Donika Krasniqi
Jelena Miliç, drejtoresha e Qendrës për Studime Euroatlantike, ka folur për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ide kjo për të cilën ditë më parë raportoi Gazeta Express, e në të cilën janë të përfshirë top politikanët kosovarë.
Miliç thotë se ka dëgjuar nga qarqe politike, analistë dhe gazetarë se ideja për shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë ekziston tash e disa vjet.
“Nuk e di kush konkretisht mund të jetë duke zhvilluar negociata të tilla, por e di se jo vetëm në Kosovë dhe Serbi por edhe në rajon ka forca të tilla politike të cilët kanë interesa partiake dhe politike për të përkrahur një proces të tillë të rrezikshëm.
Gjithashtu, lehtë mund ta imagjinoj se Vladimir Putin shumë letë mund ta shfrytëzoj këtë për ta shtuar ndikimin e vetë në Ballkan”, ka thënë drejtoresha e kësaj qendre.
Siç shprehet ajo, shkëmbimi i territoreve, në rast se ndodh, do të arrihej përmes nivelit të lartë dhe do të përkrahej nga njerëzit e dy palëve, por do të ishte katastrofë dhe rast ‘sui generis’. Madje, një shkëmbim i territoreve do ta forconte ushtrinë paramilitare të Republikës Serbe të Dikovic dhe do ta rrezikonte kontrollin demokratik të armëve.
Miliç thekson se jo vetëm në Serbi dhe Kosovë por në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor mund t’i kenë interesat e veta politike dhe partiake për ta përkrahur një ide kaq të rrezikshme.
“Po ashtu, mund lehtë ta imagjinoj se Vladimir Putin mund ta përdorë këtë për qëllimet e veta për të pasur prezencë shumë të fortë në Ballkan dhe për ta arsyetuar aneksimin e jashtëligjshëm të Krimesë [së Ukrainës] për ta nxjerrë një paralele mes [Kosovës dhe Krimesë]”, thekson ajo.
Madje, për drejtoreshën e Qendrës për Studime Euroatlantike duhet të jetë e turpshme për NATO-n që katër shtete anëtare të saj nuk e kanë njohur Kosovën.
“Mendoj se Qeveria e Spanjës, në rast të ndonjë incidenti të dhunshëm, nuk po them në rast të ndonjë lufte të re, por në rast të ndonjë incidenti të dhunshëm; ndonjë krize paramilitare do të bartë një pjesë të madhe të përgjegjësisë, sepse veçse është duke bartur përgjegjësi për përjashtimin e Kosovës nga strategjia e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar ajo.
Tutje, ajo ka propozuar që marrëveshja e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, me gjithë të metat e saj, duhet të përshpejtohet.
Për këtë, thotë ajo, ka përgjegjësi edhe Qeveria e Kosovës sepse nuk ka kontribuuar mjaft për ta përshpejtuar procesin. Por një pjesë e fajit për mosliberalizimin e vizave, sipas Miliç është mospërmbushja e kritereve, siç është edhe mosmarrëveshja për kufirin me Malin e Zi.
“Nuk keni përmbushur asgjë për liberalizimin e vizave. Një arsye objektive pse po i krijoni probleme anëtarëve të NATO-s është marrëveshja e kufirit me Mali i Zi. Pra, marrëveshja e Brukselit duhet të përshpejtohet dhe brenda saj duhet të arrihet një lloj marrëveshjeje për, pa njohje, e cila mund ta zhbllokojë situatën aktuale për integrimin në BE të të dy vendeve. Edhe Serbia e ka fajin për ngadalësimin e procesit, për shkak të shumë zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe parlamentare”, sqaron Miliç për Express.
Gazeta Express ka mësuar se ideja për ndarje, ose ideja për këmbim të territoreve me Serbinë, është duke u përkrahur nga Serbia, Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias. nën orkestrimin e Presidentit Hashim Thaçi. /Express/
Komentet