PRISHTINË – Sot në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë ka filluar “Java e Mjedrave”, panairi i promovimit të prodhuesve të mjedrës dhe pemëve tjera manore, që paraqet edicionin e katërt të organizuar nga USAID dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës.
Të pranishëm në hapjen e “javës së Mjedrave” ishin ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi dhe drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, të cilët u takuan dhe biseduan me prodhuesit e mjedrës vendore, si dhe pemëve të tjera manore (dredhëza, manaferra etj.)
Krasniqi dhe Hope u pajtuan që mjedra është produkt shumë i rëndësishëm për Kosovën ngaqë, prodhimi i kësaj peme ka shumë potencial, është shumë e kërkuar në tregun vendor dhe më e rëndësishmja, është shumë e kërkuar në tregun ndërkombëtar. Kërkesa e madhe për eksportin e mjedrës në tregjet e huaja automatikisht rrit nevojën për rritjen e prodhimit dhe kapaciteteve prodhuese. Me këtë do të hapen vendet e reja të punës dhe e gjithë kjo do të ndikoj në zhvillimin e gjithëmbarshëm të ekonomisë kosovare.
Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi theksoi se mjedra është një nga pemët manore me potencialin më të madh për përfitimet e bujqve në Kosovë. Leverdia e kultivimit të mjedrës është dëshmuar edhe rritjen e shpejtë dhe përhapjen e madhe të hapësirave të kultivuara me këtë pemë manore, në dy vitet e fundit.
Ministri Krasniqi tregoi se në vitin 2013, Kosova ka pasur 23 hektarë sipërfaqe të kultivuara me mjedër dhe 105 tonë produkte të prodhuara. Në vitin 2014, sipërfaqet janë pesëfishuar në 105 hektarë me prodhimtari deri në 580 tonë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, aktualisht vlerësohet se janë mbi 400 hektarë të kultivuara me mjedër në Kosovë dhe pritet që sasia e rendimentit të katërfishohet nga viti i kaluar. Ky është një laj i mirë për bujqësinë dhe ekonominë e Kosovës, sepse, siç potencoi Krasniqi përfitimet e fermerëve janë shumë të mëdha
“Ne si ministri, në partneritet me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, do të vazhdojë ta mbështesë këtë sektor të rëndësishëm, me fokus të veçantë tek pemët manore, tek mjedra dhe tek të gjitha ato pemët të cilat me të vërtet e ngritin prodhimtarin, zëvendësojnë importin dhe sjellin përfitime për fermerë, duke rritur vendet e punës dhe duke ndihmuar në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik” tha Ministri Krasniqi dhe e falënderoi USAID-in për ndihmën dhe partneritetin efikas në ngritjen e prodhimtarisë së mjedrës në Kosovë.
Ai tregoi se, Ministria, sivjet për herë të parë ka filluar të subvencionoi prodhuesit me shumë prej 400 eurove për hektarë, duke dhënë mbi 1 milion euro për pemët manore, për të ngritur pemishte të reja, mbi 1,5 milion për përpunimin e pemëve dhe perimeve. Ministri i Bujqësisë siguroi se ky buxhet do të vazhdoi të rritet në të ardhmen për të rritur konkurrencën e prodhuesve vendor, cilësin e produkteve vendore dhe të ndihmoj ngritjen e kapaciteteve prodhuese, krijimin e vendeve të reja të punës dhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik.
Drejtori i USAID në Kosovë, James Hope u shpreh i lumtur që mbështetja dhe përkrahja e SHBA-ve në Kosovë, në sektorin e Bujqësisë dhe me theks të veçantë në prodhimin e pemëve manore ka treguar sukses të madh, duke përparuar me progresion gjeometrik në dy vitet e fundit.
Ai tregoi se, aktualisht USAID po mbështet mbi 300 fermerë të mjedrës në mbarë vendin, duke iu ndihmuar në modernizimin e teknologjisë së kultivimit, llojeve të reja të pemëve, modernizimin e paketimit dhe marketingun e shitjen më të mirë.
Hope theksoi se përkrahja e USAID-it në këtë lëmi ka ndikuar në ngritjen e sasisë dhe cilësisë së mjedrës në Kosovë.
“Rezultati i kësaj është shitja më e madhe, trefishë më e madhe se vitin e kaluar dhe eksport më të madh në vendet e Bashkimit Evropian… ky është një simbol i fuqisë dhe potencialit të sektorit të bujqësisë në Kosovë” tha Hope duke shtuar se ky sektor është një shtyllë e rëndësishme e cila do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomikë të Kosovës.
Bashkim Qerimi, prodhues i mjedrave nga fshati Katunishtë e Podujevës, tregon se prodhimin e mjedrës e ka filluar me pak investime vetjake dhe me ndihmën e donacioneve nga USAID, komuna dhe tash ministria e Bujqësisë.
Qerimi thotë se USAID i ka ndihmuar përmes granteve për të blerë fidanët e mjedrave, sistemin e ujitjes ja ka bërë komuna kurse Qeveria e ka subvencionuar prodhimin, me shumë prej 400 eurove për hektar. Kjo, sipas Qerimit ka qenë ndihmë e madhe për ta filluar këtë biznes dhe më vonë për ta zgjeruar.
“Kemi filluar me 30 ari, vitin e kaluar, tani e kam rritur me financat e mia, me atë llogarinë që e kam bërë, fitimet që i kam bërë vitin e kaluar, kam arritur me i zgjerua edhe 45 ari të tjera. Do të thotë, ky është një biznes shumë profitabil për mua por edhe për rrethin sepse, unë po kam mundësi me pak parcelë prej 75 ari, po kam mundësi me e punësuar edhe dikë tjetër” thotë Qerimi.
Ai thekson se kalimin e mjedrës në treg nuk e kanë problem sepse ky proces shkon nëpërmjet pikave grumbulluese, prej nga prodhimet më tutje dalin në tregun e jashtëm ndërsa, çmimi sipas fermerit Bashkim Qerimi, është i garantuar dhe shumë i mirë. aa
Komentet