Teorinat e përhapuna veçmas kohët e fundit: “Edhe në Europën Lindore, në vendet ish-komuniste, parti të djathta si PD janë rithemelue, ringritë të reja…” apo “PD e ka krye misionin e saj historik”, etj. janë dizinformuese, diversioniste. Ligatë kënetore, ligësi politike, edhe kur vijnë nga e majta apo e djathta ose nga jashtë. Bartësit e tyre të mos i japin kaq hapët për shembuj, në krejt Europë Lindore, Qëndrore, Juglindore, as në krejt Ballkan, po të ndalen veç në Ballkanin Perëndimor, të cilin të majtët (pro)sllavë po don’ prej vitesh me e kthye në një “Jugosllavi të re”, në “Jugosllavinë e Katërt”.
Të gjitha partitë e djathta në Ballkanin Perëndimor, simotra të PD të Shqipërisë, të themeluara në vitet 1989-1992, të aderuara në disa nga grupimet politike europiane si EPP, CDI, IDU, viti 2017 i gjeti në pushtet politik në Kroaci e Kosovë, në Maqedoni e Bosnje-Hercegovinë, përveç Partisë Demokratike të Sllovenisë (SDS) e ish kryeministrit Janez Jansha, e 16 shkurtit 1989; Partia Demokratike Serbe (DSS) e Koshtunicës e Jovanoviçit, themelue me 26 korrik 1992; Partia “Lëvizja për Ndryshime” (PzP) në Malin e Zi, e Medojeviçit, (e vitit 2002). Në Slloveni, një parti e re (e 2 qershorit 2014), Partia Moderne e Qendrës (SMC) e kryeministrit Milo Cerar, e aderuar në grupimin e Partive Liberal-Demokrate Europiane (ALDE, LI) është në pushtet prej katër vitesh, e cila nuk është deklarue as e majtë, as e djathtë. Pra, në mesin e vitit 2017, e majta ishte në pushtet vetëm në tre shtete: Shqipëri, Serbi, Mali i Zi, vetëm në 121 mijë km2 me 10 milionë banorë, ndërsa e djathta edhe në opozitë është forcë e parë apo e dytë. Kësokohe, të djathtët në pushtet ishin në shumicë për nga numri i shteteve, sipërfaqja e popullsia e tyre.
VMRO-DPMNE e Gruevskit të Maqedonisë, simotra e PD në EPP dhe IDU, themelue më 17 qershor 1990, deri para disa muajsh ishte në pushtet në Maqedoni, kishte të sajin kryeministrin, e ka të vetin presidentin, ka shumicën në pushtetin lokal. Tani erdhi në pushtet partia tjetër: SDSM e Zaevit, e themelueme më 20 prill 1991, e cila është në Partitë Socialiste Europiane e Internacionalen Socialiste sëbashku me PS e Shqipërisë. Në të dy rastet, këto parti kanë qeverisë me shqiptarët, me partitë shqiptare, me të përhershmin Ali Ahmeti e të tjerët. Pra, kësisoj, kështu, rrotacioni politik, siç ndodhi në Maqedoni, në Kosovë e në Shqipëri, nuk do të thotë ikje nga skena politike të partive të vjetra të ’90-tës e as ’91-shit apo ’92-shit. Pra, as PD e Shqipërisë, e Sali Berishës e Lulzim Bashës.
Në historikun e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) nuk ka ndodh si në Malin e Zi, ku e majta, Parta Socialiste Demokratike (SPD) e Bulatoviçit e Gjukanoviçit, (antare e Partive Socialiste Europiane sikurse PS e Shqipërisë), prej themelimit të saj më 1991 është në pushtet, i ka të saj kryeministrin në Podgoricë e presidentin në Kotorr, në dy kryeqytetet e këtij shteti ballkano-perëndimor. Kjo nuk ka ndodh në Shqipëri, sepse PD ka 4 mandate në 14 vjet në pushtet me kryeministër të saj Meksi e Berisha dhe në 4 mandate në 20 vjet me president të saj Berisha, Topi e Nishani, si dhe ka pasë përfaqësuesit e saj politik apo teknik në pothuaj 2 vite kalendarike politike në “Qeveria e Stabilitetit të Vendit” (1991), “Qeveria Teknike” (1991-’92), “Qeverinë e Pajtimit Kombëtar” (1997), Qeverinë Rama (2017).
Partia Demokratike e Shqipërisë, përveç Partisë të Tuxhmanit e të Stipe Mesiç dhe të kryeministrit aktual kroat Plenkoviqit, Unionit Demokrat Kroat (HDZ- themelue më 17 qershor 1989), asnjë parti tjetër e djathtë nuk ka ma shumë vite në pushtet, as në Slloveni e Maqedoni, as në Bosnje-Hercegovinë e Serbi, as në Kosovë, as në Malin e Zi. Ndër partitë e djathta, PD, vjen e dyta në Ballkanin Perëndimor. Një parti e tillë, si PD, me një rekord politik të tillë, si mund ta ketë krye misionin e saj, si mund të flitet për shkrirje apo rithemelim të saj, etj.
Ndryshe nga disa parti të djathta në Ballkanin Perëndimor, PD e Shqipërisë, e themeluar më 12 dhjetor 1990, edhe në dy humbjet elektorale të fundit (2013, 2017) i ka ruajt themelet e veta të antarësisë, bazën e votuesve të saj, nuk është braktisë nga elektorati i saj i spektrit të djathtë. Partia Demokratike Serbe (DSS – e 26 qershorit 1992) e Koshtunicës – ish president i Jugosllavisë (2000-2003) dhe ish-kryeministër i Serbisë (2004-2008), e aderuar në IDU (sikurse dhe PD) në zgjedhjet e fundit (2016) mori vetëm 5 deputetë në Parlamentin 250 vendësh të Serbisë. Kjo parti (DSS) ka mbi 100 mijë antarë (v. 2012), por mori vetëm 73 mijë vota. As sa antarësia e saj. Ndërsa PD e Shqipërisë në korrik 2017 numëronte mbi 100 mijë antarë dhe në zgjedhjet e qershorit 2017 mori rreth 400 mijë vota të saj. Doli forca e dytë politike në Shqipëri. Atëherit, si e mbyllka një parti e tillë, ma e madhja parti e të djathtës shqiptare, misionin e saj historik apo t’i kërkohet shkrirja apo rithemelimi i saj (!).
Partia Demokratike e Shqipërisë është pasuri e trashëgimi kombëtare, që ende i duhet Kombit, ka një mision të qartë e një rrugë të gjatë, me mundësi e aftësi rigjeneruese e të sigurta të përballet edhe me luftëra bio-politike ndaj saj, e vendosur të rivijnë shpejt e fuqishëm në pushtetin politik në Shqipëri.
Komentet