Bernardin Palaj e Donat Kurti i dhanë thesare kulture kombit tonë. I pari qe mitologu më i shquar shqiptar, i quajtur nga gjuhëtarja Desnickaja “njohësi më i mirë i maleve tona”, poet e prozator. I laureuar në Insbruk të Austrisë, profesor i greqishtes e latinishtes në Liceun “Illyricum”, i burgosur më 1924, si kundërshtar i Monarkisë, tërë jetën ia kushtoi albanologjisë.
Pas njoftimit që kishte dhënë Shtjefën Gjeçovi më 1905 se “ndër malet tona fshihet një thesar i paçmueshëm i epikës shqiptare”, ai së bashku me Donat Kurtin gjurmuan e mblodhën, sistemuan e botuan qindra kangë kreshnikësh, të cilat i botuan në revistën “Hylli i Dritës”, që çmohej si më e mira në Ballkan. Dhe shpërblimi që mori për këtë punë vigane, qe burgosja e tij më 1946, torturat më çnjerëzore derisa vdiq në burg, në moshën 50 vjeçare. Një bashkëvuajtës i tij, dëshmon: “E kishin lidhur duarsh me tel të ndryshkur te pisha në oborr, ku qëndronte pezull, aty ku lidheshin të burgosurit pasi i rrihnin për vdekje.
Pastaj e lanë të ngujuar nën shkallë në një vend të qelbur. E kjo zgjati për muaj e muaj, derisa iu helmatis gjaku e vdiq nga tetanosi. E varrosën në fund të oborrit, por eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë”. Vdiq i akuzuar si agjent i të huajve, ai që i kishte dhuruar kombit visaret e tij më të shtrenjta, të cilat nga dijetarët e huaj, janë krahasuar me eposet më të mëdhenj të Europës, me “Iliadën” e grekëve, “Kangët e Rolandit” të francezëve dhe “Nibelungenin” e gjermanëve.
Donat Kurti, qe mbledhës i zellshëm i folklorit, i quajtur; “Anderseni shqiptar”. I laureuar në Universitetin “San Antonio” të Romës, ku iu dha titulli “Doktor i Shkencave”, njohës i shkëlqyer i 7 gjuhëve të huaja, u vlerësua nga Norbert Jokli, “ndër prozatorët më të mëdhenj shqiptarë”. Por edhe ky pati të njëjtin fat si bashkëpunëtori i tij. I burgosur që në vitet e para të vendosjes së diktaturës, u dënua me vdekje, dënim që më vonë iu shndërrua në burgim të përjetshëm. Dhe kaloi 17 vjet në burgjet dhe kampet shfarosëse komuniste. Ironia e fatit deshi, që ai të vdiste i harruar, i vetmuar e në heshtje të plotë, pikërisht në ditët kur në Tiranë, mbahej një simpozium për ciklin e Kreshnikëve.
Një tjetër albanolog pati një fat edhe më të rëndë. Lazër Shantoja, qe mbledhës folklori, publicist, kritik letrar, poet e prozator, përkthyes i talentuar i Gëtes, Shilerit e Hajnes. Por ai që për mbrojtje të demokracisë, kishte provuar burgun që në vitet ’20-të, ai që bisedonte me ditë e me muaj me Faustin e Wilhelm Telin, e pësoi keq nga diktatura. I arrestuar në shkurt të vitit 1945, u torturua kaq shumë, sa luste zotin ta shpëtonte me vdekjen e tij. Kur e pa për herë të fundit e ëma, duke u zvarritur pas hekurave me këmbët të gangrenizuara, iu lut rojeve ta vrisnin, që të mos vuante më. Dhe e pushkatuan pas një gjyqi fars, që i dha dënimin me vdekje.
I fundit që e pa trupin e tij të vrarë, dëshmon: “E kishin coptue. Ishte me kambë e me krahë të gjymtueme. Ia kishin pre me sharrë. Kofsha e djathtë ishte e ajun tej mase, sa dukej më e madhe se trupi, dhe dukeshin gjithkund gjurmë plagësh të bame me gjithfarë mjetesh. S’kishte mujtë me qindrue në kambë dhe e kishin pushkatue me një breshërimë plumbash brenda në varr. Gurë e dhé mbuluen trupin e tij të gjymtuem, për të mos u gjetur kurrë vorri i tij”. Vepra e tij, e shpërndarë në revista e gazeta të kohës, u botua në një vëllim me rreth 700 faqe, 60 vjet pas vdekjes së autorit. Duke u çmuar përtej kufijve të Shqipërisë, kam pasur rastin të jem i pranishëm në Romë, para katër vjetësh, kur u përkujtua me nderim të veçantë në një konferencë shkencore, organizuar posaçërisht për të.
Një tjetër shkencëtar, intelektual-albanolog, që u vra nga diktatura në ditët e para të vendosjes së terrorit komunist, qe Nikollë Gazulli. Ai ka lënë Fjalorin më të mirë krahinor të fjalëve të rralla, me shpjegime e sqarime të shumëllojshme dhe me një pasqyrë të gjerë të parashtesave e prapashtesave të shqipes, që e bëjnë atë një thesar të paçmueshëm në fushë të leksikografisë.
Qe nismëtar edhe në fushë të leksikografisë onomastike, duke botuar të parin “Fjalor onomastik” shqiptar, në revistën “Hylli i Dritës”, ku trajtohen edhe probleme historike e etnografike. Nga informacionet që kemi, ai kishte mbledhur edhe 2000 fjalë të tjera, fati i të cilave nuk dihet. E me gjithë këto kontribute, emri i tij nuk u përmend asnjëherë në studimet albanologjike.
Së shumti lejohej të citohej vetëm titulli i veprës me shkurtime, por kurrsesi autori i saj. E kjo ndodhte sepse ai u pushkatua pa gjyq, në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist. I rrethuar nga bandat komuniste, u vra si martir në një shpellë ku ishte strehuar, për t’iu fshehur terrorit të kuq, një Bajram Curr, i kohëve tona, i mbetur edhe ky pa varr, ai që në luftën për demokraci në vitet ’30-të, kishte vuajtur 4 vjet në burgun e Gjirokastrës dhe ishte liruar falë ndërhyrjes së Norbert Joklit, Gjergj Fishtës dhe Aleksandër Xhuvanit.
Mark Dushi, qe një tjetër mbledhës i zellshëm i folklorit, i leksikut të rrallë, i toponimeve, të dhënave historike, mitologjike, legjendave etj. Ka lënë në dorëshkrim disa vepra, që ruhen në Arkivin e Shtetit dhe presin një dorë të kujdesshme t’i nxjerrë në dritë. Një monografi e tij, që u botua si vepër postume, “Tirana dhe rrethinat e saj”, përmban të dhëna dhe argumente arkeologjike, etnologjike, gjuhësore dhe etimologjike me interes shkencor për të njohur kryeqytetin dhe rrethinat e tij. Dhe shpërblimi i gjithë kësaj pune qe burgosja e tij nga diktatura, torturat mizore, dënimi me vdekje dhe pushkatimi në moshën 46 vjeçare.
Fate të njëjta patën edhe shumë dijetarë të tjerë, që për punën e tyre u shpërblyen me burgje, internime e persekutime të tjera. I tillë është rasti i tre orientalistëve të shquar: Mykerem Janina, Vexhi Buharaja dhe Tahir Dizdari, që të tre njohës shumë të mirë të gjuhëve perëndimore e lindore, të vjetra e të reja, filologë, përkthyes e transkriptues të shumë veprave me vlerë shkencore e letrare.
Mykerem Janina, qe ndër specialistët më të mirë të osmanishtes, njohës i përkryer i dokumenteve historike dhe i paleografisë, përkthyes i “Defterit të Sanxhakut Shqiptar” të historianit turk Inalçik. Ai kishte nisur aktivitetin botues që në vitet ’30-të, por u burgos dy herë gjatë jetës së tij, me akuzën stereotipe “për agjitacion e propagandë”. Kaloi rreth 15 vjet në burgje e internime. Në burgimin e dytë, ishte afër moshës 80 vjeçare.
Vexhi Buharaja, ka lënë një vëllim shumë të madh materialesh dokumentare osmane, që janë me rëndësi të dorës së parë, për studimin e historisë së Shqipërisë.
Duke i përkthyer në gjuhën shqipe, ai solli pranë nesh veprat e frashërlinjve, “Besën” e Samiut dhe “Ëndërrimet” e Naimit, si edhe disa kryevepra botërore të poetëve persianë. Por ky intelektual me potencial të madh shkencor, që punoi 10 vjet në Institutin e Historisë, u pushua nga puna në vitin 1975, për të kaluar vitet e pjekurisë më të madhe shkencore në vetmi të plotë, larg çdo aktiviteti shkencor.
Tahir Dizdari, është autor i fjalorit më të madh e më të mirë të orientalizmave në gjuhën shqipe, ku jepen shpjegime të shumta për huazimet turke, me argumente leksikore e gramatikore, etnologjike, letrare e etimologjike, dhe me krahasime me gjuhët e tjera të Gadishullit Ballkanik, gjë e bëjnë atë me vlera të paçmueshme jo vetëm për albanologjinë, por edhe për orientalistikën e ballkanologjinë. Por e gjithë kjo punë e stërmundimshme, për të cilën ai punoi gjithë jetën, nuk u botua sa qe gjallë autori, dhe pa dritën e diellit 33 vjet pas vdekjes së tij. E kjo për arsyen e thjeshtë se Tahir Dizdari, ishte burgosur më 1951, si antikomunist, ai që për ndjenjat e tij patriotike e demokrate ishte internuar nga fashizmi në vitin 1939.
Fat të tillë patën edhe helenistët, latinistët dhe përkthyesit e tjerë, faji i vetëm i të cilëve ishte se kishin studiuar në shkolla perëndimore dhe nuk pajtoheshin me diktaturën. Guljelm Deda, që “Orlandon e çmendur” të Ludovico Ariostos, e bëri të flasë shqip, kaloi një jetë të tërë në burgje e internime, ai që për 17 vjet punoi për të përkthyer 40 mijë vargje, të rimuara në gjuhën shqipe. Edhe kur u lirua, për të nuk kishte punë tjetër veç të thyente gurë në malin e Taraboshit. Këtë fat pati edhe Mark Dema, përkthyesi i talentuar i “Eneidës” së Virgjilit; Veniamin Dashi, përkthyes i shumë veprave me karakter albanologjik, nga studiuesit gjermanë.
Edhe këta të shpërblyer me shumë vite burg dhe me anonimatin e përjetshëm. Mithat Araniti, përktheu nga gjermanishtja vepra kapitale për albanologjinë. I tillë është Fjalori etimologjik i gjuhëve indoeuropiane, me tre vëllime i etimologëve me përmasa botërore, Alois Walde dhe Julius Pokorny, një kopje e të cilit gjendet në Muzeun e Durrësit. Dhe shpërblimi i kësaj pune, qenë vitet e pafund të burgut e të internimit.
Një tjetër njohës i thellë e përkthyes i letërsisë klasike, Gjon Shllaku, shqipëroi kryevepra botërore: “Iliadën” e Homerit, veprat e Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit, “Gjeorgjikat” e Virgjilit dhe “Këngët e Rolandit” të eposit francez. Ka lënë në dorëshkrim “Fjalorin latinisht-shqip” dhe “Fjalorin greqisht shqip”. Për të gjitha këto, u shpërblye me burg disavjeçar.
Nikollë Dakaj, përkthyes i talentuar, gjuhëtar, poet kritik letrar e folklorist, pasi kaloi disa vite në burgjet komuniste, u detyrua të fitonte bukën e gojës duke punuar në fabrikën e tullave, atje ku mes gropave të baltës, mund të gjeje njerëzit më të kulturuar të kohës, sepse ky ishte vendi i caktuar nga diktatura për ata që kuvendonin me Homerin e Virgjilin, me Danten e Petrarkën, për ata që ishin shkolluar në perëndim dhe tentuan të ecnin kundër rrymës zyrtare.
Një tjetër përkthyes i talentuar, qe edhe Mark Harapi, që na dha në shqipe kryeveprën e Manzonit “Të fejuemit”, njëri nga intelektualët më të kulturuar të kohës, që kishte refuzuar të qëndronte për të dhënë mësim në Universitetin e Romës, vetëm që të kthehej në atdhe. Ai qe i pari që transkriptoi veprën e Bogdanit “Cuneus prophetarum”, duke e pajisur me shumë komente e shënime gjuhësore. Dhe shpërblimi i kësaj pune, qe dënimi me 20 vjet burg politik, prej të cilave bëri 10 dhe pas këtyre edhe 5 vjet të tjera internim. Deri sa vdiq, jetoi me lëmoshën e bamirësve të rrugicës ku banonte.
Këtë fat pati edhe klasiku i fundit i traditës së përkthimeve greko-latine, që u nda prej nesh para para pak vitesh. Pashko Gjeçi përktheu rreth 40 mijë vargje nga gjuhët klasike e moderne, duke na dhënë në një shqipe të dëlirët e të pasur “Odisenë” e Homerit, “Faustin” e Gëtes, “Hamletin” e Shekspirit, “Andromakën” e Rasinit, poezitë e Leopardit e të Karduçit, dhe mbi të gjitha trilogjinë “Komedia Hyjnore”, së cilës i kushtoi 20 vjet të jetës së tij.
Dhe si shpërblim, u burgos që në vitet e para të vendosjes së diktaturës, duke vuajtur për disa vjet në burgjet e tmerrshme komuniste dhe në kampet e shfarosjes, atje ku në hyrje mund të shkruhej si në portën e ferrit të Dantes: “Këndej kalohet në qytetin e mjerimit / Këndej kalohet në dhimbjen pa kufi / Këndej kalohet te njerëzit humbun shqimit / O ju që hyni mbrendë keni mbarue”. Dhe shumë që hynë në këto burgje, nuk dolën të gjallë, por vdiqën burgjeve të Burrelit e të Spaçit, ose kënetave të Maliqit e të Bedenit.
Nëpër burgjet e diktaturës kaloi një pjesë të mirë të jetës edhe përkthyesi i talentuar në gjuhën frënge, Isuf Vrioni. Ai që bëri për vete edhe vetë francezët me përkthimet e tij në një frëngjishte elegante, kaloi 16 vjet në burgje e kampe shfarosëse, dhe kur doli s’andejmi, la në burg emrin e tij, që nuk mund të shënohej në asnjë libër, revistë a gazetë. Ishte i dënuar i përjetshëm edhe kur doli nga burgu i vogël në burgun e madh. Ai mbeti anonim deri në vitet ’90-të.
Një shembull tjetër i këtij persekutimi, është Frano Illia, ky Shtjefën Gjeçov i dytë, i cili pasionin e tij për të mbledhur doke, zakone, tradita e fjalë të rralla të shqipes, e pagoi me një kalvar të vërtetë vuajtjesh të pafund, sepse atëherë kur më 1967, dorëzoi për të botuar “Kanunin e Skenderbeut”, e thirrën, jo për t’i botuar veprën, por për t’i vënë prangat në duar dhe pas 7 muaj torturash në qelitë e Sigurimit të Shtetit, me një gjyq farsë, ku nuk munguan as duartrokitjet, e dënuan me vdekje, dënim që iu kthye në 25 vjet burgim, prej të cilave bëri 20 vjet.
Gjergj Fishtën, të madhin e letrave shqipe, të quajtur “Homeri shqiptar”, kryetarin e komisionit të hartimit të alfabetit, njërin nga themeluesit e “Komisisë Letrare”, e shpëtoi nga ferri komunist, vdekja e parakohshme. Por ai s’mund të hidhej në harresë aq lehtë, sepse vepra e tij, e botuar në të gjallë të poetit, njihej e deklamohej prej shqiptarëve nga Veriu në Jug. Ja përse ai ishte një rrezik potencial për diktaturën. Prandaj edhe i vdekur, nuk i shpëtoi persekutimit mizor dhe hakmarrjes makabre komuniste: eshtrat e tij u zbuluan, u nxorën nga varri dhe u hodhën në lumin Drin.
Në çdo vend të botës prehjet e fundit të poetëve kombëtarë ruhen me fanatizëm si relikte të shenjta e, si vende nderimi e pelegrinazhi. Varri i Dantes, ruhet në Ravena, prej afro 700 vjetësh; varri i Shekspirit, ruhet në Stratford prej 400 vjetësh. Edhe varri i De Radës, ruhet në Maki të Kozencës prej më se një shekulli nga arbëreshët, që patën fatin të mos e jetojnë ferrin komunist. Vetëm në Shqipërinë e diktaturës komuniste, një poet kombëtar lihet pa varr. Qenka e thënë që të mëdhenjtë e këtij kombi, të mos prehen të qetë pas vdekjes, por t’u nxirren eshtrat nga varri, nga të huajt për t’i shndërruar në hajmali; kurse nga vetë shqiptarët, për t’i hedhur në lumë. Dhe atë që s’arritën t’ia bëjnë sa qe gjallë, e bënë me veprën e tij.
Ajo ishte e ndaluar të lexohej, të komentohej, të mbahej në shtëpi. Njihen plot raste kur intelektualë të arrestuar, janë akuzuar se kanë lexuar Fishtën, se kanë folur për të, se kanë fshehur “Lahutën” e, shumë akuza të tjera të kësaj natyre. Shteti i diktaturës sllavo-komuniste, nuk mund t’ia falte kurrë poetit të madh, himnizimin e luftës që bënë shqiptarët “mos me nda tokat e Shqipnisë, për me ngopë klyshët e Rusisë”. Ndërsa si kryetar i komisionit të hartimit të alfabetit të shqipes, ai nuk u përmend asnjëherë dhe për shkak të tij e të ndonjë anëtari tjetër të anatemuar, fotografia e komisionit të këtij kongresi, nuk u bë e njohur asnjëherë gjatë 50 vjetëve.
Viktor Volaj, gjuhëtar leksikolog, profesor i gjuhës shqipe, latine e greke në gjimnazin “Illyricum” të Shkodrës, kaloi shumë vite nëpër kampe internimi. Ai qe komentatori e shpjeguesi më i mirë i veprave të Fishtës, për të cilat punoi shumë vite nën mbikëqyrjen e poetit të madh. Ai qe edhe autor i sa veprave të tjera, që humbën në vitet e diktaturës pa mundur të shohin dritën e botimit. Prandaj ai u quajt “akademiku i madh pa vepra”. Me nxitjen e Xhuvanit e të Çabejt, ai kishte mbledhur e dorëzuar në Institutin e Gjuhësisë, 1200 fjalë e shprehje të rralla shqipe, si kontribut për “Fjalorin e madh të shqipes”, por emri i tij nuk përmendet askund.
Nikollë Mazreku, ky njohës i mirë i historisë, gjuhës e letërsisë, njëri nga latinistët më të shkëlqyer, ka lënë shumë dorëshkrime, ndër të cilët një vëllim për heroin kombëtar, Skëndërbeun. Ka mbledhur shumë fjalë të rralla, që i ka përdorur me mjeshtri në vargjet e tij poetike. Mbrojtës i flakët i racës dhe kulturës shqiptare, ai shkroi me pseudonimin “Nikë Barcolla”, pamfletin e famshëm kundër skandalit të Cordignanos. Për të gjitha meritat e tij, diktatura e shpërbleu me 25 vjet burg dhe 12 vjet në internim.
Në bankën e të akuzuarve u rreshtua edhe Marin Sirdani, historian, folklorist e shkrimtar, mbledhës i pasionuar i legjendave, këngëve e gojëdhënave, gjurmues i fjalëve të rralla e toponimeve, autor i veprave; “Skanderbegu mbas gojëdhënash”, “Për historinë kombëtare”, “Shqypnia e shqiptarëve”, etj. Kishte lënë në dorëshkrim disa mijëra faqe, gjatë një periudhe 50 vjeçare punë të palodhshme, por ato u dogjën e u zhdukën nga kriminelët e Sigurimit të Shtetit.
Vëllai i tij, Aleksandër Sirdani, një tjetër mbledhës e studiues i folklorit dhe i fjalës së rrallë shqipe, që ka lënë me mijëra faqe dorëshkrim, u torturua në mënyrat më çnjerëzore dhe trupin e tij të dërrmuar nga torturat e shëtitën nëpër Koplik, për t’i futur të merrnin qytetarëve. Pastaj e vranë duke ia shpuar trupin me cfurk, deri sa e rrokullisën në një gropë të zezë.
Dijetarë të tjerë u lanë në heshtje, vepra e tyre nuk vlerësohej e nuk botohej. Këtë fat pati gjuhëtari i madh, që tërë jetën ia kushtoi albanologjisë, Selman Riza. Ai që ishte internuar në Ventotenë prej fashizmit, për idetë e tij demokratike në mbrojtje të lirisë së vendit, ai që ishte internuar nga regjimi titist jugosllav, për përpjekjet e tij për një Kosovë të lirë, ai që kishte ndërruar burgje e kampe internimi, po aq sa edhe vende pune e banimi, u persekutua egërsisht nga diktatura komuniste e Tiranës: u dëbua nga Instituti i Gjuhësisë e, u internua në Berat. Dhe ashtu siç u la në heshtje për vite me radhë vepra e tij e pabotuar, ashtu qe edhe dita e varrimit të këtij kolosi të albanologjisë.
Një fat të tillë pati edhe gjuhëtari Justin Rrota. Për autorin e sa studimeve në fushë të gjuhësisë, për dijetarin që solli në vendin tonë veprën e parë të shkruar në gjuhën shqipe, “Mesharin” e Gjon Buzukut, askush s’kujtohej nga zyrtarët e regjimit, prandaj vdekja e tij kaloi në heshtje, ashtu siç u la edhe vepra e tij, që bëri gjumin letargjik 50-vjeçar në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë, për t’u zgjuar e për të parë dritën e botimit, vetëm pas shembjes së diktaturës dhe vendosjes së demokracisë.
Për 50 vjet me radhë, u mbuluan me heshtje edhe emrat dhe veprat shkencore të personaliteteve më të shquar të diasporës: Martin Camaj, Namik Resuli, Arshi Pipa, Karl Gurakuqi, Mustafa Kruja, Tajar Zavalani, Zef Valentini e shumë albanologë të tjerë, emrat e të cilëve ishin bërë tabu në regjimin komunist.
Martin Camaj, është albanolog ndër më të shquarit, për më tepër shkrimtar e poet, ndër më të talentuarit. Në fushë të albanologjisë ka lënë një varg veprash për historinë e gjuhës shqipe, për gramatikën e dialektologjinë, për etimologjinë dhe të folmet arbëreshe, për tekstet e vjetra, folklorin e letërsinë. Ai qe shtyllë e emigracionit, që mbajti të gjallë studimin e gjuhës shqipe dhe traditën shqiptare në Itali, Gjermani e kudo që shkoi.
E megjithëkëtë, nga regjimi totalitar mori epitetin “tradhtar”, sepse mundi të shpëtonte nga ferri komunist e, të dilte në botën e lirë, duke mbetur tërë jetën një shqiptar i vërtetë. Edhe pas vdekjes mbeti i tillë. Kam pasur rastin të vizitoj varrin e tij. Është më i thjeshti në varrezat e Lengriesës në Gjermani: një copë shkëmb i pagdhendur, që bashkëkombësit e tij e kishin sjellë nga malet e Dukagjinit, për t’ia vënë te koka këtij shqiptari të madh, që vdiq në dhé të huaj, pa mundur ta vizitonte qoftë edhe një herë të vetme, atdheun e tij.
Një tjetër albanolog që mundi të shpëtonte nga Shqipëria e rrethuar me tela me gjemba e, të dilte në botën e lirë, qe Arshi Pipa, studiues gjuhe e folklori, kritik letrar, estet, poet e përkthyes. I arrestuar menjëherë pas vendosjes së komunizmit, mundi të arratiset pas lirimit nga burgu. Profesor universiteti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku emigroi, ai drejtoi disa revista shkencore e letrare dhe botoi disa libra e artikuj me vlerë për kulturën shqiptare; por emri i tij deri në vitet ’90-të, nuk mund të përmendej, dhe të gjitha botimet e tij mbetën të panjohura.
Namik Resuli, qe filolog, gramatikan, historian i letërsisë, studiues i teksteve të vjetra, drejtor i Institutit të Studimeve Shqiptare në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Ai ka transkriptuar “Këngët e Milosaos” të De Radës dhe vepra të tjera të letërsisë së vjetër dhe arbëreshe. “Gramatika e shqipes” që hartoi, është ndër më të mirat në llojin e saj.
Por punën e tij më të madhe ia kushtoi transkriptimit, komentimit dhe botimit të veprës më të hershme të shkruar në gjuhën shqipe, “Mesharit” të Buzukut, me të cilën punuan shumë dijetarë të vendeve të ndryshme për vite me radhë, madje, edhe pas botimit të saj 10 vjet më vonë nga Eqrem Çabej, vepra e të cilit mbeti e kyçur në depot e Institutit të Gjuhësisë, e cilësuar si “vepër me përmbajtje fetare”.
Shembulli më i fundit për këtë është vepra me 800 faqe “Das albanische Verbalsystem in der Sprache des Gjon Buzuku”, e botuar më 2004 prej akademikut Wilfried Fiedler, i cili është mbështetur te botimi i Namik Resulit. E me gjithë këto vlera të mëdha për albanologjinë, emri i tij mbeti tabu, dhe vepra e tij qe dënuar për 50 vjet me shkronjën ‘R’, që do të thotë “rezervat”. Atij nuk iu lejua asnjëherë të shkelte në atdhe.
Një tjetër albanolog i shquar, vepra e të cilit nuk u vlerësua kurrë në regjimin totalitar, qe Zef Valentini, shqiptar nga shpirti e zemra, ndonëse jo nga kombësia. Ai qe historian, etnolog, gjuhëtar, profesor letërsie, bashkëpunëtor dhe drejtues revistash shkencore e letrare në Shqipëri e jashtë saj, anëtar i disa akademive. Njohës i shkëlqyer i gjuhës shqipe, i historisë dhe etnologjisë, ai qe një mbrojtës i flakët i racës shqiptare dhe i vlerave kulturore të popullit tonë para botës së qytetëruar dhe një pikë referimi për studimet shqiptare.
Edhe kur u largua nga Shqipëria, vijoi studimet dhe botimet në fushë të albanologjisë duke punuar në Universitetin e Palermos e, duke drejtuar Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare. Punoi sa për një institut të tërë. Vepra e tij madhore “Acta Albaniae Veneta”, përmban 27 vëllime, me dokumente për historinë mesjetare të Shqipërisë.
E ndërsa shkriu jetën për vendin tonë, asnjëherë gjatë 50 vjetëve diktaturë, s’mundi të shkelte në të. Emri i tij ishte kthyer në tabu dhe askush s’mund t’i referohej. Dhe atë që regjimi komunist, s’arriti t’ia bënte këtij dijetari, që u largua nga Shqipëria, një vit para vendosjes së diktaturës, ia bëri veprës së tij, që qëndroi e burgosur për 50 vjet, e dënuar edhe kjo me shkronjën ‘R’.
Dhe në mbyllje të këtyre radhëve, bëj pyetjen: “Cili ka qenë faji i të gjithë këtyre”? Faji i tyre ka qenë i njëjtë me fajin tim, kur diktatura komuniste në moshën 10 vjeçare, më 1949, më internuan në kampet shfarosëse me tela me gjemba, në Turan e në Bënçë të Tepelenës dhe në kështjellën e Ali Pashës në Porto-Palermo të Himarës.
Faji i tyre ishte i njëjtë me fajin tim, kur më 1990, ndërsa isha mësues fshati, larg familjes, Sigurimi i Shtetit emrin tim, e kishte vënë në listat e zeza të vdekjes, të publikuara pas fitores së demokracisë. Populli që harron historinë e vet, e dënon veten me përsëritjen e saj. Të mos e harrojmë tragjedinë kombëtare të 50 vjetëve komunizëm, të martirizimit, kryqëzimit dhe torturimit të një populli të tërë. Memorie.al
Kadare eshte shkrimtare shume i mire,por gjithnje sa here kerkon te prek ne te shkuaren , behet i limituar ,i sdopiuar ne raport me diktaturen!Ajo qe bie ne sy ,ne raportin e Kadares me pusht-etet ne tersi, eshte lakmia e shkrimtarit per te ruajtur raporte ne ekujliber dhe shume te mira;Kushtu po ndodh sot pusht -etin. Ndersa Shkrimtari behet kritik i forte kur gjerat qe vdesi o s’kan fuqi mè!