Klubi i Skënderbeut, lojtarët, tifozët janë në përgatitjet e fundit për sfidën e shumë pritur përballë Dinamo Zagreb, e vlefshme për fazën “play-off” në Champions League. Interesimi për këtë përballje është shumë i madh, aq sa kjo sfidë të krijon përshtypjen, që në “Elbasan Arena” pritet të zbarkojë Kombëtarja.Skënderbeu tashmë është një realitet, më i bukuri i futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare, dhe të gjithë shpresojnë që aventura e tyre të mos ndalet përballë kroatëve. Tashmë, Skënderbeu nuk identifikohet vetëm me qytetin e Korçës, por një skuadër e cila përfaqëson denjësisht futbollin tonë në vitrinën më të famshme të futbollit evropian, Uefa Champions League.Për të kuptuar këtë trend mjafton të shohësh interesimin për të parë live këtë sfidë në “Elbasan Arena”. Mbi 10 mijë bileta janë shituar tashmë, një interesim kaq i madh nuk mund ti shpëtonte “tregut të zi”, një situatë e cila ka sjelle dhe reagimin e tifozëve, ku të gjesh një biletë aty ku dëshiron është thuajse e pamundur.Ky nuk është problemi i vetëm për organizatorët e kësaj sfide. “Bad Blue Boys”, ultrasit e skuadrës së Dinamos kanë njoftuar se do të jenë të pranishëm në “Elbasan Arena”. Fama e tyre është e njohur ndërkombëtarisht, huliganë që shkaktojnë trazira kudo që shkelin. “Ne kemi informacion që ky grupim tifozësh, i cili organizohet jo vetëm nga kroatë, por edhe nga binjakëzime të tyre me tifozeri greke dhe boshnjake, po organizohen dhe mendohet të jenë të pranishëm në Elbasan Arena.
Ata bëjnë çdo gjë që të prishin mbarëvajtjen e ndeshjes, por jo vetëm”, tha Mario Nikolli, menaxher i skuadrës së Skënderbeut. Përtej këtyre detajeve, pjesa tjetër e sfidës Skënderbeu-Dinamo Zagreb është një sfidë prestigji, një sfidë e artë për kampionët e futbollit shqiptar. Trajneri Mirel Josa dhe të gjithë lojtarët janë gati të luajnë aktin e tyre të parë në arenën më të famshme të futbollit europion.
Formacionet e mundshme:
Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Eskardinja, Lilaj, Shkembi, Nimaga, Berisha, Latifi, Salihi; Trajner Mirel Josa
Dinamo Zagreb: Eduardo, Sigali, Travel, Matel, Pivariç, Maçado, Soudani, Simunoviç, Henrikez, Rog, Pjaca; Trajner: Zoran Mamiç
Gjyqtar: Sergei Karasev
Skënderbeu-Dinamo Zagreb, statistikat “pro” korçarëve
• Palët takohen për herë të parë në garat europiane. Gjithashtu, është edhe takimi i parë i Skënderbeut me kundërshtarë kroatë.
• Eksperienca e vetme e Dinamos së Zagrebit me një kundërshtar shqiptar është ajo e Tiranës në sezonin 1996-1997 duke i fituar të dy përballjet me një rezultat në total, 10-2. Kjo ndeshje ishte për turin paraeliminator të Kupës UEFA. Dinamo, në këtë vit, drejtohej nga trajneri Oto Bariç, i cili më vonë u bë trajner i Kombëtares shqiptare.
Skënderbeu, 14.7 milionë euro për të mundur Dinamon e Zagrebit
Në lojë është histori, një përrallë e bukur, e cila mund të ketë edhe një fund… milioner. Që Skënderbeut nuk do t’i mungojë asgjë për të luftuar deri në sekondën e fundit kundër Dinamos së Zagrebit, kjo është e garantuar, duke qenë se korçarët, përveç përmirësimit të prestigjit të tyre, do të luftojnë edhe për një “thes” me miliona euro të cilët asnjë klub shqiptar nuk i ka ëndërruar ndonjëherë, e jo më të ketë luksin që t’i ketë në buxhet, pas një dueli që zgjat vetëm 180 minuta. Kampionët e Shqipërisë kanë arkëtuar deri tani 700 mijë euro; 300 mijë nga pjesëmarrja në turin e dytë eliminator dhe 400 mijë të tjera nga ajo në turin e tretë, por ndërkohë, faza “play-off” do t’i bëjë edhe më të pasur, shkruan Panorama Sport.
Në rastin më të keq, por me shpresën që do ndodhë krejt e kundërta, Skënderbeu do të arkëtojë 3 milionë euro, nëse eliminohet nga Liga e Kampioneve, duke e dërguar shifrën e përfitimit në 3.7 milionë. Por, këtyre “numrave” do t’u shtohen edhe 2.4 milionë euro të tjera, që u dhuron UEFA skuadrave të kualifikuara për në fazën e grupeve të Ligës së Europës, duke e dërguar përfitimin total në 6.1 milionë euro. Por muzika do të jetë krejt tjetër, nëse Skënderbeu mposht kampionët kroatë.
Përveç 700 mijë eurove të deritanishme, bardhekuqtë, në rast kualifikimi, do të arkëtonin 2 milionë euro për suksesin në fazën “play off”, plus 12 milionë euro të tjera për pjesëmarrjen në fazën e grupeve, për një total prej 14.7 milionë eurosh, të cilat mund të jenë edhe 14.7 milionë arsye, për të bërë 180 minutat më të mira të historisë së këtij klubi.
Komentet