Në Shqipëri drejtuesi i Partisë Demokratike Lulzim Basha po kërkon një mandat të dytë në krye të forcës kryesore opozitare në votimet që do të mbahen nesër. Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 25 Qershorit dhe kritikave të forta nga brenda, që e bëjnë atë përgjegjësin kryesor, zoti Basha gjatë gjithë fushatës i është përmbajtur qëndrimit se rezultati ishte diktuar nga shitblerja e votës. Ai nuk i është përgjigjur akuzave të shumta për mënyrën se si ka drejtuar partinë apo dhe organizimin e garës për kryetarin, ndërsa premton se në të ardhmen vendimmarrja do t’i kalojë anëtarëve të thjeshtë:
Fushata e zotit Basha u zhvillua e mbyllur, dhe për publikun u servirën vetëm pamjet dhe deklaratat e përzgjedhura nga stafi i tij. Mediat asnjëherë nuk u pranuan të ndiqnin takimet dhe as ato pak raste debati që zhvilloi me rivalin tjetër në garë Selami, pas kërkesës së këtij të fundit.
Në takimet e para të fushatës së tij zoti Basha deklaroi se “Marr përgjegjësitë e mia dhe pranoj përgjegjësitë e mia në këtë proces. Gabimet e mia janë të gjitha politike, sepse prej minutës së parë asgjë se kam bërë për veten time, për pushtetin tim, apo për karriken time, por gjithcka e kam vënë në funksion të Partisë Demokratike dhe demokratëve të thjeshtë”.
Por edhe gjatë vazhdimit të fushatës nuk u mësua se cilat ishin këto përgjegjësi dhe gabime. Opozita pësoi një nga humbjet e saj më të thella, por për zotin Basha rezultati ishte ndikuar nga shitblerja e votës: “Maxhoranca e dalë nga këto zgjedhje është një maxhorancë fiktive sepse nuk reflekton vullnetin e qytetarëve, por reflekton shtrembërimin e këtij vullneti përmes shit-blerjes së votës që tashmë është provuar katërcipërisht si varrmihësja e demokracisë tonë të brishtë”
Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, opozita ka humbur mbi 200 mijë vota. Megjithatë sipas zotit Basha, edhe demokratët nuk kishin dalë për të votuar në këmbim të parave: “Në Tiranë, vetëm për të mos dalë në votime, plani ka qenë 5 deri 15 familje opozitare për qendër votimi, pagesa 200 mijë lekë për familjar, jo për votues”.
Pas tre muajsh protesta opozita vendosi të hyjë në zgjedhje pas marrëveshjes së zotit Basha me kryeministrin Rama, një marrëveshje që sipas tij ishte bërë nën trysninë ndërkombëtare, por që nuk mund të përsëritet: “Marrëveshja e 18 majit na diktoi provën nën presionin ndërkombëtar, me Edi Rama Kryeministër, prova dështoi. Ajo që ne kishim thënë u provua, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, është armik i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kur flas për përballje totale, për zgjedhje të lira e të ndershme, sigurisht që s’ka asnjë shans lloj bashkëpunimi politik apo koalicioni me Edi Ramën. I vetmi shans është përballja dhe fitorja përmes përballjes”.
Ndonëse rrallë, të paktën në atë pjesë të bërë publike të fushatës së tij, zoti Basha ka sulmuar dhe kundërshtarët e tij të shumtë në parti, figura që u lanë jashtë listës së kandidatëve. “Çelësi është shpirti i pastër i demokratit. i atij që nuk pyet se kur me vjen radha për t’u bërë deputet por vjen në betejë sa herë ka betejë për vlerat për të cilat kemi lindur dhe luftojmë”
Zoti Basha ka mbrojtur projektin e tij të Republikës së Re e cila sipas tij nënkupton që fuqia e vendimmarrjes t’i kalojë anëtarëve të partisë: “Republika e Re është një raport i ri midis shtetit dhe qytetarit, se që këtej e tutje jo thjesht rekomandimet, por përcaktimet e përfaqësuesve për deputetë, për bashki dhe për këshilltarë bashkiakë, dhe çdo zyrë të zgjedhur publike apo brenda Partisë Demokratike duhet të vijnë me një anëtar-një votë nga anëtarët e PD”
Rivali në garë Selami është shprehur për një garë me kushte të pabarabarta. Kundërshtarët e zotit Basha kanë ndërmarrë një tur në disa qytete ndërsa flasin për një garë farsë me një rezultat të paracaktuar. Vetë zoti Basha i ka mëshuar shpesh idesë së bashkimit, por në rast fitoreje, ai rrezikon të ketë frenat e një partie të përçarë si kurrë më parë.
Komentet