Loto me gaz
Në botën farsë,
Me bojë e maskë,
Si bollë barrsë,
Me bosë falsë.
‘17-‘18
NJË FYTYRË TJETËR…
Më sulmonte një fytyrë tjetër,
Ndërsa ndjeja po atë zemër!
Në oazin e lotëve të vjetër,
Sytë dilnin tepër!
Qenka herët, ende herët,
T’i lë lamtumirën verës,
Ta nis ftesën për festën vjeshtës.
Ma zë pamjen një fytyrë tjetër…
Vera baret brengës,
Vjeshta bredh në breshër…
PIANO DHEU
-Elegji-
Një piano e ftohtë dheu,
Me tastierë krejt mermer.
Kush mund t’i bjerë? Kush mund t’i bjerë?!!
Një piano e rëndë dheu,
Hesht si asnjëherë!
Sandër*, zgjohu!
Mos e lërë pianon të flerë!
Çohu, Sandër*!
Hidhe veten në erë!
_______________
*) Në të dyja rastet; kompozitori Aleksandër Lalo.
TJETËR KALENDAR
-Akapela-
Një janar
Për t’u parë.
…
Një prill
Shkoi si trill.
…
Një korrik
U fik në frikë.
…
Gjithë vjeshtën,
Vetëm heshtëm.
…
Një dhjetor
I gjorë në borë.
…
Prapë janar…
Dhe të ndarë.
…
Ne u deshëm kaq ngadalë,
A koha rend revan si kalë?!
TË THIRRA NË ËNDËRR
Mendjeshkalluar, gjakshkumbëzuar, sytë në të shuar…
Peng i papenguar
Në gjumin e ëmbël…
Të pashë në ëndërr!
Frymë e munguar, ajër i tërbuar, shtrat i shtruar
Me rroba të ngrohta,-
Prush prej trupit tënd…
Të thirra në ëndërr…
Të zgjuarit shohin vëngër.
…Drita ndjehet keq…
Një sure Kurani përplaset për qelq:
“Gruan e tjetrit kurrë mos e prek!”
Dola! Nuk më pe!
Thirra, shenjë s’dhé.
Renda të të prekja,
– Mos, – the, – na gjen vdekja!
Engjëjt e përjetshëm,
Prekja i bën njerëz!-
Ika prapë në gjumë,
Mjegull e furtunë!
BETEJA
Ishte ai vit, ishte ajo ditë me orën e ligë,
Që m’u bënë udhë, të ikja prej teje…
Ndërsa shembem natën si vigan mbi vig,
Ende shpirti s’jepet mes asaj beteje
ASGJË PA NE
-Sipas teje-
Asgjë s’u krijoka
Pa ne.
As bora,
Po s’u bëmë re!
Asgjë s’u mbaroka
Pa ne.
As bota,
Po s’u bëmë dhè!
MJEGULLA
Ngrihet
Frymëmarrja e gjumit të ujit,
Si gënjeshtra,
Fjalë pas fjale,
Nga buzët e tua të bukura.
Bie mbi pyetjen time
Për sinorët dhe orët,
Prej nga nisen meteorët.
GJUMË I TRAZUAR
Ëndrra
Erdhi,
Më pa
E të tha:
“Në tjetër shtrat…
U shtri yt atë!”
U zgjove.
Kërkove nënën,
Nga frika mos ishte në gjumë
Dhe shihte të njëjtën ëndërr.
KE DALË E MË PRET…
-Serenadë-
– Kthehu! – më bën zë mengjesi nga pushi i butë i faqeve,
Nga pjalmi i zemrave të
manushaqeve,
Nga puhiza e kaltër mbi bluzën e hollë,
Nga avulli mbi lëkurën e qullur me qiell,
Nga mrekullia e ëndrrës së parë erotike…
– Kthehu! – ma bën me dorë ajo paradite.
Kthehem dhe nisem!
Thërrmohem dhe një herë nëpër cicërima,
Në sy mbaj kraficën e hënës, dhuratë për ty.
Shkrihem, – petale dëbore përmbi luleborë.
E marr përdore kometën e humbur në dritë të paradites…
Fishkëllej në kërcej, kapërcej vise, qiej,
Sa vjen, më i lehtë, sa vjen, më fshehtë, sa vjen, më i nxehtë.
Ke dalë e më pret,
Në mesudhë, në mesditë, në mesjetë,
Cicërimë dhe puhizë, polen ëndrre dhe kometë.
– Kthehu, – mëngjesi thërret.
Manastiri i mbrëmjes bën gjumin vet.
VAJTIM PËR JASEMININ
E vranë jaseminin.
Ia thanë lulëzimin!
Nga dheu e shkulën,
Si plumbin prej gjurit!
Si gjëmën prej trurit,
Si nderin prej burrit,
Si ëndrrën prej gjumit,
Si flokë kufome, rrënjët e njoma,
Me lulet e vogla lotojnë aroma.
Në dheun e shkretë, të rënë në koma,
Goja e gropës s’ka folur akoma!
HEMATOMË
Hija e Tokës
Shkeli e shkoi…
P-lojës sonë!
Nën lëkurë, në gjak,
Më çel një zambak!
Mëngjesi u gdhi…
Mbylli sytë e fli,
Mbi zambak të zi!
Mbama dhimbjen ti!
MËSIME VJESHTE
Të zbehta meite, të thata, të shkreta,
Në slow motion lëshohen gjethet nga dega…
Kush ua mësoi këtë valle prej engjëjsh,
Që lindjen dhe vdekjen t’i thonë njëherësh?!
Si mund të jenë kështu, kaq të qeta,
Në ritet mortore të ndarjes nga jeta?!
Gjethet që bien nga qielli, nga vjeshta,
Na mësojnë si shkundet i gjalli nga vetja.
E dinë, se kaq i duheshin pemës,
Dhe hijes, dhe frutit, dhe rrënjës, dhe erës,
Na thonë, si mund të iket prej jetës,
Pa kuje, pa gjëma, pa zinë e të zezës.
Më mësojnë dhe mua si iket prej teje,
Pa ndjesë, dënesë, pa lutje, pa leje,
Siç ndahesh me formën çudi të një reje,
Siç kthehet në paqe një trim pas beteje.
MATERIE E TEJDUKSHME
Ajo kthjellohet, kristal i tejpamshëm fundemajë.
Flijohet, që bredhin ta shoh matanë në pllajë.
Dhe druri i moçëm shkrihet në gaz e shkrehet në vaj,
Ma thotë gjithçka që dua të gjej në qenien e saj.
ANA, MOS U RRIT!
–Për Ana Iks-
Ana, vajzë e vogël,
Burrë isha unë.
Ia lëmoja flokët:
“Mos u rrit më shumë!”
Lutesha përditë,
Trembesha çdo vit:
“Anë, mos u rrit,
Rri kështu, si dritë!”
Ditë e vite vanë.
Lutjet shkuan dëm.
Ana, tashmë zanë,
Pret të bëhet nënë.
… Anën shoh e fshihem,
Ta takoj kam frikë…
S’pyesin se ku ndizen
Yjtë e dashurisë…
SKENË NË PRAPASKENË
1.
Hije e frikshme, përtej e pështyrë:
Dy koka, dy supe dhe tetë gjymtyrë.
Hije, velë e zezë, me terrin e fryrë.
Hije mënxyrë, thellë në natyrë;
Gjysma, mbi barin pa ngjyrë,
Gjysma, mbi ujin e ndyrë.
2.
Dy kurme të ngrohtë,
Të hijshëm, të njomë,
Lidhur me frymë, me puthje, me lot,
Nën dritën e zbehtë të llampës së ftohtë
Japin e marrin llavë në shqotë.
Një qenie në qiell, me hijen përtokë.
MË FLIHET…
…por më parë porosis një palë pranga,
Gjej një shpellë në shkëmbin e mesnatës…
Lidhem këmbë e duar, mbyllem i dënuar…
Dhe s’ka më udhë e udhëtarë,
Dhe s’ka më luftë e luftëtarë,
Dhe s’ka më lumë e lundërtarë!
Një ëndërr vallëzon mbi karmë,
Shpend i egër nëpër flakë…
M’i ngul thonjtë grabitqarë,
Të me sjellë atje te Ti!
Klith e krahët rreh më kot.
Pranga, shtrëngohuni më fort,
Shpellë e thellë e gjumit,
Hyrjen mos e hap, kushdo që të thotë!
GURË DHE DALLGË
Gurë…
Skulpturë
E shembur qyshkur.
Malit ende s’i janë mbyllur varrët,
Lumi ende ankohet nga barrët.
Mbi heshtjen e tyre, kafkë e rrumbullakët,
Ndeshen, brohorasin…, shkumës shuhen dallgët.
Det i vjetër vjen, zbraz mbi ta shtrëngatën,
Dhe kthehet i kaltër,
Te brigjet e largët,
Ku Ti ke Itakën.
Unë,
Këtu,
Mbi gurë,
Skulpturë
E shembur qyshkur.
TRINI PA SHENJT
Fryma fikte fenerin.
Fillimin e flakte në fund.
Fjala fillonte të falej,
Nga buzët e Atit, nën gunë…
Nën blozën e strehës, mbi trung:
Frymë gjithçka… dhe fjala gjithkund.
Gjithëkush, udhëtar pa gjurmë në gjumë,
Dhe Mëma, dhe Ati, dhe shenjtët e lumë.
Kur ndrite ti në natën mbi shkrumb…
Fryma u shfaq te dallga si shkumë,
Fjala foli me urat mbi lumë.
Mëmë e ndjeve veten. Ati isha unë.
Shenjtorët e shumtë s’na hynin në punë.
EKSKURSION
-Shënim udhe-
Anija ndalet para tokës si përpara vdekjes.
Ata zbresin. Lënë detin dhe kalamenden bregut.
Vazhdojnë të ecin, dikush me një këmbë të tretë prej druri të vjetër,
Një tjetër mbështetur pas tjetrit si dielli majë direkut.
Vijnë prej tjetër kontinenti, sozi ikonash, jehona mitesh,
Aradhë shkronjash të një gjuhe tjetër.
Një kontinenti i ri i bën të ndjehen shenjtër.
Shëtitores së lashtë ende kalamenden si mbi dallgë;
Besojnë hartat, guidat, reklamat siç besonin dikur të dashurat.
Me navlla blejnë. Kusuri u kthehet në tjetër monedhë.
Me xhama sysh dhe sy të xhamtë kullosin engjëj të ngrirë dhe djaj me brirë,
Armë të vdekura, kështjella të heshtura,
Kureshtje sendesh dhe ndeshje afreskesh.
Frangmente fytyrash, gënjeshtra ngjyrash, qyqe mbi kryqe dhe udhëkryqe.
Muzika e orës u sjell ndërmend të nisen nga erdhën,
Andej nga anija ka ngritur sirenën.
Kontinentin e kujtesës e mbyllin në çantat e larme,
Ndërsa kryet e mufatur vetëm me të tashme,
Si yje të shuar, vozitin në të ardhme.
Në liman anija përkundet, djep fatesh e dallgësh.
GOJËDHANË
Ajo ishte një njeri, shtrirë në një histori.
Nis një gojë ta tregojë, ta këndojë.
Dhe vesh më vesh, dhe gojë më gojë…
Alfabeti përmbi letër s’mundi ta fiksojë.
Dhe rron, dhe vallëzon, dhe fluturon,
Frymë me frymë, shpirt më shpirt, qenies sonë.
Dhe je ti kjo histori,
Ikur larg nga vizatime, pergamena, shkronja, shkrime,
Veç robinjë e frymës sime!
SHËTIS ME MEND
NË DISNEYLAND
Kërkoj një kafshë, të më kafshojë.
Një zog zabeli, të më zgjojë,
Një flutur fushe, të më ftojë.
Po ku t’i gjej,
Ku të më gjejnë
Në Disneyland,
Në këtë vend,
Ku jeta vjen
Si supermen,
Si lojë-shpend,
Si mi-legjendë,
Pa gjak e gjen…
Ku shpirti rend,
Pa ty, që ndjen?!
MË THIRRE?
1.
M’u bë se më thirre
Dhe gjumi brofi me trembjen e hutinit prej errësire!
2.
Gjithë ditën të ndoqa me klithma fajkoi prej drite
Dhe s’mora përgjigje.
3.
Hutini i mbylli krahët në fole…
Po shkoj dhe unë të fle,
Që thirrjen e mbrëmshme, ta gjej, ku e le.
TË PËRHERSHËM
Do të zhvishemi dhe një herë
Nga meshat, nga peshat, nga teshat,
Nga hyjtë e hyjneshat.
Pa gjak e pa eshtra,
Pa shqisa, qeliza, gënjeshtra
Do të shihemi dhe një herë
Veç erë në atmosferë,
Të gjithëgjendshëm, të përhershëm për t’u ndjerë,
Si atëherë, kur vraponim mbi tastierë!
NË KUJTIM TË SAJ
Fosil vetëtime
Ekzil bubullime,
Idil cicërime,
Në prill psherëtime.
Skalitja statujën, o dhimbje,
Ringjalle me frymën time!
PLUHUR…
Fërkohen ari dhe zjarri,
Me pluhur të zi mbushet ajri!
Fërkohen pëlhura dhe lëkura,
Shket pluhuri gri përmbi ujëra.
Fërkohen mermeri dhe terri,
Në pluhur groposet ylberi.
Fërkohet era me dhera,
Pluhuri mbyll plagë e humnera.
Fërkohet buza te buza,
Në pluhur të hirit djeg shpuza!
SKAJE SAHARAJE
E vetme, Ajo pa Të…
Dheu pa qiellin tashmë.
Veç hëna, që hijet përzë
Dhe dielli, që flakën i vë.
Si flokët shkul pyjet planeti,
Themelesh rrënohet qyeti.
Në helm të vetvetes, akrepi,
Fundin e jetës e gjeti.
I vetëm! E vetme! Të vetëm!
Aisbergët mbi xhunglat u shembën.
E vetme! I vetëm! Të vetëm!
Në skaje Saharaje u tretën!
MAL(L)I
Trupi i lisit të motit,
Dërrasa për arkën e mortit.
Tufa e dhenve në brinjë…
Veron me barinj të rinj.
Bora që binte dikur,
Barkat i niska për udhë.
Veç qielli, i njëjtë mbi majë…
Dhe unë, nën syrin e Saj.
DJALI I VETMISË
M’u bâ n’ândërr
Në petkun e hijes së vet!
I askujt. Prej askund. Për kurrkund.
As fmi, as plak. As skllav, as mret.
Veç dhândër,
Që pret e s’din ç’ka pret.
…
Kjo ândërr, sa net e sa vjet,
Vjen e prap’ m’le shkret.
SHEMBUR
Hipa mbi mal,
Të të shihja, ku je,
Humba në re.
Retë reshën shi…
Gjëmuan në zi.
Rrëke më rrëke,
Rrufe më rrufe,
U shemba përdhe,
Mbi vjeshtën e ve,
Me sytë nga ne.
Poezia e Demir Gjergjit është poezia e maturuar, gjithë ritme e rime e me një gjuhë të zgjedhur.
Aty leviz njeriu I mençur dhe vezhguesi I hollë ,përcjellës I ideve e përjetimeve te veçanta.
Është kënaqësi të lexosh poezinë e tij.
Urime poetit!
Respekte dhe falënderime, mik i madh, PRENG MACA!