Demë Ali Pozhari (1905 – 1969)
Demë Ali Pozhari u lind më 1905, në fshatin Pozhar të Deçanit. Arsimin fillestar e bëri në Kosovë, ndërsa Gjimnazin Jezuit e vazhdoi në Shkodër. Historia e Familjes Pozhari daton që prej tre shekujsh. Stërgjyshi, Ali Rexha, me të vëllanë Bekën, vritet tek Kalaja e Nishit, më 1876. Gjyshi, Mehmet Ali Pozhari, vritet në rrethimin e Sarajave të Avdullah Pashë Drenit, më 6 shtator 1878, në Gjakovë, ku u vra Mehmet Ali Pashë Maxharri, me origjinë gjermane nga Magdeburgu i Gjermanisë. Babai, Ali Mehmeti, arsimdashës, në shtëpinë e tij u hap shkolla e parë shqipe në Pozhar 1915-18, me mësues Ibrahim Fehmiu, babai i artistit të mirënjohur, Bekim Fehmiu.
Demë Ali Pozhari u shqua nga brezi i tij, qysh në rininë e hershme. Ai ishte pjesë e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Kontaktet të përhershme mbante me Profesor Ymer Berishën, Gjon Sereçin, Avdi Smajlin, nga Martinaj, Guci, Sadri Çakën, Mehmet Agë Rashkocin, Ukë Sadikun dhe atdhetarë të tjerë.
Në ballë të nacionalistëve nga Dukagjini, Rugova, Podguri, Drenica e deri në Mitrovicë, u vunë Demë Ali Pozhari e Kurt Abazi, Sak Fazlia e Sali Rama, Mulla Zekë Bërdynaj i Radavcit e Adem Bajraktari i Vranovcit, Ramë Alia e Bajram Gashi i Uçës të Istogut, Miftar e Cen Bajraktari i Llaushës, Shaban Polluzha e Mehmet Gradica të Drenicës.
Më 4 nëntor 1941, forcat çetnike sulmuan Pazarin e Ri (Novi Pazar-in). Për mbrojtjen e Pazarit të Ri dhe të Sanxhakut në tërësi, i cili dikur ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës, u mobilizuan 3.200 luftëtarë nga Kosova, me angazhimin udhëheqës edhe të Haqif Blutës, Xhafer Devës, Pajazit Boletinit dhe të tjerë. Në luftën e Pazarit të Ri ranë 144 dëshmorë nga Kosova, në mesin e tyre ishte edhe Bardhosh Dina Gërvalla, gjyshi i Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës.
Nacionalistët, kombëtarët mbajtën 11 Kuvende. Të parin në Gjakovë, më 1942 e, deri tek i fundit në Mirëditë, më 1945. Plava, Gucia, Rugova, Rozhaja, Tutini, Pazari i Ri, në rrezik pushtimi nga forcat çetnike serbo-malazeze.
Gjatë luftës ka udhëhequr çetat e Ballit Kombëtar, bashkë me Ramë Binakun e Dashinocit.
Enver Hoxha i ktheu në Kosovë djemtë komunistë të shkolluar në Shqipëri, për ta organizuar, kinse, luftën çlirimtare. Epërsia e forcave komuniste vinte në rritje, në raport me forcat nacionaliste.
Demë Ali Pozhari në vitin 1941 operonte në Plavë e Guci. Ai u vu në ballë të rezistencës, për mbrojtjen e Rrafshit të Dukagjinit, kundër forcave çetnike serbo-malazeze, të cilat, bartnin uniformën partizane jugosllave, tashmë, të inkuadruara në Brigada Partizane. Në aleancë me këto formacione kundra-shqiptare ishte edhe Partia Komuniste e Shqipërisë.
Nga viti 1942 deri më 1944, ishte kryetar i Komunës të Rozhajës. Por, kjo nuk e pengoi, për të drejtuar çetat nacionaliste, në mbrojtje të Dukagjinit, Plavës dhe Gucisë, si dhe në Sanxhakun shqiptar, që ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës.
Në korrik 1943, vullnetarët nacionalistë të Demë Ali Pozharit dhe të Mehmet Agë Rashkocit, bënë një operacion të suksesshëm, duke vrarë 60 ushtarë në Luftën e Shekullarit. Në muajin tetor 1944, Demë Ali Pozhari me Ali Bajraktarin, u bënë pengesë forcave partizane jugosllavo-shqiptare, duke mbrojtur Junikun.
Nga viti 1944 deri 1948, udhëheqësit ushtarakë të Lëvizjes nacionaliste, kaluan në ilegalitet Numri i luftëtarëve nën armë, ishte zvogëluar dukshëm. Numëroheshin rreth 40 vetë, të cilët përfaqësoheshin nga: Demë Ali Pozhari, Aziz Zhilivoda, (xhaxhai i Kolonel Ahmet Krasniqit), Ndue Përlleshi, Hasan Remniku, Metë Hasani e të tjerë.
Jeta ilegale e Demë Ali Pozharit ishte tejet e vështirë, duke pasur parasysh organizimin e përgjimit dhe përndjekjes komuniste. Konaku i Qelë Shabanit të Becit, ishte strehë bazë. Lëvizja ndër konaqe, ka qenë me rrezikshmëri të lartë. Intuita, nuhatja, zgjuarësia e Demë Ali Pozharit ka qenë proverbiale.
Goditja e Familjes të Demë Ali Pozharit, ka filluar para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878; ka vazhduar në vitet `30-a të shekullit të kaluar; në vitet `40-a e `50-a, e deri në luftën e fundit në Kosovë. Saga e Familjes Pozhari, do të vazhdonte me përgjakjen e brezave Pozhari. U vranë radhazi vëllezërit e Demës: Meta dhe Rexha. Djali i madh, Miftari, u ekzekutua në vitin 1946, nga rinia e OZNA-s, kur u kthye nga Hasi në Pozhar. Dy djemtë më të vegjël: Brahimi dhe Afrimi u helmuan nga pushtuesi në vitin 1950. Familja Pozhari u burgos, për tre vjet radhazi, nga viti 1946 deri 1948, në burgun e Gjakovës, kohë kjo e ilegalitetit të Demë Ali Pozharit. Vajza e vetme e Demës, Zylyhaja, edhepse e sëmurë, vazhdonte të vuante burgun, pa qenë e dënuar ligjërisht.
Kulla e Demë Ali Pozharit u dogj katër herë: E dogji turku, Serbia e Kralit, Jugosllavija komuniste e Titos dhe Serbia e Millosheviçit. Dhe, përsëri Kulla është ngritur nga hiri i saj. Në mesin e kullave të Dukagjinit, shquheshin Kulla-Oda e Junikut, Kulla e Pozharajve, Kulla e Osdautajve.
Vajza e Demës, që mbijetoi, ishte Zylyhaja, e lindur nga Nifa, bija e Haxhi Bajraktarit të Vranovcit. Zylyhaja u martua për Avdyl Shalën, në familjen e Rrustem Llukës, të shpëngulur në Lugun e Baranit. Zylyhaja simbolizon, veç nënës, edhe figurën tragjike të gruas familjare. Ditë gëzimesh, dasma, festa familjare apo fetare, i ka përlotur, sepse nuk arriti të martojë as vëlla, as motër. Por, përjetoi vrasjen e tre vëllezërve tadhazi, brenda katër vitësh. Fatmirësisht, vajza e vetme e Demë Ali Pozharit, Zylyhaja, pati një martesë fatlume. Ajo u bë nusja e Avdyl Shalës, nip i Rrustem Llukës, shtëpi konak dhe më zë në Dukagjin. Lindi, rriti, edukoi dhe shkolloi 8 (tetë) fëmijë. Në mes tyre edhe Shpend Shalën, kuadër i luftës për lirinë e Kosovës.
Më 1948, Demë Ali Pozhari, me disa bashkëluftëtarë, arritën të ikin në Greqi. Grekërit i ngujuan në një kamp izolimi dhe donin t`i shfrytëzonin për interesa të veta. Por, Demë Ali Pozhari ishte i pari i nacionalistëve të Dukagjinit, ishte udhëheqës i forcave të armatosura, që shtrihej në hapësirat, që nga Dukagjini, Plavë e Gucia, Rugova e Rozhaja, Tutini e Pazari i Ri dhe nuk pranoi të vihet në shërbim të askujt, përveç Atdheut të tij, Kosovës.
Pas tre vitesh qëndrimi në Greqi, Demë Ali Pozhari, me shokë, arritën të vendosën në Turqi. Në Stanboll u martua me Sabahate Shalën, familje e shpërngulur nga Peja në Stanboll, me të cilën lindën djalin Ibrahimin, më 1954. Sabahatja u sëmurë dhe vdiq. Dhe, Dema do të martohej me turkeshën Vasfije, një bukuroshe dinjitoze e krenare, motër e dy gjeneralëve turk.
Demë Ali Pozharit në Stanboll iu besua detyra e shefit përgjegjës për emigracionin. Ai ndihmoi dhe strehoi me qindra veprimtarë e luftëtarë kombëtarë, të përndjekur dhe të dënuar, në mungesë, nga regjimet komuniste, si nga Kosova, Shqipëria, trevat tjera shqiptare, jashtë Shqipërisë londineze, si dhe Çamëria, e pushtuar nga Greqia armike, kundra shqipatre.
Takimi me Demë Ali Pozharin
Hotel “Dajti”, Tiranë, nëntor 1969, e takova Demë Ali Pozharin. Edhe pse i moshuar, shtatë-lartë, me tipare të krenarisë dhe të bukurisë burrërore, rrezatonte kthjelltësi mendore dhe energji trupore. Me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, ishin ftuar bashkatdhetarë nga Mërgata, kryesisht, të moshuar, pjesa më e madhe mërgimtarë ekonomikë, të larguar para Luftës së Dytë Botërore, por, edhe ndoca politikë, nga trojet shqiptare jashtë Shqipërisë londineze. Në mesin e tyre ishte edhe Demë Ali Pozhari, që llogaritet si krynacioalisti i Rrafshit të Dukagjinit, udhëheqës i rezistencës, në mbrojtje të territorit tokësor, në Rrafshin e Dukagjinit dhe të Sanxhakut, përfshi edhe Plavë e Guci.
Emrin e udhëheqësit luftarak, Demë Ali Pozharit, për herë të parë e kam dëgjuar nga babai im, Sadri Smajli Zeqiraj. Ai ka qenë punonjës policie përgjatë viteve të Shqipërisë së Bashkuar, në Skënderaj. Dhe, prej andej shoqërues i udhëheqësit nacionalistit drenicar, Mehmet Gradica. Në vitin 1942, në Kuvendin e parë Kombëtar, të mbajtur në Gjakovë, me pjesëmarrjen e krerëve nacionalistë dhe komunistë, babai im Sadri Zeqiraj, shoqëronte krerët e Drenicës. Bënë përshtypje se në Kuvend marrin pjesë dy vëllezërit, Demush dhe Haki Taha, i pari me krahun nacionalist, i dyti me atë komunist. Demush Taha – Gjakova, është babai i poetit dhe shkrimtarit të njohur Agim Gjakova. Im at kishte takuar Demë Ali Pozharin, i cili, dy vite më vnë, do të bëhej edhe luftëtar i tij.
E ftuar e festës shqiptare ishte edhe Bije (Sabrije) Vokshi, kuadër e luftës, përkrah komunistëve. Familja Vokshi kishte jetuar në Shqipëri në kohën e Mbretërisë. Nipat e Bijës, Asim dhe Xhafër Vokshi ishin shkolluar atje. Në shtëpinë e tyre u themelua Rinia Komuniste Shqiptare. Aty u njohen edhe çifti i ardhshëm Nexhmije dhe Enver Hoxha. Gjatë luftës Partia Komuniste Shqiptare, vajzat dhe djemtë e Kosovës, të shkolluar në Shqipëri, i nisi, me mision, për organizimin e lëvizjes komuniste në Kosovë. Asimi ishte vrarë në Luftën Civile të Spanjës, “për mustaqet e Stalinit”, ndërsa Bija me Xhaferin u kthyen në Kosovë.
Për festën e çlirimit, Bije Vokshi arriti më parë në Tiraë dhe u vendos në Hotel “Dajti”. Ishim kurreshtarë pët takimin e parë, që do të kishin, pas një çerek shekulli, me Demë Ali Pozharin, si kundërshtar politik me armë. Ja, biseda e parë, në mes kundërshtarëve politikë të dikurshëm:
– Bije Vokshi: “Demë Ali Pozhari, po të kisha nxënë para 25 vjetëve, do ta zgjidhja lisin më të gjatë për me të varë”.
I menjëhershëm ishte reagimi i Demë Ali Pozharit:
– “Bije Vokshi, edhe unë po të kisha takuar në atë kohë, do të zgjidhja dy lisa të gjatë, në afërsi, sa të arrijnë këmbët tuaja, për t`i varë në ata, me kokë poshtë!”
Dhe, me kaq u bë pajtimi i dy kundërshtarëve politikë të luftës, që, dikur, përfaqësonin dy rryma armike me njëra-tjetrën.
Një armiqësi e hershme në mes familjes Vokshi dhe Pozhari zë fill kur vëllai i Demës, Metë Ali Pozhari, vritet nga një vokshian, fisi Thaç. Dhe, vrasja e Beqir Vokshit, më 22 janar 1923, i faturohet Familjes Pozhari, si hakmarrje. Por, e vërteta është se ekzekutimi i Beqir Vokshit është bërë ne urdhër të Hasan Prishtinës, dhënë Çetës të Azem Galicës. Dhe, intriga vazhdon, kur vritet vëllai tjetër i Demës, Rexhë Ali Pozhari, i faturohet Familjes Vokshi, por, në fakt, ai është vrarë nga xhandari sanxhakli Sheh Boshnjaku. Autorësia e vrasjes të Rexhë Alisë, është dëshmuar me “çystek-sahatin” e gjetur, ne rastin e vrasjes të Sheh Boshnjakut.
Për kurbanizimin e nusërisë të Bije Vokshit, përkushtimin për të rritur, shkolluar nipërit jetimër, përjetoi një dramë të veçantë jetësore familjare, me burgje, persekutime, internime nga të dy shtetet komuniste, jugosllav e shqiptar, do të shkruajmë një herë tjetër.
Ndonëse të moshuar, Bije Vokshi dhe Demë Ali Pozhari, patën një trajtim mjekësor të zgjatur, gjë që mundësoi ndejen dhe bisedën tonë, aq të dëshiruar. Bacës Demë i rrëfeva për tim atë dhe takimin në Kuvendin Konbëtar të Gjakovës, më 1942, në cilësinë e shoqëruesit të krerëve delegatë të Drenicës. Ai filloi të rrëfente për luftën, për betejat e fituara, por, edhe për luftën e humbur të forcave naconaliste, sepse u ndodhën në mes zjarrit të komunistëve jugosllavë dhe shqiptarë, “të cilët, njësoj, na trajtuan si armiq dhe na luftuan, bashkarisht, pa mëshirë!”
Është interesante përputhja e ngjarjeve historike në rrëfimet gojore, personale të Demë Ali Pozharit, me trajtimin që u ka bërë ngjarjeve të asaj kohe autori i librit, Shefqet Dibrani “Rrëfime për jetën e Demë Ali Pozharit”.
Është përfolur shumë pajtimi i nacionalistit të parë të Dukagjinit, Demë Ali Pozhari, me komunistin e egër shqiptar Enver Hoxhën. Aq më tepër, kur ishte, pikërisht, Demë Ali Pozhari, ai që u priu të 60 bashkatdhetarëve në takimin me diktatorin Hoxha, i fotografuar duke i cikërruar gotat. Jugosllavia do të reagonte se “Enver Hoxha u pajtua me nacionalistin, armikun e komunistëve jugosllavë e shqiptarë, gjatë luftës”. Këtë pajtim Demë Ali Pozhari e shpjegon me vullnetin e mirë dhe nevojen për t`u pajtuar e bashkuar shqiptarët, para sfidave të kohës dhe, në veçanti, në rrthanat pushtuese, që ndodhet Kosova. Dhe, këtë e shprehu botërisht.
Por, diktatorit Hoxhë nuk i pëlqeu, sepse, një vit më vonë, në vizitën e bërë, për herë parë në Tropojë, pas tej 60 viteve jetë, do të deklaronte se “popujt jugosllavë e shqiptarë, kanë derdhur gjakun, së bashku, në të njëjtat fushë-beteja”. Pra, kishte filluar flirti, po përtëritej miqësia shqiptaro-jugosllave. Mesazhi ishte i qartë: Kosova duhej të vazhdonte stutusquonë, të mos përmendej, për t`u bërë “mollë sherri”.
Demë Ali Pozhari kishte lënë vajzën Zylyhanë, në Kosovë dhe djalin e pleqërisë, Ibrahimin, të lindur në Istanbul. Pleqëria dhe diagnostikimi me një sëmundje të rëndë, bëri që ai të mendojë seriozisht për djalin e vetëm. Dhe, mori vendimin e vështirë, për ta dërguar për shkollim në Shqipëri, me qëllim të shpëtimit nga asimilimi. Edhe kjo mund të jetë një shtysë e pajtimit me Hoxhën e Tiranës. Për këtë nismë ndërmjetësoi Profesor Bujar Hoxha, ministër fuqiplotë në Konsullatën Shqiptare në Stanboll, i biri i Hoxha Kadri Prishtinës, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, me qendër në Shkodër.
Baca Demë dhe sidomos, zonja e tij, teta Vasfije, siç e quaja unë, me shkruanin letra, me porosinë për t´u përkujdesur për Ibrahimin e tyre të shumëdashur. Unë mbaja kontakte, fillimisht, me drejtoreshën e Gjimnazit “Ismail Qemali” dhe, më vonë, me atë të Shkollës Pedagogjike “17 Nëntori”, e cila vazhdonte traditën e Shkollës Normale “Nëna Mbretëreshë”, të kohës së Mbretërisë Shqiptare, vetëm për femra. Transferi i Ibrahimit në këtë shkollë, i vetmi mashkull, ishte për efekt të mësimit më të mirë të gjuhës shqipe.
Në një letër baca Demë me porosiste: Çoi fjalë vajzës time Zylyhasë në Gjakovë, që mos t`i dërgojë pako me rroba Ibrahimit, se lazdrohet e nuk mëson. Unë e kryeva porosinë. Por, dada Zyliha përgjigjet: Ah, more vëlla, baba Demë duhet të më kuptojë, se unë kam vetëm një vëlla! Ibrahimi ishte shtatëlartë e bukurosh, sikur i ati. “Më bëjë baba të të ngjajë!”
Në njërën nga letrat, teta Vasfije Pozhari, më porosiste që Ibrahimi, pas maturës, të vazhdojë studimet në Fakultetin e Mjekësisë, Dega Stomatologji (Dentari), sepse turkesha Vasfije ëndërronte Klinikë Dentare private, për djalin Ibrahim Pozhari. Dhe, unë i premtova. Por, premtimi mbeti pengu im, sepse humba lirinë dhe komunikimin, njëkohësisht. Ibrahimi mbaroi Mjekësinë e Përgjithshme dhe u punësua në Institutin e Mjekësisë Popullore.
Demë Ali Pozhari, edhe pse jetoi edhe 6 vjetë, pasi e përcolli djalin, ai vdiq me pengun e madh, për ta parë Ibrahimin e tij. Qeveria Shqiptare as nuk i dha vizë-hyrëse atij dhe as nuk lejoi kthimin e Ibrahimit në Turqi, edhe pse një anije tregtare, me 12 dhoma për pasagjerë, lundronte, të paktën, tre herë në muaj për në Stanboll! Për çudë, edhe familjet, me lidhje gjaku, ku çmallej e ngushëllohej djali Ibrahim, u goditën u burgosën.
Pas 20 vjetësh, në vitin 1993, në shoqërim të Ministrit të Informacionit të Republikës të Kosovës, Xhafer Shatrit, trokita në derën e banesës të Ibrahim Pozharit, ke 9-të Katshet e Tiranës, tashmë, me nuse dhe dy djemtë: Demën dhe Ermalin.
Demë Ali Pozhari është vlerësuar nga Presidenti i Shqipërisë, me titullin e lartë – Nderi i Kombit – dhe nga Presidentja e Kosovës me – Urdhëri i Lirisë-, për veprimtari atdhetare e luftarake, për mbrojtjen dhe lirinë e Kosovës.
Te nderuar autor te shkrimit per Deme Ali Pozharin Ju pergezoi per te dhenat e jetes dhe veprimtarise se atdhetarit te devotshem Deme Ali Pozharit.
Shume fakte relevante nuk jane cekur fare as per ciptazi se Deme Ali Pozhari ka zhvilluar lufte ne Rrafshin e Dukagjnit si ne Batush Junik ku jane vra34 ushtar qe te gjithe shqiptar.Pas perfundimit te luftes se dyte botrore ka pase strehim te perhershem ne familjen e Shabasylve -tash Tahirsylaj ne bjeshken e Isniqit ne Pleqe per tri vite e nga familja e jone eshte s trehuar me shoket e tije Mehmet Agen e Rashkocit,Avdi Smailin e Martinaj,dy mashkuj te Zhuk Haxhise se Rugoves,Shaban Bashen e Pejes dhe Qaken e Kryshecit me 1948 permes teqes se Madhe te Gjakoves , asaj te Sheh Hasanit te Prizrenit, Teqes se Tetoves ka dale ne Greqi familja e jone ka mbajt gjysem shekulli burg per Dem Ali Pozharin , Shaban Bashen ,Avdi Smailin e Martinaj mik i shtepise sone, dy mashkuj te zhuk Haxhise se Rugoves dhe , ne Belle te nipi i tije Hazir Laha ku serbija pas shpalljes se pavaresise se Shqiperise ia ka egzekutue 35 antar te familjes. Ozna Mile Vujoviq me kompanin e tije pas arrestimit ne Belle kime per kime ia ka nuk mustaqet dhe eshte denuar per pushkatim e me vone 100 vite e e ka mbajte burgun ne Peje , Mitrovice e Sremit dhe Nish 10 vite
Familja Berisha nga Kamenicat e lugut te Baranit e ka strehue dhe ne rrote te mullinit kur eshte rrezikue nga ozna e kane strehue, familja e Vesel Fetes i cili e ka strhue dhe ka mbajte 10 vite burg per strehimin e tije.Eshte nje nuer ker i te burgosve qe e kane mbeshtet dhe kane vuajte ne burgjet e ish jugosllavise