Revolta popullore e nxitur nga Sali Berisha e të tjerët, që donte të “shqetësonte” Uashingtonin me destabilizimin e Shqipërisë, nuk krijoi dot dje as edhe një lemzë të thjeshtë në trupin shoqëror të Shqipërisë.
Edhe këtë herë, kërcënimi i ardhur nga politika e lartë amerikane i bëri “të revoltuarit e mëdhenj” të ulnin veshët e t’i nënshtroheshin fatit të tyre.
Të gjithë fjalimet e tyre paraprake, me përmbajtje absurde, që kërcënonin gjendjen, dje ranë në Lanë bashkë me mbeturinat e qytetit të madh.
Është tabori i madh i korrupsionit shqiptar që po kërkon destabilizimin e Shqipërisë. Kjo është në fakt kënga e vjetër e Sali Berishës, që tani u mpak deri në një nivel zero.
Gjithçka e tyre është ngritur kundër drejtësisë që po kërkon të vendoset në Shqipëri. Dhe duhet të kujtohemi se në histori vendosja e drejtësisë në një shoqëri është një betejë e egër midis ligjit dhe padrejtësisë.
Pushtetari që sundon jashtë drejtësisë dhe s’e pranon atë; është te psikologjia e padronit.
Padroni dhe skllavi – ky ka qenë, si raport shoqëror, thelbi i sundimit të Enver Hoxhës dyzet vjet në Shqipëri.
Këtë po kërkon edhe korrupsion i aktual në Shqipëri; por këtë herë, në revoltën e tij prej padroni, ai u përplas ligsht me politikën amerikane, e cila po i ushtron forcë maksimale. Edhe dje, në datën 27 janar, ishte politika amerikane që ia vuri Berishës dhe Bashës këmbët në një këpucë.
“Departamenti i Shtetit nuk pranon të këputet dhe një gjethe peme” ; iu kumtoi “të revoltuarëve” Donald Lu përpara revoltës së tyre të përgatitur me një pompim të madh, pa përmendur këtu dhe faktet kërcënuese që ai iu ka dhënë “tre të revoltuarëve të mëdhenj” të Shqipërisë që janë çakallosur për të mbrojtur gjënë e vjedhur.
Dhe ne i pamë vetë pemët sesi ato buzëqeshnin nga garancia.
Sot po kuptohet që, të trembur nga drejtësia, Sali Berisha dhe gjithë të tjerët, të ndodhur përballë ndëshkimit nga ligji, kanë rënë në absurd.
Por Albert Kamy ka të drejtë kur thotë se: “Qartësia e parë dhe e vetme që na jepet brenda përvojës absurde, është revolta”.
E pra është brenga e absurdit që e shkakton këtë ngasje drejt revoltës individuale, dhe në rastin tonë, korrupsioni shqiptar, po kërkon që revoltën e tij individuale ta kthejë në një revoltë kolektive. Por pyetja është – Pse?
Korrupsioni po kërkoni kështu të ndalojë konceptin e drejtësisë dhe padrejtësisë, dhe ta zhvendosë atë te raporti midis padronit dhe skllavit.
Këtë bëri në Shqipëri ligësia dhe banditizmi i Enver Hoxhës: eliminioi moralin e drejtësisë dhe padrejtësisë, dhe, pasi tha që “drejtësia jam unë”, krijoi në Shqipëri raportin e padronit dhe të skllavit, ku padroni sigurisht që ishte ai vetë; dhe skllavi ishin të gjithë shqiptarët.
Por kjo kohë ka mbaruar. Në Shqipëri ka mbërritur koha e arsyes së drejtësisë, dhe e ndëshkimit për abuzimin e atyre që janë sjellë si padronë të popullit. Këtë sot po duket se nuk e ndalon dot më askush. Sali Berisha dhe tabori i tij nuk bëjnë më dot gjë. Skema e tyre për destabilizimin e Shqipërisë; e filluar që në pranverën e vitit që kaloi, rezultoi dje një flluckë sapuni, dhe asgjë më.
lll.
Por, në rastin tonë, të të korruptuarve të revoltuar, revolta individuale e tyre deshi që këtë ta kthente në një revoltë të përgjithshme, domethënë që ta fuste të gjithë shoqërinë shqiptare në një qerthull absurd.
Shoqëria po nuk ka një brengë të përbashkët nuk hidhet kurrë në revoltë. Shqiptarët u pa edhe dje që, edhe pse janë njerëz të mërzitur, nuk kanë brengë, ndaj nuk janë njerëz të revoltuar.
Në të vërtetë krerët e korrupsionit shqiptar të hetuar Tani, kishin rënë në iluzionizëm: ata menduan që vërtetësisht do t’i thoshin Uashingtonin se “për faktin që shqiptarët janë të revoltuar dhe revoltën e drejtojmë ne, nuk ka Reformë në Drejtësi; dhe nuk mund të ketë ndëshkim të korrupsionit shqiptar”.
Po, a e thanë dot?
Në fakt te kjo revoltë e pritshme popullore kishte shpresë i gjithë korrupsioni shqiptar: i majtë dhe i djathtë. Prandaj, dështimi i saj tani e tutje, do shihet se ka krijuar një rënie shpirtërore dyfishe, e cila sigurisht që nuk do t’i reshtë por do t’i hedhë të korruptuarit në një revoltë të re – sepse ky është thelbi i frikës së tyre.
Por edhe këtu prapë do të dështojnë; sepse janë në absurd.
Por këtu del edhe kjo pyetje:
Vërtet mendojnë Saliu me Bashën se do të mundin dot politikën amerikane në Shqipëri?
Vërtet e mendojnë, por këto në fakt janë ethet e tyre të shkaktuara nga brenga e frikës. Por a do të arrijnë dot gjë?
Asgjë.
Kjo është koha e reformës shqiptare dhe e ndëshkimit të keqbërësve të shqiptarëve.
I patë se çfarë folën liderët e revoltuar dje? Asgjë. Një injorancë e artikuluar botërisht. Turp për Shqipërinë që është drejtuar nga ca të çalë nga mendja; e të paturpshëm nga goja!
Asnjëri nga ata që foli nuk u artikulua dot politikisht. Ex nihilo nihih fit – nga hiçi vjen vetëm hiç, na kanë thënë latinët e mëdhenj.
Dhe sigurisht që edhe lufta e tyre për të shpëtuar gjënë e vjedhur, është vetëm një hiç historik.
Komentet