Filmi “Vdekja e Stalinit” ishte planifikuar të fillonte të shfaqej në Rusi më 25 janar, por është ndaluar nga Ministria e Kulturës e Kremlinit. Disa kritikë amerikanë e kanë cilësuar atë si një satirë e pamëshirshme politike e betejës për pushtet që pasoi vdekjen e diktatorit sovjetik në vitin 1953. Në Festivalin e Filmit Sundance ku filmi u shfaq së fundmi, regjisori britanik Armando Iannucci dhe aktorët i thanë shërbimit rus të Zërit të Amerikës se vazhdojnë të shpresojnë që filmi të shfaqet në vendin nga ku merr shkas tema e tij. Korrespondenti Rafael Saakov sjell këtë material nga Park City në Utah.
Në Shtetet e Bashkuara, filmi “Vdekja e Stalinit” do të fillojë të shfaqet në kinema pas gjashtë javësh. Në Rusi, Bordi Publik i Ministrisë së Kulturës, mund ta ndalojë shfaqjen e tij.
“Është një imponim i qartë dhe një ofendim për ndjenjat tona civile dhe kombëtarë. Të gjithë thanë se nga pikëpamja profesionale, është një film shumë i keq, dhe krejtësisht i rremë. Ky është një model i betejës ideologjike me vendin tonë”.
Në Festivalin e Filmit Sundance, regjisori britanik Armando Iannucci, krijues i serisë satirike politike “Veep” në HBO i tha Zërit të Amerikës se ekipi i tij, kishte bërë bërë një punë të madhe përgatitore, kishte lexuar arkivat dhe kishte folur me historianët.
“Ne kemi respekt për ngjarjet në Bashkimin Sovjetik, për ato që ndodhën në vitet 1950, i kemi trajtuar me respekt njerëzit dhe kjo është e qartë në film. Rusët që e kanë parë filmin më kanë thënë dy gjëra: është me humor dhe është i vërtetë”.
Sipas njërit prej kritikëve kryesorë rusë, ish-deputeti i Dumës, Pavel Pozhigailo, filmi e portretizon Georgy Zhukovin, zëvendës komandantin e përgjithshëm të Stalinit, si një bufon. Aktori Jason Isaacs, që interpreton Zhukovin, e kupton rëndësinë e humorit gjatë sundimit të Stalinit.
“Humori ishte një nga mënyrat që ata përdornin për të mos u çmendur. Në atë kohë, njerëzit ishin krejtësisht të terrorizuar. Ata qarkullonin libra me barcalete për Stalinin për të mos humbur ndjenjën e identitetit”, thotë aktori Jason Isaacs.
“Mendoj se komedia është me humor nëse beson se është e vërtetë. Kështu në një mënyrë kundërintuitive nëse je brenda komedisë, është shumë dramatike. Prandaj është me humor”, thotë Andrea Riseborough.
Andrea Riseborough interpreton vajzën e Stalinit, Svetlana Alliluyeva, që shumë amerikanë e njohin si “Lana Peters.”
“Është mahnitës instinkti i saj i mbijetesës. Ajo kishte një aftësi të jashtëzakonshme për të gjetur metoda krijuese. Nuk mund të imagjinoj dot se sa mund të ketë vuajtur nga ana emocionale duke pasur një baba si Stalini. Ndoshta kjo ishte pjesa më e vështirë në interpretimin e këtij roli, të imagjinosh se si mund të jetë ndjerë ajo”.
Kompozitori Chris Willis, fitues i çmimit Emmy thotë se ai u frymëzua nga cilësia e muzikës nga ajo periudhë për të kompozuar kolonën zanore.
“Me këtë lloj komedie, kryesorja ishte që aktorët të identifikoheshin me personazhin. Jo të shkelnin syrin, apo të bënin shaka. Vetëm pak mund të kesh ndjesinë se muzika është disi pompoze dhe ekstreme dhe kjo pak a shumë shkakton të qeshura. Por në përgjithësi nuk ka të qeshura tek muzika. Muzika është e drejtpërdrejtë”.
Iannucci u frymëzua për të bërë filmin për shkak të listës aktuale të udhëheqësve në mbarë botën.
“Unë e krijova filmin pasi vura re tek shumë politikanë, jo vetëm tek Putini, por shohim edhe tek Trump, apo Erdogan në Turqi dhe madje edhe Berlusconi në Itali, kjo ndjesi e njeriut të fortë në qendër të gjithçkajë që ka kontroll dhe autoritet të plotë”.
Vendimi i së mërkurës nga Ministria e Kulturës ka shkaktuar debate të gjera në Rusi. Mes atyre që nuk janë dakord me ndalimin, është kritiku i filmave, Anton Dolin, kryeredaktor i revistës “Arti i Kinemasë” në Moskë.
“Ata që morën vendimin ose mbështetën ndalimin e komedisë ‘Vdekja e Stalinit’ në nivelin shtetëror, me këtë veprim pranuan me zë të lartë dhe qartësisht ‘Po, ne jemi stalinistë’. Prandaj nuk ka keqinterpretime: Stalinistë janë ata që e konsiderojnë Stalinin hero dhe shembull, në të gjitha aspektet ose disa, nuk ka rëndësi dhe të cilëve u duket e papramueshme që figura e tij të vihet më lojë”.
Regjisori Iannucci ende shpreson që “Vdekja e Stalinit” të shfaqet në Rusi pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Komentet