Lartësimi i kujtesës së rëndë shqiptare, homazh dokumentar i atdhetarizmit, i formulës së françeskanëve shqiptarë Fé e Atdhé, i tolerancës ndërfetare, i gjakimeve shqiptare për demokraci dhe qytetërim. Martirium shqiptar i Shkodrës dhe i Veriut shqiptar përballë 50 vjetëve nën totalitarizmin komunist. Dokumentim i përpiktë dhe i saktë i historisë më të re shqiptare. Këto janë punktet, nëpër të cilat shtjellohet lënda e pasur dokumentare e librit “Një monument nën dhé” i Fritz Radovanit. Është një libër i jashtëzakonshëm dokumentar dhe mjaft interesant që i then tabu temat e totalitarizmit e të post-totalitarizmit. Mbrenda kësaj lëndë të komponuar në mënyrë të jashtëzakonshme, në pesë pjesë, autori ka arritur me sukses t’iu ikën kallëpëve të librave dokumentarë, historikë e publiçistikë, tek i kërkon të dhënat, faktet dhe refleksionet jo vetëm mbi një bazë të gjërë e të shumëllojshme dokumentare, por autori jepet i tëri edhe mbas të dhënave më të padukshme e mbas nuancimeve që rrallë na bien në sy në jetën e përditshme a në literaturë. Tek e vërteta autori arrinë shkallë-shkallë, po si një arkeolog që i heq ngadalë shtresat që e mbulojnë thesarin e tij dokumentar, që i heq me durim bashkat e gënjeshtrave mbi ngjarje, përsonalitete dhe vise të caktuara shqiptare, sikundër janë Shkodra dhe Malësia e Madhe.
Është një libër që gërsheton përvojën e tij prej më se një dekade të marrjes me këtë problematikë. Si i tillë, ky libër përbehët nga polifonia e zhanreve dokumentare-publiçistike dhe nga polifonia e këndshikimeve të pasura: të pazakontë këtë libër e bën vetë gërshetimi i shumë zhanreve dokumentare-publiçistike-historike; përmban lëndë autobiografike, ashtu sikundër ka dhjetra biografi me figura e përsonalitete të anatemuara shqiptare; janë memoare dhe komente estetike; janë kronika tronditëse mbi periudhën 50-vjeçare nën diktaturë dhe rezistencën kundër saj. E pra, nga një këndshikim krejt i veçantë dokumentar, paraqiten portrete të shumë figurave me interes e që kanë lënë vulë në historinë shqiptare.
Një paradigmë historiko-dokumentare
Gjithnjë gjatë historisë në fronet e sundimtarëve kanë arrijtë të ulen edhe të papërgjegjshmit, diktatorë apo tiranë të çmendur. Tipi i sundimtarit të tillë gjithnjë përsonifikohet nëpërmes të Neronit, i cili dogji Romën, në vitin 64 pas Krishtit, kur shumë njerëz mbetën pa strehë mbi kokë. Nga frika se mos njerëzit çohen në kryengritje kundër tiranit; për ta larguar fajin nga vetja, për këtë krim Neroni fajëson të krishterët e pafajshëm. Këtu zënë fill përndjekja e mundimet e para kundër shumë të krishterëve, siç e dëshmon Taciti në “Analet” e tij: Një të përsekutuar të tillë njerëzit e Neronit e hodhën në kopenë e shtazëve të egra, ndërsa të tjerë i dogjen në zjarrët kastile të ndezura, si njerëz të djegur që shërbenin si “flakadanë” e që i stolisnin kopshtet e tij! Ndërkohë, Neroni argëtohej në këtë spetakel-makabër, bashkë me njerëzit e tij që i shërbenin me përulje, me servilizëm shtazërie. Taciti thekson se në përndjekjen e parë, këta të krishterë ishin të tejmunduar e të martirizuar “ingens multitudo”; dmth. “jashtzakonisht shumë”.
Papa Klementi i Parë ka shkruar për martirizimin e Shën Pjetrit e të Shën Palit: I pari përjetoi vdekje martire mbasi e kishin burgosur, i dyti gjuhej me gurë, prangosej e arrestohej, derisa kishte arritur t’ju ikte gjakpirësve romakë; por jo edhe prerjës së kokës me 29 qershor të vitit 75 pas Krishtit. Hebrenjtë, për shkak të gjelozisë fetare, i kishin ndërsyrë romakët kundër të krishterëve! Martirizimet e të krishterëve ilirë mbahen mend e shënohen gjithandej. Flori dhe Lauri, dy shenjtorë ilirë, gurgdhenës, që u flijuan e i mbyten në tortura, për shkak të besimit në Hyjin e Vetëm. Këta martirizime të pafund erdhën deri në kohën tonë. Té e fundit, të përkujtohen të martirizuarit, është obligim jo vetëm fetar: Martirizimi nuk është ngjarje që e shënon të kaluaren; është përmasë që e ka përcjellë besimin e krishterë gjatë gjithë historisë. Georges Bernanos, shkrimtar francez me frymëzime katolike, në veprën e tij “Shtëpia e të gjallëve dhe e të vdekurve” shprehet: “E ardhmja nuk ju takon të vdekurve, po më shumë atyre, të cilët kanë bërë që të flasin të vdekurit dhe të cilët na e shpjegojnë se përse vdiqen Ata!”.
Passiones – ligjërime mbi martirizimin, martirologjia
Passiones quheshin ligjeratat dhe predikimet që mbaheshin në Ditën e Martirizimit të akcilit shenjtor a të martirizuar, ditë që shenjohej si Ditëlindje në Qiell. Janë të tejvuajturit e të stërmunduarit e panumert e krejt anonimë Ata që u martirizuan për besimin në të Vetmin Hyji, siç dëshmon Rabban Slib për martirizimin e Shën Bizantit “dhe të tjerët që më Té u martirizuan”. “Të tjerët” është simbol i të gjithë Atyre që u martirizuan dhe nuk mund t’i zërë asnjë martirologji, nënvizon Bibliotheca Sanctorum. Në kohën e Dioklecianit, po ashtu, të krishterët janë martirizuar, tejmunduar e vrarë masivisht. Dhe kështu deri në ditët tona. Prandaj, të martirizuarit, që nga fillimi e deri më sot, ishin dhe janë për Kishën ndër më të nderuarit. Emrat e Tyre kanë hyrë që moti në Kalendarin Kishtar. Mbi këtë bazë përnderimi e përshpirtërie, mbi këta shënime e shkrime, që quhen Acta Martyrum; më vonë është zhvilluar martirologjia, për t’i përkujtuar të martirizuarit e besimit e të fesë së krishterë; për të mos i harruar Ata asnjëherë. Së këndejmi, edhe veprën e Fritz Radovanit do ta konsiderojmë të kësaj fryme homazhi e perkujtimi, si vepër e martirologjisë shqiptare. Dhe që nga kohët ilire, arbërore e deri té kohët moderne shqiptare; besimtarët dhe Kisha krenohen me të drejtë për emrat e këtyre të martirizuarve, si Shëmbëlltyra të Mëdha për ndihmesën që dhanë Ata për krishtërimin, besimin, po edhe për Evropën vetë, si Mburojë Shpirtërore e saj. “Evropë, mos harro….”, sikur qorton Fritz Radovani. Të mos harrohen Golgotat e Kalvarët shqiptare të kohëve moderne, as atyre të shkuara. Porse ky qortim vigjëlon edhe mbi kokat e Kombit Shqiptar; tek ky veprim e merr trajtën e sindromit të moskokëçarjes për traditën tonë! Sindromi i harresës së martiriumit kaq tragjik shqiptar! Tragjikë e shumëfishtë: jo vetem e “shpërblimit” me jetën e dhenë për “Fé e Atdhé”; po tragjikë e zhdukjes ultrainkvizicionale të bibliotekave, dorëshkrimeve, dokumentëve, madje e zhdukjes edhe të një varri! Por jo: Radovani, krenar e i patundur në mbijetojen e Tij të Shpirtit, thotë se ato dëshmi janë të pazhdukshme. Sëpse krenarë ishin vetë Ata të martirizuar, që kishin shpirt liridashës, shpirt atdhetarie e shpirt të shkrirë në lartësitë e besimit në Hyjin, në Jezusin e kryqëzuar nëpër pamjet e historisë shqiptare. Vetë krishtërimi e pati ngritur në normë njerëzore e religjoze martirizimin për të arritur tek vlerat e Amshueshme, si dhe tek majat e përsosmërisë: “Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë. Kështu do ta gjeni pushimin për shpirtin tuaj, sëpse, vërtetë zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë” (Mt 11, 28-30).
Rrëfimi dokumentar si udhërrëfim
Libri, me gjithëse ka lëndë të shtrirë; përmban referenca të dokumentit e të tekstit historik; mbështetet në dëshmitarin e gjallë, pa fryerja dhe ekuivoke. Sëpse, sikundër dihet, preciziteti dhe saktësia janë imanencë e dokumentit historik. Substancë e përmbajtjes është vetë dokumenti. Në historinë më të re autori gërmon këto rrenjë shqiptare, gërmon harmoninë shqiptare përballë fytyrës së krimit dhe egërsisë së ndërhyrjes së armiqve shqiptarë, sllavëve, të cilët injektuan ideologji përçarëse. Parametri i këtij gjurmimi gjithnjë është humanizmi, njeriu, fytyra njerëzore. Drita dokumentuese e hedhur nëpër minierat e kujtesës e të katakombeve të historisë më të ré; përqendrohet pikërisht në kërkimin e së Vërtetës. Martirologjia shqiptare e Radovanit i numëron me durim e devocion rruazat e Rruzarës Shqiptare të shembëlltyrave, figurave, bëmave, që lanë gjurmë: “Ata vdiqën vetëm para syve të atyne që i martirizuan, Ata u kalbën në qelitë e Sigurimit për së gjalli. Varrët e tyne kulluan vetëm gjak, gjak të pastër shqipesh që i thërriste dhe i bashkonte në një ideal e gjuhë të përbashkët. Për né asht e vështirë me e kuptue martirizimin shpirtnuer të Tyne, mbasi na nuk e kemi provue vetminë e Tyne, dhimbjet e plagët e trupit të Tyne, zanin e mekun të Tyne që përshpëriste thanjen e Mustafa Krujës: “Shqipni e andrrueme prej poetëve, e dishrueme prej atdhetarëve, e këndueme prej rinisë”, por realiteti kje vetëm mjerim, vuajtje dhe sakrificë” (fq. 46). Së këndejmi e shijojmë atë gjykim të autorit për t’i dhënë në secilin rresht dëshmitë e të Paasgjësueshmes, të Pashkatërrueshmes së Shpirtit shqiptar e solidaritetit njerëzor. Ai i kërkon fijet e pashkëputëshme të atdhetarizmit me besimin e patundur në Hyjin: “Motër, ti lutu, se myslimanë e katolikë, të gjithë bashkë një Zot besojmë” (fq. 88). Ai dëshron të dëshmojë: “Me fakte vriten profesorë, filozofë, avoketën, antifashistë, atdhetarë, klerikë, njerëz të thjeshtë, të pastrehë, vriten e vriten pikërisht Ata që me trûtë e tyne, tue dashtë me i sherbye Atdheut, stërklatën me gjakun e Tyne muret ….”.
Ai e veçon atdhetarizmin e At Mati Prennushit, i cili që nën sundimin turk “…la përjetësisht gjurmët e veta të pashlyeshme në formimin atdhetar e fetar në të gjithë ata shqiptarë, që edhe pse ishin nën pushtimin mizor turk, formuen atë brezni që Shqipnia nuk do të mundet me e persëritë kurrëma”. (fq. 173). Po ky Mati Prennushi që iu kishte pri çetave të armatosura kundër Turqisë, Ai që ishte profesor gjimnazi; Ai që me 24 Mars 1911 bashkë me At Buon Gjeçaj shpalosën nga gjoksi i tyre flamurin në Deçiq; Ai do të dënohet me varje në litar nga malazezët, po me 1926 dënohet me pushkatim edhe nga Zogu (kur u ekzekutua nga bandat zogiste Don Gjon Gazulli), pse ishin në anë të Opozitës noliane; po ky At Mati do t’iu shpetojë këtyre ekzekutimeve. Po ky At Mati që do të konsiderohet nga autoritetet fashiste italiane si “françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane” (fq. 176); nuk do të mundë t’i shpëtonte edhe një ekzekutimi tjetër të egër e mizor, nga regjimi i diktaturës komuniste, atij të vitit 1948 “për veprimtari antikombëtare”!
Me kësi devocioni të veçantë dokumentar Fritz Radovani i bën edhe portretet e françeskanëve e të figurave tjera, tek shkruan për jetën e tyre: Të prof. Filip Fishtës, Don Alfons Trackit, avokat Paulin Palit, prof. Kol Prelës, Mësuesit Pjetër P.Pali, Imz. Prof. Jul Bonattit, prof. Arshi Pipës, prof. Prenkë Kaçinarit, Don Anton Muzajn, Don Aleksandër Sirdanin, Don Pjetër Çunin, Imzot Frano Gjinin, Imzot Vinçenc Prennushin e Don Kolec Prennushin, At Çiprian Nikën e At Donat Kurtin, ashtu sikundër portretizohen edhe: Injac Baqli, Martin Sheldija, Don Dedë Malaj, At Pjetër Meshkalla, Don Simon Jubani, Don Mikel Koliqi, At G.Gardin etj. Shumica e tyre janë të pushkatuar, kurse të tjerët vuajten burgje të gjata.
Me dëshmi të sakta Radovani i numëron 26 burgje të vitëve të para të pasluftës së Dytë vetëm në Shkodër! E, në burgje ishin shndërruar shtëpitë, konviktet, kishat, kuvendët e motrave të nderit, shkolla e Çelës, hotelet, spitali etj! Autori që në fillim përmend krimet e shëmtuara: “…mbasi nuk pranuan akuzat, u torturuen e u hodhën nga dritaria Simon Darragjati e Kolec Deda, prej hetuesve Fadil Kapisyzi, Lilo Zeneli e Zoi Themeli”. Këta emra hetuesish gjakatarë do t’i ndeshim shpesh nëpër faqet e librit.
Parakalojnë veprime të tjera kriminale të shtetit: Avokat Muzafer Pipën e mbyten në tortura Zoi Themeli e Vaskë Koleci; Don Mark Hasit ia mberthei gjuhën për tavolinë hetuesi kriminel Nesti Kopali; At Gjon Shllaku është pushkatuar me plagë të hapura, për ta detyruar me pranuar se e paska formuar Partinë Demokristjane Shqiptare, e cila ishte një krim për regjimin e ri! At Bernardin Palajn e torturonin me rrymë elektrike dhe vdes duke e torturuar. Se kush janë këta dy të fundit, e di historia moderne shqiptare, me emrat e të cilëve shenjohën kapituj kulture, dije, literature e veprimi.
Populli shqiptar në Veri nuk pajtohej me venien e një regjimi të dhunshëm diktatorial. Prandaj, autori shkruan për veprimtarinë kundërkomuniste të “Besëlidhjes Shqiptare të Veriut”, për Kryengritjen e Koplikut (1945) nga Llesh Marashi, për Kryengritjen e Kelmendit nga Prenk Cali (1945). Për shkak të këtyre dy kryengritjeve u pushkatuan pa gjyq 118 burra të Malësisë së Madhe. Rezistenca kundërkomuniste vazhdon me Luftën e Berdicës e të Anës së Malit (Shkurt 1945), me përpjekjen e formimit të Partisë Demokristjane Shqiptare e me formimin e Organizatës “Bashkimi Shqiptar” (Maji 1945), me Demostratën e Parë antikomuniste të rinisë shkodrane, me rastin e varrimit të Imzot Gaspër Thaçit (26 Maji 1946), me Kryengritjen e Postribës (9 Shtator 1946), me organizimin e 400 burrave të armatosun ndër male (1945-1948), me luftën e armatosun kundër regjimit komunist në Mirditë (1945-1954), me çetat e maleve në Shqipninë e Mesme (1945-1947), me grupet antikomuniste të studentëve shkodranë (1945-1950), me shkrepje armësh nga atdhetarët e Kosovës (Maria Shllaku, At Bernardin Llupi, Kol Parubi, mësuesi Gjergj Martini), me kryengritjen e Myzeqesë (Korrik 1947) etj. “Volume të tëra nuk mund të plotësojnë qëndresen shqiptare të Pjetër Dedës me gruan e Tij Maria Zojzi, të Angjelina Markut, të Ludovik Saraçit, të Jup e Seit Kazazit, të Pashuk e Pal Bibë Mirakajt, të Frano Mirit, të Gjon Dodanit, të Hasan Isufit, të Dodë Nikollës, të Marash Ndue Mirit, të Pashko Zef Hotit, të Hysen Lepenicës, të Zagoll Shenës, të Sami Lepenicës etj., shkruan Radovani. Me formulën Fé e Atdhé “lindte dhe vdiste Malësori”, dëshmon autori, duke ua njohur ndikimin e madh atdhetar françeskanëve shqiptarë. “E vetmja gja ku nuk ka rrejtë Enver Hoxha, asht kur shkruen për qendrimin antikomunist të katolikëve”, nënvizon Radovani. Prandaj, edhe veprimet e para të komunistëve zhvillohen pikërisht kundër Parisë së Malësisë dhe Klerit Katolik. Kështu, me 17 Janar 1945 arrëstohen të parët At Gegë Lumaj e At Dioniz Maka, të dy klerikë atdhetarë. Ndër të parët pushkatohet Sylë Martini, në oborrin e Kishës, në Kodër Shën Gjergj. Në ndjekje të At Anton Harapit pushkatohen dhjetë djelm të rinjë. Një tragjedi e rrëfyer më vete është pjesa “Kulla pa rrugë”, në fshatin Razëm, ku forcat e Ndjekjes, të prirë nga Asllan Lici e Xhemal Selimi (përmendën shpesh në këtë libër për shumë krime të kryera), me 1946 i kanë vrarë të gjithë fëmijët e nënat e tyre, burrat e shtëpisë vritën duke rezistuar, vetëm pse nuk i dorëzuan miqtë e strehuar. Kol Nuri Sheldija u pushkatua vetëm pse i dha bukë Don Lazër Shantojës (edhe ky i fundit i pushkatuar me 5 Mars 1945, mbasi ia kishin prerë këmbët me sharrë). Figura e njohur e letrave shqipe, Don Ndre Zadeja, pushkatohet me 25 Mars 1945, duke shqiptuar fjalët: “Ah moj Shqipni, moj mizore, e shka me ba ma shumë për Ty?!”. Po atë ditë, afishja e varun në të gjitha murët e Shkodrës, thotë: “Pushkatohen kriminelët e luftës, armiqtë e popullit: Prenkë Cali, Don Ndre Zadeja, Luigj Gjeto Kastrati, Ndok Nik Bardhoku, Ndrekë Loka, Arif Selim Hyseni, Dedë Lulash Smajli, Gjokë Nikaj, Dul Bajrami, Mark Luc Gjoni, Tomë Lekë Daka, Maliq Bajrami, Gjokë Nikoll Voci e Pjetër Dedë Gjedashi.” Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Pjetër Gegë Gurakuqit, Hysen Elezit e Skender Çaushajt. Libri jep bëma e dëshmi të autorëve të gjallë të krimeve: Aranit Çela, Lilo Zeneli, Xheudet Miloti, Xhemal Selimi, Toger Baba, Shyqyri Çoku, Dhimitër Shkodrani, Asllan Lici, Hysni Ndoja etj. Dëshmi tmeri, torturash mizore: At Serafin Kodës hetuesi ia nxjerr gabzherrin me thonj; mbyten për së gjalli Papa Josif Papamihali e Papa Pandit i këpusin kokën me sopatë; tri ditë e lidhin me një të vdekur At Frano Kirin; Don Mikel Beltojen hetuesit e shkyejnë për gjymtyrësh (1974). Në Janar 1946 në bankën e të akuzuarve dalin 36 burra, ndër ta pushkatohen: Patër Giovani Fausti, Patër Daniel Dajani, Patër Gjon Shllaku, Mark Ndoc Çuni, Qerim Sadik Myftari dhe Gjelosh Lulash Bajraktari. Para pushkatimit të gjithë deklarojnë se i falin vrasësit e tyre! Për Lëvizjen e Postribës, më 9 shtator 1946 pushkatohen Imzot Frano Gjini, At Mati Prennushi, Don Nikoll Deda, Pjetër Deda me gruen Marijen dhe 16 vetë të tjerë. Dhe kështu me radhë rreshta të pafund të pushkatuarish e të dënuarish. Autori vë para tryezës së lexuesit aktakuzat, dokumentë, dëshmi, deklarata para gjyqit e vëndime gjyqi për pushkatim ose dënime me burgime të gjata.
I vetmi kompromis, si kriter i së vërtetës te Radovani, është ai në mes atdhetarizmit, tolerancës ndërshqiptare; kulturës shqiptare të bashkëjetesës, si dhe faljes së krishterë. Ndërsa kriter tjetër i së vërtetës është mbështetja tek dëshmitë e një autoriteti: se sa është e qendrueshme Ideja apo e Vërteta që e shqipton në librin e tij autori: Bie fjala, siç janë vlerat supreme, si françeskanizmi, demokracia, europërendimorizmi shqiptar. Megjithëatë, Fritz Radovani ia nxjerr edhe rrënjën katrore kësaj dosjeje të diktaturës. “Çthurja e mendjes së njeriut, zymtimi i intelektit, përçudnimi i normave morale dhe shkatërrimi i ndërgjegjës nën sundimin e frikës, mbizotnonin kudo në vendet komuniste. Sadizmi i Sigurimit të Shtetit asht kenë kaq i institucionalizuem e i përhapun, sa ke përshtypjen, se me të vërtetë ndër tre vetë, një ishte spijun”(fq. 332). Rrëfimi i tij është udhërrëfim. Rrëfimi i tij dokumentar është Mburojë e Shpirtit Shqiptar. Mbase, rrëfimi dokumentar në vetën e parë i Radovanit mund të lexohet si udhërrëfim për ata që dyshojnë: te e fundit, secili e ka rrëfimin e vet të së Vërtetës; e ka Subjektin që mund ta tregojë e dëshmojë. Shkodra dhe martirologjia shqiptare, pra, e kanë Fritz Radovanin, i cili ka pasur paraqitjet e tij të ngjashme që në fillim të vitëve ’90 të vëllimi i shumë bashkautorëve “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990”, i botuar në Shkodër më 1993.
Modalitetet e së vërtetës
Ndryshe, Radovani na bind se historia nuk do të shërbente askujt, nëse nuk i paraqet shembujt e mirësisë e të së vërtetës. Dihen kriza dhe kaosi që shpërthyen në vitet’90 të shekullit të kaluar në Shqipëri; por secila krizë është edhe shans për kthesë e ringjallje, është shpresa vetë. Në fushën e këtij kaosi autori përveçon më të saktën, përveçon përpjekjet njerëzore për t’i dhenë kuptim kohës, ekzistencës, jetës njerëzore, sëpse nuk i do rrëmujen, përsëritjen e tragjedive të reja. “Një monument nën dhé” i jep lëndës historike trajtë në tekstin e tij shumëformësh dokumentar: nga një monolog historik, kalon te rrëfimi i dëshmitarit; nga deklarata para gjyqit, nga akuza e vëndimi i gjyqit për dënim te thënjet e fundit të të denuarve para çastit të pushkatimit; nga pasazhet dokumentare të përshkrimit nostalgjik të një pejsazhi, fshati, rruge, kishe, lagjëje a pjese etnografike, te “lamshi i rrymave polike” në kaosin shqiptar të Luftës së Dytë Botërore e të totalitarizmit të pasluftës për 50 vjet; nga përshkrimet e shëmbëlltyrave të klerit katolik shqiptar e deri te përshkrimi i portreteve të hetuesve, gjykatësve, policëve e politikanëve komunistë; nga shëmbëlltyra e pafajsisë dhe ëngjëllsisë së motrave shqiptare të nderit gjithë sakrificë e përvujtni e deri te fytyrat e xhelatëve të regjimit; nga tipi i komponimit historik të ngjarjes e deri te rrëfimi krejt intim familjar; nga memoari efektiv te ai nostalgjik; kurse autorët e aktantet historikë, në gojën e të cilëve dëshmon të vërtetën, janë të shumtë. E vërteta në Rruzarën e tij martirologjike është modalitet specifik edhe i objektit të trajtuar, edhe i subjektit në cilësinë e dëshmisë e të dëshmitarit.
Libri i Radovanit e ngërthen edhe rininë e tij të shkrimit: ai paraqet trajten deri tash të pashkruar të dokumentit, të dëshmisë, tek ngërthehet në ngjarjet e një hapësire e kohe të caktuar; dhe ky është ai monumenti e amaneti euroshqiptar “nën dhé”, sikundër e quan me metaforën e tij dokumentare, që i karakterizon njerëzit, brezat dhe atë hapësirë shqiptare të Shkodrës e përreth, të Malësisë; është njaj rrëfim i nëndheshëm, i ruajtur si Uratë, si Rruzare, si betim e si besim përballë ngricave të kohës. Gjithsesi që historiani gjakftohët do të mund t’i bënte vërejtje autorit, që, brenda një paraqitjeje dokumentare të njerëzve, kohës, ideve dhe ambienteve; ka theksuar më shumë tezën e Kohës së Errtë “të sistemit ma përbindesh që mbështetet në një dhunë të pamëshirshme dhe propagandë fund e maje vetëm rrena”. E themi këtë, sëpse kjo do t’i shkonte tashmë për shtati nevojave të politikës ditore të sunduesve të zgjedhur nga “vota e lirë”, për të shkaktuar rrëmuja, kaos e tragjedi të reja shqiptare, ashtu sikundër edhe ndodhen dy herë gjatë vitëve ’90. Së këndejmi autori nuk e përdorë fusnotën, e cila do t’i hapte forcë trajtës dokumentare. Ndërkaq, rrëfimi në vetën e parë paraqet një modalitet të veçantë të së vërtetës. Mbase, këtë trajtë dokumentare personale e subjektive të rrëfimit në vetën e parë, ka dashur ta paraqesë si “amanet nën dhé”, si frymë etnie të veçantë të të gjithë shekujve të kaluar për brezat që vijnë. Edhe pse ky i martirizuar e “amanetxhi” është katoliku shqiptar, më i përafërt me habitusin e tij specifik; autori për asnjë çast nuk i largohet jetës së pandashme të binomit të tij “Fé e Atdhé”; Shqipërisë, Shqipnisë; Trojeve Etnike, Kosovës në veçanti. Ai nuk i ik faktit të njeriut shqiptar në kohë të turbullta e as pikëtakimeve të religjioneve, zakoneve, varreve, flamurit e gjuhës së përbashkët. Ai dëshron të na thotë, se diku, në një kokërr a guralec zalli, i bërë “shkamb i latuem”, i cili gjëndet “nën dhé”, ruhet shpirti iliropellazgjik dhe i krishtërimit antik. E në kufi të këtij shpirti gjëndëshin Roma dhe Greqia antike, aty ku u ngrit Evropa shpirtërore. Autori ka bindje se ky “shkamb i latuem” Shpirti, njëditë “do të ngrihet shumë lart”. Si vatër e vlerave të shquara të qytetërimit.
Trajta dokumentare e këtij libri është një ekzemplar specifik i paraqitjes së faktit të njerëzve, kulturës, fesë në periudhen e Mbasluftës së Dytë Botërore. “Jeto për të rrëfyer” thotë shkrimtari i gjallë legjendar kolumbian, Gabriel Garcia Markez.
Gjuha e përdorur është ajo e sensibilitetit të njohur ligjërimor shkodran, i njeriut shkodran, që ka trashëguar traditat atdhetare, fetare, etnike e popullore të mesit, i identitetit etnik euroshqiptar. Kjo gjuhë është testimonia illyrica et testimonia albanica e martiriumit dokumentar të Radovanit. Porse libri i shkruar në këtë trajtë letrare, asesi nuk e kundërshton standardin letrar të shqipës. Standardi gjuhësor, gjithsesi, është diçka tjetër, aspak i kontestueshëm. Është shpirti i dokumentit dhe i formimit dëshmues të autorit; ndryshe, do të vritej ky shpirt dokumentar.
Skena e ideve
Ekzistojnë disa sisteme religjioze, që, në praktiken spirituale, i mbështesin plotësisht vlerat e viktimës, sakrificës, martirizimit. Viktimizmi, është thënë shpesh, lindi si shprehje e nderimit dhe konsideratës ndaj Perëndisë, mbasi atë që e ka arritur njeriu, e ka arritur me ndihmen e Perëndisë, të cilit ia blaton atë. Autori nuk kërkon që të mbërthehemi e të murosemi në mizoritë e të kaluarës e as të murosemi në memorien e sakrificës së pafund shqiptare për “Fé e Atdhé”; për t’u mobilizuar tashmë në kryqëzata të reja hakmarrëse kundër kundërshtarëve politikë apo kundër mizorive të së kaluares. Ndryshe, sikundër thote Avi Berman, do t’i kthehëshim ciklit të traumës së përzgjedhur nacionale, sikundër iu ka ndodhur apo iu ndodhë popujve e kolektiviteteve të tëra. Ai dëshron ta mbyllë rrethin patologjik, në të cilin viktima mbetet ende viktimë. Prandaj ajo viktimë u dashka të hakmerret! Porse Radovani i përcjellë pikërisht ato mesazhet e faljes në momentin më të ndjeshëm të të martirizuarve para pushkatimit: Faljen për xhelatët e vrasësit! Sëpse, kështu kthehet dinjiteti nacional! Kështu lartësohet Ai “shkamb nën dhé”, Ai “amanet nën dhé”, apo jo!?
Krishtërimi dhe kujtesa
Krishtërimi e memorizon pësimin nga e keqja nëpërmes mundimeve dhe vuajtjeve. E kjo do të thotë se krishtërimi nuk e pranon harresën, por e ofron faljen pa imponime (siç thotë një frat kroat, duke e interpretuar faljen euro-të-krishterë). E ndërton paqën nëpërmes vetëflijimit e vuajtjes. Të martirizuarit kanë vdekur për shkak të Fesë, për shkak të besimit në Hyjin e Vetëm, ndërsa besimtarët i përkujtojnë me anën e një të kremte, gjithnjë me pikëpamjen se vlerat, të cilat përmendën e përjetohen në këso çastesh, janë më të shtrenjta e më thelbore se vetë jeta, se vetë karakteri kalimtar i kësaj jete. Dhe teologët e shqiptojnë këtë të vërtetë, si Vlerë dhe të Vërtetë të Besimit. Kujtesa e së Keqës, është thënë, është pjesë e kulturës së kujtesës përgjithësisht. Porse, në botën moderne, ajo kujtesë gjithnjë ka qenë në sherbim të krijimit të identitetit përsonal, po edhe nacional apo fetar. Së këndejmi e Keqja totalitare apo sistemore, tashmë bëhët pjesë e riformulimeve, e riformësimeve, gjithnjë sipas skemës bardh-zi, viktima-xhelati, për shkak të gjurmëve që ka lënë represioni i së kaluares. Për pesëdhjetë vjet, diku nëndheshëm, është latuar Kujtesa Alternative, Kujtesa e Viktimave dhe e të Martirizuarve përballë represionit totalitarist, përballë Kujtesës së Fitimtarit të Armës, që synonte shlyerjen e zhdukjen e Kujtesës së Parë; që pikësynonte, më në fund, imponimin e Një së Vërtete, kurse të tjerat të Vërteta duhet të heshtëshin. Nuk është e çuditshme, pse Kisha dhe bashkësia e saj fetare ka qenë Roja e Mburoja e kësaj Kujtese, e themelimit të këtij Identiteti nëpër shekuj, përballë inkvizicionit e shfarosjeve armike osmane, sllave apo komuniste. Kujtesa që ringjallet nëpërmes të këtij libri dokumentar nuk lëshon thirrje hakmarrëse kundër të tjerëve; porse kjo thirrje i drejtohet ndërgjegjës sonë njerëzore, fetare e nacionale për vetëdijësim, ndërgjegjës sonë historike si Mësuese e Jetës. E kjo Mësuese gjithsesi po e thotë e do ta thonë Fjalën e Saj. Edhe komunizmi jugosllav, bie fjala, sadoqë paraqitej i moderuar, megjithatë ka qenë po aq i egër sa ai “shqiptar”. E ka pasë po të njajten fytyrë krimi: Në Kroaci, bie fjala, partizanët jugosllavë i kanë vrarë 488 priftërinj, kurse 43 ndër ta i vranë çetnikët, nga gjithësejt 601 priftërinj të vrarë kroat!
Po kujtesa shqiptare? “Na kemi edhe pse me u krenue, se na ishim ata që për pesëdhetë vjet asnjëherë nuk e kemi harrue Formulen që na ka lanë Imzot Pal Engjulli…. që na e mbajtëm ndër mend, e mbajtëm edhe në zemër dhe shkuem tue bajtë vesh në vesh…. edhe pse për Té, ne ata na vritshin, e prandej na u ringjallëm”(fq. 405). Së këndejmi, edhe krenaria e ligjshme e Radovanit dhe e sivëllezërve të tij që i mbetën besnik Kishës së tyre, besimit të tyre, përgjatë të së kaluares kaq e kaq të rëndë dhe përballë mohimeve nga shumë krahë: se brendshmi nga shtrofimet, nga bjerrjet e nga sulmet më barbare ideologjike mbi këtë identitet nacioni, besimi, kulture, tradite, historie; dhe së jashtmi nga pushtues e sundues mizorë. Po tani, si të ndodhë shpëtimi dhe ringjallja! Forcimi i identitetit! Qortimi i autorit, sigurisht, na vjen edhe në shumë drejtime tjera për të përballuar situaten e rëndë dhe përvojat e përbuzjes së turpshme të identitetit tonë: si të ringjallen, jo vetëm faltoret, po edhe varret; edhe bibliotekat e dikurshme; edhe shkëlqimi i dikurshëm; edhe shembëlltyrat martire; edhe çdo shenjë tjetër e lavdisë se dikurshme e të tashme shqiptare. Domethënë: atë që ua kanë bërë për të gjallë, të mos ua bëjmë né për së vdekuri! Kurse vepra “Një monument nën dhé” dëshiron të na dëshmojë, se Historia dhe e Vërteta mund të vonojnë, po jo të humbasin; sëpse, Historia është Muzë e së Vërtetës; sëpse, Historia gjithnjë e gjithnjë e kërkon këmbëngulshëm të Vërtetën për të vrarët, të zhdukurit, të burgosurit, të munduarit e kësaj bote shqiptare për “Fé e Atdhé”. Dhe kjo e Vërtetë flet tashmë nëpërmes gojës së shumë dëshmive e dëshmitarëve, nëpërmes Fritz Radovanit: Ata nuk qenkan as pa emër, as të humbur, as të zhdukur e as të vrarë, po të gjallë në memorien e Altarit nacional për martiriumin tonë, për të gjitha Kalvaret e trandjet tona të pafund. Për rrënjët tona, një libër tepër i trandshëm, me ashpërsi fisnike të memories sonë përballë luftrave dhe totalitarizmit e diktaturës. Është një testament shqiptar i llojit të veçantë mbi Martiriumin 50-vjeçar. Jezusi nga Nazareni u kryqëzua për ta shpëtuar botën; kurse të martirizuarit shqiptarë u kryqëzuan në misionin e Tyre për ta shpëtuar vizionin e Tyre për Tokën e Shenjtë krejt të veçantë; për shpëtimin e binomit “Fé e Atdhé”, Besim, Shqipëri, Troje Etnike. Vërtetë , Ata nuk kanë qenë në kërkim të vetëflijimit marcial; porse jo pak ndër Ta kanë ditur të përndriten në Altarin e nacionit edhe me armët në dorë kundër pushtuesve a kundër diktaturës.
Françeskanizmi
Duke shpalosur kapituj martirizimi të françeskanëve, të intelektualëve e të figurave tjera të klerit katolik të Shkodrës, Fritz Radovani na i shpalos fshehtësitë e shpirtit të tyre; do të thotë, i shpalos forcat që e venë në lëvizje jetën e tyre, përvojat e tyre. Dhe, duke e shpalosur, kështu, intimitetin e këtij shpirti në bashkëshoqërim me Hyjin, shpaloset besimi i qendrueshem i gjithë këtyre figurave, ashtu sikundër na del aq e lartësuar, aq e begatshme, aq e madhnueshme e krenare jeta e tyre.
Në Madrid, në vitin 1973, ështe mbajtur takimi i Rregullit i Vëllezërve të Vegjël, në të cilin, ndër tjera, thuhet: “Jeta e françeskanëve përqendrohet te përvoja me Hyjin në bashkëshoqërim me takimin përsonal me Jezusin. Pa marrë parasysh se nga cili këndshikim i marrim – lutjen, vëllazërimin, varfërinë, praninë ndër njerëz – i gjithë plani ynë përqendrohet tek besimi”.
Gjithnjë është fjala për atë lëvizje të madhe e që u quajt Rregulli Françeskanë, e mbështetur në jetën e në veprimtarinë e Shën Françeskut të Asizit; lëvizje që doli nga meset kulturore e nga problemet shoqërore të shek. XII e XIII.
Siç dihet, puna dhe rregulli i disiplinës së madhe që kishin françeskanët nëpër shekuj, e kanë tronditur dhe mrekulluar për të mirë shpirtin dhe mendjen e besimtarëve nëpër të gjitha kohët. Kishin shpirt të shumanshëm dhe kanë zhvilluar veprimtari në shumë drejtime të ndryshme. Françesku i Asizit, i lindur më 1182 në Asizi, nga një familje tregtare, diku kah 1206 ka përjetuar një kthesë religjioze dhe publikisht, para ipeshkvit, hoqi dorë nga “pasuria dhe familja”, duke u tërhequr në jetën asketike te një kishëzë (çelë) në rrethët e Asizit. Së shpejti i bashkangjiten shumë përkrahës nga radhët e popullsisë së varfër; në vitin 1208 ai i shkroi rregullat për vëllezërit e tij, me atë rast themelohet edhe Rregulli i Vëllezërve të Vegjel (Ordo Fratrum Minorum). Në vitin 1212 Françesku udhëtoi në Siri (me atë rast kthehët në Dubrovnik), kurse në të njejtin vit me Shën Klarisën e themelon të njejtin rregull për femra. Mandej shkon në Marok (1214), më 1219 në Tokën e Shenjtë, ku i ndërton Shpellat e Betlehemit dhe ku e përhapë dhe predikon krishtërimin ndër banorët myslimanë, me gatishmërinë që të flijohej e martirizohej. Kthehët në Asizi, i riformulon rregullat e reja (1223), të cilat vlejnë edhe për sot. Vdiq më 3 Tetor 1226, dhe varrosët rrëzë Asizit, kurse më 1228 shpallet Shënjtor.
Rregulli françeskan përhapet shpejt në shtresat e varfëra të Italisë. Françeskanët në fazën e parë i ndertojnë kuvendet e veta afër qyteteve, po nuk hyjnë në qytet. Mandej përhapet në Teutoni, Angli, Pragë etj. Ideologema françeskane “Fé e Atdhé” në Shqipëri, i kishte rrënjët e saj nga thellësia e shekujve; koncept që paraqitej gjithnjë me fytyrë të re e të përtëritur. Prandaj, pranë emrave të At Gjergj Fishtës, At Anton Harapit, At Shtjefën Gjeçovit, At Bernardin Palajt, At Vinçenc Prennushit, At Anton Xanonit, At Marin Sirdanit, aty ku do të bëjnë po atë hir edhe veprat e Leonard de Martinit, Don Ndue Bytyçit, Mjedjës, Nikajt etj. do ta vazhdojnë po atë traditë të lashtë që nga kohët e Shën Hieronimit, Barletit, Bardhit, Frangut, Buzukut, Budit, Bogdanit, Kazazit, etj. Tradita françeskane në Shqipëri vjen që nga viti i largët 1240, siç thotë Marin Sirdani, “me përhapë gjithkahë qytetnim e besim”, duke u martirizuar nga “shpata mizore e anmikut” shekullor turk; françeskanët “qindruen roje e strukun, prej Nordit t’Shqipnisë edhe kurë për ket vend Europa nuk diftojte ma kurrnji interesë, e kur pushtimi turk bajte çmos për me zhgatrrue çdo shej krishtënimi” (Thallòczy); po këta françeskanë “vijuen nji luftë të pareshtun për Fé e Atdhé qi zgjati ndër shekuj” (M.Sirdani). Janë po këta emra që themeluan kulturën nacionale, gjuhën, letërsinë, arësimin etj.
Nga ana tjetër, veprat e Anton Harapit nuk mund të qendrojnë jashtë yllësisë kulturore-letrare të kohës e jashtë logos-it të këtij realiteti. Prandaj, ai do të inkuadrohet, me veprën e tij e me veprimtarinë e tij, në krahun e konceptit kulturor-social-politik të françeskanizmit shqiptar “Fé e Atdhé”, kur në spektrin e ideologemave të shfaqura, sikundër e vërejnë studjuesit letrarë të kësaj periudhe, artikuloheshin kërkesat. Diskurset e narracionit dokumentar, tek gërshetohën me diskursin historik atë vlerësues apo paraqitës etj., e krijojnë të njejtën përmbajtje.
Ky libër vërtetë është edhe i guximshëm, sëpse hyn mu në zemrën e shtetit, në makinerinë drejtuese të partisë e të shtetit. Ai, me dokumentaritet të rallë, depërton në zyrat e hetuesisë, në këto qendra fatkeqe të rekrutimit; tek togat e ndjekjës, arrestuesit, hetuesit, torturuesit, vrasësit, gjykatësit dhe prokurorët, sekretarët e zyrave të spijunazhit, rojet e “rritësit e zagarëve të Sigurimit”. Motivet e një paraqitjeje të tillë janë gjithsesi humane: Nxjerrja e fakteve në dritë hap shtigje nga e mira, sëpse do të zhdukeshin njëherë e përgjithmonë mjetet e frikës, të terrorit, të përçarjes, të mizorisë së njeriut ndaj njeriut.
Pjesa e pestë dhe e fundit e librit, shkruhet në shenjë të Ringjalljes Shqiptare, me ringjalljen e shpresave kur bjen Muri i Berlinit dhe komunizmi në Evropën Lindore; me Meshën e Parë mbas shumë dekadash, më 11 Nandor 1990, në Vorrezat e Rëmajit në qytetin e Shkodrës, nga Don Simon Jubani, ndërkohë që shqiptarët e besimit myslimanë, të armatosur, i ruajnë vëllezërit besimtarë katolikë gjatë Meshës nga ndonjë ndërhyrje prej makinerisë terroriste shtetërore.
Sintezë rivlerësimesh: Ideali Modern i Shumësisë
Vepra ka edhe një prirje tjetër, atë të rivlerësimit kritik të së kaluarës, sidomos të atyre raporteve tejet komplekse të situatave sociopolitike, historike dhe religjioze. I obsesionuar me të kaluarën 50-vjeçare, përpjekjet kërkimore të autorit përshkohen edhe nga potenca e refleksioneve dhe e diskursit të llojllojshem dokumentar e kritik të atyre periudhave e koordinatave historike; domethënë, në idenë e konfrontimit ideologjik totalitarist që e ka paraqitur në dritë të shtrembër këtë të kaluar, te e mjep fenomenologjinë e dukurive të modelit të tij kritik; por pa ambicjen për të përfshirë e rikonstruktuar gjithshka nga historia e fundit shqiptare. Radovani iu reshet kurthave dhe simplifikimeve historike dhe debateve të pafund për këtë periudhë. Vizioni autentik i Radovanit mbështetet po në ringjalljen e atyre traditave e modeleve arketipore të “martirizimit shpirtnuer” e të formulës “Fé e Atdhé”, gjithnjë në kontekstin e ringjalljes shqiptare, kur ndodhën thyerjet sistemore: “Do të përparojmë, ashtu si ka përparue gjithë Evropa…. edhe pse ju na keni gozhdue, edhe pse ju na keni vra, gjithmonë do të jemi, se jemi mbasardhësit e të Madhit Skenderbé…. e, se jemi Shqiptarë!” (fq. 405). Vërtetë, prej fillimëve të vitit ’90 e këndej është shkruar shumë për të kaluarën e afërt pesëdhjetë vjeçare, porse Fritz Radovani shkon më tutje. Anise përdoren visine e modele të tilla të paraqitjes, prapëseprapë autori do të këtë ndjerë ndjeshmërinë e kohës së sotme: Se jetojmë në kohë, të cilat tashmë iu kanë dhënë teposhtëzen utopive politike a ideologjike, ashtu sikundër thotë filozofi freng: “Subjektet polemike radikale figurojnë vetëm si –fantomë të së kaluarës –“.
Radovani i citon në disa vende profesorët a klerikët që kanë thënë në atë acar diktature, se “Komunizmi asht utopi e s’ka me u realizue kurrë” (fq. 31); se, “të gjithë ata që mendojnë kundër kësaj vegle vigane që quhet komunizëm….I mbuluem me lëvoren e pranueshme morale “barazi për të gjithë, pa dallim feje, krahine e ideje – tue rrokollisë miljona njerëz në këte humnerë, e provueme sot ma shumë se kurrë: Utopi” (fq. 155). Është e qartë që Radovani i kundërvihet Utopisë; përpiqet ta thurë një Kundërutopi. E di se Utopia veçsa e thekson mundësinë e realizimit radikal të një sistemi tjetër social e kulturor, në kundërshtim me sistemin ekzistiues të “klasave shtypëse”. Po cila është kundërutopia e autorit? Ai vetëm sa i thekson modelet që i theksuam më parë, karshi formulës: “Si gjithë Evropa”. Më tutje nuk shkon. Porse Mishel Fuko, dijetar freng, përmend nocionin heterotopi, si alternativë ndaj utopisë; heterotopia është hapësirë e ambivalencës e jo e konfrontimit; hapësirë e zhvendosjes (dislokimit) në të cilën ngjizen hapësirat e përmbajtjet e papërputhshme dhe të ndryshme. Nëse Teza e Radovanit është formula françeskane “Fé e Atdhé”, Antiteza e tij do t’ishte formula “Do të përparojmë si gjithë Evropa!”. Po Sinteza? Gjithsesi, Ky është Ideali Modern i Shumësisë. Është vetëdija për këtë pluralitet, Shumësi.
Po edhe nëpër polifoninë e këndshikimeve të librit, të duket sikur vigjëlon e ligjëron një Zë i Brendshëm, tek përcjell mesazhet drejt nesh. Është Ai zë që e bartim secili në vetvete: Shka duhet të bëjmë, shka është e mirë e shka e keqe, a veprojmë dhe a mendojmë drejt? Dhe, kur e përjetojmë katarzën tonë mbas leximit të këtij libri, do ta dëgjojmë pyetjen e Jezusit: “A dëshiron të shërohesh?” (Gjon. 5,6.)
Zagreb 2004.
*Parathënie e librit “Një monument nën dhé” të Fritz Radovanit
Komentet