VOAL

VOAL

Tempulli i zjarrit Aspakha në Iran, kujtim i dinastisë Sasanide 1 750 vjet e vjetër

September 19, 2017

Komentet

Kërcënimet e reja bërthamore të Putinit – vetëm zhurmë?

Raketa balsitike ndërkontinentale Sarmat gjatë një testimi në Plesetsk më 30 mars 2018.

Pesë ditë para se presidenti rus, Vladimir Putin, të njoftonte se do të lehtësonte kushtet nën të cilat Rusia mund të përdorë armë bërthamore kundër një armiku, një nga po këto lloje armësh shpërtheu në mënyrë spektakolare.

Sarmat, raketa më e re balistike ndërkontinentale e Rusisë, predha e gjeneratës së re për të cilën Putini ishte mburrur, shpërtheu gjatë një incidenti të pashpjeguar më 20 shtator, duke rrafshuar pemë, ndërtesa në vendin e testimit në Plesetsk, sipas imazheve komerciale satelitore.

Në adresimin e tij në Këshillin e Sigurisë së Rusisë më 25 shtator, që u transmetua përmes televizioneve, Putin nuk e përmendi këtë aksident. Por ai u sigurua që bota – mbi të gjitha NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara – të dëgjonin se çfarë ai dëshironte që ata të dëgjonin: Ai po përditësonte doktrinën bërthamore të Rusisë.

“Versioni i përditësuar i dokumentit propozon se agresioni kundër Rusisë nga çdo shtete që nuk ka armë bërthamore, por me pjesëmarrjen apo mbështetjen e një shteti që posedon armë bërthamore, duhet të konsiderohet si një sulm i përbashkët kundër Federatës Ruse”, tha ai.

Që nga shkurti i vitit 2022, kur ai dërgoi dhjetëra mijëra trupa përtej kufirit për të pushtuar Ukrainën, Putin vazhdimisht ka sinjalizuar dhe kërcënuar se Rusia është e gatshme që ta përdorë arsenalin e saj bërthamor – më të madhin në botë – për të mbrojtur veten.

Ai ende nuk i ka përdorur këto armë. Por, ai dhe zyrtarë të tjerë kanë vazhduar me kërcënime, disa të tërthorta e disa të drejtpërdrejta. Këto kërcënime i mbajnë zgjuar natën ekspertët e kontrollit të armëve, analistët ushtarakë dhe politikbërësit.

Deri kur Moska të publikojë specifikat e ndryshimeve të doktrinës – që për herë të fundit ishte përditësuar më 2020 – është e vështirë të dihet çfarë, apo në qoftë se ka ndryshuar diçka, tha Nikolai Sokov, ish-diplomat rus dhe negociator për kontrollin e armëve, që tani punon në Qendrën e Vjenës për Çarmatosje dhe Mospërhapje.

Por, sigurisht se ky është një sinjal, tha ai.

“Nuk shoh diçka të re në thelb, gjithçka që Putini tha veçse ka ekzistuar që një kohë të gjatë”, tha Sokov për Radion Evropa e Lirë. “Ai ishte më specifik sa i përket politikës ekzistuese, por shtoi detaje të reja, të përshtatura me situatën aktuale”.

“Kjo paraqet një sinjal, një paralajmërim për NATO-n, teksa NATO-ja vazhdon të shqyrtojë nëse armët perëndimore duhet të përdoren për sulme me rreze të gjatë veprimi”, tha ai duke iu referuar përpjekjeve aktuale të Ukrainës për të marrë leje që të godasë më shumë caqe brenda Rusisë.

Në deklarimet për gazetarët një ditë më pas, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se kjo ishte pikërisht ajo që synohet.

“Duhet të konsiderohet si sinjal specifik, një sinjal që paralajmëron këto shtete për pasoja nëse marrin pjesë në një sulm ndaj shtetit tonë përmes mënyrave të ndryshme, jo domosdo përmes armëve bërthamore”, tha Peskov.

“Doktrina është një instrument i gjallë”

Për gjenerata të tëra, ligjvënësit sovjetikë dhe tani ata rusë janë mbështetur në mjetin e pengimit strategjik në politikën e tyre ushtarake dhe të huaj, duke tentuar të detyrojnë një shtet tjetër të bëjë atë që Moska dëshiron, duke sinjalizuar ose kërcënuar me përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore.

Në dekadën e fundit, Putin ka rritur ndjeshëm buxhetin për forcat e armatosura, përfshirë edhe për arsenalin bërthamor. Këtu përfshihen edhe modele të reja sikurse raketat balistike ndërkontinentale Sarmat, të cilat janë vënë në përdorim pavarësisht se kanë pasur të paktën tri incidente paraprake, por edhe armë hipersonike dhe raketa lundruese me aftësi bërthamore.

Arsenali i Rusisë – si ai i armëve strategjike, sikurse janë raketat me rreze të gjatë, dhe ai i armëve taktike që janë më pak të fuqishme sikurse predhat e artilerisë që kanë material bërthamor – tani është më i madh në botë dhe arsenali i SHBA-së është i dyti, pak më prapa.

Zyrtarët perëndimorë – veçmas ata që qëndrojnë pa gjumë gjatë natës duke menduar se kur Moska mund të vendosë që t’i lëshojë raketat e saj – shikojnë nga afër deklaratat publike jo vetëm të Kremlinit, por edhe ato që bëhen nga Ministria e Mbrojtjes dhe zyrtarët e lartë të politikës së jashtme. Parimet Themelore të Politikës Shtetërore për Pengim Bërthamor quhet doktrina zyrtare që përcakton se kur do të përdoren armët dhe nën çfarë kushtesh.

Më 2020, zyrtarët publikuan një version të përditësuar të doktrinës, edhe pse në të nuk kishte ndryshime të mëdha.

Moska mund të përdorë arsenalin e saj bërthamor “në përgjigje të përdorimit të armëve bërthamore apo llojeve të tjera të armëve të shkatërrimit në masë kundër saj dhe/ose kundër aleatëve të saj, si dhe në rast të agresionit kundër Federatës Ruse përmes përdorimit të armëve konvencionale nëse rrezikohet ekzistenca e shtetit”, thuhet në doktrinë.

Shumë ekspertë janë fokusuar në atë që mund të përbëjë kërcënimi ekzistencial. Një interpretim spekulon se një kryengritje popullore kundër Putinit dhe Qeverisë së tij mund të konsiderohet si ngjarje e denjë për një përgjigje bërthamore.

Gjatë një forumi të biznesit në Shën Petersburg në qershor, një komentator i njohur rus i bëri thirrje Putinit që të ulë pragun për përdorimin e armëve bërthamore. Putin nuk pranoi, por tha se ishte i hapur që ta rishikonte këtë politikë.

“Kjo doktrinë është një instrument i gjallë, ne me kujdes po shikojmë se çfarë po ndodh nëpër botën përreth nesh dhe ne nuk e përjashtojmë mundësinë e ndryshimeve në doktrinë”, tha ai.

Kërcënimet ruse për përdorimin e mundshëm të armëve taktike bërthamore në Ukrainë ishin mjaftueshëm serioze pas pushtimit të shkurtit të vitit 2022, sipas drejtorit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, i cili tha se e kishte paralajmëruar homologun e tij rus që të mos përdorin armë bërthamore.

Por, disa ngjarje gjatë konfliktit janë dukur se janë mjegulluar ose fshirë disa nga këto vija të duke, duke rritur ambiguitetin në perceptimet e Perëndimit lidhur me atë se çfarë po planifikon Moska.

Përdorimi i dronëve nga Ukraina për të sulmuar radarët paralajmërues, që përdoren për të detektuar raketat që lëshohen nga distanca të largëta, trembën politikbërësit perëndimorë, pasi që këto sulme mund të konsideroheshin kërcënim për mbrojtjen strategjike të Rusisë, ashtu siç thuhet në doktrinë.

Putini ka sugjeruar se territoret ukrainase që Kremlini pretendon se i ka aneksuar – edhe pse asnjë shtet nuk i ka njohur ato si territore ruse – mund të bien nën fushëveprimin e doktrinës. Ukraina ka vazhduar të sulmojë forcat ruse, përfshirë edhe përmes armëve me të cilat e ka furnizuar Perëndimi, dhe shumica e këtyre sulmeve janë kryer në territoret e pushtuara, teksa Kievi ka thënë se dëshiron të rimarrë të gjithë tokën që Rusia ka pushtuar.

Në gusht, forcat ukrainase nisën një ofensivë përtej kufirit në territorin rus të Kurskut. Kjo ishte ofensiva më e madhe në territorin rus nga forca të huaja që nga Lufta e Dytë Botërore dhe kjo ofensivë mund të ketë plotësuar kushtet e përcaktuara në doktrinë.

NATO dhe SHBA-ja tani po e shqyrtojnë kërkesën e Ukrainës që t’i lejohet të godasë caqe thellë brenda Rusisë duke përdorur raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi. Moska ka paralajmëruar kundër kësaj ideje.

Vendimi i Kremlinit për të transmetuar përmes televizioneve deklaratat e Putinit para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë ishte tregues se ai dëshironte të dërgonte një mesazh. Dhe ky deklarim u bë një ditë para se Zelensky të udhëtonte për në Shtëpinë e Bardhë, ku pritet që veç tjerash të kërkojë leje për të kryer sulme me rreze të gjatë veprimi.

Por, Putini nuk e ka specifikuar nëse doktrina zyrtarisht është përditësuar, e as nëse propozimi – që një sulm konvencional ndaj Rusisë nga një vend që mbështet një vend tjetër, e që ka armë bërthamore – në fakt do të kërkonte një përgjigje bërthamore.

Deklaratat e Putinit nuk nënkuptojnë se doktrina ka pësuar ndryshime thelbësore, tha Pavel Podviq, hulumtues i lartë në Institutin e Kombeve të Bashkuara për Hulumtime për Çarmatim në Gjenevë.

“Në fakt, nëse shikoni nga afër dhe e shikoni historinë e çështjes, në të vërtetë nuk ka shumë ndryshime”, tha Podviq në një intervistë për Current Time.

“Tani për tani, gjithçka mbetet në nivel të deklaratave dhe ne nuk kemi parë ndonjë hap tjetër real drejt përshkallëzimit”, tha ai. “Për momentin, mendoj se ne duhet të jemi vigjilentë, por në anën tjetër ne nuk duhet të reagojmë shumë ashpër”.

“Padyshim që ka më shumë specifika”, tha Xiaodon Liang, analist i lartë i politikave për Shoqatën e Kontrollit të Armëve. “Ne duhet të mendojmë për këtë ndaras nga kërcënimet e rastësishme bërthamore që ka bërë Rusia”.

Luke Coffey, ish-këshilltar i Ministrisë britanike të Mbrojtjes, i cili aktualisht është hulumtues në Institutin Hudson në Uashington, tha se deklaratat e Putinit kishin për synim pjesërisht amerikanët, me zgjedhjet presidenciale amerikane që do të mbahen edhe disa javë.

Ai është “një politikan i mençur dhe ai e kupton se si çështja e armëve bërthamore shtjellohet në debatin e brendshëm në SHBA”, tha Coffey. “Ai është mjeshtër në këtë luftë të propagandës dhe informacionit”.

“Ajo që u bë e ditur nga Putini sot në të vërtet nuk ishte një largim i madh nga ajo që ka qenë doktrina ruse. Ndoshta ai vuri një pikë më të hollë në çështjen e një shteti bërthamor që mbështet një shtet jobërthamor që e sulmon Rusinë”, tha ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Zelensky shpalos “planin e fitores” gjatë takimit me Bidenin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidenti amerikan, Joe Biden. 26 shtator 2024.

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, priti presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë më 26 shtator, pasi njoftoi për ndihma ushtarake për Kievin në vlerë prej mbi 8 miliardë dollarë, duke këmbëngulur përsëri se Rusia “nuk do të triumfojë” në pushtimin e saj të Ukrainës.

Zelensky i prezantoi Bidenit atë që ai e ka quajtur “planin e fitores” dhe përsëri kërkoi që Shtetet e Bashkuara të heqin kufizimet për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi, që i ka ofruar Kievit, për të goditur thellë brenda Rusisë për të shënjestruar objektivat ushtarake.

“Rusia nuk do të triumfojë. Ukraina do të triumfojë, dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë jush në çdo hap të rrugës,” tha Biden ndërsa priti Zelenskyn në Zyrën Ovale dhe pasi e falënderojë për paraqitjen e planit.

“Ne e vlerësojmë thellësisht që Ukraina dhe Amerika kanë qëndruar krah për krah,” tha Zelensky, i veshur me një uniformë të stilit ushtarak ngjyrë jeshile të errët.

Zelensky u takua gjithashtu me nënpresidenten Kamala Harris, kandidaten e Partisë Demokratike për presidente, më vonë në Shtëpinë e Bardhë dhe ndau me të “planin e tij të fitores”.

Zelensky me nënpresidenten Kamala Harris, kandidaten e Partisë Demokratike për presidente.

Zelensky me nënpresidenten Kamala Harris, kandidaten e Partisë Demokratike për presidente.

Harris i tha Zelenskyt se mbështetja e saj për popullin e Ukrainës ishte e palëkundur.

“Populli ukrainas po mbron me guxim shtëpitë dhe atdheun e tyre, lirinë dhe demokracinë e tyre kundër një diktatori brutal”, tha Harris në Shtëpinë e Bardhë.

Ajo gjithashtu tha se thirrjet për Ukrainën që t’i japë territor Rusisë ishin “të rrezikshme dhe të papranueshme”. Ajo shtoi se sugjerimet e kandidatit republikan Donald Trump dhe kanditatit të tij për nënpresident, senatorit J.D. Vance, që Ukraina të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, nuk ishin propozime për paqe, por “propozime për dorëzim”.

Trump ka thënë se Ukraina duhet të kishte bërë lëshime ndaj Putinit në muajt para pushtimit të Rusisë. Në një tubim elektoral në Karolinën e Veriut më 25 shtator, ai tha: “Çdo marrëveshje – marrëveshja më e keqe – do të kishte qenë më e mirë se ajo që kemi tani”.

Më herët më 26 shtator, Biden njoftoi për paketën e ndihmës usharake në vlerë mbi 8 miliardë dollarë dhe përsëriti se Shtetet e Bashkuara do t’i “ofrojnë Ukrainës mbështetjen që i nevojitet për të fituar këtë luftë”.

“Përmes këtyre veprimeve, mesazhi im është i qartë: SHBA-ja do t’i japë Ukrainës mbështetjen që i duhet për ta fituar këtë luftë”, tha Biden përmes një deklarate.

Paketa përfshin për herë të parë një sistem, që është një bombë precize rrëshqitëse me rreze prej 130 kilometrash, e që lëshohet nga një avion luftarak. Po ashtu, në paketë përfshihen bateri shtesë të sistemeve Patriot dhe raketa AMRAAM.

Biden, që përfundon mandatin në janar, tha se trajnimi i pilotëve ukrainas për avionët F-16 do të zgjerohet, përfshirë trajnimi i 18 pilotëve shtesë vitin e ardhshëm.

Ai tha se Uashingtoni dhe partnerët e tij po ndërmarrin hapa për të penguar rrjetin e kriptovalutave që po përdoret nga Rusia për të shmangur sanksionet dhe për të shpërlarë para, por nuk elaboroi më shumë.

Biden po ashtu njoftoi se muajin e ardhshëm do të mbahet në Gjermani Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që përbëhet nga më shumë se 50 shtete. Ai tha se mbledhja do të përqendrohet për të koordinuar më mirë përpjekjet për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

Zelensky përmes një postimi në X e falënderoi Bidenin për paketën e re të ndihmës.

Zelensky po kërkon të sigurojë mbështetje për përpjekjet e tij të luftës para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, ku përballen Harris dhe ish-presidenti Donald Trump. Një takim midis Trump dhe presidentit ukrainas pritej të shtohej në agjendën e Zelenskit, por mbetet e paqartë nëse do të ndodhë.

Trump bëri deklarata provokuese për Ukrainën në një tubim elektoral më 25 shtator, duke thënë se ajo kishte marrë miliarda dollarë nga Uashingtoni, ndërsa në të njëjtën kohë refuzonte të “bënte një marrëveshje” për t’i dhënë fund luftës.

Shtetet e Bashkuara, mbështetësi kryesor i Ukrainës, dhe aleatët perëndimorë i kanë dhënë Kievit miliarda dollarë ndihmë ushtarake dhe ndihmë të tjera, ndërkohë që kanë vendosur disa runde sanksionesh ndaj Moskës.

Pak detaje janë të njohura rreth “planit të ashtuquajtur të fitores” të përgatitur nga Zelensky, i cili ka qenë në një mision intensiv diplomatik që kur mbërriti në SHBA për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë javë.

Zelensky ka thënë se plani do të jetë një “urë” drejt përfundimit të konfliktit, ndërsa raportimer e mediave kanë thënë se ai do të kërkojë mbështetje të shtuar ushtarake dhe financiare nga SHBA-ja, garanci të sigurisë, si dhe sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë.

Personat afër Zelenskyt kanë thënë se garancia kryesore e sigurisë që Kievi po kërkon është anëtarësimi në NATO, një kërkesë e kahershme që është pritur me skepticizëm nga SHBA-ja dhe aleatët e saj.

Zelensky gjithashtu ka treguar se do të kërkojë përsëri leje për të përdorur raketa me rreze të gjatë për të goditur objektivat ushtarake thellë brenda Rusisë, me qëllim parandalimin e sulmeve ndaj qyteteve dhe infrastrukturës së Ukrainës, një hap për të cilin aleatët e Ukrainës janë të ndarë.

Shtëpia e Bardhë ka minimizuar shpresat e Ukrainës se vizita e Zelenskyt do të arrijë këtë qëllim.

“Nuk pres që të ketë ndonjë njoftim të ri për këtë veprim të veçantë apo një vendim që do të dalë nga ky takim”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

SHBA-ja, mbështetësja kryesore e Ukrainës, dhe aleatët perëndimorë i kanë dhënë Kievit ndihma ushtarake në vlerë prej miliarda dollarësh dhe kanë vendosur një sërë rundesh të sanksioneve kundër Moskës, që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 2022.REL

Rusia me projekt sekret në Kinë për prodhimin e dronëve ushtarakë

Rusia ka zhvilluar dhe ka filluar prodhimin e dronëve sulmues me rreze të gjatë në Kinë, të destinuara për përdorim në luftën kundër Ukrainës, sipas Reuters.

Kompania ruse IEMZ Kupol, një degë e korporatës shtetërore Almaz-Antey, zhvilloi një dron të quajtur Garpiya-3 (G3) dhe kreu teste fluturimi me pjesëmarrjen e specialistëve kinezë.

Më pas, Kupol informoi Ministrinë Ruse të Mbrojtjes se kishte krijuar prodhimin masiv të dronëve në një fabrikë në Kinë për t’u përdorur në luftën kundër Ukrainës.

Autoritetet kineze kanë thënë se nuk janë në dijeni të projekteve të tilla, duke theksuar kontrollin e rreptë mbi eksportin e produkteve ushtarake, përfshirë mjetet ajrore pa pilot.

Analistët thonë se nëse konfirmohet furnizimi me dronë kinezë, do të ishte një zhvillim i rëndësishëm. Sipas Fabian Hinz, një ekspert në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, deri më tani Kina e ka furnizuar Rusinë me mallra me përdorim të dyfishtë, por jo me sisteme të plota armësh.

Droni Garpiya-3 mund të mbulojë rreth 2000 kilometra me një ngarkesë prej 50 kg, sipas raporteve të Kupol. Mostrat e G3 dhe disa modeleve të tjera të dronëve të prodhuar në Kinë u dorëzuan në Kupol të Rusisë për testime të mëtejshme.

Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga Reuters, Kupol mori shtatë dronë ushtarakë të prodhuar nga Kina, përfshirë dy dronë G3, në selinë e tij në qytetin rus të Izhevsk.

Dy burime të inteligjencës evropiane kanë thënë se dorëzimi i këtyre mostrave të dronëve në Kupol shënoi dëshminë e parë konkrete që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt 2022, se agjencia e tyre kishte identifikuar të gjithë sistemet UAV të prodhuara në Kinë dhe të furnizuara në Rusi.

Qëndrimi i Kinës për luftën e Rusisë kundër Ukrainës

Kina vazhdon të pretendojë një qëndrim neutral në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa shpreh mbështetjen për sovranitetin e Ukrainës. Në të njëjtën kohë, Pekini po zhvillon në mënyrë aktive bashkëpunimin ekonomik me Moskën.

Edhe pse Kina zyrtarisht nuk i furnizon Rusisë me armë, kompanitë e saj shesin mallra me përdorim të dyfishtë, të cilat mund të përdoren për qëllime ushtarake.

Më parë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i kërkoi Kinës të ndalonte furnizimin me mallra të tilla në Rusi dhe la të kuptohet për mundësinë e rritjes së sanksioneve.

Veç kësaj, presidenti kinez ZXi Jiping theksoi kohët e fundit nevojën për të krijuar kushte për një zgjidhje politike të ‘krizës ukrainase’, pasi Pekini i referohet luftës në shkallë të plotë të Rusisë kundër Ukrainës./ Reuters.

Rusia fut ndëshkimin për “rusofobinë” në Kodin e saj Penal

Autoritetet ruse planifikojnë të ndryshojnë Kodin Penal, për të futur ndëshkimin për “rusofobinë”, e përcaktuar si diskriminim kundër qytetarëve rusë dhe banorëve të Federatës Ruse nga të huajt dhe zyrtarët e huaj jashtë vendit ose thirrje për veprime të tilla.

Agjencia e lajmeve Interfax raportoi më 23 shtator se ka siguruar dokumentin qeveritar që miraton një projektligj të hartuar nga një grup ligjvënësit, sipas të cilit, gjykimet e individëve të akuzuar për rusofobi do të mbahen në mungesë.

Kabineti qeverisës ka miratuar projektligjin, por tha se ndëshkimi për personat e dënuar për rusofobi duhet të rishikohet.

Në projektligj thuhet se ndëshkimi për rusofobi duhet të jetë “ndalimi i individëve nga drejtimi i posteve të caktuara dhe ndalimi që të kryejnë aktivitete të caktuara në Rusi”.

Megjithatë, Qeveria ruse tha se ky ndëshkim nuk ka kuptim, pasi do të prekte individët që jetojnë jashtë Rusisë.

Neni i ri në Kodin Penal për rusofobinë do të ketë për shënjestër vetëm rastet e rusofobisë jashtë vendit. Në dokument nuk specifikohet se çfarë nënkupton diskriminimi i qytetarëve rusë dhe banorëve të Federatës Ruse.

Në vitet e fundit, veçmas pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e vitit 2022, autoritetet ruse kanë akuzuar zyrtarët perëndimorë për atë që ata e quajnë rusofobi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, publikisht ka përmendur “anulimin e kulturës ruse” në Perëndim.

Disa autoritete ruse, përfshirë Ministrinë e Jashtme, i kanë quajtur sanksionet perëndimore – të vendosura ndaj zyrtarëve dhe entiteteve ruse për shkak të luftës kundër Ukrainës – si “shprehje të rusofobisë”.

Termi rusofobi për herë të parë u përdor në shekullin e 19-të nga poeti dhe diplomati rus, Fyodor Tyutchev. Ai e përdori këtë term për të përshkruar rusët liberalë properëndimorë.

Timothy Snyder, profesor në Universitetin Yale, gjatë paraqitjes së tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në mars të vitit 2023, e përshkroi rusofobinë si mjet që përdoret nga Rusia moderne për të justifikuar krimet që pretendohet se janë kryer nga forcat e saj të armatosura në Ukrainë. REL

Pentagoni dërgon trupa shtesë në Lindjen e Mesme mes rritjes së frikës së zgjerimit të luftës

Carla Babb

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një numër të vogël trupash shtesë në Lindjen e Mesme pas një intensifikimit të luftimeve mes Izraelit dhe militantëve të Hezbollahut në Liban, tha të hënën zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajori Pat Ryder.

Zoti Ryder nuk dha hollësi të tjera mbi numrin e forcave apo rolin e tyre në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan i tha Zërit të Amerikës se mund të bëhet fjalë për dhjetëra trupa dhe detyra e tyre kryesore do të jetë përgatitja për një evakuiim të mundshëm të qytetarëve amerikanë, nëse do të shpërthente një luftë më e madhe rajonale.

Një zyrtar tjetër amerikan theksoi se situata nuk ka arritur ende në pikën kur një evakuuim me ndihmën e ushtrisë i shtetasve amerikanë nga rajoni është i nevojshëm.

Nëse nevojitet një evakuiim i qytetarëve amerikanë, mund të përdoret një kontigjent i marinsave amerikanë, që tashmë ndodhet atje dhe mund të realizojë këtë detyrë, i tha Zërit të Amerikës një tjetër zyrtar. Të gjithë folën në kushte anonimiteti.

Zoti Ryder, në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës të hënën, u tha gazetarëve se Pentagoni është një “organizatë planifikuese” që është e përgatitur për një “një numër të madh të rastësive”, nëse kërkohet ndihma e ushtrisë amerikane.

“Ne kemi prani më të madhe në rajon sot se sa më 14 prill, kur Irani kreu sulmin e tij me dron dhe raketa kundër Izraelit”, tha ai.

Njoftimi pason sulmet izraelite ndaj pozicioneve të Hezbollahut brenda Libanit, në të cilat u vranë qindra njerëz. Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë që të largohen nga Libani për shkak të rritjes së rrezikut të një lufte rajonale.

Rusisë mund t’i ketë dështuar testimi i ri i raketës balistike ndërkontinentale

Lëshimi i raketës balistike ndërkontinentale gjatë një testimi në kozmodromin Plesetsk, prill 2022.

 

Pamjet e reja satelitore shfaqin një çarje të madhe në një kozmodrom rus, për të cilin ekspertët thonë se mund të jetë pasojë e një testimi të dështuar të një rakete balistike ndërkontinentale.

Katër automjete zjarrfikësish shihen gjithashtu në fotografitë e Kozmodromit Plesetsk nga 21 shtator, i cili ndodhet në rajonin Arhangelsk në veri të Rusisë.

Radio Evropa e Lirë i siguroi këto pamje nga Planet Labs.

Një analist i inteligjencës, me emrin e përdoruesit @MeNMyRC1, i cili i ka analizuar pamjet, tha se vrima mund të jetë shkaktuar nga një shpërthim i një rakete balistike ndërkontinentale, RS-28 Sarmat.

Edhe analistë të tjerë u pajtuan me vlerësimin e tij.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë do të jetë hera e katërt që një raketë Sarmat ka dështuar.

Rusia pretendoi në prill 2022 se kishte testuar me sukses këtë raketë.

Sarmat, zhvillimi i së cilës nisi në vitet 2000, është raketë me lëndë djegëse e dizajnuar të udhëtojë deri në 18.000 kilometra.

Ajo është 35 metra e gjatë dhe thuhet se mund ta bartë një ngarkesë prej 10 tonësh me koka të ndryshme raketore.REL

Pse SHBA po e rindërton bazën ajrore që e kishte shfrytëzuar për hedhjen e bombave atomike në Japoni?

SHBA po rindërton bazën ajrore të përdorur për bombardimin atomik të Japonisë.

Që nga janari 2024, SHBA ka filluar punën në ishullin Tinian në Oqeanin Paqësor.

Më shumë se 20 milionë kilometra/katror asfalt janë restauruar dhe qindra hektarë mbetje janë pastruar.

Për këtë projekt janë ndarë gati gjysmë miliard dollarësh, shkruan cnn.

 

Sipas ekspertëve ushtarakë, në këtë mënyrë shteti amerikan po përgatitet për një përballje të mundshme me Kinën.

Tinian ishte një vend i rëndësishëm gjatë Luftës së Dytë Botërore nga këtu u ngritën aeroplanët që hodhën bomba atomike mbi Hiroshima dhe Nagasaki.bw

100 dronë ukrainas mësyjnë Rusinë, hidhet në erë depoja e armëve. Kremlini kundërpërgjigjet me sulme, raportohet për disa të vdekur

Tre persona humbën jetën si pasojë e sulmeve ruse në qytetin Krivi Rih, njoftuan autoritete vendase. Sulmi la të vrarë një 12 vjeçar dhe dy gra të moshuara, deklaroi guvernatori rajonal Serhiv Lysak. “Përsëri, një sulm i trmerrshëm i armikut në Krivi Rih. Në mes të natës, kur qyteti flinte”, shkroi ai në rrjetin Telegram.

Ai tha se tre persona të tjerë u plagosën dhe më shumë se 22 banesa u dëmtuan.

Krivi Rih, qyteti më i madh për prodhimin e çelikut, ndodhet pranë territoreve të kontrolluara nga Rusia dhe është vazhdimisht objektiv i sulmeve ajrore ruse.

Ndërkohë, mediat ruse njoftuan për shpërthimin e një depoje armësh në Rusi si pasojë e sulmeve me dronë nga Ukraina. Ministria e Mbrojtjes ruse tha se Ukraina kishte lëshuar gjatë orëve të natës rreth 100 dronë në zonën e pushtuar të Krimesë.

Autoritetet ruse mbyllën të shtunën segmentin e një autostrate prej 100kilometrash dhe evakuuan pasagjerët nga një stacion hekurudhor aty pranë pasi zjarri shkaktoi një seri shpërthimesh.

Ndërsa kanë kaluar më shumë se 2 vite e gjysmë që nga fillimi i agresionit rus, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se ka një plan për ta fituar luftën ndaj Rusisë dhe synon që t’ia prezantojë Presidentit Joe Biden gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë më 26 shtator.

Presidenti Zelenskyy do të ketë një takim të veçantë edhe me Nënpresidenten Kamala Harris ndërsa deklaroi se shpreson të ketë edhe një takim me kandidatin republikan për president Donald Trump.

Ish Presidenti Trump dhe zoti Zelenskyy kanë biseduar në telefon në muajin korrik, por nuk janë takuar personalisht që nga largimi i zotit Trump nga Shtëpia e Bardhë.

Një ditë më parë Bashkimi Evropian u zotua t’i japë Ukrainës deri në 39 miliardë euro si pjesë e një kredie të organizuar nga grupi i shtatë (G7) vendeve kryesore industriale të botës. Qëllimi i ndihmave të G7-ës është të ndihmojë vendin të rindërtojë ekonominë dhe rrjetin energjetik të tij të shkatërruar nga lufta.bw

Rënia e Putinit është e pashmangshme, thotë disidenti ruso-britanik Vladimir Kara-Murza

Vladimir Kara-Murza, një disident ruso-britanik që i shpëtoi vdekjes pasi u shpëtua nga izolimi gjatë një shkëmbimi historik të të burgosurve të ndërmjetësuar nga SHBA, beson se rënia e Vladimir Putin është “e pashmangshme”.

43-vjeçari ka vuajtur dy vjet nga një dënim 25-vjeçar për shkak të mendimit kundër luftës në Ukrainë. Ai mbeti i burgosur në një burg të sigurisë maksimale në Siberi përpara se të lirohej.

Duke folur për Independent, megjithatë, ai këmbëngul se rënia e Vladimir Putin do të vijë, edhe nëse udhëheqësi rus vret të gjithë ata që kundërshtojnë regjimin e tij, duke përfshirë veten dhe liderin e opozitës Alexei Navalny.

“Edhe nëse Vladimir Putin na vret të gjithëve, liderët aktualë të opozitës, të tjerët do të vijnë në vendin tonë”, thotë ai. “Do të ketë edhe të tjerë nga brezi i ri. Njerëzit që dolën me mijëra për varrimin e Alexei Navalny në Moskë në fillim të këtij viti, do të vijnë dhe do të na zënë vendin për të gjetur një Rusi demokratike, edhe kur askush nga ne të mos jetë atje”, vijon Kara-Murza.


Vihet re se Vladimir Kara-Murza, i cili është baba i dy fëmijëve dhe aktualisht ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar, i mbijetoi dy tentativave për helmim në 2015 dhe 2017, të cilat ai thotë se ishin të orkestruara nga Kremlini, përpara se të dënohej me 25 vjet burg në vitin 2022. Përpjekjet për ta vrarë e lanë atë me polineuropati, një gjendje nervore dobësuese që ndikon në aftësinë e tij për të ndjerë gishtat e dorës dhe këmbëve dhe në fillim të dënimit me burg, avokatit të Vadim Prokhorov iu tha se 43-vjeçarit i kishin mbetur edhe tre vjet jetë.

Paqja në Ukrainë mund të arrihet vetëm nëse demokracia vjen në Rusi

Megjithatë, pavarësisht rreziqeve, ai vetë dëshiron të kthehet në Rusi, duke shpresuar se një ditë demokracia do të vijë në atdheun e tij. “Unë e di se Rusia do të jetë një vend normal demokratik dhe jo diktatura arkaike, e korruptuar që është sot.” Ai gjithashtu i quan pyetjet nëse Rusia mund të jetë vërtet demokratike si “fyese”.

Pas lirimit nga burgu, Kara-Murza është takuar me shumë liderë botërorë, si presidentin amerikan Joe Biden, kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidentin finlandez Alexander Stubb, ndërsa sot është takuar me kryeministrin britanik, Keir Starmer.

Në një konferencë për shtyp pas takimit, ai tha për Independent se besonte se kryeministri britanik dhe sekretari i jashtëm David Lammy po shqyrtonin një strategji diplomatike që do të fokusohej në një epokë “post-Putin”.

“E vetmja mënyrë për të pasur stabilitet, siguri, paqe dhe demokraci në Evropë në afat të gjatë është të kemi një Rusi të lirë, paqësore dhe demokratike”, thotë ai.

“Ne jemi shteti më i madh në Evropë. Ky është një fakt gjeografik. Asgjë nuk do ta ndryshojë këtë. Rusia nuk do të zhduket. Nuk do të largohet, edhe nëse disa njerëz dëshirojnë. Kjo nuk do të ndodhë. Nëse vërtet po kërkojmë një zgjidhje strategjike për të gjithë këtë, në krahasim me ngrirjen e gjithçkaje dhe zhvendosjen e problemit te brezi tjetër, siç është bërë shumë herë në të kaluarën, atëherë duhet ta marrim seriozisht Rusinë”, shton ai.

Sulmet izraelite në Liban, vritet komandanti i Hezbollahut, Ibrahim Aqil! Kush është lideri që bombardoi ambasadën e SHBA më 1983

Lideri i lartë i Hezbollahut, Ibrahim Aqil, raportohet se është vrarë në një sulm ajror nga Izraeli ditën e sotme në Bejrutin jugor.

Reuters shkuan se  Aqil u vra së bashku me anëtarët e njësisë elitare të Hezbollahut, Radwan, teksa ata po mbanin një takim.

Departamenti amerikan i drejtësisë e kishte cilësuar Aqilin si një terrorist global për rolin e tij të dyshuar në bombardimet e ambasadës amerikane të vitit 1983 në Bejrut, ku u vranë 63 njerëz, si dhe sulmet e kazermave të marinës amerikane atë vit që vranë 241 persona të personelit amerikan.

I njohur gjithashtu si Tahsin, Aqil dyshohet se drejtoi gjithashtu marrjen e pengjeve amerikanë dhe gjermanë në Liban dhe i mbajti ata atje në vitet 1980, sipas departamentit të drejtësisë amerikane.

Kujtojmë se në fillim të kësaj jave, 30 persona u vranë në një seri sulmesh me pajisje shpërthyese ndaj anëtarëve të Hezbollahut, për të cilat u fajësuan gjerësisht Izraeli.

Izraeli goditi për herë të fundit kryeqytetin libanez nga ajri në korrik, në një sulm që vrau shefin ushtarak të Hezbollahut, Fuad Shukr.

Nënkryetari i byrosë politike të Hamasit, Saleh al-Arouri, u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut në janar.

Ndërsa kjo është hera e tretë që kryeqyteti libanez është shënjestruar në sulmet ajrore nga Izraeli në vitin 2024.

Ukraina i bashkohet NATO-s në stërvitje për testimin e sistemeve kundër dronëve

NATO-ja i përfundoi stërvitjet e mëdha kundër dronëve këtë javë, në të cilat mori pjesë Ukraina për herë të parë, me qëllim të mësuar urgjentisht nga zhvillimi i hovshëm dhe përdorimi i skajshëm i dronëve – mjeteve pa pilot – në luftën në Ukrainë.

Në këto stërvitje, të mbajtura në një bazë ushtarake në Holandë, morën pjesë më shumë se 20 shtete dhe rreth 50 kompani, të cilat testuan sistemet e teknologjisë më të fundit për vërejtjen dhe rrëzimin e dronëve.

Stërvitjet 11-ditore përfunduan me një ushtrim për vërejtjen dhe rrëzimin e dronëve në një javë kur rolin i tyre vendimtar në luftën në Ukrainë u dëshmua përsëri.

Të mërkurën, një sulm i madh ukrainas me dronë e shkaktoi një shpërthim të përmasave të një tërmeti në një depo të madhe të armëve në Rusi. Të nesërmen, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Moska e ka rritur prodhimin e dronëve në gati 1.4 milion këtë vit.

Rritja e përdorimit të dronëve në luftë – për t’i shkatërruar objektivat dhe për ta vëzhguar fushëbetejën – e ka nxitur NATO-n ta kthejë përqendrimin kah kërcënimi që dronët mund ta përbëjnë për aleancën.

“NATO e merr shumë, shumë seriozisht këtë kërcënim”, tha Matt Roper, shef i Qendrës së Përbashkët të Inteligjencës, Vëzhgimit dhe Zbulimit në agjencinë teknologjike të aleancës.

“Kjo nuk është diçka të cilën ne duhet ta shpërfillim”, tha ai në zonën e stërvitjeve në lindje të Holandës.

Ekspertët kanë paralajmëruar NATO-n se ajo duhet të kapë hapin shpejt në kohën me dronët e luftës.

“NATO-ja ka shumë pak dronë për luftë të intensitetit të lartë kundër një armiku”, thuhet në një raport nga Qendra Evropiane për Analiza Politike nga shtatori i kaluar.

“Ajo do të përballej me sfida shumë të mëdha për t’i përdorur dronët që ka në një mjedis të kontestuar”, sipas saj.REL

Sulmi ukrainas me dronë nxit evakuime në Rusi

Një sulm me dronë nga Ukraina ka shkaktuar një zjarr dhe ka detyruar evakuimin e pjesshëm të banorëve në qytezën e Toropetsit, në pjesën perëndimore të rajonit Tver në Rusi, bënë të ditur autoritetet rajonale të mërkurën.

Zjarrfikësit u angazhuan në shuarjen e zjarrit, tha Igor Rudenya, guvernator i rajonit që ndodhet në veriperëndim të Moskës, përmes një postimi në kanalin e administratës së rajonit në platformën Telegram. Ai nuk ka bërë të ditur se kë e ka kapluar zjarri.

Sipas një raporti të publikuar më 2018 nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA, Rusia po ndërtonte një magazinë për ruajtjen e raketave, municioneve dhe mjeteve të tjera shpërthyese në Toropets, një qytezë 1000-vjeçare, me popullsi prej rreth 11.000 banorësh.

Nuk është njoftuar për viktima si rezultat i sulmit të 18 shtatorit në Tver, raporton Reuters.

Shkollat dhe çerdhet kaluan në mësimdhënie online në distriktin e Zapadnovisnkit, në kufi me atë të Toropetsit, bëri të ditur administrata e distriktit në rrjetin social VKontakte.

Njësitet ruse të mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 54 dronë që Ukraina kishte nisur gjatë natës, për të sulmuar pesë rajone perëndimore të Rusisë, raportuan agjencitë shtetërore ruse të lajmeve, duke cituar një raport të Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Guvernatorët rajonalë nuk raportuan për dëme nga këto sulme.

Por, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk përmendi rajonin e Tverit, që ka rajonin e Moskës në kufirin e saj juglindor.

Raportimet nuk ka qenë e mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur, ndërsa as Ukraina nuk ka dalë me ndonjë njoftim.

Kievi ka thënë më parë se sulmet e saj në Rusi kanë për qëllim të godasin infrastrukturën ushtarake, energjetike dhe atë të transportit, të cilat janë të rëndësisë kyçe për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Zyrtarët rusë rrallëherë japin hollësi për shkallën e plotë të dëmeve të shkaktuara nga sulmet ruse.

Teksa Ukraina ka rritur prodhimin e brendshëm të dronëve gjatë dy vjetëve të fundit, ajo ka shtuar sulmet ndaj territorit rus.

Sulmi më i madh ndonjëherë me dronë nga Ukraina goditi kryeqytetin rus në shtator, duke vrarë të paktën një person, teksa u dëmtuan shtëpi e u ndërprenë fluturime nga aeroportet e Moskës. REL


Send this to a friend