Më 17 janar 1938, lindi Skifter Këlliçi, shkrimtar, skenarist, komentator i mirënjohur sportiv, personalitet radioteleviziv. Ai është dalluar po ashtu edhe si autor librash artistikë e studimorë, romanesh për fëmijë dhe skenarësh kinematografikë. Ishte i pari që filloi në Shqipëri komentimin drejtpërsëdrejti të ndeshjeve të futbollit në radio, dhe më vonë edhe në televizion. Emisioni i konceptuar dhe i krijuar fillimisht prej tij, Rubrika Sportive, vazhdon të transmetohet ende sot në Radio Televizionin Shqiptar.[1]
Jeta dhe veprimtaria
Skifter Këlliçi lindi më 17 janar 1938 në Tiranë, Shqipëri, qyteti ku edhe kaloi vitet e fëmijërisë e të rinisë. Në vitin 1959, pasi mbaroi studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës, filloi punën si gazetar e komentator sportiv në Radio Tirana. Më 1960 Këlliçi ishte gazetari që krijoi rubrikën ‘E diela sportive’ dhe së bashku me Anton Mazrekun e Ismet Bellovën u bë ndër gazetarët sportivë më popullorë radiofonikë e pastaj edhe televizivë në të gjitha trevat shqipfolëse.[2] Më 1971 Këlliçi krijoi në Televizionin Shqiptar emisionin shumë popullor të kohës, me titullin Rubrika Sportive, dhe më 1972 për herë të parë nga studiot e TVSH ai filloi të komentonte veprimtari sportive ndërkombëtare, të marra nga kanale televizive italiane e jugosllave. Komentet e tij dhe drejtimi i emisioneve sportive në përgjithësi shquheshin sidomos për gjuhën e pasur e të figurshme të standardeve evropiane. Si pasojë ai u kritikua për prirje moderniste dhe më 1986, me urdhër të drejtuesve të lartë komunistë u detyrua të largohej nga ekrani.[3][4] Mund të thuhet se Skifter Këlliçi është i pari shkrimtar që temën sportive e ngriti në letërsi të mirëfilltë nëpërmjet vëllimeve me tregime ‘Një ndodhi në stadium'(1968), novelës ‘Në tokë të huaj'(1969) dhe romanit ‘Shpërthimi’ (1980). Mbi bazën e këtij të fundit ai përgatiti skenarin e filmit ‘Fushë e blertë, fushë e kuqe’ (1983), që është edhe filmi i parë artistik sportiv shqiptar me metrazh të gjatë. Në vazhdën e veprave letrare të Këlliçit me temë sportive zë vend edhe romani ‘Tirana dy orë para dënimit’ (1998), që trajton përjashtimin tragjik të kësaj skuadre nga kampionati i futbollit 1966-67, me vendim të Byrosë Politike, sepse po shpallej kampione duke lënë pas ‘”Dinamon’ dhe ‘Partizanin’ ,që përfaqësonin diktaturën komuniste në sport.
Këlliçi ka qenë gjithashtu i suksesshëm edhe në fushat e krijimtarisë artistike e të publicistikës, duke pasur në aktivin e tij 35 vëllime. Ai ka lëvruar gjerësisht gjinitë e tregimit të shkurtër e të romanit, por edhe të skenarit artistik. Ndihmesa e tij ka qenë e veçantë edhe në fushën e letërsisë për fëmijë sidomos me romanet ‘Kujtimet e mëhallës së vjetër’ (1967), apo ‘Pas gjurmëve’ (1972). Mbi këtë të fundit është mbështetur edhe skenari i Këlliçit për filmin artistik me të njëjtin titull, i cili u nderua me çmimin special të Presidentit të Republikës Italiane në festivalin ndërkombëtar të filmit në Giffoni (Itali) më 1979.
Romanet e Këlliçit me temë historike kanë njohur sukses të veçantë, dhe këtu mund të përmendet sidomos ‘Atentat në Paris’ (1978), që u ribotua me ndryshime thelbësore më 2011. Ky roman i kushtohet vrasjes së Esat Pashë Toptanit në Paris më 1920 nga atdhetari Avni Rustemi, dhe u përshtat edhe për skenë më 1981 nga teatri Bylis i Fierit, duke u pritur mjaft mirë nga publiku. Një roman tjetër historik është ‘Vrasës me duar të bardha'(1991) që trajton ngjarjet rreth ekzekutimit të patriotit të shquar Themistokli Gërmenji nga autoritetet ushtarake franceze të Krahinës së Korçës më 1917 gjatë Luftës së Parë Botërore. Ndërsa më 2006 Këlliçi botoi romanin ‘Dashuri e gdhendur në shkëmb’ mbi motivet e tregimit ‘Tej kaltërsive’ të shkrimtarit të njohur, Bilal Xhaferi, kushtuar kryengritjeve ilire të udhëhequra nga Bato kundër pushtuesve romakë.[5]
Në vitin 2010 Këlliçi nxori në qarkullim romanin ‘Shtatori i gjëmës së madhe’ kushtuar sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 mbi Kullat Binjake në New York. Shtytje për këtë roman ishte midis të tjerash edhe fakti që ndërmjet gati 3000 viktimave të atij sulmi ishin edhe 3 shqiptaro-amerikanë, të cilët janë personifikuar në roman.
Me romanet ‘Tirani ngrihet nga varri'(2004) dhe ‘Politikanët mëkatarë fluturojnë në Mars’ (Prishtinë 2006), ku trajtohen dukuri negative të shoqërisë së sotme shqiptare, Këlliçi ka dhënë ndihmesë edhe në lëvrimin e romanit humoristiko-satirik. Në romanin e parë, një nga personazhet që i ngjan diktatorit të vdekur, krijon në vend idenë se ky i fundit është ringjallur nga Zoti, të cilit i ka kërkuar falje, dhe me ndihmën e të cilit do të vendosë demokracinë e premtuar nga dy partitë politike që sundojnë të zhytura në korrupsion. Në romanin tjetër, vazhdim i të parit, po ky personazh u dërgon kryetarëve të këtyre partive politike emaile që kinse vijnë nga planeti Mars, e që shpjegojnë se meqë temperaturat do të rriten shumë, jeta në tokë do të shuhet. Si pasojë, ata këshillohen të fluturojnë në Mars me anijet kozmike që do t’u dërgohen posaçërisht, dhe duke qenë se ai planet është i kuq, të ndërtojnë atje shoqërinë komuniste. [6]
Në krijimtarinë e Këlliçit në fushën e veprave publicistiko-shkencore një vëmendje të veçantë meriton ‘Historia e futbollit’ (1980), e po ashtu ‘Nga 2-3-5, në 4-4-2, vështrim historik mbi evoluimin e sistemeve taktike të futbollit shqiptar, 1930-1987′(1987). Këlliçi ka botuar gjithashtu ‘Yjet e futbollit botëror’ (1988) si edhe kontributin origjinal ‘Historia e Radiotelevizionit Shqiptar, (1938-1990)'(2003).
Në vitin 1999 Skifter Këlliçi u largua nga Shqipëria dhe u vendos së bashku me familjen në Watertown, pranë Boston (MA), në Shtetet e Bashkuara, ku banon aktualisht. Ai vazhdon të kontribuojë edhe në fushën publicistike me dosierë rreth gjuhës, historisë së letërsisë dhe sportit, të cilat kanë jehonë në mediat shqiptare.
Referencat
- ^ “PAS GJURMEVE” PER GJASHTE MUAJ… PA GJURME”. Tribuna Shqiptare. 21 janar 2014. Marrë më 10 dhjetor 2016.
- ^ Mazreku-Bellova-Kellici ikonat e mikrofonit sportiv shqiptar. Minuta 90. September 30, 2015. Marrë më 10 December 2016.
- ^ Zholi, Albert (17 prill 2012). “Skifter Këlliçi: Ja pse ma hoqi të drejtën e transmetimit Ramiz Alia”. Tirana Observer. Marrë më 10 dhjetor 2016.
- ^ Simsia, Pierre-Pandeli. “Një zë që i mungon mikrofonit dhe ekranit sportiv”. Shkoder.Net. Marrë më 10 dhjetor 2016.
- ^ Andrea, Viron (26 mars 2013). “Vizioni kombëtar në romanin “Dashuri e gdhendur në shkëmb””. Tirana Observer. Marrë më 10 dhjetor 2016.
- ^ Fico, Agron. “Shkrimtarët Shqiptaro-Amerikanë të Diasporës në Amerikë nga Fan Noli deri tek Adnan Mehmeti i Bujanocës”. Presheva Jone. Marrë më 10 dhjetor 2016.
Komentet