Nga Steve Rosenberg, BBC
“Po tani çfarë do të bëjë Vladimir Putin”?
Kjo është një pyetje që ma kanë bërë shumë këtë javë. Dhe është e kuptueshme. Në fund të fundit, kjo ishte java kur udhëheqësi i Kremlinit uli “traun” e pengesave për përdorimin e armëve bërthanmore ruse.
Ishte java kur SHBA dhe Britania e Madhe kaluan (një tjetër) vijë të kuqe të Putinit, duke lejuar Ukrainën të lëshonte raketa me rreze të gjatë veprimi në Rusi, të furnizuara nga Perëndimi.
Ishte gjithashtu java që Presidenti Putin, në fakt, kërcënoi Mbretërinë e Bashkuar, Amerikën dhe çdo vend tjetër që furnizonte Ukrainën me armë të tilla dhe për qëndrimet e kësaj natyre.
“Ne e konsiderojmë veten në të drejtën tonë të përdorim armët kundër objekteve ushtarake të atyre vendeve që lejojnë përdorimin e armëve të tyre kundër objekteve tona”, tha udhëheqësi rus në një fjalim drejtuar kombit të enjten në mbrëmje.
Pra, siç mund edhe të shihet tani: “Çfarë do të bëjë Vladimir Putin më pas”? është një pyetje më urgjente. Dhe, duke qenë se unë jam redaktor i BBC për Rusinë, mund të prisni që unë te kem përgjigjen.
Unë do të jem i sinqertë me ju. Jo, nuk e kam.
Ndoshta edhe Putini nuk e di përgjigjen, gjë që i bën gjërat edhe më serioze.
Në vend të përgjigjeve, disa vëzhgime.
Drejt përshkallëzimit
Këtë javë Kremlini akuzoi Perëndimin, masivisht, për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë. Por gati 3 vjet në luftë në Ukrainë kanë treguar se është Vladimir Putin ai që përqafon përshkallëzimin si një mjet për të arritur qëllimet e tij – në këtë rast, kontrollin mbi Ukrainën ose të paktën paqen me kushtet e Rusisë.
Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Putini, vendimi i tij për të shpallur katër territore ukrainase pjesë të Rusisë, vendosja e trupave të Koresë së Veriut në rajonin e Kursk, vendimi i tij të enjten për të shënjestruar qytetin ukrainas të Dnipro me një raketë të re balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi, pasuar nga kërcënimet për të goditur perëndimin – të gjitha këto përfaqësojnë momente përshkallëzimi në këtë konflikt.
Njëherë e përshkrova Vladimir Putinin si një makinë pa marshin mbrapa dhe pa frena, që lëviz shpejt në autostradë, me pedalin e gazit shtypur dhe të njësuar me dyshemenë.
Nga sa mund të shoh, pak ka ndryshuar.
Mos prisni që “makina Putin” të ngadalësohet papritur ose de-përshkallëzohet tani përballë sulmeve me raketa me rreze më të gjatë veprimi ndaj Rusisë.
Megjithatë, përshkallëzimi është një çështje tjetër. Kjo është një mundësi e veçantë. Ukraina do të përgatitet për më shumë sulme ruse, madje edhe bombardime më të rënda. Qeveritë perëndimore do të vlerësojnë nivelin e kërcënimit në dritën e paralajmërimeve të Putinit.
Edhe para fjalimit televiziv të liderit të Kremlinit, në Perëndim kishte pasur frikë nga një rritje e luftës hibride ruse.
Muajin e kaluar kreu i MI5 paralajmëroi se inteligjenca ushtarake ruse ishte e angazhuar në një fushatë për të “gjeneruar kaos në rrugët britanike dhe europiane”.
“Ne kemi parë zjarrvënie, sabotim dhe më shumë”, shtoi ai.
Në qershor, Putin sugjeroi se Moska mund të armatoste kundërshtarët e Perëndimit nëse Ukraina do të lejohej të godiste thellë në Rusi me raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi.
“Ne besojmë se nëse dikush mendon se është e mundur të furnizohen me armë të tilla në një zonë lufte për të goditur territorin tonë dhe për të krijuar probleme për ne”, tha ai, “pse nuk mund të furnizojmë me armë tona të të njëjtit kalibër në ato rajone përreth tyre në botë, ku të synohen objektet e ndjeshme të vendeve të tyre siç po ia bëjnë Rusisë”?
Opsioni bërthamor
“Pyetja “Çfarë do të bëjë Putini më pas”? zakonisht pasohet nga: A do të përdorë Putin një armë bërthamore në luftën e Ukrainës”?
Presidenti rus ka hedhur disa sugjerime jodelikate. Me shpalljen e fillimit të “operacionit të tij special ushtarak”, pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës – ai kishte lëshuar një paralajmërim për “ata që mund të tundohen të ndërhyjnë nga jashtë”.
“Pavarësisht se kush përpiqet të na pengojë apo krijojë kërcënime për vendin dhe popullin tonë”, deklaroi kreu i Kremlinit, “ata duhet të dinë se Rusia do të përgjigjet menjëherë”. “Dhe pasojat do të jenë të tilla që nuk i keni parë kurrë në tërë historinë tuaj”.
Udhëheqësit perëndimorë në përgjithësi e hodhën poshtë ata që ata e shihnin si goditje bërthamore. Që nga fillimi i luftës, qeveritë perëndimore kanë kaluar disa “vija të kuqe” ruse: duke i ofruar Ukrainës tanke, sisteme të avancuara raketore dhe më pas avionë luftarakë F-16.
“Pasojat” e kërcënuara nga Kremlini nuk u realizuan kurrë.
Në shtator Putin njoftoi se po “ulte pragun” për përdorimin e armëve bërthamore – dekreti u bë publik këtë javë. Një paralajmërim i qartë për Europën dhe Amerikën që të mos lejojnë sulme me raketa me rrezze më të gjatë veprimi në territorin rus.
Tani edhe kjo vijë e kuqe është kapërcyer. Në fjalimin e tij drejtuar kombit, Putin konfirmoi raportet perëndimore se Ukraina kishte sulmuar me raketa ATACM të furnizuara nga SHBA dhe raketa të prodhimit britanik “Storm Shavow”, në objektivat brenda Rusisë.
Në fillim të kësaj jave, kur taboidi pro-Kremlinit Moskovsky Komsomolets pyeti një gjeneral lejtnant në pension se si Rusia duhet t’i përgjigjet një sulmi ATACMS në rajonin Bryanks, ai u përgjigj: “Nisja e Luftës së Tretë Botërore për sulmet në një depo armësh në rajonin e Bryanks do të ishte ndoshta dritëshkurtër”.
Do të ishte ngushëlluese të mendosh se Kremlini ndan këtë pikëpamje.
Por fjalimi i Vladimir Putin drejtuar kombit nuk përmbante asnjë provë për këtë.
Mesazhi i tij për mbështetësit e Ukrainës në Perëndim dukej se ishte: kjo është një vijë e kuqe për të cilën e kam seriozisht, mos guxoni ta kaloni.
“Edhe Putini nuk e di nëse mund të përdorë një armë bërthamore apo nuk mundet. Varet nga emocionet e tij”, tha së fundi kolumnisti i Novaya Gazeta, Andrei Kolesnikov.
“Ne e dimë se ai është një njeri shumë emocional. Vendimi për fillimin e kësaj lufte ishte gjithashtu një hap emocional. Për këtë arsye ne duhet ta marrim seriozisht idenë e tij për ndryshimin e doktrinës bërthamore. Ata thonë se frika e luftës do të duhet t’i përmbajë të dyja palët, por edhe ky është një mjet përshkallëzimi.
Në këtë interpretim duhet të pranojmë se Putini, në disa rrethana, mund të përdorë të paktën një armë bërthamore taktike në kuadrin e një lufte të kufizuar bërthamore. Nuk do ta zgjidhë problemin. Por do të jetë fillimi i një përshkallëzimi vetëvrasës për të gjithë botën.
Armët bërthamore taktike janë koka të vogla të destinuara për përdorim në fushën e betejës ose në goditje të kufizuara.
Faktori Trump
Vladimir Putin mund të veprojë në bazë të emocioneve. Ai është gjithashtu, qartësisht, me një pakënaqësi të rritur me Perëndimin dhe duket i vendosur të mos tërhiqet. Por ai gjithashtu e di se bota së shpejti do të jetë një vend shumë ndryshe.
Pas 2 muajsh Joe Biden do të jetë jashtë detyrës si President i SHBA dhe Donald Trump do të jetë në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i sapozgjedhur Trump ka shprehur skepticizëm në lidhje me ndihmën ushtarake të SHBA-së për Ukrainën dhe ka qenë kritik i ashpër ndaj NATO-s. Ai gjithashtu ka thënë së fundmi se të bisedosh me Vladimir Putin do të ishte “një gjë e zgjuar”.
E gjithë kjo duhet të jetë muzikë për veshët e Putinit.
Që do të thotë se, pavarësisht kërcënimeve dhe paralajmërimeve të fundit, Kremlini mund të vendosë kundër një përshkallëzimi të madh pikërisht tani.
Kjo do të thotë, se Kremlini ka llogaritur se Donald Trump do të ndihmojë në përfundimin e luftës me kushte të dobishme për Rusinë.
Dhe nëse ky kalkulim ndryshon, po kështu mund të ndryshojë edhe përgjigjija e Moskës.
(BalkanWeb)
Komentet