Erald KAPRI
Britanikët pushtuan Sarandën në tetor 1944 duke dhënë një shpresë se zbarkimi i tyre do të vijonte në shumë zona të tjera të vendit. Por sapo pushtuan Sarandën, duke siguruar më pas Kanalin e Korfuzit dhe vetë ishullin e Korfuzit, britanikët u tërhoqën shpejt nga brigjet shqiptare. Ky operacion i suksesshëm nuk u prit mirë nga Enver Hoxha, i cili u kërkoi britanikëve që të tërhiqen nga Saranda, me argumentin se trupat partizane mund të kontrollonin qytetin.
Po në tetor 1944, britanikët zbarkuan me trupa të shumtë në Greqi dhe ardhja e tyre në Shqipëri krijoi një alarm te komunistët shqiptarë. Por, vetëm pak ditë pasi ata morën Sarandën, britanikët u detyruan të tërhiqeshin edhe për shkak se arritën objektivin e tyre ushtarak. Britanikët tërhoqën anijet nga Saranda dhe mbajtën vetëm kontrollin e Kanalit të Korfuzit. Por pushtimi i Sarandës u propagandua mjaft fort prej britanikëve. Ajo u pasqyrua në kronikat e kohës, u dha në BBC, në radion e Barit, si dhe u pasqyrua gjerësisht në gazetën “Mundimi”, që britanikët shpërndanin në Shqipëri.
Faksimile e dokumentit
Saranda ishte një pikë strategjike për britanikët për kontrollin e Kanalit të Korfuzit, për shkak se ishulli ishte ende në duart e gjermanëve. Gjithashtu, Saranda shërbente si një pikë kyçe e tërheqjes së trupave gjermane nga Greqia përmes rrugës së bregut. Marrja e portit dhe prerja e kësaj rruge ishte një sukses ushtarak me të cilin britanikët i dhanë fund zbarkimit të tyre në Shqipëri.
Gjithsesi, tërheqja e trupave britanike nga Saranda nuk u shoqërua asnjëherë me një arsye bindëse. Ndonëse ata ishin të fokusuar në marrjen e ishullit të Korfuzit, lënia e Portit të Sarandës u argumentua vetëm me arritjen e objektivit ushtarak. Dokumentet e sotme në gazetën “Panorama” pasqyrojnë të dhënat e zbarkimit të britanikëve në plazhet e Sarandës dhe luftimet në qytet. Këto raportime u bënë nga zyra ushtarake, të cilat iu dërguan radios BBC dhe Ushtrisë amerikane.
Po ashtu, pasqyrohet edhe lajmi i plotë në gazetën “Mundimi” në gjuhën shqipe, e cila i dha jehonë të madhe bashkëpunimit mes forcave partizane dhe britanike në betejën e Sarandës. Britanikët siguruan portin dhe mbyllën një rrugë të rëndësishme për tërheqjen e gjermanëve, si dhe kapën rob më shumë se 700 forca gjermane.
Dokumenti i plotë
ZNJ E. CULLEN PËR MAJOR HILL, ZYRËN E BBC, USHTRISË AMERIKANE
Marrja e Sarandës, 16 tetor 1944
Tashmë e dini që Porti i Sarandës është kapur nga britanikët dhe trupat shqiptare. Më poshtë është ngjarja që çoi në kapjen e portit. Për disa kohë, trupat gjermane, duke dashur të ikin nga veriu i Greqisë kanë ardhur në Sarandë dhe prej aty kanë udhëtuar në mjete të motorisuara përgjatë bregut për t’u vendosur në Vlorë. Por bashkëpunimi anglo-shqiptar i sulmit në muajit gusht në Himarë dhe operacionet mbështetëse të brigadës së 12-të të Ushtrisë shqiptare Nacionalçlirimtare përgjatë gjithë zonës së bregut kanë arritur të mbyllin këtë rrugë dhe gjermanët që kërkonin të arratiseshin përgjatë kësaj rruge u detyruan të përdorin rrugën e Delvinës, duke shkuar sërish në Greqi e më pas duke i rënë rrugës nga Janina për në Korçë, për të arritur më në veri përgjatë kësaj mundësie.
Ky ishte suksesi i parë. Më pas, dy javë më parë, trupat britanike zbarkuan afër Spillesë në veri të Sarandës, ku iu dha ndihmë dhe bashkëpunim nga brigada e 12-të e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Për operacionin në Sarandë, Ushtria Nacionalçlirimtare, me brigadat 12, 14, 19, u përqendruan në zonë nën komandën e kolonel Islam Radovickës. Me të pasur të gjitha detajet e operacionit dhe luftimit të para dy javëve, do të shihet produkti final i bashkëpunimit të trupave shqiptare, që patën një rol thelbësor në arritjen e këtij suksesi në bashkëpunim me britanikët.
Faza e parë e betejës përfshinte shkëmbimin e zjarrit mes dy baterive nga britanikët dhe bateritë e fuqishme gjermane që ndodheshin në Korfuz. Në këtë shkëmbim zjarri baterish, avionët ushtarakë shkaktuan një dëm të madh ndaj baterisë gjermane. Ndërkohë, më në lindje trupat shqiptare po bashkëpunonin në afërsi të Delvinës dhe po ndihmon trupat britanike. Në një angazhim zjarri u vranë më se 80 forca gjermane. Përgatitjet u bënë më pas për të arritur qëllimin final, Sarandën.
Më datën 8 tetor, dy shkatërrues britanikë goditën pozicionet gjermane nga deti me një rezultat të shkëlqyer. Trupat shqiptare dhe ato britanike, në koordinim të mirë, sulmuan nga perëndimi me ndihmën e artilerisë ku arritën të shuajnë rezistencën dhe të kapin edhe 50 robër gjermanë. Luftimet vazhduan në rrugët e Sarandës deri në orën 10 të paradites e më pas qyteti dhe kodrat përreth së bashku me portin u pastruan nga trupat armike. Mbetjet e garnizonit gjerman u tërhoqën për në Delvinë dhe një pararojë ruante fshatin Gjashtë.
Trupa gjermanë të zënë robër duke pritur të evakuuohen nga një plazh në veri të Sarandës
Trupat britanike e morën edhe këtë fshat së bashku me trupat shqiptare dhe pastruan zonën. Të mërkurën edhe fshati Gjashtë ishte në duart e britanikëve. Të enjten në mëngjes, mbi 600 trupa gjermane ishin robër në duart e britanikëve dhe 100 të tjerë në duart e partizanëve shqiptarë.
RAPORTIMI NË GAZETËN E BRITANIKËVE, “MUNDIMI”
Bashkëpunimi i ngushtë ushtarak anglo-shqiptar
Një varg komunikatash aleate që janë shpallur këto ditët e fundit, i kanë bërë njoftim të gjithë botës mbi zhvillimin e deritanishëm të operacioneve në Shqipërinë e Jugut. Deri tani këto operacione kanë kulmuar me pushtimin e Sarandës nga forcat shqiptaro-britanike. Tani e dinë të gjithë se për gjermanët, Shqipëria nuk ka më kuptimin e një vendi që lypset që të pushtohet nga garnizonet.
Edhe bregu i detit nuk u duhet më gjermanëve. Sot ata kërkojnë të kenë vetëm rrjedhën e rrugëve që të shpëtojnë ushtritë e tyre nga Ballkani i jugut dhe i veriut. Për disa kohë, njësitë e trupave gjermane nisën të grumbullohen në Sarandë, duke ardhur nga rrugët e jugut, me barka të vogla nga Korfuzi dhe nga brigjet e jugut të Sarandës. Për disa javë rresht, gjermanët niseshin nga Saranda me kolona të motorizuara përgjatë rrugës bregdetare, nga Shën Vasili, Borshi, Himara, duke kaluar nga Qafa e Llogarasë, për të arritur në Vlorë.
TRUPA GJERMANE TE ZENE ROBER DUKE PRITUR TE EVAKUOHEN NGA NJE PLAZH NE VERI TE SARANDES
Mirëpo, sulmi shqiptaro-britanik që u krye në Himarë gushtin e kaluar, si dhe operacionet e njëpasnjëshme të kryera nga brigada e 12-të të Nacionalç- lirimtares përgjatë bregdetit, arritën që t’u presin rrugën gjermanëve. Mbaj kësaj, komunikatat me Sarandën bëheshin me anë të rrugës tjetër që shkon në Delvinë. Nga andej rruga kalon përmes maleve dhe zbret në luginën e Drinos në Jergucat dhe më pas drejt jugut të Greqisë, ku takohet me rrugën që shkon nga Janina në Korçë. Dy javë më parë, forcat e Nacionalçlirimtares dhe forcat britanike ndërmorën një operacion të përbashkët në rrethinat e Sarandës dhe arritën të likuidojnë një bazë gjermane.
Trupat britanike zbarkuan në Spille, 5 kilometra në veri të Sarandës. Gjatë zbarkimit, trupat britanike patën përkrahjen e trupave të brigadës së 12-të të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Për operacionet në Sarandë, Ushtria Nacionalçlirimtare kishte përqendruar brigadat 12, 14 dhe 19 nën drejtimin e kolonel Islam Radovickës. Kur të jemi në gjendje për të dhënë të gjitha hollësitë e luftimeve të këtyre dy javëve, atëherë do të shihet sjellja trimërore e trupave shqiptare në sigurimin e suksesit të operacioneve të përbashkëta shqiptaro-britanike.
Pak pasi zbarkuan britanikët, plasi një kohë e keqe me shi dhe të ftohtë që ekspozoi keqas trupat zbarkuese. Gjatë kësaj faze, veprimtaria më e rëndësishme ishte ajo e baterive britanike dhe gjermane që u angazhuan me luftime. Gjermanët gjuanin me bateritë e tyre që i kishin në Korfuz. Më vonë bateritë armike hëngrën një dackë nga avionët aleatë që erdhën me shpejtësi dhe bombarduan me bomba fishekzjarrë. Ndërkaq, më në lindje, Ushtria Nacionalçlirimtare po vepronte në afërsi të Delvinës, e përkrahur edhe nga forcat britanike. Gjatë një përpjekjeje të vetme në ato male, britanikët vranë 80 gjermanë. Pas kësaj u plotësuan të gjitha kushtet për mësymjen kryesore për të marrë Sarandën.
Më 8 tetor, 2 luftanije britanike bombarduan me përfundime të shkëlqyera pozicionet gjermane. Trupat britanike dhe shqiptare, me një koordinim më së miri të përkrahur edhe nga artileria, deportuan edhe në pjesën perëndimore të qytetit, ku përballuan një rezistencë të ashpër të armikut dhe kapën 50 robër. Luftimet vazhduan në rrugët e Sarandës deri në orën 10 të ditës së martë, kurse i gjithë qyteti bashkë me kodrat dhe portin u spastruan nga trupat armike. Mbeturinat e garnizonit gjerman u zmbrapsën drejt Delvinës dhe për disa kohë mbraparoja e tyre mbajti një pozitë në fshatin Gjashtë. Britanikët bombarduan gjermanët në këtë pozicion dhe më pas Ushtria Nacionalçlirimtare u vërsul të shfarosë gjermanët.
Të mërkurën në darkë, fshati Gjashtë ishte pastruar i tëri. Sot në mëngjes gjermanët numëruan 600 robër. Së paku 100 të tjerë janë në duar të partizanëve. U kapën topa 75 mm dhe topa kundër ajrorë. Pushtimi i Sarandës i preu rrugën garnizonit gjerman në ngushticën e Korfuzit. Operacionet vijojnë brenda në Shqipëri. Të shtunën u lajmërua se u çlirua Delvina. Komandanti i trupave britanike ka çmuar lart bashkëpunimin me partizanët shqiptarë.
Foto e pasqyruar në gazetën “Mundimi”
UPVNC SHQIPTARE DHE ROBËRIT E LUFTËS
Komanda e lartë e UPVNC shqiptare ka shpallur një proklamatë për ushtarët gjermanë në Shqipëri, duke u thënë se sa e pashpresë është pozita e tyre në Shqipëri dhe sa e kotë është qëndresa dhe lufta e tyre. Proklamata përfundon me këto fjalë: “Nëse doni të shpë- toni jetën tuaj, hidhni poshtë armët dhe dorëzohuni në njësitë më të afërta të Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare.
Ne e dimë shumë mirë që ju u gënjejnë duke u thënë se ne të Ushtrisë Nacionalçlirimtare i vrasim robërit e luftës. Për të gjithë ata oficerë dhe ushtarë që dorëzohen te ne dhe quhen robër lufte, çdo ligj ndërkombëtar do të zbatohet për ta pikë për pikë”. Kjo proklamatë është nënshkruar nga gjeneral Enver Hoxha.
shume bukur, interesante