Qeveria e re ka përpara sfida që kërkojnë angazhim serioz në trajtim, si dhe vendosmëri në zbatimin e reformave. Për ambasadorin e Zvicrës në Shqipëri, përveç pesë prioriteteve që përcaktohen në raportin e progresit të Bashkimit Europian që shërbejnë si busull orientimi, janë të paktën katër çështje ekonomike që duhet të marrin vëmendje.
Kjo nis nga reforma në drejtësi, tek politikat e punësimit, konsolidimi makrofiskal si dhe përmirësimi i infrastrukturës bashkiake që prek më drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, siç mund të jenë furnizimi me ujë, ujërat e zeza, apo menaxhimi i mbetjeve të ngurta. Graf shprehet se sot, ekonomia po ecën mirë, falë Investimeve të Huaja Direkte si TAP, apo hidrocentrali i Devollit, por e ardhmja shtron para pikëpyetje se cili do ta nxisë rritjen pas përfundimit të këtyre veprave. Në këtë pikë, ai rekomandon një debat të gjerë. Lidhur me investitorët zviceranë dhe interesin e tyre për Shqipërinë, ai vlerëson se ka potencial për zgjerim të këtyre investimeve, por investitorët kërkojnë plotësimin e disa kushteve, për të cilat Shqipëria ka vend për të përmirësuar.
Z. Ambasador Graf, Shqipëria ka një qeveri të re e cila është në fillimin e mandatit të saj. Në opinionin tuaj si përfaqësues zviceran, cilat janë disa nga çështjet më të rëndësishme të brendshme që duhet të adresohen me synim që të ecet përpara në rrugën drejt integrimit në BE?
Gjatë vitit 2017, në Shqipëri kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme. Pati një marrëveshje politike midis qeverisë dhe opozitës; u emërua një President i ri; zgjedhjet parlamentare; dhe ngritja e një qeverie të re dhe më të vogël në shtator. Ndryshime të këtij lloji sjellin mundësi, por edhe sfida. Qeveria përballet tani me detyrën e vazhdimit të reformave prioritare pa humbur kohë dhe me mbajtjen e ritmit për vijimin e reformave. Këtu u referohem 5 prioriteteve të raportit të progresit të BE-së për të ecur drejt hapjes së bisedimeve për hyrje në BE.
Më konkretisht, për sa u përket prioriteteve ekonomike, do të rendisja katër çështje kryesore, të cilat në pikëpamjen time do t’i sillnin shumë dobi popullit dhe shoqërisë shqiptare.
(i) Së pari, zbatimi i besueshëm i së shumëpriturës reformë në drejtësi. Unë e shoh këtë si hapin më të rëndësishëm drejt qartësimit të shumë pengesave në zbatimin e ligjit, përmirësimin e mjedisit të biznesit, dhe një konfidence më të madhe për investitorët vendas dhe të huaj.
(ii) Së dyti, politikat e punësimit dhe të krijimit të vendeve të punës duhet të jenë në krye të listës në axhendën e qeverisë. Kjo do të thotë të orientohet zhvillimi ekonomik jo thjesht drejt rritjes, por rritjes së qëndrueshme, e cila prodhon punë dhe të ardhura për qytetarin e thjeshtë shqiptar.
(iii) Një detyrë e tretë është mirëmbajtja e arritjeve të deritanishme në stabilitetin makroekonomik dhe konsolidimin fiskal. Një cilësi më e mirë e financave publike në nivelin e qeverisjes qendrore dhe vendore mund të kontribuojë për të tërhequr më shumë biznes. Për më shumë, financat e forta publike dhe një qasje më me përgjegjësi ndaj borxhit janë një parakusht për të pasur shpenzime më të shëndosha dhe më përfshirëse. Kjo pastaj do të kontribuonte për të luftuar varfërinë dhe për të reduktuar pabarazitë sociale dhe gjeografike.
(iv) Dhe çështja e katërt lidhet me përmirësimin e shërbimeve të infrastrukturës bashkiake si furnizimi me ujë, ujërat e zeza, dhe menaxhimi i mbetjeve të ngurta, si dhe diversifikimi dhe besueshmëria e furnizimit me energji. Këto janë kushte kuadrim të cilat kanë rëndësi për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe përfshirëse, dhe në linjë me kërkesat e BE-së.
Zvicra po asiston Shqipërinë në këto fusha veçanërisht në forcimin e arsimit profesional për të rinjtë, forcimin e menaxhimit të financave publike dhe përmirësimin e klimës së investimeve. Besoj se këto masa janë të rëndësishme për të ulur emigracionin që ende është i konsiderueshëm. Njerëzit do të duan të qëndrojnë në këtë vend, nëse i besojnë qeverisë, nëse gjejnë mundësi për të studiuar dhe për të punuar, dhe nëse shohin mundësi për biznes.
Ndryshimet fiskale
Kompanitë dhe investitorët zviceranë kërkojnë një mjedis biznesi aftësues. Ata kërkojnë parashikueshmëri dhe një mjedis biznesi dhe ligjor të sigurt. Duhet të ketë rregulla dhe këto rregulla duhet të zbatohen. Respektimi i sundimit të ligjit dhe eliminimi e praktikave korruptive është thelbësor. Administrata publike duhet të jetë efikase dhe e besueshme. Ndryshimet e shpeshta në rregullat fiskale dhe të taksave krijojnë konfuzion dhe i largojnë investitorët zviceranë.
Si e shihni përparimin dhe ecurinë ekonomike të Shqipërisë në këtë fazë ku jemi sot?
Ekonomia e Shqipërisë po rritet me rreth 4%. Kjo duket mirë krahasuar me 0.5 deri 1% rritje në 2013/2014. Megjithatë, nëse shoh burimet kryesore të kësaj rritjeje, do ta përshkruaja si një “rikuperim delikat”. Rritja, deri tani, ka ardhur kryesisht nga dy investime të huaja, TAP – Gazsjellësi Trans Adriatik dhe Hidrocentrali i Devollit. Sa e qëndrueshme është kjo rritje? Cilat do të jenë burimet kryesore të rritjes në afat të mesëm dhe të gjatë? Si mund të shfrytëzohet potenciali i plotë ekonomik i Shqipërisë? Pyetje të tilla meritojnë më shumë vëmendje në debatet aktuale. Ajo që Shqipëria ka nevojë është një rritje përfshirëse, e orientuar ndaj vendeve të punës, dhe që ndërtohet mbi reforma të qëndrueshme. Qasja për të arritur këtë është natyrisht e shumanshme. Për shembull, sektori i energjisë u përmirësua në katër vitet e shkuara. Për shkak të klimës, këtë vit Shqipërisë i është dashur të importojë më shumë energji se sa ishte parashikuar. Duke përmirësuar vizionin afatgjatë, këto lloj problemesh mund të kapërcehen.
Si e shihni interesin nga investitorët zviceranë për Shqipërinë? A po rritet ky interes dhe çfarë mund të bëjë qeveria e re për të përmirësuar klimën e biznesit?
E kam deklaruar disa herë që do të doja të shihja një rritje të investimeve zvicerane në Shqipëri. Për shkak të afërsisë gjeografike dhe faktorëve të tjerë, mendoj se ka një potencial të pashfrytëzuar për më shumë biznes zviceran në këtë vend. Por, kompanitë dhe investitorët zviceranë kërkojnë një mjedis biznesi aftësues. Ata kërkojnë parashikueshmëri dhe një mjedis biznesi dhe ligjor të sigurt. Duhet të ketë rregulla dhe këto rregulla duhet të zbatohen. Respektimi i sundimit të ligjit dhe eliminimi e praktikave korruptive është thelbësor. Administrata publike duhet të jetë efikase dhe e besueshme. Ndryshimet e shpeshta në rregullat fiskale dhe të taksave krijojnë konfuzion dhe i largojnë investitorët zviceranë.
Politika punësimi
Politikat e punësimit dhe të krijimit të vendeve të punës duhet të jenë në krye të listës në axhendën e qeverisë. Kjo do të thotë të orientohet zhvillimi ekonomik jo thjesht drejt rritjes, por rritjes së qëndrueshme, e cila prodhon punë dhe të ardhura për qytetarin e thjeshtë shqiptar.
Zvicra ka qenë shumë aktive në Shqipëri, duke ofruar grante, asistencë dhe projekte konkrete. Cilët do të jenë sektorët që do të përfitojnë në vitet e ardhshme? A mund të na jepni më shumë detaje?
Zvicra po finalizon një strategji të re bashkëpunimi për katër vitet e ardhshme 2018-2021 së bashku me Shqipërinë. Kjo do të vazhdojë të ndërtojë mbi strategjinë e mëparshme. Por burimet e disponueshme do të rriten me rreth 20% mbi shumën aktuale prej 20 milionë frangash zvicerane që qeveria e Zvicrës investon çdo vit për të mbështetur përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian. Sektorët kryesorë janë qeverisja demokratike, zhvillimi ekonomik, infrastruktura urbane dhe energjia, si dhe shëndetësia. Më shumë se 50% e asistencës së qeverisë zvicerane për Shqipërinë shkon drejt nxitjes së zhvillimit ekonomik, infrastrukturës dhe energjisë.
Një shembull i mirë është infrastruktura bashkiake: deri tani sistemet e furnizimit me ujë në Pogradec, Shkodër dhe Lezhë janë rinovuar me sukses. Kjo i ka sjellë përfitim 220,000 qytetarëve përmes furnizimit të përmirësuar, të besueshëm dhe me kosto të arsyeshme të ujit, si dhe shërbimeve më të mira të kanalizimeve. Në vitet e ardhshme, 430,000 qytetarë do të përfitojnë nga rehabilitimi i sistemeve të ujit dhe kanalizimeve dhe përmirësimi i ndërmarrjeve të ujit në 7 bashki të tjera: Kamëz, Lushnjë, Berat, Kuçovë, Librazhd, Gjirokastër dhe Delvinë.
Sektori i energjisë do të vazhdojë të marrë mbështetje zvicerane. Shqipëria po përpiqet të përmirësojë furnizimin me energji si dhe të diversifikojë burimet energjetike. Një projekt prej 6 milionë frangash zvicerane aktualisht po ngre kapacitetet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për menaxhimin e sektorit të sapoformuar të gazit dhe po ndihmon Shqipërinë që të përfitojë sa më shumë nga TAP – Gazsjellësi Trans Adriatik.
Në katër vitet e ardhshme, mbështetja zvicerane do të synojë edhe burimet e energjisë së rinovueshme dhe eficencën në energji. Dy projekte të reja në këto fusha po përgatiten të financuara nga Sekretariati Zviceran i Shtetit për Çështje Ekonomike (SECO). Shqipëria nuk mund të varet vetëm në një lloj burimi energjie – hidrocentralet. Do të jetë shumë më mirë nëse krijon sisteme alternative furnizimi me energji. /Monitor
Komentet