Kryebashkiaku i Durrësit, i rizgjedhur me votën e vjedhur a të blerë, nga më pak se gjysma e atyre që shkuan në votime, është bërë i njohur prej kohësh si armik numër një i monumenteve historike e kulturore të atij qyteti të lashtë. Pa përfillur protestat e shtetasve shqiptarë, të historianëve dhe të intelektualëve atdhedashës të Durrësit e të Shqipërisë, ai u ka vënë kazmën disa monumenteve me vlera të pazëvendësueshme. Ky “guxim i tepruar” i tij, nuk vjen vetëm nga mania e fitimit prej firmave të ndërtimit, por edhe nga mungesa e respektit ndaj çdo gjëje shqiptare, për shkak të prejardhjes së tij joshqiptare.
Në fare pak raste ai është detyruar t’i ndërpresë punimet e ndërtimit mbi monumentet historike të rrënuara pjesërisht, duke i lënë të rrethuara ato zona, si varreza të mëdha e të frikshme.
Por, ndryshe ka vepruar me atë shatërvanin shekullor e mjaft të bukur, me vlera arkitektonike e historike, që gjendej në sheshin përpara Bashkisë. Me gjithë protestat mbarëqytetare të patriotëve durrsakë, pa dallim bindjesh politike, ai e bëri të vetën: e zhduku atë nga sheshi, sepse i vriste sytë, sa herë që kalonte para tij për në zyrën e vet. Po çfarë kishte menduar të sajonte në atë shesh, me atë fantazinë e tij “pjellore”? Asokohe u hapën fjalë se donte të ndërtonte një objekt të kultit fetar ortodoks sipas stilit grek, për t’i bërë qejfin Janullatosit. Dhe ndofta ato nuk kanë qenë thjesht “thashetheme”. Por, Vangjushi nuk guxoi ta bënte atë; sigurisht mbas ndonjë ndërhyrjeje nga lart, për të mos ndezur frymën e protestave masive dhe të komenteve të padëshiruara. Mirëpo një ditë, teksa vështronte i kënaqur sheshin e zbrazët, simbol i fitores së tij mbi vullnetin e qytetarëve, gati sa nuk thirri me të madhe “Eureka”! Sepse ai e kishte gjetur se çfarë do të ndërtonte në vendin e shatërvanit të dikurshëm. Ndonëse nga trupi ai hyn në kategorinë e shkurtabiqëve, dhe si i tillë nuk mund të ketë qenë kurrë ndonjë basketbollist i shkëlqyer, Vangjushi vendosi të ndërtojë aty, mu përpara derës së Bashkisë, një fushë basketbolli!
Kuptohet se këtë “vepër të katërvjeçarit”, që pritet të përurohet së shpejti me ceremoni, ai e krijoi për t’u bërë qejfin miqve të tij trupgjatë të Durrësit e të Tiranës.
Vangjushi i Durrësit, ka dhënë prova se është edhe armik numër një i librave shqip. Drejtuesit e Bibliotekës së atij qyteti, ka kohë që kanë dhënë alarmin se po dëmtohen mijëra libra e po dalin jashtë përdorimit, për shkak të lagështisë, të ngushtësisë së vendit dhe të kushteve tejet të papërshtatshme. Është shkruar e folur edhe në mediat qendrore për këtë çështje shqetësuese. Megjithatë, Vangjushi e ka bërë veshin e shurdhër dhe asqë e ka vënë fare ujin në zjarr për zgjidhjen e këtij problemi. Ai tip, që duket se nuk ka lexuar asnjë libër jashtëshkollor në jetën e tij, nuk ka sesi ta njohë vlerën e vërtetë të librave. E quan si një objekt pa kurrfarë rëndësie Bibliotekën e qytetit, ku rendin çdo ditë për të thithur dituritë, nxënësit, studentët dhe qytetarët e tjerë durrsakë. Kjo mospërfillje e tij, mund të jetë edhe ngaqë nuk parashikon ndonjë përfitim të madh vetjak, në të holla, nëse do t’i hynte punës për rikonstruksionin e Bibliotekës së qytetit.
Moskokëçarja e Vangjushit të Durrësit, për Bibliotekën dhe për librat shqip, na kujton edhe ata “Vangjushët” e Korçës, të cilët ca vite më parë asgjësuan disa mijëra libra shqip, me justifikimin absurd se “ishin të vjetër dhe do të zëvendësoheshin me libra të rinj”! Mos vallë ata zotërinj ishin aq injorantë sa të mos e dinin se librat, ashtu si vera, sa më të vjetër të jenë, aq më shumë vlerë kanë?! Apo ishte thjesht një veprim antishqiptar i elementëve drejtues të atij qyteti, të frymëzuar nga fqinjët e jugut? Pati disa reagime mediatike për atë ngjarje; por, asnjë ndërhyrje nga organet qeveritare kompetente.
I pakuptueshëm është edhe qëndrimi i drejtuesve të mëparshëm e të tanishëm të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Nuk thuhet arsyeja e vërtetë e mosfunksionimit të Bibliotekës së vjetër në rrugën e Elbasanit, ku mbahen të ndryrë dhe flenë prej shumë vitesh, disa mijëra libra me vlerë, në gjuhë të huaja. Ndërkohë aty qëndrojnë dhe paguhen më kot disa punonjës. Sipas njërës prej atyre nëpunëseve, arsyeja qenka se dyshemeja e katit të dytë nuk mban dot peshën e lexuesve dhe rrezikon të shembet. Po edhe mbas më shumë se njëzetë vjetësh, ajo as është shembur dhe as është vënë dorë për ta rikonstruktuar. Është mëkat që ajo ndërtesë e madhe dykatëshe, që dikur shërbente për bukuri si Bibliotekë Kombëtare, vazhdon të mbahet e mbyllur, për shkaqe të panjohura.
Po zjarri që ra papritmas në Bibliotekën aktuale Kombëtare dhe që asgjësoi disa mijëra libra, si mund të shpjegohet? A ndodhi nga shkaqe natyrore, apo nga veprime ose mosveprime njerëzore?
Mos ka pasur e ka edhe aty ndonjë “Vangjush” a “Vangjushkë”? Si është e mundur që ajo ngjarje e paparë në historinë e kësaj Biblioteke dhe që tronditi kryeqytetin e mbarë Shqipërinë, të mbetet pa asnjë fajtor? Dihet se për objekte të kësaj rëndësie, ligji parashikon një varg masash parandaluese, për mbrojtjen nga zjarri dhe për rreziqe të tjera të mundshme. Drejtoria duhet të kontrollojë zbatimin e tyre me përpikmëri. Policia zjarrfikëse është e detyruar të ushtrojë kontroll të rregullt kohëmbaskohe. Janë të punësuar aty edhe elektriçistë të mirëmbajtjes, të cilët përgjigjen për çdo difekt që ndodh. E megjithatë, mbas atij zjarri e dëmi të madh të shkaktuar, “faji mbeti jetim”. Askush nuk e mori përsipër dhe të gjithë dolën “pa u lagur aspak”.
Ndërkohë, edhe pse kanë kaluar disa muaj nga ajo ngjarje, nuk është bërë transparenca e plotë për publikun e gjerë. Nuk është treguar qartësisht se si dhe pse u shkaktua zjarri. Kujt i bie përgjegjësia kryesore për atë dëm të madh. Drejtuesit e Bibliotekës nuk mund të mbrohen me formulën e zakonshme “një shkëndijë elektrike”, kur kemi të bëjmë me një objekt të një rëndësie të veçantë dhe jo me një ndërtesë të çfarëdoshme. Ende sot nuk është bërë bilanci dhe nuk është dhënë informacioni zyrtar se sa libra u shndërruan në hi dhe cilët ishin ata. Biblioteka Kombëtare nuk i është kthyer normalitetit dhe nuk ka rinisur t’u shërbejë lexuesve me librat që u nevojiten.
Në pamjen e jashtme, ky institucion shtetëror me emrin kumbonjës “Biblioteka Kombëtare”, duket sikur funksionon normalisht. Sepse hapet e mbyllet rregullisht. Dhe po rregullisht paguhen një numër jo i vogël punonjësish, që nga rojet, pastrueset, nëpunësit e thjeshtë e deri tek “punonjësit shkencorë” dhe drejtoresha. Kësaj të fundit, nuk është çudi që një ditë t’i jepet ndonjë titull nderi a dekoratë, siç iu dha paraardhësit të saj, titulli më i lartë, “Nderi i Kombit”.
Komentet