Fotot nga Arkivi, kur ishte deputete e PD
Është e para në shumë ngjarje që kanë bërë histori. E para, si kirurge femër në Shqipëri. E para që zbulon zarfet kërcënuese për “dënim me vdekje”. E para si deputete në Partinë Demokratike kur ende shumica ishte nga Partia e Punës. E para herë kur rrëfehet eksluzivisht…
Kjo është Rushen Golemi, doktoresha që është nderuar me disa medalje shqiptare, ku spikat ajo më e larta, “Mjeshtër i Madh i Punës” dhe e përfshirë njëkohësisht në një enciklopedi të Britanisë së Madhe, ku është zgjedhur si një ndër 2 000 personazhet e shquar botërorë të shekullit XX. Modeste teksa flet për kontributin e saj dhe po kaq modeste edhe me mënyrën e jetesës. Ajo jeton me bashkëshortin, Fredin, në një apartament të vogël, diku pranë “Rrugës së Kavajës”. Duket pak e dyshimtë për ta pranuar si të vërtetë këtë, duke marrë parasysh vitet e saj në kirurgji dhe politikë, por gjithçka ka përfituar nga këto karriera janë vetëm 800 lekë të vjetra. Llogaritë fillojnë që nga viti 1957 kur edhe është diplomuar…
Si arritët të merrnit të drejtën e studimit në Mjekësi?
Pavarësisht biografisë, babai im Mahmut Golemi, ishte i njohur në të gjithë Shqipërinë, duke qenë se ai ka qenë prefekt i Durrësit, i Beratit, i Peshkopisë, i Korçës etj, komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë në Tiranë dhe ka punuar pothuajse në të gjithë vendin. Nuk kishte shqiptar që nuk kishte respekt për të. Një ndër ta ishte edhe Medar Shtylla, dekan i Fakultetit të Mjekësisë. Megjithatë, për hir të së vërtetës, në atë kohë nuk është se kishte shumë kërkesa për të shkuar në universitet. Ishte koha kur vajzat i martonin akoma pa mbushur 16 vjeç, ndërsa ato që shkonin në fakultet ishin të rralla. Mua më doli dega e mjekësisë, e cila u hap për herë të parë në Tiranë. Nga Durrësi shkuam vetëm dy gjimnazistë. I gjithë fakulteti kishte vetëm 48 studentë nga të cilët vetëm 8 vajza. Në fund përfunduam shkollën 61, sepse disa studentë u kthyen nga jashtë dhe na u bashkuan rrugës. Pedagogët i kishim thuajse të gjithë nga Rusia, ndërsa shqiptarët ishin asistentë të tyre.
Si një ndër 8 vajzat e para në fakultet, u ndjeve e paragjykuar?
Po si jo… Numëroheshin me gishta dhe të ndara në grupe me nga 12 studentë, ishim nga dy vajza për secilin. Gjatë praktikës, por edhe më vonë, shpesh pacientët nuk donin që të vizitoheshin apo operoheshin nga unë, duke thënë me përçmim që jam femër.
Kur keni bërë për herë të parë një ndërhyrje kirurgjikale?
Operacionin e parë e kam bërë në vit të katërt. Edhe sot kur e kujtoj, kam emocione. Më kanë mësuar “ustallarët” si profesor Llambi Ziçishti dhe Petrit Gaçe, të dy mjeshtra të vërtetë. Një ditë, teksa po ndiqja profesor Petritin, në spital u shtrua një pacient me apendisit. Kushtet në atë kohë ishin të vështira, spitali kishte vetëm një mjek roje, dy infermiere dhe një sanitare. Prandaj vajtoja ime aty ishte ndihmë. Unë po rrija në krah të majtë të pacientit, ku si gjithmonë vetë shikoja se çfarë bënte profesori. Kur atë ditë ai më kalon në krah të djathtë dhe më thotë të bëhem asistentja e tij. Më dha veglat e operacionit dhe më fliste se çfarë të bëja. Ky ishte operacioni im i parë dhe kur dola nga salla, më pas, pyesja çdo pesë minuta se si ishte pacienti. Kështu u ktheva për disa ditë aty derisa doli nga spitali. Atë të sëmurë e mbaj mend edhe sot e kësaj dite.
Çfarë mban mend tjetër edhe sot e kësaj dite nga ajo kohë?
Momentin e diplomimit, korrik 1957. Manush Myftiu po shpërndante diplomat dhe për më të mirët, ku përfshihesha edhe unë, do të mbante një fjalim të shkurtër. Isha shumë e emocionuar dhe mezi kisha gjetur rroba për atë rast. Kur erdhi radha ime, Manush Myftiu më ngatërroi emrin dhe më thirri “Rustem”. Në atë moment më erdhi shumë turp dhe më ra komplet entuziazmi. Megjithatë, ajo ishte dita kur unë zyrtarisht u bëra kirurgija e parë në Shqipëri dhe u emërova në Spitalin e Tiranës, edhe pse unë doja në vendlindje, në Durrës.
Pse, më parë nuk kishte femra kirurge, sikur kam dëgjuar…
Jo, kanë qenë vetëm ndihmës kirurge, ose asistente me kurse jashtë shtetit. Kanë patur certifikata kualifikimesh, por jo diploma.
Gjatë punës si kirurge keni humbur ndonjë pacient?
Me keqardhje them “Po”, madje dy miq të sëmurë nga stomaku. Jo se shkoi keq operacioni, por pas ndërhyrjes patën ndërlikime dhe vdiqën.
Ju ndëshkuan apo transferuan për këto raste?
Çdo doktori që i ndodhin raste të tilla, bëhen sqarimet përkatëse nga Këshilli i Spitalit. Siç ju thashë, problemi këtyre pacientëve u ka ardhur më pas. Sa u përket transferimeve, duke qenë se ishim pak kirurgë, unë isha si e domosdoshme në Tiranë. Megjithatë, vetëm një herë në fillimet e mia të punës jam dërguar me shërbim për 6 muaj në Peshkopi, ku kam fjetur në sallën e operacionit. Bëhet fjalë për vitin 1958, kohë në të cilën më kanë ndodhur shumë gjëra të tjera të rëndësishme.
Si për shembull?
Jam fejuar me Alfredin, bashkëshortin tim. Pas mbarimit të shërbimit të përkohshëm në Peshkopi, u ktheva sërish në Tiranë dhe paralelisht isha edhe pedagoge e kirurgjisë.
Bashkëshorti juaj ishte nga Peshkopia?
Jo, ai jetonte në Tiranë, por erdhi më takoi atje.
Domethënë kishit një lidhje bashkë para se të tranferoheshe?
Jo, ka qenë një fejesë me shkuesi për mua. Alfredi ishte sa i njohur për mua, aq edhe i panjohur. Ai ishte me studime në Moskë si jurist, por unë kisha shoqëri të ngushtë me motrën e tij, doktoreshë Krisafgji Reka. Ajo ishte bashkëshortja e ministrit të Bujqësisë së asaj kohe, Iliaz Rekës. Duke qenë se Krisafgjija kishte një djalë të vogël, ajo më ftonte shpesh në shtëpi për të studiuar aty dhe kështu u familjarizuam shumë, por për Alfredin nuk dija asgjë. Pak para dërgimit me shërbim në Peshkopi, Iliazi ma hodhi fjalën për të, por nëna ime fillimisht nuk donte për shkak të ndasisë fetare. Ata ishin kristianë, ndërsa ne muslimanë. Më pas ajo u bind, kështu ne u fejuam në 1959 dhe martesa erdhi një muaj më pas.
Po muaj mjalti bëtë?
Hahaha! Bëmë, po siç ishin muajt e mjaltit në atë kohë. Shkuam në Pogradec, por hoqëm të zitë e ullirit, pasi mezi gjetëm një kamion për të udhëtuar. Pas disa orësh pritje, hipëm në rimorkio dhe përfunduam shumë vonë në Pogradec.
Për shkak të profesionit, shpesh besoj do të keni qenë mjeke rojë, a është bërë ndonjëherë Alfredi xheloz?
Atë nuk e di, por të paktën nuk e ka manifestuar. Di të them që nuk më ka penguar kurrë dhe më është bërë krah i djathtë me fëmijët. Madje, mbaj mend një rast që është pak për të qeshur. Një ditë më merr mjeku i rojes në telefon dhe më thotë të shkoja me urgjencë, pasi një paciente që ia dija mirë sëmundjen, po paraqiste probleme. Si rast urgjent, do të vinte ambulancë poshtë shtëpisë sime. Unë zbrita poshtë dhe po prisja duke u dridhur, pasi temperatura ishte -7 gradë celcius. Prit e prit, por ambulanca nuk po vinte. Ndërkohë, Fredi doli në ballkon dhe më thërriste me zë të ulët: Eja lart, eja lart! Unë ia bëja me shenjë: “Futu brenda”, por ai nisi ta ngrinte më shumë zërin që të ngjitesha lart. Po më vinte turp, se dukej sikur unë kisha bërë sherr me të dhe kisha ikur nga shtëpia, por ai vetëm sa donte të më njoftonte se spitali kishte marrë në telefon dhe pacientja ishte qetësuar, pra nuk kishte nevojë që të shkoja.
Në jetën tënde si kirurge, keni pranuar para?
Gjithë jetën time kam marrë 800 lekë të vjetra. Edhe ato i kam parë më vonë nëpër xhepa, dhe jo në momentin kur kanë ndodhur vizitat apo operacionet. Nuk arrij të kuptoj dot babëzinë dhe korrupsionin e mjekëve të sotëm që bëjnë pazar me jetët e njerëzve. Maksimumi i mirënjohjes që merrnim nga pacientët dhe të afërmit e tyre, ishin karamelet ose ndonjë çokollatë.
Si kaluat nga kirurgjia në politikë?
Nuk kalova menjëherë. Ndërkohë që u angazhova në politikë, vazhdoja të isha kirurge, pasi si deputetë ne nuk kishim as rrogë. Si familje me “njollë në biografi”, ne u përfshimë menjëherë pro ndryshimit të sistemit komunist. Madje im bir, adoleshent në atë kohë, mori pjesë në rrëzimin e bustit pa dijeninë tonë. Një oficer i sigurimit, i njohur i familjes sonë, mori në telefon për djalin, Konstandinin, pasi ishte parë duke tërhequr litarin e bustit. Ne u shqetësuam shumë dhe sapo ai erdhi në shtëpi, motrat e tij, Iris dhe Inis, morën një thikë dhe filluan t’ia grisnin xhupin e ri, që në rast arrestimi të thoshte se e kanë marrë me zor te rrëzimi i bustit. Pastaj e çuan te komshiet në kat të parë, sepse ishte shansi më i madh për arratisje, në rast arrestimi.
Megjithatë, nuk besoj se shkak i kandidimit tuaj ishte episodi me djalin…
Aspak, e tregova thjesht si episod. Në atë kohë ka qenë ndryshe mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve. Për shkak të shumë viteve punë si kirurge, mua më njihnin të gjithë. Shumë prej tyre që u anëtarësuan në Partinë Demokratike i kisha pasur ose studentë ose pacientë.
Ashtu si të djathtët, si pedagoge apo kirurge të kanë njohur dhe të majtët në atë kohë. Mund të të kishin kandiduar edhe ata…
E vërtetë, sapo doja ta thoja. Në vitin 1991 dëshironte të më kandidonte edhe Partia e Punës dhe njëkohësisht edhe nga Partia Demokratike. Të PD-së u treguan më të shkathët dhe pa më marrë leje, vetëm më njoftuan që më kishin zgjedhur si kandidate në Tiranë. Megjithatë, edhe nëse Partia e Punës do më kishte zgjedhur e para, nuk do të kisha pranuar.
Ku u kandiduat?
Unë konkurrova përballë Aleks Luarasit në Tiranë, të cilin sot e kam mik dhe fitova. Në ato zgjedhje dolëm gjithsej katër deputete nga PD-ja Gjinovefa Ndrenika, Lindita Prifti, Natasha Lako dhe une. Një kujtesë, ishim gjithseh 250 deputetë dhe vetëm 75 nga PD-ja dhe 175 nga PP-ja. Nga Partia e Punës ishin 6: Elvira Shaplla, Gagaçe Bregaj, Nadire Prifti, Lumturi Rexha, Themie Thomai dhe Marie Biba. Fillimi ishte i vështirë, pasi nuk dija të bëja as fjalime. Më mësonte pak e nga pak Natasha Lako.
Më kujtoni një replikë në parlament.
Po sjell në mendje atë me Haxhi Lleshin. Në oborrin e tij kishte hyrë një burrë dhe ai e kishte qëlluar me armë. Kjo m’u duk shumë e tepruar dhe replikova ashpër, por edhe me shumë emocione. Ai në fakt nuk reagoi fare, megjithatë unë ia dola mbanë që ta ngrija si çështje dhe të ndryshonte situata.
Jeni ndjerë ndonjëherë e kërcënuar kur keni qenë deputete?
Plot 5 herë. Në shtëpinë time janë dërguar 5 zarfe, ku më kërcënonin se jam e dënuar me vdekje. Pa përmendur fjalët e tjera që shkruheshin aty, që ishin nga më të neveritshmet, të frikshme dhe terrorrizuese. Nuk i kam ruajtur ato zarfe, i digjja ose i grisja menjëherë pas leximit, pasi nuk doja që të binin në dorë të fëmijëve, megjithatë përmbajtjen ua kujtoj mirë. Nisur nga këto dhe kërcënime të tjera, shpesh deputetët kërkonin të më shoqëronin për siguri, sidomos Azem Hajdari, por nuk pranoja asnjëherë.
Nuk kishit mbrojtje nga shteti, me truproja siç është sot?
As që bëhej fjalë. Në legjislaturën e vitit 1991-1992, të qënurit deputet nuk sillte asnjë të ardhur. Pra, nuk kishte rrogë dhe as privilegjet e tjera që janë sot. Unë zgjohesha herët në mëngjes dhe shkoja në punë te spitali, mbaroja operacionet atje dhe më pas kthehesha në Parlament. Sërish pasdite e njëjta gjë. Duke qenë se nuk ia dilja dot me këmbë sa andej–këndej, fillova të përdorja biçikletën.
Për sa kohë?
Në të dyja legjislaturat që kam qenë deputete, unë kam shkuar në Parlament me biçikletë. Jo vetëm kaq, por edhe sa u përket rrobave, kur ishte ndonjë seancë e rëndësishme ose takime me delegacione të huaja, u merrja ndonjë triko borxh vajzave.
Si një ndër deputetet e para të së djathtës, si i keni pasur marrëdhëniet me gratë e Partisë së Punës?
Fillimisht nuk është se kisha shumë miqësi, pasi e kisha kohën shumë të kufizuar. Ju tregova që, për rrogë më duhej të shkoja në spital, kisha fëmijët, kështu që përballeshim shumë pak. Nëpër kafene nuk para uleshim, se nuk kishim para. Rroga që merrja me çmimet që ngriheshin çdo ditë, ishte vetëm mbijetesë. Pastaj, vetëm 1 vit ishin deputetet e PP-së, pasi u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme në 1992. Atëherë ndryshoi raporti i femrave djathtas-majtas. Ishim 7 femra nga PD dhe vetëm Ermelinda Meksi nga PS.
Si femra e vetme majtas, atëherë keni patur mundësi ta njihni më mirë Ermelinda Meksin?
Jo vetëm që e kam njohur, por kam ndarë krevatin me Ermelindën në një krevat, për rreth një muaj.
Për ç’arsye?
Nisi si tip shakaje. Shoqet e mia të PD-së (shtatë) ishin nisur për një takim në USA në një lobim grash. Pa dashur humba avionin dhe u detyrova të nisesha të nesërmen, ndërsa Ermelinda e kishte prerë vetë biletën një ditë me vonesë. Pra, në New York, zbritën të dyja njëkohësisht dhe kur vajtëm në hotel, shoqet e mia ishin rregulluar dy e nga dy nëpër dhoma dhe bënin shaka që, “për dënim se humba avionin, do të flesh me “armiken”.
Ia vlente si “armike” Ermelinda?
Ajo është një grua zonjë dhe ia vlen ta kesh si “armike” apo si mike. Kemi pasur marëdhënie shumë të mira gjatë asaj periudhe që ndamë dhomën, por edhe më vonë. Ishte dhe mbetet një politikane korrekte, por edhe një femër që di të ndërtojë dhe të mbajë në ekuilibër miqësinë me militantizmin.
A shihni ndonjë deputete sot në Parlament që di të mbajë këta ekuilibra?
Fatkeqësisht, më duhet të them JO. Sot klima politike është shumë e ashpër dhe këtu janë përfshirë edhe femrat. Për këtë më vjen shumë keq. Ato kanë harruar të flasin me njëra-tjetrën si gruaja-gruas, por vetëm si pllaka gramafoni kryetari-kryetarit. Nuk ka shprehi, mendime dhe deklarata të tyre, por vetëm përsëritje fjalish të liderave. Më vjen keq për çfarë dëgjoj…
Çfarë dëgjon?
Fyerje personaliteti. Sharje familjare. Sulme personale. Të gjitha këto nuk kanë ndodhur as në fillimet e demokracisë në Parlament. Më kujtohet mirë Azem Hajdari, ishte një ndër personat që fliste më fort në Parlament, edhe merrte vrull për sherr, por edhe ai, si më problematiku që ishte, nuk përmendte emra familjesh e fisi degë më degë…
Nga mendoni se vjen e gjitha kjo?
Është futur thellë interesi. Deklaratat që bëhen në Parlament, përveçse janë të turpshme, largojnë vëmendjen nga problemet e vërteta.
“Berisha, student këmbëngulës, politikan i ashpër”
Do ta kishte mbajtur mend mirë, edhe sikur ai të mos bëhej njeri publik. Sali Berisha, si student ka qenë po kaq këmbëngulës sa edhe politikan. “Edhe shumë i zgjuar”, shton me shpejtësi pedagoge Rusheni, e cila ka pasur rastin që t’i japë mësim Berishës. E përballur sërish me të ndër vite, për shkak të angazhimeve politike në të njëjtën parti, Rusheni është ndër personazhët e rrallë që mund të rrëfejë për Kryeministrin aktual në 5 dekada.
Si e keni njohur Berishën?
Berishën e kam njohur ende pa mbushur 20 vjeç. Atë e kam pasur student, por jo fiks, pasi për shkak të biografisë, pas vitit 1975, pësova disa goditje partiake familjare. U hoqën nga puna shumë mjekë të martuar me të huaj. Tim shoq e hoqën nga puna si jurist dhe e çuan në NPVSH. Mua më ulën rrogën dhe nga pedagoge e brendshme, më kaluan si të jashtme. Po ashtu, kisha të drejtën e praktikës dhe isha prezente si pedagoge e dytë në provim. Në këtë situatë, herë pas here i jepja mësim edhe Berishës.
Si ka qenë student Berisha?
Duke lënë mënjanë bindjet partiake, në këto momente po flas si pedagoge, Berisha ishte shumë i përgatitur. Mbaj mend një rast kur po jepja mësim dhe po i bëja pyetje klasës. Ishte një temë mbi frakturat. Ai u ngrit i pari dhe po fliste me shumë siguri për temën. M’u duk shumë i përgatitur që në minutën e parë, ndaj i thashë të ulej e të pyesja dikë tjetër, por ai nuk pushonte. Vijoi të përgjigjej deri në fund dhe nuk donte të ulej. Një karakter që vijon ta ketë edhe sot.
Çfarë karakteri?
Këmbëngulës ka qenë që atëherë, por edhe shume i zgjuar. Shoh që po ashtu ka ngelur.
Dhe çfarë mendon se ka ndryshuar te ai?
Është bërë vetëm më i ashpër.
Nga mendoni se i vjen kjo ashpërsi?
Mendoj nga rrethanat, sepse edhe opozita është bërë më e ashpër. Megjithatë nuk jam dakord me fjalorin e përdorur prej tij kohët e fundit. E gjithë beteja parlamentare me opozitën duhet bërë vetëm mbi informacionin e duhur dhe është e rëndësishme mënyra e të thënit. Këtë nuk e them vetëm për Berishën, por për të gjithë politikanët e tjerë.
A e keni kundërshtuar ndonjëherë?
Një herë e mbaj mend, madje shumë. Ishte koha kur grupi i PD-së kërkonte që të hiqte dënimin me vdekje në Shqipëri, ndërsa unë nuk isha dakord. Larg qoftë, mendoja për vajzat e mia sikur ndodkush u bënte keq të mos e çoj mendjen më thellë… po kundërshtoja gjithë kohës dhe deklarova se do votoja kundër në Parlament. Megjithatë, ai arriti të më bindte me shumë taktikë, por jo pa lodhje.
Megjithatë, Berisha, nuk ju rikandidoi në 1997. Nuk deshët ju apo nuk ju përfshiu në listë ai?
Të jem e sinqertë, këtë të dytën do të zgjidhja më shumë. Edhe unë nuk e kisha më dëshirë. Mos harroni, se mosha ime nuk ishte më edhe aq e përshtatshme për politikë aktive. Po kaloja të 60-tat, ndërkohë që u mërzita shumë me disa media në atë kohë. Mezi arrita të merrja 10 mijë nga 60 mijë metrat pronë të familjes që më takonin, ndërsa ato më quajtën hajdute. Më kanë lënduar shumë, ndërsa mu bë një antifushatë ndaj meje. Mbase kjo një arsye dhe mosha tjetra, por edhe mungesa ime e dëshirës, bënë që unë të mos rikandidohesha më në vitin 1997.
Çfarë keni përfituar ju nga politika?
Legjislaturën e parë vetëm sa kam dhënë. Legjislaturën e dytë vetëm rrogën, e cila ishte shumë e vogël. Jua thashë, në gjithë karrierën time, si kirurge apo politikane, përfitimi im kam qenë vetëm 800 lekë të vjetra. Nuk kam arritur të marr dot as pronat e mia. Nga 60 mijë metra që trashëgoj në Durrës nga familja, mora vetëm 10 mijë, por edhe ato me shpifje nga fund në atë kohë (viti ‘95-‘96). Po ashtu, edhe bashkëshorti im, në pronat e të cilit është një pallat 16-katësh dhe po ndërtohet një tjetër 20-katësh. Dhe ku do të thoni ju? Fiks mbi zonën e Vollgës në Durrës, aty ku janë ndaluar ndërtimet dhe gërmimet, pasi mbrohet me ligj si zonë arkeologjike. E vetmja pasuri që kemi unë dhe Fredi është vetëm ky apartament dhomë e kuzhinë që shikon ti. Për të tjerat, kemi 20 vjet dyerve të gjykatave dhe nuk po i marrim dot. Bëjini vetë llogaritë tani, se sa kam përfituar unë nga politika…
Në familjen e doktoreshës
Emri i vjen nga persishtja dhe do të thotë ndriçim (Rushen). E lindur në Durrës më 16 korrik 1935, Rusheni është vajza e Mahmut Golemit, i njohur si prefekt në shumë qytete të Shqipërisë, por edhe si Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë. Tashmë ajo është nëna e tri fëmijëve, e dy binjakeve Inis dhe Iris, si dhe e djalit Konstandin, ndërsa ka 7 nipër e mbesa. Për Rushenin është realizuar edhe një dokumentar në vitet ‘70-‘80, si kirurgia e parë femër në Shqipëri, ndërsa ka qenë dalluar për aktivitete sportive, sidomos në volejboll dhe atletikë.
ELISABETA ILNICA
Intervistë e vitit 2011 tek Panorama. Voal.ch e risjell In Memoriam
Pershkrim e intervist shum interesante.
dr.kiruge e pare eshte e rendesishme,por
me sinifikative esht qe ka qene e zgjuar
studioze,serioze,e humanist,nene e mire,
profesoresh,pedagoge e shkelqyer,nje zonje
me aftesi te vecanta.
Kur isha ne spatial ne vitin 57-58,kishte shume
pak stazhier-e,f(e praktikant-e),qe vinin neper
pavione per praktika,nder
ta Ishte dhe nje dr.ushtarak Rexhep Ndoci,qe me
studenten e farmacis Ms ,Nazmie Hoxha me takuane,
Emri Rushen me beri pershtypje,(nene time te dashur
e quanin Rushe-pa prapashtesen-n) e thash do te jete
nga familje e vecante,intelektuale qe shpesh i quinine,
me nofken “aristokrat ”.
Me vone ne per mesh shtypit,gazetave,radios,tv.u be
nje nga speciastet me te mire te kirurgjise shqiptare,
pedagoge,universitete,deputete e par.amenity Shqiptar,
E laurure ”mjeshtre e made e punes”dhe ne arenen,
nderkomtare (enciklopedi britanike)renditet nder
2000 personalitetet boterore te shekullit XX.
Bashkshorte e nderuare,sportiste dhe deputete,
e ekuilibruare.
Mendojm,qe ne shenje respect e nderimi qe ndonje
katedere,apo,departameti te Korurgjise,ne QSU te
mbajn emrin e
“‘Dr.Rushen Mahmut Golemi”.
I pa harruar qofte kujtimi dhe vepra e saje.
Fatbardh Doci SC
New York
March 5 2018