Tanimë, zyrtarisht Akademia e Shkencave është në fazë reformimi. A do të jetë ky reformim një proces i vërtetë, a do të jetë një rithemelim, apo do të jetë një gjoja reformim nën presionin e nostalgjive të vjetra. Apo përfaqësuesit e sovranit nuk do ta hanë sapunin për djathë dhe në këtë rast të dytë do të thonë: “Jo, ne s’e shpenzojmë paranë publike për gjoja akademi!” – këtë do ta shohim në muajt e mëparshëm. Komisioni i reformimit është ngritur, por reformimi me anë të rithemelimit nuk është çështje e një komisioni, por e të gjithë akademikëve, e asamblesë, e seksioneve, por atje mbretëron heshtja. Në vend të gëlonin idetë.
Unë e rithem, që brenda Asamblesë së Akademisë së Shkencave ka energji intelektuale të mëdha, por i kanë stepur, i kanë ndrojtur, i kanë lidhur me një kod heshtje, misterin e të cilit e dinë jo të gjithë. Aq më shumë që derisa pritet reformimi, (nuk dihet nëse do të jetë i vërtetë, sa kohë që ish-drejtuesit nuk pranojnë asgjë që ta kenë drejtuar gabim), derisa ata që drejtojnë, ende sot nuk guxojnë të ndërmarrin asnjë analizë kritike, vazhdojnë praktika pune sa absurde aq edhe antishkencë, aq jo demokratike sa edhe burokratike që tregojnë se ku ka mbërritur ajo, që duhej të ishte punishtja e ngjizjes së projektit të madh intelektual të kombit.
Disa, hallin e kanë vetëm se nga do të varet Akademia e Shkencave. E rëndësishme, por që në vetvete nuk ka asnjë pikë rëndësie. Rëndësi ka që Akademia e Shkencave me këta akademikë që janë sot ose me të tjerë, sepse askush nuk e privatizon dot atë, sado tentojnë ta bëjnë, duhet të jetë shtëpia e pavarur e intelektualëve shqiptarë, e shkencëtarëve shqiptarë, një hapë- sirë publike, e njohur dhe e subvencionuar nga vetvetja, nga projekte madhore kërkimi shkencor, si edhe nga buxhetet publike. Ajo duhet të hapet dhe të kthehet në qendrën e mendimit intelektual dhe shkencor me peshë dhe kompetenca funksionale në përpunimin e strategjive për shkencën, teknikën dhe novacionin në botën shqiptare.
Një qendër ku gëlon mençuria, dhe jo ku mbillet heshtja dhe mosveprimi. Nuk ka rëndësi, thjesht, se ku do të “varet” Akademia e Shkencave, që ligji e njeh të pavarur, dhe që duhet të veprojë në bashkëpunim të ngushtë dhe në mirëkuptim me agjencitë e tjera publike dhe me shtetin shqiptar. Kanë rëndësi funksionet e saj, ka rëndësi funksionimi i saj, kanë rëndësi politikat e saj, statusi i akademikut, jashtë përrallave me akademikë të përjetshëm. Në këtë botë, Zoti nuk ka bërë asgjë të përjetshme, akademiku si çdo frymor i gjallë me intelekt një ditë del në pension, pra, ne njerëzit nuk mund të kthehemi në perëndi politeiste të pavdekshme, ose duke u hequr si gjysmëperëndi, sipas parimit “mbreti abdikoi, rroftë mbreti!”
Akademia nuk mund të vazhdojë të jetë as vetëm dhënëse me qira e sallës së saj, madje edhe as vetëm administruese honorarësh që u adresohen pensionistëve të nderuar. Puna në Akademi është tjetër, kurse honorarët e pensioneve le t’i administrojnë shërbimet përkatëse sociale. Mbi të gjitha, askush mos kujtojë se Akademia e Shkencave është sikurse e ka quajtur veten zyrtarisht si “rojtare e zjarrit”, pra, e disa paradigmave të shekullit të kaluar që kush kërkon t’i pasurojë e zhvillojë, digjet në turrën e druve.
E ka të shkruar në dokumentet e saj si një atentat ndaj epistemologjisë së shkencës, se ajo i ve vetes rol që paradigmat dhe rezultatet e postulatet e shkencës shqiptare të mos ndryshojnë. Akademikë të përjetshëm, pa moshë, dhe paradigma të përjetshme që askush nuk lejohet t’i çojë përpara. Reformimi i Akademisë së Shkencave pa reformimin e metodologjisë dhe filozofisë së shkencës dhe mendimit shqiptar në të gjitha fushat është një lojë, një hilé, një dështim.
Prandaj, reformimi është çështje e përmbajtjes së shkencave në Shqipëri, rivendosje e metodologjive përherë në debat dhe në diskutim dhe jo tharje e tyre, plakje e tyre, përjetësi e tyre dogmatike, që i hap rrugën inkuizicionit me terror intelektual që para 1990-ës e bënte Policia Sekrete. Midis terrorit, Policisë Sekrete dhe dogmave që nuk lejonin ripërpunime në regjimet totalitare ka pasur aleancë. Kjo është ideja e madhe e Hannah Arendit, MerloPonty-s, Fukosë, etj..
Sepse nga njëra anë kërkohet reformim, por nga ana tjetër vazhdohen praktika që janë krejt të gabuara, absurde, me kokë- fortësi si për të treguar se metodat e vjetra vazhdojnë të mbretërojnë. Kjo vendos në dyshim dëshirën dhe vullnetin për transformim, sepse diçka që nuk ta pranon mendja, vërtet nuk mund ta vazhdosh ta ushtrosh. Kërkohet të bëhet raporti vjetor i punës së Akademisë. Anëtarëve të Asamblesë u kërkohet të raportojnë punën shkencore. Po a thoni ju se ka kritere se çfarë quhet punë shkencore në nivelin e një akademiku?
Aspak, disa nuk mungojnë të vendosin edhe ribotime në rezultatet e kërkimit shkencor, nuk mungojnë edhe raportime punësh për llogari të instancave shtetërore, artikuj ose konferenca organizuar nga agjenci që nuk kanë status të kërkimit shkencor. A thua se në fillim të vitit që shkoi u treguan prioritetet e punës shkencore të Akademisë? As bëhet fjalë. Madje po ikën edhe janari dhe as duket në horizont që të përgatiten kritere metodologjike që do të orientonin aktivitetin shkencor të akademikëve brenda Asamblesë? Grupe pune, bashkëpunime, projekte që të aprovoheshin nga Asambleja? Aspak. Përpara dy javësh u kërkua që të paraqiteshin punime që do të mbështeten nga Akademia e Shkencave.
Dhe në kërkesat që i niseshin kandidatëve, u kërkohej që bashkë me tekstin e veprës së tyre të sillnin edhe dy recenca me vete. E paparë! Nuk kërkohej të silleshin propozime për emra recenzentësh të mundshëm, por vetë recenca!!! Autori gjen dy recenzentë për punimin e tij!!! Këtu rrethi vicioz mbyllet brenda vetes dhe kur shpreh habinë sesi është e mundur që në vlerësimin e punës shkencore të përmbyllet, këtu sensi kritik dhe monitorues nga ana e bashkësisë ndaj punës së gjithsecilit të thonë: Çfarë të keqe ka???
Të kapin edhe prej mëngës së xhaketës dhe të bërtasin! Pret që revistat që boton Akademia të jenë me tregues cilësorë ndërkombëtarë,të kenë borde shkencore ndërkombëtare, realisht vepruese, por e sheh se është një kërkesë që duket jashtë kohe dhe vendi. Redaksitë kavardisin me miell shqiptaro-shqiptar kur dihet se pa monitorim ndërkombëtar nuk ka vlerësim të kërkimit shkencor. Edhe leopoldinën e duan për t’i bërë presion Kryeministrit të mbylli gojën, se për të bashkëpunuar me akademi shkencash perëndimore për të ndërtuar politika vlerësim të arritjeve shkencore, as nuk u shkon mendja.
Pret që, së paku, tematika e numrave të aprovohet në seksionet apo në Asamblenë e Akademisë, se çfarë do të bëjnë akademikët, në mos të tematizojnë revistat që ata nxjerrin!!! Por, përsëri duket se flet me muret, askush nuk të dëgjon. Sikur muret e Akademisë të kishin veshë dhe sy! Bëhet konkursi për veprat më të mira që vlerëson Akademia, vijnë autorë seriozë, studiues të rinj premtues, botime shumë të mira, por juria është po me ata njerëz si vitin e kaluar. Pa asnjë lidhje shpesh me fushën kërkimore-shkencore ku paraqiten botimet që do të vlerësohen.
Të zgjedhur për shkak të statusit dhe aspak të propozuar nga seksionet përkatëse. Si është e mundur, që një kryesi e dorëhequr, ende vazhdon të dërgojë njeriun për të kryesuar jurinë e konkursit kur kryesia nuk funksionon, sepse ka dhënë dorëheqjen. Propozon që Asambleja e Akademisë së Shkencave të debatojë për reformimin, paçka se komisioni reformues e bën ose si e bën punën e tij. Kush dëgjon? Paraqiten alternativa reformimi, kërkohet paraqitja e tyre para akademikëve, askush nuk të përgjigjet. Nuk kuptohet se kush e drejton Akademinë e Shkencave. Kush e bën rolin e kryesisë që nuk funksionon?
Shenja jo të mira në Akademi. Nga njëra anë është pranuar reformimi, domosdoshmëria e tij, nga ana tjetër asnjë raport analitik nga ata që drejtojnë sot për të evidentuar se ku është gabuar, ku janë praktikat e tejkaluara nga koha. Çdo zë kritik sapo ngrihet merr sulme: Si guxon ti të vesh në dysh arritjet tona? Nostalgjia është shtrirë anë e mbanë Akademisë, anëtarët e Asamblesë sikurse votuan unanimisht, pranuan edhe unanimisht dorëheqjet, votojnë vendime kontradiktore unanimisht. Sikur ka një presion psikologjik që ushtrohet mbi ta dhe i bën të qëndrojnë pasivë në propozime, debate.
Marsi po vjen. Këshilli ekzekutiv të thërrasë në raport komisionin reformues për ecurinë e punës. Të kërkojë raporte dhe planin tematik të punës së tij. Të planifikojë mbledhje seksionesh për temën e reformimit. Të thërrasë grupe pune akademikësh për të dhënë mendime, që ushqejnë reciprokisht me ide edhe komisionin reformues edhe Asamblenë.
Mbi të gjitha, në raportin analitik të punës vjetore të tregojë përgjegjësitë individuale dhe kolektive që sollën Akademinë e Shkencave në derexhenë e sotme, dhe jo një listë me tituj botimesh pa asnjë monitorim nga ana e akademisë, pa recenca shkencore të përzgjedhura nga Akademia, thjesht artikuj të botuar aty këtu, për cilësinë e të cilave nuk jam në gjendje të diskutoj. Natyrisht, ka edhe punë shumë të mira, meritë e akademikëve, por që drejtimi i Akademisë vazhdon t’i injorojë, sepse i zhyt në një listë bibliografike mizerabël dhe jo në një analizë kritike shkencore, sikurse do ta kishin merituar. Përndryshe, bashkë me ngricat e marsit nuk dihet se çfarë vjen.
Komentet