Rrëfimi i gazetares Elida Buçpapaj për ngacmimet seksuale rrëfen qartazi situatën në vendin tonë. Ajo mendon se në Shqipëri trauma të tilla, përjetohen si normalitete dhe situata është më e vështirë, sepse tregu i punës është shumë i vogël
Nga Valeria Dedaj
Në një shoqëri pa ekuilibër siç është shoqëria shqiptare, në një shoqëri ku nuk funksionon shteti dhe nuk ekziston shteti social femra është objekti i dhunës, deri në vrasje. Gazetarja Elida Buçpapaj rrëfen se, cilat janë disa nga arsyet kryesore që shoqëria jonë gjendet në këtë kaos.
Ajo mendon se në Shqipëri trauma të tilla, përjetohen si normalitete dhe situata është më e vështirë, sepse tregu i punës është shumë i vogël dhe kufizohet kryesisht në administratën publike. Në showbiz, për shembull, nuk i jepet rëndësi performancës të interpretimit, por pamjes të jashtme, ku vlen jo kush këndon bukur, por kush del sa më shumë zhveshur dhe provokon deri në vulgaritet.
Elida, cili është mendimi juaj për ngacmimet seksuale gjatë punës?
Kjo temë u hap kur plasi skandali i producentit të Hollivudit Harvey Weinstein. Rreth 100 aktore të Hollivudit dhe topmodele ishin ngacmuar, sulmuar seksualisht apo përdhunuar nga Harvey Weinstein, përfshi edhe Gwyneth Paltrow e cila e ka denoncuar publikisht e para Weinstein në vitin 1998, pra 20 vite më parë. Pastaj doli që Weinstein nuk ishte i vetmi. U akuzua Kevin Spacey e të tjerë e pastaj akuzat përfshinë edhe botën e biznesit.
Skandali i Weinstein bëri që në rrjetin social Twitter dhe Facebook me mijra gra të ndanin ndodhitë e tyre personale të ngacmimeve dhe sulmeve përmes hashtagut ‘Me Too’ – ‘Edhe mua gjithashtu’, duke nxitur një komunikim global. Pra natyrisht edhe Shqipëria nuk ka përse të bëjë përjashtim, por me një ndryshim se në Shqipëri trauma të tilla përjetohen si normalitete pasi këtu situata është më e vështirë sepse tregu i punës është shumë i vogël dhe kufizohet kryesisht në administratën publike. Në showbiz për shembull nuk i jepet rëndësi performancës të interprerimit por pamjes së jashtëme, ku vlen jo kush këndon bukur, por kush del sa më shumë zhveshur dhe provokon deri në vulgaritet.
Peshku është qelbur nga koka, se po të shohim në Kuvendin e Shqipërisë, në listën e deputetëve nuk përfshihet kush është më i miri pas një gare free and fair por kush e ka mirë me kryetarin e partisë, pra është një lloj prostituimi. Edhe vendet e punës trafikohen, duke krijuar një model tepër të shëmtuar për brezin e ri. Skandali Weinstein për Shqipërinë nuk quhet skandal por normalitet. Dhe është dramatike sepse brezi i ri ushqehet me këtë anormalitet.
Gjatë, krijimtarisë suaj, a keni dëgjuar raste, të tilla, pa dëshirë, që kanë shkatërruar moralisht një individ?
Si gazetare kam parasysh raste kur kanë qenë femrat që për të fituar një vend pune apo një përfitim ngacmojnë shefat ose punëdhënësit. Natyrisht në një shoqëri pa ekuilibër si kjo jona, ku nuk funksionon shteti dhe ku nuk ekziston shteti social, femrat janë më e rrezikuarat, ku dhunimi shkon deri në vrasje. Femra është objekti i dhunës sepse nuk ekzistojnë mekanizma për ta marrë në mbrojtje ose më mirë të them mekanizmat ekzistojnë vetëm në letër.
Diktatura po ashtu i poshtronte femrat, viktimat, me të gjitha mënyrat, përfshi edhe përdhunimet. Përpara disa kohësh doli publikisht Alida Hisku dhe tregoi se si përdhunoheshin femrat në burgjet e diktaturës. Në vend që të mbështetej u bë objekt sulmesh.
Po ashtu në Kosovë gjatë konfliktit të 1998-1999 janë përdhunuar me mijra gra e vajza shqiptare, një temë kjo që pothuaj mbatet tabu, shumicës prej tyre i është shkatërruar jeta.
Ne si shtet dhe shoqëri jemi në zgrip. A e keni parë si mediat kryesore i bëjnë reklamë një formati si Kallashi dhe ky skandal përjetohet në heshtje.Pra shteti dhe shoqëria është një lloj Weinstein me term modern apo Sodoma dhe Gomorra në term biblik.
“Kemi rënë në fund të honit, si shoqëri nuk ka ku të biesh më poshtë!”
Mendoni se një shqiptare (artiste apo në çdo profesion tjetër), mundet që ta bëjë lehtësisht publike një ngacmim të tillë, apo ne ende vazhdojmë, të mos flasim, për diçka që opinioni menjëherë fajin ja vë femrës?
Do të ishte normale publikimi i skandaleve të tilla nëse do të ekzistonte etika apo morali i shoqërisë. Mjerisht liria është kuptuar në mënyrë perverse dhe është keqpërdorur. Çdo njeri është i lirë të veprojë si të dojë, por pa e shpërdoruar lirinë, pra brënda etikës dhe normës, brënda moralit.
Vetë si term “moral” do të thotë kodi i të sjellurit, karakteri, sjellja vetiake e gjithëseicilit apo e gjithë shoqërisë. Morali lidhet me integritetin. Klasa politike shqiptare është pa integritet sepse është pamoral. Pastërtia e figurës të individit apo ndershmëria janë fjalë që ka dalë plotësisht nga fjalori i shqipes.
Ekziston galateo, etiketa, ose kodi i sjelljes, që identifikohet me mënyrën e të sjellurit të shoqërisë si normë konvencionale, ku përcaktohet qasja e individit në shoqëri, se si duhet të sillet, si të komunikojë, të hajë, të përdori lugën, pirunin, thikën, se si të vishet etj, ku ndalohet çdo lloj abuzimi, shkelje e rregullit, shkelje e kodit. Shoqëria shqiptare e trashëgon nga tradita si tipar identifikues kodin e moralit dhe kjo është shumë e rëndësishme. Besa, fjala e dhënë janë shprehje e konstitucionit shpirtëror të shqiptarëve në shekuj. Besa shqiptare frymëzoi hebreo-amerikanin Norm Gershman të xhironte filmin “The Promisse”. Edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit që ështe thesar i trashëgimisë kulturore shqiptare përcaktohen rregullat ose morali i shoqërisë të asaj kohe. Pra pa rregulla, kanun, shtet të së drejtës apo shtet ligjor shoqeria mbetet viktimë.
Shoqëria shqiptare sot është në kaos, në anarki totale. Anarkia është shumë më zi se edhe vetë diktatura. Po t’i shohësh të gjithë deputetët e parlamentit të Shqipërisë, janë të martuar të paktën nga dy herë, vetë kryeministri me letra tre-katër herë. Pra është goditur qeliza më e rëndësishme e kombit shqiptar që është familja. Mendoj se shqiptarëve nuk u bën fare përshtypje skandali Weinstein sepse ata e jetojnë në përditshmërinë e tyre këtë skandal.
Po t’i shohësh të gjithë deputetët e parlamentit të Shqipërisë, janë të martuar të paktën nga dy herë, vetë kryeministri me letra tre-katër herë. Pra goditet qeliza më e rëndësishme e kombit shqiptar që është familja.
Denoncimi, a është një formë e vlefshme, që duhet bërë që në fillim apo kur situata degradon deri në shantazh? Apo frika se mos humbet punën, e bën të vështirë këtë pjesë?
Mendoj se shteti i së drejtës krijon hapësirë për mbrojtjen e figures të femrës dhe shtresave vulnerabël. Për shembull pas denoncimit në Hollivud, pati një solidaritet të botës të artit dhe gjithë shoqëria civile u ngrit në këmbë, ndërsa në Shqipëri mungon shteti ligjor, shoqëria civile është një atavizëm e politikës dhe duke mos funksionuar meritokracia bëhet gjithçka e vështirë dhe gati e pamundur sepse ti e ngre zërin por nuk të dëgjon askush pasi edhe shtypi është totalisht outsider dhe në marrëdhënie klienteliste.
Dhe së fundmi, kush janë të parët që duhet të ngrenë zërin për mbrojtjen e këtyre “viktimave”, të cilat shpeshherë as në familje nuk kanë përkrahjen e duhur?
Është situatë dramatike, ku dinjiteti i njeriut dhe aq më pak i femrës nuk vlen fare. Në Shqipëri ka papunesi drastike, tregu i lirë është termi ku abuzohet më shumë, sepse sistemi është i kapur ndërsa shtypi dhe shoqëria civile janë të paralizuara dhe pa asnjë autoritet.
Megjithëse duket si mision i pamundur, duhet të bëhet e pamundura që t’i dilet në krah viktimave.
Në fakt e gjithë shoqëria shqiptare është viktimë. Edhe për vetë fajin e saj sepse nën trysninë e varfërisë dhe antimoralit ka mbetur e paralizuar apo vegël e partive. Më 27 janar u organizua protestë nga partitë dhe populli u shkon pas si dele. Kur dihet se ketë degradë e ka krijuar kjo klasë politike, pozitë dhe opozitë së bashku. Më duket se kemi rënë në fund të honit si shoqëri dhe nuk ka ku të biesh më poshtë!
Por meqë shpresa vdes e fundit dhe nuk ka kauzë më të madhe se kauza e rinisë për të ardhmen, kaq mjafton që çdo ndërgjegje e pastër, pa dallime politike, fetare apo ideologjike, që mendon për të ardhmërinë duhet të japë kontributin e vet!
Në këtë kontekst, familja merr rëndësi akoma edhe më të madhe sepse duhet të zëvendësojë edhe mekanizmat e shtetit dhe shoqërisë që nuk funksionojnë dhe kanë marrë funksion destruktiv. Shqiptarët duhet të dalin nga autodeztruktivizmi. Duhet të shpëtojnë vetveten.
“Në Shqipëri edhe vendet e punës trafikohen, “prostituimi” ndodh dhe në Kuvend”
Komentet