Express: Cili duhet të jetë roli i politikës shqiptare – Shqipërisë dhe Kosovës – lidhur me temën e ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve, temë kjo që është përmendur kohëve të fundit, sidomos nga udhëheqësit e Serbisë?
Besnik Mustafaj: Teza për ndarjen e Kosovës, që nënkupton edhe shkëmbim territoresh, nuk është e re për politikën dhe diplomacinë serbe. Ajo është formuluar edhe nga Çosiç kur ishte president i Jugosllavisë së mbetur. Pra, kohë para se në Kosovë të shpërthente konflikti i përgjakshëm. Sado që me gjysmë zëri,kjo tezë është shqiptuar madje edhe nga Milosheviçi. Më është shprehur edhe mua më shumë se një herë, gjithmonë “jo zyrtarisht”, nga drejtues të lartë të shtetit serb, siç u është shprehur me siguri edhe paraardhësve, edhe pasardhësve të mi në postin e ministrit të jashtëm të Republikës së Shqipërisë. Kjo tezë është shqyrtuar me vëmendje edhe në kancelaritë e fuqive perëndimore si një mundësi për të mbyllur përfundimisht vatrën e konfliktit serbo – shqiptar. Serbët janë përpjekur ta paraqesin këtë tezë si shprehjen më të lartë të vullnetit të tyre për të lëshuar në emër të interesave të paqes së qëndrueshme në rajon.
Ndarja e Kosovës, qoftë edhe me shkëmbim territoresh, do të shënonte pa dyshim dështimin e pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës. Nga një operacion i tillë Kosova do të dilte detyrimisht e cunguar edhe më shumë nga ç’është. Pavarësia e saj si shtet do të humbte funksionalitetin. Qoftë edhe ekonomikisht nuk do të mbijetonte dot. Kjo gjë dihet shumë mirë në Beograd. Dhe ky është qëllimi i tyre: dështim i pavarësisë së Kosovës. Një tezë të tillë serbët nuk ia drejtojnë kurrë Prishtinës, por Tiranës, duke synuar kështu t’i shmangin institucionalet legjitime të Kosovës nga kjo vendimarrje dhe duke nënkuptuar bashkimin me Shqipërinë e asaj cope që do mbetej nga ndarja. Për t’iu përgjigjur shkurtimisht pyetjes tuaj, do të thosha se politika shqiptare në Tiranë apo në Prishtinë duhet të refuzojë kategorisht të diskutojë rreth kësaj teze. Në asnjë variant të saj kjo tezë nuk është në interes të shqiptarëve.
Express: Në Presidencën e Kosovës kanë thënë se në këtë fazë është vetëm spekulim ideja e shkëmbimit të territoreve. Duhet të ketë qëndrim më të qartë për këtë temë apo mund ta lënë të hapur si një mundësi që e njëjta temë të hapet gjatë dialogut?
Besnik Mustafaj: Teza e ndarjes së Kosovës nuk mund të jetë spekulim përsa kohë shqiptohet publikisht dhe në mënyrë të përsëritur veçanërisht kohët e fundit nga vetë Ministri i Jashtëm i Serbisë. Presidenti dhe të gjitha institucionet e Kosovës duhet ta marrin shumë seriozisht dhe të shqetësohen për t’i dhënë përgjigjen adekuate, që do t’i priste rrugën e përhapjes një teze të tillë. Me sa kuptoj unë nga këto punë, qeveria serbe po punon me një strategji të caktuar, që ta legjitimojë këtë tezë në opinionin e vet publik, por edhe ta familjarizojë opinonin politik dhe diplomatik ndërkombëtar me këtë perspektivë, duke pritur që ndërkombëtarët të lodhen me papjekuritë e institucioneve dhe të politikës së Kosovës dhe t’i kthehen kësaj teze si shpëtim nga belaja. Ç’do të bënte Presidenti, Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës sikur një ditë mesazhi i Brukselit dhe Uashingtonit të ishte: Po, zgjidhja është tek ndarja dhe shkëmbimi i territoreve? A do të kishin fuqi drejtuesit e këtyre institucioneve të përballeshin me presionin e gjithë botës? Aq më tepër që edhe në Tiranë mund të gjendej në krye të qeverisë Edi Rama apo një i ngjashëm me të, i cili do e pranonte menjëherë këtë “plan të ri”, realizimin e të cilit do e udhëhiqnin doemos serbët si autorë të tezës. Vini re me sa lehtësi flet Edi Rama sot me Çakovin! Po kështu do të fliste nesër ai apo pinjolli i tij edhe për ndarjen e Kosovës.
Express: Kur ishit Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe u larguat ka pasur mendime se largimi nga ajo pozitë pikërisht për shkak se në negociatat e Vjenës ishte hapur tema e ndarjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Realisht, cilat janë informacionet tuaja prej atëherë lidhur me këtë temë?
Besnik Mustafaj: Se çfarë është shtruar në negociatat e Vjenës duhet ta thonë ata që kanë marrë pjesë në tryezë. Fakt është se dorëheqja ime nga detyra e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë nuk ka lidhje të drejtpërdrejt me këto negociata. Por fakt është gjithashtu se unë, në ndërgjegjen time, mbështetjen me të gjitha fuqitë për procesin e pavarësimit të Kosovës e kam patur prioritare. Këtë e kanë ditur edhe bashkëpunëtorët e mi, edhe eprorët e mi, edhe partnerët ndërkombëtarë. Dhe jam përpjekur me aq sa kam ditur e me aq sa kam mundur që Shqipëria të merrte në këtë proces një rol sa më të dobishëm.
Para se Këshilli i Sigurimit të vendoste për çeljen e negociatave lidhur me statusin final të Kosovës, serbët janë përpjekur atëherë me shumë dinakëri ta bindin bashkësinë ndërkombëtare se kjo ishte çështje për t’u zgjidhur midis Beogradit dhe Tiranës, të bindur se kështu do e kishin më të lehtë për të arritur, në një fazë të dytë jo të largët, te ndarja. Në fazën e parë ata bindnin komunitetin ndërkombëtar se Kosova nuk ka burime njerëzore të afta për të marrë në dorë fatet e vendit dhe për të bërë shtet. Pastaj bindnin se Kosova nuk ka burime ekonomike për të mbijetuar si shtet i pavarur dhe ndarja e vendit midis Shqipërisë dhe Serbisë bëhej e përligjur.
Midis disa tezave që formulova unë aso kohe dhe që zunë vend te ndërkombëtarët ishte edhe ajo se në këtë proces “Shqipëria nuk është aktore, por aktive”. Kështu, aktorë do të ishin vetëm përfaqësuesit legjitim të Kosovës. Shqipëria qëndronte prapa tyre, në mbështetje. Sipas meje, një diplomaci e mirë duhet të synojë maksimumin e të mundshmes. Synimi i të pamundshmes është i lehtë, krijon eufori të çastit, por në fund të le me lugën zbrazur.
Express: Nëse ndodh një shkëmbim i tillë i territoreve, cili do të ishte efekti për Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë, Greqinë etj..?
Besnik Mustafaj: Kjo është një hipotezë që duhet përjashtuar pa mëdyshje sidomos nga ne, shqiptarët. Do të ishte një kthim në vitin 1913, në përfundim të Luftës Ballkanike. Në të gjitha përfytyrimet mua më rezulton se një proces i tillë hipotetik do të sillte ngushtimin e hapësirave të banuara sot nga shqiptarët. Kujt do t’i interesonte tkurrja e botës shqiptare? Përgjigjen e keni vetë.
Express: Ka pasur kohëve të fundit edhe një ide nga Edi Rama – dikur doli që ishte imagjinatave – për një President gjithëkombëtar. Ishte ide vetëm për të tërhequr vëmendjen, për të kërcënuar BE’në që s’po lëvizë lidhur me hapjen e rrugës për shqiptarët apo ishte real një paralajmërim i tillë?
Besnik Mustafaj: Edi Rama është njeriu më i papërshtatshëm për të folur për tema të tilla. Ai nuk ka bindje për çështjen shqiptare, nuk ka njohuri për ndërtimin e punës në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe është një ekzibicionist i pashërueshëm. Ai sakrifikon gjithçka për të tërhequr vëmendjen mbi veten. Ky i fundit për presidentin e përbashkët ishte një improvizim i çastit, asgjë më shumë. Me Edi Ramën njihemi mirë qysh në rininë tonë. Nuk ka ai dhe as nuk ka patur kurrë ndonjë projekt për bashkimin e trojeve shqiptare. Brukseli dhe Uashingtoni e njohin mjaftueshëm Edi Ramën, e dinë se atij nuk i flet as mendja, as zemra, por vetëm goja dhe nuk shantazhohen nga fjalët boshe. Mendoni: para tri a katër vjetësh ai foli për krijimin e një akademie të përbashkët shkencash, një ide e bukur dhe e dobishme kjo. Dhe e thjeshtë për t’u realizuar. Çfarë është bërë? Asgjë. Sepse Edi Rama nuk është njeri që e kthen fjalën në vepër.
Je pergjigjure ne menyre diplomatike.
Ska kembime ase ndarje territories.
Me Sa duket ata rrahin pulsing e shqiperise???
Duane nje alete.