Kush e propozoi emrin e prift françeskan
FRANO KULLI/ At Gjergj Fishta, pikë ma së pari ka qenë frat, prift françeskan, qysh se është shugurue në vitin 1893 , kur ishte 22 vjeç, rrugë në të cilën ishte nisë në fëmininë e tij të hershme e nuk ju nda mâ deri sa mbylli sytë, duke i provuar të gjitha shkallët e hierarkisë së Urdhrit të cilit i përkiste. Thotë meshën e parë në Troshan prej ku edhe ishte nisë në rrugën e Shejtnisë, masandej Frat në Gomsiqe, në Kushe të Hotit, në Kishën e Kuvendin françeskan të Lezhës, kishë e cila, sipas një legjende është shenjuar prej vetë Shën Françeskut, diku rreth vitit 1219, kur ai kishte ndërmarrë udhëtimin e tij këndej e ndër Dalmate, për të përhapur Urdhrin. Si dëshmi që përafron gojëdhënën dhe origjinën e Kishës është një pllakë që ruhet edhe sot në derën e saj ku shkruhet: (Hoc templum Fratrum Minorum ædificatum ast anno MCCXL-Ky tempull i Vëllazënve të Vogjël u ndërtue në vjetin 1240)1 Po të shumtën e viteve të jetës e kaloi në Shkodër, në Kuvendin e françeskanëve të Gjuhadolit, si bashkëvëlla me fretën e si provincial i tyre. Dhe me të njëjtin devocion si në ditën e parë.
1) Zotni Lukë Luka, rreth një vit më parë, nga arkivi i familjes së vet postoi në njërin prej rrjeteve sociale foton e kunorëzimit të prindërve të Zojës së tij të ndjerë, Netës.
Shuk Leniqi e Lajde Daija, në ditën e martesës. Fotoja mban datën 17 maj 1936. Është shkrepë prej mjeshtrit Kel Marubi. Vendndodhja është elteri (altari) i Kishës françeskane në Gjuhadol, Shkodër.
Duke pasë edhe lejen e bekimin e poseduesit të kësaj relike (foto), po bëj edhe dy komente të shkurta:
Së pari, vlera qytetse e estetike që fotoja ka. Në foto janë rreth shtatëdhjetë persona, burra e gra, por edhe fëmijë. Të gjithë të veshur bukur e shik, prej te më i madhi e deri te më i vogli. Çifti, me veshje klasike të rastit, nusja me vel e kunorë, të dy të ulun ne gjunj, në momentin e ndërrimit të unazave, duke ia vendosur unazën në gisht njëri-tjetrit, simboli i bashkimit e krijimit të familjes së shejtë, me besim e dashni aty në shtëpinë e Hyjit, si bërthama themelore e shoqnisë. Kumarët, dëshmitarët e martesës, janë zotni Palok Noga (me qirin tradicional në dorë) dhe Kolë Mjeda me të shoqen. Në sfond të fotos kori i kishës. Secili i venduem me vend e me rend, simbas lidhjes e përafrisë që kishin me çiftin protagonist e me rastin e papërsëritshëm të tyre në jetë, siç është kurorëzimi i martesës në kishë për katolikët. Cilësia e fotos është e tillë sa personat që pozojnë aty njihen fytyrë për fytyrë e emër për emër. Edhe pse fotoja është e gati 90 vjetëve më parë. Se, përndryshe, për nga kompozimi dhe elementët e përgjithshëm të saj, por edhe prej paraqitjes së pozantëve nuk kishte se si të dallohej, nëse fotoja ishte bërë në Venecia, Firence, Romë, Vjenë a diku tjetër në Europë.
Së dyti, në foton e një momenti solemn familjar të një familjeje qytetse të Shkodrës janë edhe më së paku tre persona publikë, njeri më me peshë se tjetri. Edhe kjo shejë e një bashkëjetese plot kulturë e sharm, në harmoni të plotë të qytetarëve, me rendet e klasat e shoqërisë që përfaqësojnë. Meshtari i zgjedhur për kunorzimin, françeskani i madh At Gjergj Fishta, Kolë Mjeda (1885-1951) deputeti i Shkodrës për disa legjislatura e zëvendëspresident i Asamblesë Kombëtare, mbajtës edhe i posteve të tjera publike të kohës, kryetar i Bashkisë së Shkodrës (1924-’25), prefekt i Dibrës e deputet i saj, gjithashtu. Po edhe më i riu i tyre, prifti i sapo shuguruem asokohe, dom Ernest Çoba, i cili masandej më vonë, tridhjetë vjet më vonë, kur revolucioni ateist mbyll kishat dhe prelatët e klerikët mbarë (ata që kishin mbetë ende gjallë) i mbyll në burgje, do të ishte Arqipeshkvi i fundit i Shkodrës cili ndrroi jetë në mënyrë enigmatike në spitalin e burgut të Tiranës, në dimrin e vitit 1980 (8 janar).
Nuk është e njohur ndonjë foto tjetër e Fishtës në një rast sakramenti si ky. Deri tani, jo. Edhe zotni Luka, me gjithë moshën e njohjeve që ka, më thotë gjithashtu se nuk din për ndonjë rast tjetër të ngjashëm. Dhe ka shumë gjasa të mos ketë. Se sikur të kishte, me siguri mbamendjet qytetëse të Shkodrës do të na e kishin bërë me dije. Ashtu sikurse na vijnë prej asaj kohe nëpërmjet kujtesës së transmetuar kumte si: “Të dielen që meshën te fretnit e thote pader Gjergji, kisha ishte plot e përplot e predku (predikimi) i tij e lête gjindjen me gojë hapë”. Dhe kështu, kërshëria rritet edhe më tepër.
Po pse atëherë dasmën e Shuk Leniqit e shuguron Fishta?! Dhe ndodhte tani (viti 1936), kur Fishta ishte 65 vjeç dhe kur mosha e famës së tij kishte mërrijt në maje. E, kur veprimet e punët sakramentare për té, tashma ishin gjithnji e më të pakta. Me siguri ka qenë një shtysë e empati e fortë. Shuku ishte tipografi i shtypshkronjës së fretënve. Vetmjaftueshëm për pader Gjergjin e Madh, për të bërë edhe punët e fratit të përvujtë …
Kjo ceremoni e veçantë, pati jehonë nga që celebrimin e bani Pater Gjergji (rasti i vetëm i tij, me modesti e fisnikni) e u ndoq prej shumë zojave e zotnive me veshje moderne të kohës, familjarë, miq e shokë të ftuem në darsmë, na ban me dije në diçiturën e fotos së publikuar, zotni Luka.
(Footnotes) 1 sipas At Daniel Gjeçajt
2)Emnimi i At Gjergj Fishtes antar i Akademisë Italiane.1
Fishta është propozuar për antar në këtë akademi nga kompozitorët Mascagni e Pelosi dhe psikologu, gjithashtu mjaft i njohur Agostino Gemelli2, të cilët…nuk ishin fashistë e as nuk kishin pasë mardhënie të mirë me fashizmin3 .(Qasje që nxjerr krye herë herë në të rallë edhe sot, me njetin pë ta njësuar akademikun-poet kombëtar të shqiptarëve me bashkëpuntorin fashist !!) Thua ta kenë pëlqyer lahutën si vepër fashiste ata ?!
Ai ishte i vetëdijshëm dhe e kishte vlersuar ashtu siç qe emrimin e vet në Akademinë e Italisë. Në këtë kuptim s’kish se si ti mungonte kortezia e momentit dhe kjo është e shprehur e asnjëherë e mohuar prej Fishtës. Një dëshmi autentike e kësaj kortezie na vjen nga bashkëkohësia. Është një telegram4 që Fishta i dërgon Musolinit, me falënderimin për pranimin e tij antar i Akademisë italiane.
Padre Fishta al Duce5
L’accademico Padre Giorgio Fishta ha inviato al Duce il seguente telegramma:” Grazie Duce dell’alto onore del titolo d’accademico d’Italia che per Vostra benevola disposizione mi é stato attribuito e che io considero quale sicuro indice del generozo Vostra interessamento anche per la stirpe albanese, virtû questa ignota sino ad oggi alla diplomazia europea. Padre Giorgio Fishta
(At Fishta Duçes. Akademiku At Gjergj Fishta i ka dërguar Duçes telegramin e mëposhtëm (vijues): “Faleminderit Duçe për nderimin e lartë me titullin Akademik i Italisë që falë disponimit (vullnetit) Tuaj dashamirës më është atribuar (dhënë) dhe që unë e konsideroj si tregues të sigurt të interesimit Tuaj bujar kundrejt prejardhjes time shqiptare, virtyt që i është njohur deri më sot diplomacisë evropiane. At Gjergj Fishta”)
Dëshmia e Ernest Koliqit
“…Fatkeqsisht, disa prej atyne që hiqen si supernacionalistë, pozitë të cilen fituan tue ndejtë strukun mbas nji patriotizmi fals, e qortojnë poetin për faktin se me 1939 pat pranue me u emnue Akademik i Italisë. Akuzojnë mendjemadhsisht për mungesë patriotizmi mjeshtrin, i cili harxhoi tanë jetën e vet për t’u mesue shqiptarve se si me e dasht atdheun. Dhe akuza, jo veç në Shqipninë e sotme, por mjerisht edhe në ndonji pjesë të Diasporës, ka gjetun nji lloj kodifkimi. Dhe nuk synohet me u denigrue thjeshtë njeriu dhe politika e tij aqsa komuniteti prej të cilit ai rrjedhë, besnikëria ndaj traditave që i japin tharm veprës, e qytetnimi perëndimor që na ushqen me shpirtin e madh. Tue i akordue interpretuesit të shpirtit shqiptar titullin akademik, Italia dishronte me nderue Shqipninë. Qeshë i pranishem në Romë në qeshorin e vitit 1933 kur u muer vendimi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Më kishin thirrë për tu këshillue rreth çeshtjes në fjalë. Morën pjesë në ketë mbledhje, veç tjerve, Zenone Benini nënsekretar për çështjen shqiptare. Ambasadorët Jakomoni i San Savinios e Karlo Straneo.
U kërkoj ndjesë ndijuesve të nderuem nëse jam i detyruem me përmend ndërhyrjen që bana me ketë rast. Ndjej si detyrë me e zbulue ketë të vërtetë, për me e davaritë hijen me të cilen përpiqen me errsue kujtimin e Poetit, të cilin e pata udhërrëfyes dhe mbështetje në rrugën time letrare.
Benini, që drejtonte mbledhjen, njoftoi se qeveria Italiane, për t’i nderue në mënyrë konkrete vlerat kulturore të kombit shqiptar, propozonte tre shkrimtarë si antarë të Akademisë së Italisë. Emnat që u përmenden ishin: Patër Gjergj Fishta, Torenc Toçi, Ernest Koliqi. Benini e dalloi menjëherë se fytyra qe kontraktue. Kishte shpresue me e pa tue shkëlqye nga krenaria, sepse me pyeti “ Nuk e miraton ketë ide?” U ndieva i detyruem me folë me sinqeritetin ma të thellë. U përgjigja se ideja më dukej shumë e mirë e që nji nderim kaq i naltë për vlerat e kulturës shqiptare do t’i kënaqte e do ti mbushte me krenari tanë shqiptarët, por shtova se Koliqi duhej konsiderue si nji autor, cikli letrar i të cilit vijonte me qenë në zhvillim, kësisoj ende nuk ka mbërrit në atë pikë që i jep kunorzimin e përhershëm një shkrimtari.
Sa për Toçin, nuk mund të mohoj se asht nji koltivues i vyeshëm i studimeve juridike e nji gazetar i stervitun, por nuk ka botue asnjë vepër letrare a shkencore të tillë, sa me meritue dinjitetitin e Akademikut. E mbylla me fjalët se në të tre këta emna, Fishta asht i vetmi personalitet i pakundërshtueshëm, i denjë për tu pranue në bashkësinë e naltë kulturore italiane, me që ai dhe vetëm ai, përmblidhte në vete dhuntinë ma të shkëqlyeme të krijimtarisë artistike të rracës.
Benini, tue drejtue kah të pranishmit, vlerësoi konceptin e naltë, që unë kisha për Akademinë e Italisë. Mandej deshti me dijtë nëse ekzistonte në Shqipni ndonji tjetër shkrimtar që meritonte me ndejtë përkrah Fishtës. U përgjigja, simbas pikëshikimit tim modest, se ekzistonin dy shkrimtarë shqiptarë që s’do të kishin ba figurë të keqe në gjinin e Akademisë: zz. Fan Noli e Faik Konitza, por shtova se banonin prej shumë kohësh në Amerikë. Kështu Fishta ishte i vetmi që u emnue akademik i Italisë. Emnimi, tue qenë se nuk ishte paralajmërue gjeti në befasi. Fundja tue njoftë natyrën e tij krenare, qeshë i sigurtë se do ta kishte refuzue me përçmim vlersimin e naltë, nëse do t’ishin përfshi edhe dy shqiptarë të tjerë me merita letrare ma të pakta. Sigurisht se do ta kishte refuzue, e jo për mendjemadhsi, por sepse tue pranue krahas tij dy të tjerë mjaft ma të pakët se ai për nga formimi letrar, emnimi do t’ishte zveshë nga vlera e vërtetë e do të kishte marrë kuptim tjetër.
Kur mbas ceremonisë, e pashë në gjinin e Akademisë së Italisë, më shprehu tanë entuziazëm fjalët që i kishte thanë Papa Piu XII: “Jam i kënaqun për emnimin tand akademik, sepse nëpërmjet teje nderohet Urdhni i Shën Françeskut e kombi shqiptar”
Mandej poeti e la ketë temë dhe nisi të më shprehë brengat e tij për situaten evropiane. Ishim në fillimin e 1940- ës.Nji fat i kobshem po na ndjek!” – thirri renkueshëm, a thue se po fliste me vete – “ E druej fort për të ardhmen e Shqipnisë….”
3) Fishta satirik
Shkrimet e deriatëhershme satirike të Fishtës, me 1907 qenë përmbledhë e botuar në “Anzat e Parnasit”. Nga “Lahuta…” qenë botuar dy këngë, nga tridhjetë që ajo do të ketë në formën e saj të plotë kur do të pagëzohej edhe si kryevepra e tij dhe e Epikës shqiptare, gjithashtu. Po se çvend zë satira në vetëdijen krijuese të autorit Fishta, le të sjellim një episod nga mbamendja e kohës. Shkruan At Pashk Bardhi një bashkëvëlla françeskan: “Në vjetë 1907, nuk më bje në mend se në ç’muej, nëpër liqe të Shkodres kthete prej nji udhëtimi qi kishte bâ në Vjenë Abâti i Mirditës, Emzot Doçi. At Fishta, At Benardin Shllaku e unë i duelem përpara ku ndaloi vaporri. Kur hime n’lunder për me ardhë në qytet[Shkoder] e thirri Fishten me ndjejë bri tij e i kallxoi se në Vjenë të gjithë, profesorë e studenta e të gjithë qi u merrshin ndopak me gjuhë shqype ishin t’entuzjasmuem per “Oso Kuken”[Kënga e dytë e Lahutës] e lavdet qi i kish ndie prej sish nuk dijte me i shprehë. Atë Fishta e pveti:”Po per “Anza t’Parnasit”, monsinjore, shka thojshin… ”… Është i vetëmjaftueshëm edhe pohimi i kësaj bisede për të ndaluar te vendi që zinte satira në aspiratën krijuese të Fishtës, që heret. Madje, njihet deri më tani se publikimi i parë i Fishtës është një vjershë satirike “Zoti Anselmo Lorecchio në Vienë”, e botuar në nëntorin e vitit 1899, në “Albania” të Konicës, që asokohe dilte në Bruksel.
“Gomari i Babatasit” qe shkruar, inskenuar edhe botuar në 1923. Në kohën kur doli ajo tronditi skenën shkrimore e intelektuale, por atë politike mbi të gjitha, me thellësinë e mendimit e forcën e satirës që fshikullonte dallaveret e shumta të politikës e mbartësve të tyre, kryesisht. Edhe “Visku…” që për “arsye prudence”[maturie], siç autori na pohon, mbeti e pabotuar…
Siç është vërejtur, “Gomari i Babatasit dhe “Visku i Babatasit”, janë shenja të larta emancipimi mendor e shoqëror të shqiptarëve, të cilët nuk na kanë lënë, për fat të mirë pa dëshmi dinjiteti për të përballuar të vërtetën. Në këtë pikpamje, kjo vepër mund të krahasohet, siç është krahasuar me “Udhëtimet e Guiliverit” tek anglezët, me “Shpirtrat e vdekur” tek rusët, me “Gjermania-një përrallë dimri” te gjermanët etj.-shkruan studiuesi Stefan Çapaliku.6 Mbas ndalimit të tij edhe satira mbeti e transmetuar heshtazi e frikshëm vetëm si…lexim anekdodik. Në vend të satirës së tij, që në bashkëkohësí kishte pasë arrit majat , “lexohej”, transmetohej Fishta hokatar. Pra qarkullonin gojë më gojë anekdotat e tij dhe përreth tij sidomos, herë të thëna bukur e herë jo bukur.
(Footnotes)
1 F. Kulli:”Fishta, rileximi në kohën e lirisë”
2 Dom Zef Gilaj, Me At Gjergj Fishën Akademik, Hylli i Dritës, numër special, 1996, fq.40
3 https://dipartimenti.unicatt.it/storia-moderna2003-il-fascismo-e-gemelli-un-rapporto-non-gentile
4 “Il popolo del Friuli”, sabato il 13 giugnio 1939, p.2 5
Duçe (it. Duce, lat. Dux) – titull i lartë italian (përkth. lider, udhëheqës)
6 S. Çapaliku, Fishta satirik
4)Fishta hokatar (prrallaxhuer, si kishin me i thanë në Zadrimë)
Janë të panumërta shakatë, anekdotat, batutat e “prrallat” e Fishtës . Të tijat , a që i janë mveshur atij, që humorin e kishte gjenetik. Njëra prej disave që një i njohur e dashamir i tij, mësuesi Gjush Sheldija e sjell të shkruar në përmbledhjen e tij “Humor shkodran”, në kapitullin: Pader Gjergj Fishta.Tregon Gjushi: Gjon Shqarri ka qenë njeri qefit dhe jeten e ka kalue “kudo rafsha mos u vrafsha” e madje, shpesh kishte qef me u tallë me të mdhej e gjind të meçëm.Nji ditë ndali pader Gjergjin në rrugë e nisë me e pvetë [pyetë]:
-Si mundet, pader Gjergj, shpirti i njérit [njeriut] me dalë, kur për shembull ta marrin atë njéri qi âsht tuj dekë e ta shtrijnë në nji arkë druni, mandej arken drunit ta fusin në nji tjeter veshë me xink[zink] sipri e ta pshtjellin [mbështjellin] me pafta hekuri ?…
Pader Gjergji e pâ njiherë mandej iu soll:
-M’difto Gjon, ti a ke flokë, lëkurë e rrashtë ?
-Poo.
-Edhe trutë, do ta keshë xanë [mësuar] në shkollë, se janë të mbështjelluna me nji mazë[cipë] të hollë ?
-Si urdhnon.
-Po bâj séri [çudi] pra se si tuj pasë flokë, lëkurë, rrashtë e cipë…mendt kanë mujtë me të dalë ?…
/Gazeta Panorama
… dhe kthehej në shtëpi, pasi e kishin pushuar nga puna dhe i tha së ëmës:
-Moj mama! Mbase e kam faijin vet që kudo, më pushojnë mua të parin?!!!
I nderuar Perparim, s’ka nje te dyte si Im Ate. Si poet dhe si njeri. Ju flm shume.
Meqë je tuj e nda me ne lexuesit, që ishte bota e Tij nuk kam se si të hesht!
Sparit meqë ka mbyll sytë bash Ditën e Shna Ndoit të Padovës pranoni prej mejet: Ngushllime të sinqerta ju, zj. Elida, bijë e poetit të madh V.Skënderi! Dritë pastë dhe kjoft pranë Zotit i qetë!
Të jeni e qetë se i ndjeri baba ka lanë si trashëgim kombit shqyptar: Dashnin, sakrificat, vujtjet, veprat dhe shpirtin popullit Tij, kombit dhe kulturës Shqyptare! Unë e kam njohë si paraqitje dhe kam lexue pak prej poezis Tij te revista “Drita!. Poezia e Tij ishte frymzim, mesazh, gjenialitet për mue dhe ma merr mendja edhe për atë pjesë jo-konformiste të asaj periudhe absurde ! Ishte gjeni i guximit, shpallës i luftës ndaj perbindshit dhe lakejve të tij. E kujtoj babën t’uej në panelin e disa shkrimtarve midis Petro Markos në H/Centarlin e Vau dejsit në verën e 1969 në mesin e puntorve tuj folë për letërsin. Kush kishte pak ndjesi – lexohej në ftyrat e Poetit – Shqetsimi, stuhia, uragani, tërmeti i shpirtit Tij……..
Ju lutem – Mos mbani tej dishprim për vujtjet e Babës sepse u banën për Atdhen, popullin dhe për Moralin Njerzor, ku ngadhnjeu triumfator!
Falemnerës që e ndatë me ne!
Qofshi i bekuar dhe shume falenderime nga gjithe familja jone i nderuar Bep Pjetri. Ju pershnes.
U prehte ne parajse shpirti i poeti. Kur i humbasim kujtohemi sepse nuk na lene zhurmemedhenjte qe vargezojne