Një klithmë për intelektualët e harruar
Duke lexuar, kohët e fundit, një nga librat e shkrimtarit të madh suedez Stig Dagerman (1923-1954) u ndala tek disa mendime të tij për fatin e njeriut, që luhet kudo dhe në çdo kohë, gjithmonë në sintezë me fatin e një kombi akt i njerëzimit.
Dagerman nënvizon: “Të flasësh për njerëzimin, është si të flasësh për veten. Në padinë, që individi ndërmerr, pafundësisht ndaj njerëzimit, është dhe ai vetë i përfshirë, dhe gjëja e vetme që mund ta nxjerrë të pafajshëm është vdekja. Është domethënëse, që ai e sheh veten vazhdimisht në bankën e të akuzuarit, qoftë edhe kur është gjykatës. Kurrrëkush nuk mund të pretendojë se një shoqëri, ose dhe njerëzimi po kalbëzohen pa vënë re më parë shenjat e kalbjes tek ai vetë. Kurrëkush nuk mund të thotë që qenia njerëzore është e keqe, pa dalë ai vetë i larë nga veprimet e liga. Çdo qenie njerëzore është subjekt i përjetshëm i njerëzimit dhe jep në jetën e tij ndihmesën e vet, me hir a pahir, në shtimin apo pakësimi e lumturisë dhe mjerimit, madhështisë apo poshtërsisë, shpresës apo pashpresës së njerëzimit.”
Shkrimtari francez Le Clezio, në ligjëratën që mbajti me rastin e fitimit të çmimit Nobel, e përmend Stig Dagermanin duke theksuar se fati i shkrimtarit në shoqëri tregon statusin dhe nivelin e lavdisë, apo të rënies së shoqërisë.
Në këto përsiatje të pashmangshme për një njeri të letrave si unë, m’u kujtua varrimi madhështor dhe shtetëror i Dritëro Agollit para ca kohësh. Në ceremoninë e pazakontë folën 11 oratorë, por kryesisht zotëronin dy politikanët kryesorë, kryetari i PS-së dhe kryetari i LSI-së. I fundit foli Tajari, vëllai i Dritëroit, që në fakt u shpreh në mënyrë më kuptimplote dhe më shpirtërore, sesa të tjerët. Në mënyrë të habitshme në funeralin e Dritëro Agolit në varrezat e Tufinës, në vend që ta përcillte shkrimtarin e shquar në banesën e fundit fjala autoritative e një shkrimtari të njohur, për arsye të pakuptueshme foli një politikan. Dhe mua m’u kujtuan funeralet e shkrimtarëve këto 10 vjetët e fundit. Në funeralin e Qamil Buxhelit, foli vetë Dritëro Agolli. Në funeralet e Vath Koreshit, Frederik Rreshpjes, Koçi Petritit, Skënder Drinit, Lirim Dedës, kam folur unë. Kujtoj, sidomos, funeralin e poetit Frederik Rreshpja, një nga lirikët më modernë, dhe më të mëdhenj shqiptarë, ndaj të cilit asnjë politikan, asnjë deputet, as ministri i Kulturës së kohës, nuk shprehën ngushëllime dhe nuk e nderuan në përcjelljen e pakthyeshme. Të tërë emrat e pushtetit, tashmë janë krejt të harruar, ndërsa emri i Frederik Rreshpjes nuk do të harrohet kurrë.
Po i përmend këto episode për të vërtetuar se nëse vërtet, iu bë një ceremoni mortore shtetërore Dritëro Agollit, ne nuk duhet të mendojmë se politikanët e Shqipërisë, se klasa parapolitike shqiptare, me një nivel të dyshimtë dhe ambiguid kulturor, gjoja ka një qëndrim të drejtë ndaj letërsisë dhe kulturës. Ky është thelbi i thelbeve që unë dua të kontestoj.
Të gjitha rastet flasin qartë, se statusi i shkrimtarit, i njeriut të artit dhe të kulturës, nuk ka asnjë rëndësi për politikanët e radhës të Shqipërisë. Në 2006 me ardhjen në pushtet Berisha më hoqi nga detyra që kisha si Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe për fat të keq askush nuk protestoi, asnjë nga miqtë e mi shkrimtarë nuk tha ndonjë fjalë për mua, asnjë nga deputetët e PS-së nuk e ngriti zërin në Kuvend. Kjo ka qenë tronditëse për mua. PD më la 10 vjet pa punë. Por dhe kur PS i fitoi zgjedhjet në 2013, paradoksalisht, asnjë nga miqtë e mi deputetë, apo dhe shkrimtarë nuk e ngritën zërin që të rikthehesha në punë edhe për hir të dinjitetit dhe së drejtës, për të riparuar një padrejtësi njerëzore dhe kulturore. Dhe kështu unë dola në pension (me një pension qesharak), krejtësisht i nënvleftësuar nga politika, ndonëse gjatë këtyre viteve, jo thjesht për arsye ekzistenciale, por edhe të vetëdijes time krijuese, kam punuar dhe kam qenë i pranishëm në publik. Në këtë mënyrë ne mund të heqim perden për të zbuluar kokën e Meduzës, për të parë, se këto 26 vjet politika shqiptare e ka lënë në mjerim të plotë njeriun e kulturës. Është politika që e shkatërroi institucionin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, dhe sot ne jemi i vetmi vend në Europë, ndoshta dhe në botë, që nuk kemi një organizatë të shkrimtarëve dhe të artistëve, asnjë gazetë letrare, asnjë revistë etj., pra vetëm një negativizëm të plotë nga ana e shtetit dhe e politikës. Po kjo është ulëritëse, kjo gjë tregon që Shqipëria letrare, më e ndritura dhe më e shquara në shekuj, është e nënvleftësuar dhe e poshtëruar nga Shqipëria politike.
Dikur poeti i madh amerikan Ezra Pound shkroi: “Kur zbehet poezia, nis vdekja e kombit.”
Ndërsa Poul Eluard ka shënuar: “Le dur dêsir de durer” – d.m.th, “Dëshira e dhimbshme për të mbetur”, është substanca e çdo krijuesi.
Gjithashtu sjell ndërmend shkrimin e famshëm të Jean Poul Sartre për vdekjen aksidentale të Albert Camys i cili e quan veprën e një shkrimtari si pjesën më konceptuale të historisë moderne.
Para ca ditësh mora në telefon njeriun e pazakontë e letrave shqipe dhe tashmë krejtësisht në dukje i harruar, Fatos Arapin.
Herë pas here e marr në telefon Fatos Arapin, sidomos në fundvitin e kaluar, për t’i uruar vitin e ri. Por kaloi shumë kohë që zilja e telefonit binte dhe askush nuk e ngrinte receptorin, një situatë absurde si ajo në romanin “Kështjella” të Franz Kafkës.
Më në fund e ngriti receptorin Tolka, djali i Fatos Arapit. E pyeta për Fatosin dhe kërkova të bisedoja me të. Mbas gati 2 vjetësh që nuk kisha komunikuar, bisedova me poetin.
Zëri i dridhej dhe foli me ngashërim: Faleminderit, Moikom! Më kanë harruar të gjithë!…
Nuk është e vërtetë, i thashë. Ty, të kujton dhe do të kujtojë historia. Kjo është e vetmja kujtesë.
Në vitin 1999, pra 18 vjet më parë, unë kam botuar shkrimin e fundit për Fatos Arapin në shtypin shqiptar. Shkrimi quhej “Një 70 vjetor i pafestuar”. Imagjinoni që gjatë këtyre viteve emri i Fatos Arapit ngjan si i balsamosur në një shurdhëri të pafund.
Fatos Arapi është i biri i Tol Stavre Arapit, një intelektual i njohur, një atdhetar, i cili në 1914 botoi në 20 faqe poemën “Kuçedra”, si dhe la në dorëshkrim librin me publicistikë “Që të bëhet Shqipëria” (u botua në 1996). Fatosi që në vitet ’60 qe një mjeshtër i spikatur dhe autoritativ i modernitetit të poezisë shqipe. Ai është një nga emrat e mëdhenj të letërsisë.
Poezia e tij i kapërcen dimensionet e Shqipërisë dhe është padyshim e nivelit evropian. Në vitin 2008 duket sikur heshtja e anonimatit u thye në mijëra copa. Fatos Arapit iu dha çmimi ndërkombëtar i poezisë i Strugës, që e kanë marrë poetët më të mëdhenj të botës në shek.XX.
Kështu, Fatos Arapi ka marrë çmimin ndërkombëtar më të lartë, nga çdo poet tjetër shqiptar. Dhe pas kësaj, përsëri bie heshtja mbi Fatos Arapin. Deri më sot.
Kam në bibliotekën time librin studimor “Këngë të moçme shqiptare”, botuar në 1986. Këtë libër Fatosi ma ka dhuruar në shtëpinë e mikut të përbashkët, piktorit të popullit Abdurrahim Buza në 11 nëntor 1986. Ky libër është studimi më serioz që është bërë ndonjëherë në shkencën shqiptare për një trashëgimi të pashembullt poetike siç është Eposi i Veriut.
Dhe Fatos Arapin asnjëherë nuk e bënë akademik.
Fatos Arapit nuk ia ka festuar kush datëlindjet e plota siç ishte 75 vjetori, 80 vjetori, 85 vjetori etj. Si ka mundësi? Si ka mundësi që ky njeri të harrohet kaq mjerueshëm dhe kaq në mënyrë paradoksale nga politika? Nga ministrat e ashtuquajtur të Kulturës gjatë këtyre 26 vjetëve?
Në të vërtetë Fatos Arapi nuk ka nevojë për asnjë ceremoni groteske dhe për asnjë nderim shtetëror. Duke qenë një nga krijuesit më të talentuar të kohërave moderne, ai ka vendin e tij të parrëzueshëm dot në letërsinë shqipe.
Dhe kjo jo për të tingëlluar thjesht ngushëlluese, është plotësisht e vetëmjaftueshme. Deri në amshim. Duke e përmendur emrin e Fatos Arapit për të prekur nervin e opinionit publik, unë nuk bëj gjë tjetër veçse i shërbej një të vërtete, duke dashur që të ndryshoj raportin e mbrapshtë, mjeran, të politikës ndaj kulturës. Ata që kanë sy, do të shikojnë. Ata që kanë veshë, do të dëgjojnë.
Duke i uruar jetë të gjatë, sa më të gjatë, kolegut tim të përkorë dhe të përvuajtur,Fatos Arapi, jam i bindur se vetëdija artistike e një kombi fuqizohet nga emrat e shkrimtarëve të shquar, që janë të patjetërsueshëm dot. Ja, dhe shkrimi im i para 18 vjetëve:
NJË 70-VJETORI I PAFESTUAR…
Për një rastësi të vetëkuptueshme, d.m.th. të pamenduar më parë, kurrë nuk më kish shkuar mendja që pikërisht në qytetin e Strugës do të mësoja diçka, në dukje të pabesueshme, se më 19 korrik të këtij viti poeti Fatos Arapi kishte mbushur moshën 70-vjeçare.
Kritiku Ali Aliu kishte ndikuar që me rastin e 70-vjetorit, poetit t’i botohej një libër poetik i përkthyer në maqedonisht. Poeti shqiptar dhe njëkohësisht përkthyes, Resul Shabani, prej gati një viti kishte punuar në mënyrë të ngjeshur dhe ia kish arritur qëllimit.
Kështu mora në duar librin poetik në maqedonisht të Fatosit të quajtur «Ditë me trishtim». Titull vërtet emblematik. Sa shumë trishtim ka midis nesh! Trishtimi për ekzistencën tonë, për mungesën e përsosjes morale, trishtim për kujtesën e shkatërruar, trishtim për zhbërjen e moralit, trishtim për vulgaritetin e rëndë, trishtim për boshësinë e dinjitetit, të finesës dhe mençurisë, trishtim për vetveten tonë dhe trishtim për të tjerët.
Në një çast nuk guxova t’i uroja ditëlindjen Fatos Arapit. Bisedova me të për gjëra që nuk kishin lidhje, ose ishin skajshmërisht të largëta me atë që në thelb unë mendoja. Shfletoja librin që mbaja në dorë dhe dukej se asnjë kalendar dhe ngjarje nga më të habitshmet nuk do më ndikonte kaq shumë në ndjesitë e mia, sesa ky libër jubilar.
Fatos Arapi nuk e jepte veten, por nuk qe e vështirë të kuptoje paraqitjen e tij. Askush nuk u kujtua në Shqipëri që të festonte 70-vjetorin e poetit, as miqtë e tij (pse vallë në botë ekzistojnë miqtë?!), as Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, as Akademia e Shkencave, as ish-kolegët e tij profesorë universiteti, as ish-nxënësit e tij, madje as kritikët dhe as ithtarët jo të paktë të artit të Fatos Arapit.
Duke i shkruar këto rreshta më duhet të bëj një sqarim publik: është fjala për një dëlirësim për të gjithë. Nëse nuk ka rëndësi jubileu i një poeti të vërtetë dhe të shquar si Fatos Arapi, ahere përse kanë rëndësi gjërat e tjera më pak të rëndësishme ose negativisht të rëndësishme? Nëse shoqëria shqiptare nuk di të nderojë, atëherë pse kjo shoqëri ka të drejtë të quhet një bashkësi e njerëzve me vetëdije shoqërore dhe të emancipuar? Mosrespektimi i poetit është mosrespektimi i kuptimit më të vërtetë dhe më vizionar të jetës.
Poeti Fatos Arapi është pa dyshim një nga poetët shqiptarë më origjinalë. Arti është përvoja e tij kolosale e koncentruar, është ftesa që poeti na bën ne të gjithëve në ato vise të mëdha të amshimit të shpirtit që nuk vdes, sepse është vdekja që ka frikë prej tij.
Përtej deklaratave ceremoniale, sipas fjalëve plot cilësore herë-herë të bujshme, por të gënjeshtërt, larg rutinave të neveritshme e vlerësuese dhe mossinqeritetit kaq të dendur, rasti i 70-vjetorit të lindjes së Fatos Arapit është një nga simbolet më kuptimplote dhe më të lexueshme për të zbërthyer diçka tejet të pazëvendësueshme të strukturave shpirtërore të deformimeve, të thyerjeve dhe të brerjeve në kujtesën kombëtare. Ky rast na qorton dhe na vë në mendime. Po ky rast në asnjë mënyrë nuk na ngushëllon dot. Ajo që ka bërë poeti për letërsinë dhe kulturën e kombit të tij është e pashlyeshme. Ajo që të tjerët mund të bëjnë për poetin është përherë e mangët, duhej të bëhej dhe nuk është bërë, harresa është vërtet një trishtim i pakapërcyeshëm, por është dhe shpesh harresë konvencionale.
70 vjet më parë, në Vlorë lindi ai fëmijë që sot ne e njohim me portretin e Fatosit.
Në ishullin e vogël të Zvërnecit, ku është manastiri i motshëm, mes erës së bimës së rigonit, mes flladitjeve të ujërave të liqenthit dhe të detit më tej, mes drurëve dhe klimës tipike jugore, mes përrallës së artë të Jugut shqiptar, u ngjiz dhe u krijua artisti i poezisë. Brenda manastirit ruhet ende dhe sot një pllakë mbivarrore kushtuar një pinjolli të shekullit XIII, të cilit i është kushtuar edhe një epigram poetik. Unë e kam përkthyer dhe botuar shumë vite më parë këtë epigram dhe i kam thënë mikut tim shumëvjeçar, Fatos Arapit, se ndoshta te kjo epigramë poetike shihet një nga sekretet, pse pikërisht në peizazhin e Zvërnecit Fatos Arapi u frymëzua tërë jetën për të bërë atë që tashmë nuk mund të ç’bëhet dot më.
Fatos Arapi hyn te poetët më të mëdhenj modernë të poezisë së Shqipërisë. Ai së bashku me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin bënë ndryshimin më të rëndësishëm konceptual të poezisë shqipe që nga koha e Migjenit të madh.
Kështu në vitet ’60 të këtij shekulli poezia shqipe përjetoi një nga kulmet më të ndritshme të modernitetit të saj, që nuk kishte të bënte vetëm me sistemin e brendshëm figurativ stilistik dhe veçanërisht metaforik, sesa – dhe kjo është më e madhja dhe s’duhet harruar asnjëherë – me dimensionimin për herë të parë të poezisë shqipe me poezinë më të shquar botërore. Këtë gjë e kish bërë dikur De Rada me Naim Frashërin, Serembe, Lasgush Poradeci, Mjeda dhe Migjeni. Por atë që bëri brezi i talentuar i viteve ’60 duhet ta vlerësojmë jo vetëm kronologjikisht, sepse cilësia nuk është thjesht një tregues i kronologjisë. Cilësia e madhe e poezisë e kapërcen dhe nuk e përfill kronologjinë.
Fatos Arapi është poeti i përsiatjeve të thella meditative. Ai solli risi që nuk ishin më parë në poezinë dhe poetikën shqiptare. Këto gjëra ai nuk i solli rastësisht. Në art, ashtu si dhe në shoqëri, nuk ka dukuri absolutisht të rastësishme, përkundrazi.
Nga tre emrat e mëdhenj Kadare, Agolli, Arapi, ky i fundit është më i madhi në moshë, por çuditërisht nuk ta jep këtë përshtypje. Të paktë janë ata që e dinë këtë saktësi të moshës. Në të vërtetë ai ka botuar librin e parë “Shtigje poetike” në moshë të pjekur, pra, ky libër nuk është aspak libër i një fillestari, por një libër i tillë që ndryshoi diçka përfundimisht në poezinë shqipe. Në raport me Kadarenë dhe Agollin, Arapi ka botuar më pak. Ai i ka kushtuar më tepër rëndësi poezisë në vetvete. Midis dy poetëve bashkëkohorë, të cilët bënë epokë në letërsi, Arapi u shfaq në dukje disi më i ndrojtur, por në thellësi po aq ambicioz sa dy të parët. Ai nuk ka gëzuar vlerësimet sipërore të kritikës, por për një lexues të mençur, që ka kujdes të posaçëm për të vlerësuar letërsinë, poezia moderne e Fatos Arapit është një poezi kaq e veçantë, kaq rinore dhe moderne sa herë-herë të krijohet përshtypja se jo vetëm që nuk është më i madh në moshë se Kadareja dhe Agolli, por ndoshta ka lindur një 10-vjeçar më vonë se ata. Ky sens, ky atribut i një rinie poetike është ndoshta më i çuditshmi dhe më tipiku për Fatos Arapin. Ai që në fillim qe më afër modernitetit dhe prirjeve bashkëkohore mediative të poezisë së emancipuar shqipe. Ai ka ndikuar në disa kuptime më shumë në një ndërlidhje të poezisë cilësore. Ndoshta këtu kritika mund të vinte më mirë dhe si duhet theksin. Ndoshta këtë kritika do ta bëjë në të ardhmen.
Nuk kam ndërmend të përcaktoj vendin që zë Fatos Arapi në mozaikun letrar të Shqipërisë. Ai është i spikatshëm dhe i qartë, me gjithë ndërlikimet dhe herë-herë metaforat hermetike të tij. Ai është kërkues dhe i shqetësuar, ai është vetvetja, sepse flet për herë për veten, por jo si njeri i vetëm, por si tërësi e njohjeve, ngacmimeve, mbresave fantazive. Fatos Arapi reflekton epokën në mënyrën e tij, eposi i përgjakur i luftës është zanafillë e madhe, por nuk mungojnë zhgënjimet, ai pikturon peizazhet detare, pendohet që nuk i ndenji nënës pranë në çastin e vdekjes.
Në muzeun e fjalës krijon një cikël epitafesh poetike për të rënët, bisedon me të vdekurit, sikur edhe vetë është i vdekur, duke qenë së bashku të gjallë.
Ajo që dua të theksoj është tragjikja e dashurisë së tij. Poezitë e tij të dashurisë janë klithma dhimbjeje. Përherë është i etur me një pagjumësi mitike.
Madje, dhe tani në moshën 70-vjeçare, si dikur patriarku lirik Lasgush Poradeci, çuditërisht Fatosi shkruan motive dashurie. Atëherë, pse thuhet se njeriu pas të 50-ve nuk mund të dashurojë më, pra s’ka pse të shkruajë, ose të mbijetojë në lirikat e dashurisë? Fatosi nuk e pranon këtë mohim ekleziastik. Ai shkruan për dashurinë, sepse jeta e tij ka qenë vetëm një kërkim argonauti ndaj dashurisë. Ai në metaforikën e dështimit të paskajshëm kërkon të shkruajë në ajër diçka për fatin e tij, shikon zogun e janarit, që shpupuritet ngricave të gjurmëve të së dashurës (përherë e papërcaktuar, përherë mitike, përherë e përralltë, ideal, iluzion, paarritshmëri!”); çdo takim është si një sinkopë, shigjetat e orës ngatërrojnë drejtimet, ndërsa krizantemat shkojnë drejt varreve, ashtu si shpirtrat, më tej duket një pulëbardhë e vrarë… por poeti ishte deti, që e përkundte në gji, sepse asnjë perëndi lufte nuk mund ta mundte dot të dashuruarin, megjithatë si të rronte poeti me xhelatët e dashurive të tija? Dhimbje dhe mosrealizim. Poezitë e fundit të Arapit kanë ngjyra të errëta si poezitë ekzistenciale të Migjenit. Ai e di se koha shterpë gjoja është shtatzënë me Prometejtë, njeh ambiguitetin e shoqërisë, kultin e neveritshëm të parasë, kërkon moralin që nuk e gjen.
Poeti mediton i mbështetur tek Ura Mirabo e Apolinerit në Paris, apo kërkon të takojë hijen e Robert Desnosë, por mbi të gjitha, ai martirizohet nga imazhet e Shqipërisë. Pak a shumë, ky është mjedisi i poezive të kohëve të fundit të Fatos Arapit.
Fatos Arapi nuk është vetëm poet. Ai ka shkruar prozë, është marrë me drama, me përkthime dhe sidomos me studime mbi folklorin shqiptar, madje dhe me analizat politike të çështjes kombëtare shqiptare. Herë-herë ai mbetet në hije padrejtësisht. Nuk është një subjekt i përhershëm i publicitetit. Ky është fati i tij. Megjithatë, ai s’duhet të ankohet për fatin. E them me bindje që s’ka pse të ankohet. Ai ka arritur atje ku të tjerët e kanë të vështirë të arrijnë.
Ai ka bërë diçka origjinale, që të tjerët nuk mund ta bëjnë dot, as ta përsëdytin.
Këto rreshta me rastin e 70-vjetorit të pafestuar të Fatos Arapit unë nuk i shkruaj në formën e një apeli, as nuk dua të ngacmoj ndërgjegjen e të tjerëve, as ndërgjegjen time. Mund të kalonte ky 70-vjetor pa u përmendur fare, po kjo nuk do të thotë se ky jubile nuk ekziston, nuk qe, ose nuk dihet. S’është hera e parë që poetë të rëndësishëm duket sikur harrohen. Por në të vërtetë asnjëherë nuk harrohen. Në të kundërt, shumë shkrimtarë mediokër janë subjekte të bujshme të publicitetit dhe befas, domosdoshmërisht pëlcasin dhe zhduken si flluska në erë.
Fatos Arapi është lidhur ngushtë me kulturën shqiptare. Ai nuk është në sipërfaqe, por në thelbin e saj.
Komentet