Në Shqipëri, fluturimet e avionëve të Guardia di Finanza-s italiane për identifikimin e sipërfaqeve të mbjella me marijuanë do të shtrihen këtë vit në një periudhë më të gjatë kohe, duke nisur që muajin e ardhshëm e për t’u përmbyllur në muajin tetor. Drejtuesit më të lartë të Policisë shqiptare biseduan në detaje me një delegacion të lartë të Policisë dhe Guardia di Finanza-s italiane, gjatë një takimi në Tiranë. Këtë herë, operacioni nga ajri do të financohet në një pjesë të madhe nga Bashkimi europian në kuadër të projektit SANCAS, Support to anti cannabis strategy (Mbështetje për strategjinë anti cannabis), por do të jetë sërish pala italiane ajo e cila do të ketë rolin koordinues.
Përveç shtrirjes më të gjatë në kohë, do të shtohen edhe orët e fluturimit. Vitin e kaluar, avionët e pajisur me një teknologji të lartë, kryen 53 misione, për më shumë se 129 orë fluturimi, të cilat këtë herë do të shtohen me 30 përqind.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Ardi Veliu tha se “Policia e Shtetit është e angazhuar që rezultatet e arritura gjatë vitit 2017 kundër fenomenit të kultivimit kanabisit jo vetëm të ruhen, por që këtë vit ky fenomen të mos ekzistojë më”, duke nënvizuar se ”puna për parandalimin e këtij fenomeni ka më shumë se dy muaj që ka filluar”. Ai bëri të ditur dhe elementët, ku do mbështetet projekti, për të operuar më tej në terren duke nisur nga “eksperienca e fituar në kontrollin e territorit dhe luftës ndaj kultivuesve dhe trafikuesve të kanabisit, gjatë vitit 2017 dhe një analizë e plotë për të gjithë periudhën paraardhëse, mënyrat e kultivimit dhe rrugët e trafikimit të kanabisit”.
Pjesa më e rëndësishme e këtij projekti, sipas njoftimit të Policisë, është ngritja e ekipeve të përbashkëta hetimore për hetimin e trafikantëve, me Policinë italiane dhe ato europiane, për të bërë të mundur finalizimin e çështjeve duke identifikuar asetet kriminale dhe sekuestrimin e tyre. Për këtë komponent janë në dispozicion për mbështetje operative, për hetime të përbashkëta, Departamenti i Policisë Kriminale dhe tashmë Task-Forca e krijuar së fundmi.
Komentet