Sikundër ju shënonja në letrën e parë, që kolonia e madhe e shqiptarëvet t’ Amerikës përgatit një miting të madh, përfundoi.
Komisioni provizor i mitingut në Boston kish vendosur të mbahej pas 2 javësh po, pasi tejshkrimet lajmëronin me shkronja të kaltra afërkrismën e luftës midis katër Shteteve të Ballkanit dhe Turqisë, e ndryshoi dhe me vrap, me tejshkrime të natës ftoi gjithë kolonitë shqiptare për të mbajtur metingun.
Si kurdoherë të sprovuar në ndjenja atdhetarie, shqiptarët e Amerikës, me përgjigjen e nxehtë ndaj zërit t’Atdheut, s’munguan t’a tregojnë burrërinë e tyre dhe këtë herë.
Sidoqë mitingu u bë me shpejtësí të madhe, aq sa s’i mbetej kohë njeriut për përgatitje, u mblodh një shumicë e madhe shqiptarësh, aq sa komisioni kujdestar i mitingut e këmbeu sallonin e parë që kish pajtuar me një tjetër shumë më të madh. Këtu pra provohet përparimi i edukatës politike i shqiptarëve t’Amerikës.
Mitingu u mbajt më 6 Tetor në “Phoenix Hall” që më 9 të orës p.d.
Oratorët
Posa gjindja ndodhej në përbërje z. Faik Konitza me një fjalë të shkurtër u shpjegoi dëgjonjësvet formën e mitingut dhe nevojën e tij. Pastaj z. Konitza u propozoi dëgjonjësvet për Charman (frontar) të për. At Naum Cere, të cilin mbledhja e pranoi me zëra të përgjithëshme.
I për. At Naum Cere pasi pranoi postin e lartë me të cilin e nderoi mbledhja, u fal nderjes mbledhjes, dhe me një teori prej burri të hijshëm e të shkëlqyer, gjëra të cilat nuk i mungojnë At Ceres që mbajti një fjalë me të cilën i rrëfeu mbledhjes që çdo grykë topi i armiqvet të bashkuar është drejtuar mbi Shqipërinë, lëvdoi syngjitë e paepura otomane, nevojën e bashkimît të forcavet shqiptare me syngjitë otomane përpara rrezikut të përbashkët, pabesisë së 4 Shtetevet të Ballkanit, dhe i dha kurajë mbledhjes duke shtuar: “Mos u trembni nga pishqexhinjtë, qepaxhinjtë, postanxhinjtë etj. sepse vetëm fjalë kanë të gjëra”.
U prit me një trokitje pëllëmbësh dhe me një qeshje fisnike e të ndershme.
Pas At Naum Ceres, mori fjalë zoti Kristo Floqi, i cili i tregoi mbledhjes shkakun e bashkimit të Shtetevet të Ballkanit, kundra Turqisë, shpjegoi gjërë e gjatë se çdo të ngjasë e se, më mirë të themi, ç’dobi do ketë Shqipëria në qoftë se mundet Turqia, prej këlyshkavet të Ballkanit, ose në daltë fituese, ose në mundtë një ose dy nga këto fuqi dhe të tjerat jo.
Dëften marrëveshjen e Trikupit me Stambullofin si një shenjë pabesije nga ana e bullgarëve, nga e cila Bullgaria fitoi më shumë të drejta fetare në Maqedoni.
Shpjegoi hollësisht e me paanësi fuqipasjen e Turqisë së sotme, tregoi nevojën e një bashkimi të fuqive shqiptare me fuqitë turke, kundër rrezikut të përbashkët, dhe tha : “Lipset t’a dinë shqiptarët, se Turqia sot, në lufton, lufton vetëm për një ideal, për një madhëri, për një nder, ose më mirë të themi që lufton për Shqipërinë, se e mira e saj është të ngrerë fronin e saj në Anadoll, ku ka më tepër se njëzet milionë gjind. Prandaj arësyeja e shqiptarit e don sot të bashkojë fuqitë me Turqinë, për të shpëtuar Atdheun nga rreziku i vërtetë.
Pas z. Kr. Floqi, mori fjalën i për. At Fan Noli, orator nga të pakët që ka sot Shqipëria. Cilësitë e At Fan Nolit, në pikëpamje oratorie, janë nga më të rrallat, dhe taktika, me të cilën At Fan Noli ligjëron, i japin rekordin e një oratori të shkëlqyer që ka sot në botë.
At Fan Noli tha që, çdo gjyle topi e armiqvet, qëndrimin e ka në tokë të Shqipërisë. Dëften shkoqur çastin që ruajtën Shtetet e Ballkanit t’i hidhen Turqisë, dhe tha që këta shtete sot na shfaqen me një markë krishterimi, sikurse duan të shpëtojnë bashkëfetarët e tyre nga tirania e rëndë e Turqisë… Po kur qenka kështu, pse këta shtete s’u ngritën më parë kur Qeveria Turke ishte rrëfyer shumë më barbare se kjo e sotmja e liberalëve? Kur luftonte Shqipëria 4 vjet me radhë këta të krishterë (!) po pritnin humbjen e saj nga faqja e dheut me anë të dorës së hekurt të Turqisë, kështu që t’i përmbushin ëndërrat e tyre foshnjore pa mundime po, kur panë frymëmarrjen e Shqipërisë, sprovimin dhe një herë të forcavet shqiptare kundra Turqisë, më në fund dhe plotësimin nga an’e Turqisë të 14-të kërkesavet të shqiptarëvet, me vrap i flakën tej armiqësitë e tyre shekullore, dhe i dhanë besën shoqishoqit. Përmbledhin në memorandumin e tyre si për sy e faqe autonominë e Maqedonisë, Serbisë së vjetër (sic) dhe Shqipërisë!!! Programi i thjeshtë i tyre ka për qëllim copëtimin e Shqipërisë me vilajetin e Shkodrës për Malin e Zi, me Ysqypin për Serbinë, me Edrene-Selanik dhe vilajetin e Monastirit për Bullgarinë, dhe me vilajetin e Janinës për Greqinë, ky është programi i aleancës ballkanike.
Përmendi therjet e Koçanës dhe ato të serbëve në Senicë si gjëra të shkaktuara prej tyre për të kërkuar shkak lufte dhe duke përthurur ngjarjet shtoi: Cili ësht’ ai njeri që munt të durojë zemërimin e çastit, kur të shikojë vëllan’ e tij me zorrë jashtë prej bombave tmerrore? Mbretërit e Ballkanit po na shfaqen me një maskë, gjoja sikur kanë për qëllim çlirimin e krishterimit që rënkon në zgjedhën turke.
Po le t’i provojmë botës, që ka dhe një popull në botë që s’e dëshëron këtë çlirim! Shpjegoi gjër’ e gjatë se përse shqiptarët lipset të bashkojnë fuqitë me turqit dhe tha: “Po të isha sot në Stamboll, do vinja të puthja në ballë një nga ata hoxhët me sarëk të gjërë më fanatikë të islamit dhe të thërrisnja bashkë me të : Rroftë ushtria otomane! Rroftë Shqipëria!”
Pas At Fan Nolit, u ngrit z. Faik Konitza i katërti orator.
- Faik Konitza, pasi përgëzoi oratorët që folën më parë, miratoi përpara dëgjonjësvet, propozimin e At Naum Ceres, frontarit të mbledhjes, për të kënduarit e këngës kombëtare: “Sa të rronjë gjithësia”… dhe kërkoi një nisës më të zotin.
Në mes të një entuziasmi të pakufishëm atdhetar e zë bilbil z. Pandi Ikonomi nga Progri, u ngjit në platformë e nisi këngën e dëshiruar: “Sa të rrojë gjithësia”. Tërë salla me një zë, u bashkua me nxehtësi me këtë këngë shpirtngjallëse dhe n’ ujdi me çështjen e ditës.
Si mbaroi kënga, z. Faik Konitza tha një fjalë të shkurtër po të lidhur fort me fjalët e parafolësvet, ca nga pikat e së cilës janë këto : Pasi shtroi një pyetje për ata që duan t’a shpien kundrështimin kombëtar kundër Turqisë deri në kufi të fundit dhe që dëshërojnë t’a luftojnë Turqinë dhe në këtë rast tha që i vetmi shpëtim për kombin shqiptar është sot të hyjmë në një bashkim të plotë me Turqinë.
Dhe pasi lëvdoi shpatën e famshme të shqiptarit dhe çuditë e saj të bashkuar me të turkut shtoi:
“Është për të vênê re që kryekumandari i ushtërisë otomane në Shqipëri është gjeneral Abdullah Pasha, i pari strateg i Turqisë, nën të cilin i shkëlqyeri gjeneral gjerman, Baron von der Goltz-i, tha që do t’a kish për nder e për lavdi të shërbente si i dyti në një luftë të madhe.
Le të themi pra që Turqia, ngaqë nuk e mobilizoi ushtrinë e saj mjaft shpejt, humbi hëpërhë në kufi të Bullgarisë ; le të themi që bullgarët, duke zbritur gjer në det, e prenë ushtrinë e Shqipërisë nga baza e saj. Shqipëria e ndarë nga Turqia, po e mbetur me një ushtëri të përsosur, t’armatosur mirë, të begatshme në lëndë të luftës, të ndihur nga vendësit, edhe të kryesuar nga i pari strateg i mbretërisë, do të jetë e zonja të presë armiqtë e veriut dhe armiqtë e jugës.
Pas z-it F. Konitza, folën me një naltësi për bashkim dhe shumë oratorë të tjerë. Më në fund z. Sotir Gjika, dha një fjalë të shkurtër, me anë të së cilës dëften nevojën e një bashkimi të shpejtë me Turqinë dhe shtoi: “Le të mos harrojmë, që në qoftë se mundet ushtria turke, dhe hyjnë ushtritë armike në tokën e Shqipërisë, që doemos gjejnë me fuqinë e propagandavet të tyre, një ndihmë të madhe për fat të keq nga shqiptarët, sepse që të gjithë, atje ku i kanë vërtitur sytë, kanë dhe mjaft propagandë të fortë të përfituar nga kohët e veprimevet të pandaluara të tyre.
Kështu morën funt fjalët, edhe i përnd. At Fan Noli u ngrit edhe këndoi tekstin e rezolutës, e cila u votua me entuziazëm të madh me tërësinë e zërave, duke bërtitur : Rroftë Sulltani! Rroftë Turqia, Rroftë Shqipëria! Poshtë armiqtë e Mbretërisë e të Shqipërisë.
Rezolutë.
“Në mbledhjen që mbajtën shqiptarët kombëtarë të New-England-it më 6 të vjeshtës së dytë, dyke marrë parasysh që, po të mundet Turqia, Shtetet e Ballkamit do t’a ndajnë Shqipërinë në mes të tyre u përfundua që:
Është detyra e atdhetarëve shqiptarë të jenë plotësisht të bashkuar me guvernën otomane kundër armiqve të mbretërìsë”. Pas rezolutës, u votua të dërgohen tejshkrime te Sulltan Mehmeti, te Sadrazemi, te Ambasador’ i Turqisë, në Washington, te gazeta Times në London edhe te gjeneral Sherif Pasha, kryetari i liberalëve otomanë në Paris.
Telegram’ i Sulltanit marrë nga “Dielli”
“Madhërisë perëndorake të Tij Sulltanit, në Stamboll. Shqiptarët kombëtarë të Shteteve të Bashkuar, më të shumëtit të krishterë, mbajtën në Boston një miting të madh edhe përfunduan, mes skenash entuziazmi, t’i shfaqin me përunjësi madhërisë s’Uaj ndjenja besnikërie më të thellat edhe guvernës së madhërisë s’Uaj zotimin e një përkrahjeje me gjithë zemër. Mijëra vullnetarë gatiten të shkojnë në Ushtrinë t’uaj të shkëlqyer, e cila pa dyshim do t’u japë armiqve të mbretërisë një mësim t’ashpër e të paharruar. Rroftë madhëria Juaj!”
(Shënuar) At Fan Noli, At N. Cere, Priftërinj Ortodoksë shqiptarë, Faik Konitza.
Përshtypja
Mitingu i 6 së Vjeshtës së Dytë i shqiptarëvet të New Englandit, do të zerë një nga kapitujt më të shkëlqyer të historisë sonë përlindëse. Kuptimi i hollë i këndshëm, me aq shpejtësi për sjelljen e këtij rasti, na jep kurajo të lëvdohemi se jemi një komb mëndjehollë dhe i thellë në gjykim.
Gazetat amerikane botuan raporte të mitingut me fotografinë e At Naum Ceres, duke lëvduar shqiptarët, që ditkan të marrin masa për të mos pësuar fatin e Pollonjës.
Lëvizje greke
Që kur nisi fushata luftarake e Greqisë, ose më mirë të them e ushtrivet sllavo – greke, kanë ikur nga Shtetet e Bashkuara më tepër se 5.000 grekë redifë, dita ditës po shkojnë ushtarakë dhe vullnetarë. Në çdo koloni greke të Amerikës mbahen mitingje të mëdha, në të cilët mbahen fjalë lutje plot etuziazëm dhe mblidhen të holla për refugjatët. Grekët thonë që nga kjo luftë varet fati i Atdheut të tyre, në çdo anë vërehet një entuziazëm i madh.
4 nëntor 1912 SHKËMB’ I MBLETËS
Botuar nё gazetёn “Atdheu” tё Kostancёs, Rumani
Marrё nga vёllimi “Detyra ime mbaron me jetёn time”
Komentet