Me Sejdi Berishen,Pejë,17.11.2024
Sot ishte një ditë e veçantë në kalendarin ditor të këtij viti në ikje . Pas afër pesë muajsh, takova mikun ,poetin, shkrimtarin e mirënjohur në të gjitha gjinitë letrare, z. Sejdi Berisha, në shtëpinë e tij, në Pejën e dashur, të cilës ia kushtoi tërë jetën me veprat e tija madhore.
Gjithmonë me mikun Sejdi Berisha jemi takuar çdo tri jave, apo së largu, çdo muaj. Nga fundmaji nuk u takuam deri me sot.
Ngjau, siç i ngjan çdokujt të sëmuremi, të jemi paqejf, mos të kemi disponim etj. Pra nuk u pamë, nuk hurpëm kafe se bashku për afër pesë muaj. Ishin të gjatë, sa shekulli (për mua) muajt e kaluar. Humba “durimin” dhe dje, me 16 nentor e pyeta në telefon, për mundësinë e takimit.
-Të pres kur të duash më tha, shumë i gëzuar!
U gëzuam të dytë. Sot, mora drejtimin e Pejës për në shtëpinë e mikut tim, Sejdi Berisha. Aty kah ora 11-të preka zilen në derën e oborrit. Doli një çun, sigurisht nipi i Sejdiut, dhe menjëherë më zgjati dorën e më foli: “ Urdhëro, gjyshi është këtu, ka bërë më mirë, po të pret!….”
Te dera e dhomës ia lëshova një zë si prej shpati, o Sejdi Berisha, ku të kam ore burrë?!
U ngrit në këmbë nga krevati, pashë se iu hap balli si shkëmb bjeshke, i buzëqeshi fytyra dhe u ngrykuam bukur gjatë…
-Sa më paska pas marë malli tha, duke u ulur në krevatin e tij!…
Besa e tradhtuan edhe dy-tre pika lot malli… Mua jo!… U bëra guri!..
Pas pak filluan pyetjet reciproke mes nesh.
Më pyeti për gjithë familjen time. Pastaj edhe unë fillova ta pyes ngadalë për familjen dhe muajt e kaluar me sëmundjen e zgjatur… Më tregoi gjerësisht. Vuajtjet e tija i përjetova thellësisht nga se vite më parë e kisha kërkuar atë” çorbë,” ndonëse pak më ndryshe…
I ofruam “ vuajtjet” deri në qeshje!Sa u gëzova kur e shikova duke qeshur!…
-Eh, ndal pak!- më foli. Dua të di për gjithë shokët, miqtë tonë kudo i kemi. Tregomë miku im, si janë tropojanët, të gjithë, si e kam Lulzim Logun. A keni zhvilluar ndonjë aktivitet letrar, si u ka shkuar puna. Po në Gjakovë si janë shokët, si e kam Muharrem Kurtin, a është mirë?!
Gjitha këto pyetje që mi bëre miku im!…
Dhe fillova t’i përgjigjem për çdo gjë që ishte i interesuar, aq sa dija e i mbaja mend ngjarjet. Kuptova se e kishte marë malli shumë, sytë iu mbushen me lot. Sejdia ishte krahu i djathtë i bashkëpunimit në gjithë Malësinë e Gjakovës e jo vetëm, në kuptimin letrar.
Përderisa unë hurpja kafen pranë tij, ndali për pak çaste bisedën, duke më shikuar me vështrim të veçantë, në heshtje….
Dhe si një tingëllimë i erdhi dëshira të dijë edhe për shkrimet e botimet e miqve.
Sa i interesuar ishte Sejdi Berisha për Mitingun jubilar të poezisë në Gjakovë!
-Eh, gati të harroj, po foli ndoshta më tepër, por më paska pas marë malli. Më trego për Mitingun e Poezisë në Gjakovë!… më foli.
E shikova në RTK, një emision, por ty nuk të vërejta askund?!
Pse, mu drejtua miku im. E njoftova duke i thënë me sinqeritet se Mitingu arriti qëllimin të manifestojë jubileun e 6o vjetorit me shumë sakrifica. Jam i gëzuar, i fola, se ka premtime nga qeveritaret komunalë së mitingu duhet të mbahet në vazhdimësi si fryt e aset kulturor i qytetarëve të Gjakovës e jo vetëm. Sa u gëzua poeti Sejdi Berisha!..
Pyetja e tij e serishme ishte, po këtë radhë a kaluat mirë ? U zura pakës ngushtë, si t’i përgjigjem, nga se, mirë ishte, por jo çdo gjë mirë…
Dhe i dhashë përgjigje të shkurtë e lakonike: “ nusja e mirë boll, por pakës qorre!…”
Ehe, ndali fjalën, i kuptova të gjitha!… Faleminderit!… tha dhe mbet pakës në kujtime…
Nuk u ndal me aq. Sërish trajtoi çeshjen e mitingut, duke shtuar: mendoj se duhet të vazhdoni gjithmonë së bashku, si tani e dy decenie më parë, duke ngritur sa më lartë bashkëpunimin shpirtëror të krijuesve të Malësisë së Gjakovës.
Isha në mesin e dashamirëve të fjalës së shkruar, i thashë, aty ulur në sallën solemne të Pallatit të kulturës “Asim Vokshi”në Gjakovë. Nuk u ndjeva keq, i fola, sepse mosha kur ikën, bëhesh i tepërt edhe në “dasmë”….
Tek i sëmuri nuk duhet të qëndrosh edhe aq gjatë. Ishte bërë një orë ndeje e biseda që nuk e kishin fundin askund. I urova shëndet e të mbara në jetë, duke ia dëshiruar sa më parë shërimin dhe takimin me miqtë tjerë nga Gjakova, Tropoja , Klinë e vende tjera.
Në përshëndetje e sipër, si i përmallur tha se së shpejti do të pimë kafe në hotel “Turizmi” në Bajram Curri me gjithë miqtë e tjerë. U bënë shumë të fala!….
Gjakovë,17.11.2024
Unë i njihja që të dy,prej kohësh. Me SHKËMBIN qeshë koleg dhe nuk kish intimitet,qofshin nga ato,me rrezik “pontencial” që mos ia besonim njëri-tjetrit. Pas ca kohësh,në shkollën tonë erdhi dhe ERA dhe këtu nis fillin tregimi im. Nëse doni të kini ndonjë karakteristik të të dyve për të cilët po shkruaj,po ju them në”vija të trasha”,vetëm kaq:SHKËMBI është siç ka emrin! Një burrë me ADN të fortë dhe veç,burrërisë,qe altruist që nuk i gjendej shoku. ERA qe jo vetëm e brishtë, por,pa u futur në imtësira,qe si një flladë maji që,jo vetëm të kënaqë,kur fryn,por bëhet e domosdoshme dhe për lulet:për polenizimin e tyre. Duke folur,larg e larg,pa hyrë në të tjera hollësira,lexuesi e kupton se këta dy emra janë pseudonime dhe,nëse përkojnë me persona të tjerë, kjo është vetëm rastësi dhe asgjë tjetër.
Po e sjell këtë tregim (në të vërtetë,është përjetim),për miqtë e mi,se me ata të dy ka ndodhur që të bien në dashuri me njëri-tjetrin,në një kohë,kur që të dy kishin familjet e tyre dhe nuk kishte ndonjë”çarje” apo mosshkuarje,qoftë në familjen e SHKËMBIT apo në atë të ERËS. Por,sado që shkonin, pa u marrë dorën,i zu dashuria reciproke me njëri-tjetrin. Se dashuria është si puna e gripit: të zë pa të marrë dorën. Ky”grip” jo vetëm që i zuri rëndë, por sa vinte dhe shtonte dozën. Nëse zini e pyesni që a ishte e ligjshme dhe nëse ishte e moralshme,po ju them:-Dashuria as nuk i njeh ligjet,i thyen ato haptas dhe,po kështu,nuk pyet për moral. Të dashuruarët,pothuajs,i hyjnë detit në këmbë. Pa dalë me karta të hapura (ato më janë besuar mua),mund t’ju them:që të dy,qoftë SHKËMBI,qoftë dhe ERA nuk ishin për prishjen e ciësdo prej familjeve.Qenë familjarë perfektë dhe,në ndodhi kështu, qe si vetvetiu apo ca më shumë si një”cunam” shpirtëror që i përfshiu që të dy në vorbullën e tyre. Parë dhe gjykuar me gjakftohëtësi,kjo dashuri qe sa e bukur,por aq e trishtë dhe dramatike. Por,kur thonë,le të dalim nga”deti” i mistereve, në stere…
” Ti,sikur ke dalë nga një”fabrikë ëndrrash” dhe unë nuk gjej veç se “çfarë marke”je?
Mos vallë je tunduese zëmrash që,veç nga këto drithma unë nuk po fle…
Dhe ERA:
“Fli i qetë! Ti, me atë shpërthim ndjenjash,më shokove
Dhe nuk rezistova dot.Më paralizove
…………………………
U mbylla gjithë ditën në heshtje,por,në fakt,kuvendoja me ty.E përfytyroj veten sikur kam mbshtetur kokën në kraharorin tënd.Ah,sikur ta dije se sa të dua! Me hap të sigurt drejt FERRIt mund të shkoj.
*
Hapa kutitë dhe nxora gjithë shkrimet e tua që janë shkruar enkas për mua. Eh, se si jam bërë! Ta hajë dreqi,përse duhet të vuajm kështu? Natën të rishoh.Të prek dhe zë fshij lotët që bien sikur “malaksin” dashurinë tonë aq të fshehtë dhe aq të madhe. Më bëhet,sikur i ndjej rrahjet e zemrës,jo vetëm të miat,por edhe të tuat,se a nuk ka thënë ERICH FROMM:-Në dashuri ndodh paradoksi që dy qenie bëhen një dhe,megjithëatë,mbeten dy. Do më pëlqente deri aty,kur bëhen një . Ja,kështu,të shkrova dhe ti,ngaqë je më i madh dhe më me përvojë,më shkrove:
“ERA,moj mike e shtrennjtë! Jeta,mjerisht,pret më “gërshërë reshperi”. Dashuria jonë ngjetë me atë udhëtarin e shkretëtirës.Atij i janë tharë buzët për ujë dhe,i etur,vrapon drejt një burimi me ujë,por,sa afrohet,të shuajë etjen, burimi është tharë. Ne,mjerisht,sado persona realë e tokësor,jetojmë si surealë dhe përmjet një iluzioni. Kurrë buzët tona të etura nuk do ta shuajnë etjen. Një diturak,kur flet për dashurinë,thotë:”Dashuria është si lufta: e lehtë për ta fshehur, e vështirë për t’u ndalur.” Duket sikur i ka thënë për ne.Se vërtet që e fshethtë është dashuria jonë,por a mund të ndalet ndonjëherë? Unë,për vete,nuk besoj.
“Mbi rreshta rri gjatë e lexoj. Përpiqem të gjen ngushëllim dhe të largoj trishtimin. Përpiqem…
SE unë,më duket,të kam dashur,pa të njohur. Tani që të njoha më shumë,do të dua pafundësisht.Tik-taket e zemrës sime e shtojnë ritmin,kraharorin tim të brishtë godasin dhe me ty flasin.
*
Kjo dashuri kaq e bukur dhe kaq e fshehtë e dramatike pati një fund të dhimbshëm. Filloi emigrmi dhe njerëzit u bënë kashtë e që kokërr. Kështu ndodhi dhe me këtë çift të dashuruar që,për shkaqe fare subjektive, e humbën njëri tjetrin. ERA në AMERIKë dhe SHKËMBI në GREQI. Me asnjërin prej tyre nuk kam komunikim,por,për çfarë shkrova,kam qenë,paksa,”kasaforta” e atyre letrave. Duke botuar,me shkurtime,disa prej letrave,jo vetëm rrëfej për një dashuri të sinqertë,por dhe fundin e saj të trishtë.A nuk ndodh me këtë dashuri si me atë thënien:”Të tjera duam.Të tjera na duan dhe të tjera marrim?”.
Sa më shumë po afrohej shemra autostradë, aq më shumë po rritej shqetësimi dhe tensioni ynë. Po e ardhmja, pa rrugën tonë të vjetër, si kishte për të qenë? Oh, Zot, lutesha me përgjërim, ruaje, mbroje, kurseje këtë qytet të kamur e besimtar! Nesër ka për të qenë një tjetër qytet… edhe njerëzit ndryshe kanë për të qenë.
NGA RRËFIMI I SHITËSIT TË BARIT TË MIUT
Ai kishte “ekskluzivitetin” e barit të miut në qytetin e vogël K. Hëm, ju përfytyroj tek vini lehtësisht e ironikisht buzën në gaz për këtë term, por shitësi i barit të miut, tek më rrëfehej, kështu u shpreh: “Kam ekskluzivitetin e barit të miut”, gjë që, ç’është e vërteta, më bëri edhe mua të mbledh buzët.
Vite më parë, midis një mijë çikërrimave të ndryshme që tregtonin, helmin vdekjeprurës mund ta gjeje pa u lodhur shumë edhe në dyqane e kinkaleri të tjera. Kur rruga kombëtare, e vjetër sa vetë qyteti, që e përshkonte mespërmes, u zhvendos pesë a gjashtë kilometra s’andejmi, si një vazhdim i natyrshëm dhe më i shkurtër i korridorit tetë, fotoksina nisi të mungojë gjithnjë e më shpesh.
Autostrada e largët, tej në perëndim, e zhurmshme dhe moderne, si të mos i nevojitej më, e la mënjanë qytetin e vogël K., e zhbëri, e zhvlerësoi në kohë të shkurtër, thuajse e izoloi nga bota. Udhëtarët e linjave të largëta, drobitur nga udha e gjatë, nuk ndaleshin si më parë për të pushuar në sheshin e gjerë, rrethuar nga dyqane, hotele dhe restorante të kohës. Të përmalluar, vendasit vështronin çezmën e moçme, shumë pranë xhamisë e orës së qytetit, që dukej e shkretë dhe e braktisur, kur jo më larg se muaj më parë duhej të prisje në radhë për të shijuar ftohtësinë e akullt të ujit, që mbërrinte këtu kushedi se nga ç’lartësi e maleve pranë, gjithnjë të gjelbra, dimër e verë.
* * *
Nga dita në ditë, qyteti po varfërohej. Si një i sëmurë me tumor të pashërueshëm, po humbiste frikshëm peshë orë më orë, po anemizohej e zvenitej. Njerëzit mezi gjenin punë, madje edhe nga më të thjeshtat dhe shumë syresh po e humbnin atë. Tregtarët po falimentonin, hotelet e restorantet, të dëgjuara për gatimet e traditës, po shkretoheshin. Ushqimi po bëhej gjithnjë e më i mangët në qytet dhe brejtësit për këtë shkak po rralloheshin. Ndoshta largoheshin së këndejmi për t’iu afruar autostradës së zhurmshme, që me shpejtësi po mbushej nga të dyja anët me shtëpi, magazina, punishte, fabrika e sidomos me motele, hotele dhe restorante të reja.
Ai po e krahasonte gjendjen e re dhe kritike të qytetit të lindjes me ngushtimin e ngadaltë të arterieve koronare të tij për shkak të arterosklerozës. Një ditë, që s’kishte për të qenë e largët, ato do të mbylleshin prej një trombi fatal. A nuk qe mbyllur njëlloj arteria kryesore e qytetit K., udha e vjetër kombëtare? Ja, kështu kishin parashikuar mjekët dhe ajo pjesëz e zemrës që furnizohej prej tyre do të vdiste. Kësisoj edhe qyteti. Qe në prag të “infarktit” social. Shprehja se “edhe minjtë kërcisnin kokën në shkëmb” po bëhej gjithnjë e më e besueshme. Mund të dëshmohej me faktin dëshpërues për atë vetë, si shitës, se kërkesat për barin e miut po pakësoheshin nga dita në ditë. Tregtarët e dyqaneve dhe kinkalerive po e porosisnin në sasi gjithnjë e më të vogla, për të mos u skaduar rafteve.
Por ai, me shpirt ndër dhëmbë, rezistoi me këmbëngulje dhe pa u dorëzuar. Ja, me atë, “dyqankën” e tij, që s’qe tjetër gjë veçse një kuti e madhe prej kartoni, të cilën e ndërronte çdo javë kur koha qe e thatë e me diell dhe çdo dy ose tri ditë kur i lagej nga shiu, dhe një stol i sajuar gjithashtu prej kartoni të presuar.
Shitësi ynë përpiqej të ishte sa më korrekt me blerësit, ta kishte gjithnjë aty mbi kutinë e kartontë barin e miut e të mos mungonte kurrë që ata, në mot të mirë a të keq, në shi a në erë, ditën a në muzg, ta gjenin doemos e të mos ktheheshin duarzbrazur. Kështu, shitësit e tjerë, shumë më të fuqishëm se ai, me dyqane e kinkaleri për së mbari, po tërhiqeshin si pa u vënë re dhe në një mirëkuptim të heshtur (u mjaftonin një mijë vogëlima të tjera për të shitur), duke ia njohur natyrshëm e pa fjalë “ekskluzivitetin” e barit të miut për qytetin K. Madje, njerëzit i kishin vënë një nofkë a emër të veçantë. Dyqani i kolonelit, i thoshin. Dhe jo pa arsye. Kishte qenë vërtet oficer, ushtarak i nderuar me gradën e lartë të kolonelit. Një reformë e papritur dhe e egër në ushtri e flaku tej, si një leckë, në rrugë të madhe. Meqenëse në moshën që e zuri “taksirati” s’mund të bënte ndonjë punë tjetër, aq më pak fizike, për të mbajtur familjen, u detyrua të nisë një “zanat” që muaj më parë do ta kishte bërë të skuqej e ta refuzonte me përçmim e revoltë.
Eh, kështu erdhën kohërat! Kohëra të reja për qytetin K.
U dëgjua të flitej për vjedhjet e para të rënda dhe muaj më vonë, për vrasje, vetëvrasje e përdhunime të egra që i kishin munguar fatmirësisht K.-së prej kohësh që s’mbaheshin mend. O perëndi! Ruaje këtë qytet nga shkatërrimi që po i kërcënohet sado që është goditur rëndë dhe ndien dhembje të forta, ja si unë tani.
Shitësi i barit të miut nxitoi të vërë një trinitrinë nën gjuhë, veprim të cilin e kishte shpeshtuar kohët e fundit. Kur e ndjeu veten paksa më të qetë nga shtrëngimi spastik i koronareve, i shkoi mendja çuditërisht, ashtu kot, te Marksi1, po, po, Marksi i klasikëve. “I madh paske qenë, o Marks vëllai. Njëqind e ca vjet më parë e tëhu, ke parashikuar e gjykuar drejt. Ekonomia, vetëm ajo, është mëma e të gjithave, qoftë e së mirës, ja shih Amerikën, qoftë e së keqes, ja shihna ne. U rrënua ekonomia e njerëzit pa bëjnë kështu, pa u ka dalë mendja, pa po vriten e priten midis syresh, vjedhin, kërcënojnë e u vënë gjoba të rënda tregtarëve, ndalin autobusë e mikrobusë në mes të udhës e të ditës e, nën frikësimin e armëve, u rrëmbejnë vajzave e grave të tmerruara çfarë kanë në gishtërinj, në qafë, në veshë e në xhepa. Ç’t’u bëjnë dhëmballëve të arta që s’ua shkulin dot! Të paktën, deri tani, më kanë lënë rehat. E çfarë do të merrnin prej meje, çfarë? Oh, jo!”
Befas, tërë dhembje, shitësi psherëtiu thellë, duke u përpjekur t’i shmanget, t’i shpëtojë përfytyrimit mundues që, me këmbëngulje, si një ide a mendim fiks, bënte ç’ishte e mundur ta kaplonte, ta pushtonte të tërin dhe i thëthirë e paralizuar prej tij, si prej një shumëkëmbëshi helmues, të mos ishte në gjendje të mendojë a të ndiejë për asgjë tjetër përveç saj, adoleshentes, vajzës pesëmbëdhjetëvjeçare.
Në kësi rastesh ndihej vërtet keq, shumë keq. Si i pushtuar prej një krize kalimtare të Petit Mal2, ai ndërpriste bisedën me një të dytë, zbehej, ligështohej, mbushej me djersë, pëshpëriste diç të pakuptimtë, si ndër ethe, shtrembërohej në fytyrë, sikur të kishte gëlltitur një tabletë të hidhur kinine. Bashkëbiseduesi shqetësohej, tronditej, trembej, alarmohej, por shpejt ai përmendej, vinte në vete; pakëz i hutuar dhe si me turp kërkonte ndjesë dhe nxitonte sakaq të fshijë djersët e ftohta që i rridhnin tatëpjetë ballit e qafës.
Falë streseve të ditëve të fundit dhe gjumit të keq e të trazuar të natës që shkoi, përfytyrimi i gjallë i vajzës, i dallueshëm qartë, gati i prekshëm, nuk po i davaritej.
Në dorën e vockël, të bardhë e të brishtë, që i dridhej pareshtur (Ah, si nuk e çmoi në kohë atë dridhje të mortjes për t’i thënë me plot vendosmëri: “Jo, jo dhe jo!”), mbante, pra, një dorë njomëzake fëmije, një dymijëlekësh të vjetër.
O perëndi! Si e mori paketën e helmit dhe ia lëshoi në dorën imcake së mjerës vajzë, si t’i kishte kërkuar një ëmbëlsirë e jo barin e mallkuar të vdekjes?! Po si nuk iu tha në çast e t’i ishte bërë kallkan dora e tij e urryer? “Perëndia më vraftë!” – qortoi veten për të mijtën herë. – “Më vraftë e më shoftë!”
Të nesërmen e vdekjes tragjike të adoleshentes, përdhunuar shtazërisht nga njerku, një i afërm i saj nga nëna, i bëshëm e i fuqishëm, i dha një shkelm të rëndë “dyqankës së tij” dhe pastaj edhe atij vetë. I kishte thënë t’i falej e t’i falënderohej respektit të deritanishëm për të, pa trutë në erë do t’ia kishte hedhur. Si iu shitka bari i miut një fëmije? Si? Për një dymijëlekësh të qelbur? Jo! Më mirë ta kishte vrarë se e la kështu, gati gjysmënjeri, me një brengë të rëndë, sa me siguri për shkak të saj po vuante tani nga tensioni, zemra dhe neuroza sfilitëse.
“Eh, Marks! Ja, ekonomia e shkretë po më detyron të shes ende helmin e ndyrë që, për atë perëndi, ua jap për minjtë e kurrë, kurrë, asnjëherë për ata vetë”.
Qe bërë më i kujdesshëm, më i vëmendshëm, më i përmbajtur, pa u nxituar sadopak për t’ia lëshuar tjetrit në dorë helmin vdekjeprurës. Sikur të ishte një hetues i regjur, ia ngulte paq sytë viktimës së mundshme dhe e vështronte gjatë nga maja e kokës te këmbët. Orvatej të perceptonte shenjëzën më të vogël të shqetësimit e tensionit te blerësi. S’mund të shpjegonte se përse, në gjendje të këtilla stresi dhe përqendrimi të madh, i shfaqeshin përpara syve llambushkat e kuqe të alarmit që pulsonin pareshtur sa herë që shëmbëllimi i avionëve “armiq” shfaqej në ekranin e gjelbër të radarit; i bëhej se dëgjonte zhurmën e mprehtë të sirenave, që ende i kumbonin në vesh, e drithëronin dhe zgjonin tek ai instinkte të përgjumura.
“Hëm, ja tek vjen! Është nga ata! Nga ata! (Me këtë përcaktim shitësi i barit të miut nënkuptonte njerëzit e dëshpëruar e të pashpresë që kanë vendosur t’i japin fund jetës.) Kujdes! Hap sytë!” – i drejtohej vetes. – “Ji i vëmendshëm!”
Drejt tij, me dukjen e një të dehuri, tek lëkundej sa majtasdjathtas, si një i sëmurë parkinsonik, i parruar prej ditësh, buzështrembëruar, diç duke folur me vete si i përçartur, po afrohej një burrë rreth të gjashtëdhjetave.
Teksa i ngatërroheshin këmbët e tek humbiste për një çast ekuilibrin, desh e rrëzoi “dyqankën” dhe kutitë e barit të miut të sistemuara në rresht, njëra pas tjetrës, në një rregullsi e harmoni të tillë sa shpesh i sillnin ndër mend kuadratet e paradave të famshme ushtarake të viteve `60. Eh, kohëra, kohëra! Ishte skënderbegas atëherë. Tërë zell e dëshirë adoleshenti e shtrinte hapin me sa mundej dhe e përplaste pastaj fort mbi gurët e kalldrëmtë të Bulevardit të Madh, që tanket e rënda sapo i kishin ciflosur.
– Kujdes! Kujdes! – i tërhoqi vëmendjen të panjohurit, ndërsa ngrinte nga pllakëza e trotuarit të ngushtë një paketë fotoksine, që burri rrëzoi padashur.
– Dy kokrra bar miu! – kërkoi shkurt tjetri.
– Dashke të mbarosh punë shpejt me veten, – e provokoi ai, pa ia shqitur sytë.
– Çfarë? – pyeti tjetri, gjithnjë i turbullt, pa e kuptuar.
– Dashke të shkosh në parajsë brenda orës, – ia preu shkurt shitësi.
– E nga e di ti këtë? – pyeti si me dyshim, gati me naivitet, burri.
– Dukesh, – vazhdoi shitësi.
– Të ka rënë ndonjë hall i madh? Ke ndonjë problem të rëndë që s’po e zgjidh dot? Burri pohoi në heshtje me kokë.
– Si çdo njeri, kam edhe unë hallet e mia, por nuk kam ndër mend të vdes. Kokrrat i dua për minjtë, jo për vete, – gënjeu burri dhe u kuptua lehtë për këtë.
Zëri dhe dora e zgjatur drejt shitësit, që mezi mbante pesëmijë lekëshin, i dridheshin lehtë.
– Pa ulu njëherë të bisedojmë se barin ja ku e kemi. Mjaft të zgjas dorën…
“Oh, Zot! Si po shprehem kështu?! Mjaft të zgjas dorën, sikur të thosha mjaft të shkel këmbëzën dhe ti, o i panjohur, je i goditur për vdekje, je i pashpresë, je i pafrymë, je i vdekur”.
Instinktivisht, si i trembur se po ia rrëmbenin, shitësi vuri pëllëmbën e madhe si strehë mbi kutitë e fotoksinës. I bindur, burri u ul, madje aq pranë sa shitësi ndjeu erën e pakëndshme të rakisë, përzier me erën të qepëve të njoma.
– E ktheve një dopio para se të mbarosh punë me veten? – e ngacmoi shitësi.
– Eh, ja ashtu, dy teke, mbase tri… Po s’mbaj mend mirë. S’më kujtohet.
– Po thuamë! Folmë! Ç’hall i madh të ka zënë? Se mbase të gjendem. Po fol, de! S’ka gjë në botë që nuk e ka një zgjidhje. Veç vdekja s’ka derman.
Pas një ngurrimi të gjatë e të vështirë, përmes ngashërimeve të dëshpërimit, burri nisi të hapej. Shpejt, shitësi mësoi arsyet e depresionit të thellë të të panjohurit. Kishte humbur apartamentin te piramidat dhe për këtë shkak, edhe gruan e fëmijët, që s’e qasnin më në shtëpinë me qira, sepse kishte qenë bash ai që pati vendosur në mendje të vet, me dëshirën dhe ëndrrën e bukur për të blerë pastaj një hyrje më të gjerë. Kujt s’i qe qarë, cilit s’i kishte shkruar, deri më të madhit, por përgjigje s’kishte marrë kurrë dhe siç po dukeshin bathët, e kishte të humbur njëherë e përgjithmonë davanë. Dimri qe në prag, ai pa shtëpi e katandi, pa një dyshkë në xhep, i braktisur, i fyer, i përçmuar, madje i urryer nga më të dashurit. Atëherë, për çfarë i duhej jeta, përse u dashka jetuar, ç’kuptim ka, kur, në të vërtetë, s’është më jetë, por skëterrë, një ferr i mundimshëm?
Shitësi nisi të mbledhë kutitë e fotoksinës edhe pse për ta mbyllur “dyqankën” i duheshin tri ose katër orë. Burri po e vështronte i hutuar dhe i mpirë. Mund të kishte parashikuar si në delir çdo veprim të shitësit, por këtë jo, të paktën këtë…
Koloneli-shitës mbylli “dyqankën” e tij, më mirë të themi i maskoi diku, në një qoshe të errët e të pandriçuar nga llambat e shtyllave, kartonët e tij që pastruesit e natës të mos ia digjnin dhe i hodhi miqësisht krahun në sup të panjohurit depresiv, si të qenë njohur prej kohësh.
– Eja, – i foli me butësi. – Hidhemi pakëz nga shtëpia. Bëjmë një copë muhabet, kthejmë edhe ndonjë gotë raki me meze të mira që veç gruaja ime di të bëjë dhe mbase gjejmë ndonjë rrugëdalje, se të thashë, de, veç vdekja s’ka ilaç, veç ajo e mallkuara.
Një copë herë, burri rezistoi në heshtje, duke i qëndruar fizikisht tërheqjes, por edhe joshjes së shitësit për të lëvizur s’andejmi. Më në fund, hodhi çapin e rëndë, të lëkundur e të pasigurt, drejt shtëpisë së oficerit në pension, shitësit të barit të miut.
Kishte shpëtuar, ja kështu, dhjetëra të dëshpëruar, dhjetëra depresivë në kulmin e mërzitjes, ankthit, trishtimit e brengës: intelektualë pensionistë, të rrënuar ekonomikisht, të cilëve shitës injorantë s’u jepnin më ushqime me listë pa shlyer më parë detyrimet stivë, të sëmurë kancerozë, të lemerisur e të mbilodhur nga dhembjet torturuese, me gjithë analgjezikët e fuqishëm që merrnin, vajza të reja, të mashtruara a të rrëmbyera forcërisht dhe pastaj të përdhunuara shtazërisht në skuta të errëta e pise “motelesh” a “hotelesh” ordinere, gra të trafikuara dhunshëm nga vetë bashkëshortët e tyre në mërgim, dashuruar me lavire rrugësh, prostituta të penduara a të kthyera forcërisht prej policive të vendeve fqinje, që nuk qaseshin nga të afërmit e tyre, bash për njollën e rëndë të turpit familjar që u kishin vënë, tregtarë të falimentuar, njerëz që kishin humbur gjithçka në piramida, shtëpi e katandi, familjarë të incestuar, adoleshentë me prirje homoseksuale, të pakënaqur me gjininë e tyre, që nuk “kuptoheshin” prej “injoranve” të tjerë, deri fëmijë të rrahur barbarisht nga prindërit për një pesëmijë lekësh të humbur në pazar, për një televizor të thyer në shtëpi.
Një pjesë syresh, kur nuk mbërrinin të merrnin fotoksinën “shpëtimtare” prej duarve të tij, i jepnin fund jetës në tjetër mënyrë: mbyteshin në ujë, vareshin, godisnin veten me thikë, prisnin damarët, vetëvriteshin me armë zjarri, të cilat pas ngjarjeve tragjike të `97-tës gjendeshin pa u munduar shumë, pinin qetësues në doza të frikshme, hidheshin nga kate të larta pallatesh në ndërtim, fusnin duart në korrent, u dilnin përpara makinave të rënda, trenit. Oh, perëndi, tmerre pa fund!
Kur në kronikën e zezë të televizionit lokal transmetonin lajmet tronditëse të vetëvrasjeve tragjike, veçanërisht të të rinjve dhe i shoqëronin natyrisht me fotografitë e tyre (ai i njihte, i dallonte, i kujtonte sakaq), nuk mbyllte sytë tërë atë natë, shpesh edhe të nesërmen. Kësi rastesh mallkonte zanatin e ri e të vështirë të shitësit të barit të miut edhe pse asgjë, veç adoleshentes së mjerë, nuk rëndonte sadopak në ndërgjegjen e tij.
Të nesërmen e ngjarjes së pazakontë me burrin e piramidave ndihej çuditërisht i qetë, i lehtë, i papeshë, thuajse i lumtur. S’ishte pak, de! Kishte shpëtuar një jetë burri.
S’qe bërë ora që kishte hapur “dyqankën” e vet kur drejt tij po vinte ngadalë, e shpenguar, pa u nxituar sadopak, krejt e lirshme dhe e qetë, si të nusëronte, një grua, që dukej të ishte shtatzënë, duke e gjykuar nga barku i saj i fryrë.
Ndoshta, për shkak të gjendjes së tij të pazakontë shpirtërore, mbase edhe për shkak të qetësisë e sigurisë që rrezatonte gruaja e mirë, për të parën herë pas tre vjetësh që ushtronte zanatin e panatyrshëm e të pazakontë për atë vetë, të shitësit të barit të miut, nuk dyshoi aspak për qëllimet e vërteta të së panjohurës. Madje, ajo mbante për dore një djalë të vogël rreth pesë vjeç, që e bënte edhe më të besueshme.
– Tri tableta fotoksinë! – foli gruaja, pa dhënë shenjën më të vogël të një emocioni sado të fshehur e të maskuar me kujdes.
Në pamjen e saj, në tërë qenien e saj, si grua dhe nënë veçanërisht, nuk kishte shenjën më të zbehtë të ankthit, alarmit e depresionit. Ai qe shumë i sigurt për këto. Tani s’ia hante më qeni shkopin.
– Paskeni shumë minj në shtëpinë tuaj, zonjë, – foli shitësi, teksa në shenjë respekti ngrihej në këmbë, si i sugjestionuar e i hipnotizuar befas prej saj.
Gruaja vuri paksa buzën në gaz, aspak e sforcuar e false, siç rëndom duken lehtësisht ata që shtiren e mashtrojnë.
– Po. Kemi ca si shumë. Madje, më bezdis veçanërisht një i madh e i frikshëm.
Oh, perëndi, si nuk e nuhati, si nuk e kuptoi nëntekstin, ironinë e hollë dhe adresimin e tërthortë të saj, si?
– Janë aq të forta, zonjë, sa mbysin dhjetë njerëz së bashku. Ju siguroj për këtë, – tha ai, tek ia paketonte tërë kujdes e delikatesë, si të ambalazhonte një tortë ditëlindjeje e jo më “pastën” e hirtë të mortjes.
Ai ngriu kallkan kur spikeri i televizionit lokal, i tronditur, edhe pse kishte transmetuar me dhjetëra e dhjetëra njoftime tragjike të këtij lloji, njoftonte lajmin drithërues se një grua shtatzënë, tradhtuar në mënyrë të përsëritur nga i shoqi, pasi e kishte gjetur me të dashurën në shtratin bashkëshortor, ashtu qetësisht, paqësisht, denjësisht, fisnikërisht, pa ulëritur, pa britur, pa iu kërcënuar atyre, pa u përbetuar, pa u çjerrë me thonj e gishtërinj për gjëmën që i kishte rënë papritur, pa u ankuar, pa denoncuar asgjëkund, pa iu qarë as edhe perëndisë vetë, kishte marrë një vendim të rëndë e tragjik: të sakrifikohej së bashku me pasardhësin e tij shtatëmuajsh, që në të vërtetë i shoqi po e priste më me padurim se ajo vetë, si një shenjë e protestës së saj ndaj tradhtisë bashkëshortore, për dashurinë e parë e të vetme të saj vrarë pabesisht.
Kur në ekran u pasqyrua shëmbëllimi elektronik i portretit të së vetëhelmuarës dhe shitësi i barit të miut njohu gruan, sikur papritur të ishte goditur nga iktusi3 e të qe paralizuar, i shpëtoi nga dora filxhani i çajit.
– Mos! Mos! – thirri tërë dëshpërim.
– Oh, jo, jo! Ndjeu një dhembje të fortë e të hidhur bash në mes të gjoksit dhe u mbyt në djersë.
– I mjeri unë! – iu drejtua vetes. – Të paktën me adoleshenten s’kisha përvojë. Sapo kisha nisur punë, këtë punë të poshtër e të ndyrë. Por me këtë grua, me këtë nënë të re, për më tepër shtatzënë, s’më falet. Jo, kurrë! Kam vrarë sërish. Vrava dy njerëz njëherësh, dy engjëj! Oh, ç’dhembje, ç’dhembje!
Shitësi i barit të miut futi trinitrinën e katërt nën gjuhë e sërish nuk u qetësua. Në të pestën humbi ndjenjat dhe gati të pafrymë, familjarët e gjetën të shtrirë sa gjerë e gjatë në qilimin e shtëpisë, me një filxhan çaji në dorë, zbrazur tërësisht në mozaikun shumëngjyrësh të shtrojës së leshtë.
* * *
Së largu, shitësi i barit të miut dalloi siluetën e turbullt të një të moshuari që, dalëngadalë, ashtu çalë-çalë, po shkonte drejt tij.
“Eh, kohëra, kohëra! Tani duhet të bësh kujdes, të ruash edhe tetëdhjetëvjeçarët. Çoç ku u shkrep ndonjëherë në kokë edhe këtyre…”
Syçakërryer, si gjuetari në përgjim, nisi të ndjekë atë që afrohej ngeshëm e në qejf të vet, pa ndonjë shenjë tensioni e shqetësimi të dukshëm. Një çast erdhi në vete, u kthjellua, u përmend. I pezmatuar, teksa tundte kokën si të thoshte: “Hajde, Lumo, hajde!” nënqeshi hidhur dhe me përçmim, thuajse i mërzitur me veten. “Po ç’ke, o Lumo, ç’ke? Ç’po ngjet kështu me ty? Ç’është tërë kjo frikë, ky tmerr?”
Kur silueta u afrua më shumë, u kthjellua e u qartësua, njohu komshiun e mëhallës së vjetër. I moshuari hapi duart që nga larg.
– Nga je, o Lumo shpirti, që na i thave sytë? Po ku je, o derman? Nga bëhesh kështu? U shtrënguan dhe u përqafuan tërë mall.
– S’e paske marrë vesh? Desh shkova, desh i lava duart nga kjo botë. Tjetri shtangu.
– Ç’thua more? Qofshin të shkuara! Po ç’pate, ç’pësove? Ai nisi të rrëfejë shtruar. Në mes të bisedës, një adoleshent i qe afruar “dyqankës” së tij dhe përkundër zakonit e shprehive të reja të tij, s’e pati vënë re.
– Një copë! – iu drejtua shkurt djali, me një dymijë lekësh të zgjatur nga ai.
Shitësi brofi në këmbë. Ia nguli sytë si të shqiponjës bash te duart dhe dymijë lekëshi. (Oh, dymijë lekëshi i shkretë i së gjorës!) Obsesioni torturues, përfytyrimi fiks, si të ushqehej prej monedhës rozë, bënte të ringjallej, të shfaqej saktësisht si muaj më parë, i gjallë, gati i prekshëm, por çuditërisht i ftohtë, tepër i ftohtë, aq sa ndjeu t’i shkonin mornica drithëruese në shtat.
– Hej, një banane të thashë! – u nervozua djali, duke humbur durimin.
– Ah, po! Ja tani! Më fal, o djalë, se mosha bëka të sajën!
Kur adoleshenti u largua, shitësi i barit të miut, tek fshinte qafën e dirsur, iu drejtua të moshuarit.
– Skëndo vëllai! S’po arrij dot të shkëputem nga zanati i vjetër. Kur dikush më kërkonte një a dy copë fotoksinë, diç e brendshme, që më vinte nga thellësitë e trupit e të shpirtit tim, si një alarm a kushtrim nga ato të zgjimit në ushtri, më sillte në vete, më përmblidhte. Instinktet e zgjuara më dukej se më pëshpëritnin pareshtur: “Kujdes, Lumo! Bëj kujdes të madh! Mbase Fotoksinën nuk e blen për minjtë, mbase për veten, Lumo xhani. Hapi sytë mirë! Hapi, Lumo!”
– Bananet i paske vërtet të mira. Të të marr edhe unë gjashtë copë? – e ndërpreu i moshuari, si të donte ta shkëpuste sa më shpejt nga një e kaluar e mundimshme dhe torturuese për të.
– Merri, o Skëndo vëllai. Merri të gjashta. I ke nga unë këtë radhë. Edhe dymbëdhjetë po të duash. S’e merr me mend sa i kënaqur, sa i lumtur jam me zanatin e ri. Gjumi më zë si një qengj në darkë. Në ëndrra nuk shoh më minj të mëdhenj, gri e të zinj, që shkojnë e vijnë si të trembur, nuk shoh fotoksinë e njerëz të zbehtë si meitë, që vjellin e vjellin pareshtur tek japin shpirt. Shoh banane, miku im! Banane të verdha dhe faqe e buzë të kuqërremta fëmijësh. Dhe e di? Më pak kokrra trinitrinë jam duke përdorur.
Një grup nxënësish të shkollës së mesme, duke ngacmuar njëri-tjetrin, duke folur e duke qeshur me zë të lartë, si tërë adoleshentët e kësaj bote, po i afroheshin “dyqankës” së qetë.
Tek sistemonte bananet dhe i vinte në rresht me kujdes të madh, si dikur tabletat e fotoksinës, i çelur në fytyrë, me një gëzim të thellë, të brendshëm, gati fëmijëror, koloneli në pension nisi të thërrasë me aq sa i zinte zëri:
– Hajde banane, vajza! Blini banane, djem! Gjashtë copë një mijë lekë! Është bukë e fukarasë! Është shëndet! Jetë! Hajde banane, vajza! Blini banane, djem! Dhjetor 2003 Marrë nga vëllimi i dytë i librit me tregime dhe novela “Një natë jetë”
(Onufri, 2024)
(FOOTNOTES)
1- Karl Marks (1818-1883) – themelues i komunizmit shkencor dhe
i materializmit dialektik. Vepra kryesore e tij është “Kapitali” (1867).
2- Petit Mal – apo sëmundja e vogël. Një variant i sëmundjes së tokës
(epilepsisë) gjatë së cilës pacienti nuk përpëlitet nga dridhje të mëdha,
por humbet për një çast vetëdijen pa rënë përdhe.
3- Iktus – “goditja në tru”, hemoragjike ose trombotike (i ra pika
– shprehet populli), si pasojë e së cilës mjaft pacientë paralizohen ose,
në rastin më të keq, humbasin edhe jetën.
Shënime për vëllimin poetik “Kroi i Luçes” të Sami Milloshit
Në damarët tanë këndojnë të gjitha krojet. Disa këndojnë më ndryshe se të tjerët. Në damarët e Sami Milloshit më bukur, më ëmbël, më zëshëm, më përmallshëm se të gjithë këndon Kroi i Luçes, simbol i vendlindjes, i atdheut, titull i vëllimit të tij më të ri poetik.
Atje është vendlindja, atje është Atdheu.
Sami Milloshi, krijues shumëdimensional, poet dhe gazetar i njohur, i larguar nga Shqipëria më 1997 dhe i vendosur në Amerikë, prej vitesh lëvron me sukses prozën e shkurtër (tregimin) dhe, duke e befasuar publikun në rrjetin social facebook, vjen edhe në përmasën e piktorit.
Në prozë Samiu sjell tema nga përditshmëria. Prozatori (tregimtari) iu qëndron besnik mjediseve, personazheve, rrethanave nga përvoja e tij e ngushtë jetësore. Në një gjendje të caktuar, pa lënë mënjanë veshjen e rëndomësisë, sekush, secila merr veshjen artistike në qendër të krjimeve.
Ndërsa në pikturë të gjithë elementet që sapo i përmenda pozojnë (drejtpërdrejt a tërthor) para Samiut.
Në vëllimin poetik “Kroi i Luçes” janë dy poezi që i kushtohen neoimpresionistit Vinsent Van Gog (Vincent Van Gogh, 1853- 1890), i njohur si themelues i modernizmit në pikturën botërore.
Takimi i tij me hollandezin e famshëm nuk është thjesht ndjesore (intuitiviste) është një takim i thelluar. Te “Sekretet e Van Gogut” ka vargjet:
“e mori penelin në dorë
dhe ia nisi
me i përkëdhelë pemët
si me qenë njerëz…”
Poeti doemos ka të drejtë. Van Gogu ishte portretist jo vetëm ndaj njerëzve, përkëdhelte në një mënyrë më njerëzore pemët se njerëzit, e përkëdhelte në një mënyrë më intime natyrën se gjindjen. Pra, disi, ai i përkëdhelte pemët, e përkëdhelte natyrën, të gjallën dhe të vdekurën, në vend të njerëzve. Në poezinë “Marrëveshje me detin” poeti piktor kërkon që deti të pranojë të pozojë për të realizuar:
“autoportret
diçka si Van Gogu
me veshin e prerë”.
Me sa mund të di unë deri sot, nuk ka ndonjë piktor shqiptar që të ketë guxuar të hyjë nën ndikimin e Van Gogut, madje nën ndikimin pikturës së fazës së dytë krijuese, kur piktori përqafon teknikën e pointilizmit të filluar më 1886 nga kolegët e tij Georges Seurat dhe Paul Signac dhe të vazhduar nga shumë piktorë të mëdhenj të kohës e të mëvonshëm, ku Van Gogu është më i madhi.
Pointilizmi, teknikë nëpërmjet së cilës pika të vogla dhe të dallueshme, të hedhura me penelë bashkohen në paletë për të krijuar imazhe, parapëlqen të kuqen, të gjelbrën dhe blunë (Red, Green, Blu- RGB) për të interpretuar dritën me anë të këtyre ngjyrave. Dhe e përdorin gjerësisht vajin. Neoimpresionizmi, kështu, e theksoi më tepër prirjen e veçantë të impresionizmit për ta interpretuar realitetin natyror dhe njerëzor nëpërmjet mbesave të tyre, pra, nëpërmjet interpretimit shpirtëror të dritës. Nëse impresionizmi ishte shumë pranë natyralizmit, neoimpresionizmi e mëvetëson artin duke mos iu larguar realitetit.
Sami Milloshi piktor mund të qortohet për anë të ndryshme teknike, por të gjitha punimet e tij, edhe tek ato më pak të arrirat, transmetojnë atmosferë çlodhëse, meditime të freskëta.
Në pikturat e tij me fjalë, poezitë, peneli i Sami Milloshit punon mbi bazën e kujtesës, madje të kujtesës së largët. Nuk mund të pozojë për të Kroi i Luçes, sepse
“asht larg,
rrazë malit t’Dejës.”
Van Gogu thoshte “Unë i shikoj punimet e mia në ëndërr, pastaj i realizoj ato.” Samiut i shikon me kujtesë poezitë para se t’i krijojë. Peneli i tij i vërtetë tashmë është gegnishtja, madje me ngjyrime krahinore e nënkrahinore. Pa këtë penel poeti piktor, piktori poet nuk mund të rikthehet në fëmijninë as në rininë e tij, nuk mund të bëhet fëmijë as i ri.
Peneli pointilist poetik i tij ngjyhet kryesisht në të kuq, në të gjelbër, në blu, por nuk lë manash ngjyresat e tjera, deri nga më të errëtat, që ia imponon fati i emigrantit, i cili i ka lënë vendlindjen, Atdheun, në mëshirën e fatit.
Më i trazuari ngjyrash është malli për të pakthyeshmen. E pakthyeshme është doemos fëmijnia dhe gjithçka e saj, e pakthyeshme është ngrohtësia prindërore. Në poezi jo. Ndaj:
“Bahem fmi apet
me i dhanë ujë babës.”
(Poezia “KROI I LUCES”)
“Kam nevojë për babë,
kam nevojë për nanë
tash që jam ba fmi.”
(Poezia “E PËRDITSHME”).
Ka shumë dritë, nga ajo e vjetër si bornat e vjetra, deri te ajo më e reja, si agsholet në penelin poetik të Sami Milloshit. E tillë është dashuria që ka lidhur një jetë të tërë prindërit e poetit. I ati i tij e përkufizon kështu ndjenjën më të ndjeshme:
“…me dashtë
domethanë
nji njeri që t’përcjell
e nji tjetër që t’pret.”
(Poezia “ME DASHTË”)
Mërgimi zgjon edhe nga paharresa një dashuri të hershme të poetit. Nga e dashura që nuk e ke më, provo të mbash mend disa hollësi, thotë poeti i shquar Yehuda Amichai. Një hollësi i mjafton Sami Milloshit për të mos e harruar vajzën që, sa herë e kujton, ia kthen rininë:
“Kur je zgjue n’ag
I ke pasë cicat e ngrohta.”
Dehja nuk njeh moshë. As dehja nga dashuria nuk njeh moshë, nuk njeh as kufij. Është mërgimtar kronik, por asgjë amerikane nuk e deh deri në mëkatnim si një bukuri femërore:
“i rashë pash më pash qytetit
e sytë m’u turbulluen
tek një shpinë e bardhë e zbulueme grueje
që e pava me etje.”
(Poezia “I DEHUN”)
Poeti e ngjyen penelin në trishtim për dashurinë e humbur (“NJI TUFË LULE”), e ngjyen në dhimbje tek “GJUHA E NANËS”, tashmë Miss Vorreza. Nga ngjyresa gri peneli lëshon shpesh të errëtën e skajme.
Atje është vendlindja, atje është Atdheu.
Viti 1997 ishte ai që e ndau poetin nga vendlindja dhe Atdheu:
“Të gjithë kanë kallashnikovë
Edhe qentë, edhe derrat.
Edhe ujqëri, edhe dhelprat,
Edhe kusarët, edhe pijanecët.”
Prandaj edhe poeti pajiset me kallanikov. Kështu e kujton ai te poezia “EDHE UNË SI TË GJITHË TË TJERËT”, shkruar më 1997. Dhe më vonë:
“nuk erdha n’Amerikë
me gjetë tokë
për parmenden teme
erdha me gjetë
Lirinë e shpirtit tem.”
Nuk mungojnë ngjyresat e pendimit, të dëshpërimit, të zhgënjimit, të pashpresës:
“Kur tjetrin e mori plumbi
te unë e n’pranga ti heshte,
as unë, si ti, nuk bzana,
heshta si gjethe vjeshte.”
(Poezia “PENDESA”)
Por nuk mungon as ngjyresa e shpresës, në rrafsh vetjak e më gjerë:
“ka me dek
Përbindshi i katundit,
ai që na bani
me e lanë katundin
e me gjet parajsën
n’planetin Askund.”
(Poezia “UNË KAM ME U KTHYE”)
Poeti vetëm sa i interpreton dritat që vijnë nga vendlindja, nga atdheu. Ato drita janë të ndritshme sa edhe të errëta, janë fluide sa edhe viskoze, më viskoze se vetë bojërat e vajit, lënë shenjë e gjurmë kudo që bien. Shpesh janë të mugëta, se janë interpretim i pikëllimit, dhimbjes, neverisë, urrejtjes si në poezitë “NGJITJA E MBRETIT NË SKENË” (“ti duhet ta dish mbreti im/kafka ime e kujtesës mbet gjallë”); “O KRIMINEL, KRIMINELI IM”, “OREKS” (“As më hanë,/ as i ha peshqit”); “DAVIS MOS QAJ” (“merre nji re të bardhë prej qiellit e fshiji lotët”).
Lënda që i lidh fjalët me fjalët, vargjet me vargjet, poezitë me poezitë është ironia. Herë më hapur, herë më fshehur, herë më zëshëm herë më heshtur, herë më therëse herë më butë, ironia sa ia largon aq dhe ia afron poetit realitetin.
Atje është vendlindja, atje është Atdheu.
E kam lënë këtë fjali të përbërë, ndërtuar veç me një presje, pa e përcaktuar: midis bashkërenditjes dhe nënrenditjes, ku fjalët lidhëse mund të vendosen nga kushdo, si në fillim, si në mes të fjalisë. Sepse vendlindja nuk është vendlindje pa Atdheun- dhe Atdheu nuk është Atdhe pa vendlindjen. Kjo porosi ndihet në krejt poezinë e këtij vëllimi.
Poezitë e Sami Milloshit janë piktura folëse që kumtojnë çiltër shqetësimet më të zëshme qytetare dhe ndjenjat më të thella njerëzore tek lexuesit.
Vëllimi përmban 46 poezi në shqip, 11 poezi të përkthyera në anglisht nga Ukë Buçpapaj dhe 1 të përkthyer nga Carrie Hooper.
Nëse do ta përfytyronim si një ekspozitë vëllimin poetik “Kroi i Luçes” të Sami Milloshit, mes gjithë këtyre larmive të ngjyrave të ndjesive, aq të natyrshme, nuk do të dinim te cili eksponat të ndaleshim më parë.
Rishqyrtime historiografike 5- REKRUTIMI I DHUNSHËM, MASAKRA E TIVARIT DHE PËRGJEGJËSIA E PARTIZANËVE SHQIPTARË- Nga Jusuf BUXHOVI
Të dita për zot
Se s’kusha zot tjetër
Por,plagët që çdo ditë m’i bën
Nuk më frikësojnë asnjë çast
Edhe pse me dhembin në shpirt
Sa herë më bëjnë rebel
Edhe pse nuk rebelohem
Më bëjnë edhe të dehur
Por,nuk dehem
Jam betue më të dashtë
Ma shumë se veten
Nuk kam tjetër në jetë
Që ta dua ma shumë se
Ty im zot
Ti me vite ishe gëzimi dhe loti im
Sa herë ëndrroja lirinë
Ti ishe liria ime e shpirtit
E unë isha ferri i vet Dantes
Andaj dhembjet që çdo ditë m’i jep
Nuk më frikësojnë
E di se ti do të zhburrnohesh
Në sytë e botës do të mbetësh
Një letër e zezë
Ku korbat do të derdhin lot
Unë jam mësue me ferrin
S’kam ku shkoj askund tjetër
Përpos të mbetëm fytyra e jote
E bardhë ose e zezë.
05 Tetor 2024 AGIM DESKU
Në mëngjesin e datës 11 shtator të vitit 2001 ndodhesha në shtëpi në North Quinzy, Boston . Befas nga lajmet që transmetonte CNN-ja, mësova se një avion I linjës së brendshme kishte goditur njërën nga kullat Binjake në Nju Jork . Të ishte incident? Jo, sepse pak me vonë një avion tjetër goditi kullën e dytë. Atëherë kuptova se në këtë rast nuk ishte fjala për një incident, por për një akt të qëllimshëm dhe të llahtarshem terrorist. Mësova pastaj se të dy avionët ishin rrëmbyer nga terroristë fondamentalistë. Dhe këta terrristë ishin arabë.
Nuk dua te zgjatem në hollësi të tjera të ngjarjeve që pasuan, sepse ato i kam përshkruar në faqet e romanit, që falë kujdesit te zotit Nasir Aijaz u botua në 25 episode faqet e revistës ‘Sindh Courier’, që botohet në Karaçi, ( Pakistan), të cilën ai drejton.
Por që atë ditë mua më lindi vagëllimthi ideja që të shkruaja një tregim të gjatë. Aq më shumë qe aty nga mesdita e asaj dite nga emisionet e lajmeve radio-televizive mësuam se këto akte terroriste ishin kryer me dijeninë dhe miratimin e kokës së terrorizmit fondamentalist islamik, Bin Laden, i fshehur në atë periudhë diku në Malësite e Afghanistanit. Por, sidoqftë, kjo ide mbeti e mjegulluar në mendjen time. Megjithëatë, gjatë ditëve të tjera lexova me shumë vemendje gazetat e perditshme amerikane që na vinin në aeroport dhe që i kushtoheshin kësaj tragjedie të papërfytyrueshme, e cila u quajt thjesht 9/11.
U njoha kështu me historinë e talebanëve, me veprimtarinë kriminale të Bin Ladenit, doktrinën e fondamentalisteve të predikuar prej tij, me historinë e Kullave Binjake, me një atentat të tillë të përafërt që kishte ndodhur disa vjet më parë në njerën kullë. Por, megjithatë nuk po arrija të gjeja fijet që do të me ndihmonin të ndërtoja ngrehinën e kompozicionit dhe personazhet qe do të lëviznin në linjat e kësaj proze. Pastaj, i paaftë që të gjeja ky$in për realizimin e kësaj pune të vështirë krijuese, hoqa dorë. Për javë dhe muaj, edhe për disa vite prita që të lexoja ndonjë vepër letrare rreth 9/11. Në fakt u botuan disa romane, por në asnjerën prej tyre nuk përshkruhej si ndodhi kjo tragjedi, si mundën terrorisët të kalonin aq të shpenguar nëpër një nga pikat e kontrollit të e Terminalit B të Aeroportit Ndërkombëtar Logan të Bostonit.
Në vitin 2005 regjisori i njohur amerikan Oliver Stone realizoi filmin e sukseshem ëTC (ëordl Trade Center), por edhe ky film i kushtohej vetëm heroizmit të zjarrfikësve, shumë prej të cilëve, duke shpëtuar qindra e qindra njerëz nën rrënojat e Kullave Binjake dhe ndërtesave perreth, dhanë jetën e tyre.
Erdhi kështu viti 2008. Përsëri në Amerikë dhe në botë u botuan libra kushtuar 9/11, por përsëri asnjë që të tregonte $’ndodhi në dy avionët të cilët goditën Kullat Binjake gjatë kësaj tragjedie me përmasa te papërfytyrueshme.
Por një dite shfletova librin ‘Shqiptarët e Amerikës’, vepër madhore e Vehbi Bajramit, gazetar dhe publicist i njohur nga Kosova dhe drejtor i gazetës shqiptare ‘Illyria’ që botohet ne Nju Jork. Dhe, befas u ndala në kapitullin ‘Shqiptarët që mbetën në gërmdhat e 11 Shtatorit…’. Kisha dëgjuar per këtë shqiptarë, por nuk më kishte shkuar kurrë ndërmend që ata, gjthsej tre në mes të afër 3000 viktimave në kullat Binjake, të ishin personazhe të një vepre letrare. Ishin Frrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvulaj nga krahinat shqiptare të Malit te Zi. Nëpërmjet tyre, do të zbërtheheshin linjat e ngjarjeve qe kishin ndodhur ne Kullat Binjake, të cilëve do t’u shtoheshin edhe personazhe të tjera…Por për të krijuar larmi, një nga ata të tre do të ishte nga Kosova, një i dytë nga shqiptarët e Malit të Zi dhe i treti arbëresh, pra shqitarë që u vendosën në Italinë e Jugut qysh në shekullin e 15-të, për t’i shpëtuar pushtimit turk , i cili si dy të parët punonte xhamapastrues në katet e larta të Kullave Binjake.
Vendveprim tjetër ishte dhe njeri nga avionët që rrëmbehet nga terroristët, ku personazhe kryesorej ane pesë prej tyre, dy stjurtesa, dy pilotët dhe disa pasagerë. Si$ dihet, asnjë prej tyre nuk është gjallë, sepse ky avion si dhe tjetri, që goditën Kullat Binjake, u bënë pluhur dhe hi, por kuptohet se pasi kshin rrëmbyer një ose dy nga stjuartesat terrristët kishin vrarë pilotët, kishin rrëmbyer avionin dhe me të kishin goditur njerën kullë. Po kështu kishte ndodhur dhe në kullën e dytë.
Vendveprimi tjetër i libri do te ishte në një pikë kontrolli në Terminalit B, nga ku midis punonjësve thuajse të tërë emigrantë, si$ kishin qenë në të vërtetë, ishte dhe Sokol Kama ose, më saktë, isha unë, ish-gazetar i Radiotelevizionit Shqiptar. Atyre u shtoheshin edhe terroistë arabë, ndër të cilët pesë prej tyre me emra të vërtetë të atyre që rrëmbyen njërin prej avionëve dhe së fundi Bin Ladeni si dhe arkitekti i këtyre atentateve atentateve Mulla Omari, që jetonin diku ne guvat e malore të Afghanistanit.
Pasi studiova edhe materiale për njohjen edhe më të thellë të historisë së talebanëve dhe terrorizmit islamik ne përgjithësi nga burimet në google, në pranverë të vitit 2008 nisa të shkruaja një roman me titull ‘Shtatori i gjëmës së madhe’.
Mirëpo kishte një detaj qe nuk e dija. A kishte pasur në Kullat Binjake pika kontrolli? Por ato tashme nuk ekzistonin. Atëherë shkova ne një nga rrokaqiejtë me të lartë të Bostonit, takova atje një nga punonjësit e Sikuritise dhe pyeta nese ve$ tij ne katin e parë të këtij rrokaqielli, a kishte në katet e mësipeme punonjës të tjerë sikuritie? Ai m’u pergjigj se i shte i ri në këtë detyrë, kështu që unë duhej te pyesja shefin e tij dhe më zgjati një kartvizite, ku ishin shënuar të dhënat e zyrës së Sikuritisë që mbulonte atë rrokaqiell. M’u duk e tepërt të bëja këtë takim, ndaj nisa të shkruaja kapitujt e parë të romanit.
Një paradite degjova të trokitura në derën e apartamentit. E hapa dhe pashë përballë meje një mesoburre, veshur me rroba gjysmë ushtarake dhe gjysmë civile, fytyrë të zbehtë dhe shikin depërtues, që pasi më përshëndeti më tha: “Vi nga FBI-ja. A mund të bisedojmë pak së bashku?’. Natyrishte ftova të futej në dhomën e ndenjes. Pa e zgjatur, më pyeti:”A keni shkuar filan ditë dhe filan orë në rrokaqiellin në rrugën Uashington Strit, a keni hyrë në X rrokaqell, a keni kërkuar nga punonjësi i Sikuritisë të dini…’. Pohova me kokë. ‘Perse?’- më pyeti.
Atëherë u kujtova se cila ishte arsyeja që e kishte shtyrë këtë oficer të FBI-së të vinte te më takonte. Isha nën mbikeqyrjen e saj. I shpjegova arsyen…I tregova se isha shkrimtar se po shkruaja nje roman kushtur 9/11. Mora guxim gjithashtu t’i shpjegoja se në rast se punonjësit e FBI-së dhe të FAA-aë, me regullore të re nuk do të lejonin që pasagjerët të merrnin me vete në avion brisqe sado të vegjël, shishe me lëng aromatik, shishe me pije alkoolike, gersherë etj., tragjedia nuk do të ndondodhte, sepse me mjete të tilla terroristët kishin vrarë stuartesa, pilotët dhe kështu ishin bërë zotër të avionëve.
Ai pohoi vetëm me një lëvizje të lehtë të kokës dhe me tregoi dhe një foton në çastin kur unë po bisdoja me punonjesin e Sikuritise në atë rrokaqiell, foto të cilën nuk ma dha me gjithë kërkesën time dhe u largua.
Disa muaj më pas mbarova së shkruari romanin, që u botua në maj të vitit 2010 në Shqipëri. Për fat të mirë u prit ngrohtësisht nga lexuesit. Këtu në Amerike kolegia ime amerikane Carrie Hooper, që veç disa gjuhëve të tjera, zotëron edhe gjuhën shqipe, ripunoi përkthimin e përkthyeses shqiptare, Anita Muharremi nga Kosova dhe kështu romani u botua nga Lulu Press . Kohët e fundit zotit Nasir Ilijaz e botoi të tërin në episode edhe në revistën Sindh Courier.
( Din Mehmetit, në 14 vjetorin e vdekjes, poetit e themeluesit të Mitingut të Poezisë në Gjakovë)
Ëndrrat ma tremben natën
Gjumi iku në pakthim
Përfytyrimet ushqenin mendimet
Miklonin malli zjarrishtave
Ngacmimet shprushnin heshtjen
Të mbuluar me hirin e përjetimeve
Ecja rrugëve të qytetit mendueshëm
Më dukej se kudo shihja Baclokun
Ashtu me kafenë para
Lapsi mes gishtave i dridhej
Më humbte lartësive, si yll dukej
Unë mbaja në dorë kapelën e Tij
Në plot letra shkruar
Ndjej aromën e duarve
Heshtja frynë damarëve të gjakut
Sytë shikojnë, mendimet piskasin:
Po ku je o Din Mehmeti?
Përgjigju o burrë se më dogji malli!
Pse hesht dhimbshëm, ëmbël më shikon
Në vargun tënd jeta mat shekuj
Krismë është emri yt, sot e mot
Jehonë kohe moteve me furtuna
Po të vërej, atje ulur në qoshe vetëm
Më shikon e nuk bëzanë
Sa fort malli më paska marë!
Kam mbetur në kërkim të vargut tënd
Brazduar në palcën e ashtit
Metaforë e balsamosur në shpirt
Krenarisht.
Bota e madhe letrare e Zija Çelës, krijuesi që e përjeton thellë krizën e vlerave shpirtërore- Nga ALI ALIU
1
Zija Çela është i veçantë dhe i papërsëritshëm për format shkrimore në prozën e sotme shqipe. Ai është krijues i dëshmuar i një bote letrare, që në vetvete ngërthen epoka të tëra të njerëzores dhe të njerëzimit. Pikërisht ky ngjyrim shpirtëror i letërsisë e bën krijimtarinë e Zija Çelës të jetë e dallueshme si për nga vlera artistike dhe ndjeshmëria krijuese, po ashtu për vizionin jetësor e filozofik.
Të gjitha veprat e Zija Çelës shpalosin urtësinë se rrugët, ku ecën krijuesi, çojnë drejt së bukurës, drejt përsosmërisë, që është cak i paarritshëm, prandaj të gjitha ato udhëtime mbeten peng i ëndrrave për majat e papushtuara. E më pas nuk mbetet tjetër, përpos t’ia fillosh rishtazi udhëtimit, çka Zija Çela e bën me çdo vepër, si një fillim i ri që ndërthuret me ato të mëparshmit dhe që, së bashku, përbëjnë një udhëtim madhështor drejt shijimit të jetës, shijimi që ngërthen në vetvete të gjitha shfaqjet jetësore, bukuritë, shëmtitë, dramën, komiken, dhembjen, gëzimin, egoizmin, patjetër humanizmin.
2
Veprimtaria krijuese e Zija Çelës ka të pranishme në vete një dimension të pashtershëm, një bërthamë të veçantë: të vërtetën se njerëzimi asnjëherë nuk ka qenë bosh, në mjegull, pa vizion, pa vizionarë. Duke lexuar veprat e Çelës, e kupton se asnjë epokë nuk ka mbetur pa Homer, pa Dante dhe Shekspir, pa Da Vinç dhe Betoven… Arti i Çelës i ndien dhe i parasheh të gjitha rrugët e mundshme të shpirtit e të mendjes. Qytetet e tij metaforike apo me emra realë, e sjellin botën shqiptare në pamje nga më të ndryshmet dhe, siç ka vërejtur me të drejtë kritika, përbëjnë atdheun e tij shpirtëror. “Nëse dikund në letërsinë shqiptare do të gjente zbatim thënia e G.G. Markesit se Makondoja e romaneve të tij më parë se vend gjeografik është gjendje shpirtërore, atëherë pikërisht Mamaci dhe Barabia e romanit “Banketi i hijeve” të Zija Çelës, para se vendbanime, janë gjendje shpirtërore, të cilat në kontekstin e ngjarjeve në roman arrijnë të kuptimësohen. Ky roman është model letrar i përkryer për t’u ngritur në lartësi metafore mbi përmasat devijante të psikologjisë kolektive.”
Mbështetur mbi prejardhjen dhe ecurinë e kësaj bote, Zija Çela krijon botën e fiksionit, fantazisë, shtigjet e së mundshmes, të asaj që vjen dhe troket nga larg.
Depërtimi në thellësi i intuitës dhe imagjinatës krijuese, shikuar nga kjo perspektivë, del i një dhuntie përmasash madhore. Secila dekadë shënon për autorin lëvizje të veçanta përpara, si në përkapjen e botës, ashtu edhe në përsosjen artistike dhe estetike të diskursit letrar.
Zija Çela krijues e përjeton thellë krizën e vlerave shpirtërore. Kur nuk u mungon hapësira për të qenë të lirë, përkundrazi, pikërisht kur janë të lirë, lavidanët Fifarës (romani “Goja e Botës”) nuk dinë t’i japin vlerë lirisë, përkundrazi e gërryejnë nga themeli qytetin e tyre, e bëjnë model abuzimi, arenë tregu të egër, ku lufta për pushtet e pasurim, metodat mafioze, grykësia e bërrylave dhe stërkëmbësave janë brutalisht marramendëse dhe vënë çdo gjë në lëvizje. Modeli i lirisë shqiptare e trondit shkrimtarin që, sa më tepër e vuan bjerrjen e vlerave shpirtërore të qytetit të vet, po aq e acarojnë veprimet e protagonistëve. Dhe, me synimin si nëntekst që të ndryshojnë, merr penënkamzhik për t’u mëshuar dhe për t’i mëshiruar njëherësh, ashtu si në romanet e këtij cikli që, së bashku me “Arkipelagun”, shkrimtari Mehmet Kraja i ka cilësuar si “saga alegorike më e madhe e letërsisë shqipe”.
Edhe në nivel të diskursit narrativ, ky autor i veçantë është i formatit të madh. Turbulencat e brendshme, të kontrolluara e të artikuluara me mjeshtëri, janë tharmi estetik i kësaj poetike. Rrëfimi i Zija Çelës të mban përherë zgjuar, meritë edhe e ritmit të gjallë të detajeve, të nxit kërshërinë për atë që sjell fjalia, pasusi i radhës, ritmi i situatave që rrjedhin pandërprerë. Në këtë diskurs narrativ, tërë personazhet e korpusit të madh janë në lidhje e raporte të gjalla komunikimi me njëri-tjetrin dhe lexuesi bën kujdes të përqendruar për statusin e tyre, karakterin, filozofinë, anën njerëzore.
3
Ja përse, siç kemi argumentuar edhe më parë, besojmë se Zija Çela është shkrimtar formati me qëndrim dhe vizion qartësisht të formuar ndaj njeriut dhe botës. Është përditshmëria, kërkimi dhe vetëkërkimi dramatik i saj që e nxisin dhe e shqetësojnë këtë shkrimtar, tema që e ndjell dhe përthith ndjeshmërinë e frymëzimit të autorit; është vizioni i tij ndaj realitetit të sotëm shqiptar dhe përtej këtij realitetit, si kapërcim i kohës reale; janë fuqia dhe origjinaliteti i ekspresionit narrativ, perceptimi dhe filozofia origjinale mbi gjithësinë; janë rezonancat e kumteve të forta dhe fryma gjithherë e pranishme e dashurisë përballë urrejtjes, e jetës përballë vdekjes, që e bëjnë shkrimtar të madh Zija Çelën.
Mund të thuhet se tërë proza tregimtare dhe romanore e autorit përbën librin e tij unik, atë me shumë kapituj, në përputhje me natyrën dhe rrugën krijuese konsekuente që në hapat e parë të krijimtarisë së tij.
Të gjithë përbërësit e poetikës narrative, personazhet, perspektivat e narratorit, koha, hapësira metaforike dhe konkrete, të kurorëzuara në bukuri rrëfimi, në romanet e Zija Çelës rrezatojnë fuqi tërheqëse, magjike, edhe për faktin se vizioni i shkrimtarit shpërfaqet qartë në tekst, deri edhe si thurje fjalësh, si intonim e ngjyrim, si figurë, si imazh dhe komunikim. Pikërisht për marrëdhënien e tekstit me lexuesin, L. Tahiri arrin në këtë cilësim në një studim të saj: “Ashtu si veprimtaria e Ismail Kadaresë, që e ka mundësuar lirinë e mendimit në kohën e diktaturës më të egër, proza e Zija Çelës e ushqen kreativitetin e leximit në epokën e sotme të kulturës së popullarizuar të konsumit, ndoshta duke vërtetuar kështu faktin se letërsia ka qenë tradicionalisht mjeti më efikas i shqiptarëve për t’u rezistuar ideologjive totalitare, çfarëdo qofshin ato. Me veprën e tij, Zija Çela arrin të krijojë një autoritet të ri, atë të lexuesit, duke iu kundërvënë jo vetëm dogmës së realizmit socialist, që synonte të parandalonte çdo shkëndijë të mendimit kritik te lexuesi, por duke u shkëputur edhe nga realizmi komercial, që e shndërron në konsumator pasiv lexuesin. Një përqasje e këtillë e autorit i shkon për shtat edhe raportit modern të lexuesit me letërsinë.”
Ëndërrimi i Zija Çelës për mirëkuptim dhe harmoni mes njerëzve shquhet si tundimi më prekës, më i bukuri në veprën e madhe të tij. Dhe, kur komunikohet me tundimet e botës krijuese të Zija Çelës, mbase arrihet të kuptohet më përafërt struktura e botës shpirtërore të autorit, hapësira e trualli ku lind dhe rritet letërsia e tij. Është dhunti kjo e një shkrimtari të madh, i cili jeton prore nën tundimin e sinjaleve, të porosive që pandërprerë vijnë nga thellësitë e qenies dhe të ekzistencës së njerëzimit.
/Gazeta Panorama
Lajmet me interesante
-
Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë ka ndarë çmimin “Guximi Intelektual 2023” për aktivisten Dr. Luljeta Pula-Beqiri Nga Iliriana Pylla
November 14, 2024
-
“Politika është e ashpër”- Zbardhet biseda mes Joe Biden dhe Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë
November 13, 2024
-
ATJE ËSHTË VENDLINDJA, ATJE ËSHTË ATDHEU – Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
November 15, 2024
-
Persekutimi i familjes Belishova- Kush ishte studenti i shkëlqyer në Akademinë e Moskës, nga frika u largua e shoqja me vajzën! Skenari për eliminimin e Lirisë dhe Fiqiriut
November 14, 2024
-
Bota e madhe letrare e Zija Çelës, krijuesi që e përjeton thellë krizën e vlerave shpirtërore- Nga ALI ALIU
November 12, 2024
-
Gozhdoi Blinkenin për non gratan e Berishës- Kush është i emëruari i Trumpit në krye të Agjencisë së rëndësishme
Lajmet e fundit
-
UGSHPD: NARKOZA PROPAGANDISTIKE
By voal.ch | November 18, 2024
-
Genc Burimi: Kjo rezolutë është plumb në lëkurën e Edi Ramës
By voal.ch |
-
Vendet nordike bëhen gati për luftë, Suedia dhe Finlanda paralajmërojnë banorët e tyre për situatën e sigurisë
By voal.ch |
-
HIMNI I ALFABETIT- Nga Parashqevi QIRIAZI
By voal.ch |
-
Vetëm 150 mijë euro janë shpenzuar nga universitetet shqiptare për kërkim shkencor- Nga Taulant Muka
By voal.ch |
-
Mesazhi prekes i Dr. Allaman Allamani me rastin e 80 vjetorit të vrasjes barbare të babait tij nga komunistët- Nga Besim Ndregjoni
By voal.ch |
Komentet