TIRANE – Drejtësia për Artan Santon, bankierin që para një viti u vra në mënyrë demonstrative, duket se po ecën me hapa të sigurt, për të vërtetuar tezën se “vonon, por nuk harron”. Ditët e fundit, kryesisht në tavolinat ku oficerët e krimeve kalojnë pak kohë të lirë, janë shtuar zërat për identifikimin e dy djemve që shkrepën 6 plumba pistolete 26 qershorin e vitit që lamë pas. Diskutimet rrahin kah ekzekutorëve, pasi porositësit, si “peshq” të mëdhenj mund ta ndiejnë veten ngushtë vetëm nëse vrasësit flasin. E këtyre të fundit duket se laku po u ngushtohet, pasi grupi hetimor, prej më shumë se një viti, ka mbledhur prova që konsiderohen të mjaftueshme për arrestime. Mjeshtëria e eliminimit profesional të Santos ka doza perfeksioni kur vjen puna te përgatitja e planit, skema e ndjekjes me motor dhe vrasja për pak sekonda me pistoletë me mulli, e cila nuk lë gëzhoja në vendngjarje. Por, siç konfirmojnë tezat e kriminologëve të njohur “një gjurmë gjithmonë mbetet”. Kjo gjurmë quhet barium, element kimik, pjesë përbërëse e plumbit (fishekut). Dyshimet e fundit janë që kushërinjve nga Fushë-Kuqja, Klodian dhe Gazmir Gjozi, që u kapën nga policia, pak ditë pas vrasjes së Santos dhe që më pas u lanë të lirë nga gjykata, u është gjetur në duar ky element. Të njëjtat burime të Policisë së Shtetit, që bënë të ditura për gazetën “Shqip” zbulimin e provave të reja, shtojnë se grupi hetimor ka tashmë në duar material të zgjeruar edhe me përgjime telefonike apo ambientale, survejime, monitorime lëvizjesh, dëshmi, etj. Dosja voluminoze, përveç oficerëve të policisë, po përpunohet nga prokurorë dhe gjykatës. Një element befasues, që me ç’duket u ka dhënë shtysë hetimeve intensive është deklarata mjaft e drejtpërdrejtë e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ka implikuar si të akuzuar për vrasjen e Santos, Durim Bamin, ose Durin nga Fushë-Kruja (personin që sipas Tom Doshit, ishte porositur nga Ilir Meta që për 500 mijë euro të vriste dy deputetë). Pra, rinxjerrja në skenë e emrit të 36-vjeçarit nga Fushë-Kruja, nga një ministër i Brendshëm, është një tregues pozitiv që flet për përparim të hetimeve dhe aq më tepër nëse shtohet fakti që Fushë-Kuqja, vendbanimi i kushërinjve Gjozi, nuk është larg me atë të Durit nga Fushë-Kruja. Prej 8 majit, me një vendim të Gjykatës së Lartë, ai ndodhet në “arrest shtëpie”, për çështjen e komplotit që prokuroria e cilësoi të trilluar për vrasjen e deputetit Tom Doshi dhe Mhill Fufi. Saimir Tahiri, i pyetur nga prokurori i Krimeve të Rënda, Adnan Xholi, ka thënë për Bamin se “kisha të dhëna se mund të ishte i përfshirë në vrasjen e Santos dhe për një sërë ngjarjesh kriminale”. Ndërsa komploti për vrasjen e dy deputetëve, sipas Tahirit, bëhej “se Toma do të jetë në qendër të vëmendjes së Kryeministrit, ose për të mbuluar një ngjarje tjetër kriminale që, sipas meje, ishte diçka që kishte të bënte me Santon”. Burimet policore, ndonëse me rezerva, pranojnë një “pakt të heshtur” të sistemit të drejtësisë, për të arritur në zbulimin e emrave të vrasësve të Santos. Kësisoj, lënia e lirë e kushërinjve Gjozi dhe “arresti shtëpiak” i Bamit, sipas këtyre burimeve, mund të jetë bërë për shkak të mbledhjes së provave të mjaftueshme, që do të përdoreshin në gjyq, si bisedat e mundshme mes tyre që më 26 qershor 2014 e deri në ditët e sotme. Gjykata çmoi asokohe, kur liroi kushërinjtë Gjozi se gjetja e faktorëve plotësues të qitjes në duart e Klodianit dhe Gazmirit nuk përbënte provë të mjaftueshme. Ekspertët e Laboratorit të Policisë Shkencore insistonin në raportin e tyre se bariumi është element përbërës i fishekut dhe se nuk mund të merret gjatë saldimit apo shpërthimeve të guroreve, siç u argumentua gjatë gjyqit. Nga ana tjetër, drejtori i Hetimit të Krimeve dhe njëkohësisht zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardian Çipa, i kontaktuar në rrugë telefonike nga gazeta “Shqip” siguron se policia është pranë zbulimit të autorëve. “Hetimet kanë përparuar së tepërmi. Policia qendrore dhe ajo lokale kanë intensifikuar veprimet dhe mund të them se jemi pranë identifikimit të autorëve të vrasjes së Artan Santos”, – thotë Çipa. Më tej, burimet policore nuk lënë pa përmendur mbi 100 orë filmime të kamerave të policisë, bashkisë, institucioneve dhe ambienteve private, të cilat janë ekzaminuar këta muaj. Lëvizjet e motorit janë të dokumentuara, deri në çastin e humbjes së gjurmëve. Me dhjetëra dëshmi janë administruar në këtë dosje, ku më kryesorja është ajo e shoferit të Santos dhe personave që ishin pranë vendngjarjes ditën e vrasjes. Edhe dëshmia e një qytetari që pretendonte për një televizion se kishte dijeni për autorët me motor, gjithashtu është analizuar nga grupi hetimor. Deri më tani, gjithçka e trajtuar nga ekspertët e policisë, prokurorisë dhe drejtësisë i përket aspektit ekzekutiv të vrasjes së Santos, ndërsa për elementët porositës të këtij eliminimi mafioz ende veçse mund të hamendësohet mes dhjetëra tezave që rreken drejt interesave ekonomike, mediatike, apo edhe politike. Diku përflitet një kredi disa miliona euro nga persona që përfaqësojnë të tria interesat e lartpërmendura dhe diku tjetër diçka kuptohet me leximin përtej ndonjë deklarate zyrtare të policisë lidhur me këtë çështje, ka akuza dhe kundërakuza dhe në fund shfaqen hamendësime për pjesëmarrjen e porositësve në varrim. Familja nuk ka reaguar kurrë, veçse ka mirëpritur ngushëllime dhe shpreson në zbardhjen e së vërtetës. Ish-drejtori i “Credins Bank” dhe ish-bashkaksioneri i “Focus Group”, prej më shumë se një viti u mungon familjarëve dhe miqve. Zbulimi i të paktën atyre që i morën jetën do të mund ta zbuste disi dhimbjen për të afërmit, kurse gjetja e porositësit apo porositësve ngjan më tepër me një mision të pamundur për realitetin shqiptar.
Dëshmitë për motorin, ndalimi dhe lirimi i dy të dyshuarve Santo, nga eksperienca profesionale deri në vrasjen me 6 plumba pistolete
Artan Santo lindi më 7 Shtator 1956 në Tiranë dhe vdiq më 26 qershor 2014. Ai njihet si drejtori i bankës së parë shqiptare të nivelit të dytë, “Credins Bank”. Kjo Bankë, e cila u krijua në vitin 2001 nga një grup profesionistësh në fushën bankare, ishte nisma e parë e biznesit shqiptar i cili kaloi nga kapitali tregtar në atë financiar. Në Bankën e Kursimeve, në korrik të ’97-s emërohet drejtor i përgjithshëm. Biznesmeni Artan Santo nga viti 2009 e këtej njihej edhe si aksioner në dy grupe mediatike, fillimisht Televizion Scan me përmbajtje kryesisht ekonomike dhe në pas në 2011-n, grupi mediatik informativ i News 24, me Gazetën Shqiptare, Radio Rash dhe Balkanweb të cilët nga viti 2011 u bënë pronë e kompanisë shqiptare ‘Focus Group’ sh.p.k. Artan Santo ishte 58 vjeç, kur më 26 qershor 2014 u qëllua me 6 plumba pistolete, ndërsa tre prej tyre i morën jetën. Vrasja u krye në hyrjen në ambientet e bankës ‘Credins’, dhe dy vrasësit me motor nuk kanë devijuar fare rrugën, por kanë vazhduar drejt kryqëzimit që lidh Librin Universitar me Presidencën. Policia ka pasur informacion që mjeti motor me dy personat me veshje karakteristike motoristësh është parë në afërsi të Kodrave të Liqenit e më tej në Komunën e Parisit dhe më pas është shquar në rrugën e Rinasit nga një efektiv i rrugores. Në Fushë-Kuqe u kapën dy kushërinjtë Saimir dhe Klodian Gjozi. Për gjithë kohën kur ishin në paraburgim, ata e mohuan çdo lidhje me vrasjen dhe pretendonin se po saldonin atë ditë. Ata u lanë të lirë dhe policia tha se motori që iu gjet nuk ishte i njëjti nga ai që u përdor në vrasjen e Santos. Shoferi ka pranuar që atë motor e kishte vënë re ditëve të fundit edhe në lagjen ku banonte Santo me familjen e tij. Madje ka dëshmi që ky motor me këta dy persona prej shumë ditësh kanë vizituar lokalet e Bllokut, pasi mjeti dhe dy personat që gjendeshin me të, binin në sy. Shoferi mësohet se ka rrëfyer para policisë se e kishte shquar motorin në zonën e Liceut gjatë ditëve të fundit, por që nuk ishte kujtuar se ata gjurmonin Santon.
Komentet