AT GJERGJ FISHTA O.F.M.
(1871 – 1940) Grafikë nga F.Radovani (1991).
AT GJERGJ FISHTA (1871 – 1940) ISHTE, ASHT E DO T’JETË NDER SHEKUJ !
At Gjergj Fishta O.F.M.,asht le në fshatin Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Ishte i biri i Ndokë Simon Ndocit e i Prendes së Lazer Kaçit prej Kotrri me emnin Zekë.
Asht pagëzue nga italo-arbneshi At Leonardo de Martino, famullitar në Troshan.
1861 Shkolla e Fretënve (Etënve Françeskan) ishte hapë në Shkodër.
Në vitin 1880 në Troshan afër vendlindjes së Fishtës, françeskanët në kuvendin e tyne hapin Kolegjen ku Zefi vijon sërish mësimet në Troshan, Eprorët vendosin që t’a dërgojnë për studime të mandejshme në filozofi e teologji në Bosnje. Bosnja në këtë kohë sapo kishte fitue pavarësinë nga Turqia dhe katolikët studionin tek Urdhni françeskan. Në Bosnje françeskanët kishin një histori të mirë tradicionale të tyne me kisha, famulli, kuvende, kolegje e seminare. Mbas 5 vitesh studime në Troshan, Zefi u nis vetë i shtati më 1886 së bashku me At Ejëll (Sebastjan) Paliq, At Severin Lushaj, At Pjetër (Simon) Gjadri, At Loro Mitroviç (Pashko Mazreku), At Bona Gjeçaj dhe At Pashko Bardhin (Anton Nënshati me emrin e pagëzimit, Martin; Jozef Blinishti, me emrin Mhill).
Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Lexonte klasikët grekë e latinë si dhe Dante Alighieri (1265-1321),
Sikurse dëshmon biografi i parë i jetës së Fishtës, njikohësisht edhe koleg i tij At Pashko Bardhi. Fishta dallohej në provat e hartimeve në punimet filozofike, teologjike e letrare vjetore në gjuhët latine, italiane dhe kroate.
Fishta ideoi krijimin e një shoqnie të vogël letrare-artistike, e cila do të mund zhvillonte e të ruente traditat dhe vlerat ma të mira të kulturës shqiptare. Në një letër, e cila mban datën 2 shtator 1892, ndër 10 nënshkruesit ishte edhe emni i fra Gjergjit. Ruejti emnin Gjergj, emën me anë të të cilit ne sot e njohim poetin kombëtar. Emni i fundit Gjergj, në aspektin fetar, personifikim i Shën Gjergjit, martir, shek. V, dhe në anën kombëtare, emri i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Fishta shpenzonte pak kohë në përgatitjen e mësimeve, mjaftonte një lexim i vetëm që ai t’i riprodhonte gati krejt përmendësh.
Në vitin 1893 kandidati për meshtar kthehet në Shqipni, tashma i formuem edhe me kulturë gjuhësore në disa gjuhë (latinisht, italisht, kroatisht, frangjisht e gjermanisht), me njohuni mbi muzikën, artet figurative e letersinë).
Të dielën më 25 shkurt 1894 në moshën 23 vjeçare, tha Meshën e parë në Troshan. At Fishta caktohet famullitar i përkohshëm në famullinë e Gomsiqes.
Detyra e famullitarit i jepte mundësinë që të ishte vazhdimisht në kontakt me grigjën e tij shpirtnore dhe në këtë mënyrë të prekte me dorë e të kundronte për së afërmi cilësitë morale e shpirtnore të banorëve të këtyre maleve, doket, gjuhën shpesh enigmatike, bujarinë, nderen, besnikëninë, trimëninë, urtësinë, krenarinë, drejtësinë, vorfnninë ekonomike, mungesën e shkollimit, hakmarrjen, dëshirën për të kenë të lirë.
At Gjergj Fishta do të grumbullonte visarin gjuhësor, i cili do të ishte brumi me të cilin do të gatuente ma vonë veprën e tij letrare.
Në Gomsiqe; “…At Fishta do të njohë deri edhe skutat ma të thella, njerëzit që u bindeshin normave juridike të Kanunit, Kodit Zakonor të Shqiptarve ku asht pasqyrue shpirti i vërtetë i rracës.” “Në Gomsiqe, ishte koloriti i gjuhës së Zadrimës,”
Më 1899, At Fishta shkruen me alfabetin latin të françeskanëve.
Pra më 1899, falë miqësisë dhe admirimit që krijoi tek Abati Imz. Prengë Doçi, një nga personalitetet intelektuale ma të kulturueme të kohës, ky i fundit e ftoi At Fishten si bashkëthemelues të shoqërisë «Bashkimi» me Dom Ndoc Nikajn, e me At Pashk Bardhin, At Ambroz Marlaskajn, etj. Më 1899 themeloi Shoqëninë Letrare “Bashkimi” sëbashku me abatin të Mirditës, Imzot Preng Doçi, At Gjergj Fishta i zotnonte të gjitha nivelet e komunikimit në gjuhën shqipe Po at vit i vritet vëllai për gjakmarrje, që u ba shkak që ai të shfryhet mbi këtë fenomen në poezinë Gjaksorëve. Me gjith këta, ky e fali mejherë gjaksin e pashpirt, e bâni çmos deri sa i detyroi të vetët jo vetëm me e falë, por edhe me u miqasue ato dy shtëpi”.
1889 shënon fillimin e krijimtarisë letrare të Fishtës, e cila nis e publikohet së pari në revistën Albania të Faik Konicës, por gati e gjithë me pseudonime.
Po ashtu do të botojnë edhe në të perkohshmen Elcija (mâ vonë: Lajmtari) i Zemres së Krishtit.
Në 1902 emnohet sekretar i Komisariatit të Misionit Françeskan si dhe drejtor i shkollës Françeskane në Shkodër. Si i pari drejtor shqiptar i kësaj shkolle,
At Fishta vendos në programin mësimor në vend të gjuhës italiane, Gjuhën Shqipe në të gjitha landët.
Më 1911 u festue 50-vjetori i hapjes së saj, dhe me këtë rast u ba nji aktivitet kulturor, në të cilin nuk munguen me pjesëmarrjen e tyne autoritetet zyrtare, fetare, shërbimi diplomatik, (I konsullatës austro-hungareze), dhe shumë antarë të bashkësive të tjera fetare myslimane dhe ortodokse.
Me 24 mars 1912, programi i këtij aktiviteti ishte përgatitë prej vetë At Fishtës. E thirrun prej të gjithëve në Shkodër si shkollë kombëtare.
Në verën e vitit 1902, gjatë pushimeve të verës At Fishta shkonte në Rrapshë të Hotit për të zëvendësue famullitarin e atij fshati, Át Leonard Gojanin, e aty frati do të njihej e të lidhte miqësi me plakun Marash Uci, të cilin do ta përjetësonte ma vonë në vargje.
“Kënaqej poeti, tue veshtrue kallximet e kreshnikut të maleve mbi lufta, në të cilat ai vetë kishte pasë marrë pjesë si i ri. Përleshja te Ura e Rrzhanicës iu ngul At Fishtës në tru dhe, pa u largue nga ambienti i ushtarëve me çakçirë e kapuç të bardhë në krye, u vu ta përshkruej, ashtu si e kishte ndigjue nga luftari.”
Në vitin 1904 Át Pashk Bardhi, ndërsa nepte mësimin e gjuhës shqipe në Borgo Erizzo (Zara, Dalmaci) (Kroaci) dhe ishte kthye në Shkodër për pushime, merr prej At Fishtës për me lexue dorëshkrimin e disa kangëve dhe mbasi dha pëlqimin për to, vendosi m’i botue. Do t’ishte Faik Konica, botuesi i revistës Albania dhe njikohësisht miku i tyne, si dhe ndihma financiare e Ministrisë së Jashtme Austro-Hungareze, të cilët do të kontribuonin në botimin me titullin: Lahuta e Malsis – Kangë Popullore I – Marash Utsi. Do t’ishte kjo sprova nismëtare, që do t’i nepte edhe famën At Gjergj Fishtës. Edhe pse u botuen pa emën, At Fishta muer urime e lavde nga shumë miq, intelektualë shqiptarë mbrenda dhe jashtë Shqipnisë, si dhe nga albanologë të huej.
Në 1906 Luigj Gurakuqi do t’ia kushtonte At Fishtës veprën e vet Vargnimin n’ gjuhë Shcype, e cila asht metrika e parë në gjuhën shqipe.
Dy vjet ma vonë, 15 shkurt 1907, sëbashku me At Shtjefën Gjeçovin, themeloi të parën Bibliotekë shkollore në Shqipni, Po këtë vit pranë shkollës çon nji trupë teatrale amatore, në të cilën së pari do të vêntë në skenë pjesët e veta dramatike, si dhe përshtatjet nga gjuhët e hueja, tue vû kështu nji tjetër gur themeltar në kulturën kombëtare. Po këtë vit ai arriti me botue pjesën e dytë të “Lahutës” me titullin Vranina, në të cilën protagonisti ishte sivëllai i Marash Utsit, Oso Kuka.
Në vjeshtën e atij dimni At Fishta hapë kurset e natës për të rritunit, për të mësue shkrim e këndim dhe ma vonë krijon nji shoqni bamirse për fëmijët e vorfën, për të cilët siguron ndihma të ndryshme ushqimore dhe veshmbathje. Ky do t’ishte nji nga shembujt e dashnisë së krishtenë per të vorfnit e Shën Françeskut në mision.
Po këtë vit 1907 arrinë me botue në Sarajevë përmbledhjen satirike Anzat e Parrnasit, që At Fishta ua kushton “mikrobeve të Kombit” asaj frotës së shqiptarëve të shitun, pa ndërgjegje e moral mbi të cilët At Fishat lëshon pa mëshirë ironinë dhe sarkazmen e tij.
Në nandor 1908 mblidhet Kongresi i Manastirit. At Fishta sëbashku me Luigj Gurakuqin merr pjesë atje si përfaqësues i Shoqnisë Bashkimi, ku dhe mbajti ligjëratën “Për alfabetin latin”, që i dha udhëzgjidhje marrëveshjes për alfabetin.
Karrshi Dom Ndre Mjedës, Mati Logorecit, Hilë Mosit dhe Luigj Gurakuqit si përfaqësues nga Shkodra. Aty “Fjala plot kuptim, logjika dhe oratoria e françeskanit të Shkodrës, që e bante At Fishtën të dallohej ndër të tjerë, ku bani që nga 52 anëtarë të Kongresit të fitonte përvete 49 zâje porsi kryetar komisioni, të ngarkuem për studim të alfabetit. Ishte një triumf për fratin e përvuejtë”.
Simbas Prof. Karl Gurakuqit: “Kongresi e pau t’udhës të caktonte poetin kombëtar At Gjergj Fishtën ma fort në shenj nderimi dhe çmimi për veprat poetike”. Për Prof.Tomorr Osmanin përveç kësaj ai u zgjodh edhe për: “erudicionin e thellë, kulturën e gjërë, forcën e fjalës, mendjen e mprehtë dhe logjikën e fortë”.
Ditën e dytë të Kongresit të Manastirit At Gjergj Fishta mbajti nji fjalim të zjarrtë për vetitë e mira të shqiptarëve dhe për nevojat e tyne. Fjala e At Fishtës në Kongres simbas shtypit të kohës bani për vedi të gjithë delegatët, mjafton me sjellë këtu nji letër të At Pashk Bardhit dërgue At Shtjefën Gjeçovit, në të cilën i shkruen se fjalimi i At Fishtës “kishte ba me kja shumë kongresista dhe mbas fjalimit nji hoxhë toskë e ka marrë ngrykë me lot për faqe”. At Fishta tashma ishte ba një personalitet publik i veçantë në jetët e qytetit të Shkodrës, por edhe të gjithë Shqipnisë, përmes njohjes dhe bashkëpunimit me intelektualët ma të njohun, predikimeve, konferencave, fjalimeve publike etj. Jeta publike kishte ba që ai të merret e të trajtojë edhe çashtje politike.
Në të gjitha qeveritë shqiptare prej vitit 1912 e deri sa vdiq, ai kje përfaqësuesi i vërtetë i shqiptarit dhe i etnisë, kampion i mbrojtjes së të drejtave të popullit të vet. Françeskanizmi shqiptar falë kontributit të At Fishtës do t’ishte ai që njihet. Ai ishte ndër patriarkët e riorganizimit të Provincës. Në cilindo pozicion pune, famullitar, drejtor shkolle, bibliotekar, botues, sekretar province, guardian, definitor, kustod, e Ministër Provincial ai ishte shembulli i njeriut të përkushtuem, “.
Një avokat i përbetuem i integrimit të Shqipërisë në kulturën perëndimore të krishtenë.” Thotë Át Anton Harapi, nji prej kulturologëve ma të shkëlqyem shqiptar, n’artikullin ”Shqiptari i Madh”, në rastin e nji botimi përkujtimor mbi jetën dhe veprën e At Fishtës, më 1943: ”Kam ndollë vetë aty, kur njiditë, nji shqyptar i këthefit të vjetër, tue ankue për do shpërdorime të nierëzve të Shtetit me At Gjergjin, donte disi me përfundue, se s’ ka Shqypni. Fishta don t’ia spjegojë punën, se njerzt e Shtetit nuk janë Shqypnija, edhe plaku, per me i diftue se kishte mbetë i bindun, i thotë: Po na s’e kemi dijtë, more zotni…veç prej jush e kemi xanë shka asht Shqypnija!”.
Po këtë vit ai nisë me lexue e njikohësisht tuj studjue me kujdes e vëmendje veprat e Shekspirit e Molierit. Vitin pararendës ai kishte ngritë një teatër të vogël, i cili vijonte ashtu si me nismën e De Martinos. Kështu ai ven në skenë: Gjokë Tarçuku ase mjek përdhuni, I ligu për mend, Dredhitë e Patukut. At Fishta pati bashkëpunim me motrat Stigmatine, të cilat kishin ardhë në Shqipni në 1879. Ato mbasi kishin hapë në Shkodër shkollën e tyne për vajza (1876). 1925 e kthejnë me emnin Normalja e Stigmatineve,
Gjithashtu në 1908-1909 shkruen melodramat Sh’ Françesku i Asizit, e cila u shfaq me rastin e 700-vjetorit të Urdhnit Françeskan (1209-1909), e që u botue në 1912, Odisea, Ifigenija n’Aulli dhe Kryepremja e Shën Gjonit.
Po në 1909 boton në Zara Pika voeset, Shtypshkroja Vitalini, nji përmbledhje lirikash fetare, vepër së cilës ma vonë do t’ia ndryshojnë titullin në Vallja e Parrizit, por që kështu në botimin e parë ia kushton Luigj Gurakuqit.
Në 1911, më 19 dhetor, me rastin e 50 vjetorit të hapjes së shkollës françeskane nisë me shkrue dramën Juda Makabe, të cilën e përfundon vetëm mbas tre vjetësh, por këtu në këtë përvjetor u shfaq melodrama Shqyptari i qytetnuem, prej së cilës delte mesazhi i Shqipnisë së lirë, çka shkaktoi entuziazëm e brohoritje tek të ftuemit. At Justin Rrota kujton se “N’atë rasë, nepër dritën e llampave, prej korit së kangtorìs pàshë, ke burra me mustakë e pleqë me thìja, të përmalluem, kjajshin si fëmija”.
Po këtë vit falë autoritetit që kishte dërgohet nga qeveria turke në Podgoricë së bashku me Imzot Jak Serreqin dhe Dom Luigj Bumçin (1872-1945) si ndërmjetës për arritjen e marrëveshjes së paqes midis Portës së Lartë të Stambollit dhe malcorëve kryengritës të Malsisë së Madhe dhe të Mbishkodrës që u çuen kundër xhonturqve.
Më këtë rast nji vit ma vonë dekorohet nga Sulltani me dekoratën Mearif për shërbime paqe dhe humaniteti.
Më 28 janar 1912, Klubi “Gjuha Shqype” në pallatin ipeshkvnor në praninë e Imzot Jak Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe nji ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi At Fishtës nji kunorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit ai dekorohet dhe nga Mbretnia Austro-Hungareze me medaljen Ritterkreuz (1912), për kontributin kulturor në Shqipni, sikurse e përmendëm nga Turqia u dekorue me dekoratën Mearif (1912), qyteti i Beratit i dërgoi nji pupël ari (pendë) (1913), Piu XI Medaglia di Benemerenza (1925), Urdhni françeskan Lector Jubilatus (1929), Greqia Phoenix (1931); qeveria italiane e bani anëtar të saj, Academico d’Italia më 1939. Miqtë e tij të ngushtë do të ishin Imzot Prengë Doçi, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, At Pashk Bardhi, At Anton Zanoni S.J, At Pal Dodaj etj.
Nga tetori 1912 deri në fund të prillit 1913, kohë kur Shqipnia gjindej në prehën të pavarësisë së saj, dhe kur Imzot Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi mbanin në kontakt gjithë zhvillimin e ngjarjeve, për rreth shtatë muej Shkodra u rrethue nga ushtria malazeze ndersa At Fishta me Imzot Jak Serreqin ishin n’ Arqipeshkvinë e Shkodrës,
Më 12 qershor At Fishta ngriti Flamurin kombëtar në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, që dëshmon se edhe Shkodra u bashkue me Shqipninë mbas muejve të gjatë të rrethimit malazez. Në tetor të 1913 në prag të përvjetorit të parë të Pavarësisë, At Fishta themelon të përkohshmen Hylli i Dritës, nji nga revistat ma të mira në historinë e shtypit shqiptar. Qè si shkruhej në editorialin e parë të saj “Perlimi ase programi i së përkohshmjes sonë, s’âsht tjetër veç t’orvatunt për lulzim t’Fesë e t’Atdheut, për t’marë t’Familjes e të zhdrivillimit t’Dijes në Shqypni, shka âsht njà për njà si me thânë për gjytetni e përparim të vërtetë t’komit Shqyptar”. Këtu tek kjo revistë At Fishta do të tregojnë nji tjetër cilësi të formimit të tij kulturor: publicistikën e tij. Do të jenë me dheta artikujt letrarë, politikë, pedagogjikë e polemikë që do t’i napin nji tjetër përmasë personalitetit të tij. Hylli i Dritës mbas numrit të saj të dhetë, At Fishta botoi artikullin e famshëm “Nji komedi e pandershme e XX-ës qindvjetë”, në korrik 1914, që u ndërpre nga autoritetet ndërkombëtare (Komisioni i Kontrollit) sepse At Fishta e dënoncoi hapun për pandershmëri dhe pabesi hipokrizinë dhe intrigat diplomatike që baheshin në kurriz të shqiptarëve. Për pasojë drejtori i saj u padit në Romë prej qeverisë ndërkombëtare si njeri i rrezikshëm për qetësinë e vendit dhe u dënue nga koloneli anglez G. Philipps me 20 muaj burgim në Maltë. At Fishta iku mshehtas në Gomsiqe, tek Át Shtjefën Gjeçovi, mandej në Vig, ku ishte Át Pashk Bardhi e ma në fund në Troshan, ku shërbente Át Pal Dodaj, sepse vetëm atje mund t’ishte jashtë juridiksionit të ndërkombëtarëve, të cilët administronin vetëm Shkodrën.
Për fatin e At Fishtës shpërtheu Lufta I Botnore dhe ai doli jashtë vëmendjes. Më 28 Nandor 1913 u kremtue festa kombëtare, natë në të cilën u lidhën simbolikisht me drita kandilash, minarja e xhamisë së Fushë-Çelës me kambanoren e kishës së Gjuhadolit. Gjatë kësaj kohe u desht ndërmjetësia e Imzot Serreqit, Imzot Bumçit e Imzot Kolecit që internimi të pezullohej.
Filloi edhe Lufta e Parë Botnore dhe çeshtja e At Fishtës sikur u harrue, sepse ndërkombëtarëve ju desht të merreshin me të tjera gjana ma të rëndësishme.
Janari i vitit 1916 e gjen Shkodrën sërish të pushtueme, kësaj here nga austro-hungarezët, tashma jo për ndonji përfitim territorial, por ma tepër për justifikim strategjik.
Ky vit do të shënojnë tri ngjarje të randësishme për At Fishtën: Themelimin e revistës Posta e Shqypniës (5.12.1916 – 11.1918), instalimin e shtypshkronjës françeskane, si dhe krijimin e “Komisisë letrare” me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918). Më 3 gusht 1916 e themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, Rajko Nachtigall, Dom Ndre Mjedën, Mati Logorecin, Gjergj Pekmezin, Át Ambroz Marlaskajn, Át Shtjefën Gjeçovin, Sotir Pecin, etj. Komisia Letrare e Shkodrës hjedhi bazat e drejtshkrimit bazue mbi të dy dialektet e shqipes, si dhe punoi për nji terminologji të re për administratën shqiptare. Mbas disa diskutimeve Komisia vendosi të përdorej “dialekti i Elbasanit” si një kompromis asnjanës për gjuhën letrare, më 1923 me nismën e Sotir Pecit. Ky vendim binte mjaft në kundërshtim me dëshirat e At Gjergj Fishtës, për të cilin dialekti i Shkodrës ishte ma i përshtatshmi. At Fishta shpresonte se koineja shqiptare e Veriut së shpejti do të shërbente si normë letrare për të gjithë vendin, ashtu si gjuha e Dantes kishte shërbye si udhërrëfyese për italishten letrare.
Po këtë vit më 5 dhjetor 1916 del numri i parë i gazetës “Posta e Shqypniës” shqip – gjermanisht e subvencionueme nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat pushtuese nuk parakishin besim te At Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. Doli dy herë në javë për dy vjet me radhë deri më 23 nëntor 1918 (gjithsej 89 numra), dhe punën e drejtorit për pjesën shqipe e kreu Át Gjergji, i cili botoi aty afro 37 artikuj. Gazeta simbas At Fishtës ishte ”themelue për Kombin Shqyptar; veç po, artikuj kanë me u botue edhe gjermanisht, qi edhe dheu i jashtëm të dijë do punë tona, për të cilat Kombi mundet me pasë interesë…”.
1916 At Fishta sjell në Shkodër shtypshkronjën, e cila do të marrë emnin Shtypshkroja Françeskane, pra françeskanët tash e mbrapa do të kenë shtëpinë e tyne botuese. Kujtojmë këtu se botimet e deritashme u banë në shtypshkronjën “Nikaj”. Bashkë me Át Harapin, e Gurakuqin bajnë bashkë malcorët e Hotit e Grudës me ra në Shkodër në shenjë proteste për lanjen e ktyne tokave Malit Zi.
Më 1917 Kryeipeshkvi i Shkodrës e merr At Fishtën së bashku me Imzot Bumçin si pjestar të grupit negociator mes qeverisë dhe malësorëve. Me përfundimin e Luftës së Parë Botnore, ushtria austro-hungareze tërhiqet nga Shqipnia dhe del në pah çashtja e kufijve territorialë. Kryetari i qeverisë së Durrësit Turhan Pashë Përmeti kryeson delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në prill të vitit 1919, në përbamje të të cilit janë edhe Imzot Luigj Bumçi, Luigj Gurakuqi, Mehdi Bej Frashëri, Dhimitër Berati, Mehmet Konica, Mustafa Kruja dhe Dr. Turtulli. Turhan Pasha emnoi Imz.Bumçin në krye të Delegatës, që të ndryshonte pamjen e huej të Shqipnisë si “Turqi e vogël” tue kenë se ai kishte kenë ambasador i Perandorisë Osmane në Shën Pjetërburg. Mbas nënshkrimit të marrëveshjes më 29 korrik 1919, në mes Tittonit të Italisë dhe Venizelos të Greqisë, për ndamjen e Shqipnisë, simbas Konferencës së fshehtë të Londrës së vitit 1915, delegacionet shqiptare ishin të vendosuna të bashkëpunonin me delegacionin e kryesuem nga Imz. Luigj Bumçi, i cili zgjodhi sekretar të delegacionit At Gjergj Fishtën. Materialin, “Të drejtat e Shqipnisë etnike”, në konferencë të mbajtun në Universitetin e Parisit të shkrueme në frengjisht nga At Fishta e lexoi Imzot Bumçi. Bie në sy në këtë studim përgatitja e gjithanshme historike, kulturore, etnografike, ndërtimi stilistikor në pikëpamje letrare gja që mbetet ende edhe sot nji model i ndërtimit të nji esejeje apo shembull oratorie. Në letrën e Át Fishtës, datë 13 shkurt 1920, shkrue nga Parisi, provincialit Át Vinçens Prennushit, ndër të tjera thuhej: “Mos tjeter, prej fletoreve do të keni marr vesht, se çë rrezik i zi i kercenohet Atdheut t`onë. Me 20 të Kallndorit Konferenca u ka parashtrue Jugosllavëve nji projekt, mbas të cilit Greqija merr Shqipniën jugore me Korçë e Argjirokaster; Italia Vlonen me hinterland e mandat mbi Shqypniën e mesme; Jugosllavija pershtrihet deri në Dri ose, ndoshta der n`Mat”. Tue kenë se situata ishte ndërlikue së tepërmi, në lidhje me shqiptarët dhe tue mos gjetë mbështetje nga Konferenca, delegacioni shqiptar, simbas letrës së At Fishtës, dërgon në Romë Imzot Bumçin, së bashku Mehdi Frashërin, ditën e dytë të Krishtlindjeve, tek Papa Benedikti XV. Papa, tue kenë nga takimi i maparshëm i mirinformuem rreth problemit shqiptar, ndigjoi me kujdes të madh shqetësimet e delegacionit tonë. Në fund të bisedës, tue kenë i bindun se rreth çështjes në fjalë, do gjejë mbështetje në partinë katolike në Parlamentin italian, në diplomacinë angleze dhe amerikane, me të cilat Vatikanit kishte marrëdhënie të mira, Papa pat deklarue se do bante çmos për ta shpëtue Shqipninë nga moscopëtimi i mandejshëm i saj. Tok me Imz. Bumçin më 5 shkurt, 1920, zhvilluen takimin e radhës me kardinalin në zâ të Brukselit, Disidre Mercier, primat i Belgjikës që me ndërkombtarizue ma ndej çashtjen kombëtare, i cili muer përsipër t’i shkruente në favorin tonë kardinalit të Londrës dhe të Burnit, ekselencës së tij Balfuorit, mandej, mareshalit Fosh, Dechanelit, Milerandit etj. Mundi dhe djersa e At Fishtës dhe e të gjithë tjerëve, që u kunorëzue me pranimin e shtetit tonë më 30 gusht 1919 nga Brukseli dhe mandej, më 19 dhjetor 1920, në Lidhjen e Kombeve, me këtë rast Shqipnia së fundi siguroi tanësinë e saj, në kufijtë e Konferencës së Londrës të vitit 1913. Kështu Papa Benedikti XV, më 12 nëntor 1920, emnon Imz.Ernesto Cozzi-n Delegat Apostolik për Shqipninë, 35 ditë përpara se Lidhja e Kombeve ta njihte Shqipërinë si shtet sovran, që do të thotë se Vatikani realizoi i pari njohen diplomatike de facto të vendit tonë. Mbasi pranon se edhe ai vetë, sa herë ka marrë pjesë në bisedimet me delegacionet e huaja:”Të them të verteten se m’âsht dasht t’skuqesha për inferioritetin t’em. Âsht e kotë të gënjehemi. N’se përjashtohet Gurakuqi qi vetëm ai ka nji kulturë të përshtatshme, ka nji atdhetari të shëndoshë dhe nji njohuni të gjânë për njerëzit dhe për sendet e Shqypnisë, asnji nga anëtarët e qeverisë, kjoftë të saj së maparshmes, kjoftë të së tashmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht Shqypninë dhe të mbrojë si duhet interesat e saj”.
Më 1921 ridel mbas 7 vitesh revista Hylli i Dritës në rrugën e ndërpreme, ndërkohë që aktivitetin e tij botues, At Fishta e zhvillon në revistën “Zani i Shna Ndout”.
Ndërkohë shkolla publike ishte nji projekt i ri që At Fishta me shokë e kishin gjithnjë në mendje. Niveli i deritashëm nuk ishte i mjaftueshëm prandaj duhej nji gjimnaz klasik.
Duheshin sigurue ndërtesa, orenditë, paisjet dhe mjetet didaktike shkollore, personeli i duhun, leja prej autoriteteve kishtare e zyrtare. At Fishta së bashku me Provinçialin e ri, At Pal Doden, shkojnë në Romë dhe takojnë Kryetarin e Urdhnit dhe priten për të dytën herë në audiencë nga Papa Benedikti XV, i cili u dha nji shumë prej 100 000 liretash, ndërsa Kuria Gjenerale u nep nji hua me lehtësi shlyemjeje, ndihma të cilat i ndihmuen për hapjen e shkollës publike me emnin tashma të njohun “Illyricum” me nxanës të tre besimeve, katolikë, myslimanë dhe ortodoksë.
Ndërtesa e bleme u bekue ditën e Shën Françeskut më 4 tetor dhe mësimin e filloi më 10 tetor të vitit 1921. Në 64 vitet të jetës së saj fillestare, ndër të cilat 22 vite si gjimnaz, tue i hjekë periudhën 3 vjeçare 1933-1936 të pezullimit, kjo shkollë i ka dhanë Kishës 4 ipeshvij, 110 meshtarë, 10 provincialë, 125 fretën.
Më 6 qershor 1921 në zgjedhjet e para demokratike Shkodrën e përfaqësojnë në Parlamentin e parë shqiptarë si deputetë Don Ndre Mjedja, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi e Hilë Mosi. At Fishta në fillim zgjidhet antar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet nënkryetar i Parlamentit. Kur dëtyrohet m’e lanë propozon At Ambroz Marlaskajn.
Mbasi niset në shkurt 1922 nga Liverpuli, në letrën e tij datë 8.5.1922, dërgue provincialit, At Pal Dodajt, nga Uashingtoni thekson se, mbas dymbëdhetë ditëve udhëtimi me vaporr nga Anglia, ma në fund kishte merritë në Amerikë. Viziten e përshkruen mjaft bukur në nji letër dërgue At Justin Rrotes, që daton 11 mars 1922. Pa humbë shumë kohë, kishte fillue me bâ lobing rreth çashtjes së Shqipnisë. Mbas takimit që pati me françeskanin me ndikim të madh në qarqet diplomatike të Uashingtonit, At Godfried Shilling, At Fishta takoi dhe senatorin katolik, Henri Cabot Lodge, i Partisë Republikane, njeri me autoritet të madh dhe i nji mendimi me Presidentin Wilson për të drejtat e barabarta të popujve.
Në letrën e naltcitueme, At Fishta do shprehej: “… âsht mirë qi Qeveria e Tiranes, t’i drejtojë nji shkresë nënsekretarit të Ministrisë së Jashtme të Amerikës, tue kerkue zyrtarisht këtë njohje…” Në fund të letrës, shkruen At Fishta: “Ndërkaq vizita eme në Washington ka pasë si përfundim njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë sonë, si ato të “Vatrës”, s’kanë pasë sukses… Kjenë Senatorët katolikë, të cilëve ua paçë paraqitë çashtjen sidomos në pikëpamje fetare, ata qi me ndërhimje të veta xuerën njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”. At Fishta, takimet në Uashington nuk i kishte ba në rolin e nji deputeti të Shqipnisë, edhe pse ishte mandatar nga populli në dy legjislacione, por si intelektual që kishte marrë famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Faik Konica në përgjegje të nji letre që At Fishta i kishte dërgue, i shkruen nga Bostoni këtij të fundit“Ju falem nderit për letrën e bukur që më dërguat. Kini lënë nër Shqipëtarët e këtushëm nji kujtim lartësie dhe drite, që kà shuar gjithë moskuptimet e shkuara”.
Ndërkaq tue u kthye nga Amerika, At Fishta i shkruen Át Pal Dodës se asht tue shkrue nji poemë satirike. Asht fjala për poemën “Gomari i Babatasit”, vepër e cila u botue në dhetor 1923, me të cilën shënoi pjekuninë e tij të plotë artistike.
Po këtë vit del gazeta “Ora e Maleve”, që u ba shkolla e gazetarisë shqiptare, në të cilën kontribuen oratoria e Dom Lazër Shantojës, mençuria e Luigj Gurakuqit, penda ledhatuese dhe e ambël e Imz. Vinçenc Prennushit, studimet e holla të At Anton Harapit, Nush Topalli, Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, At Bernardin Palaj etj.
Për këtë gazetë Ernest Koliqi shkruen: “Dihet se Ora e Maleve, e nisun ma s’forti me qellime kulturore, pat menjiherë nji zgjanim të papritun politik edhe u ba organi i nji grupi qi përfshinte në gjiun e vet fuqit fetare, shoqnore dhe ekonomike të Shkodrës unji dhe krejt krahinës së saj. Grupin e kryesonte Luigj Gurakuqi. Shkodra nuk njofti kurr stinë ma të lulzueshme me mugullime qellimesh e vullnetesh për nji përparim të njimendtë qytetnuer. Shkodranët pa dallim besimesh, klasash shoqnore, kulturash, me lagje të qytetit e me katunde e me male kreshnike.., mblidheshin tok rreth Gurakuqit,- Bashkqytetarit zemër-madh e mende-ndritun, qi dinte me pajtue në shkrime në sjellje e në veprimtari ndertuese tharme jetike të traditave të shëndoshta me nevojët e kohës moderne. Ai kalonte udhës i përcjellun gjithkund nga nji tubë djelmoshash e gratë nga dyert e oborreve me fëmij në krah e reshëshin me nji breshën bekimesh.
Kalonte si profet i rrethuem nga nderimi dashnuer i mbarë nji populli.” dhe vijon: “Prej frymzuesavet qi ishin Imzot Mjedja, Gurakuqi, At Gjergji, prej bashkëpuntorvet të shquem si At Antoni, Shuk Gurakuqi, Kolë Kamsi, At Bernardin Palaj, prej redaktuesavet të rendomtë qi ishim Dom Lazri dhe unë e deri te shtypshkruesat me Gjon Shqipnin ne krye e Tom Laca, shpërdas e shitës i fletores, kjo njehej si nji gja qi ishte pjesë e sejcilit prej nesh, pjesë e shpirtit dhe e jetës s’onë.”
Në votimet për Kuvendin Kushtetues në dhetor të vitit 1923, At Fishta së bashku me Imz Fan Nolin dhe Luigj Gurakuqin përfaqëson Opozitën, por nuk kje e thanë sepse qeveria nuk zgjati as nji vit, për shkak se Ahmet Zogu përmes Partisë Popullore vjen në pushtet më 24 dhetor 1924. Burgosen klerikët: Ndre Mjedja, Lazër Shantoja, Anton Harapi, Bernardin Palaj, Klement Miraj; Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi detyrohen të largohen nga Shqipnia dhe At Fishta për të njajtat arsye largohet gjithashtu në Itali më 1925-26, ku qëndron pranë Urdhnit Françeskan, ku mbas kurimit me kujdes t’ekspozimit në pavionin shqiptar në Romë më 1925, u dekorue nga Papa Piu XII, e jo sikurse asht shkrue në ndonji rast për shërbime klerikale. Hylli i Dritës preu frymën përdhuni edhe nji herë tjetër mbas ndalimit të vitit 1914. Por, penda e poetit nuk heshti. Më 1924 botohet për së dyti “Mrizi i Zanave” dhe në vitin 1925 “Vallja e Parrizit” (botimi i dytë), “Ifigjinia n’Aulli”, “Sh. Luigj Gonzaga” (1927), “Shqyptarja e gjytetnueme”, e cila u shfaq në vitin 1929, dhe, në revistën “Leka”, “Mojs Golemi i Dibrës” e “Deli Cena”.
Në janar 1930 (këtu incidenti me Portland Cementi (142, 159, 164, 165), nis sërish mbas një ndërprerje prej pesë vjetësh, Hylli i Dritës, drejtimin e së cilës At Fishta ua besoi sivëllazënve të tij. Po më 1930 emnohet nga Urdhni Françeskan “Lector Iubilatus honoris causa”. Në vitet 1930 At Fishta përfaqëson Shqipninë në Konferencat Ballkanike në Athinë, (1930), në Stamboll, (1931), ku ai asht anëtar i delegacionit së bashku me Mehmet Konicën dhe më 1932 në Bukuresht.
Më 1930 ftohet dhe pranohet anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në Nju Jork, në të cilin merrnin pjesë shkrimtarë nga rreth 60 shtete të ndryshme të botës. Qeveria shqiptare, për me mbrojtë interesat e vendit, muer pjesë në disa konferenca ballkanike në 1930-1933, nën kujdesin e Francës, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Lidhjes së Kombeve. Në këto takime ndërkombëtare, flitej për krijimin e zonës së paqes në Ballkan si dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave në këto vende. Në 1930, konferenca kje mbajtë n’ Athinë, Shqipnia kje përfaqësue nga At Fishta dhe Mehmet Konica.
At Fishta në letrën e tij, datë 11 tetor 1930, nga Athina drejtue provincialit Át Vinçenc Prennushit, ndër të tjera, thotë se Konferenca nuk kishte sjellë diçka të re, edhe pse Mehmet Konica me referatin e tij, në krahasim më të tjerët, kishte kenë shumë në naltësinë e duhun. At Fishta, në këtë Konferencë kje përqendrue në zhvillimet kulturore në Shqipni. Konferenca e dytë që mbajtë në Stamboll, në vitin 1931, ku të dërguemit e Shqipnisë, rishtas kjenë At Fishta dhe Konica. Kjo Konferencë, simbas At Fishtës, kje e organizueme shumë ma mirë se ajo e Athinës. Konferenca u hap nga Presidenti i Turqisë, Hasan Begu, fjalën e kishte mbajtë dhe Kryeministri i Turqisë, Ismet Pasha.
At Fishta, në letrën e tij nga Stambolli të datës 20.10.1931, drejtue provincialit, At Pal Dodaj, tue ba nji përmbledhje të Konferencës, shprehet: “Sod, me 21, kemi pasë luftë më Jugosllav në Komisionin Politik, Mehmet Konica âsht sha keqas me Kryetarin e dergatës Jugosllave me nji farë Topaloviç. Joviç, Kryetari e Dergates Jugoslave i paska thânë Konitzes se âsht i shtímë prej dikúj tjetër me prishë Konferencen.
At Fishta, thekson se, për shkak të kësaj ngatërrese, në mes këtyne dy delegacioneve, Konferenca kje rrezikue të mbyllej para kohe, por, nga ana e jugosllavëve ishin tërheqë fyemjet e bame ndaj delegacionit shqiptar.
Derisa grekët, rumunët dhe Turqia kishin kambëngulë që të nënshkruhej në këtë Konferencë pakti për pakicat, nga ana tjetër bullgarët kërkuen që kjo çashtje të shtyhet për nji konferencë tjetër, e cila do mbahej në vitin e ardhshëm. Në v. 1932 u organizue Konferenca e tretë Ndërballkanike, në Sofje të Bulgarisë, ku morën pjesë të njajtët aktorë dhe pati të njajtën tematikë.
Át Fishta, posë rolit të delegatit, tashti kishte dhe rolin e provincialit, që përfaqësonte etnit françeskanë të Shqipnisë. Mbas këtyne Konferencave maratonë Ndërballkanike, gjaja ma e mirë, që ambëlsoi shpirtin e trazuem të poetit, ishte pranimi i tij si anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar i Poetëve, organizatë kjo e themelueme në Nju Jork. Ky bashkimi ndërkombëtar i poetëve, ku merrni pjesë rreth 60 kombe të ndryshme, ishte mënyra ma e gjetun për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit në mes diplomacive të shumta botënore. Këto vite, ma të frytshmet e jetës së tij, at Fishta i kaloi në qetësinë e kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, por pa u shkëputë kurrë nga problemet e mëdha qytetase, kombëtare e botnore.
Të kësaj kohe janë edhe pjesa ma e madhe e dramave lirike, tragjedive etj.
Më 1931 del nga botimi pjesa e tretë e Lahutës me titullin Lidhja e Prizrendit, e cila ishte botue periodikisht në revistën Hylli i Dritës në vitin (1921-1922).
Nji vit mandej, pra më 1932 boton në revistën Leka fragmentin në vijim mbas botimit në “Kalendarin e veprës Pijore”, të poemës Mojs Golemi, e cila u la në mes.
Antiklerikalizmi çuditnisht do të kërkonte të përballej me françeskanët përmes dy ministrave t’arsimit, të cilët ishin katolikë. Ivanaj kërkoj polemikën mbështetë në ligjin e datës 23 prill 1933, i cili i mbyllte tashma shkollat private, e që komunistët do ta zbatonin besnikërisht 13 vjet ma vonë më 1946. Ka ngelë proverbiale thanja e At Fishtës në praní të nxanësve në oborrin e gjimnazit “Rrnoftë Shqipnia pa ne! (Këtu janë françeskanët)”. Gjimnazi u mbyll më 25 prill 1933, mbas 12 vitesh si gjimnaz dhe 72 vitesh si shkollë fillore. Po këtë vit At Fishta do të dishmojë edhe nji tjetër anë të personalitetit të tij kulturor, estetin. Në revistën Hylli i Dritës ai do të publikojë traktatin estetik: “Shenime estetike, mbi natyrë t’artit”, të lavduem edhe nga profesora t’universiteteve britanike tue pa tek At Fishta jo vetëm nismëtarin e atij zhandrri në Shqipni por nji estet të përmasave europiane e botnore që do çonte në nji stad të ri t’estetikës.Gjithashtu me randësi asht reçensioni që shërbeu si parathanje, bame për librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, mbledhun nga At Shtjefën Gjeçovi dhe botue mbas vdekjes së këtij të fundit, në të cilën ai shfaqi mendimet e tij vlerësuese për krijimtarinë gojore. At Fishta në tetor 1934 do të shkruente nji tjetër artikull magjistral si përgjegje ndaj broshurës së Ismet Totos “Grindje me klerin” që ky i fundit kishte shkrue si përgjegje ndaj polemikës që kishte me At Anton Harapin. Mandej At Fishta i mërzitun nga mënyra se si ishin tue shkue gjanat, sikurse edhe në vitet 1924-25, shkon në Itali.
Në qershor 1935 zgjidhet Proviçial. Po këtë vit rihapet gjimnazi françeskan mbas seancave gjyqsore që kishte fitue në Hagë kundër politikave të shtetëzimit e laicizimit t’arsimit t’aplikueme nga Mosi e Ivanaj. Viti 1937 shënon 25 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë me ç’rast ban edhe botimin përfundimtar të “Lahutës së Malcisë”, e cila i kishte kushtue ma shumë se 30 vjet punë.
Në prill t’atij viti shkon me mision në Çekosllovaki me detyrë prej Urdhnit.
Pushtimi italian i Shqipnisë më 7 prill 1939 solli pështjellim në jetën politike, sociale e kulturore të vendit. Më 3 qershor 1939 Fishta emnohet Akademik i Italisë, çfarë do të sjellin edhe mjaft polemika dashakeqe në Shqipninë e periudhës 1945-1990. Duhet skjarue se pranimi i këtij vlerësimi nga ana e At Fishtës nuk asht ba prej kurrëfarë hipokrizie politike, aq ma keq kur Shqipnia sa ishte pushtue nga Italia dhe dihen publikisht qëndrimet e At Fishtës. Akademia e Shkencave e Italisë, ishte institucion shkencor mbipolitik, dhe si i tillë e propozoi dhe e pranoi unanimisht anëtar efektiv të saj At Fishtën, për nji motiv të vetëm; personaliteti kulturor, letrar dhe pse jo edhe politik që i bante nder asaj akademie.
Aty nga fundi i vitit 1940 kërkon të shkojnë në Troshan, aty ku kishte nisë së pari jetën rregulltare, e pse jo edhe atë letrare, aty ku kishte mbathë sandalet dhe kishte vu rreth brezit litarin e Shën Françeskut. Sëmuret me 10 dhetor dhe kërkoi pranë vetes mikun dhe Proviçialin At Pal Dodaj dhe sekretarin e tij Át Viktor Volaj, komentuesin e veprës së tij poetike ”Lirikat”. Më 14 dhetor e sjellin në Shkodër, ku e shtrojnë në spital.
Më 22 dhetor, shikon nga dritaria borën e skllotën që kishte mbulue qytetin, At Fishta e kundron nga dritarja e kuvendit. Më 22 ra një borë e madhe dhe At Fishta mori një polmonit që e rëndoi shndetin e tij. Me 27 dhetor mjekët humbasin shpresat dhe At Fishta bjen në kllapi. Fjalët e thanuna sivëllazënve që i ndejne afër:”Po des kondend (i kënaqun) përse kam punue për Fe, Atdhe, e për Provincën tonë.”,- Me këto fjalë e mbylli testamentin sipas Át Marin Sirdanit.
Më 30 dhetor 1940 Át Gjergj Fishta nep Shpirt. Arkivoli me trupin e tij u vendos në Kishën e Gjuhadolit prej nga u përcoll në banesën e fundit nga pothuej i gjithë qyteti si dhe autoritetet ma të nalta të kohës. Meshën e përmotshme e mbajti Imzot Gaspër Thaçi Arqipeshkëvi Metropolit i Shkodrës. Telegrame të shumta ngushëllimi muer Provinçiali At Çiprian Nika OFM. Ndersa fratel Sala i mori masken prej dylli.Më 31 janar 1941 Akademia Mbretnore e Italisë mbajti nji Meshë Drite në kishën artistike të saj të Shën Lukës dhe Shën Martinës, meshë të cilën e udhëhoqi Gjenerali i Urdhnit Françeskan At Leonard M. Bello, këndue nga Schola Cantorum e Vatikanit, ndërsa pjesën muzikore të saj e drejtoi muzikanti i njohun Akademik Don Lorenzzo Perosi. Ndërsa nji tjetër ceremoni përkujtimore u mbajt Reale Accademia d’Italia me 9 mars 1941.
Përmbledhim këtu me vlerësimin e bamë nga Ernest Koliqi se:”Tek Fishta u shkrinë në nji, tana cilsitë e tij prej murgu, oratori, edukatori e politikani, ndërthurun në mënyrë të shkëlqyeme në përkushtimin e lindun ndaj poezisë.”
Për At Gjergj Fishtën, gjuha shqipe është një pasaportë e gjallë, që provon identitetin e të kenit Shqiptar:
”Nper gjuhë shqype bota mbârë
ka me ju njoftë se ç’fis ju kini,
me ju njoftë për shqyptarë,
trima n’zâ, sikurse jini…” At Gj. Fishta.
Tituj të veprave
1*Lahuta e Malcís” – poemë (Zarë, 1925)
2*Anzat e Parnasit”- satirë (Sarajevë, 1907)
3*Pika voese”, ma vonë ribotue si Vallja e Parrizit (Zarë, 1909)
4*Shqyptari i gjytetnuem” – melodramë (1911)
5*Shqyptarja e gjytetnueme” – melodrama
6*Vllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t” (1912)
7*Hylli i Dritës” – Revistë (1913)
8*Juda Makabé” – Tragjedi (1914)
9*Gomari i Babatasit” (Shkodër, 1923)
10*Mrizi i Zânavet” (Shkodër, 1924)
11*Sh. Luigji Gonzaga” (Shkodër 1927)
12*Lahuta e Malcís” – botimi komplet (1937)
13*Jerina ase mbretnesha e luleve”, (Shkodër, 1941)
Aurel Plasari ka thanë:
““Duke rikthyer Gjergj Fishtën në historinë e letërsisë shqipe, nuk i japim atij vendin që i takon, por i kthejmë histories së letërsisë atë çka i mungon”.
At Zef Valentini:
“Fishta asht një Homer Shqiptar. Ai nuk asht vetëm një poet i madh kombëtar. Ai asht nga më të mëdhajtë në Botë.
E rëndësishme asht që ai të njihet prej saj”.
At Gj Fishta nga Lambertz:
Albanologu i shquem, përkthyesi virtuoz i “Lahutës Malcisë”në gjermanisht, Dr. i Filozofisë Klasike Maximilian Lambertz (1882-1963 ), shkruan më 1922 se“Fishta asht poeti ma gjenial që deri më sot ka dhanë Shqipnia. Ai asht Epiku ma i madh i shekullit, Homeri Shqiptar dhe Lahuta Malcisë asht Iljada Shqiptare”.
At Gjergj Fishta: “Laute des Hochlandes” Leipzig 1948.
”At Gjergj FISHTA mbas vitit 1990 në Trojet tona, asht matësi ma i sakti i ’zhvillimit parimeve të demokracisë’ së Popullit Shqiptar!”
Melbourne, Dhetor 2024. Fritz RADOVANI.
Komentet