Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi bëri të ditur se është aktualisht në një proces gjyqësor me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor për një fëmijë, të cilit iu refuzua operacioni i detyrueshëm nga ligji për përmirësimi i dëgjimit të tij.
Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku, tha se më herët mori një vendim diskriminimi për shërbime mjekësore të mangëta e mosdhënien fare si në rastin e fëmijëve me leucemi.
“Më pas na erdhi një çështje e përsëritur për të sëmurët me kancer, të cilën po e studiojmë në thellësi. Kemi edhe ankesa nga pakicat rome dhe egjiptiane, se nuk u as jepen ilaçe as trajtim dinjitoz dhe madje fyes, sjellje që rëndon shëndetin dhe psikologjinë e tyre” – tha ajo.
Sipas Komisioneres, personat LGBTI janë të diskriminuar nga mjekësia, po ashtu edhe personat e dënuar, që vuajnë mosmarrjen e shërbimit mjekësor. Ajo propozoi që sëmundjet kronike dhe sëmundjet e rënda duhet të kenë përparësi në shërbimet mjekësore.
Megjithatë, në gjykatën e Tiranës në dy vitet e fundit nuk ka asnjë proces gjyqësor për të drejtat e pacientit, apo që të jetë dënuar një institucion shëndetësor, shtetëror apo privat.
Kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkelejda Hajro, thotë se “fakti që janë një numër kaq i vogël i këtyre çështjeve në gjykatë tregon se pacientët nuk i njohin të drejtat e tyre, nuk dinë t’i kërkojnë dhe të vënë para përgjegjësisë strukturat mjekësore”.
Shqipëria ka një komunitet fëmijësh me probleme dëgjimi dhe mosmjekimi i rregullt i diskriminon ata.
Avokati Andi Muratej po ndjek nga afër një fëmijë që pas lindjes vuan me shurdhësi të rëndë, sepse nuk ka marrë mjekime nga spitali publik, edhe pse ajo është pjesë e paketës falas.
Ai është duke ndihmuar edhe familjen e një pacienti, që iu bënë analizat gabim gjatë shtatzanisë dhe më pas u zbulua se fëmija u prek nga talasemia.
“Analiza e gabuar laboratorike shkeli të drejtën e familjes, neni 8 i Konventës Europiane për të drejtat e njeriut. Klinika po kërkojmë të shërblejë dëmin pasuror dhe jopasuror të kësaj familjeje” – tha ai.
Besart Nezaj, pacient me hemofili dhe përfaqësues i shoqatës, denoncoi mungesën e ilaçeve, në bashkëpunim me shoqatën “Together for Life”, e cila po punon për të drejtat e pacientëve.
Sipas drejtueses së kësaj organizate, Egla Bardhi, “shkelja e të drejtave të pacientëve është kapitulli më i rëndë i shkeljes së të drejtave njerëore në Shqipëri”.
Pacientët e dëmtuar ngrenë menjëherë padi penale në prokurori, duke kërkuar dëmshërblim, por prokuroria ia kalon rastet Urdhërit të Mjekut, i cili nga ana e vet mundet vetëm të gjobitë mjekët apo t’i largojë nga profesioni.
Urdhëri i Mjekut ka nisur një bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë për të zgjidhur konflikte, që lindin nëpër spitale.
Përfitimi i dëmshpërblimeve është shumë i vështirë për pacientët, por te Urdhëri i Mjekut ka një shtim të ankesave qysh nga shërbimi ambulator e deri te shërbimi terciar.
Komentet