Edhe pse nacionalizmi shqiptar njohu orvatjen për ta zevendësuar me fenë e kombit çdo fe tjetër, është vënë në dukje se lëvizjes për pavarësi nuk i ka munguar shtysa nga njerëz fetarë, njëri ndër të cilët ishte Imzot Nikollë Kaçorri nga Lura e bashkëjetesës model, biri i një katoliku dhe i një myslimanje. Kaçorri u përgatit për t’i shërbyer atdheut atje ku kishte më shumë nevojë, duke e vënë veten plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare, sipas devises “Atdhe dhe Fe”, që do të thotë se pa qenë atdhetar i mire, nuk mund të jesh as fetar. Kaçorri kishte mbaruar shkollat më të mira të kohës, Kolegjin Urban të Romës dhe dy vjet të tjera në Universitetin “Zeking” në Zyrih, si dhe zotëronte italisht, gjermanisht, frëngjisht”, siç shkruan jetëshkruesi i tij, Dom Mark Dushi.1) Megjithëse ishte njëri ndër shqiptarët më të ditur të kohës së vet, ai nuk zgjodhi sallonet e politikës dhe të diplomacisë dhe as bibliotekat hijerënda për t’i shërbyer atdheut si intelektual rilindës, por si atdhetar u angazhua që t’i shërbente kudo ku kishte nevojë, edhe në dimensionin e luftëtarit rilindës që lufton me pushkë dhe me penë.
Nën shembullin e tij dhe me njëfarë miratimi të heshtur nga Selia e Shenjtë, klerikët katolikë të Shqipërisë u angazhuan në përpjekjet për Rilindjen Kombëtare të kombit tonë. Jo rastësisht, qelat e kishave u kthyen në shkolla shqipe dhe vatra ku gjendej libri shqip.
Dom Nikolla nuk u emërua rastësisht në Durrës, qytetin që kishte shumë intelektualë të shkolluar dhe ishte porta e Shqipërisë nga perëndimi. Ai ngjiti shpejt karrierën kishtare, u bë zëvendësi i Kryeipeshkëvit dhe mbështetjen e tij e përdori për t’i shërbyer popullit në lëvizjen për pavarësi kombëtare. Kisha Shën Luçia ku ai shërbente u bë vendi ku mblidheshin të gjithë atdhetarët pa dallim feje, aty gjindeshin librat shqip, aty zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe dhe organizohej propaganda kombëtare.
Nikollë Kaçorri gjeti në Durrës një traditë të mësimit shqip që ai e çoi më përpara. Pranë kishës katolike që në periudhën e Kryeipeshkëvit D’Ambrosio kishte funksionuar shkolla e drejtuar nga famullitari. Në atë kohë mësuesit ishin të paktë, prandaj dhënia e mësimit të gjuhës amtare u bë një çështje nderi dhe detyrë e lartë patriotike për të gjitha ata që mund ta kryenin këtë punë. 2) Për Kaçorrin mësues, Stef Kaçulini në revistën “Vegim Drite” shkruan: “Në fillim të shërbimit meshtarak, Dom Nikollë Kaçorri kreu detyrën e mësuesit të shkollës austro-hungareze në Durrës”. Në vitin 1898, Stefani ishte ndihmësi i Kaçorrit në atë shkollë. 3) Kleriku Kaçorri mësimin e shqipes do ta bënte edhe jashtë mureve të shkollës në mjediset qytetare durrsake, tek atdhetarët e tjerë, sepse atdhetarizmi shqiptar kërkonte njerëz të ditur. Njëri ndër dëshmitarët e kësaj pune, Ymer Deliallisi pohon se “…shkrimin e gjuhës shqipe e mësova fshehurazi nga mësuesi shëtitës Murat Toptani 4) dhe Nikollë Kaçorri”. 5)
Veprimeve atdhetare të intelektualëve durrsakë iu kundërpërgjigjën autoritetet me lejimin e një numri të madh të shkollave të huaja. Në fund të shekullit XIX në Durrës kishte dy shkolla turke për nxënësit muslimanë, dy shkolla greke për nxënësit ortodoksë, një shkollë italiane për nxënësit katolikë, një shkollë plotore (ruzhdije) në gjuhën turke dhe një shkollë fetare në gjuhën arabe.6) Sikur të mos mjaftonte kjo, në fillim të shekullit XX, u hap edhe një shkollë rumune, e cila u mbyll brenda vitit 7) dhe në vitin 1901 u shtuan edhe dy shkolla italiane: një për djem dhe tjetra për vajza.8) Në atë situatë, përhapja e arsimit shqip ishte përpjekje mbijetese për lëvizjen atdhetare. Shkolla shqipe u bë vendi ku do të bashkoheshin shqiptarët pa dallime fetare, mbi bazën e gjuhës dhe gjakut të përbashkët, u bë vendi ku mësohej dhe vëllazëroheshin njerëzit e atdhetarë. Dhe që ky mision i shenjtë të realizohej më mirë, atdhetarët durrsakë, në vitin 1907, themeluan në ilegalitet shoqërinë “Vllaznia”, me kryetar Dr. Neki Libohovën. Në shenjë vlerësimi, antarët e shoqërisë e zgjodhën Nikollë Kaçorrin kryetar nderi”.9) Në shënimet e avokat Hysen Myshketës jepen emrat e veprimtarëve kryesorë të Shoqërisë “Vllaznija”: myftiu Mytezim Këlliçi, avokat Hasan Haxhiu, Jonuz Tartari, doktor Neki Libohova, Andrea Konomi, Jahja Ballhysa, Abaz Çelkupa, Hysen Halimi, Kristaq Rama, si dhe më të rinjtë: Kasem Durrësi, Mustafa Kruja, Stefan Kaçulini, Mahmut Beshiri, Sul Kadiu dhe nga gjyqtarët e Durrësit, gjirokastritët: Mustafa Nuri Pipa, Ferit Cena, Ferid Nepravishta, Sami Kokalari dhe Hysen Myshketa.10)
Sipas kujtimeve të atdhetarit Abaz Çelkupa “Klubi zhvilloi një veprimtari “normale” në kushte ilegaliteti në kishën katolike për rreth gjashtë muaj”,11) por pasi xhandarmëria turke e kishte vënë nën vëzhgim kishën, qendra e shoqërisë u largua prej andej dhe u vendos në shtëpinë e familjes atdhetare të Kërtushëve. 12)
Me zgjedhjen e Myftiut Mytezim Këlliçi si kryetar të shoqërisë “Vllaznia” u frenua disi veprimtaria propagandistike e fanatikëve myslimanë që shpreheshin:” Kush përdor shkronjat shqipe “prish dinin dhe imanin dhe përdor gjuhën e lanetit”.13) Vetëm njerëz me shpirt atdhetar si Nikollë Kaçorri dhe Mytesim Këlliçi, mund të bashkoheshin në atë periudhë për një çështje aq të sulmuar, denigruar dhe anatemuar, siç ishte shkrimi dhe leximi i gjuhës shqipe. Ky bashkëpunim i frytshëm bëri që ndikimi i Shoqërisë të shtrihej edhe nëpër fshatra. Duke përdorur autoritetin e Myftiut, atdhetarët durrsakë luftuan kundër komitetit xhonturk të qytetit dhe mundën ta ruajnë frymën atdhetare tek pjesa më e madhe e popullsisë durrsake.
Nikollë Kaçorri kishte bashkëpunuar me konsullatat austriake në Shkodër dhe Durrës për sigurimin e librave shqip.14) Kisha ishte vendi ku mund të mbaheshin librat, pasi autoritetet osmane e kishin të vështirë bastisjen e saj. Nëpërmjet postës së Vatikanit librat vinin te Kryeipeshkëvia e Durrësit dhe përmes Dom Nikollë Kaçorrit shpërndaheshin nga Kasem Durrësi dhe atdhetarë të tjerë në Elbasan, Tiranë dhe Lushnjë.15) Nga ana tjetër, Kaçorri ua lexonte librat njerëzve që nuk dinin këndim dhe shkrim dhe i shpërndau ato libra deri në zonat më të thella, ku bën pjesë dhe Lura e tij.16)
Pas revolucionit xhonturk, shoqëria “Vllaznia” kaloi në veprimtarinë legale. Kaçorri u lidh me atdhetarë të tjerë për të bashkërenduar punën e përbashkët. Ai u zgjodh delegat i Durrësit në Kongresin e Manastirit. Nga shënimet autobiografike të Agustin Serreqit mësojmë se delegat unanim i zgjedhur nga grupi i atdhetarëve durrsakë që aderonin në klubin “Vllaznia” ishte Nikollë Kaçorri. Ai ishte aktiv gjatë punimeve të Kongresit. Në fjalën e tij, në ditën e tretë të punimeve, Kaçorri i bëri një analizë të shkurtër temës së alfabetit, duke theksuar humbjen e madhe që Shqipëria kishte pësuar deri në atë kohë, nga mungesa e një alfabeti të vetëm dhe rëndësinë që kishte caktimi i tij. Duke iu drejtuar delegatëve ai u shpreh: “Do të adaptonim me guximin më të madh që të përdorim atë alfabet, që do të caktohej… ”.17) Siç del edhe nga dy diskutime të tjera të tij, të gjitha përpjekjet ai i kishte përqëndruar në sigurimin e unitetit në Kongres dhe përfundimin me sukses të punimeve të tij. Fjalimet e Kaçorrit patën ndikim tek pjesëmarrësit, që u bëri përshtypje kultura e lartë gjuhësore e tij. 18)
Po të krahasojmë qëndrimet e Kaçorrit në konferencën Ipeshkvnore të vitit 1902 dhe në kongresin e Manastirit duket se ka një mospërputhje qëndrimesh. Në vitin 1902, prelatët katolikë shqiptarë ishin mbledhur për të caktuar si alfabet të përbashkët njërin ndër dy alfabetet që kishin hartuar vetë, dhe aty Kaçorri shfaqi publikisht pëlqimin për alfabetin e Stambollit, që siç dihet, s’kishte të bënte me asnjërin nga alfabetet e propozuara. Ndërsa në Manastir, nuk shfaqi asnjë parapëlqim, duke u deklaruar në favor të zgjidhjes që do të vendosej nga të gjithë, pra nuk e mbrojti më alfabetin e Stambollit. Ky ndryshim i qëndrimit nuk lidhet me preferenca vetiake, por me rrethanat e ndryshme kur zhvilloheshin ngjarjet. Në Shkodër, Kaçorri si atdhetar, mbrojtjen e alfabetit të Stambollit, për të ruajtur lidhjet kulturore dhe shpirtërore në mes të shqiptarëve dhe si një përgjigje ndaj sjelljes së pamenduar mirë, që një çështje aq madhore, siç ishte alfabeti, të trajtohej në rrethe të ngushta intelektuale.
Në pamundësi të pengimit të shkollës shqipe, xhonturqit menduan që ta pengonin përdorimin e alfabetit latin, që t’i mbanin shqiptarët myslimanë të lidhur kulturalisht me turqit, si dhe të ruanin ndasitë kulturore në mes të shqiptarëve, në shërbim të politikës së tyre shoviniste dhe doktrinës së osmanizmit. 19)
Këmbëngulja e xhonturqëve në Kongresin e Dibrës mbi çështjen e alfabetit, ishte përpjekja e fundit që ata bënë për të ushqyer përçarje midis shqiptarëve të krishterë dhe myslimanë. 20) Megjithëse ishte caktuar delegat në këtë Kongres, bashkë me atdhetarët Neki Libohova, mjeku i Bashkisë dhe Mytesim Këlliçi, myfti i Durrësit 21) nuk morën pjesë në punimet e tij për shkak të pengesave të komitetit xhonturk të Durrësit. Si kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve xhonturke për pengimin e përparimit kulturor të shqiptarëve, disa ditë pas Kongresit të Dibrës, shoqëria “Vllaznia” pushoi së ekzistuari dhe me antarësinë e saj dhe të tjerë u themelua klubi “Bashkimi”. Në klubin e ri ka pasur një udhëheqje në grup. Sipas kujtimeve që përmendëm më lart, del se në kryesinë e tij ka qenë Dom Nikollë Kaçorri, Dr.Neki Libohova, Abaz Çelkupa, Sotir Veveçka dhe arkëtar Stefan Kaçulini. Gazeta “Bashkimi i Kombit” shkruan se kryetar i klubit “Bashkimi” në Durrës ka qenë Jahja Ballhysa”.22) Agustin Serreqi në kujtimet e tij veçon dy figura drejtuese: Nikollë Kaçorrin dhe Neki Libohovën. 23) Ka arsye të mendojmë se Kaçorri nuk e mori formalisht drejtimin e klubit “Bashkimi”, siç kishte vepruar më parë edhe me shoqërinë “Vllaznija”. Kjo bëhej për të tërhequr pas vetes në Lëvizjen Kombëtare edhe elementet e lëkundur të besimit mysliman, të cilët mund ta shihnin me dyshim një klub atdhetar që udhëhiqej prej një prifti katolik.
Themelimi i klubit “Bashkimi” i dha hov të madh lëvizjes atdhetare në Durrës. Një nga sukseset e tij të para ishte futja e mësimit të shkrimit shqip në shkollën Idadije (gjimnazin turk të Durrësit), mësues i të cilës ishte atdhetari i njohur Sali Nivica nga Kurveleshi, i sapo diplomuar në shkollën “Zosimea”, 24) si dhe hapja e një shkolle shqipe në Durrës që kishte 35 nxënës. Krahas shkollave të ditës, pranë klubit “Bashkimi” të Durrësit u çelën shkolla ose kurse mbrëmje për të mësuar shkrim dhe lexim kryesisht të rriturit. 25) Gjatë vizitës së inspektimit në Durrës, Valiu i Shkodrës, ndonëse pa sukses, u përpoq që të bashkonte klubin shqiptar me atë xhonturk, me qëllim që të mbyllej klubi “Bashkimi” dhe kurset e natës në gjuhën shqipe, që funksiononin pranë tij. 26) Presioni xhonturk shpesh herë kaloi deri në veprime ekstreme dhe shkollat shqipe u hapën dhe u mbyllën disa herë sipas situatës së krijuar. 27)
Kongresi i Dibrës nuk e ndryshoi vendimin e marrë qysh më parë nga rrethet atdhetare për të mbledhur një kongres kombëtar në Elbasan, i cili do të shqyrtonte në mënyrë të veçantë problemin e shkollës shqipe. Kaçorri zgjidhet në njërin nga komisionet e kongresit bashkë me Mithat Frashërin,Gjergj Qiriazin, Refik Toptanin, etj, të cilët u ngarkuan me disa detyra të rëndësishme: sqarimin e çështjes së mësonjtoreve të përgjithshme, hartimin e rregullores dhe programit për mësonjtoren e Elbasanit dhe formulimin e vendimeve të Kongresit. Imzot Kaçorri ishte dhe njëri ndër referuesit. Ai foli haptas në mbrojtje të vendimeve që u morën në atë kongres për çështjen e autonomisë së Shqipërisë, zhvillimin e mëtejshëm kombëtar, për shkollimin në shqip me alfabetin latin, hapjen e Normales së Elbasanit dhe njohjen e klubit të Manastirit si klub qendror. Konsulli austro-hungarez në Manastir, në informacionin për ambasadorin në Stamboll, ndalet edhe në fjalimin e Kaçorrit: “…famulltari i Durrësit, Dom Nikollë Kaçorri mbajti një fjalim ku, pasi vlerësoi atdhetarët që nuk kishin kursyer asgjë për çështjen kombëtare, dënoi luftën e regjimit të vjetër turk kundër shqiptarëve”. 28)
Pas përfundimit të punimeve, Nikollë Kaçorri së bashku me Jahja Ballhysën qëndruan disa ditë të tjera në Elbasan, ku vizituan shoqëritë atdhetare të atjeshme 29) dhe sapo u kthyen, sqaruan vendimet e kongresit të Elbasanit me grupe qytetarësh në Durrës, Kavajë, Ishëm, Krujë dhe Tiranë…Për të ndihmuar shkollën që u vendos të hapej në Elbasan dhe shoqërinë shkollore “Përparimi” që u themelua në Korçë, Kaçorri dhe Ballhysa hapën një fushatë për ndihma në të holla, ku vetë Kaçorri shënoi i pari emrin në listën e kontribuesve, duke dhuruar tri lira turke. 30)
Pas shpalljes së Pavarësisë, përhapja e arsimit shqip mbeti një mision atdhetar, por për herë të parë, shteti ishte i interesuar në hapjen e shkollave shqipe që u shtuan shumë, si nëpërmjet kthimit të shkollave turke në shkolla shqipe, ashtu dhe hapjes së shkollave të reja. Qeveria e Vlorës u anagzhua që shkollat të hapeshin dhe në ato treva ku nuk shkonte kontrolli i saj. Me hapjen e shkollave në Durrës, fshatrat e tij dhe në të gjithë veriun u angazhuan atdhetarët që vinin nga këto treva, ndër të cilët dhe Nikollë Kaçorri, tashmë Nënkryetar i Qeverisë. Kështu, gjatë vitit shkollor 1912-1913, në Durrës hapet një shkollë shqipe,31) për hapjen e të cilës Kaçorri ishte angazhuar personalisht. Përmes njerëzve të tij, Kaçorri vendosi lidhje me miqtë e tij në sanxhakun e Durrësit e më gjërë, si dhe me të gjithë klerikët e Kryeipeshkëvisë, të cilët sipas porosisë së Kaçorrit duhet të angazhoheshin për shtrirjen e autoritetit të Qeverisë së Vlorës në ato zona. Dy nga njerëzit e tij të afërt, Bibë Koçeku dhe Ndue Kaçorri takuan në Mat Shyqyri Koçin, që ishte emëruar Prefekt i Dibrës, por deri sa Dibra të çlirohej kryente detyrën e Nënprefektit të Matit. Nënprefekti Koçi shkoi me ta në Lurë dhe më 23 dhejtor 1912 ngriti atje flamurin kombëtar dhe hapi shkollën shqipe. 32 Në arkivin e Shtetit ruhet letërkëmbimi i Kaçorrit me nënprefektin Koçi. Në njërën ndër letrat, Kaçorri e porosit Koçin që të shpallë Pavarësinë dhe të ngrejë flamurin kombëtar në Mat.33) Nënprefekti Koçi, me vullnetin që e karakterizonte, pasi realizoi porositë e Zëvendëskryeministrit, e informoi se,bashkë me shokët, kishin ngritur flamurin shqiptar dhe hapur shkolla shqipe në disa fshatra. 34) I entusiazmuar nga informacioni që mori, Kaçorri e falenderoi dhe e porositi që shkolla shqipe të mbetej laike, si kusht për ta ruajtur nga ndikimet përçarëse. Ai e këshilloi përfaqësuesin e Qeverisë në Mat se “mësuesit që do të punonin në shkolla duhet të ishin figura që bashkonin njerëzit, të ishin atdhetarë laikë. 35) Vetë ai kishte vepruar si i tillë.
Kaçorri kishte ardhur në jetë nga prindër me fe të ndryshme për të qenë i besueshëm si misionar i bashkimit të shqiptarëve. Ai kishte vazhduar shkollën dhe ishte bërë njeri i ditur, atdhetar dhe klerik i njohur. Me përvujtësinë e klerikut ai i shërbeu kombit shqiptar dhe duke qenë klerik i shërbeu më shumë, se mundësitë i pati më të mëdha. Emërimi i tij si Zëvendës i Ismail Qemalit nuk u bë rastësisht, por ishte rezultat i llogaritjeve të kujdeshme politike dhe diplomatike të fuqive që mbështetën Pavarësinë e Shqipërisë. Nikollë Kaçorri u gjet si figura më përfaqësuese ndër të krishterët që t’i qëndronte në krah Plakut të Vlorës në ditët historike kur po lindëte shteti shqiptar.
___________________
Referenca:
1.- Dom Mark Dushi, Një figurë e ndritur, patrioti shqiptar Dom Nikollë Kaçorri, AQSH, Fondi.572, dosja.3, fl.2
2.- Histori e Shqipërisë, vëll.II, Tiranë 1984, f.420
3.- Stef Kaçulini, Kujtime (dorëshkrim), Muzeu Historik Durrës.
4.- .Murat Bej Toptani lindi më 13 korrik të vitit 1867. Ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, skulptor shqiptar. Zotëronte disa gjuhë të huaja si frëngjisht, turqisht, arabisht, gjermanisht dhe italisht.
5.- Stefan Kaçulini në lëvizjen patriotike durrsake, botimet “Toena”, Tiranë 2004, f. 23.
6.- Hajredin Isufi, Feja dhe flamuri-Dom Nikollë Kaçorri, botimet “Pegi”, Tiranë 2008, f.4.
7.- Hajredin Isufi, Feja dhe flamuri-Dom Nikollë Kaçorri,… f.1
8.- Hajredin Isufi, Feja dhe flamuri-Dom Nikollë Kaçorri,… f.12.
9.- Agustin Serreqi, Veprimtaria politike, kulturale dhe arsimore në Durrës më 1907-1909, shih Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë 1972, f.445
Antarët zgjodhën udhëheqjen e kësaj shoqërie. Kryetar u zgjodh doktori i Bashkisë, Neki Libohova; Nikollë Kaçorri kryetar nderi dhe mua më ngarkuan të merresha me degën e arsimit dhe të kulturës. Qendra e shoqërisë në fjalë ka qenë dhoma ku ajo u formua. Statut të shkruar nuk kemi patur, por ne, si nxënës të rilindasve punonim për zgjerimin sa më shumë të arsimit e kulturës në gjuhën amtare”,- shkruan Agustin Serreqi. Agustin Serreqi, Veprimtaria politike, kulturale dhe arsimore në Durrës më 1907-1909, shih Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë 1972, f.445
10.- Hysen Myshketa, Shënime historike 1880-1939, Muzeu Historik Durrës.
11.- Sali Hidri, Shoqnia “Vllaznia” 1907, gazeta “Durrësi-Biznes, Nr. 10, janar 1995.
12.- Ali Fortuzi, Durrësi dhe durrësaku në Institutin e Kulturës Popullore, Tiranë, 1982, f.47.
13.- Abaz Çelkupa, Shënime autobiografike, Muzeu Historik Durrës.
14.- Frano Ilia, Famullia … f.47.
15.- Genc, Durrësi, Kasem Durrësi, atdhetar dhe demokrat, Globus R, Tiranë 2009, f..15
16.- Adrian Kadiu, Dibra e Madhe dhe një vështrim mbi Dibrën e Vogël, Morava, Tiranë 2010,f. 401.
17.- Mihal Grameno, revista “Ylli i Mëngjesit”, viti 1918.
18,- Jahja Drançolli, Kontributi i klerit katolik në Kongresin e Manastirit, gazeta “Koha Ditore”, 8.11.2008.
Po përfundojmë duke konstatuar se pjesëtarët e klerit katolik shqiptar, përveç traditës së bujshme në lëvrimin e gjuhës shqipe nga fillimet e saj në Mesjetë, u shquan edhe me kontribut të rëndësishëm në Kongresin e Manastirit më 1908. Në këtë Kongres u spikat sidomos erudicioni i Atë Fishtës, Dom Nikollë Kaçorrit, Dom Ndre Mjedës, Prof. Dr. Jahja Drançolli, Kontributi i klerit katolik në Kongresin e Manastirit.
19.- Hysni Myzyri, Arsimi kombëtar shqiptar (1908-1912), Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore të Kosovës, Prishtinë 1996, f.25
20.- Stavro Skëndi, Zgjimi Kombëtar Shqiptar 1878-1912, shtëpia e Librit dhe e komunikimit, Tiranë200, f.343
21.- HHSTA, PA,A, Raport i konsullit austro-hungarez në Durrës, ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, Durrës, 23 korrik 1909.
22.- Gazeta “Bashkimi i Kombit”, Manastir, 22 vjeshtë e dytë 1909.
23.- Agustin Serreqi, Shënime Historike, Muzeu Historik Durrës.
24.- Gazeta “Liria” Selanik nr.61, 7 vjeshtë e tretë 1909.
25.- Hysni Myzyri, Arsimi kombëtar shqiptar (1908-1912), Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore të Kosovës, Prishtinë 1996, f.62
26.- HHStA PA A, Raport i Konsullit austro-hungarez në Durrës, Nr.3, datë 1 shkurt 1910
27.- Gazeta “Liria”, Selanik, 19 shëndre 1910.
28.- HHSTA, PA, A, Raport i konsullit austro-hungarez Postfai në Manastir, ambasadorit të Austro-Hungarisë në Stamboll, Manastir më 20 shtator 1909.
29.-Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, përgatitur nga Mahir Domi dhe Aleks Buda, Akademia e Shkencave, Tiranë 1972, f..446
30.- Gazeta “Liria” Selanik, 12 vjeshtë e parë, 1909.
31.- Bedri Dedja, etj, Historia e Arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, botimi institutit të Studimeve Pedagogjike, Tiranë 2003, f.266
32.-Ali, Koçeku, Lura,vështrim historik, Dita 2000, Tiranë 2003, f.15.
33.-Muzeu Historik i Dibrës, Dosja Nikollë Kaçorri.
34.-AQSH, dosja nr.146, viti 1913, dokumenti 2, mikrofilm.
35.-Gazeta “Përlindja e Shqypnies”, 17 shtator 1913.
Literatura
– AQSH-Arkivi Qendror Shqiptar
– HHStA PA A, Hof und Staatarchiv, Politiches Archiv von Austria.
– Abaz Çelkupa, Shënime autobiografike, Muzeu Historik Durrës.
– Agustin Serreqi, Veprimtaria politike, kulturale dhe arsimore në Durrës më 1907-1909, shih Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë 1972
– Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, përgatitur nga Mahir Domi dhe Aleks Buda, Akademia e Shkencave, Tiranë 1972
– Adrian Kadiu, Dibra e Madhe dhe një vështrim mbi Dibrën e Vogël, Morava, Tiranë 2010
– Ali Fortuzi, Durrësi dhe durrësaku në Institutin e Kulturës Popullore, Tiranë, 1982
– Ali, Koçeku, Lura,vështrim historik, Dita 2000, Tiranë 2003
– Bedri Dedja, etj, Historia e Arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, botimi institutit të Studimeve Pedagogjike, Tiranë 2003
– Danish Bebeziqi, Historia e qytetarisë durrsake, botimet “Globus R”, Tiranë 2003
– Florenca Stafa, Lëvizja për arsim kombëtar në Elbasan në fund të shek. XIX dhe fillim të shek. XX, Tiranë 2015
– Frano Ilia, Famullia e Milotit : Famullia e Shën Nikollës, Famullia e Shna Prendes,, Famullia e Shna Vlashit, Milot, 2006
– Genc Durrësi, Kasem Durrësi, atdhetar dhe demokrat, Globus R, Tiranë 2009.
– Hajredin Isufi, Feja dhe flamuri-Dom Nikollë Kaçorri, botimet “Pegi”, Tiranë 2008
– Histori e Shqipërisë, vëll.II, Tiranë 1984
– Hysen Myshketa, Shënime historike 1880-1939, Muzeu Historik Durrës
– Hysni Myzyri, Arsimi kombëtar shqiptar (1908-1912), Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore të Kosovës, Prishtinë 1996
– Jahja Drançolli, Kontributi i klerit katolik në Kongresin e Manastirit, gazeta “Koha Ditore”, 8.11.2008
– Mark Dushi, Një figurë e ndritur, patrioti shqiptar Dom Nikollë Kaçorri, AQSH, Fondi.572, dosja.3, fl.2
– Mihal Grameno, revista “Ylli i Mëngjesit”, viti 1918
– Muzeu Historik i Dibrës, Dosja Nikollë Kaçorri.
– Sali Hidri, Stefan Kaçulini në lëvizjen patriotike durrsake, botimet “Toena”, Tiranë 2004
– Sali Hidri, Shoqnia “Vllaznia” 1907, gazeta “Durrësi-Biznes, Nr. 10, janar 1995.
– Stavri Skëndo, Zgjimi kombëtar shqiptar: 1878-1912, Phoenix, Tiranë 2000
– Stef Kaçulini, Kujtime (dorëshkrim), Muzeu Historik Durrës.
Komentet