Në pragfushatën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, Partia Demokratike, që po qeveriste vendin që prej vitit 2005, hyri në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Asokohe shumëkush u habit me këtë lloj koalicioni të dy krahëve të kundërt të politikës shqiptare: të Partisë Demokratike, e cila e ka mbajtur veten si përfaqësuese e bindjeve të djathta në politikën shqiptare, dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, si përfaqësuese e krahut të majtë. Unë, personalisht, këtë lloj koalicioni, që asokohe, e pata vlerësuar si të stisur, sepse dyshoja se ai do të hidhte bazat për çimentimin e pozitave të majtizmit në politikën shqiptare.
Asokohe, djali i një mikut tim të afërt, që mbante një post të rëndësishëm në ministrinë e punëve publike, të transportit dhe të telekomunikacioneve që e drejtonte Sokol Olldashi, në një bisedë që pata me të në njërën nga kafenetë e Tiranës ca muaj pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, më tha:
“Koalicioni me Lëvizjen Socialiste për Integrim i ka sjellë një dëm të jashtëzakonshëm Partisë Demokratike. Njerëzit e LSI-së po na nxijnë faqen kudo ku janë punësuar. Shumë demokratë të përkushtuar e ndiejnë veten tepër të braktisur dhe të zhgënjyer. Kam bindjen se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Partia Demokratike ka për të pësuar një humbje katastrofike”.
Nuk kaloi shumë kohë dhe ky anëtar i Partisë Demokratike që mbante atë post të rëndësishëm në ministrinë e lartpërmendur, dha dorëheqjen dhe filloi biznesin privat, duke u shkëputur përfundimisht edhe nga Partia Demokratike.
Për t’u çuditur është fakti që LSI-ja, e cila pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 arriti të siguronte gjithë-gjithë katër ndenjëse në Kuvendin e Shqipërisë, mori në dorë tri ministritë më të rëndësishme në qeverinë e zotit Berisha. Në ato zgjedhje, Partia Demokratike siguroi vetëm 70 ndenjëse në parlament dhe nuk mund të qeveriste dot pa një shumicë sado minimale që të ishte. Prandaj edhe arsyetoi se duhej të hynte në aleancë me LSI-në. Por rrjedha e ngjarjeve të mëvonshme tregoi se do të kishte qenë më e udhës që Partia Demokratike të kishte zhvilluar zgjedhje të parakohshme dhe jo të kërkonte koalicion me LSI-në.
Gjatë kohës së qeverisjes me Partinë Demokratike, LSI-ja i forcoi së tepërmi pozitat e veta, duke i shtuar tej mase radhët e përkrahësve të vet. Në mbyllje të mandatit, në prag të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, e bindur tashmë që Partisë Demokratike, gjatë katër viteve të qeverisjes së përbashkët, ia kishte marrë dukshëm truallin nën këmbë, duke e “mjelë” mirë e mirë dhe duke e rrudhosur bukur fort masën e zgjedhësve të saj, LSI-ja vendosi t’i thotë asaj “ku të kam parë” dhe hyri në aleancë me Partinë Socialiste. Kjo e fundit, në zgjedhjet e vitit 2013 nuk pati absolutisht shtim të përkrahësve të vet: në parlament mori përsëri 65 ndenjëse, pikërisht aq sa edhe kishte marrë në vitin 2005. Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, në zgjedhjet e 21 qershorit të vitit 2013, i katërfishoi ndenjëset që mori në parlament. Këto ndenjëse të fituara u siguruan si rezultat i shtimit të radhëve të saj me përkrahës nga radhët e Partisë Demokratike, të cilët u zhgënjyen keq prej saj gjatë ushtrimit të mandatit të përbashkët me LSI-në. Kësisoj Partia Socialiste u kthye në pushtet pas tetë viteve që ishte në opozitë dhe Edi Rama mori postin e kryeministrit. Domosdo që kryeministri Rama duhet t’i ndezë qiri natë e ditë zotit Ilir Meta, pa të cilin nuk mund ta merrte dot dhe të vazhdojë ta mbajë deri tani postin në fjalë.
Tani kushdo mund të përsiatë sipas dëshirës dhe të shtrojë pyetjet e mëposhtme:
Së pari, Partisë Demokratike iu dhimbsën vallë ca para për t’i shpenzuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, pasi fitoi vetëm 70 ndenjëse në zgjedhjet e vitit 2013?
Së dyti, mos vallë ajo gjykoi në një mënyrë naive dhe kuturisi të hynte në aleancë me LSI-në?
Së treti, mos ndoshta ajo hyri me vetëdije të plotë në atë koalicion, me qëllim që të forconte pozitat e majtizmit në politikën shqiptare?
E kam të vështirë të gjykoj se cila nga tri pyetjet e lartpërmendura godit në shenjë. Por ama, i gjendur para fakteve të pakundërshtueshme, mund të them me bindje të plotë se koalicioni PD-LSI i vitit 2009, shënoi fillimin e çimentimit të pozitave të majtizmit shqiptar, pikërisht në saje të Partisë Demokratike. Sepse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe në zgjedhjet vendore të vitit 2015, humbja e Partisë Demokratike ishte me të vërtetë katastrofike. Një humbje që ajo e përgatiti me duart e veta.
I bindur për humbjen e thellë që e priste Partinë Demokratike në zgjedhjet vendore të 23 qershorit 2015, kryeministri Rama, gjatë zhvillimit të fushatës së zgjedhjeve në fjalë, dha një kontribut të jashtëzakonshëm për forcimin e mëtejshëm të majtizmit në skenën e politikës shqiptare. Nuk e pata ndjekur absolutisht atë fushatë nga ekrani i televizionit. E pata ndjekur vetëm në internet. Pikërisht në internet u njoha asokohe me dy materiale të dy penave të njohura në publicistikën shqiptare, materiale këto që më lanë përshtypje të jashtëzakonshme.
Materiali i parë:
“Kryeministri ynë i “nderuar” thotë për kryetarin e opozitës se “kastravec hyri e kastravec doli”. Në Pogradec ai i “gajasi” njerëzit kur iu tha se po të ishte gjallë Lasgushi, do t’i lëshonte qenin kandidatit të opozitës. Refren i përbashkët i disa prezantimeve të tij ka qënë se po të votojnë për opozitën, do e kenë të vështirë në mos të pamundur të marrin fondet e nevojshme për zhvillimin e bashkive. Po të mos e kisha dëgjuar me veshët e mi, nuk do ta besoja kurrë një deklaratë të tillë që jo vetëm nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e demokracinë, por më duket dhe kriminale, se t’i heqësh ndihmat një bashkie, do të thotë të mos i krijosh mundësi asaj për të hapur vende pune, pra, t’u heqësh njerëzve kafshatën e gojës. Një Zot e di se si ia lejon vetes kryeqeveritari ynë të lëshojë lart e poshtë deklarata të tilla dhe si mund të heshtin ata që e dëgjojnë e i shkojnë pas?! Në takime të tjera ai ka pohuar se “kandidatët janë burra të mirë, por nuk bëjnë për të drejtuar bashkinë dhe se atij i vjen keq që nuk ka ndonjë motër t’ua japë për grua”. Do të kalojnë vitet dhe deklarata të tilla do të përbëjnë fondin e artë të barcoletave politike, se dhe muhabete kafenesh të ishin, do dukeshin bajate, të tepruara e pa pikë humori. S’ka si mos të të vijë keq për ata që e dëgjojnë që janë të detyruar të qeshin të sforcuar, se, në të kundërtën, mund të kishin pasoja” (Citohet sipas: Andon Dede. “Shansi i humbur i zgjedhjeve lokale”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Dielli”. 05 qershor 2015).
Materiali i dytë:
“Kam qenë në mëdyshje këto ditë fushate nëse do të paraqitesha apo jo më 21 qershor në qendrën e votimit. Për kë të votosh?… Por ja që mes këtyre dyshimeve, të vjen papritur një mesazh përmes ekranit të televizionit nga kryeministri Edi Rama dhe mesazhi është ky:
“Kush voton opozitën, është budalla dhe PD po bën një fushatë për të mbledhur budallenj. Gratë e demokratëve të ndahen nga burrat e tyre budallenj, të bëhen të zgjuara, domethënë socialiste. Opozita është destruktive. Nëse votoni kandidatët e djathtë, qytetet dhe fshatrat tuaja nuk do të marrin asnjë investim nga qeveria. Ka dalë një diversant me emrin Dritan Memushi në Tepelenë që po u kërkon votat. Asnjë votë për atë”.
Dhe, pasi i ka fërkuar krahët Tërmetit, duke e inkurajuar për “fitoren e tij publiçitare”, i sulet Përmetit dhe kandidatit të tij dhe pas Përmetit qyteteve të tjera për fitoren plebishitare” (Citohet sipas: Mark Marku. “Unë jam “budalla””. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Panorama”. 15 qershor 2015).
Vetëm në një rast më qëlloi të ndjek fushatën e kryeministrit Rama në komunën e Shënkollit në Lezhë. Dikush hapi takimin me kryeministrin. Nuk më kujtohet se kush ishte ai, kryetari i komunës apo dikush tjetër. Por mbaj mend mirë çastin kur ai iu drejtua kryeministrit Rama me shprehjen: “Zoti Berisha!”. Por, aty për aty, u vetëkorrigjua: “Zoti Kryeministër!”. Mandej, si për të kërkuar ndjesë për gafën që bëri dhe për të nxjerrë në spikamë servilizmin e tij shembullor, i drejtohet përsëri kryeministrit: “Ai na marrtë të keqen!”. Domethënë, e kishte fjalën për zotin Berisha. Prita që kryeministri Rama, si figura kryesore e ekzekutivit shqiptar, i cili, si qeverisës i të gjithë shqiptarëve, që, domosdo, duhet të rrezatojë kulturë dhe objektivitet në komunikimet që ka me qytetarët e vet, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, të reagonte dhe t’i thoshte servilit të komunës së Shënkollit:
“Dëgjo, ore zotëri, zotin Berisha e kemi kundërshtar politik, por nuk e kemi armik. Se ai është shqiptar dhe kundërshtarët politikë në pluralizëm nuk duhen vlerësuar kurrë si armiq. Se shprehja “na marrtë të keqen!”, në një kontekst politik, përdorej gjerësisht në kuadrin e luftës së klasave në kohën e sistemit komunist, sa herë që binte fjala për shtresën e të përndjekurve politikë apo për armiqtë e jashtëm”.
Por, çuditërisht, kryeministri Rama nuk reagoi absolutisht. Përkundrazi, kur mori fjalën, ai deklaroi:
“Budallallëk të mendosh t’i japësh votën PD-së” (Citohet sipas faqes së internetit “Sot News”. 03 qershor 2015).
Gjatë kohës që po zhvillohej fushata për zgjedhjet vendore, një pasdite vonë, në digën e liqenit të Tiranës, takova rastësisht një pedagog të universitetit, kolegu im i dikurshëm. Në bisedë e sipër më thotë:
“Ky kryeministri Rama po e përçan keq popullin shqiptar me mënyrën se si po e zhvillon fushatën elektorale: demokratët i quan budallenj, nuk do t’u jap fonde, thotë, atyre komunave që do të votojnë kundër aleancës për Shqipërinë Evropiane e ku di unë se ç’broçkulla të tjera nxjerr nga goja”.
E ke gabim, ia ktheva unë. Kryeministri Rama po e forcon unitetin e popullit shqiptar. Sepse ai kërkon të krijojë një popull grusht bashkuar rreth partisë, apo jo? Sepse, sipas tij, populli shqiptar duhet të jetë tërësisht i majtë. Dhe populli shqiptar, në shumicën dërrmuese, në zgjedhjet vendore të 23 qershorit, ka për të votuar për koalicionin e majtë. Se askush nuk ka dëshirë të jetë budalla dhe që komuna e tij të mos përfitojë fonde nga qeveria Rama.
Bashkëbiseduesi im qeshi me ironi dhe e hodhi fjalën gjetkë.
Tek po përsiatja për fjalët e publicistëve Andon Dede dhe Mark Marku, m’u kujtua fushata zgjedhore që pati zhvilluar Putini para zgjedhjeve presidenciale të 26 marsit të vitit 2000. Sepse fushata që zhvilloi kryeministrit Rama për zgjedhjet e fundit vendore, të kujton pikërisht fushatën e lartpërmendur të Putinit, i cili, me kërcënime nga më të ndryshmet, e ka bërë nuse popullin rus dhe e ka katandisur deri në atë derexhe, saqë ai i rri lepe-peqe për gjithçka. Madje, me një kuturi të jashtëzakonshme, i ka futur në gjak epshet e shovinizmit rusomadh për pushtime territoresh të huaja.
Disa muaj pas zgjedhjeve presidenciale të 26 marsit 2000 në Rusi, më ra në dorë një gazetë ruse që ma dha një gazetar i mirënjohur shqiptar, në të cilën denoncohej haptas dhuna që Putini ushtronte kundër njerëzve të thjeshtë për t’u zgjedhur president. Këtu po mjaftohem vetëm me dy fakte:
Së pari, profesori i Institutit të Ekonomisë Botërore dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë, zoti Viktor Shejnis, thotë:
“Unë mendoj se presioni mbi zgjedhësit është reflektuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në një masë shumë më të madhe sesa manipulimet e drejtpërdrejta, sepse pushtetarët lokalë s’e kanë për gjë të sillen si t’u teket me banorët e zonave fshatare. Ata i shikojnë fshatarët si ujku qengjin. Niveli i kulturës politike në fshatrat tona është i ulët. Në qoftë se ndonjë gjyshe atje shkon të votojë, kur dihet që ajo është e varur kokë e këmbë nga pushtetarët e fshatit për furnizimin me dru dhe me bazë ushqimore për blegtorinë, nënkuptohet që ajo do të votojë ashtu siç do ta urdhërojnë” (Citohet sipas: “The Moscow Times”. 09 shtator 2000, f. 5).
Së dyti, zonja Valentina Lukzajeva, në një bisedë telefonike me korrespondenten e gazetës në fjalë, zonjën Evgjeni Borisova, njoftonte nga Mordovia:
“Në fshatin Permijevo, ku unë kam lindur, kryetari i kolkozit u tha fshatarëve se në qoftë se nuk do të votonin për zotin Putin, ai prapëseprapë do ta merrte vesh një gjë të tillë dhe nuk do t’u jepte as traktorë për mbjelljen e oborreve personale, as dru për ngrohje, as produkte ushqimore. Shumica e banorëve të fshatit, kryesisht gra të moshuara, sigurisht që u trembën dhe votuan për zotin Putin” (po aty).
E, pra, mund të thuhet shkoqur se kërcënimet e kryeministrit Rama për votën kundër, nuk kanë asnjë dallim nga kërcënimet e Putinit në adresë të qytetarëve të vet që mund të votonin kundër. Rrjedhimisht, kryeministri Rama nuk pranon kurrfarë alternative tjetër në Shqipëri, përveç alternativës së majtë, çka do të thotë se të gjithë votuesit shqiptarë gjithmonë duhet të votojnë majtas!!! Sepse vetëm majtizmi përfaqësuaka të vetmen alternativë të pranueshme në Republikën e Shqipërisë!!! Dhe kjo vijë arsyetimi e kryeministrit Rama, i ka dhënë rezultatet e veta të dukshme: në zgjedhjet vendore të 23 qershorit 2015, majtizmi shqiptar fitoi 75% të komunave.
Kësisoj majtizmi shqiptar, me kryeministrin Rama në krye, po ecën me shumë zell në gjurmët e Putinit, i cili, në radhët e popullit rus, ka siguruar një përkrahje që arrin në 86%.
Publicisti dhe analisti Viktor Volski (1938) shkruan:
“Diktatori rus Vladimir Putin po noton nën rrezet e lavdisë, duke siguruar një përkrahje të padëgjuar në radhët e popullit që arrin në masën 86% (Citohet sipas: Viktor Volski. “Çfarë qëndron prapa përkrahjes 86-përqindshe për Putinin?”. Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”. 04 qershor 2015).
Gjykuar nga rezultati 75% i së majtës shqiptare në zgjedhjet e fundit vendore, mund të hamendësohet se e majta në fjalë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, mund të arrijë të ngrohet nën rrezet e lavdisë putiniane, duke u ngjitur ose edhe duke e kaluar shifrën prej 86% të përkrahjes së votuesve. Ndërkohë, Partia Socialiste, sipas të gjitha gjasave, po e ndien se LSI-ja po ia gërryen keq themelet e pushtetit dhe do të arrijë ta detyrojë atë të pësojë fatin e Partisë Demokratike. Prandaj, në një të përditshme shqiptare jepet një njoftim befasues:
“…në koalicionin e majtë po hidhet një tjetër hap përçarës. Bashkëpunëtorë dhe ish-bashkëpunëtorë të kryeministrit Edi Rama, mbase me miratimin e këtij të fundit, kanë hedhur dhe po i fryjnë këto ditë një skenari provokues. Bëhet fjalë për variantin e një aleance të Partisë Socialiste me Partinë Demokratike, si domosdoshmëri për të zhbërë Lëvizjen Socialiste për Integrim si realitet politik dhe për ringritjen e PD-së, pozitat e së cilës tashmë i ka zënë LSI-ja” (Citohet sipas: Adriatik Doçi. “Bashkëpunëtorë të Edi Ramës hedhin variantin e aleancës PS-PD, shtohet presioni ndaj LSI-së pas rritjes me 80 mijë vota”. Gazeta “Sot”. 02 korrik 2015, f. 7).
Partia Demokratike, nga ana e saj, po e ndien një humbje të tretë katastrofike që do të pësojë në vitin 2017. Prandaj edhe ajo ka filluar të mendojë për një koalicion të mundshëm me Partinë Socialiste. Po nga faqet e së përditshmes së sipërcituar, vjen një tjetër lajm po aq befasues:
“Dy ditë më parë, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka, mohoi çdo mundësi aleance me Lëvizjen Socialiste për Integrim, por kur u pyet për një koalicion të mundshëm me PS-në, Paloka i bishtnoi përgjigjes, duke e lënë të hapur mundësinë. Nëse Genc Pollo dhe disa deputetë të tjerë flasin edhe me gojën e Bashës, Paloka përfaqëson edhe Bashën, edhe Berishën” (Citohet sipas: Eneida Jaçaj. “Shtohen zërat në PD për aleancë me PS-në, Mëhill Fufi dhe Arben Ristani pro bashkëqeverisjes me Ramën, Berisha i dyzuar”. Gazeta “Sot”. 06 gusht 2015, f. 5).
Me sa duket, dy partitë kryesore, PS-PD, e paskan shumë për zemër përsëritjen e skenarit grek në Shqipëri, sipas të cilit u krijua një koalicion i PASOK-ut me Demokracinë e Re, një koalicion ky që krijoi përshtypjen në opinionin publik grek se do ta nxirrte Greqinë nga kriza katastrofike që po i trokiste në derë. Dhe populli grek ia pa “hairin” atij koalicioni hajdutësh me damkë që e katandisi Greqinë në derexhenë ku ndodhet sot para kreditorëve të huaj.
Siç shihet, krerët kryesorë të politikës shqiptare e kanë të pamundur të mbijetojnë pa pasur një “dado” të huaj mbi krye, e cila i ka orientuar dhe vazhdon t’i orientojë me ngulm kundër interesave të popullit shqiptar. Deri dje, komunizmi enverian i mbante antenat nga “dajë” Beogradi, kurse pas vendosjes së pluralizmit, krerët në fjalë nuk bëjnë dot një çap pa “teto” Athinën. Prandaj koalicioni i mundshëm PS-PD, nëse do të arrijë të krijohet, nuk ka si pikësynim mbrojtjen e interesave ekonomike të vendit tonë, përmirësimin e standardit të jetesës së popullit shqiptar. Përkundrazi, ai ka në qendër të vëmendjes interesat e oligarkëve të të dyja palëve, të cilët janë pasuruar në një mënyrë marramendëse gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Radhët e Partisë Demokratike u rrudhosën në një mënyrë skandaloze gjatë mandatit të dytë që ajo e konsumoi me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Por pas disfatës shembullore që pësoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, ajo nuk guxoi, se i mungoi burrëria, për të dalë para elektoratit të vet për të kërkuar ndjesë me një pendesë të thellë publike dhe t’i fliste atij me zemër në pëllëmbën e dorës për gafën e rëndë që bëri, duke hyrë në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kurse tani, e etur për pushtet, Partia Demokratike, përmes zërave që po dëgjohen brenda saj, kërkuaka të hyjë në aleancë me Partinë Socialiste, duke zbuluar faqe shqiptarëve formimin e saj psikologjik, si një parti me botëkuptim majtist, e cila deri tani u është shitur shqiptarëve si një parti e qendrës së djathtë!!!
Elektorati i djathtë ka shpresuar se Partia Demokratike do ta riorganizonte dhe do ta konsolidonte të djathtën shqiptare, në mënyrë që ta përgatiste për betejat e ardhshme zgjedhore. Kurse tani, brenda kësaj partie, po ushtojnë thirrje për një aleancë me… Partinë Socialiste! Këto thirrje dëshmojnë se Partia Demokratike kërkon të kthehet pranë simotrës së saj socialiste, çka vërteton drejtësinë e zërave të dikurshëm, sipas të cilëve Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë lidhje gjaku, janë bija të një nëne: të Partisë së Punës të Shqipërisë.
Tani më vjen ndër mend parashikimi i dikurshëm profetik i zotërisë Abdi Baleta, i cili, që në vitet ’90, pati deklaruar se do të vijë një kohë kur Partia Demokratike do të kërkojë të bëjë aleancë me Partinë Socialiste.
Partia Socialiste, nga ana e saj, na qenka në merak të madh për simotrën e saj, “për ringritjen e PD-së, pozitat e së cilës tashmë i ka zënë LSI-ja”. Ja, pra, ku fleka lepuri: Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, dy “armike të betuara” mes tyre, të cilat, gjatë dy dhjetëvjeçarëve na paskan luajtur një komedi bukur të sajuar, duke e bërë helaq njëra-tjetrën në sytë e opinionit publik shqiptar, sikur të kishin qenë dy prostituta që joshin klientë me çmim të lirë poshtë e përpjetë nën dritat e semaforëve, po zbulojnë aleancën e tyre të nëndheshme dhe po dalin haptas me thirrjen për të hyrë në koalicion në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Por këto dy parti veterane duhet të jenë një çikëz më të kujdesshme në pikësynimet e tyre për koalicion që paska si qëllim ta zhbëjë Lëvizjen Socialiste pë Integrim. Kjo për faktin se zotëria Ilir Meta ka dhënë prova që nuk është ndonjë “kafshatë që kapërdihet lehtë”.
Nuk kemi ç’bëjmë. Ky është fati i Shqipërisë, së cilës, për fatkeqësinë e saj, i mungon një e djathtë e vërtetë që të kishte në qendër të programit të saj interesat kombëtare dhe ribashkimin e trojeve etnike. Krimineli Enver Hoxha, për interesat afatgjata të majtizmit në vendin tonë, të djathtën shqiptare e shfarosi me rrënjë e me degë. Prandaj edhe majtizmi shqiptar sot është në lulëzim të plotë, paçka se ai nuk është absolutisht garanti i sigurimit të mirëqenies së popullit shqiptar. Dëshmia më e pastër është largimi masiv i njerëzve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, për shkak të dështimeve të dukshme ekonomike dyvjeçare të qeverisjes majtiste, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.
Në gjuhën e popullit përdoret rëndomë shprehja “është çuar me këmbën e majtë”, në kuptimin “rri sikur i janë mbytur gjemitë”, “nuk është në humor”. Në shumë popuj ekziston besëtytnia se po të çohesh nga shtrati me këmbë të majtë, kjo do të thotë se do të kalosh një ditë të keqe. Kjo shprehje haset në anglishte get out of bed with left leg dhe në frengjishte se lever du pied gauche. Nocionet për të djathtën dhe për të majtën, në thellësi të shekujve, janë bashkuar me nocionin e së mirës dhe së keqes. Që asokohe ka pasë qarkulluar mendimi se çdo njeri, në anën e djathtë ka një shpirt mbrojtës, kurse në anën e majtë ka një shpirt të keq që e josh drejt mëkatit. Në Egjiptin e lashtë besonin se nëpër veshin e majtë vjen “frymëmarrja e vdekjes”, kurse në Greqinë e lashtë mendonin se ana e djathtë të premton sukses, kurse ana e majtë të sjell dështim. Besëtytni të tilla, në popuj të ndryshëm, vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot. Nuk jam i sigurt se mbi ç’baza kanë lindur besëtytni të tilla, por për një gjë jam i bindur plotësisht: amoraliteti është sëmundje e pashërueshme e majtizmit shqiptar.
Komentet