Nga datat 7 – 9 Nëntor 2017 me rastin e 100 Vjetorit të përmbysjes së komunizmit në Rusi (1917 – 2017) Organizata Amerikane “The Victims of Communism” themeluar nga Z. Marion Smith zhvilloi evenimentin më të rëndësishëm për të drejtat e njeriut, ish të burgosurve e të persekutuarve politikë në botë, duke fillluar me revolucionin bolshevik në Rusi e vende të tjera të botës, ku sigurisht përfshihet Shqipëria dhe Kosova.
Më datë 7 Nëntor 2017 Presidenti i Amerikës Donald Trump ka shpallur një Ditë Kombëtare në Përkujtim të Viktimave të Komunizmit, ndërsa Parlamenti Europian Ditën Përkujtimore për viktimat e rregjimeve totalitare dhe autoritare (që njihet si dita e fjongos së zezë në disa shtete) e ka vendosur më datë 23 Gusht të çdo viti.
Dokumentarët, ligjëratat e kumtesat u mbajtën në Librarinë e Kongresit Amerikan në Washington, DC. Folësit kryesorë ishin ish të burgosur e të persekutuar politik nga rregjimi komunist në Rusi e vende të ndryshme të botës, Senatorë, historianë si dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.
Pjesëmarrja ishte e gjerë, të ftuar nga Shqipëria ishin Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentacionet e ish Sigurimit të Shtetit Znj. Gentiana Sula dhe nënpunësi i lartë i këtij Institucioni ish i persekutuari politik dhe aktivisti i të drejtave të njeriut Z. Simon Mirakaj, Federata Pan Shqiptare “Vatra” ish i burgosuri politik Pëllumb Lamaj, ish i persekutuari politik Çesar Ndreu, Ambasada Shqiptare në Washington, DC. si dhe Organizata e Gruas Shqiptare Amerikane “Hope & Peace” në SHBA.
Premiera e Filmit dokumentar of “Women of The Gulag” me producentë Maria Yarovskaya dhe Dr. Paul R Gregory dedikuar gruas ish të burgosur politike në Rusi gjatë kohës së Stalinit u mbajt në Kineman Landmark po në Washington, DC. e u ndoq me shumë interes nga shikuesit, pasi dihet komunizmi nuk kurseu as gratë, por i dhunoi, masakroi dhe i shkatërroi jetën njësoj si edhe burrave.
Si parantezë, ndoshta e parëndësishme për të gjithë lexuesit, por vetëm për ata që nuk e njohin persekucionin tim politik, personalisht kam përjetuar persekucion politik nga im atë, si ish i burgosur politik Grupi A1- nga torturat në burg dhe im xhaxha i pushkatuar politik pa gjyq nga forcat sllavo komuniste me në krye Shefqet Peçin, pranova me kënaqësi ftesën për të marë pjesë në këtë takim jubilar për të drejtat e shtresës së persekutuar politike nga rregjimi komunist.
Edhe pse kam jetuar në Tiranë, ku mijra shqiptarë u internuan e kanë përjetuar tmerre e vuajtje pa fund edhe unë kam kaluar një fëmijëri e rini të vështirë si nga ana politike, ekonomike e sociale, punësimi, strehimi etj. Ndihesha si delja e zezë mes të bardhave. Shkallët e pallatit ku banoja edhe pse ende fëmijë sa herë i hypja e zbrisja, nuk më përshëndesnin komshinjtë. Thuajse për ta isha e padukshme. Çështje biografie…
Pra nga lufta e klasave prekej e kishte pasoja çdo inidvid, fëmijë apo i rritur që kishte prindërit apo një pjesëtar tjetër të familjes në burg politik, internuar politik pavarësisht se ku jetonte.
Çudi, por burgu ordiner i asaj kohe ishte lule, qeveria, “fronti demokratik” i lagjes nuk i trajtonte armiq të popullit vjedhësit e pasurisë së përbashkët, intrigantët, shpifësit dhe dhunuesit!!!! Mbi ata nuk zhvillohej luftë klasash!!!
Sipas të drejtave ndërkombëtare e Qeverisë së Danimarkës, fëmijët e ish të burgosurve politikë automatikisht njihen si viktima të komunizmit dhe ish të persekutuar politikë – Grupi C.
Nuk jam ekzemplar i plagëve, halleve e derteve që ka kaluar për afro gjysëm shekulli popullsia shqiptare e pafajshme nën diktaturë, por edhe mua më është mohuar në rini arsimimi i lartë, lagja më dërgoi me punë të detyruar në Minierën e Qymurgurit në Valias – punë me 3 turne, pastruese në Spitalin Pediatrik në Tiranë me 3 turne, në fermën e Tapizës për hapje tokash të reja. Aksion politik ky për gati 300 të rinj të kryeqytetit me damkë në biografi nga komitetet ekzekutive të lagjeve përkatëse. Person pergjegjës i kësaj nisme ishte Hysen Shahu.
***
Veprimtaria për këtë 100 vjetor në përkujtim të mbi 100 mijë viktimave nga komunizmi kaloi me emocione dhe kujtime të thella qysh nga periudha e shkuar e deri më sot, duke filluar me komunizmin në Rusi, si djepi i përhapjes së propagandës kuqe që shkatërroi njerëzimin e botën mbarë, ku si rrjedhojë plagë të pambyllura ka akoma kjo shtresë kudo në botë. Shqipëria që është specifikuar si vendi që ka përjetuar diktaturën më të egër në Europë “u prezantua” në këtë event gjithashtu edhe me flamurin e kuq, shqiponjën e zezë dy krenare dhe pa yllin e kuq pranë flamuarit amerikan, mes 25 flamujve të tjerë të shteteve që kanë përjetuar genocid ishte rradhitur edhe flamuri i Kosovës.
Ndjeva mall për vendin tim, për trojet tona, Kosovën martire, andej nga kam edhe origjinën, nga Boletinët e Mitrovicës, ku makineria serbe shtypi historikisht dhunshëm e masakroi barbarisht trupat e gjakun të të parëve tanë, vajzave e djemve më të mirë shqiptarë. Heronjve të kombit, për të cilët përulemi sot me respekt.
Darka e cila u quajt si një përkujtimore zije nga historiani skocez Dr. Niall Ferguson u zhvillua në një nga Sallat madhështore të Union Station në Washington, DC. i cili ndër të tjera në fjalën e tij tha se: Për jetet e humbura nga komunizmi duhet treguar e njejta keqardhje si dhe për viktimat nga Holokausti. Elementi i përbashkët i të gjitha kumtesave ishte fakti se ka mungësi të theksuar informacioni mbi krimet e komunizmit në botë, konkluzion i dalë edhe sipas një sondazhi që kjo organizatë kishte mbajtur për gjeneratën millenials dhe studenët e universiteteve amerikane të cilët pyesin profesorët e tyre se si ka mundësi që dimë kaq shumë për Holokaustin e jo për komunizmin, ndërkohë që Lenini dhe Stalini kanë vrarë më shumë njerëz në numër se sa Hitleri?
Në diskutime e sipër u hodhën ide se si të veprohej në mënyrën e duhur për konkretizimin e këtyre krimeve, pasi një emigrante nga Rusia shrehu pakënaqësinë duke thënë se, ata që kanë lyer dyert me gjak janë duke e mbyllur karrierën e tyre në mënyrë të shkëlqyer, me para, me poste, lëvdata, dekorime, me elozhe dhe në lluks, pra kanë qenë e janë akoma të privilegjuar e në krye të vendit. Të njëjtën pakënaqësi ngriti edhe një emigrante nga Polonia duke thënë se ky është një shqetësim i madh për të gjitha vendet ish komuniste.
Ndërsa Sekretarja e Shtetit për Dialogun Ndërkombëtar në Poloni Shkëlqësia e saj Senatorja Anna Maria Anders tha se duhet bërë punë edukative nëpër shkolla, pasi është përgjegjësi e akademikëve që femijet neper shkolla nuk kane informacionin e duhur dhe menyra me efikase qe gjeneratat e reja mos te mbeten nostalgjik ndaj rregjimit komunist (te cilin nuk e kane jetuar) të mos ta idealizojnë. Duke u bërë e njëjta punë promovuese si me Holokaustin nëpër tekstet shkollore. Politikani, editori dhe opinionisti i gazetës Washington Times – David A. Keene, genocidin komunist në Shqipëri e krahasoi të njëjtë sikurse sot diktaturën komuniste në Korenë e Veriut.
Gjatë darkës ku morën pjesë mbi 650 persona apo edhe në Librarinë e Kongresit pata rast të takoj e bisedoj nga afër rreth këtyre ngjarjeve të dhimbshme me Z. Simon Mirakaj, Znj. Gentiana Sula, bisnesmenen Lindita Komani, Pëllumb Lamaj, politikanë dhe aktivistë të drejtave humane David A. Keene së bashku me bashkëshorten, profesorin e historisë amerikane e botërore Leonard Gerson, Drejtorin e “Hoover Institution” Michael G. Franc, Senatorin Republikan Ted Cruz, i cli foli ne nje nga panelet e paradites ku ndau ekesperiencen e tij personale dhe familjareve te tij emigrant nga Kuba ne SHBA, Asistenten Ekzekutive pranë “Victims of Communism” Mariza Smajlaj (shqiptare), përfaqësuesin e Institutit të Kërkimeve Hungareze Gabor Balogh etj. Moderator i mbrëmjes ishte themeluesi dhe Drejtori Ekzekutiv i “Victims of Communism Memorial Foundation” Z. Marion Smith.
Komentet