojnë anglezët. Për majorin Nil, ishte dy ftyrash, ndryshej me Sali Myftinë, e ndryshej me Nik Sokolin. Gjermanët donin me lanë oficera në Dukagjin por në tetor ky urdhën u prapsua.
Zef Mirashi e Gjergj Vata më kanë tregue se Muharrem Bajraktari asht Komandant i Përgjithshëm…
Anglia e Gjermania e luftojnë shoqi-shojnë për jetë a për dekë e në Shqipni, të thuesh bashkë-veprojnë. Këto të pohueme janë fakte, por si shpjegohën? – Unë nuk dij me dhanë përgjegje. Por, një fakt asht se, që Anglia si e ka pasë ma përpara edhe tash don me pasë konceptin e sundimit. Sundimin e Evropës e don! Historia e vërteton se ekujlibrin ndërmjet shtetëve të Evropës don ekskluzivisht me e rregullue Anglia. Shembujt janë: (Holanda, Spanja, Franca – lufta e njiqindvjetve, Lufta e I-rë dhe e II-të Botnore), e tash? – Mue më duket se në hesapë të vet Anglia nuk ka shti një Rusi të evolucionarizueme e prandej, tash mbas Luftës së II-të Botnore, nuk i del besoj hesapi si ka mendue e dashtë.
Shtetet e ndryshme të Evropës edhe të vogla tue përdorë të drejtat e veta të fitueme me gjak nuk po këcejnë ma simbas vishkëllimit e taktit të Anglisë, e nuk po pvesin atë për trajtimin e qeverimit të vet, me një fjalë i kanë dalë dorët Anglisë.
Rregullimi i Evropës nuk asht ma në dorën e saj si dikur.
Ardhjën e Gjermanisë në Shqipni nuk mund ta konsideroj as mirë as keq mbasi jam gjerman, por mbas principit tem – lum i forti – por edhe kjo prap asht ide e gabueme! Ndoshta për problemet kombëtare të Shqipnisë gjermanët kanë punue mirë, mbasi Kosova me tokat tjera që i përkasin truellit Shqiptar e ja kanë marrë, kam frikë se nuk i kthehën ma.
Populli më ka pyet: “A të shkruhemi fashista?” – Unë i kam thanë se edhe po të shkruheni nuk asht ndonjë dam se merrni harxh, por nuk i kam thanë se po mos të jesh fashist – nuk je katolik, për milici i kam thanë mos u shkrueni! (dorëshkrim i Trackit, fq. 9,10.).
Kam kenë në Meshkallë (Shllak) më 31 dhetor 1945 dhe jam nisë te Don Injac Gjoka në Mazrrek, ku kam pritë anmisti prej Don Luigj Picit e Luigj Mjedës. Më 12 janar kam shkue në shpellë tek Gjergj Vata e Nik Sokoli. Më 13 shkurt 1946, më kapën partizanët.”
Me datën 17 korrik 1946, ora 17.00 Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetari Mustafa Iljazi, antarë, Zurdi Shehu e Anastas Koroveshi dhe prokuror Aranit Çela (akti nr. 249), vëndosi: 1. Llesh Marashi, me varje në litar. 2. Kol Ashiku, 3. Nikoll Preng Dedaj dhe 4. Don Alfons Tracki , dënohën me vdekje, me pushkatim.
Me datën 17 korrik, pra, atë natë bahët kërkesa për falje jete nga avoketnit e secilit të dënuem me vdekje.
Më datën 18 korrik 1946, bahet shqyrtimi i akteve në Gjykatën e Lartë në Tiranë, nga: Krytari, major Frederik Nosi, antarë kap.Veladin Zejneli e kap. Nexhat Hyseni, prokuror Nevzat Haznedari dhe vëndosi:..
Me datën 18 korrik 1946 njoftohët Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, me shkresën nr. 902/7 se: “…në bazë të vëndimit të dhënë me datën 17 korrik 1946, u ekzekutuan kriminelët :
Llesh Marashi, Kol Ashiku, Nikoll Preng Dedaj dhe Don Alfons Tracki. I pari në litar. Dënimi i tyre në përgjithësi është konsideruar me vend nga i gjithë opinjoni.
Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë.
Shef i Seksionit Shkodër(Zoji Themeli) d.v.
- Ekzekutimi u krye në orën 5.00 të datës 18 korrik… po kërkesat e të dënuemve kur janë shqyrtue nga Gjykata e Naltë dhe Kuvendi Popullor?
- Pse në shkresën e Zoji Themelit nuk asht emni i të ndjerit Kel Abati, që u pushkatue me këtë grup pa pasë asnjë lidhje me ta?
Pse asnjëherë nuk doli në dritë vrasja misterioze e Kel Abatit, mos edhe ky ishte “kriminel”? A duhet besue se me të vërtetë Kel Abatit ju fal jeta mbas ekzekutimit?
Ndoshta ma vonë e drejta do të dalin, por kam frikë se jo!
- Vrasësit gjithmonë punojnë me mbulue krimet e veta, mjeti ma i mirë i tyne asht harresa!
- “Tracki ishte modeli ma i përkryem i Meshtarit Katolik”, shkruan At Konrrad Gjolaj O.F.M.
- A u bindët pra, se në Shqipni,…
Misionarët e huaj vritën tri herë?
PËR NJË SHQIPNI TË ARDHSHME …
“Duhët të kërkojmë bashkimin e Kosovës me një Shqipni të ardhshme e, jo, me të sotmen!“
Maria Shllaku
Shkodra nuk harron kurrë Ata që vdesin për Fé, Atdhé, Përparim!
Neroni që pat djegë Romën, po të shihte shka bahëj në Shqipni mbas 1944, me zili do të na thonte: “Shqiptarë, ma keni kalue edhe mue!”
Në nandorin e 1944, na dukej se vazhdonin me u shkrepë armët e fitorës, kujtonim se mbaroi lufta por, po përsërisë, kishte fillue një tjetër luftë që për né shqiptarët asht kenë ma e përgjakshme, ma shfarosëse dhe ma shkatrruese, se Lufta e Dytë Botnore.
Ishte lufta vëllavrasëse 50 vjeçare e “fitorës” së komunizmit.
Kur pritej çlirimi nga okupatorët dhe dalja e Shqipnisë në dritën e demokracisë së vërtetë, forcat nacionaliste e përparimtare morën malet, tue mbetë vendi nën thundrën gjakatare komuniste.
Shqipnia u la nën kujdesin e Titos, me mbikqyrjen nga Bashkimi i “lavdishëm” Sovjetik, ku të drejtat dhe liritë e njeriut për “vetvëndosje”, “mbroheshin” nga Stalini i “Madh”.
Në të gjitha “Demokracitë Popullore” mbizotnonte frika, terrori, pushkatimet pa gjyqe e me gjyqe, interrnimet dhe propaganda komuniste: “Shpif e shpif… se dishka mbetë!”
Burrnisë e besës, ndër shumë votra ia zuni vendin tradhëtia. Jemi në atë kohë të historisë kur Tivari e Ulqini laheshin me gjak kosovarësh të premë në besë. Ishin sjellë si karvan 12000 vetë, burra të çarmatosun gjoja me u organizue në Shqipni për me çlirue Kosovën dhe, mbasi mërrijtën në Tivar nuk kishin mbetë as 2000 vetë. Të gjithë u zhdukën rrugës gjoja si dëzertor. Ata që mbetën gjallë tue kujtue se vrasjet i bante Tito, filluen me ikë tue kalue Bunën në pikën e dimnit me mendimin me shpëtue kokat në tokën nanë. Pa dijtë ku vunë kambën ranë në kurthën e komunistëve shqiptarë që ishin veglat ma besnike të “druzhe” Titos.
Ikën nga shiu dhe ranë në breshën.
Tue lexue librin “50 vjet kujtime” të Z. Lekë Harapit, në faqën 108, Dan Hasani tregon: “Riza Dani (aso kohë Kryetari i Komitetit të Shkodrës), i kërkon mendim dr. Omer Nishanit, si President, për me shpëtue ata kosovarë që kanë kalue në tokat tona, tue i angazhue me partizanët që shëtisnin nga një katund në tjetrin si “çlirimtarë”.
Dr. Omer Nishani, mbasi konsultohët me Enver Hoxhën dhe Koçi Xoxen, i përgjegjet: – Ata janë të gjithë kriminela dhe duhët t’ia kthejmë sa ma parë Jugosllavisë që të mos na zemrohet Tito”. Këto ishin fjalët e Presidentit dr. Omer Nishani, që u dekorue në vitin 1993 nga Tirana “demokratike”.
Si mendoni ju, të lëshonin karrigat e tyne udhëheqësit tonë për hirë të disa mijra kosovarëve? Këtë, nuk besoj se e kërkonin as kosovarët, për derisa shumë nga bijtë e atyne kosovarëve që ushqyen ushujzat e kënetave të Velipojës, për vite me radhë në dhomat e tyne në Kosovë, mbanin fotografinë e terroristit Enver Hoxha, apo pritnin e qitnin si mik tradhëtarin Ramiz Alia. Një mëkat që nuk rrëfehet as në ditën e vdekjes!
Asgja nuk ishte e papritun, madje, ishte vazhdim i asaj vepre të fillueme nga serbët me At Paliq e Gjeçovin, me At Lorenc Mitroviq e Leonard Targaj, asht krimi i shëmtuem mbi fratel Gjon Pantalinë e pavdekshëm, asht dëshmia e shfarosjës ndër burgjet komuniste e At Pal Dodës, asht krimi i pashoq i bamë mbi Don Shtjefën Kurtin që “për një Pagëzim fëmije”, u ba masakra ma e madhe që njeh historia moderne e, që do të shtrihet në trojet shqiptare; pra, asht “komunizmi”.
Vetëm ndër Alpe kishte ndonjë çerdhe shqipesh ku kishin zanë vend bijtë e sajë.
Krahas atyne trimave që nuk duronin dhunën komuniste në të dy anët e asaj ndarje të turpshme të 1913, që thirret kufi, dy vajza shkodrane luftojnë për liri. Ndër rrethina të Shkodrës asht Maria Zojzi, e ndër malët e Kosovës asht Maria Shllaku. Historia përsëritet ndër ato male.
Asht edhe sot gjaku i plagve të Norës Ded Gjo’Lulit, e prap ma ndejë vazhdon me vlue gjaku i Shote Galicës e Maria Tucit me shoqe. Prandej toka Shqiptare asht thirrë e paprekshme nga armiqtë shekullor.
***
“Unë, MARIA SHLLAKU, e lindun më 22 tetor 1922, në Shkodër, jam bija e Mark Simon Shllakut dhe e Dila Shllakut.
Jam shqiptare, me nënshtetësi shqiptare, e pamartueme, studenteshë e filozofisë në Romë, flas dhe shkruaj shqip, latinisht, italisht, frengjisht, gjermanisht, greqishtën e vjetër dhe pak serbisht..” Kështu fillon deklarata për biografinë e bame në hetuesi të Prizrenit. Vetëm njohja e disa gjuhve tregon horizontin e kulturës së saj!
Fillon hetimet me spijunin serb Nazmi Kursani dhe i vazhdon me Mazllom Nimanin dhe Misho Popoviq, nga data 19 dhetor 1945 e deri nga mesi i qershorit 1946.
Muhamet Vokshi në librin “Shqipëria e Marije Shllakut”, me autorë Ramiz Kelmendin dhe Viktor Gashin, botue në Pejë në 1995, libër i cili më ka dhanë shtysën me dijtë për rezistencën që asht ba në trojet shqiptare të Kosovës kundër komunizmit, ka një përshkrim të bukur të portretit të kësaj luftare trimneshë: “…Edhe pse e zbetë dhe e dërmuar nga shumë plagë, ajo kish një fytyrë shumë të këndshme, kish flokë të gjatë, të lëshuar, një hundë të mprehtë, me buzë e faqe të skuqura. Ishte inteligjente, impresive, e bindshme.” (fq. 90).
Maria në vitin 1943 shkon me punë në Kosovë si arkëtare në një degë finance. Në fund të vitit 1944, kur komunistët marrin pushtetin pak ditë para 9 nandorit, ajo merr malët me luftue për liri. Qëndroi disa ditë në shtëpi të Zefit të Fanës, në fshatin Polec, i cili ma vonë aty nga gjysa e dhetorit 1944 për arsye të mungesës së sigurisë e përcolli tek shtëpia e Dan Pjetrit (Berisha), në Dobërdol. Aty u mirprit nga gjithë rrethi i Danit, Pjetri, Pjetri i axhës Tomë, Martini etj. Në gjysë të qershorit të vitit 1945, forcat e OZN-ës, rrethojnë kullën e Dan Pjetrit dhe Maria e shoqnueme nga njerëzit e Danit, Martin Pjetri e Pjetër Toma mundën me ça rrëthimin dhe të gjithë bashkë dalin në mal.
Më 3 gusht 1945, në Dobërdol, në vendin e thirrun Lluga e Madhe e Dan Pjetrit, u mblodhën mbi 200 luftarë në Kuvendin e Dobërdolit. Alush Smajli i Llazicës i bante roje Flamurit me shqiponjën dykrenare, që valvitej mbi kokat e luftarëve të lirisë. Kuvendi kryesohej nga burri i njoftun Prof. Ymer Berisha, ndërsa, proçes-verbali mbahej nga luftaria e vetme Maria Shllaku.
Më 12 shtator 1945, forcat partizane mërrijnë me ra ndër gjurmët e luftarëve dhe mbas një përpjekje të fortë e të rrebtë, ku Maria u dallue për trimninë e saj, çanë rrëthimin me vështirsi, mbasi kishte marrë shumë plagë por edhe kishte humbë njeriun besnik Pjetër Tomën, i cili iu gjet kudo ku rreziku i jetës për Marijen kje i madh. Kur hyni ndër fushat e misrit të fshatit Açarevë nuk mujti me vazhdue rrugën nga hemoragjia e madhe prej plagëve që kishte marrë. Nga mungesa e mjekimit humbi ndjenjat. Njëfarë Rexhep Selimi, agjent serb ia dorzoi OZN-ës.
Në dhetorin e 1945, në Prizren u formue Komiteti i NDSH (Nacional Demokratike Shqiptare), për Kosovën me kryetar Hajdar Pllaneja, prof. në Gjimnazin e Prizrenit, mik i Mit-hat Frashërit, Kol Parubit, Gjergj Martinit, Muhamet Vokshit etj. Marsel Vuçaj vepronte në Pejë. Kjo organizatë ka një veprimtari shumë të gjanë mbasi ishte e organizueme mirë, por për fatin e keq të trojëve shqiptare që nuk u ndihmuan nga asnjë fuqi e jashtme përfundoi me humbjen e bijve të sajë, që shumica u vranë në luftë për liri ndër male. Disa nga këta u arrestuan dhe kështu filloi proçesi në të cilin pa diskutim përfshihej edhe Maria Shllaku, edhe pse nuk ishte kur u krijue Komiteti.
***
“Gjyqi i Popullit” filloi më 29 qershor 1946 dhe vazhdoi deri me 11 korrik 1946, në Prizren. Trupi gjykues përbahej nga: Kryetari i gjyqit të Qarkut Dragutin Janjiqin, antarë: Ismet Mula dhe Selajdin Ahmeti, prokuror Ali Shukriu dhe sekretar Branisllav Kijariq. Mbrojtës i të akuzuemve Bozhidar Zyleviq, si ndihmës sekretar, ndërsa i vetmi avokat ishte rusi Vlladimir Znamenski, nga Gjakova. Në bankën e të akuzuemve ndodhëshin 27 “anëtarë të Organizatës” NDSH- Nacional Demokratike Shqiptare: MARIA SHLLAKU, AT BERNARD LLUPI, KOL PARUBI, GJERGJ MARTINI, MARSEL VUÇAJ, ISA CAVOLLI, MASAR BEGOLLI, HAMZA BEGOLLI, JUSUF HAXHIYMERI, MUHAMET VOKSHI, VIKTOR GASHI, FRANO CIVLAKU, JAK KRASNIQI, OSMAN BASHA, SKËNDER RIZAJ, ENGJËLL BERISHA, SHEFQET KELMENDI, RAMIZ KELMENDI, KAMBER PAJAZITI, SEBË MATEJA, JAK SHAHINI, GITA MJEDA, LUÇIJE LEKA, SEBË KOLA, MIFTAR BALA, BINAK DEMA dhe GJERGJ DEDA.
Nga këta persona unë kam njohtë përsonalisht zotni Shefqet Kelmendin, i cili arratisët nga Kosova dhe arrestohët prap nga Sigurimi i Enver Hoxhës, në Shqipni. Mbasi doli nga burgu rreth vitit 1990, kam pasë fatin me bashkpunue me të, per “Katër Martirët Shkodranë” në vitin 1996, në kumtesën e mbajtun në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, për 50 vjetorin e pushkatimit të Maria Shllakut. Me këtë rasë njohta dhe autorët e librit zotnitë Kelmendi dhe Gashi, që erdhën në Shkodër.
Edhe sot mbas 50 vjetësh kujtonin me respekt heroinën e palëkundun para gjyqit serb.
Maria në seancën e parë të gjyqit mohon proçesin e hetuesisë, mbasi kur asht ba ajo asht rrah dhe torturue.
Të vërteta ajo quen vetëm deklarimet para gjyqit.
Ajo pranon se dishronte një Shqipni të lirë e demokratike: “Deri në vitin 1944 kam kenë për Lëvizjen N. Çl., mirpo kur erdhën partizanët në 1944 me flamurin e tyne që kishte drapnin me çekan, u bana kundër tyne.”. Kur pyetët nga Kryetari i gjyqit se a ka kenë për Shqipninë e Enver Hoxhës, ajo përgjegjet: “Unë nuk dij shka don Enver Hoxha, po na duam që Kosova t’i bashkohët Shqipnisë. Unë nuk jam për Shqipninë e Enver Hoxhës. Unë jam kundër gjermanëve, por dua që Kosova t’u takojë shqiptarëve të Shqipnisë së vjetër… Ne kemi luftue kundër partizanëve, që t’i rrëzojmë nga pushteti. …Unë kam kenë antifashiste e përbetueme, i tillë ka kenë edhe Luan Gashi…. Propaganda e jonë në popull ka kenë që populli të qëndrojnë si burrat dhe të kërkojnë bashkimin e Kosovës me një Shqipni të ardhshme e, jo, me të sotmen!”
Maria flet me respekt për Prof. Ymer Berishën, i cili kishte lind në Gjurgjevik të Madh të Klinës në vitin 1912, kishte krye Normalën e Elbasanit. Kishte vazhdue studimet për Shkenca Natyrore në Romë e mandej edhe Akademinë Ushtarake po aty. Kishte punue si mësues në Krujë, Kukës, Peshkopi, Lushnje, Berat dhe me hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, në vitin 1941, kishte shkue profesor i Gjimnazit dhe i Normalës “Sami Frashëri” në Prishtinë. Në vitin 1944 kishte dalë në mal me atdhetarët tjerë me luftue kundër pushtuesvë të rijë.
Asht njoftë si ideolog i platformës politike për mbrojtjën e kufijve Etnike të trojeve shqiptare të Kosovës dhe bashkimin e sajë me Shqipninë. Ka formue Organizatën atdhetare shqiptare “Besa Kombëtare”. Ka luftue kundër forcave komuniste serbe në Kosovë. Asht vra burrnisht në korrik të vitit 1946, në malët e Hereçit të Gjakovës.
AT BERNARD LLUPI O.F.M.
Ka lé në Shkodër me 7 shkurt 1886, prej prindve Filip e Luçia Llupi. Asht pagëzue me emnin Mati, asht vëllai i pestë i Cinit, Zefit, Ejllit e Franos. Vjen prej një familjes së vjetër me tradita qytetare shkodrane. Studimet i ka krye në Insbruk të Austrisë, ku mori medalje nderi si student i shkëlqyeshëm. Shugurohët meshtar në Romë dhe shërben në Palç (Mërturë), Hot, Grudë, Bizë të Durrsit, Vlonë dhe Shkodër.
Kur Kuvendi Françeskan ndodhët keq ekonomikisht në atë kohë lufte e zije për bukë në vitin 1942 dërgohet në Pejë famullitar, mbasi njihej si ekonomat i përkryem.
Prej andej ban të mujtun mos shpërndamjen e xhakojve në Shkodër, tue i dërgue vazhdimisht ushqime. Për këtë ndihmë të madhë ekonomike ban fjalë në procesin e tij edhe At Çiprian Nika, rektori i Fretënve në Shkodër. Asht bashkohës i Etënve Harapi, Doda, Prennushi, Cani dhe mik i Don Nikoll Ashtës. Asht ndër misionarët e njohtun që me dinjitet ka bajtë zhgunin e Sh’ Françeskut. Autoritar në fjalë dhe i palodhun në pajtime gjaqësh e ngatrresash që kishin kapërthye malët tona. Edhe pse në 1939 asht operue në Padova, ku ka heq një eshke, asnjëherë nuk i shmangët misionit të tij, madje, shkon me qejfë malësh për me ndihmue çështjen kombëtare dhe niset për Kosovë.
Atje ka shërbye në famullitë e Zllakuçanit, Zym’të Hasit dhe Pejë. Ndihmon shqiptarët që kanë marrë malët për liri nga fashizmi dhe komunizmi, me ushqime dhe medikamente mjeksore. Mban afër Prof. Kol Parubin, Marije Shllakun, Marsel Vuçën, Prof. Ymer Berishën dhe të tjerë luftarë shqiptarë. Porositë fshatarët “me e ruejtë dhe me e ndihmue këtë vajzë atdhetare!”. Theksova fjalët e ti ndër thojza, mbasi me dashtni dhe burrni vlerson virtytet e femnës shqiptare, ashtu si ma parë vëllaznit e tij, Norën e Kelmendit. At Llupi asht “ATI I DYTË” i Marijes.
Maria tek Ati i saj i dytë sheh shpresën dhe të mirën, tue i kërkue si vajza e tij: “Lutju Zotit për mue!” Ai lutej për të gjithë shqiptarët pa dallim feje. Kjo asht arsyja që të gjithë e donin dhe e ndigjonin misionarin e përvujtë. Ai njihej si misionar i Atdhetarizmit prandej qela e tij ishte vatra ku delnin shkëndijat e lirisë. Shovenistët serb, shërbëtorët e tyne komunistë dhe tradhëtarët e shitun të Atdheut nuk e duronin zhgunin e Françeskanit në Pejë, prandej, në marsin e 1946 e arrestojnë si një organizator i “Katoliçeskaja Banda”, organizatë që nuk ka kenë kurrë. Krijuesi i këtyne bandave, organizatave, grupeve terroriste, duerve të zeza, të futjes së armëve ndër Kisha etj, asht një për të gjithë Shqiptarët: Komunistët e shovenistët jugosllavë me qendër Moskën.
Edhe para trupit gjykues At Llupi asht kryenaltë, trim dhe i pathyeshëm ashtusi në tortura të mnershme që i bahën në hetuesi. Nuk pranon asnjë akuzë. Nuk i trembet vdekjes fare, aq sa edhe tallet me prokurorin Ali Shukriu, gjatë procesit gjyqsor kur ai e pyet, se ç’ke menduar kur ke thënë: “Ishalla e pështon Zoti Kosovën!”? – At Llupi përgjegjet: “Kam mendue që të shpëtojë nga sëmundjet dhe hallet e ndryshme!” Kur prokurori e pyet se a i ke dërgue djath në mal, At Llupi nuk i përgjigjet, mbasi nuk kam ardhë këtu për djathë.
Kur pyetët Maria, edhe ajo përsëritë: “Nuk përgjigjem, nuk kemi ardhë për djathë këtu!”. Kur flitët për njerzit e vramë ndër male, At Llupi thotë: “Ata kanë vdekë si trima, si burrat, prandej, duhët të jenë shembull për né të gjithë!”.
Autori z.Muhamet Vokshi, shkruen për At Llupin: “…Fliste anglisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, serbisht, latinisht…
Ishte komunikativ, modest, shakaxhi. Fishtën e adhuronte… Italianët nuk i donte aspak… i quante “bretkocarë”… e ka dashur vendin dhe popullin e vet pa urrejtur kurrkend tjetër.
E deshti dhe dha jetën për Shqipërinë brenda kufijve të saj etnikë“
Fjala e fundit e At Llupit para pushkatimit ishte:
“Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë!”…
Mbas të shtimeve të automatikve At Llupi, kishte mbetë në kambë edhe pse zhguni i panjollë ishte la me gjakun e këtij martiri…
Ai thirri edhe njëherë: “Rrnoftë Shqipnia!”, xhullinjtë iu afruen tue shti mbi tè, derisa Frati 60 vjeçar u shtri mbi tokën shqiptare për të cilën dha jetën.
PROF. KOL PARUBAJ:
Ka lé në Pentar të Dajçit të Bregut të Bunës në Shkodër, më 5 dhetor 1905, prej prindve Tomë e Tone Parubaj. Fshati dallohet për banorët e tij me cilësi squtsie. Kola nuk asht indiferent ndaj kësaj cilësie prandej mbasi kryen studimet e larta vjen dhe hapë shkollën e Pentarit, ku jep kontribut fetar e atdhetar. Paisë një klasë modeste me banka, libra e fletore, tue ruejtë kontakte me misionarin Don Alfons Tracki dhe priftën tjerë përparimtarë të asaj zone. Asht i pajisun me kulturë Perëndimore dhe punon që në fillim përveç mësimeve të shqipës, katër blejt e parë të gjuhës italiane dhe njohuni të para të frengjishtës. Asht dallue si njeri me enfazi konferencieri. Në vitin 1939 tue mos gjetë mundësinë e marrëveshjes me klerin e Shkodrës për me kalue në rritin greko – latin, i këshilluem nga Tracki kalon në tokat e Jugosllavisë, andej Bunës.
Ndihmohët nga Kuvendi i rrethit të Uzhicës e Bihaçit. Mbas shumë “peripecishë”, në vitin 1942 emnohet profesor në Gjimnazin e Prishtinës e ma vonë në Pejë. Gjatë kësaj kohë njihët me Riza Drinin nga Shkodra, me At Llupin, tek i cili flenë një natë. Mban lidhje miqësore me H. Pllanejën, Ymer Berishën, Enver Sudin etj., me të cilët edhe punon dhe lufton për çështjen e Kosovës së lirë.
Asht njeriu nga i cili hetuesia kërkon shumë, arrestohët në mars të 1946, dhe me 21 të ati moji fillon hetimet i akuzuem si “agjent i fashizmit”, tue e dijtë mirë se ishte antifashist. Ai ishte edhe antizogist, gja që e dëshmon edhe ish nxanësi i tij Gjergj Laca.
Përveç kujtimeve të mira që ruen për mësuesin e parë ashtu si Maksut Shehu në Kosovë etj. Gjergji edhe sot mban ndër mend kangën: “Kur sorra bori skjepin”, të cilën ia ka mësue në shkollën fillore Prof. Kol Parubaj, kangë e ndalueme nga regjimi i Zogut.
Ndaj veprimëve kriminale të komunistëve në Kosovë, profesori mban qëndrim kundërshtar. Ai ban një përpjekje për me formue një Komitet Qendror të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare të Kosovës (NDSH), në vitin 1945. Vetëm ky mendim i tij, pa krye asnjë vepër e çon në pushkatim.
Lidhjet me Enver Sudin konsiderohën gjoja të rekomandueme nga At Llupi. Parubaj nuk i pranon tue hjedhë poshtë të gjitha akuzat në lidhje me Fratin. Lidhjet me Enver Sudin kërkohën shumë në hetuesi, mbasi Enveri ishte pjestar i një bërthame prej tre vetësh që kishin organizue vrasjën e Milladin Popoviqit, të cilin e kishte vra Haki Taha. Kjo lidhje për të cilën ngulë kambë edhe Marsel Vuçaj se “asht kenë e vërtetë”, i jep dorë trupit gjykues, me marrë vendimin e pushkatimit për Prof. Kol Parubaj, me gjithë mohimet dhe qëndrimin burrnor të Kolës. Në fjalën e fundit thotë: “Ma keni kujdes vajzën! Rrnoftë Shqipnia Etnike bashkë me Kosovën!” Maksut Shehu shkruen: “Ishte i butë!… Granit!”
Mësuesi GJERGJ MARTINI:
Gjergj Martini ka lé në Hot të Shkodrës, më 29 gusht 1917.
Ka krye paragjimnazin në Shkodër në Konviktin “Malet tona”, ndërsa të mesmën në Normalen e Elbasanit. Punoi mësues në Kukës dhe në Shkodër. U martue me mësusen Zografe Harodhambi nga Kavaja, e datëlindjes 1920. Ka pasë një vajzë nga kjo martëse. Në vitin 1945, kur ishte Gjergji në Gjakovë, i vdiq grueja tue i lanë vajzën e vogël me ia rritë gjyshja. Nuk u shkëput asnjëherë nga kjo vajzë, mbasi edhe me martesën e dytë që bani me Linën e Simon Shkrelit, u mirkuptue. Ajo u kujdes për vajzën jetime dhe nuk ia prishi zemrën Gjergjit deri në fund. Edhe Lina ishte grue e kulturueme dhe njihët me Gjergjin kur ishte mësuese në Gjakovë, ndërsa Gjergji ishte drejtor i asaj shkolle.
Martesën me Linën e bani më 18 nandor 1945, dhe në mars 1946 arrestohët. Jetoi me gruen e dytë vetëm 4 muaj.
Akuzohët edhe ky si të tjerët për bashkpunim me Prof. Kol Parubin e At Llupin në Organizatën NDSH të Kosovës. Merrët në pyetje vetëm pesë herë dhe vehët në bankën e të akuzuemve, pa dijtë pse asht aty si shumë të tjerë që ishin ndër ato banka. Edhe Gjergji akuzohët nga Marsel Vuçaj njësoj si Parubaj Dukët se akuzat që u ban shokve të vet e lanë me 12 vjet burg, të cilat ndoshta, si shpërblim çpifje nuk i ka krye në burg. Gjergji në veçansi nuk ka akuzë mbasi “faji” i tij përfshihet ndër akuzat e shokve. Kur flitët për Gjergjin, gjithnjë thohët “janë fajtorë” …dhe rreshtohët me At Llupin e Kolën. Paknaqësia e Gjergjit shfaqët vetëm kur asht fjala për nënshtetësinë shqiptare që kishte dhe, nuk i epej e drejta e votës si shqiptar.
Në faqën 132 autorët e librit shënojnë: “Krimet” e tij, që u mbyllën me dënimin më të rëndë, me vdekje, me pushkatim, konsistuan vetëm në faktin se ishte shqiptar, se ishte patriot, se ishte intelektual, dhe se ishte shkodranë (i Hotit) njësoj si tre të parët – Maria, At Bernardi dhe Kola.
Do të ishte e tepërt me kërkue shkaqe të tjera pse u pushkatuan këta atdhetarë. Zonja Lina Martini shkruen në kujtimet e saja: “Gjergji ishte njeri universal, kishte za të bukur, këndonim duet, ishte shumë i çmuar dhe i respektuar. Unë tash plot gjysëm shekulli, kujtoj ato ditë të pakta e të bukra që jetova me té… I kam ruejtun këtu me xhelozi, e besa edhe me frikë të madhe disa fotografi që i kam prej tij dhe me té; unë dhe Gjergji ditën e kunorzimit… Gjergjin me shokët e tij… me nxanës… që i shikoj përditë tash 50 vjet…”
Dr. Pajazit Nushi shënon: ”….tue shkrue këta pak rreshta kam në vedi përfytyrimin e një mësuesi të rrallë, që përjetonte vuejtjet e të tjerve si të tijat.”
Me të drejtë Mësuesi Gjergj Martini u mësonte nxanësve të vet kangën që ai e këndonte me zanin e tij të bukur: “Po vjen prendimi dhe larg asht dielli”…. Si dukët, ia ndinte zemra largësinë e dritës së diellit!… ***
- Me datën 15 korrik 1946, trupi gjykues dha vëndimin për 27 vetë të “Katoliçeskaja Banda”.
- Ndërsa, më 15 nandor 1946 nga ky grup u pushkatuen:
MARIA SHLLAKU 24 vjeç,
AT BERNARD LLUPI 60 vjeç,
Prof. KOL PARUBAJ 40 vjeç,
GJERGJ MARTINI 29 vjeç.
Në mbrëmjen e 14 nandorit dikush përshpëriti sikur kishte dëgjuar nga biseda mes dy rojeve se nesër në mëngjes do të pushkatoheshin të dënuarit me vdekje. U tronditëm shumë dhe vendosëm me i treguar At Bernardit. I thamë në veçanti: Padër, nesër… ndoshta… nuk e dijmë… por… Ai ndërpreu fjalën dhe tha :- Shumë bukur që erdhi kjo ditë dhe mbas pak sekondash iu drejtua Kolës, – Kolë, eja pak këtu! Shkuan në qoshen e dhomës, At Llupi bashkoi dy duart, ndërsa Kola u ulë në gjunjë. Kur Kola desh të fliste diçka, At Llupi i tha: – Kolë, i dij gjynahët tuaja por ban punën e Pendimit, se Zoti do t’i falin të gjitha fajet mbasi ti po lanë me gjakun tand tokën që të ka lindë, ti po shkon tek Zoti jo si mëkatar, por si martir, ti je i zgjedhun prej Atit të Pushtetshëm, me dhanë shembull si duhët me vdekë për të mirën e popullit shqiptar dhe të Atdheut, që po e lamë të robnuem, por shpejt Zoti dhashtë e u bashkoftë edhe Kosova me Nanën Shqipni! Mbas tij shkoi edhe Gjergji.
Atë natë nuk fjeti njeri. Biseda mbahej nga At Bernardi, të cilit edhe atë natë nuk i mungoi humori e gazi, sikur të nesërmen po lirohej dhe jo…
Ishin orët e para të mëngjezit, kur u dëgjuan çelsat e randë të dyerve. Mbretroi një heshtje e përmortshme… Menjëherë e mori fjalën At Bernard Llupi: – Ç’keni o burra që heshtët? Mos u shtangni, se vdekja nuk na frikson. Kushdo që lind do të vdes herët a vonë aqsa ka thanë Zoti. Na po vdesim ballhaptë dhe po shkojmë nga kjo botë të bindun se me vdekjen tonë do ta ndihmojmë çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e sajë me Atdheun Nanë, ….Shqiptari shkon në vdekje si në darsëm sëpse lufton dhe vdes për popull, për liri, për jetë ma të lumtun!”
Sakaq u dëgjua zani i ambël i Gjergj Martinit: “Po vdesim për Atdhe, burra, se Atdheu mbrohët me gjak. Kështu me gjakun e shqiptarëve të ramë, krijohët Shqipnia. Gjaku i derdhun s’ka sesi të mos japë fryt, tue mbjellë atdhedashtni, mirësi, mirëkuptim, ai do të ngjallë edhe ma tepër ndjenjat kombëtare”:
U hap dera me rrëmbim: – Hajde, hajde, brze, majku vam vasu!- briti roja.
At Bernard Llupi, pa iu trembur syri dhe pa u nervozuar fare iu drejtua rojës: – Ndaluni pak, se due të përshëndetem për herë të fundit me vëllaznit e mijë. Në përqafim nuk muejta t’i mbaj lotët, mos u trego i ligësht, – më tha, – të dijmë si xunxarë, kështu me quanin në burg. U drejtua – Gjergj, Kolë, ejani, të shkojmë krenarë, le ta shohin ata se nuk ia kemi frigën plumbit! Duhët të jemi të lumtun që po vdesim për idealet e kombit.Atëherë Gjergji na u drejtua: “Lamtumirë, o vëllazën! Tregoni botës mbarë se Kosova dhe Shqipnia ka trima që japin jetën për vatan dhe nuk ka anmik që na tremb!…
Shqiptari nuk përkulet kurrë !”…
Roja e shtyri, e ai thirri edhe ma më të madhe: “Rrnoftë Shqipnia bashkë me Kosovën!”
Edhe Kol Parubaj me një za të shteruar, na tha: “Lamtumirë vëllazën!… Ma keni kujdes vajzën… Rrnoftë kombi shqiptar!… Rrnofshin shqiptarët!”
Zëri i tij treti dhe nuk u dëgjua më, sëpse roja e shtyri me rrëmbim dhe pas tij u mbyll dera.
Të gjithë ne që ishim mbrenda mbetëm të shtangur. Pas pak u ndigjua zëri i thekshëm i Maria Shllakut. Të gjithë vrapuam kah dritarët që ta shikonim në oborrin e burgut dhe pamë hijen e sajë, meqë bënte shumë terr.
Nuk pranonte të dilte nga dera e burgut pa përfunduar këngën që bënte fjalë për Ymer Berishën, dhe luftën për çlirimin e Kosovës. Fjalët e këngës sot nuk më kujtohen por zëri i sajë ishte tamam pushkë dhe jehoi në tërë burgun.
At Bernard Llupi atëherë i tha me zë të naltë:
“Të lumtë, bylbyli i shqiptarizmës!
Le ta marrin vesht bota si shkon me vdekë femna shqiptare, me kangë në gojë!”
Maria ia këtheu me za të fortë:“RRNOFTË SHQIPNIA E MADHE!.. RRNOFTË BASHKIMI I SHQIPTARËVE!”
- Me të drejtë Miss Durham shkruan:
“Zotnimet e hueja kanë kalue mbi kombin shqiptar pa lanë në té kurrfarë gjurmët, si ujë që kalon mbi shpinën e rosës”.
NATË SHËN KOLLI
”Kur të mbarojnë burrat, luftën do ta vazhdojnë gratë”
Mark Kakarriqi,Vjenë, 1913.
Shkodër, më 5 dhetor 1946. Nata e Shën’ Kollit. Një mbramje jo e zakonshme në këtë qytet të lashtë, që gjithmonë ka përcjellë brez mbas brezit doket e zakonet e të parëvet të vet. Edhe pse shumë qytetarë janë largue ndër krahina të ndryshme të vendit zakonet i ruejnë, ashtusi atë ditë që festohën në Shkodër.
Atë natë të duket sikur qyteti asht prush ose ma mirë me thanë, sikur toka asht ndezë flakë prej dritave që depërtojnë jashtë dritarëve e kafazlijeve karakteristike të qytetit. Rrugët janë paqtue mjaft herët mbasi sejcili e ka mendue dishka para se me ra muzgu. Një gjel asht flijue edhe ndër shtëpitë e pazarit të vjetër ndër kodrat përreth Kalasë, sëpse festa ka kohë që ka shkapërcye muret e nalta, të veshuna me shermashek e lulevile të shtëpive katolike.
Kjo festë kremtohet në të gjitha anët ë qytetit. Dugajtë janë mbyllë njëherësh tue urue njeni-tjetrin: „Për shumë mot festën!“
Në çdo votër asht vu buzmi, sigurisht jo, ma i madhi, mbasi ai ruhet për natën e Këshnellave, por secili oxhak nxjerr tym simbas forcës se asaj mbramje përzie me erën e gjellëve, që amvisat pergatisin me mjeshtrinë ma të madhe të grave të njoftuna në këtë natë feste. Ajo që e ban ma të veçantë këtë natë asht qiri që ndezet në çdo shtëpi. Qiri i Shën’ Kollit asht i pikturuem me lajle e lule shumëngjyrëshe që vëndoset në krye të vendit dhe ndezet nga i zoti i shtëpisë e, festa fillon!
Fëmijët janë ma të gëzuemit dhe me sytë e tyne vezullues kontrollojnë çdo qoshë pa u rrëshqitë asgja. Aty kanë vargjët e fiqëve të thatë, arrat e lejthijat që aq shumë ua kande, molla e fruta të stinës, dikund shihet edhe ndonjë ftu e portogal. Gjyshet, prej kohësh ndër kanavetat e tyne kanë ruejt për këtë natë të mbështjellun në letra xhami, qyfterin e derdhun ndër format e bukura të peshkut. Vena nuk i mungon as ma fukarasë. Ulen ndër sofrat e shtrueme me sofrabezat e kuq, fillon urata prej ma të moshuemve dhe mbas sajë kanga e Shën’Kollit: “Vjen Shën’Kolli prej Misirit…” Vazhdon zani ma i bukur i shoqnuem prej korit të pjestarëve të familjes. Naltohet zani me u ndigjue edhe prej komshive, mbasi asht kënaqësi kur të nesërmen bisedohet prej grave se kujt i asht ndigjue zani ma larg. Prej sofrës së fëmijve vjen lajmi se kur, do të vinë në sofrën e tyne bukfikja e pitegjarpni i bamë me arra e rrush të thatë Selaniku. Mbas vitit 1942 na e festonim festën tek daja Don Kolec, mbasi baba vdiq dhe atje na mblidhte gjyshja. Në vitin 1949 gjyshja bani një bakllavë të madhe se atëherë doli edhe daja nga burgu. Kujtoj dajën me një pjatë të madhe në dorë mbasi kishim ngranë bukë, me buzë në gaz si gjithmonë më vuni pjatën përpara mue. Aty kishte gjashtë kallëpe të mëdhej bakllave e më tha: “Kjo pjatë asht e ytja, ké me hangër sa të mundesh!“ Ai ishte Shën’Kolli i fundit në shtëpinë tonë.
Mbas sofrës, fëmijët e gzuem e të marrakotun nga gzimi për pak kohë vazhdonin laradashat në dhomën e fjetjes ndër dyshekët e shtruem përtokë. Gaz e hare në atë dhomë, ndërsa në dhomën tjetër bisedohej: “Ku e merr me pasë mendjën e tyne!”.
Ma plaku rrëmon zjarmin e në plasat e trungut të lisit me mashë kërkon me ba xhixha e shkëndia që çohen përpjetë. Krizmat e tyne i kujtojnë fishekzjarret që zbërthejnë në naltësi. Sigurisht shenjë nervoziteti… Gratë i heqin vërejtje: “Boll ma, mos e luej se bukuri tèk asht!” Lodhja e ditës e shoqnueme me atë të pijes bajnë punën e vet e, kështu, bie qetësia.
… Ndërsa, ndër sofra shkrepën gotat e vëndosuna mbi sofrabezat e bukur që sonte kanë sipër gjithë të mirat, ndër mjaft shtëpi asht i treti Shën’Kollë që gratë kanë hapë arkat e baulat e nusisë dhe kanë hjedhë mbrendë, ndoshta, përgjithmonë fustanet e bukura me lloj-lloj ngjyrash, se ato janë zëvendsue me futat e zeza dhe degërmitë e bardha ashtusi në shtëpijat e Dedejakupëve, Kazazëve e sa të tjerëve, burrat e të cilave janë pushkatue. Janë mjaft në Seksionin e Mbrendshëm tue u torturue e kushedisa ndër birucat e qelitë e këtij qyteti, ku çdo ditë djelmët e sa nanave hidheshin si thasë prej dritaresh me u thye kokat dhe me u hapë rrashtat ndër kalldramët e oborreve, ku ndihej, vetëm era e shfarosjes së qytetnimit shkodran e atij kombëtar evropian, nën parullën e njohtun të komunistëve: “Borgjezëve e reaksionarëve, plumbin ballit!”
Mbas mesnatës ndigjohen vetëm gjurmët e randa të këpucëve me thumba të disa patrullave, zhurmat e xhipsit të Sigurimit të Ahmet Sujit e topolinos së Dulaç Lekiqit që merreshin me arrestime. Punojnë vetëm zyrat e hetuesisë së Seksionit të Mbrendshëm, ndonjë zyrë e qarkorit të Partisë, që vazhdon në ilegalitet tue shpërnda urdhnat e sajë me spijujtë e agjentat terroristë të natës që tashma kanë pushtue qytetin.
Këto zyra, të drejtueme nga Qazim Kapisyzi, Arif Gjyli, Lilo Zeneli, Ndrekë Nallbani, Ali Qorri, Zoji Themeli, Pjerin Kçira, Rasim Dedja, Nesti Kopali etj. nuk i fikun dritat kurrë mbasi ditë e natë dritaret janë të mbylluna, për mos me u ndigjue ndër rruga virrmat e britmat e të torturuemve të shkallmuem për vdekje.
Ka mjaft nana që nuk i zë gjumi tue mendue se në duert e kujt ka loçkën e zemrës. Një prej këtyne nanave asht edhe fatzeza Pina, e shoqja e Shtjefën Zojzit, që zemra i ndien dishka… Ajo, atë natë feste rri me sy të ngulun harû ndër gaca tue vrojtue kah votra, nuk i bahet me u ulë në sofër. Ajo asht e veçantë në të gjithë Shkodrën! Ajo ka në mal vajzën me emnin Maria. Vetë emni të ban me kujtue pa e njoftë, një grue të pastër, besnike dhe trimneshë. Asht grueja fisnike e Pjetrit të Dedëjakupëve, që për besën e dhanun një ditë në kunorën Shenjtë kur në gisht vuni rrethin, merr malët bashkë me fatin e sajë dhe del me luftue komunizmin.
Nuk ishte jo hov rinie edhe pse ishte 30 vjeçe, por në zemër kishte mullâ urrejtjen e vrasjes së kushrinit nga komunistët, ingj. Ludovik Zojzit, arkitekt i vorrëve të Rrëmajit. Vllaun e saj prof. Rrok Zojzin, e kishin torturue në Sigurim se kishte guxue me thanë se, sa ka vra Zogu për 15 vjet komunistët i kanë vra për 15 ditë. Kjo grue zgjodhi rrugën e malit mbasi nuk mund të jetonte pa lirinë e Atdheut, një dëshirë e pathyeshme edhe e burrit të sajë, që nuk kishte pranue bashkpunimin me komunistët. Ata nuk dinin me nda Shqipninë nga familja ashtusi dikur, burrat e motit bashkë me gratë burrnesha që morën malët për liri.
Edukata e sajë qytetare e atdhetare ishte brumosë edhe prej dy axhave klerikë të njohtun të familjes Zojzi.
Në heshtjen e asaj natës kriminelët mendojnë vetëm për krime e vrasje. Këtë punë do ta kryenin ma së miri Zoji Themeli, Toger Baba, Vaskë Koleci, Dulaç Lekiqi, Fadil Kapisyzi e Zenel Cani me shokët e Ndjekjës. Në të dalun të dritës së datës 6 dhetor, rreth orës 04.00 të mëngjezit, në luginën e prronit të Hijes së Madhe, në Meshkallë të Sheldisë, kur Maria e zgjueme doli nga çadra e vendosun prej tyne në atë vend, u ndigjue një za: “Dorëzou Marije, se nuk të vrasim!”
Ajo, u përgjegj: “Për së gjalli kurrë, mor qena….!”, nxori armën nga brezi sëpse, e njihte mirë “besën” e komunistëve.
Gjuejtjet e automatikëve të katilëve komunistë nga pozicionet e vëndosuna gjatë natës, e rrëzuen përdhé…
Ajo u vra me pushkë në dorë. Gjaku i pastër i Marijes u derdh në përrue dhe zbriti në Dri, për me përshëndetë ma afër Shkodrën.
Ajo me ujët e Drinit pershëndeti edhe Nanën e vet për me i tregue Asaj, se, kur më linde Ti, bashkë me qumështin gjaku më mori erë baroti, ashtu si më pate mësue qyshë të re, në besë të burrit qëndrova e bashkë me Pjetrin e dashtun u vramë për liri!..
Maria nuk ishte as e para shkodrane e as e fundit që doli malësh me armë në dorë mbas vitit 1944 me luftue kundër komunistëve. Ishte edhe Maria Shllaku po prej Shkodret, që zani i sajë do të jehonte për 50 vjet ndër malët e Kosovës. Vajza shqiptare u tregue gjithmonë e denjë për armët që mbante në brez. Ajo nuk u përkul as para pushkatimit, as para torturës, as para yllit të kuq. Ajo i provoi burgjet komuniste, ajo provoi malët e Tepelenës, ajo provoi baltat e kënetave të Myzeqesë, ajo nuk iu tremb as presionit moral, shpirtnuer e fizik të hetuesisë, as interrnimëve, as punës së randë të fermave e kooperativave bujqësore por, gjithkund mbas burrave vuejtën për një kafshatë bukë, lindën dhe rritën fëmijë që njëditë… do të ishin ndera e Atdheut.
***
Vajzat e vërteta shkodrane në ballin e Rozafës vendosën dafina!
Vajzat e vërteta Shqiptare, Shkodra i ka pa edhe më 2 prill 1991!
Ishin vajzat e djelmët e shkollës “Jordan Misja” që me Flamurin e ngjymë në gjakun e djaloshit trim shkodranë Arbën Broci, marrshuen drejt Demokracisë! Ishin po ato vajza që më 14 janar 1990 i trandën thëmelet bustit të diktatorit të shekullit Stalin. E, prap më 2 prill, do të djegin tankun para diktatorit tjetër që nuk i la gja mangut atit të tij, tue paralajmërue fundin e veprës së tyne: Turpit të Shekullit XX-të.
Toka shqiptare i ruen në gjiun e sajë Herojtë, edhe pse sot na nuk dimë ku pushojnë shumica e tyne. Fshatarët e Meshkallës e ruajtën për 45 vjetë Marijen në tokën e tyne, me një rrasë të vogël si shenjë nën kaçuba ferrash. Aty çobanët kishin shkrue: “Këtu pushon Maria e Shtjefën Zojzit, besnike e burrit të saj”.
Njëditë ata fshatarë bashkë me krahinat e Jubanit, të Gurit të Zi, të Sheldisë e përreth e përcollën për në Rrëmaji, Heroinën e tyne. Aty e priti Shkodra, sigurish, Ajo nuk erdhi me petkun e bardhë të nusisë por me atë visar që asht ma i shenjti dhe ma i shtrenjti, Ajo erdhi e veshun me Flamurin e Shqipnisë si një zonjë e randë, me atë Flamur që Maria, me gjakun e sajë i ka shlye yllin.
Edhe Flamuri, në shenjë nderimi për Heroinën e vet në zemrën e tij ka vu portretin e saj: SHQIPËN DYKRENARE.
Ajo sot prehët me nanën Pinë, mbasi burrin e besës komunistët e zhdukën, tue e pushkatue për së vdekuni në Zallin e Kirit, pranë vorreve të Rrëmajit, mbasi nuk kishin shka me i ba ma shumë. Edhe Ai asht aty afër Marijes, aty ku janë shumica e Martirëve të Shkodrës.
- Marije! Më duket se, për kërkend ma shumë se për Ty….
Shkruente dikur… i madhi At Fishta:
“… Ju besën
Ka për t’ua dhanë mbi vorr, se kurr për s’ gjalli
S’ ka me e koritun namin t’uej e nderën,
Se ka me dekë p’ r Atdhé si desin burrat
Si diqet, qé, ju për nji Shqipni t’lirueme.”
L Ë V I Z J A E P O S T R I B Ë S
(9 shtator 1946)
“Historia e Shqipnisë së lirë asht kaos luftash, ngatrresash, trathtinash, ambicionesh, partinash kaq të mëdhaja, të shpeshta, të ndyta e të damëshme, që nuk i gjenë askund shoqen në botë”
“Zani i të dekunit” nga Y (D. L. Shantoja)
“Rreziku nga e vërteta ishte ma i madh se gënjeshtra”.
Asht shkrue e do të shkruhet e prap do të vazhdohet me u shkrue për këtë ngjarje aq të randësishme, por e vërteta do të dalin në shesh vetëm atëher kur historianët e paanëshëm do të kenë mundësi me pa e me studjue arkivat e mbulueme nën dhé.
“Deri njerëzit e zhdukun dje prej skenet, na dukën si të kishin hi kaherë në radhën e mumjeve.”, shkruente At Gjon Shllaku, dhe vazhdon: “Për né ideja asht nji mjet me u kapë té realiteti, për filozofinë moderne ideja asht nji perde që e ndanë njeriun prej realitetit”.
Mendimet e kundërta të shprehuna ndër libra, broshura, artikuj dhe konferenca përkujtimore, më kanë shty me kërkue dishka të mbulueme me dashje, ose padashje, por në të dy rastët, jo, me qëllim të mirë. Tue u nisë si u organizue, si shpërthei dhe si përfundoi me dështim të plotë kjo lëvizje që asht ndër ma të mëdhajat e trojeve tona, asht me të ardhë keq dhe do të bindemi se frutin e kanë përfitue vetëm komunistët.
Përmbytja mori me vedi fshatarë, profesorë, oficerë akademistë, deputetë, intelektualë, klerikë, studentë, tregtarë, shumë të kënaqun e të pakënaqun nga pushteti, madje, edhe pushtetarë që deri pak ditë përpara kishin nënshkrue edhe “urdhën-arreste”, ose në mendjen e tyne pritnin kur po vjen “demokracia”.
Me plot gojë dami për Veriun nuk llogaritet asnjëherë.
Vetë ardhja në Shkodër në janar të 1945 e kryekriminelit Mehmet Shehu, me një tubë të pa pame ndonjëherë terroristesh si: Sheuqet Peçi, Dali Ndreu, Gjin Marku, Rahman Parllaku, Tuk Jakova, të shoqnuem nga bandat e Sigurimit të Shtetit të drejtueme prej Koçi Xoxe, Zoji Themeli, Vaskë Koleci, Ramadan Çitaku, Ndrekë Nallbani, Ali Qorri (Bushati), toger Baba etj. që me krimet e vrasjet e tyne të bame me gjyqe e pagjyqe, tregojnë pikësynimin e tyne: Përdorimi i çdo dredhije e mjeti mashtrues, për me shkatrrue rezistencën atdhetare antikomuniste dhe çerdhën e tyne.
- Unë do të rreshtoj vetëm disa fakte:
Me datën 29 janar 1945, prokurori Jonuz Mërsini i thotë D. Lazër Shantojës: “Më dt. 20 – 21 janar 1945, malësorët janë çue kundër Luftës N.Çl. të inspiruar prej këtij fashisti” (Dosja 174).
- Don Ndre Zadeja deklaron: “Aty nga shtatori 1944, ka ardhë në Sheldi nji kolonel anglez i quejtun Nill, me do ushtarë e Jup e Halit Kazazin, gjithashtu me té ishte nji oficer gjerman dhe nji ushtar italjan. Këta vijshin prej Cukalit, shkojshin në Shëngjin dhe së andejmi për Itali. Në qelën teme kanë qëndrue vetëm nji natë. Gjatë ndejtjes në qelen teme, unë ju mbajta nji bisedë, ku i kam theksue nëvojën që ka populli shqiptar i varfën në mes të armiqve shekullorë, të cilët janë: Sllavi, Bullgari, Greku dhe Italia. Shqipnia ka nëvojë për nji mbrojtje nga fuqitë e hueja”. (Dosja 677)
- Riza Drini i kërkon bashkpunim Riza Danit prej malit në tetor të 1944, dhe Këshilli N.Çl. e pranon. Arësyeja e kërkesës së Riza Drinit asht: “….për me evitue gjakderdhjen që parashof se do të bahët në Shqipni.” (Deklarata e Riza Danit d.v. dt. 30 prill 1945).
- Llesh Marashi deklaron në korrik 1946: “Nuk dij sesi tri ditë para shpërthimit të Lëvizjes së Koplikut e ka dijtë organizata “Bashkimi Shqiptar”, unë nuk e kam dijtë vetë!” . . ●Martin Sheldija (ish oficer), i arratisun me Gjergj Vatën, dorzue në kohën e anmistisë, i dënuem për jetë, dhe i liruem më 14 shkurt 1966, deklaron: “Me datën 5 shtator 1946 ka ardhë Shuk Gjoka, e më tha, se don me më takue Shaban Abdullahi e Zyber Hyseni, dhe me datën 8 shtator më ka sjellë lajmin me sulmue Shkodrën. Shuk Gjoka shkoi në Ganjollë, Spathar e Juban. Unë kam organizue Gurin e Zi. Më 8 shtator, bashkë me Pjetrin (Dedën, i vramë), kemi ardhë te Ura e Kirit e kemi shprazë pushkët, nuk na u përgjegj kush dhe kemi shkue prap. Nuk kemi hy në Shkodër.
“Martin Sheldija ka rrezikshmëri shoqrore shumë të theksuar…”, shënon Ministri i Mbrendshëm Mehmet Shehu d.v. më 29 qershor 1949. (Dosja 141).
- Jakup Dan Alia, i arrestuem për Lëvizjen e Postribës deklaron: “Në mbledhje për Postribën jemi qenë: Osman Haxhija, Abdullah Seiti, Muho Duli, Selim Raci, Emin Zyberi, Dervish Nuzi, Ram Vasi, Taip Isaja, Seit Duli etj. Foli Abdullah Seiti, dhe tha me i ra Shkodrës. Luftën e Postribës në fushë të aeroplanave e ka fillue Seit Duli.”
- Rrok Gjok Luli, i arrestuem më 12 shtator 1946, për Lëvizjen e Postribës dhe i dënuem 20 vjet, deklaron: “Kam bisedue me Mustafa Jakupin, Mustafa dinte se do të sulmohet Shkodra që sonte, një gja të tillë ia kishte thanë korieri i Jup Kazazit, një katundar prej Postribët, dhe më thote, Rrok, sande sulmohet Shkodra prej Postribët, e duhet të dalim që sonte me katundarë. Unë i thashë se do të sulmohet më 15 shtator 1946 se një gja të tillë ma ka thanë vëllai, dhe jo sonte. Por, Mustafa më kallxoi se jo më 15, por sonte se Postribësit nuk donë me dhanë ushtarë. Më ka thanë për Jupin se nuk asht këtu në Shkodër dhe ka dalë jashtë se asht i mërzitun, se do ta fillojnë luftën sande dhe për këtë, do të hidhen në sulm. Veç luftës nga jashtë do të plasin edhe këtu mbrenda, se Jupi asht marrë vesht me të huej, megjithse një pjesë e kanë kundërshtue Jupin…”
“…Unë nuk shkova me lajmërue as vëllain për këtë punë.”
- Pjetër Gjok Luli, vjeç 43, vëllai i Gjeloshit e Rrokut, deklaron: “…Unë nuk kam takue as vëllain Gjeloshin, në sa të kam pa ndonjëherë ty… (i drejtohet kryetarit të gjyqit, Misto Bllacit) … As nuk dij se asht ba mbledhje, as nuk kemi organizue gja.”
- Pjetër Prendush Pali, vjeç 32, nga Hoti (Jugosllavi), mësues, deklaron: “…akuza nuk asht e vërtetë, në furrë tek Mustafa nuk asht e vërtetë se kam bisedue unë për Postribën, ato që thonë këtu nuk janë të vërteta. Për akuzat që më bajnë Gjelosh Vata, Gjon Leka e Mustafa Jakupi nuk janë të vërteta. Gjon Leka më ka thanë, se jam me punë në Seksion të Mbrendshëm, dhe rri urtë se kam në dorë me të ba keq.”.
Vendimi i gjyqit Pjetrit iu dha me vdekje, dhe u ekzekutue më 11 mars 1948.
- Mustafa Jakup Vodaj, vjeç 48, nga Shkodra, i dënuem për jetë, deklaron: “Nuk kam asnjë lidhje me Postribën, por mue më ka tregue Brahim Isufi se sande Postriba sulmon Shkodrën. Unë i thashë Gjeloshit, por ky më tha se nuk asht e vërtetë. Kemi shkue me Gjonin në shtëpi të Gjeloshit (Vatës), aty në mesnatë ka ardhë me na thirrë Abdullah Seiti e Ismail Duli dhe jemi takue tek fusha me Murat Haxhinë. Aty pamë se nuk ishte gja ajo punë dhe u këthyem ndër shtëpia.”
- Don Nikoll Deda: deklaron në gjyq më 7 janar 1948: “…Për sulmin e 9 shtatorit 1946, nuk kam bisedue as nuk kam kenë i deleguem nga Kleri për me marrë pjesë ndër këto mbledhje. Don Tom Laca nuk më bie ndër mend të ketë kenë në mbledhje…
Unë nuk e dija se asht formue parti Demokristjane…
Për përpjekjen e 9 shtatorit s’kam dijtë kurrgja, por kur e mora vesht se e kishte bërë Kazazi.”
- Imz. Frano Gjini: “…për ngjarjen e 9 shtatorit nuk dij gja!”.
- Don Tom Laca: Deklaron: “…Nuk asht e vërtetë që të kemi pergatitë 9 shtatorin me Riza Danin e Paulin Palin (avokatin)”.
- Zef Haxhija, deputet i 2 dhetorit në Kuvendin Popullor për Shkodrën, deklaron: “Për ngjarjën e 9 shtatorit e kam marrë vesht në nesre, si gjithë bota…!”.
***
- Për Lëvizjen e Postribës së 9 shtatorit 1946, u pushkatue: Imzot Frano Gjini, At Mati Prennushi, Don Nikoll Deda, Kolec Deda, Pjetër Deda me gruen Maria, Cin Serreqi, Riza Dani, Dulo Kali, Caf Dragusha, Simon Darragjati, Rasim Gjyrezi, Guljelm Suma, Ing. Fahri Rusi, Murat Hysen Haxhija, Bilbil Hajmi, Pjetër P. Pali, Gaspër Simon Gaspri, Xhelal Hardolli, Prof. Kol Prela, Av. Paulin Pali, e sa e sa të tjerë pagjyq që, edhe sot, nuk dij a figurojnë apo nuk në rregjistrin e të pushkatuemëve…
- E vërteta asht vetëm një: Ajo ishte Lëvizje antikomuniste!
AVOKAT PAULIN PALI DHE PROF. KOLË PRELA
“Avokat PAULIN MARK PALI është i datlindjës 1914. Prindët e tij ishin Mark e Shaqë Pali. Ka një vëlla Gaspër Palin, ishoficer i naltë. Paulini është beqar, i pa dënuar, i varfër, me universitet të kryer për drejtësi, profesor avokat, nga Shkodra, i arrestuar më 14 gusht 1946…”
Kështu i fillon hetimet krimineli Zoji Themeli në dosjën 1333, kundrejt të pandehurit Profesor avokat Paulin M. Palit, proçes i cili do të vazhdonte me vite…
Me datën 18 tetor 1946 major Zoji Themeli, në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës (në shtëpinë e Pjetër Çiurçisë), fillon me dokumentacionin që për fat ruhet edhe sot. Në proçes nuk shënohen torturat që i janë ba Paulinit, por dëshmitaria okulare që jeton edhe sot, zonja Terezina Zorba (Pali) tregon: “…kur po më dërgonin në dhomën e pyetjeve polici shoqnues më la pak minuta në koridor, mbasi ai hyni tek oficeri pyetës ku dukej se kishte shumë njerëz. Aty afër derës ishte një baul e vjetër e mbyllun me dry. Ndigjova një za të lehtë e të mekun: “Terezinë…Terezinë! Jam Paulin Pali!”, unë e tronditun ju përgjegja: “Kush?”…Ai u përgjegj prap: “Paulini moj, Paulin Pali!”.”Isha aq e tronditun sa edhe sot më tmeron ai kujtim i mnershëm i asaj dite, kur mendoi atë djalë aq të pashëm e të gjatë si bajrak dy metër, të palosun dyfish në atë arkë aq të vogël, sa mezi mund të futej një fëmijë.
Aty i shkreti Paulin ka qëndrue me ditë e javë të tana… derisa njëditë nuk u ndigjue ma zani i tij që ndigjohej çdo natë në tortura.”
***
Avokat PAULIN PALI deklaron: “Jam arrestue nga forcat partizane tue u arratisë në Itali, me datën 15 shtator 1946,” (ndërsa flet-arresti ka datën 14 shtator 1946), mos vallë shkaku i arratisjes asht lëshimi i flet-arrestit njëditë para? Asht edhe varianti tjetër, mos ndoshta Sigurimi e dinte se Paulini don me u arratisë dhe shkon në vendin e caktuem me flet-arrest të lëshuem njëditë ma parë në xhep? – Për mue, qëndron varianti i dytë, mbasi zhvillimi i proçesit, indirekt zbulon dishka!..Vazhdon ma poshtë: “Kam krye fakultetin Juridik në Firencë në vitin 1942. Kam ardhë në Tiranë, prej ku kam shkue në Prizrend. Për Kosovën mendojshe se do të fitojnë lirinë dhe, nuk do të rrinte nën sundimin e Krajl Pjetrit.
Kështu, bisedonim me avokat Sokol Dobroçin, në Prizrend.
U ktheva në Shqipni dhe shoqnohesha me shokë si: Ragip Metën, Galip Jukën, Adem Bazhdarin, Ranko Cerankoviq, Pjerin Koliqin, Pashko Gecin e Filip Ndocaj. Kisha shokë Qemal Shehun e Muzafer Pipën. Idetë e mija kishin karakter liberal. Kritikonim vëprimet e Pushtetit sotëm. Nga Fronti Demokratik ishe i paknaqun. Fronti kishte marrë fuqinë dhe përfshinte Partinë Komuniste. Elementët që drejtonin ishin pa eksperiencë. Kishte papunësi, sëpse njerëzit që kishin ardhë nga mali kishin zanë të gjitha vendet e punës. Kishte vetëm një Parti, na dishrojshim edhe grupe të tjera politike, gja që na bante me mendue se duhët të bashkohemi edhe na. Për këtë jemi mbledhë tek Muzafer Pipa, ku mendonim për një veprimtari politike intelektuale. Muzaferi tha: “Intektualët nuk kanë dhanë asnjëherë shenjë bashkimi, megjithqë forca e tyne asht e madhe duhët një organizim!”
I kam kërkue Xhevat Danit një takim me Rizanë. Ishte edhe Jup Hoxha nga korriku i 1945. Rizaja ka përkrahë idenë teme të një grupi intelektual, mbasi zhvillohet vendi. Jupi tha se, kështu asht ba edhe në Tiranë me Gjergj Kokoshin. Rizaja mori përsipër me bisedue me Gjergjin.
Me datën 10 gusht 1945, kam shkue në shtëpinë e Muzaferit, unë dhe Adem Bazhdari. I vuna në dijeni pa përmendë emnin e Rizasë. Ma vonë kemi ndejë prap në kafe Adriatik me Ademin e Muzaferin.
Me datën 30 tetor 1945, kemi ba një mbledhje në shtëpinë e së shoqës së Bajram Currit, kur pritshim ndërhymjen e Aleatve dhe biseduem për gjendjen ndërkombtare ku foli edhe Ragipi (Meta). Pak ditë ma vonë kemi ba një mbledhje në shtëpi të Riza Danit. Kemi propagandue kundër ligjit elektoral, jo vetëm një parti. Kemi folë me Luigj Mjedën, Abdyl Urën, Iljaz Krajën. Zgjedhjet treguen se na shkoj puna kot. Muzaferi më tha, nga Dibra mendohet me u ba kryengritje me armë. “Asht keq që një grusht komunista të na imponojnë mendimin e tyne”, i kam thanë Riza Danit.
“Na që kemi kenë në mal e që kemi luftue kundër okupatorit, nuk kemi të drejtë me zbatue pikëpamjet tona”, i ka thanë Muzaferit, Rizaja.
Rizaja bisedonte me Luigj Koliqin.
Na mendonim për një Organizatë ilegale me parime demokratike.
Përveç të sipërmëve mendonim me kenë edhe Brahim Dibra, Luigj Franja, Dan Dibra, Asim Ulqinaku, Dan Hasani, Xhevat Bekteshi, Kol Prela, Rizaja, një farmacist etj., që nuk i kujtoj.
Në Durrës ishte formue një parti por nuk kishim marrë lidhje me té. Me Kol Prelën kishim lidhje politike, ndërsa lidhje pune kishim me Riza Danin. Me Dionis Miçaçon dhe Rexhep Mborjën kemi bisedue për gjyqet…
Më 15 qershor 1946 u takova me Lec Shirokën, dhe më tregoi se prëgatitet një barkë me ikë për Itali dhe i thashë, po të ketë vend vij edhe unë, por pare me pague nuk kam. Ai më tha, se paguen tjetër kush në Tiranë, e tri ditë para të diftoj. U nisa të shtunën në Tiranë me takue Hasanin, mik i tij në Bulevardin “Qemal Stafa”, dhe ai do të na udhëzonte si me ikë për Itali. Mbas tri ditësh me Namikun u takueme edhe më tha se na mungon italiani (mekaniku), nisja nuk bahët të dielën, po u la për të mërkurren dhe vjen edhe mekaniku.
Ditën e mërkurrë me datën 14 gusht 1946, u nisëm për Shtoj dhe mbasi barka nuk erdhi, ditën e enjte në mëngjez na arrestoi këshilli i vendit dhe na përcolli për në Komandën e Durrësit. Prej Durrësit në Tiranë e, prej Tiranet në Shkodër.”
Deklaruesi: Paulin Pali d.v. Asistoi: Dul Rrjolli d.v.
Oficeri pyetës: Major Zoji Themeli d.v.
Me datën 19 dhetor 1946, Abdyl Kokoshi deklaron: “Prej Gaspër Palit e Bahri Koplikut më asht rekomandue Paulin Pali, me të cilin lidhej Mehmet Daiu, Kel Çoba dhe Simon Daragjati. Këta kishin lidhje me Jup Kazazin i cili i ka dhanë Paulinit 25 stërlina. Ndërsa Eduard Suma, Abdullah Garuci etj. do të na ndihmonin. Jam takue me Dionis Miçaçon dhe kemi bisedue për këto çështje”.
Proçesi vazhdon i gjatë me Abdylin, i cili si dukët, nga torturat mendon me i dhanë fund jetës tue pranue gjthshka shkruen hetuesi, ai vetëm në fund ven firmë. Asht me të vërtetë me t’ardhë keq!…
Për martirin Simon Darragjati fatkeqësisht nuk kam muejtë me gjetë material, mbasi asht mbytë pa mërrijtë me pregatitë gjyq falso ndër dhomat e vdekjes.
Do të ishte me shumë interes me u studjue dosja e plotë e këtij grupi martirësh të kombit që, edhe pse nuk m’u dha mundësia me e pa këtë material të plotë, mërrijta me kuptue nëpërmjet atyne pak rreshtave të ballafaqimeve, qëndrimin heroik dhe të palëkundun të Burrave që s’ njohën frikën: Kol Prelës, Kel Çobës, Abdyl Rusit dhe Kol Kurtit.
Edhe pse të ndodhun para gjakajtorëve vrasës: Zoji Themeli, Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Vehbi Fishta, Xhemal Selimaj, Lilo Zeneli, Vaskë Koleci, Ali Xhunga etj. asht e pakuptueshme për né, forca e qëndresës së tyne dhe këtë e tregon ma mirë se çdo gja, fundi i jetës së tyne.
Mbas 18 muejsh hetuesi, Prokurori Ushtarak i Zonës Ushtarake Shkodër, kap. Namik Qemali d.v. përpilon akt-akuzën për të pandehurit: “1. Paulin Mark Pali, 2. Kol Prel Gjoka, 3. Kel Gjon Çoba, 4. Dhionis Kristo Miçaço, 5. Shyqyri Bajram Shpuza, 6. Abdyl Riza Rusi dhe 7. Mehmet Mahmut Daiu.
– Kanë punuar për formimin e organizatës terroriste në Shkodër.
– Lidhën me Komitetin Qendror të Organizatës terroriste të Tiranës dhe marrin direktiva për formimin e Organizatës së Shkodrës. Formojnë grupe klandëstine terroriste intelektuale etj.
– Bien në lidhje me shoqëritë fashiste demokristjane të krijuara në gjirin e Klerit Katolik e bashkëveprojnë në aktivitetin e tyre kundërshtar.
– Nga të pandehurit, Kol Prela, ka qenë efektiv i Komitetit Qendror Demokristjan, dhe bashkpuntor i Organizatës terroriste.
– Kanë mbajtë lidhje me armiqtë mbrenda e jashta shtetit.
– Kanë qenë për ndërhyrjen nga jashtë nga të huajtë imperialistë.
– Direktivat nga Komiteti Qendror i Tiranës ua ka dhënë Abdyl Kokoshi. Janë prëgatitë për kryengritje të armatosur.
– Këta kanë prëgatitë edhe 9 shtatorin e 1946. Janë përpjekur me sabotuar Reformat e Pushtetit Popullor.
– Paulin Pali i autorizuar nga Komiteti Qendror i Organizatës terroriste të Tiranës, tenton të arratiset në Itali, për të shpurë punën e organizatës, për të cilën pregatitë barkën e udhtimit dhe kapet në buzë të detit…”.
“Trupi Gjykues i përbërë nga: Kryetari, kap I Misto Bllaci, antarë, kap II Përtef Alizoti dhe nëntoger A. Koroveshi, prokuror kap. Namik Qemali dhe sekretar Shaban Q. Dautaj, me datën 14 janar 1948, ditën e mërkurrë, hapi seancën me pyetjen e të pandehurit:
Prof. KOL PREL GJOKA:
I biri i Prelës dhe i Katrinës, vjeç 30, i pamartuar, i padënuar, i varfër, ka mbaruar fakultetin e letërsisë, Profesor, ka vëllain në burg (Markun), i arrestuar më 19 shtator 1946, deklaroi:
– Në akt-akuzë, diçka, ndonjë fjalë asht e vërtetë. Jam kenë me studime në Itali. Në vitin 1940 kam ardhë në Shkodër, profesor. Në 1943 jam ilegalizue në Dukagjin, se mora pjesë në formimin e Këshillit Nacional Çlirimtar të Shkodrës. Qëllimi em ishte të luftojshim fashizmin. U lidha me Zija Dibrën e Arif Gjylin. Sidomos Mark Mala më ka shkrue të hiqesha nga Lëvizja N. Çl., por unë i shkrova, bashkou me né.
Më pëlqente demokracia me shumë parti si në Angli e në Francë. Jam lidhë me Mark Ndojën e Bajraktarin, në favor të lëvizjes N. Çl.
Në 1945 kam ardhë nga Elbasani. Vllai kishte bisedue me P. Gjon Shllakun për votimet me shumë parti.
Jam kenë dy muej përgjegjës i Seksionit Ekonomik, mandej tetë muej në Normalën e Elbasanit, mandej profesor në Lice të Shkodrës. Vllait, P. Gjoni i ka tregue se mund të bisedohet ma vonë për një grup demokratësh, nuk dij për demokristjane. P. Gjoni më ka thanë, që bane mirë që ké vue kandidaturën dhe shyqyr që u hoqe nga Dukagjini, se bie borë e ban të ftoftë. Për grupe nuk kam denoncue. Për Organizatën e Tiranës nuk më ka folë as ai, as Paulin Pali. Padër Gjoni njëherë më ka ardhë në shtëpi për emën. Në shkurt jam takue me Paulin Palin por nuk kemi bisedue gja me rëndsi. Padër Gjonin e kam pasë mik përsonal.
Padër Franja, Filipi e Aleksi, kanë ardhë për një deklaratë që i kam dhanë për P. Gjonin.
Me Gjelosh Lulin prej Shoshit jam takue dy herë, në shtator të 1945 dhe në prill të 1946. Më tha se ban mirë me u ilegalizue por unë i thashë, nuk kam ba gja.
Mbasi nuk kam marrë pjesë në organizata nuk mund ta quej trathti.”
Kush ishte Prof. Kol Prel Gjoka?
Me datën 7 shkurt (fruer) 1947, oficeri pyetës Zoji Themeli shënon:“Kol Prela ka lé në Shkodër në 1918. Banues në rruga Kokaj Nr. 4, Rus Katolik. Në 1928 ka krye shkollën e ultë ndër Jezuit, ndërsa të mesmën në Gjimnazin e Shtetit, në Shkodër, në 1935.
Fakultetin e Letërsisë e ka përfundue në Torino, në 1940.
Në vitin 1944 në Shkodër, ishte përgjegjës i Seksionit Ekonomik dhe, Drejtor i Normalës së Elbasanit, deri në nandor 1945.
Më 2 dhetor 1945, Deputet i nën/prefekturës së Dukagjinit, deri më 14 shtator 1946, që asht arrestue në Tiranë. Mbas dy javësh asht sjellur në Seksionin e Mbrendshëm në Shkodër.
Prof. Kol Prela deklaron: “Me Padër Gjon Shllakun kam bisedue kundër Italisë, kemi kenë dakord të dy që né duhet të çlirohemi. Po kështu, im vëlla Marku dhe Gjelosh Luli. Që në 1940 e njifshe P. Gjonin dhe kemi bisedue çështje politike, letërsi, histori dhe filozofi. Ai njifte të gjitha shkencat. Kam ndejë në shtëpi të Gjelosh Lulit dhe kam pasë lidhje me Mark Malën. Kemi shkue me pa provat e “Juda Makabé” në Shtëpi të Kulturës.
Pjetër Prendush Palaj, me ka ardhë dy herë në shtëpi që të ndërmjetsoja për transferim dhe nuk kam bisedue për probleme politike. Kur ka ardhë ky, vllait i kam thanë me dalë jashtë, se ky ka hallët e veta, e nuk dishronte t’a dëgjonte kush. Luigj Ljarja më ka tregue se punonte në Pukë. Loro Vatën e njof për ftyrë por nuk kam pasë lidhje.
Me Gjelosh Lulashin kam pasë lidhje, ai më ka thanë me ikë por unë i kam kundërshtue.
I kam tregue për Konferencën e Paqës që ose do të bahët paqë, ose bota do të ndahët në dy bloqe.
(Kol Prela) d.v ( Zoji Themeli) d.v.
- Shënim: Kola ballafaqohët me vëllain Markun, për Organizatën “Bashkimi Shqiptar”, se Kola, i ka dhanë udhzime asaj Organizatë, por Kola thotë se nuk asht e vërtetë. Madje, Kola nuk ka pasë fare dijeni se asht formue një organizatë e këtillë. Kola mohon edhe ekzistencën e ndonjë oganizate ose partie demokristjane, mbasi P. Gjoni thotë ai, do të më kishte tregue mue…
Zoji Themeli d.v.
- KEL ÇOBA: Mohon thanjet e Xhevat Metës, Karlo Sumës dhe Syrri Anamalit.
- ABDYL RUSI nuk pranon asnjë nga thanjet e dëshmitarëve.
- KOL KURTI thotë: Takimet me shokë nuk kanë pasë karakter politik. Tjerat çka thohën këtu, nuk janë të vërteta.(Dosja 1333).
Avokat PAULIN MARK PALI para gjyqit. (Se ku ishte kjo sallë që nuk e pau njeri nuk dihët!?)
I shtati u pyet avokat Paulini, i cili tha:
“Akuza pjesërisht asht e vërtetë, sidoemos se kam dashtë me ikë. Në 1940 jam kthye nga Italia. Okupacioni më ka xanë në Itali. Edukatën fashiste në shkollë e kishim mësim.
Kur erdha u emnova në Këshillin e Epërm Korporativ. Detyra ime ishte me luftue okupatorin, por unë nuk e kam ba. Lëvizjën N.Çl. e kam njoftë, por nuk jam interesue. Në fund e kam simpatizue dhe kam kontribue për shlirimin e Shqipnisë. Për kundra sajë, përsa i përket diktaturës nuk e kam dashtë, sidoemos kufizimin e partive të tjera dhe shkrimjen e fuqive të tjera ekonomike. Fuqinë do ta merrte proletariati dhe kjo u ba realitet dhe të gjithë punojnë. Ky do të shtypte klasën kapitaliste dhe do të përfaqsonte fshatarë e puntorë. Reformat u aplikuen për katundarët e fabrikat u shtetizuen. Tatim-fitimet u banë për puntorë në favor. Lufta N.Çl. në fillim ishte bloku antifashist, deri në çlirimin e plotë më 1944. Shpirtnisht e kam proklamue në favor. Unë e konsideroj të kishte një demokraci Prendimore. Ku sundon kapitalizmi; fabrikat e bankat i kanë kapitalistët. Një puntor në Angli kur i mungojnë mjetët ekonomike nuk mund të bahët ministër e të marrë pjesë në qeveri. Sistemi i juej mund të japë lehtësi, por kjo asht faza e parë e shlirimit, e dyta ristabilizimi në ushtri e Pushtet.
Unë si princip nuk e kam pra, me diktaturë, edhe pse vegjëlia e mori Pushtetin, por këto ishin principet e mia…
Gjatë okupacionit gjerman kam kenë në Prizrend avokat me Sokol Dodoshin dhe bisedonim për këto vëprime që po baheshin në botë. Fashizmi përjashtohet nga demokracia Prendimore. Spanjën e mban Anglia dhe Amerika. Edhe në Greqi – unë, nuk e konsideroj fashizëm ku ka liri. Franca autentike asht rregjim fashist. Sikur ta mpronin edhe ata fashizmin pse nuk e aplikojnë edhe ata vetë diktaturën?
Në 1942-43 ishe në Kosovë. Mbas 1944 erdha në Shkodër. Për shlirimin e Shqipnisë pa Kosovën e kam konsiderue nji gja të mangët, se Kosova asht Shqiptare dhe asht marrë nga shovenistët serb padrejtësisht. Me forcë nuk mund t’a marrim, por me drejtësi internacionale dhe simbas Blokut Antifashist do të pyetej populli, dhe kjo mund të zgjidhesh në mënyrë miqësore. Korça dhe Gjinokastra janë shqiptare dhe i kërkon Greku.
Mendimi i em për Kosovë ka kenë arësyeja ekonomike, politike, kombësia. Unë nuk dij në se populli kosovar rron i lirë apo jo, por minoritetët në vendin tonë rrojnë njësoj, edhe popujt e Maqedonisë e Kosovar rrojnë si këtu, thoni ju, unë s’e dij! Populli shqiptar ka vllaznim me shqiptarin. Idetë e mija kanë kenë këto, dhe me ke kam njoftë kam bisedue dy-tre herë, kur më asht paraqitë rasti.
Ëndrra ime ishte nji Kosovë e lirë! Por, në konfërenca nuk kam bisedue me popull, se atë liri nuk e kishim mbas shlirimit, por me shokët e mij si: Galip Juka, Adem Bazhdari, Muzafer Pipa, Ragip Meta etj. kam folë.
Kur filluen Gjyqet e Popullit nuk më pëlqenin, se nuk garantohej si duhej drejtësia. Gjyqi bahej publikisht, por proçedura që ndiqej më epte atë përshtypje, dhe Trupi Gjykues nuk i jepte atë që duhej, pra, atë që meritonte. Trupi Gjykues nuk ishte i aftë. Gjykatësi duhej të ishte i paanëshëm. Po citoj nji shembull qysh në fillim e deri në mbarim, këtë ide e kam pasë formue, Riza Alinë, as e kam njoftë, as e dij se ka kenë element i keq. Ekzekutimi i tij më ka ba të vuej shpirtnisht, gjithashtu edhe Ymer Lutfija që nuk e ka meritue me u dënue me vdekje. Kanë kenë me Ballin e okupatorët kanë ba trathti.
Ndue Pali ka kenë ballist, me sa dij unë. Unë mund të jemi i mbrapësht dhe i keq, por këto kanë kenë konceptet e mia.
Unë nuk dij ç’të tham!…
Për të mbetat e gjyqeve kam bisedue me Xhemal Brojën, Skënder Luarasin, Kol Prelën dhe Dhionis Miçaçon, të cilët rastësisht në biseda pajtoheshin në pikpamje. Me Skënder Luarasin kam folë me nji ton tjetër, se ai ishte në Pushtet dhe i kam thanë të ishte ma butësi. Gjatë Luftës, kam ndigjue se janë vra njëzetetetëmijë vetë, ndërsa, mbas Luftës deri në 1946, mund të jenë vra nja 500 vetë. Unë nuk kam dashtë të ruaj kuadrot e reaksionit, as më ka shkue mendja, ndoshta nuk i kam dashtë kujt të keqen, ju e keni marrë ashtu, por kur asht ba nji vrasje, unë nuk kam dashtë nji tjetër mbasi jemi popull i vogël. Nuk kam asnji ambicje politike.
Jam fajtor vetëm për politikën që kam ndjekë kundër Gjykatave Ushtarake, për Kosovën, dhe politikën kundrejt Blokut antifashist ndaj vendit tonë, mbasi i konsideroj të padrejta.
Që të marr përsipër nji aktivitet konkret për këtë gjendje nuk kam fillue. Nuk asht e vërtetë që të kemi aktivizue intelektual, as të kemi ba mbledhje në shtëpi të ndryshme. Kam luejt poker tek Riza Dani, Ragip Meta e Xheudet Luloçi dhe në tjetër vend nuk kam shkue.
Nuk kam shtrue biseda as për organizatë, as për komitete e as nën/komitete. Me Klerin nuk kam mardhanje politike, por biseda në Tiranë kam pasë me Padër Viktorin edhe këtu me Padër Gjon Shllakun, ku ka kenë edhe Kol Prela, në atë mbledhje që i thoni ju, por ajo nuk asht kenë mbledhje, por kemi bisedue për probleme politike të mbrendshme dhe të jashtme, gjendjen e randë e kemi pranue, por nuk kemi ba gja ose mendue vepra kundër shtetit. Kol Prelës nuk i kam thanë gja për deputetllëk, dhe nuk kam pasë qëllim për të dërgue përfaqësuesit tonë në Kuvendin Popullor. Ma vonë mendojshe me ikë.
Për demokristjanen nuk kam bisedue, as nuk kam dijtë, as nuk kam dijeni, as nuk kam dijtë se ka kanë Padër Gjoni, por si nji parti e krijueme jashta shtetit, e dij se asht ndër shtete tjera, por, as që kam bisedue për té me njeri. Para zhvillimit të Gjyqit Ushtarak kam shkue tek Riza Dani, i kam kërkue të vinte dëshmitar për Ymer Lutfinë, për mënyrën e organizimit nuk kam bisedue. Kur asht këthye nga Tirana i kam thanë që fjalimi i tij ka ba përshtypje, natyrisht, tek na.
Mbledhje nuk kemi ba në shtëpi të Muzafer Pipës, në proçes hetimor i kam pranue por, i kam përgënjeshtruar. Me Jup Hoxhën e Xhevat Danin kam bisedue biseda të rastit. Me Jupin kam shkue me lujtë poker, dhe kur kam bisedue me Rizanë nuk asht kenë Jupi.
I pandehuri Xhevat Dani tha: “Më dukët se po!”
I pandehuri Paulin Pali, tha se nuk asht e vërtetë se Rizaja do të bisedonte me Gjergj Kokoshin, apo, me ndonjë njeri në Tiranë. Për Gjergj Kokoshin nuk më ka thanë gja.
Në kjoftë se jam i tepërm për shoqninë njerzore, mund të më zhdukni!
E dënoj vedin se kam ba gabime, kam pasë edhe të mbeta, kam ba edhe faj. Gabimet, e thashë këtë frazë se ju do të më dënoni.
Para se të shkonte Riza Dani në Tiranë, nuk kam bisedue për organizata dhe nuk i kam thanë se do të takoheni me Gjergj Kokoshin. Nuk asht e vërtetë që kam thanë se duhet propagandue me futë frymën tonë në rini. Siç thashë, nuk kam ba asnji mbledhje në shtëpinë e së shoqës Bajram Currit kam kenë, por familja nuk ishte aty. Çilsin e kishte dhandrri i tyne Ragip Meta, ndërsa na kami shkue me lujtë pokër aty.Për sabotimin e votimeve nuk kam marrë asnji masë. Kur u zbulue Organizata “Bashkimi Shqiptar”, e kam marrë vesht vetëm në gjyq.
Për mue, Padër Gjoni, nuk ka kenë për Organizatën “Bashkimi Shqiptar”, ajo asht krijue ndër Jezuit, ku janë kenë Padër Dajani e Padër Fausti.
Me Riza Danin nuk kam ba asnji mbledhje, dhe organizatë nuk kemi pasë.
Me komitete nuk kam marrë pjesë dhe nuk kam kenë ndër to. Me Pushtetin nuk kam kenë dakord, por nuk kam ba asnji aktivitet kundra.Kam shkue shpesh në Tiranë, jam takue me shokë, njiherë me Gjergj Kokoshin e Suat Asllanin kemi bisedue përciprisht dhe ishim dakord dhe të nji mendimi.
Abdyl Kokoshin e kam njoftë në Kosovë, mbas shlirimit jam takue në Shkodër mbasi kishte gruen këtu, por jo, për organizatë klandestine dhe nuk kam ba ndonji mbledhje me té.
Nuk dij se kush e ka organizue përpjekjen e 9 shtatorit, dhe me të arratisun nuk kam pasë anji lidhje. Nuk kam krijue grupe klandestine, por kam pasë shpresë tek zbarkimi Anglo- Amerikan, mua më pëlqente dhe nuk i quaja okupator se mendonin për liri politike. Unë kështu mendojshe!
Për ikje në Itali, e kishim lanë me u takue rrugës me Hasan Menikun. I shkova në shtëpi dhe lamë takim për të mërkurrën dhe, u nisëm. Për këtë kam kenë lidhë me Lazër Shirokën, të cilin ma ka paraqitë Kol Kaçulini, por nuk ishe i ngarkuem me komitete për të ikë. Barkën e kanë pague të tjerët Aqif Toptani e Hasan Myniku, por unë nuk kam kenë i ngarkuem me mision dhe nuk më kujtohet të kemi lanë gjyq përgjysë. Adem Bazhdari më ka thanë, me kenë si ti kishe me ikë, por jo, se donte me ikë ai. Në breg të detit na kanë kapë, por nuk kam djegë dokumenta dhe as nuk kam hjellë gja poshtë, përveç tre napolonave flori. Kam pasë do letra dhe nji sahat, letrat ishin kangë serbe, këto i dorzova.
Unë tham kështu zoti Kryetar, jam ose ma mirë, nuk dij ku jam! S’dij, se çiltas (haptas) tham nji gja: Deri para arrestimit dal si Paulin Pali dhe ndiej vedin fajtor për disa gjana, por për disa jo, dhe nuk e quej vedin fajtor!
Unë dal si Paulin Pali para arrestimit, por ma pas (mbrapa), nuk dij gja dhe mos më pyetni! Jam marrë në proçes dhe nuk jam dakord në përgjithësi me té.
Unë dua të tham këtë: “Ma mirë të hesht!”
Ju kënduan thanjët e hetuesisë dhe i vërtetoi pjesërisht.
Ju këndua proçesi i Abdyl Kokoshit dhe e mohoi.”
- Shenim(FR): Besoj, asht e kjartë per lexuesit se cila asht arsyeja që
Avokat Paulin Pali u pyet i fundit. Në gjyq, Paulini asht “një tjeter” nga Ai i hetuesisë… Mohon të gjitha akuzat ndaj shokëve.
Më 15 janar 1948 u pyetën të pandehurit për herë te fundit:
“●PAULIN PALI tha:
Më Abdyl Kokoshin nuk kam pasë lidhje, as nuk kam njoftue Komitetin, as kam marrë pare, as nuk i kam dhanë Jup Kazazit.
Me Klerin nuk kam pasë lidhje dhe për Kel Çobën nuk dij të jenë kenë në Komitete.
Moralisht nuk jam i pastër, karakteri i fortë burrnor më mungon.
Përsa i përket faktit të organizatës kundër Pushtetit, pjesrisht e pranoj e pjesrisht jo!
Kërkoj mëshirë!
I lutem Trupit Gjykues, të mos hjedhë poshtë aktivitetin tim që kam dhanë gjatë Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Si kam ardhë nga mali kam ra në pasivitet, por jo, se kam pasë urrejtje kundër Pushtetit por, disa gabime më kanë shty të baj faj, sëpaku, tue marrë parasyshë në përgjithsi kërkoj mëshirë!
Në bazë të deklaratave të Syrri Anamalit mund të më dënoni, por ato s’janë të vërteta, e la në dorën tuej. Kam ba gabim se jam i pakënaqun!
E quej vedin fajtor se në kundërshtim me ligjet e Pushtetit kam strehue në shtëpinë teme kriminelin e Luftës, jo tjetër, por vllaun tem Ejëll Çobën, për këtë pranoj të më jepet dënimi që meritoj.
- Kryetari i Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, me datën 16 janar 1948, dha vendimin:
PAULIN MARK PALI dhe KOL PREL GJOKA, me vdekje, me pushkatim, dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.
Të dënuarit kanë të drejtën e apelit në Gjykatën e Naltë.”
- V.O. Për zotnitë Abdyl Rusi dhe Kel Çoba, nuk kam pasë në dorë material tjetër, ndërsa, gjatë procesit të gjyqit nuk kam asnjë pyetje të gjykatësve ose ndërhymje prokurori. (autori).
Bashkë me dosje për shqyrtim vendimi nga Gjykata e Naltë asht dërgue edhe fletë-arresti :
“Paulin Mark Pali, datlindja 1914, nga Shkodra, avokat.
Dobësimi i Mbrojtjes Kombëtare e kryeme vazhdimisht, me nenin 7, paragrafi II,
Ligja Nr. 368 dt. 5 dhetor 1946.
Prokurori: Hys Zaja, data e lëshimit 15 gusht 1946.
Seksioni i Sigurimit Shkodër.”
- Shif me kujdes nënvizimet, në flet-arrest asht vue data e ligjit, që asht aprovue katër muej mbas arrestimit të P. Palit. Vendi i lëshimit, asht Shkodra, arrestimi asht ba në Durrës!….
- Në Durrës, fletë-arresti ka dt. 14 gusht 1946…. në Shkodër, 15 gusht…Pse dy fletë-arreste?
“Gjykata e Naltë mblodhi Këshillin e sajë me datën 23 mars 1948 dhe me vendimin nr.108,
E përbërë nga : Kryetar, major Niko Çeta, antarë, kap. I Nexhat Hysejni dhe kap II Mustafa Iljazi, asistent, aspirant Thoma Rino, prokuror ushtarak i Ushtrisë K.Shqiptare, kap. I Nevzat Haznedari, vendosi:Refuzimin e kërkesës së të pandehurve për falje jete, të dënuar nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës
- PAULIN PALI 2. KOL PRELA. Mbetët në fuqi edhe shtetizimi i pasurisë.”
- Cili ishte vullneti i tyne i fundit?
- Kur u ekzekutuan?
- Kush i ra mbas kokës?
- …Thonë, se i kanë pa të pushkatuem bashkë me dy të tjerë të panjoftun… Po, ku?…
Kur kunata e Paulinit Roza, zonja e Gasprit kishte marrë rrobat e tij që këthehëshin nga hetuesia mbas pushkatimit, kishte gjetë në vendin e ushkurit të brekëve të gjakosuna një pustull të vogël, ku ai kishte shkrue:“Bani çmos e më bini dishka me hangër, se u fika unit”, pikërisht, kur ajo e shkreta i çonte çdo ditë katër sofratasa me ushqime…
…Të cilët, ngopnin zagarët e Sigurimit, Dulaçin, Elez Mesin, Minirin, tetar Dhimitër Çifligarin, Pjerin Kçirën e Karabecët me shokë. Ishte ajo kohë kur uria dhe etja nuk kishin cak….Tregonte zonja Terezina Pali, se i burgosuni Sami Barbullushi asht detyrue me pi urinën e vet, mbasi kishte dy ditë që nuk i jepnin ujë…
***
- Dihët vetëm se njëditë kur shkoi në qelinë e tij Adem Bazhdari, gjeti të shtrimë përdhe një njeri, pothuej i vdekun, ishte i lamë me gjak, përmbys, ia solli fëtyrën nga drita e shikoi, por nuk e njohti….E pau se merr frymë dhe, e pyeti: “Kush jé ti?”
Ai u përgjegj: – “Jam Paulin Pali”….
- Faik Konica shkruente dikur:
“…U përket me lexue brimët e dhimbëshme të të gjithë atyre atdhetarëve që gjimojnë me tërë lotët e Atdheut, që do të derdhin në padrejtësitë e atyre që donë me na pa të koritun e, që dishrojnë që nëpër skam të popullit të vijnë e mbramja.”
MËSUESI PJETËR P. PALI
Mësuesi Pjetër Prendush Pali ka lé në vitin 1914, në Hot të Jugosllavisë. Prindët e Pjetrit ishin Prendushi dhe Hana (Ana).
Ka perfundue Normalen e Elbasanit dhe ka punue mësues. Asht kenë i martuem me Z. Gjyzepina Kumasku (Pali), mësuese dhe kishte tri vajza. Arrestohet në vitin 1946.
“Jam arrestue, por për shka s’e di!”
Kështu fillon rreshti i parë i proçes-verbalit të mbajtun në hetuesinë e Seksionit të Mbrendshëm të Shkodrës (Shtëpia e Çiurçisë), me datën 27 nandor 1946, ora 8.00, me oficerin pyetës Abdyl Hakiu dhe sekretar Vehbi Fishta, i ruejtun në dosjen nr. 1251 (Arkivi M.M.Tiranë).
Pjetri deklaron:
“Kam mbarue Normalen e Elbasanit në vitin 1935. Jam emnue mësues në Bllac të Pogradecit në vitin 1936. Jam transferue në Shkodër në 1937. Në vitin 1938 kam shkue në Vlonë ku kam punue katër vjet deri në vitin 1942 që jam kthye prap në Shkodër. Jam pushue nga puna prej Gjonit Markagjonit deri në tetor të vitit 1945, që fillova përsëri si mësues në katundin Stajka të Shkodrës dhe kam vazhdue deri në korrik të vitit 1946. Tashti nuk fillova se u arratisa.
Në vitin 1939 kam ikë në Trevllazër se nuk dojshe fashizmin. Atje nuk më pranuen fashist, kur erdha në Shkodër më dhanë triskën e fashizmit. Përveç mësues nuk kam ba punë tjetër.
Shokë në Vlonë kishe: Pirro Mino, Veladin Zejnelin, Fane Shkufi, Spiro Pano, Musa Muho, etj. Në Shkodër kishe: Lazër Kakarriqin, Ndoc Fishtën, Gac Lecin, Lec Sekuj. Mësues ishe me Sllobodan Koçov, Marije Siliqin, Viktore Demën, Sofije Mazrrekun, Tonine Fishtën dhe, baxhanak kishe Kol Kosmaçin, mësues.
Jam kenë indiferent deri në shtator të 1944 kur dola në mal nga frika e gjermanve, se kishe shoqnue Lin Dedën dy herë me u takue me kolonelin anglez Neill, ku asht bisedue çështja e Legalitetit, por unë nuk kam bisedue, as nuk kam kenë në dhomë. Mbrenda asht kenë Llesh Marashi, Lin Deda dhe nji inxhenjer italian, rreth nji orë e gjysëm, bile edhe përkthyesi i kolonelit doli jashtë me né. Kur duelne, Lleshi iku me makinën e tij, unë, Gjelosh Vata, Lini dhe inxhenjeri italian erdhëm me makinën e italianit.
Për dy-tre ditë nuk e kam takue Linin; mandej, Lini iku, e unë ika se u frigova nga gjermanët. Qëndrova me forcat e Legalitetit në Gruemirë, me forcat e Sali Myftisë e Nik Sokolit. Unë simpatizojsha Legalitetin në fillim derisa u bashkue me gjerman dhe e mori vesht bota mbarë pse u bashkue. Kur mora vesht se u kthye Lini erdha. Kemi bisedue vetëm për lajme radiosh e komente të hapta me Lazër Kakarriqin, Angjelin Lekën, Zef Duodën, Simon Prendin, Xhemal Lopçin e Gjon Harushën.Me Gjelosh Vatën kemi bisedue se po dominuen anglezët vjen Zogu, se e mbështesin edhe Austria, Franca e Italia. Nga mesi i gushtit të 1946, ishte në klubin e Gjelosh Vatës (kushrini i em) Gjon Leka, që kishte në dorë një gazetë ku flitej për Konferencën e Paqës. Të dy folëm për gjendjen e keqe, unë i thashë: Mos trazoni tjerë në politikë mbasi ju tham unë kur me dalë në mal, lajmet jua jap unë se shka thotë radio.
Gjon Leka një ditë më tha se kam ndrrue punë, kam hy në Seksion të Mbrendshëm në nji punë shumë të mirë. Edhe ti, më tha, rri urtë se të baj të keqën!”
- Kaq ishte e mjaftueshme me formue grupin e “armiqve të popullit”.
Mbas një viti hetuesi, siç del edhe nga dokumentacioni nën kujdesin e katilit të njohun Ali Xhunga organizohën proçese, ballafaqime, shpifje, mashtrime, tortura shtazarake dhe simbas dëshmive të të mbijetuemve ky hetues deri në 1944 kishte kenë me “Ballin Kombëtar”, në Shkodër fitoi kredi dhe besim të përjetëshëm, tue u ba “antar i denjë i Partisë Komuniste Shqiptare” dhe instrument i fuqishëm në Sigurimin e Shtetit. Ka ngordhë tue torturue njerëz në hetuesinë e Ministrisë së Mbrendshme me terroristët Xheudet Miloti e Nevzat Hasnedari.
Me datën 2 dhetor 1947, plotësohet dosja për Gjykatën Ushtarake:
“Për faje kundër shtetit dhe popullit”:
Grupi përbahet nga:
- Gjelosh Vat Maçi, 37 vjeç, Traboin – Jugosllavi,
- Gjon Luc Leka, 25 vjeç, Shkodër,
- Mustafa Jakup Vodaj, 48 vjeç, Shkodër, furrtar,
- Pjetër Prendush Pali, 32 vjeç, Hot, Jugosllavi,
- Rrok Gjok Luli, 37 vjeç, Shkodër,
- Pjetër Gjok Luli, 43 vjeç, Shkodër,
- Tom Lec Marku, 25 vjeç, Shkodër.
Motivi i dënimit përcaktohet pothuej plotësisht nga prokurori i Shkodrës, Zurdi Shehu. Gjykata Ushtarake e Shkodrës, e përbame nga: Kryetari, Misto Bllaci, antarë P. Alizoti dhe A. Koroveshi, prokuror Namik Qemali dhe sekretar Shaban Q. Dautaj, zhvillon gjyqin tue u bazue kryesisht në proçes-verbalin e ballafaqimit ba me dt. 18 nandor 1947, në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës nga oficeri Ali Xhunga:
Gjon Leka para Pjetër Palit: Më ka thanë se pa tjetër do të bahet luftë se do të vijnë anglezët, do të këthehët Zogu, se komunistët nuk i donë të huejt etj…
Mustafa Jakupi: Kemi ba mbledhje, Pjetri na diftonte çka thonë në radio, kemi pritë se vijnë anglezët, prandej edhe kemi krijue nji grup që na drejtonte Pjetër Pali. Ai ishte i lidhun me ata që kanë organizue edhe përpjekjen e 9 shtatorit…
Gjelosh Vata: Pjetrin e kam takue me anglezët dhe i kam çue letra, sa njenës palë sa tjetrës…
***
“Pjetër Pali mbasi dëgjoi Mustafa Jakupin, Gjon Lekën dhe Gjelosh Vatën tha: Thanjët e Mustafa Jakupit nuk janë asnji të vërteta. Përsa i përket thanjes së Gjelosh Vatës, për anglezët janë të vërteta dhe, se kam përcjellë Lin Dedën, por jo se kam marrë pjesë unë. Kam marrë nji letër prej Gjeloshit, me ia dhanë L. Dedës me pseudonimin “Paloka”, nji paketë me trakte dhe disa karikatura të klerit. Përsa i përket Gjon Lekës nuk asht e vërtetë të kemi folë njiherë me té, përveç, njiherë që e gjeta në klubin e nëpunësve me Gjelosh Vatën, kushrinin tem. Aty më diftoi se jam me punë në Seksion të Punëve të Mbrendshme e tue qeshë më tha, rri mirë, se kam në dorë me të ba keq! Nuk asht e vërtetë të kemi bisedue për shënime për mue, por ai më tha se prof. Syrri Anamalit nuk i kishte lëshue nji çertifikatë mirësjellje.
Për akuzat tjera që më bajnë: Gjelosh Vata, Gjon Leka dhe Mustafa Jakupi, nuk janë asnji të vërteta.”
Deklaruesi: Pjetër Palaj d.v. Oficeri: Ali Xhunga d.v.
Para Trupit Gjykues Pjetër P. Pali tha:
“Akuza nuk asht e vërtetë, nuk kam kenë antar i Legalitetit, por, simpatizues. Me majorin anglez jam takue.
Kur erdhi fashizmi ishe mësues. Edhe mbas çlirimit ishe prap mësues. Lidhje me njeri nuk kam pasë dhe as nuk kam bisedue, por lajmet e radios i kam ndigjue. As propagandë për të pregatitë terrenin kundër Pushtetit nuk kam ba. Unë para se të hyjshe në punë ishe i pakënaqun, por kur u emnova ishe i kënaqun…
Me këta që ndodhen para gjyqit nuk kam ba bisedime.
Gjelosh Vatën njiherë e kam takue ku, Gjoni më ka thanë se kam në dorë me të ba keq!
I pandehuri Gjon tha, se më pyeti për biografinë e tij.
I pandehuri Pjetër tha se nuk asht e vërtetë. Në furrë tek Mustafa nuk asht e vërtetë. Në ballafaqim kam ba, por, nuk asht e vërtetë.
I pandehuri Gjelosh tha se disa janë të vërteta, disa jo, që janë thanë në ballafaqim.
I pandehuri Mustafë tha se ballafaqimi ka qenë me shtërngesë, unë nuk kam qenë armik i Pushtetit.
Foli prokurori Namik Qemali dhe dha prëtencën. Pastaj folën të pandehurit:
Pjetër Pali tha: Përsa akuzohem s’dij gja. Jam hjellë në krah të pushtetit. Nuk kam kenë agjent i Inteligent Servisit, as nuk kam punue kundër pushtetit. Punën teme e din Fronti (Spiro Pano).
Rrok Luli tha: Kërkoj mëshirë, e pranoj fajin.
Tom Leci tha: Rrnoftë Shqipnia e Trupi gjykues.
Mustafa Jakupi tha: Kërkoj mëshirë, jam fajtor.
Pjetër Gjok Luli tha: Kërkoj mëshirë se nuk kam ba gja. Pjetër Pali nuk na ka drejtue, as nuk kemi organizue kundër Pushtetit.
Gjelosh Vata tha: Kërkoj mëshirë se jam fajtor.
Gjon Leka tha: Kërkoj mëshirë se jam fajtor.”
***
Të dënuemit me vdekje kishin të drejtë me ba një kërkesë për “falje jete”, e cila përcillej nga organët e Seksionit të Punëve të Mbrendshme, në ndonjë rast nga gjykata, avokati ose ndonjë familjar. Kuptohet, një formalitet sa me thanë se u shqyrtue edhe ma nalt. Kjo kërkesë dorëzohej në Degën e Mbrendshme, mbasi përcillej prej sajë. Sigurisht, përveç, dokumentacionit shoqnues të dosjës së hetuesisë dërgohej edhe një relacion nga kryetari i gjyqit, shpesh nga prokurori i rrethit ose i gjyqit dhe kur ishte fjala me e çue tjetrin në plumb, relacioni bahej nga Kryetari i Degës së Mbrendshme, si në rastin e Pjetër P. Palit.
Kur lexova në fillim të hapjes së gjyqit listën emnore të grupit, më bani përshtypje pse vetëm Mustafa Jakupi kishte të shënuem profesionin “furrtar”, gja të cilin tjerët nuk e kanë! Arësynë e kuptova vetëm në fund të mbylljes së çështjes, gja që keni me e kuptue edhe ju!
Seksioni i Sigurimit të Shtetit Shkodër, dërgon për shqyrtim në Gjykatën e Naltë vendimin e Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, dhënë më dt 2dhetor 1947, për të pandehurit:
“1. Pjetër Prendush Pali dhe 2. Mustafa Jakup Vodaj, me vdekje, me pushkatim…”
- Akuza e Pjetër Palit, ka qenë antar i Partisë Fashiste nga të parët. Ka urryer Lëvizjen Nac.Çl. dhe sidomos P.K.Sh. I ka luftuar me çpifje e poshtërsi… Ka qenë antar i organizatës trathtare të Legalitetit në kohë të gjermanve, ka punuar për të dhe është qenë në lidhje me eksponentë në Shkodër si Lin Deda, Llesh Marashi e Daut Kombi, ku bashkë me ta është takuar me kol. anglez Neill… Mbas çlirimit, me aktët e tij reaksionare vazhdon takime me Legalitetin e elementë të pakënaqur dhe kështu mendon t’i organizojë…
Ka formuar një grup kundërshtar me Gjelosh Vatën, Gjon Lekën, Tomë Lecin dhe Mustafa Jakupin, ku kanë diskutuar çështje me karakter politik kundër Pushtetit… Kanë komentuar lajmët e radiove duke paraqitur gjëndjen e turbullt dhe plasjen e një lufte të re botrore, që kjo do të përfundojë në favor të Anglo-Amerikanve…
Ka qenë përgjegjës i grupit të sipërm ku pjestarët i ka udhëzuar mbi punën që do të zhvillojnë kundër Pushtetit të sotëm, të cilin donin t’a rrëzojnë me violencë.
Ka udhëzuar antarët e grupit për të punuar në prëgatitjen e Përpjekjes së 9 shtatorit 1946, ku dhe vetë ka punuar në këtë drejtim…
Kryetari i Seksionit të Mbrendshëm d.v. (firma)
- “Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e mbledhur sot më dt. 6 mars 1948, e përbërë nga Kryetari major Niko Çeta, antarë kap. I Nexhat Hysejni dhe Kap. I Mustafa Iljazi, prokuror kap. Nevzat Hasnedari dhe kryesekretar Thoma Rino, vëndosi:
Aprovimin e vëndimit 457 dt. 2 dhjetor 1947, ME VDEKJE për PJETËR PRENDUSH PALIN, dhe modifikimin me privim lirije, përjetë për Mustafa Jakup Vodaj.
Vendimi është i formës së prerë.”
Pjetër P. Pali u ekzekutue më 11 mars 1948, në Zallin e Kirit në Shkodër, me Prelatët e Klerit Katolik. Pse u pushkatue me këtë grup? Krytari i Gjyqit, Misto Bllaci, vlleh, shënon disa herë:
- “Të pandehurit Pjetër Pali dhe Rrok Luli, kanë qenë të lidhur me Komitetin Organizativ klandestin të Shkodrës, me anë të Klerit Katolik, të cilët e mohuan para gjyqit. (Dosja1251, fq. 7).
… Kanë marrë letra prej Gjelosh Lulit, me ia çue Cin Serreqit, e ky Françeskanëve…
Në mbledhjen e parë kanë caktuar si kryetar Pjetër Palin dhe sekretar Rrok Lulin. Direktivat e grupit i jepte Pjetër Pali… Ai i merrte direktivat nga Organizata terroriste Demokristjane në fillim, pastaj nga Komiteti i Përbashkët për Shkodrën…”
Misto Bllaci d.v.
- Edhe një Martir në Elterin e Atdheut:
I pafajshmi Pjetër P. PALI.
IMZOT PROF. JUL BONATTI
“Shteti komunist në përputhje me kushtët konkrete përpunoi platforma politike dhe zbatoi metoda e mjete antikatolike tepër të sofistikuara.”
Ajèt Shahu
Ka lé në Shkodër më 4 maji 1874. Prindët e tij ishin Aleksandër e Roza Bonatti. Asht laurue në filozofi dhe letërsi në universitetet e Vjenës së Austrisë dhe në Padova, n’Itali. Ka pasë edhe një motër murgeshë që thirrej Motër Veronika. Porsa ka mbarue studimet asht shugurue meshtar, ka shkue në Stamboll, ku ka shërbye për 16 vjet. Atje ka mujtë me kërkue ndër arkiva mjaft materiale historike që ma vonë i vlejnë për punimet që do të kryente dhe që janë një thesar i madh për shkencën shqiptare.
E vërteta asht e msheftë mbasi nga materiali që kam kalue nëpër dorën teme nuk bahët fjalë se ku mund të jenë ata punime aq me vlerë.
Dikush me siguri edhe mund të dijnë!
Mbas Stambollit, vjen me shërbim fetar në Durrës ku punoi për 10 vjet, mandej 3 vjet të tjera ishte në Vlonë. Atje u njohtë me Papa Petraq Isakun, prift katolik, si dukët edhe ai një klerik i pergatitun mirë, mbasi Imzot Bonatti flet me respekt për té. Edhe ai përfundoi në birucat e Sigurimit të Vlonës dhe me sa shihët nga një shënim jo i saktë, asht kenë mbytë në hetuesi ose asht pushkatue. Mungesa e dokumentacionit nuk më lejon me dhanë mendim të saktë për té, ndonse edhe permendet ma vonë.
Imzot Prof. Jul Bonatti prej vitit 1942 ishte në Itali, për arësye shëndeti. Atje vazhdon punën shkencore dhe letrare deri në vitin 1946 që e këthejnë në Shqipni. Ka jetue në Montecatini dhe me sa dukët atje kanë mbetë edhe dorëshkrimet e tija. Me të ardhmën në Shqipni, vjen në Shkodër për me takue At Mati Prennushin, i dërguem nga Imzot Vinçenci. Me këtë rasë merr edhe një ndihmë të vogël materiale mbasi kur u kthye nga Italia, nuk mujti me marrë as teshat e trupit prej andej.
As sot që kanë kalue ma shumë se 50 vjet që u kthye nuk di me e kuptue se cila ishte arësyeja që u dërgue ky njeri në Shqipni, vetëm në kjoftë se e nisën për “kurban”, mbasi arësye tjetër nuk di me gjetë! Nga disa filma dokumentarë të asaj kohë për ngjarjet në Itali, dyshoj për ndonjë marrveshje të mësheftë të Italisë me Tiranën komuniste!
Për pak muej shkoi në Vlonë ku, kishte shërbye si famullitar edhe përpara pushtimit komunist. Me datën 6 nandor 1946, në pragun e arrestimit të Françeskanëve të Shkodrës, arrestohet edhe Imzot Bonatti, pra, pak muej mbas kthimit nga Italia.
Hapët dosja nr. 3616… Me gjithë mangësitë e saja, tregon dishka që për mue më ka ngjallë interes. Në hetuesi Imzot Bonatti deklaron: “…Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët.”
Rreshti i fundit për mue flet gjithshka! Plot një vit hetime.
Po shka deponon i shkreti Imzot Bonatti? “…nuk kam lidhje politike me konte Salvonin. I kam thanë për Flamurin tonë Kombëtar, pse kështu nga fashizmi? Nuk më pëlqen aspak vëprimi i juej!
Për fëtyrën e Papës merrën lajmët nga agjensi që janë kundër Papës. Papa mbron popujt e vegjël dhe nuk asht e vërtetë që Papa me kenë kundër njerzimit.
Qëllimi i jonë si fetare asht të bashkojmë popujt, dhe t’i vllaznojmë në çdo anë të botës.
Feja Katolike ka anmik kryesor gabimin dhe jo gabimtarët, i cili gabim asht komunizmi, por komunistët i ka vëllazën.”
Asht fat që në shpjegimet biografike tregon disa detaje që me siguri nuk do të ishin ditë kurrë, p.sh.: “Në Stamboll, kam shërbye në Kishën e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë.”
Edhe pse asht i arrestuem Sigurimi vazhdon grumbullimin e informatave: “…ka lidhje me Tol Arapin e Jan Boskon, shkojnë me biçikleta në mbrëmje tek shtëpia e Bonattit”(dt. 30. 06. 1947). Do të dishrojsha me ditë, kush ishte ky Jan Bosko?
– Kujt i përket ky emën?
“… përsonat që vajnë tek ky (Bonatti) janë Katolikë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjës së tyre ka karakter politik.” (dt. 10 qershor 1946).
“… shoh dy vetë që vejnë në darkë tek prifti Bonatti, por nuk i njoh kush janë, ato ikin shpejt me biçikleta, për të mos i parë njeri…” … sigurisht makina e Sigurimit ishte e zanun me arrestimet e shumta… nuk kishin me shka me ndjekë spijujtë e Vlonës priftin! Besohet kjo?!….
Prokurori Beqir Isufi shënon: “Prifti spijun i djallzuar…”
Namik Cakrani shënon: “… Është i pa korrigjuar, t’i epët dënim i rëndë.”
Trupi Gjykues i përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka, antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror kapiten Kristo Mushi, përveç deklaratave të sipërme, akuzon Imzot Prof. Jul Bonattin: “… agjent i Vatikanit, spijun i dërguar për qëllime armiqësore, ka bashkëpunuar me armiqë të popullit si: Prefektin e Vlorës Lele Koçin, Rrok Nallbanin (kuestor), dhe armikun e regjur Vishdan Risilia. Ka punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot Vinçenc Prennushi…”
Me datën 27 tetor 1947, jepet vëndimi: “7 vjet burg, me heqje lirie.”.
Edhe pse Imzot Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vëndimi u shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar, Niko Çeta, antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, prokuror Nevzat Hasnedari dhe vëndosi: ”Dënohet me 5 vjet heqje lirie…”.
- Prof. Arshi Pipa në shkrimin e tij “ Monsignor Vinçenc Prennushi (in memoriam)”, me datën 28 shkurt 1995, në Tiranë, shkruen: “… Mbaj mend nji skenë të devotëshme në infermerinë e burgut, ku unë u shtrova mbas kthimit në Durrës nga kampi i Vloçishtit. Në infermerinë e burgut gjeta Imzotin qi vuente prej asmës. Kjo ishte e tillë sa me e lanë pa frymë prej gulshimit. Nji ditë prunë në infermeri Don Jul Bonattin, famullitarin e Vlorës. Kur i thashë kush ishte i smundi qi përpëlitej, ai u ngrejt prej shtratit dhe ngau me i puthë dorën Imzotit. Monsignori tërhoqi dorën, bekoi me té Don Bonattin dhe u përmbys në shtratin e vet.”(marrë nga origjinali)
- A thue këtu mori fund gjyqi i Imzot Bonattit?
Sigurimi komunist ishte ma i djallzuem se na shkon mendja né. Ai shpesh ndryshonte metodën, por kurrë rrugën e zgjedhun të krimit nga e cila nuk mund të shkëputej asnjë çast.
Në materialet arkivore vërejmë disa dënime të “buta”, nëse do t’i quajmë kështu. Edhe Imzot Prennushi dënohet 20 vjet, ndërsa Don Anton Zogaj, sekretari i tij pushkatohët. Don Zef Maksen (gjerman) dënohet pak vite, por merrët natën nga burgu dhe vritët. Enver Hoxha kishte zgjedhë rrugën e dredhisë përpara opinjonit të huej. Po pyetën të huejt “ç’u bë Imzot Bonatti?”, ne do t’i themi – “e kemi në spital për mjekim”, më vonë, “shohim e bëjmë!?”.
***
Pak kohë mbasi u dënue Imzot Bonatti dërgohet në spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për mjekim.
Kur ishte aty shkoi me u takue mbesa i tij me té.
Njëditë ai i kishte tregue: “Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye…”.
Vazhdoi për disa muej ajo rrugë e mnershme për Profesorin e shkretë… Zotnues i disa gjuhve të hueja, i lauruem në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi i njoftun i “Lahutës së Malcisë”, meshtar i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se duhej, sillet në Shqipni…. dhe çohet në manikomjo.. .fantazia e kriminelit asht e pafund….
- Imzot Prof. JUL BONATTI, njëditë thanë se ndrroi jetë!
“Ndrroi jetë…” një fjalë goje!
U gjet në një dhomë copa copa, i shkyem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”. Kush ishin këta të sëmurë? A me të vërtetë mendoni se ishin të sëmurët e “pavetëdijshëm” që e mbytën Bonattin?
-Jo, jo! E, prap po përsëris, jo!
-Ishin të sëmurët e “vetëdijshëm” që patologjikisht ushqehëshin me mish njeriu, dhe mundësisht Atdhetarë, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru mbas koke para se t’i pushkatonin viktimat, ishin Hasnedarët e Themelët, ishin Kapisyzët e Dul Rrjollët, ishin e… ishin Aranit Çelat me Kadri Hazbitë, Shehët e Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi të fundit të Shekullit XX, me mbytë e me vra me vulën e “popullit”, tue pi gjakun e tij e me gishtin tregues tue vrritë si qentë : “Tradhëtarë, …”!
- Harroni, harroni, po deshët!
Por, mos harroni se:
Çobajt e kafshëve të egra janë ma të egjër se kafshët e tyne!
PROF. ARSHI PIPA DHE PROF. PRENKË KAÇINARI
Me kalimin e kohës Sigurimi i Shtetit sa vinte e bahej ma i ashpër dhe i rrezikshëm. Përditë e ma tepër specializohej në drejtim të së keqes. Sigurisht, që në fillim i mungonte eksperienca por shpirti i keq dhe i mbrujtun me krime, ishte zgjedhë me kujdesin ma të madh ndër këta organe të mnershme e terroriste. Bie në sy që në fillim të vëprimëve të para mënyra e përzgjedhjes së elementit që kanë ndër mend me arrestue. Kryesisht merrët pikë orientuese shkolla që ka krye ose vendi ku ka përfundue shkollën e mesme ose të naltë. Kontrollohej rrethi familjar dhe shoqnor, e para, a ka simpatizue doktrinën komuniste ose jo dhe se a mund të na shërbejnë ne ose jo. Në shenjë janë shkollat e Françeskanëve dhe të Jezuitëve, ndërsa në pikëpamje mbarshtetnore janë në shënjestër edhe ata që kanë përfundue gjimnazin e shtetit në Shkodër. Ishte koha kur ishstudentët e vitëve maparë kishin mundësinë me u hakmarrë ndaj atyne që nuk ishin angazhue në rrethët komuniste, që nuk i kanë simpatizue, ose kanë kenë indiferent ndaj vëprimëve të tyne. Kush mund të kishte shprehë ndonjë fjalë u quejt menjëherë “armik i popullit”, ose u mendue si “zog” i çelun në çerdhën e reaksionit që ishte “Shkodra”. Shumë nga studentët e ardhun në Shkodër, pa përjashtue ata që jetuan në Konviktin e njohtun “Malet tona”, ose që kanë banue në Shkodër, por që kanë ndjekë shkollën në këtë qytet kjoftë edhe atë femnore të Motrave Stigmatine apo “Donika Kastrioti”, u ndoqën njësoj si nxanësit e shkollës Fullcit.
Piknisja e Sigurimit të Shtetit nuk ishte vëprimtaria e një personi; shkolla ishte pika e referimit, ndërsa, themelore ishte ajo që i shkonte në mend Sigurimit se shka mundët me pasë koka e atij që kishte atë rrezik me u vue në listën e njerëzve të rrezikshëm për pikëpamjet e tija, kjoftë edhe të pashfaquna. Pra, mjaftonte me i shkue mendja dikujt nga kta terroristë se ky përson asht “i pakënaqun” e, mbyllej dosja, sigurisht tue paracaktue edhe dënimin e “merituem”.
Hys Zaja me një copë letër, madje, pafarë kursimi të çonte në duertë e kriminelëve: Cuf Lohës, Ali Qorrit, Ndrekë Nallbanit, Filip Pemës, Qamil Gavoçit, Kolec Ilisë, Petro Ballatës, Qazim e Fadil Kapisyzit, Jonuz Dinit, etj. ose, një telefon nga “qendra” dhe të merrte dreqi sa nuk dijshe a do të shihësh ma dritën e diellit.
Po, sa të pafajshëm u zhdukën prej duerve të këtyne katilave?
As nuk bahet fjalë se ka me u dijtë e vërteta ndonjëherë. Derisa të mbulohet gjenocidi që i asht ba gjithë Popullit Shqiptar, shqiptarët do të vazhdojnë me kenë të fyem dhe të poshtnuem.
Me këtë mendim besoj, do të ishin dakord edhe brezi i njohun i Prof. PRENKË KAÇINARIT dhe Prof. ARSHI PIPËS.
- Të dy ishin të burgosun në vitin 1947. Të dy “armiqë të popullit”, të dy të sëmurë në Sigurim me t.b.c., të dy të masakruem ndër tortura, të dy t’uritun, të dy të “pa marrun vesht”, të dy të humbun ndër birucat e burgjëve të Durrësit, të dy “agjenta” se kanë mbarue shkollat e larta, të dy direkt ose indirekt të simpatizuem nga intelektualët e mbarë Shqipnisë, të dy të respektuem dhe të nderuem nga të gjitha gjeneratat që kanë ndigjue mësim nga kata vigaj të kulturës shqiptare, të dy me një hap marrshi drejt majave të vështira, por që vezullonin si zafire për me ndritë me dijën e tyne rrugën e brezave të ardhëshme drejt Evropës. Por, ç’e don, të dy të “infektuar” nga Kleri Katolik! Prandej, dënimi i dhanun nuk asht i mjaftueshëm… duhën ridënue… Ashtu u veprue!
PROF. ARSHI PIPA “(Dosja 1167), vjeç 27, lindur në Shkodër (nga Libohova), banues në Durrës, profesor, në gjendje ekonomike të mirë, i dënuar nga Gjykata Usht. Tiranë me dy vjet privim lirie, për vëprimtari kundër Pushtetit Popullor, u muar sot më 5 dhjetor 1947 në pyetje nga Prokurori Publik i Prefekturës së Durrësit, Sotir Qiriaqi:
– I pandehuri ka patur të proçeduar për veprimtari antipushtet vëllain e tij Muzafer Pipa, i vdekur në burgun e Shkodrës…”
- Në rreshtin e parë fillon gënjeshtra! Duhej shkrue: “… Muzafer Pipa, i vdekur në tortura në Sigurimin e Shtetit në Shkodër… i padënuar…”.
Vazhdon ma poshtë prof. Pipa:
“1. Për akuzat e reja që m’atribuohën si rrjellim çka ka dalë nga proçesi i Gjyqit të Tiranës, kundër grupëve të organizueme kundërshtare, unë jam krejt në padijeni të tyne dhe nuk asht aspak e vërtetë që kam qenë bashkëveprues me të dënuemit, ose të pandehurit e grupëve të Durrësit të kësaj organizatë. Unë shtoj, se edhe dënimi em i maparshëm, me akuzat që mu banë në atë gjykim kanë qenë disa akuza të pavërteta, të disa të rijve çiliminjë që kanë intërpretue disa fjalë të mija.
– Mbi akuzat tjera që më përmendën, unë i mohoj, e kam deklarue edhe para gjyqit që më asht ba se me të dënuemit Is-han Podgorica, se mardhanjet e mija shoqnore nuk kanë kalue cakun e marrdhanjëve profesionale për shkëmbim mendimesh për çështje letërsie, dhe kurr ndonjëherë nuk kemi bisedue ose shtrue çështje për vëprimtari kundër Pushtetit. Me Hysen Çelën nuk kam as njohje, vetëm e njoh kështu si ftyrë, kështu që vetvetiu edhe akuza që më bahët në lidhje me té asht e pavend. Po kështu nuk njoh aspak as edhe si ftyrë Skënder Çelën.
– Akuzat që po me bahën tash unë i kam marrë vesht me anën e fletorës “Bashkimi”, dhe nga zhvillimi i gjyqit të Tiranës, ku i dënuemi Beqir Çela, ka pohue se unë paskam qenë i ndërlikuem me I. Podgoricën, dhe ky direkt me Beqir Çelën ishin në këtë organizatë që u zbulue. Këto pohime të Beqir Çelës i mohoj plotësisht mbasi as kam pasë dijeni, as pjesë në organizata që ekzistonin këtu në Durrës.
– Unë mohoj gjithashtu pohimët që kanë ba para hetuësisë dhe para Gjyqit të Tiranës, të dënuemit anëtarë të Komitetit të Qarkut të Durrësit, Selim Kokalari, Sulo Konjari dhe R. Tabaku, për që unë të kemi qenë antar i kësaj organizate me pjesmarrje në grupin Social-Demokrat.
– Unë mohoj, se këta i kanë ba këta pohime tue dijtë se unë kam qenë një përson që nuk e simpatizoj Pushtetin Popullor, sikurse e kam pohue edhe ma parë në gjyqin e maparshëm. Kështu më kanë kallur këtë akuzë, siç kundër u a kanë kallur edhe të tjerve.
– Me të burgosunin H. Ballhysi nuk kam patur asnjë mardhanje për aktivitet kundërshtar, kështu që edhe emni i tij që përmendët si pjestar i grupit social-demokrat për mue asht i pavend.
– Unë duke mohue edhe njëherë akuzat e sipërme ju shtoj përfundimisht, se veprimtaria e eme kundër Pushtetit detërminohet mbi sa kam thanë në gjykimin e parë. Ma vonë shtoj, se detërminohet e shpreha me qëllim me thanë: kufizohet.
– Unë sikurse thashë, jo vetëm që nuk kam pasë mardhanje e marrë pjesë në këto grupe që u zbuluen, porse edhe absolutisht nuk kam pasë dijeni që të kenë ekzistue një organizatë e tillë kundërshtare.
Mbasi nuk kam gjë tjetër për të shtuar sëpse i pandehuri i përgjigjet me mohim ju dha fund pyetjes së tij, të cilat si ju kënduan i vërtetoi me nënshkrimin e tij.”
I pandehuri ( Arshi Pipa) d.v.
Prokurori Publik i Prefekturës (SotirQiriaqi)d.v.
Proçes-verbal i Seksionit të Sigurimit Durrës, Nr. Regj.66,
Simbas shkresës përcjellëse nr.3053 dt. 02. 12. 1947, i dënuari ARSHI PIPA, me fakultet Filozofije në Firencë, nga Libohova, lindur në Shkodër në vitin 1920, ti vazhdohën pyetjet.
Prokurori Publik i Prefekturës: S. Qiriaqi d.v.
“Mbasi nuk mbetët gjë për të shtuar, sëpse i pandehuri përgjigjet me mohim. Dërgohet për gjykim në Tiranë, si dhunues i dispozitave të sipërme…
Prokurori…firma.
Fletë-akuzë: I pandehuri Arshi Pipa ka qenë armik i popullit… Për të gjitha këto që përmenda më sipër, neve propozojmë që i pandehuri Arshi Pipa të gjykohet edhe njëherë nga ajo Gjykatë Ushtarake, mbasi dënimi i parë i është dhënë i pakët sëpse mungonin edhe faktët. Me qenë se veprimtaria e të pandehurit ka qenë e vazhdueshme kundër Pushtetit Popullor dhe se parimet e tija kundërshtare nuk pajtohën kurrë me vijën e Pushtetit Popullor, propozoj, që të marrin dënimin më të rëndë.
Veprimtaria armiqsore e të pandehurit Arshi Pipa faktohet edhe më tepër në proçeset e armiqve të popullit, si më poshtë vijon:
Selim Kokolari thotë: Arshi Pipa ka bërë pjesë në grupin Social-Demokrat bashkë me H. Ballhysin, I. Podgoricën, H. Çelën etj.
– Sulo Konjari thotë: Arshi Pipa ka bërë pjesë në grupin Social-Demokrat dhe ka qenë elementi më aktiv i këtij grupi, bashkë me H. Çelën, I. Podgoricën, Skënder Çelën e H. Ballhysin.
– R.Tabaku thotë: Arshi Pipa ka propaganduar vazhdimisht kundër Pushtetit në fuqi dhe për ndrrimin e situatës me ndërhyrje nga jashtë.
Ka punuar kundër Pushtetit në mënyrë sistematike me elemente të pakënaqur nga reformat… Duhët ridënuar…”
Prokurori ….firma.
PROF. PRENKË KAÇINARI: (Dosja1167).
Ka lé në Mitrovicë më 17 korrik 1910 . Ka përfundue studimet e larta në fakultetin e Filozofisë, në vitin 1937 në Lion të Francës.
Vjen profesor në Shkodër. Ka miqësi me Dr. Federik Shirokën, me të cilin asht mjekue dhe ka ba pjesë në Organizatën “Balli Kombëtar”.
Në vitin 1946, transfërohet mësues në Korçë, ku arrestohet pikërisht kur ishte tue verue mbasi ishte randue nga sëmundja dhe:
“… Akuzohët:
– Se ka vazhduar shkollën nëpërmjet të Klerit Katolik.
– Ka bashkpunuar për ardhjën e fashizmit.
– Kur erdhi Italia u holl në mal me “Ballin Kombëtar” dhe në Kishë tek priftërijtë shtypte trakte, merrte udhzime nga kleri katolik dhe elementët e pakënaqur në Tiranë, gjoja i sëmurë rrinte i mbyllur në shtëpi.
– Ka bërë pjesë në grupe Social-Demokrate, kishte lidhje me profesorët e Korçës, Foto Bala, Sulo Klosi etj.
– Ka punuar për të rrëzuar Pushtetin Popullor dhe për shkëputjet e lidhjeve me Bashkimin Sovjetik për t’u lidhë gjoja me popuj përparimtarë sipas tij, që donte të thonte të lidhesh me Anglo-Amerikanët.
– Ka propaganduar për të rrëzuar Pushtetin me vjolencë.
– Ka punuar me elementët e rinjë për të patur lidhje me demokristjanën dhe grupet e social-demokratës të udhëzuara nga Prenka.
Vëprimtaria armiqësore e tij vërtetohet edhe nga të pandehurit:
– Selim Kokalari thotë: Prof. Prenkë Kaçinari ka qenë antar i grupit të organizatës Social-Demokrate që nga formimi i saj.
– Sulo Konjari thotë: Prof. Prenkë Kaçinari ka qenë antar i partisë Social-Demokrate.
– Gjovalin Vlashi thotë: Unë kam folë rreth gjendjes së formueme në Shqipni, gjithmonë kundër Pushtetit.
Ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë Kaçinari.
– Xheudet Tirana thotë: Elementët që unë kam biseduar kundër Pushtetit Popullor dhe që ishin një mendimi me mue, ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë Kaçinari.
– Pashko Gjeçi: Në mbledhjën e parë që kemi ba në Lice në Durrës, ka kenë edhe Prenkë Kaçinari… Një mbledhje e kemi ba në shtëpi të Vasil Zirit, dhe një tek Simon Deda, një tek Stavro Frashëri…Ndër të gjitha ka kenë Prenkë Kaçinari.
Në grup kishim edhe Pjetër Gjinin, Nush Radovanin, Kol Ashtën, Ndrekë Demën, Prenkë Kaçinarin, Simon Dedën, Luigj Ljarjen, Gaspër Jakovën, këta ishin për Social-Demokratën.”
Ishin të mjaftueshme këto akuza me përcjellë edhe Prof. Prenkë Kaçinarin bashkë me Arshi Pipën, Hysen Ballhysin e Pashko Gjeçin, përpara Trupit Gjykues të Gjykatës Ushtarake të Durrsit, që përbahej nga: Kryetar, Major Gjon Banushi, antarë, Major Gjule Çiraku dhe Kap. I Halil Ramohito, prokuror, Kap. Petrit Hakani dhe sekretar Arqile Mihali.
- Me datën 18 dhetor 1947 Prof. ARSHI PIPA deklaron para Trupit Gjykues:
“Përsa i përket akuzës që unë të jemë antar i organizatës trathtare nuk asht e vërtetë, dhe s’e pranoj. Unë me Sulo Konjarin dhe Selim Kokalarin nuk kam pasun ndonjë lidhje e ndonjë miqësi dhe nuk i njoh.
Unë artikujt në kohën e Italisë i kam shkrue në revistën “Kritika”. Kam shkrue mbi Fan Nolin etj. Is-han Podgorica asht profesor…
Pushtetin Popullor nuk e kam pa me sy të mirë.
Me Is-han Podgoricën nuk kam bisedue gja për situatën dhe çështje politike. Proçesi i em i bamë në Prokurori tregon se nuk kam rrejtë, por jam mundue me thanë të vërtetën.
Gjithë faji i em asht se nuk jam dënue njëherë e mirë, dhe tash më sjellin prap në gjyq për të më akuzue për organizatën që u zbulue, por unë nuk kam marrë pjesë në té. Me I. Podgoricën kam bisedue çështje letrare por çështje politike nuk kam bisedue, mbasi nuk kam qenë marrë me politikë por kam ndejë tue studjue gjithmonë.
Me Is-han Podgoricën nuk kam bisedue gja. Me ata që më kanë akuzue mue, unë kërkoj të ballafaqohëm.
Me Hysen Ballhysin nuk kam bisedue gja, me të jam takue disa herë por në shtëpinë e tij nuk kam qenë asnjëherë. Bisedoja se si je, por kurr çështje politike. Skënder Çelën unë nuk e njoh, por mundet që ai më ka ndigjue emnin tim si profesor që unë ishe.
Unë në shtëpia të shokve të mijë nuk kam shkue ndonjëherë.
Pashko Gjeçin e kam njoftë dhe që të kem bisedue gjana letrare po, por, jo, gja politike.
Përsa i përket akuzave që më bajnë dy të rinjë, unë këtyne i jepnja mësim privat dhe nuk kanë kuptue mirë fjalët e mija. Nxanësit nuk kishin ndonjë simpati karrshi meje, unë u jepja mësim privat se më paguejshin edhe ata kishin interes me mësue. Sulo Konjarin nuk e njoh, për akuzën që më ban të mejtohet me ke ka qenë! Me R. Tabakun jam takue në kafe por nuk kam bisedue kundër Pushtetit, dëshroj të ballafaqohem!
Në kohën e fashizmit më kanë propozue të bahem kryetar i një reviste italiane që do të delte në Shqipni, por nuk kam pranue. Me Selim Kokalarin nuk kam pasë asnjë bisedë dhe nuk dij pse më akuzojnë!”
Pyeten dëshmitarët Pashko Gjeçi, H. Ballhysi, I. Podgorica, dhe deponojnë ato akuza që kanë deklarue masipër.
“I pandehuri Arshi Pipa mohon thënjet e tyre, nuk janë të vërteta!”. Për secilin përsëritë thanjet e bame para Trupit Gjykues.
Pyetet PROF. PRENKË KAÇINARI, i cili deklaron:
“Kam kenë profesor në Shkodër. Atëherë nuk kishte Këshill të Lëvizjes N.Çl., por Lëvizje N.Çl. kishte. Në korrik të 1943 kam shkue në Shllak me “Ballin Kombëtar” për t’i ikë kuesturës.
Me Mit-hat Frashërin jam takue në fillim të 1943 dhe bashkë me Zef Palin, jam organizue me “Ballin Kombëtar”. Në Tiranë jam takue me R. Barbullushin që më foli për Social-Demokratën, por unë i thashë, se jam i sëmurë e nuk due me dijtë gja për këtë punë. Pashko Gjeçin e njof, por nuk kam ba pjesë në ndonjë organizatë me té. Thanjet tjera nuk i pranoj, mbasi me ata përsona nuk kam asnjë lidhje. Me Klerin Katolik nuk kam pasë asnjë lidhje. Kam njoftë Don Mikel Koliqin dhe Don Ndre Zadejën. Me Don Ndreun kam bisedue vetëm për probleme filozofike dhe letrare. Nuk dij se ka pasë ndonjëherë në Shqipni organizatë apo parti demokristjane. Unë nuk kam marrë pjesë në ndonjë parti apo organizatë trathtare klandestine. Jam kenë antifashist.
Don Ndre Zadeja dhe në përgjithsi Kleri nuk e ka simpatizue okupacionin dhe fashizmin.
Mbas 1944 nuk jam angazhue në politikë, ata që më akuzojnë nuk dij mbi ç’baza më akuzojnë.”(Dosja 1167, po aty).
Thirret Pashko Gjeçi, i cili deklaron: “Preka më duket se ka kenë në mbledhje të Durrësit me Partinë Social-Demokrate, kështu e dij unë.”
“Prenkë Kaçinari i përgjegjet: Unë nuk kam ndonjë anmiqësi, por le të pohojnë drejtë!”
Edhe ndonjë dëshmitarit tjetër të parapregatitun Prenka, gjakftohët dhe me ton burrnor i jep atë përgjigje që meriton. Jam i sigurt, se këta dëshmitarë të topitun para qëndrimit të palëkundun të Prenkë Kaçinarit, fillojnë që në gjyq me mohue jo aq nga turpi, sa nga mendimi i gabuem i tyne, se në gjyq ata nuk kanë me kenë ndonjëherë përballë Prenkës.
Vetë përdorimi i fjalës “më duket” se ka qenë edhe Prenka!…, tregon lëkundje, një lojë që gënjeshtarët e përdorin shpesh me mendimin që i akuzuemi me u lëkundë në qëndrimin e tij dhe po e hangri “ullinin”, hyni në grackë, ose ma vonë me pasë mundësinë me i thanë viktimës: “Të dhashë një mundësi me mohue!”. Faktet tregojnë se ata mbetën gjithmonë akuzues dhe shpifës, ndërsa burra u rikëthyen vetëm ata që para gjyqit thanë: “E kemi pranue me shtërngim, por e vërteta asht kjo që po tham tashti këtu !” e, nuk janë kenë të paktë edhe burrat që mbas dhunimit të mnershëm në hetuesi, kanë gjetë forca me thanë të vërtetën.
Tue mos pasë fakte për gjykimin që mund t’i kenë ba gjykata, Prenka ose Arshiu ma vonë prap do të përsërisnin gjyqin. Unë po vazhdoj me thanjet e tyne mbasi jam i bindun se edhe Prenka edhe Arshiu, do të ridënoheshin njësoj edhe sikur kurrkush mos t’i kishte dalë dëshmitar i rremë në gjyq ose në hetuesi, madje, ma vonë edhe do t’ishin pushkatue si shumë shokë të tyne.
Por, për me kenë të qetë shpirtnisht, të paktën sot, ata që jetojnë nuk duhët të mendojnë se ata burra vdiqën pa folë për dobësinë tonë e, “ishalla edhe dokumentat janë djegë, se ashtu po flitët!”
Jo, jo! Mos rreni veten gjithë jetën! Të gjithë dokumentat janë! Koha ka me provue dhe ka me vulosë ndër fletët e historisë se të gjitha poshtërsitë Enver Hoxha, me shokët e tij i ka lanë këtu dhe askush mos të mendojnë, se i kanë marrë me vedi në vorr!
***
- Me datën 24 dhetor 1947 Kryetari i Gjykatës Ushtarake Durrës, major Gjon Banushi, jep vendimin nr. 704 themel. Si mbas zhvillimit të gjyqit nga dt. 18 dhetor 1947:
“… Në emër të Popullit Shqiptar”:
“… Arshi Pipa, Prenkë Kaçinari, Hysen Ballhysa, Pashko Gjeçi kanë qenë antarë të organizatës së gjerë agjento-sabotatore, dhe antarë të grupit social-demokrat, për të rrëzuar me dhunë Pushtetin Popullor duke pritur një zbarkim nga jashtë.
I pandehuri Arshi Pipa gjatë kohës së fashizmit ka drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin e fashizmit në vendin tonë. Mbas çlirimit të Shqipërisë, duke qenë profesor në liceun e Tiranës, lidhet me grupin e social-demokratës dhe zhvillon një aktivitet të gjerë në favor të kësaj organizatë.
I pandehuri, vazhdon aktivitetin e tij ndër studenta dhe ndër elementa të pakënaqur duke predikuar mbi demokracinë perëndimore dhe me tjera pallavra, të gjitha këto i bënte me qëllim për të treguar se në vendin tonë nuk kishte liri demokratike dhe e konsideronte Pushtetin si një Pushtet terrorist.
Aktiviteti i të pandehurit u provua plotsisht nga atribuimet që i bëri Sulo Konjari në gjyqin e Tiranës, Selim Kokalari dhe Ramazan Tabaku, nga proçes-verbali i tij para hetuesisë dhe nga gjithë përmbajtja e dosjes.
I pandehuri ka bërë mbledhje të rregullta me Prenkë Kaçinarin, Stavro Frashërin, Is-han Podgoricën, Simon Dedën, Hysen Ballhysin, Sabri Ticin e Rifat Dërvishin, dhe këto mbledhje janë bërë në liceun e qytetit.
Prandaj: … Për të gjitha këto, bashkërisht dhe pjesërisht në kundërshtim me prokurorin, në bazë të ligjes së sipërme vëndosi:
- Prenkë Kaçinari, me privim lirije për jetë, konfiskim të pasurisë së tij të luajtëshme dhe të paluajtëshme.
- 2. Arshi Pipa, me 20 vjet privim lirije.
- 3. Hysen Ballhysa, me 15 vjet privim lirije.
- Pashko Gjeçi, me qenë se u tregua shumë i sinqertë para Gjyqit dhe deponoi vullnetarisht jo vetëm fajsinë e tij, por edhe të shokve të tij pjestarë të po një organizate, i akordohën shkaqe lehtësore në konformitet me nenin 45, të ligjës 382, dt.12 dhjetor 1946, dhe vendosë: dënimin e tij me 5 vjet privim lirije, dhe konfiskimin e pasurisë.
Të katër të pandehurit humbin të drejtat civile dhe politike për tre vjet, dhe vuajtja e ndëshkimit fillon nga data e arrestimit.
Durrës 24 dhjetor 1947.
Sekretari d.v. Antar d.v. Antar d.v. Kryetari d.v. (vetëm firmat)
***
- Në dosjen nr. 1167 ruhët kjo kërkesë e bame nga Prof. Arshi Pipa, të cilën po e botoj pa asnjë ndryshim nga origjinali, mbasi m’u dha mundësia e kopjimit:
“V.F.L.P.
Me anën e Drejtorisë Burgut A.P. Durrsit:
Gjykatës së Naltë Ushtarake Tiranë
I nënshkruemi Arshi Pipa kam nderin T’i paraqes asaj së Nalte Gjykatë, kërkesën time apelimore, si vijon:
I arrestuem që më 27 prill 1946, jam dënue prej Gjykatës së Garnizonit Tiranë, me 2 (dy) vjet privim lirije, për veprimtari kundër Pushtetit.
Më 20 dhetuer 1947 jam dënue rishtas nga Gjykata me 20 (njizet) vjetë privim lirije, i akuzuem në grupun social-demokrat në lidhje me organizatën e deputetve. Përsa i përket kësaj akuze, marr lejën të baj vetëm nji vrejtje: Përsonat që më akuzojnë, disa i njof vetëm për fëtyrë, e disa nuk i njof fare. Prej akteve që e Nalta Gjykatë do të marrë në shqyrtim kam shpresë, do të dalë qartë se unë nuk jam nji njeri i politikës por nji njeri i librave, i studimëve; nuk kam marrë pjesë në jetën politike para Çlirimit, nuk kam qenë as me Ballin as me Legalitetin. Me ndjenja kam qenë kundërshtar i fashizmit, gja kjo që provohet ndërmjet tjerash, nga nji dokument që ndodhet n’aktet e mija të gjykimit të parë. Rrjedhi nga nji shtresë e mesme qytetare. Nuk jam i prekun nga Reformat mbasi as unë as prindët e mij nuk kanë të paktën asnji shtëpi banimi tonën.
Përveç të masipërmëve lutem të merren parasyshë edhe këto dy gjana: a. Gjendja ime familjare: tue qenë unë i vetmi mashkull përveç babës që asht tetëdhetë vjeçar e paralitik – në familjen time të përbame nga nana, katër motra – prej të cilave njena e sëmurë tuberkuloze – dhe dy jetime. b. Gjendja ime shndetsore: tue qenë unë që prej shumë kohe me nji infiltracion të mushkërive.
Tue shpresue se apelimi im do të gjejë konsideratë pranë asaj së Nalte Gjykatë, kërkoj lehtësimin e dënimit dhe shpreh bindjen time në verdiktin e sajë të drejtë.
Durrës 27 dhetuer 1947
Arshi Pipa d.v.
I burgosun në Burgun A.P. të Durrësit”
V.O. Burgu A.P. (Armiqve të Popullit), shën.autori.
Seksioni i Mbrendshëm i Durrësit përcjell dosjen në Gjykatën e Naltë tue shtue këtë dokument:
“Komunikatë: Me datën 24 shkurt 1948 Prokuroria vë ré se:
Nga shqyrtimi i aktëve të të pandehurve Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, Prenkë Kaçinari dhe Hysen Ballhysa, rezulton se kanë qenë antarë të organizatës agjento-sabotatore duke bërë pjesë në grupin e quajtur social-demokrat, që kryesohej nga Gjergj Kokoshi e Suat Asllani. Organizata është shtrirë në elementët e pakënaqur nga Pushteti e Reformat. Kanë organizuar grupe në shkolla si profesorë dhe kanë bërë mbledhje të rregullta. Kanë marrë vëndime për zgjerimin e organizatës dhe kanë propaganduar kundër të gjithë Reformave të Pushtetit. Kanë sabotuar në sektorët e tyre, kanë agjituar për të prëgatitur terrenin për ndërhyrjen e Anglo-Amerikanve.
Qëllimi i të pandehurve ka qenë rrëzimi i Pushtetit me forcë dhe me anë të një kryengritje në lidhje me forcat e huaja.
Vepra e tyre është tradhëti ndaj Pushtetit Popullor dhe Atdheut.
Për këto arësye dhe për ato që do të shtroj, kërkoj modifikimin e dënimit Prenkë Kaçinarit, ndërsa Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, dhe Hysen Ballhysa të lehën si ishin.
24 shkurt 1948
Prokurori Ushtarak i U.K. Shqiptare
Kapiten I. Nevzat Haznedari d.v.
Gjykata e Naltë Tiranë me nr. 96 të vëndimit, nr. Regj. 61, e mbledhur me datën 29 shkurt 1948, me kryetar major Niko Çeta, antarë, kap. I Veladin Zejneli dhe kap. I Nexhat Hysejni, prokuror kap. I Nevzat Haznedari dhe kryesekretar, Thoma Rino,
mbasi shqyrtoi dokumentacionin e të pandehurve, vëndosi:
- PRENKË VLASH KAÇINARI, me 20 vjet privim lirije.
- ARSHI MUSTAFA PIPA, me 20 vjet privim lirije.
- HYSEN NAMIK BALLHYSA, me 15 vjet privim lirije.
- PASHKO VASË GJEÇI, me 5 vjet privim lirije.
Kryesekretari d.v. Antar d.v. Antar d. v. Kryetari d.v.
(vetëm firmat). “
- Këtu mbyllet vetëm dosja…
***
- Jeta me të vërtetë duket se vazhdoi… por, askush nuk mund të parashikonte si u erdhi fundi këtyne njerëzve, ndoshta, edhe ata vetë në vitin 1947-48, fundin e kanë mendue në Beden, Maliq, Burrel, ose Tepelenë, por kurrë, se mund të jenë një ditë… në Romë,…Washington… ose, ma mirë me thanë se mund të jenë ndonjëherë të lirë.
Fjala liri kishte përëndue bashkë me andrrat e shpresat e tyne. Prof. Arshi Pipa pat fatin me e shijue prap lirinë ndërsa Prof. Prenkë Kaçinari, provoi, se, ka rasë që jeta tregohët e ashpër dhe mizore e, ndonjëherë, jo e meritueme kjo për atë që e provoi…
- Lexoni me kujdes këta pak rreshta, (pa koment):
“I dashtuni Mark, (Të dashtunit e mi)
Edhe pak çaste më mbetën, kur unë përfundimisht po shkëputem nga kjo jetë. Me përmallim të madh po ju la të gjithve: kunatën, motra, nipa e mbesa që kaq fort ju kam dashtë. Vëndosa me e krye këtë akt dobësije do ta quani, por për mue kje akt kurajoz. Vuajta tepër e tash ma s’po mund të duroj. Po i nap fund të gjitha vuajtjeve të mija.
Kjeshë te ju; nuk dhashë me kuptue gja; nuk dojshe me tradhtue veten, kisha frigë të mos më mbusheshin sytë me lotë. Nuk e pashë edhe motrën time të dashur, Luljen, që ishte e shtrueme në spital. Se çfarë çastesh të fundit po jetoj, nuk mund t’i përshkruej. Po e shkruej këtë letër me lot ndër sy.
Erdha këtu në Tiranë vetëm e vetëm për mos me ju qitë telashe ju. Në vendin ku do të vras vetën dëshroj të varrosëm.
Një dëshirë tjetër e, që due ta plotësoni asht: të mos mbani askush shej zije për mue; zinë e mbani në zemër.
E tash lamtumirë përgjithmonë. E di se do të kishit dëshirue t’ju shkruajshe ma gjatë. S’po më punojnë ma as mendja, as dora.
Përqafime e të puthuna të përmallshme; më kujtoni në bisedat tuaja, jam i juaji
Prenkë Kaçinari
Tiranë, 3.IX.1956 ora 5 mbasdreke.”
- Kjo letër iu postue nga Tirana nga vetë Prenka, z. Mark Lezhja në Durrës, që ishte burri i motrës së Prenkës, Karrolinës dhe origjinali ruhët në familjen e tij. (shënimi i FR).
DON A N T O N M U Z A J
Ka lé në vitin 1921 në Vernekollë të Jugosllavisë, nga prindët Dedë e Dila Muzaj. Kishte katër vëllazën dhe një motër. Mbasi kryen klasën e parë në Prizren, vjen në Shkodër për me vazhdue studimet në Kolegjin e Jezuitëve, ku vendosë me marrë rrugën e meshtarisë.
Në vitin 1938 shkon me vazhdue studimet e nalta në Universitetin e Gregorianëve në Romë, Itali. Mbasi mbaron studimet për filozofi dhe teologji në vitin 1945 shugurohet meshtar.
Në 1946, Vatikani tue e dijtë se mjaft klerikë po arrestoheshin, i ban thirrje të gjithë meshtarëve të vendëve të Lindjes “me u gjetë në këtë kohë të vështirë pranë popujve të tyne të robnuem nga komunizmi…”
Thirrjes së Papës Piu XII-të, i përgjigjet Don Antoni edhe Imzot Jul Bonatti, të dy të ndodhun atje që këthehën në Shqipni dhe pësojnë të njajtin fat. Mbas arrestimit të Don Tom Lacës, Don Antoni, emnohet Kançelar i Argjipeshkvisë së Shkodrës.
Në një kohë rekord mbrenda pak muejsh Don Anton Muzaj bahët një ndër figurat ma të nderueme dhe të respektueme të Klerit prej popullit të Shkodrës. Cilsia që ë bani të përjetëshëm ishte përvujtnia dhe modestia shpirtnore e tij. Me të vërtetë i rinj me moshë, por shumë korrekt dhe komunikues me njerëzit. I pa pritueshëm dhe shumë aktiv. Ishte tërheqës në biseda dhe në predikimet e tij që bante në Katedrale.
Me datën 20 maji 1947 arrestohet dhe torturohet si të gjithë të tjerët në mënyrën ma shnjerëzore nga katili Pjerin Kçira. Ky kriminel e mbajti Don Antonin, në një nga podrumet e hetuesisë të zhytun deri në bel në ujë të pistë, mbandej e nxori në hollin e Kuvendit të Fretënve, ku asht kenë sahati me diell. Aty vendi i shatrivanit ishte këthye në një pus të madh i gropave të zeza, që derdhëshin përjashta dhe në atë moçal të ndytë Don Antoni, asht pa për disa ditë i zhytun, derisa njëditë ka fillue me humbë në atë pisllëk. Aty kaloi një dimën të ashpër që e shpartalloi me një T.B.C. galopante. Asht dëshmitare Z. Ana Daja, që e ka pa me sytë e sajë tue skuqë vendin me gjakun e tij, që nxirte kur kollitej dhe binte pandjenja. E vetmja thirrje e tij ishte: “O Zot, për hatër tand… më ndihmo!”. Kur ka dalë në gjyq asht ba “përjashtim” në grupin që bante pjesë, i vetmi asht kenë Don Antoni që asht lejue me folë i ulun në karrigë, mbasi ishte aq i sëmurë sa nuk qëndronte në kambë.
Që në pyetjet e para Don Antonit, para trupit gjykues i merrën mendët dhe rrëzohet.
Don Anton Muzaj u akuzue: “Agjent i Vatikanit i dërguar në Shqipëri për qëllimet e tyre djallëzore për me organizuar grupe kundër Pushtetit, është qenë bashkëpuntor i fashizmit që në shkollë, spijun i tyre.
Ka dëshruar që pushtetin ta marrin Balli Kombëtar, mbasi ajo organizatë ka qenë që ka bashkëpunuar me fashizmin deri në kapitullimin e plotë të tyre.” (Dosja 1303 Arkivi M.M.Tiranë).
Hetuesi kriminel Pjerin Kçira, shënon: “Në hetuesi ka rezistue, mundohet të largojë vehtën nga përgjegjësia. Asht element besnik i vijës së trathtisë.”
Në proçes-verbalin e ballafaqimit me At Mëhill Miraj, pyetësi Fadil Kapisyzi shënon: “… ka pasë lidhje me padër Mëhill Miraj dhe padër Bernardin Demën, me të cilët ka biseduar se Kleri pret kohën oportune për me sulmue këtë Pushtet. Ka shpërnda trakte për Organizatën “Bashkimi Shqiptar” dhe ka ba pjesë në grupin e avokat Paulin Palit.
Don Antoni mohon ballafaqimin, se nuk janë të vërteta.”
Grupi përbahej nga: At Donat Kurti, Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Angelo Tarcizio, Çesk Hilgega, Viktor Kujxhija, Injac Serreqi, Albert Çoba, Ana Daja, Gjon Kovaçi, Liza Pali, Elez Nurja dhe Sheuqet Lutfija.
- Dokumentacionin e plotë nuk kam pasë mundësi me e lexue.
- Gjyqi Ushtarak u zhvillue në Shkodër dhe vëndimi u dha më 8 janar 1948 nga Trupi Gjykues i përbame nga: Kryetar, Misto Bllaci, antarë: P. Alizoti dhe Anastas Koroveshi, dhe prokuror Namik Qemali. Relacioni për gjykatën u përpilue nga Aranit Çëla, i cili shënon karakteristikat përsonale për secilin, mbasi njëditë para daljes në gjyq ai i mori në pyetje të gjithë një nga një.
- Don Anton Muzaj deklaron:”… nuk e kam dashtë asnjëherë komunizmin dhe më ka ardhë keq që humbi dhe nuk fitoi Balli Kombëtar, mbasi ishte e vetmja organizatë që kishte elementë të mirë me marrë në dorë drejtimin e shtetit.”
Mbas pak ditësh që u lirue, vdiq në shtëpi për mos me u shenue se mbeti në duart e hetuesve kriminelë….
NJË AKT TIPIK KOMUNIST…
“Lufta që racjonalizmi nisi mbi katedra, ra mandej në rruga e u ba komunizëm, bolshevizëm gjithrrënues.”
Don Kolec Prennushi
Komunizmi asht një e keqe e madhe që duhët zhgulë me rranjë dhe duhët mos me hezitue për me e shkatrrue përfundimisht, me luftë të vazhdueshme dhe të përhershme.
Asht sistemi ma përbindësh që mbështetët në një dhunë të pamëshirshme dhe propagandë fund e maje vetëm rrena.
Sigurimi i Shtetit nuk asht tjetër veç, një sadizëm i përhapun në çdo skaj dhe i institucionalizuem në të gjitha metastazat e tij.
Praktika e punës së qeveritarëve dhe e institucioneve të krimit asht zhdukja e dokumentacionit. Dosjet, hetuesitë, zhdukjet e njerëzve, vrasjet dhe trajtimi i kufomave të viktimave shpeshherë në tortura ose mbas torturës, gjithmonë në msheftësi, pa proçese legale dhe pa asnjë përgjegjësi të njohun dhe të pranueme nga organët shtetnore, kanë për qëllim shkatrrimin përfundimtar të njeriut si nga ana fizike, morale, ashtu edhe psikologjike e shpirtnore.
Terrorizmi në Shqipni gjithmonë në këta 50 vjet asht mohue, asht errësue ose asht nënvleftësue, aqsa populli kishte humbë çdo shpnesë se njëditë mund të shpëtojë. Gjyqet e mëshefta janë rruga e çmobilizimit në masë mbasi mija njerëz me të njajtat vlera dhe me trimni të pashoqe, janë torturue e masakrue tue përfundue viktima të terrorit komunist. Kundër popullit shqiptar asht përdorë TERRORI si mënyrë qeverisje, tue e kthye atë në një plaçkë të friksueme ose në një turmë të bindun, mbasi përpjekja e Sigurimit të Shtëtit ka kenë gjithmonë mobilizimi i shumë vetëve në strukturat e tij. Ai i ka detyrue ata me u identifikue me spijunllëkun, në mënyrë që jeta e tyne të ishte një ankth i vazhdueshëm. Kontrolli i lëvizjeve të çdo individi, vrojtimi i të gjitha hallkave të jetës nga agjentët, monopolizimi i organizatave, i mjeteve të komunikimit, shfrytëzimi i shumicës nga pakica e privilegjueme për shërbimet shtypse, dhunuese e shtërnguese, sjellin si pasojë tek njerëzit që në mënyrë të vetëdijshme me pranue dhunimin e të drejtave njerëzore si një dishka e paevitueshme, aqsa njerëzit, që nuk janë të arrestuem ose ma keq, ata që dalin nga burgjet, kthimin e lirisë arrijnë me e konsiderue si një “dhuratë”.
Po, ka prap edhe ma keq, para lirimit me e detyrue viktimën me nënshkrue edhe deklaratë “bashkëpunimi” dhe me ia ditë për “nderë” se po shkon me ba punën e tyne si agjent, tue u konsiderue gjoja “i lirë”.
Sigurimi i Shtetit ka pikësynue gjithmonë që në popull të mbizotnojë pasiguria e përhershme, tue kenë i “kudogjindun”.
Zhdukjet e pashpjegueshme, hetimet e stërzgjatuna, pyetjet dhe firmosjët e proçes-vërbaleve me dhunë e dajak, terrorizmi i fshehtë dhe shnjerëzor, proçesët gjyqësore poshtnuese, dëshira me vdekë për me “shpëtue” pa marrë parasyshë pasojat, intërnimet e familjarëve, papunsia, dëbumjet, divorcet, etj. që përmblidhen në “luftën e kllasave”, kanë ba mbretnimin e mjerueshëm të psikologjisë së mbarë popullit nga shteti.
Asht aksiomë: Çdo shtet në Botë i drejtuem nga komunistët përfundon në shtet terrorist.
Kush nuk pajtohet me gjendjën, ose vetëm mendon me e ndryshue atë, asht atypëraty “armik i popullit”, edhe pa krye asnjë akt për atë qëllim. Automatikisht atdhetarët, intelektualët e ndershëm dhe kleri janë në formulën e “armikut të popullit”. Të gjithë këta mendojnë kundër kësaj vegle vigane që quhet komunizëm, mbasi zbulojnë qëllimin amoral të tij që asht i mbuluem me lëvoren e pranueshme morale “barazi për të gjithë, pa dallim feje, krahine dhe ideje”, tue rrokollisë miljona njerëz në këtë humnerë, e provueme sot ma shumë se kurr: utopi.
A mund të pranonte Enver Hoxha me shokë, thanjën e Don Lazër Shantojës, që shkruante shumë vite maparë (në vitin 1924): “Qeveria ka krye plotësisht programin e sajë, atëherë, kur trathtarët e popullit të mos munden me qeshë ma kurr mbi kurrizin e popullit”?
Kjo asht arsyeja që më 5 mars 1945, i pari klerik katolik që pushkatohet asht pikërisht Don Lazër Shantoja, i gjymtuem kambësh e krahësh me sharrë druvari. Hetuesit e tij bredhin rrugëve të Tiranës tue përqeshë turmat e popullit që nuk dijnë cilit me i vue gishtin të parit e, ku me fillue, në cilin skaj të vëndit, gjithkah zi e ma zi.
- Komunistët mendonin me përdhosë Elterin e Atdheut, me veprat ma makabre të Shekullit XX dhe, asht e vështirë me e mendue e besue njerëzit këtë skenë të ndodhun me dy klerikë dijetarë dhe Shqiptarë!
DON ALEKSANDËR SIRDANI DHE
DON PJETËR ÇUNI
- Don Aleksandër Sirdani ishte nga Gucia, i datlindjës 1887. Një meshtar i zellshëm dhe i respektuem nga populli në vendin ku shërbente. Që në rini u dashunue me folklorin e popullit tonë. Atje mblodhi një thesar shumë të çmueshëm dhe shumë shpejtë u konsiderue si një ndër njohësit ma të mirë të etnografisë dhe frazeologjisë popullore. Kultura e gjanë që mori në Insbruk, forcoi edhe mashumë idealin e tij si atdhetar. Njihte mirë frymën demokratike prandej edhe shkroi shumë artikuj ndër revistat ma në za të kohës. Asht vëllai i At Marin Sirdanit edhe ky dijetar.
Don Aleksandri, ishte një ndër bashkëpuntorët ma të ngushtë të Don Nikoll Gazullit dhe At Donat Kurtit.
Kishte edhe prirje poetike. Vlenë me u theksue se në shpirtin e tij depërtuen thellë njohjet e ngjarjëve historike të kreshnikëve të Veriut, gja që sollën në letrat e kulturës shqiptare një përsonalitet të kompletuem.
Origjina dhe njohjet e zakonëve të malësisë e lidhen me popullin nëpërmjet atij virtyti që malësorët e kërkonin edhe në portretin e priftit që u predikonte e, që ai virtyt thirrej trimni.
Nësa ndër rrugët e Shkodrës, shëtitej mbi një gomar prifti 80 vjeçarë Don Ndoc Nikaj, një ndër thëmeluesit e Shoqnisë “Bashkimi” (1899) dhe romancieri i parë i letërsisë shqipe, po në vitin 1946, në Koplik, fanatikët komunistë kërkonin me fye figurën e dijetarit Don Aleksandër Sirdani mbi një gomar tjetër, edhe ky prift i rrëthuem nga gomarët e Enver Hoxhës, që mendonin se po përdhosin meshtarin e përvujtë! Sekretar i Frontit demokratik në Koplik ishte Ago Dino, ndërsa prokuror Ali Paçrami. Mbahën mend si terroristë që i kryesonin: Xhemal Selimi, Pal Mëlyshi, Asllan Lici dhe Faik Nuti.
Në muejin korrik të vitit 1948 Don Aleksandri, u arrestue dhe u mbajt në hetuesinë famkeqe të Koplikut, ku e torturoi katili Xhemal Selimi me shokë, të gjithë të njoftun si kriminelë të pashoq.
- Don Pjetër Çuni ka lé në Shkodër më 9 gusht 1914.
Në moshën 7 vjeç ai ishte në Kolegjin e Jezuitve të Shkodrës, prej ku shkon në Romë me vazhdue studimet e larta teologjike. Përfundoi studimet në Propaganda Fide, në vitin 1940 dhe atje, u shugurue meshtar.
Asht shugurue bashkë me 100 xhakojë të tjerë nga disa vende të ndryshme të botës nga vetë Papa Piu XII-të. Mbas shugurimit atje në muejn prill nga qershori vjen në Shqipni dhe ditën e Sh’Palit e Sh’Pjetrit (pra, ditën e emnit të tij) më 29 qershor, thotë meshën e parë në Katedralën e vendlindjes, me prezencën e Imz. Gaspër Thaçit, të Imz. Gjergj Volaj, si dhe të gjithë klerit.
Ai ishte nipi i Don Ndre Lufit. Tue cilësue vetëm emnin e dajës së tij, për né që e kemi njohtë Don Ndreun, e kemi të kjartë se kush ishte ky meshtar i rritun dhe i pergatitun nën kujdesin e tij. Don Ndreu asht ndër klerikët ma të pastër me qëndrimin e tij burrnor në hetuesi dhe në burgje. Gjithmonë i papërkulun kundrejt armiqëve të Kishës.
Tek Don Pjetri me siguri përveç cilësive të priftit të devoçëm, daja shihte tek nipi edhe virtytin e vet që e ka karakterizue gjithë jetën, trimin e mendshëm dhe të vendosun.
Këtë e ka provue jeta dhe burgosja e të dyve.
Emnohet meshtar i Shkrelit dhe në vitin 1941 asht në Rrjoll. Aty, si të gjithë klerikët merrët me studimet e zakonëve të krahinës. Boton artikuj në revistën “Kumbona e së Diellës”, me siglën R.I. (Pjetër Çuni), ku spikatë vullneti dhe saktësia në studimin e folklorit. Ndoshta ky asht edhe shkaku i njohjes me shkencëtarin e asaj fushë Don Aleksandër Sirdanin, me të cilin edhe martirizohet.
Porsa fillojnë vëprimet kriminale në zonën e Koplikut, vritët tradhëtisht Don Luigj Pici, më 10 nandor 1946, vetëm për një deklaratë të bame në favor të Etënve Jezuitë Fausti e Dajani, kundër vëndimit të gjyqit për pushkatimin e tyne. Vrasja e kryeme nga Asllan Lici dhe Palë Mëlyshi, atëherë u vesh me motive plaçkitjeje, motive që në të vërtetë edhe qëndronin mbasi plaçkitja dhe hajnia ishin gjithnjë të pranishme në vrasjët dhe arrestimet e komunistëve. Këtë e vërteton vetë fakti i humbjes së pothuej të gjitha studimëve dhe të veprave shkencore, letrare dhe artistike të intelektualëve që janë vra, arrestue ose kontrollue shtëpitë e tyne. Këtë fat pësuen edhe studimet e Sirdanit e të Çunit.
Me siguri ata janë mbrenda ndonjë titulli të dhanun ma vonë nga Universiteti i Tiranës, po fakti asht se plaçkitësit mohuan autorët e vërtetë. Brezat e ardhshëm nuk do ta besojnë ndoshta këtë ngjarje, por unë po e shkruej i nxitun nga Konica, që thotë: “Popujt që nuk nderojnë kujtimet e shkuara, janë të dënuar me vdekje”.
SI I MBYTËN DY PRIFTNIT?
Mbas vrasjës Don Luigjit në vendin e tij u emnue Don Pjetri, i cili ato ditë thonte: “Dukët se Krishti ka vendosë që unë të jem ndër të fundit!…” Në muejin korrik të vitit 1948, kur po vinte me një biçikletë për në Shkodër ndalohët në rrugë dhe përcillet në hetuesinë e Koplikut. Aty, siç më tregonte një ish-polic S. N. i Seksionit të Mbrendshëm gjenë Don Aleksandrin dhe At Florian Berishën S.J., që masakrohen bashkë me shumë malësorë. Priftnit torturoheshin ma shumë se të tjerët, thonte ai. Nuk dinte sëpse, por jepej një urdhën: “Hyni në hu, edhe po ngordhën mos u frigoni!” Askush nuk e dinte shkakun dhe as nuk guxonte me e kërkue mbasi nuk i kushtonte asgja Xhemal Selimit me të vra me të.
Gropa e zezë ishte e hapun për cilindo!
Njëditë kishin shkue herët në Seksion Asllan Lici e Palë Mëlyshi. Xhemali po i priste në zyrë. Mbas një bisede të shkurtë të tre bashkë kanë dalë e kanë dhanë urdhën me shkue tek birucat e Don Aleksandrit dhe Don Pjetrit, me i lidhë dhe me i nxjerrë mbas ndërtesës së Seksionit. Për fat ky nuk e kishte pasë atë rrezik me zbatue atë urdhën mbasi ishin caktue katër të tjerë. I kanë lidhë dhe i kanë nxjerrë nga një derë anësore. I kanë ba me ecë pak shpejtë edhe pse ishin mjaft të lodhun nga vuejtja. Xhemali ka hy në zyrë, ndërsa Asllani e Pali, i kanë urdhnue policët me shkue tek stallat e kuajve dhe me marrë dy cfurqe të rinjë dhe të fortë. Urdhni do të zbatohej por me mend nuk mund të gjindej shka duan me ba xhullinjtë. I sollën edhe cfurqit. Ka dalë i pari topall në topall Asllani e mbas tij me kapadaillëk si gjithmonë Pali. Janë drejtue nga priftnit e lidhun tue u thanë: “Ecni, more klysh të Papës, se tash do t’ju rregullojmë qejfin tuej, ju kujtoni se na mashtroni me ato zhgarravinat tueja…! Pse nuk tregoni me cilët kriminela jeni të lidhun dhe u keni çue bukë ndër male?”
Nuk kanë pritë përgjegje por janë drejtue nga një gropë gjirizi të nevojtorës së Seksionit që ishte gjithmonë e hapun. Kanë urdhnue me afrue priftnit tek gropa. Këta që po shihnin nga dritarët po mendonin se po u bahëj presion me tregue… por, papritmas Asllani i ka vue duert në gjoks Don Pjetrit, Pali ka kapë përkrahut Don Aleksandrin, tue ua sha Zotin me fjalët ma të flligta veç, kur u kanë dhanë të shtymen të dyve e kanë ra mbrendë në gropën e zezë.
Kur priftnit kanë marrë me u çue xhelatët i kanë shty me cfurk për me i zhytë mbrenda, tue u thanë:
“Hee… flisni… ku e keni Krishtin tuej… flisni… kështu do të jenë fundi i priftënve… A po e shihni kund Krishtin tuej, hee pisa pisash?”
Don Aleksandrit që ishte zhytë ma parë sidukët i ishte marrë fryma dhe nuk po i shihej fëtyra, ndërsa Don Pjetri ka muejtë me nxjerrë kokën edhe njëherë, ashtu i nximë si të ishte i lymë me zift prej pisllëkut, ka mbledhë gjithë forcën që i kishte mbetë dhe ka thirrë:
“RRNOFTË KRISHTI… TEK AI PO SHKOJ!..”
Mbi brrakën e gropës së nevojtorës janë pa vetëm kindat e ndyme të dy veladonëve. Fëtyrat nuk i ka pa ma kush. Xhullinjtë vazhdonin me i shty me cfurk derisa u zhytën mbrendë edhe trupat e pajetë të tyne.
Mbas pak minutash priftnit u mbytën… Ata mendonin se bashkë me trupat e pajetë do të zhdukët edhe vepra e tyne….
Edhe pse porosia ishte se kush do të flasë ashtu do ta pësojë, ngjarja e dy priftënve mori dheun. Dihej martirizimi por, diheshin edhe katilët. Fëtyrat e këtyne kriminelëve kanë mbetë njësoj si atë ditë kur janë fotografue si “çlirimtarë”, më 29 nandor 1944 tue parakalue në Fushën e Çelës së qytetit të Shkodrës.
- Shqipnia asht shumë e vogël për krime kaq të mëdha.
- Ka vende shumë ma të mëdha, që edhe ata kanë vuejt nën thundrën gjakatare komuniste, por krimet atje nuk janë kenë kurrë në përmasat tona.
- Historia thonë se, do të flasë njëditë!
- Po, kur? – Atë nuk e di!…
- *Nga libri “Një monument nën dhé” i Fritz Radovanit
Komentet