Familjarët e Bujana Bushit, viktimës së aksidentit në Gosë të Kavajës kanë takuar sot kreun e shtetit, Bujar Nishani nga i cili kanë kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e ngjarjes, për të cilën thonë se nuk është aksident, por dyshojnë për vrasje dhe grabitje.
Pas takimit me Nishanin, në një deklaratë për media, në prani edhe të djalit të vogël të viktimës ata kanë akuzuar policinë për fshehje të ngjarjes.
“Ata po pinë birra sot dhe kanë bërë akt makabër, kanë paguar për të mbuluar aksidentin e mbesës sime dhe nënës së këtij djali”-tha daja i viktimës.
Sipas tij, mënyra se si rrodhën ngjarjet pas aksidentit lë të dyshosh se ajo mund të ishte vrasje dhe grabitje.
“Më lind të dyshoj që e kanë marrë për të rrjepur, përderisa mua nuk më treguan vendin ku është vrarë, nuk më dhanë fletën e policisë të shoqërimit, firmën në spital, vajza ishte e deformuar në fytyrë, e carë, me sy të dalë”- tha ai.
Familjarët kanë nxjerrë edhe djalin e vogël, i cili ka kërkuar zbardhjen e të vërtetës. “I kërkoj shtetit të zbardhe të vërtetën që unë të jetoj pa hasmëri”- tha djali, i ndihmuar edhe nga daja i mamasë.
Familjarët iu referuan sërish cantës me 100 mijë euro, orës së shtrenjtë 28 mijë euro dhe sendeve të tjera që viktima kishte me vete, edhe pse shtuan se ‘nuk u duhen rraqet, por drejtesia, kush e mori vajzen ne makine dhe cfare i bene”.
Komentet