Voal – Vajzat e Diellit u formua nga një këngëtare e njohur jezide me emrin Xate Shingali, shkruan mailonline.co.uk. Ajo ka arritur të mbledhë tashmë 123 rekrute femra që përfshijnë grupmoshën 17-30 vjeç, me synim hakmarrjen dhe luftën kundër IS-it. Megjithëse rrezikojnë seriozisht të kapen e të mbahen si skllave seksi nga luftëtarët e Kalifatit, ato tashmë e kanë të qartë se vdekja në luftë është ajo që duan më shumë
Anëtaret e një njësie të re ushtarake tërësisht femërore, pjesëtare të komunitetit jezid, kurdë po rrezikojnë të vdesin, por këtë radhë ndryshe nga ç’kemi dëgjuar; duke luftuar kundër IS-it dhe banditëve të Kalifatit Islamik që kanë përdhunuar, abuzuar apo vrarë mijëra nga njerëzit e komunitetit të tyre.
Ato janë bërë tok falë një këngëtareje të njohur jezide, Xate Shingali, e cila ka formuar njësinë e ashtuquajtur Vajzat e Diellit për të ndërmarrë aksione kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik në fushën e betejës në Irak.
Xate Shingali
Nëse trupat e saj ndonjëherë do të kapeshin nga armiku, ato ose do të vriteshin ose do të mbaheshin prej ekstremistëve si skllave seksi. Edhe më e reja prej tyre, që sapo ka mbushur 17 vjeç, sa nuk shpërthen duke shtuar tërë urrejtje: “Edhe nëse më vrasin, do u them se jam jezide”.
IS-i ka rrëmbyer mijëra minorene, vajza e gra jezide kur vërshoi në provincën Sinjar në Irakun verior në gusht 2014. Ato të cilat ia dolën mbanë të arratiseshin nga thonjtë e kriminelëve, kanë treguar se çfarë tmerresh kanë parë me sy dhe abuzimesh seksuale kanë përjetuar kur janë gjendur në duart e terroristëve të IS-it, që i detyronin “të martoheshin” me ta forcërisht.
Xate Shingalit, 30-vjeçarja që ka performuar një repertor folklorik të pasur nga trevat jezide në mbarë Irakun verior, i është dhënë leje e veçantë nga Presidenti i rajonit autonom kurd në Irakun e Veriut, për të formuar një njësi luftarake nën urdhrat e veta, me uniformat që mbajnë në krah logon e peshmergave kurde.
Ajo e ka formuar “brigadën” më 2 korrik e qysh atëherë ka mundur të rekrutojë 123 femra luftëtare që përfshijnë moshat mes 17 – si minimum, deri në 30 vjeçe. Duke folur nga kampi i refugjatëve në Sharya, pak kilometra në dalje të Dohukut, Xate tha se luftëtarët e specialistët ushtarakë kurdë (meshkuj) ishin ata që po i stërvitnin ato për të përdorur automatikun AK47.
Ajo shton ndërkaq se: “Ne kemi marrë vetëm një trajnim bazë dhe sigurisht se kemi nevojë për më shumë … Por ne jemi gati të luftojmë kundër IS-it në çdo kohë”.
Rekrutja më e re e Xate-s, Jane Fares, 17-vjeçare, u arratis nga mali Sinjar me vëllain dhe motrën e saj kur IS-i nisi të vërë këmbë në mbarë rajonin.
Adoleshentja me zë të butë, e cila sapo i është bashkangjitur njësisë në fjalë, i tha familjes së saj se është shumë krenare për atë që po bën, duke shtuar se: “Babai im ishte shumë i lumtur kur i tregova se unë i isha bashkuar njësisë”.
“Të gjitha familjet jezide e kanë miratuar këtë akt … Jemi shumë të lumtura që po luftojmë përkrah peshmergave”, thotë ajo.
Në maj, një vajzë jezide në të njëjtën moshë me Jane, përshkroi se si ajo dhe motra e saj e vogël abuzoheshin përditë nga një i ashtuquajtur “xhihadist”, para se ato të shiteshin të dyja si skllave në një ankand.
Një vajzë akoma më e vogël në moshë nga komuniteti jezid, e njohur si Bahar, 14-vjeçare, tha një herë se si kishte qenë e detyruar t’u nënshtrohej edhe testeve mjekësore për të ‘provuar’ virgjërinë e saj, para se të shitej te luftëtarët e IS-it në një ankand tjetër makabër.
Grupi famëkeq terrorist njihet gjerësisht për aktet e tij të rrëmbimit, mbajtjes si skllave seksi e abuzimeve të tjera me vajzat e gratë e komunitetit jezid, ndërsa meshkujt e tyre ekzekutohen para kamerave, por asgjë prej tyre nuk duket se e tremb Janen për të përmbushur misionin e saj.
Ajo thotë: “Më parë kisha frikë të tmerrshme prej tyre, por tashmë nuk kam më frikë. Jam gati … Shpresoj t’i vras të gjithë”.
Luftëtarja e re është thuajse indiferente dhe mospërfillëse ndaj videove me prerje koke që publikon IS-i apo “Daesh”, siç njihet në vendet arabe, duke shtuar se: “Nëse na vrasin kështu [me kokëprerje], edhe ne do i vrasim në këtë mënyrë”.
Një rekrute tjetër, Hadia Hassan, dëshiron hakmarrje për kushëririn e babait të saj, i cili mbahet akoma peng në territoret e kontrolluara nga IS-i dhe kushërirën e saj, e cila së fundmi arriti të arratiset nga kryeqyteti i adoptuar i ekstremistëve, Raka, në Siri, ku mendohet se është mbajtur si skllave seksi e ka qenë pjesëmarrëse në ankandet famëkeqe të seksit.
Ajo pohoi për britaniken “Daily Mail” se kushërira e saj ka pësuar deformime psikologjike si pasojë e abuzimeve që ajo ka vuajtur, ndërsa mbahej nga terroristët, kohë në të cilën ajo edhe ishte rrahur shpesh nga luftëtarët e IS-it.
Hadia, nga fshati Khana-son, shton se: “Para se të ndodhte kjo (në gusht 2014), ne ishim të sigurt, por ajo çfarë kam parë të ndodhë ndaj të gjitha vajzave, më bën të luftoj edhe më fort kundër IS-it”.
Babai i saj ndërkaq ka kohë që lufton kundër IS-it me forcat kurde dhe ajo shpreson t’i bashkohet atij në front. Ajo shton se “motra ime dëshiron të luftojë, por është shumë e re, vetëm 15 vjeçe, por babai im është një peshmerga dhe ai po lufton IS-in tashmë në Shingal”.
Hadia, sikurse edhe rekrutet e tjera, dëshiron të hakmerret për mijëra jetët jezide që u shkelën me këmbë nga fushata plot tërbim e IS-it në Irakun verior.
“Ata vranë, por përse ua bëjnë këtë gjë vajzave e grave, përse ua marrin fëmijët nënave?”, pyet ajo, “ata nuk kanë kurrfarë humanizmi”.
Për Haidan dhe shumë jezide të tjera, jeta ka ndryshuar në mënyrë radikale nga sulmet e IS-it mbi komunitetin e tyre. Ajo shton: “Më parë doja të bëhesha gazetare … e tashmë dua të luftoj me peshmergat”.
Terroristët e IS-it kanë masakruar ndërkohë më shumë se 5000 jezidë dhe kanë zënë e mbajtur peng më shumë se 500 gra, vajza e fëmijë kur zaptuan territoret rreth rajonit të Sinjarit.
Jezidët, feja e të cilëve ka elemente të Krishterimit dhe të Islamit, i luten një krijese të quajtur Melek Taus, i cili pak a shumë mund të përkthehej si ‘Engjëlli Pallua’.
Për këtë arsye, fanatikët e IS-it i shohin ata si “adhurues të djallit” dhe si anëtarë të një tarikati apo sekti devijator, në bazë të ligjeve islame – sikurse i interpretojnë ekstremistët e IS-it, u japin jezidëve (zakonisht meshkujve, por edhe grave) alternativën për t’u konvertuar në Islam ose të vriten.
Në këta muajt e fundit, njësia ushtarake e femrave jezide po planifikon të lëvizë në një bazë të përhershme pranë frontit në malin Sinjar, por ata nuk kanë armatim të mjaftueshëm. Dhe Xate shpreson se vendet e Bashkimit Europian do t’u dërgojnë atyre më shumë “armë dhe aeroplanë” për t’i ndihmuar të luftojnë IS-in.
Kur terroristët sulmuan në gusht, shumë prej fshatrave me popullsi arabe iu bashkuan IS-it dhe kryen krime e masakra kundër fqinjëve jezidë – diçka të cilën këto rekrute thonë se nuk do ta harrojnë kurrë. “Arabët, të cilët iu bashkuan IS-it, na tradhtuan. Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë sërish”, tha deputeti 24-vjeçar, Adiba Sido. “Ata nuk janë qenie humane … ne do të hakmerremi dhe mbrojmë vendin tonë.”
Ndryshe nga IS-i, ku burrat dhe gratë luftojnë ndarazi, luftëtarët kurdë lejohen të përzihen me seksin e kundërt në fushën e betejës.
“Motra ime është gjithashtu një peshmerga … (dhe) ne mund të luftojmë bashkë si burrat”, thotë vëllai 24-vjeçar i Xates, deputeti Adiba Sido, duke treguar nga e motra.
Edhe vetë Xate është dashur ta lërë pas karrierën e saj muzikore. Ajo buzëqesh ndërsa pohon se “do të vijoj të këndoj, por tani dua të jem edhe një peshmerga”.
Komentet