VOAL – BAZEL, 21 gusht – Në metropolin veriperëndimor zviceran, në Bazel, zhvilloi punimet Konferenca vjetore e Bashkëpunimit për Zhvillim 2015, organizuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit për Zhvillim (DEZA) dhe Sekretaria e Shtetit e Ekonomisë (SECO). Punimet e Konferencës u mbajtën në Qendrën e Kongresve në Messeplatz, Bazel.
E fokusuar tek Shëndetësia, një e drejtë njerëzore e harruar, duke kthyer sytë tek të paktën 400 milionë njerëz të globit, kryesisht me prejardhje nga Bota e Tretë, të cilëve iu është mohuar kjo e drejtë. Apo tek shifrat rrënqethëse: le të kujtojmë se malarja, një sëmundje e shërueshme, është vdekjeprurëse për miliona fëmijë për faktin e mungesës së ndihmës mjekësore, apo fakti tjetër se në çdo dy minuta një grua vdes gjatë lindjes pasi i mungon ndihma e kualifikuar! Dhe shifra të tilla ka pa fund, të cilat u përmendën gjatë konferencës.
Pjesëmarrësit e shumtë, diplomatë, sipërmarrës të industrisë farmaceutike, organizata humanitare etj përpara se të niste konferenca patën mundësinë të vizitojnë një ekspozitë përgatitur nga organizatat partnere. Programi ishte i ngjeshur me folës kryesorë, si pika kyçe, me tryeza të rrumbullakta me praninë e Këshilltarit Federal të Punëve të Jashtme, Didier Burkhalter, Drejtori i DEZA Manuel Sager etj. Në praninë e shumë gazetarëve. Midis tyre edhe Voal.
Moderatori Christian Zeug menjëherë sa nisi Konferenca nuk vonoi ia dha fjalën Këshilltarit Federal Didier Burkhalter, shefit të Departamentit Federal të Punëve të Jashtme (EDA).
Në fillim të fjalës së tij, zotëri Burkhalter tha se Bazeli është qyteti i duhur për organizimin e kësaj Konference, sepse është qyteti i Paracelsusit të famshëm, i cili, pesëqind vjet më parë, i luftoi me vendosmëri epidemitë e kohës së tij.
“Zvicra, tha ndër të tjera kryediplomati zviceran, ka arsye të shëndosha për t’iu përkushtuar në mënyrë të veçantë sektorit shëndetësor, e para ndër të parat, ajo ka në territorin e saj Gjenevën, ‘kryeqytetin e shëndetësisë botërore’, ku ndodhen Organizata Botërore e Shëndetësisë, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar e tjerë. Kësaj vlen t’ia shtojmë përvojën e gjerë dhe dijet e thella të Konfederatës në këtë drejtim, si në sektorin privat, edhe në atë të kërkimit, për të mos harruar “përkushtimin vital të shoqërisë civile” në organizata të panumërta të zhvillimit me veprim në vendet e varfëra për ndërtimin e infrastrukturave shëndetësore.
Sektori shëndetësor do të jetë gjithnjë e më shumë boshti rreth të cilit do të realizohet ndihma e Zvicrës për zhvillim: një shëndet i mirë, në fakt, është baza për të luftuar varfërinë dhe për të garantuar më shumë stabilitet. Fushat ku do të përqëndrohen veprimtaritë e ardhshme do të jenë promovimi i shëndesisë në nivel global, lufta kundër sëmundjeve që godasin popullsitë më të varfëra, si dhe përmirësimin e shëndetit të nënave, të sapolindurve, fëmijëve. Një gjendje e mirë shëndetësor buron siguri më të madhe shoqërore, favorizon paqen dhe sjell një stabilitet më të madh ekonomik.
Ideali për të cilin duhet të synojë zhvillimi është një botë pa varfëri dhe pa luftëra. Por rruga në këtë drejtim është ende shumë e gjatë dhe për ta përshkuar është e nevojshme përcaktimi i një qasjeje të përbashkët. Rasti i ardhshëm do të jetë ai i takimit botëror në fund të shtatorit në Nju Jork, gjatë të cilit do të përcaktohen objektivat e ndihmës për zhvillim deri në vitin 2030.
Paradoksi i kohës sonë është: ndërsa ndeshim kudo valë të reja nacionalizmi, njerëzit gjenden përballë sfidave që nuk njohin kufij. Shembujt e fundit janë ato të krizave aktuale të refugjatëve e, muaj më parë, shpërthimi i virusit të Ebolas në Afrikën Perëndimore.”
Në tryezën e rrumbullakët të drejtuar nga Christian Zeug, me pjesëmarrjen e David Reddy, President i MMV (Medikamentet për Rreziqet e Malarjes), Ann Aerts, drejtoreshë e Fondacionit Novartis dhe Alexander Schulze, specialist për shëndetin global, DEZA, Zvicër u sollën shëmbuj, stastistika nga më tronditëset për shkallën e sëmundshmërisë globale, sidomos nga sëmundjet ngjitëse dhe nga sëmundjet me përqindje të larta vdekshmërie. Duke u përqëndruar tek tema e malarjes, u nënvizua se, ndonëse këto vite vdekshmëria nga kjo sëmundje është përgjysmuar, ende 500 mijë njerëz çdo vit në botë humbin jetën për shkak të saj. Nga këta rreth 75 për qind janë fëmijë dhe kryesisht nën moshën pesëvjeçare. Kategoria e dytë më e goditur janë nënat. Zonja Aerts dhe zoti Reddy sollën shembuj të dhimshëm të rasteve nga zonat e prekura. Gjatë tryezës u përmendën vështirësitë dhe sfidat me të cilat përballet shëndetësia për zhdukjen e malarjes, ndër të cilat varfëria, krizat, konfliktet rajonale, rezitenca e sëmundjes ndaj ilaçeve. Zonja Aerts, ndërkohë, dha sihariqin se në luftën kundër malarjes pritet të shënohet sukses vendimtar me futjen në përdorim të një medikamenti, ku një dozë e vetme do të mjaftonte për ta shëruar pacientin me malarje. Zonja Aerts dhe zoti Reddy sollën shembuj të dhimshëm të rasteve nga zonat e prekura.
Sallën e ngriti peshë dalja në foltore e Edna Adan Ismail, themeluese dhe drejtoreshë e Spitalit Universitar Edna Adan, Somaliland. E njohur në botë si Nënë Tereza Myslimane, zonja Edna Adan Ismail, solli realitetin e vendit të saj në verilindje të Afrikës, në kufi me Oqeanin Indian, Xhibutin, Etiopinë dhe Somalinë. Një vend me pasuri të jashtëzakonshme, por me probleme që shkaktohen nga katastrofat natyrore, siç është thatësira, vendi i saj, me të kaluar tragjike, por i vënë në rrugën e lirisë e të demokracisë prej 23 vitesh, vuan për shkak të pamundësive të shumta që të dalë nga prapambetja e trashëguar, nga kontekstet gjeopolitike, si një vend pa njohje ndërkombëtare, (një ndër shumë vendet afrikane pa njohje ndërkombëtare, theksoi ajo). Zonja Ismail tregoi peripecitë e panumërta për të ngritur, 15 vjet më parë, spitalin e parë universitar, në një vend ku thuajse mungonin mjekët, ku mungonin plotësisht mamitë, gjinekologet, obstetret, ku mungonte infrastuktura për shkak të terrenit malor dhe sistemeve të prapambetura të trashëguara, ku paragjykimet bënin kërdinë, ku analfabetizmi ishte masiv dhe ua pamundësonte të rinjve përfshirjen në punësim, ku nënat lindnin deri 20 e sa fëmijë, sepse nuk kishin kulturën e mbrojtjes nga shtatzania e padurueshme, ku burrat ose meshkujt e tjerë të familejs nuk lejonin që gratë të lindnin me operacion. Ajo e ftoi pa masë Zvicrën, ku bashkëpunëtori i saj kryesor që nga themelimi i spitalit është pikërisht zviceran, falënderoj disa vende të tjera perëndimore për ndihmën e dhënë këto vite dhe bëri thirrje për përkrahje të pareshtur që vendi i saj të dalë nga prapambetja ku ende ndodhet, bëri thirrje për të ndihmuar në shkollimin e rinisë, sepse, tha ajo, dija ëshë një pasuri që askush nuk ta grabit dot. Gjithçka tjetër mund të ta grabisin, por dijen nuk ta grabit dot askush.
Konferenca vijoi edhe pasdite me programin e ngjeshur.
Fjalën e mbylljes së Konferencës e mbajti drejtori i DEZA Manuel Sager, i cili gjithashtu u ndal në sfidat e së ardhshmes. “Për të arritur objektivat e «Agjendës 2030 për një zhvillim të qëndrueshëm” nuk mjafton përkushtimi i qeverive dhe i agjencive shtetërore për zhvillim. Është e domosdoshme të bashkëpunosh edhe me Organizatat Joqeveritare, me sektorin e shkencës dhe me një sektor privat të prirur që të marrë përgjegjësi për një zhvilim ekologjik dhe social afatgjatë. Një aleancë e kësaj natyre është e domosdoshme edhge për të garantuar aksesin, deri tani ende mungues, në sektorin shëndetësor. Vetëm falë partneriteteve të gjera do të jetë e mundur të zhvillohen medikamente, si ai kundër shfaqjeve të veçanta të malarjes tek fëmijët, dhe për t’i vënë në dispozicion të atyre që kanë nevojë,” tha drejtori i DEZA-s.
“Edhe sot, tha më tej në fjalën e tij z. Sager, në çdo 24 orë rreth 29 000 fëmijë të moshës nën pesë vjet vdesin nga sëmundje si malarja apo shkuarja e barkut, çdo ditë vdesin mbi 4 000 njerëz nga tuberkulozi e rreth 800 gra humbin jetën në vijim të komplikacikneve nga shtatzania dhe lindje. Kurat tepër të kushtueshme, qendrat shëndetësore tepër larg, por edhe mosbesimi ndaj mjekëve, mungesa e spitaleve, mungesa e medikamenteve, mungesa e personelit të specializuar mjekësor janë shkaktaret kryesore. DEZA përkushtohet për t’i përmirësuar këto fusha, sepse një shëndet më i mirë i popullsisë përbën një kontribut elementar në luftën kundër varfërisë, pjesë themelore e përkushtimit të DEZA-s,” vijoi z. Sager.
Në të gjitha intervalet në hyrje dhe në mbarim të pikave të rendit të ditës, grupi muzikor karakteristik nga Senegali i dha gjallëri e ngrohtësi të veçantë atmosferës me pikat e bukura muzikore që luajti në skenë.
Komentet