VOAL

VOAL

EVA BRAUN – GJYSMA TJETËR E QIELLIT TË ZI

August 1, 2015

Komentet

Aforizmi i ditës- 25 nëntor 2024

Reason is our soul’s left hand, faith her right.

John Donne

Arsyeja është dora e majtë e shpirtit tonë, besimi e djathta e saj.

John Donne

Kosova në tellallët rusë dhe nevoja për strategji efikase

Flamujt e Rusisë në Mitrovicë të Veriut më 17 janar 2019.

 

Valona Tela

Nëntorin e para gjashtë vjetëve, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Forumin e Paqes në Paris.

Ishte takimi i parë mes tyre ndonjëherë dhe, sipas një postimi që bëri Thaçi atëkohë në Twitter, ai u fokusua në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Kosovës citoi homologun rus të ketë thënë qartazi se Rusia do ta mbështeste një marrëveshje të paqes midis dy vendeve.

Rusia – aleate e Serbisë – nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, dhe Putin e përdor atë dhe ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi si “precedent” për t’i legjitimuar veprimet e veta në Ukrainë.

Kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të këtij vendi, më 24 shkurt të vitit 2022, Putin tha se “ky operacion i posaçëm ushtarak” ndjek shumë shembuj të tjerë.

“Fillimisht, një operacion i përgjakshëm ushtarak u zhvillua kundër Beogradit, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por me avionë luftarakë dhe raketa, të përdorura në zemër të Evropës. Bombardimi i qyteteve paqësore dhe i infrastrukturës jetike vazhdoi për disa javë”, tha Putin.

Krahasime të tilla – sipas Perëndimit pa vend – Putin bëri vazhdimisht, sidomos nga 2014-ta e këndej. Kur aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë, dhjetë vjet më parë, ai e krahasoi atë me pavarësinë e Kosovës nga Serbia.

Prej vitesh, Rusia u angazhua edhe në luftë hibride kundër Kosovës, duke përhapur informacione të rreme.

Përmes mediave dhe institucioneve të saj, ajo manipuloi narrativët në favor të interesave të veta, duke shënjestruar kryesisht zonat e banuara me serbë.

Në qershor të vitit 2022, për shembull, Ambasada ruse në Shqipëri publikoi një listë me numrin e pretenduar të mercenarëve të huaj që i janë bashkuar luftës në anën e Ukrainës – në mesin e tyre ishin 156 nga Kosova.

Autoritetet e Kosovës i hodhën poshtë këto shifra dhe i cilësuan si propagandë, e ngjashëm edhe hulumtuesit e dezinformimit rus.

Por, tendencat e tilla, për ta paraqitur Kosovën si të paqëndrueshme, vazhdojnë ende sot, sipas një raporti të Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, që u publikua këtë muaj.

Për këtë raport u analizuan mbi 34 mijë fjalë, që u nxorën nga mbi 100 deklarata zyrtare, fjalime, intervista e tekste të tjera të Ministrisë së Jashtme ruse.

Kryesoret prej tyre e paraqesin Kosovën si vend të dështuar, thonë se ndërhyrja perëndimore është bërë për interesa vetjake, se Perëndimi e përdor Kosovën për ta zgjeruar ndikimin e tij dhe për ta izoluar Serbinë.

Raporti thekson po ashtu se vetë Rusia është duke e dëmtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi një normalizim i tillë do t’i jepte një goditje të fortë ndikimit të saj si në Serbi, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.

Lulzim Peci, nga Instituti për Hartimin e Politikave, KIPRED, në Prishtinë, thotë se Rusia nuk do që ky dialog të përfundojë sipas planit të Perëndimit dhe se Kosova nuk duhet të shpresojë se sjellja e saj do të ndryshojë në ndonjë të ardhme të afërt.

Me këtë qasje, Peci thotë se Rusia do që ta pengojë sa më gjatë integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike.

“Rusia tenton që tensionet t’i mbajë të larta, duke e përkrahur Serbinë, përkundër faktit se Serbia është duke i shitur armë Ukrainës”.

“Mosprishja e marrëdhënieve mes tyre, megjithëkëtë, tregon se Serbia i duhet Rusisë si asnjëherë më parë. Asaj i duhet që kjo pikë nevralgjike – e moszgjidhjes së marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Serbi – të mbetet e tillë dhe ta pengojë integrimin e rajonit në BE”, thotë Peci për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Gjithashtu, për Ivana Stradnerin, hulumtuese në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me bazë në Uashington, Rusia është duke e shfrytëzuar Serbinë për qëllimet e veta. Por, thekson se lufta hibride që bën në Kosovë – me informacione të rreme dhe duke polarizuar shoqërinë në vija etnike, sociale dhe fetare – është “shumë e rrezikshme”.

“Informacioni është armë. Kujtoni se çfarë ka ndodhur në Ukrainë në vitin 2014! Rusia ka arritur t’i përmbushë të gjitha synimet e saj atje, pa një plumb të vetëm”.

“Ajo ka përdorur operacionet e veta të ndikimit, ka shënjestruar grupe, ka përcaktuar rrethanat e informimit, përpara se ka përshkallëzuar situatën. Kjo është pikërisht ajo që po ndodh tani në Ballkanin Perëndimor”, thotë Stradner për Exposenë.

Autoritetet e Kosovës, si presidentja Vjosa Osmani, ashtu edhe kryeministri Albin Kurti, paralajmërojnë vazhdimisht se Rusia, “përmes satelitit të saj – Serbisë”, synon ta destabilizojë Kosovën.

Gjatë një vizite në Prishtinë, muajin e kaluar, edhe presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, dënoi “luftën hibride” të Rusisë, që tha se ka qëllim t’i destabilizojë demokracitë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën.

Dezinformimi në BE paraqet sot një kërcënim serioz për funksionimin normal të demokracisë, sistemit politik, shoqërisë dhe ekonomisë.

Për të luftuar propagandën ruse, autoritetet e Kosovës ndërmorën disa masa, përfshirë ndalimin e punës së mediave dhe platformave online me origjinë nga Rusia, të cilat fabrikojnë informacione të rreme për Kosovën.

Por, Peci thotë se kjo nuk është e mjaftueshme, sepse zëri i Kosovës në shumë shtete të botës – nga Azia në Afrikë – vazhdon të mos dëgjohet.

Sipas tij, vendit do t’i duhej një njësi – që i bashkon të gjitha institucionet, nga Ministria e Jashtme deri tek Agjencia e Inteligjencës – për t’u marrë me Rusinë dhe informacionet keqdashëse të saj.

“E tërë kjo mund të bëhet, por, deri më tani, nuk është bërë asnjë hap konkret në këtë aspekt. Nuk mjafton të jemi reaktivë. Një gjë e tillë tregon se Kosova nuk ka një politikë të mirëfilltë dhe një strategji të kundërvënies ndaj dezinformatave të Rusisë si në nivelin global, ashtu edhe rajonal”.

“Nëse ka vullnet politik dhe ide të qarta se si të ecet përpara, Kosova për gjashtë muaj deri në një vit mund t’i ndërtojë këto kapacitete në mënyrë solide”, thotë Peci.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës për masat e ndërmarra kundër dezinformimit rus dhe a planifikon të reja, por nuk mori përgjigje.

Stradner thotë, po ashtu, se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm.

“Ne nuk do ta bënim këtë bisedë sot nëse Kosova ose aleatët e Kosovës do të bënin një punë fantastike. Propaganda ruse është e gjithanshme në rajon dhe është duke u rritur. Unë nuk arrij t’i ndjek llogaritë në Telegram sesa shpejt që shfaqen”, thotë ajo.

Adresimi i kësaj problematike, sipas saj, bëhet edhe më urgjent në kohën kur Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një administratë të re, të udhëhequr nga presidenti i zgjedhur, Donald Trump.

Ajo beson se administrata e ardhshme do të ndjekë një politikë transaksionale, apo ‘shit e blej’, në Ballkanin Perëndimor.

“Unë dyshoj se fokusimi te çështjet ekonomike do t’i zgjidhë të gjitha. Ajo çfarë do t’i rekomandoja administratës së re, nëse vërtet do që të parandalojë ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm, është t’i kushtojë më shumë vëmendje rajonit [të Ballkanit Perëndimor] dhe të mos bie pre e lojërave që vijnë nga Moska dhe Beogradi”, thotë Stradner.

Këtë javë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi se do të vizitojë Moskën në maj të vitit të ardhshëm, me ftesë të homologut rus, Putin.

Ai tha se e konsideron si “nder të madh” pjesëmarrjen në festimet për 80-vjetorin e fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Kjo do të jetë vizita e tij e parë në Moskë, prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, gati tre vjet më parë.

Serbia nuk iu bashkua kurrë sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të kësaj lufte, dhe vazhdoi bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak me Moskën.

Në Kosovë, Rusia ka një zyrë ndërlidhëse, të cilën REL-i e kontaktoi për të mësuar më shumë për aktivitetet e saj, por pa sukses.

Sipas një ankete që publikoi këtë vit Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), për qytetarët e Kosovës, Rusia mbetet kërcënimi kryesor për vendin, pas Serbisë.

Ish-presidenti Thaçi mund të ketë shpresuar se Putin është i interesuar për paqen, por duket se ai e ka versionin e vet të saj, i cili përqendrohet në nxitjen e tensioneve dhe përfitimin prej tyre.

Për ekspertët është imperative që Kosova të zhvillojë një strategji proaktive kundër ndikimit rus dhe t’i forcojë marrëdhëniet me aleatët perëndimorë. REL

Partizanët e Enver Hoxhës, i lanë gjermanët, të iknin të qetë nga Shqipëria dhe filluan luftën ndaj nacionalistëve

Debati i ndezur së prej vitesh në mediat elektronike dhe ato të shkruara, të shtetit amë, Shqipërisë sonë, lidhur me 28 – 29 nëntorin, sigurisht nuk mund të jetë pa vend. Përkundër disa ideve me orgjinë kriptokomuniste, se; “duhen festuar të dy datat”, debati në thelb, rreket të zbulojë se mitet dhe simbolet e rrejshme të shqiptarëve, tani vlen të shihen realisht, të mos himnizohen dhe dora-dorës, nëse e kërkon koha edhe të na sjellin baltën e kohës, së paku jo neve, të mbetur jashtë kufijve dhe rreth e për rreth shtetit amë.

 

Janë momente të rëndësishme historike kur datat na bashkojnë, por ka edhe asi datash, të cilat na hidhërojnë, madje edhe na hedhin në kujtimin e dhimbjeve dhe plagëve, të cilat në vazhdimësi, kërkojnë sakrifica e shërime, por ja që gjurmët janë, mjerisht të thella, e një date e tillë është edhe ajo e 29 nëntorit. Datë e cila ashtë lidhshmëri e pashkëputur me atë të komunistëve gjakpirës jugosllav, dhe vuajtjet gjysmëshekullore nën atë krijesë, ma së miri i dimë ne shqiptarët jashtë shtetit amë, andaj ky debat domosdoshmërisht, na tërheq edhe neve në brendësitë e saja.

Nostalgjitë e rrejshme

Për të sqaruar më realisht lexuesin shqiptar, vlen të merret në konsideratë fakti që me ardhjen e demokracisë në shtetin amë ( Shqipërinë politike ), në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar, atributet e shtetit të parë shqiptar iu caktuan me të drejtë qeverisë së Vlorës, nën kryesinë e Ismail Qemalit, madje data 4 dhjetor 1912, dita e parë e punës e kësaj qeverie, ka hyrë në analet e historisë të shqiptarëve si dita e themelimit të shtetit shqiptar.

Natyrisht, në këtë rishikim të plotë të historisë dhe për më tepër të simboleve të saj, u angazhua jo vetëm qeverisja demokratike e asaj kohe, por edhe politologë, studiues, historianë, gazetarë, deputetë dhe u paraqitën një varg provash të pakontestueshme, lidhur me krijimin dhe funksionimin e shtetit të parë shqiptar. Të vetmit që e kundërshtuan këtë akt, në vitet 1992 – 1993, ishin një tufë pleqsh nostalgjikë të së keqes së kaluar, të cilët sot e kësaj dite, mbajnë nëpër dollapët e shtëpive të tyre, dekoratat apo urdhrat e çlirimit, me simbolet drapër e çekan, të huazuara prej Moske e Beogradi.

Deri këtu gjithçka shkoi mirë por, me ardhjen në pushtet të bolshevikëve shqiptarë, në vitin 1997, me ndihmën e Beogradit, Athinës dhe grykëve të “Kallashnikovëve”, avangarda e pleqve nostalgjikë, sikur u gjallërua. Në vitet që rrodhën më pas, institucionet e manipuluar të shtetit amë, nën ndrydhjen dhe shtjellën ideologjike të helmatisur, bënë ç’ishte e mundur që miti i rrejshëm i 29 nëntorit, fitores të komunistëve, “të ri ngrihej” përmes gjithfarë veprimtarive antishqiptare, duke anashkaluar apo lënë në harresë të plotë, jo vetëm ngjarje kulmore të tilla, siç janë ngritja e flamurit në Vlorë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, formimi i shtetit të parë shqiptar, por edhe një varg figurash të shquara, që lidhen në mënyrë organike me ngjarjet epokale të kombit tonë.

Sa për ngjarje apo data të tjera, të cilat lidhen me shqiptarët etnikë në Mal të Zi, Kosovë, Iliridë apo Çamëri, as që u tha ndonjë fjalë në këta vjet. Mbi këto ngjarje e burra të shquar, të cilët nuk kursyen as jetën për trojet tanë etnikë, qëllimisht, fatalisht dhe institucionalisht është derdhur vetëm vrerë dhe errësirë. Ndërkaq afrimi i festive të 28 – 29 nëntorit, duket se rigjallëroi shtratin e lumit të debateve “alla-shqiptarçe”. Të parët që u hodhën në ofensive, ishin avangarda e bolshevikëve, e cila kërcënoi deri në referendum, nëse 29 nëntori, nuk do të ishte festë kombëtare për gjithë shqiptarët.

Pas tyre dhe politikanë të cilët ngjiten në shkallët e Kuvendit të Shqipërisë, me votat e 70- 80 vjeçarëve të matufosur, po përpiqen të mbajnë në këmbë simbolet gjakatare, vetëm e vetëm për hirë të karriges, pa çarë kokën, se çfarë qëndron pas atyre miteve, që ideuan dhe mbajtën në këmbë, një prej diktaturave totalitariste, më të egra e gjakatare në krejt Evropën Lindore. Ç’është më e keqja, televizione që në Tiranë kanë marrë liçensa si televizione publikë kombëtare, u bjenë borive të melodive sllave, lidhur me problemin ne fjalë.

E pra në këto momente e shoh të udhës të sqarojmë, disa hamendje e dyshime të cilat, duan apo s’duam ne, lidhen me mite të tilla që për 5 – 6 dekada me radhë, kanë shërbyer jo vetëm si emocion ngazëllues për shqiptarët, por edhe si pika referimi, prej të cilave kanë marrë udhë dhe janë zhvilluar proçese të shumtë social – politikë e, etnologjikë. Dihet tashmë, që Lufta e Dytë Botërore, i ndau shqiptarët në dy kampe. Kampi i parë, ai nacionalistëve, ishte rryma demokratike dhe nacionaliste, e cila përfshiu në vetvete burrat më të shquar të Shqipërisë, brenda dhe jashtë kufijve politikë, në prillin e vitit 1939, atëhere kur pushtimi i vendit tonë prej Italisë fashiste, u bë fakt i kryer.

Vizionet që përfshinë udhëheqjen e këtij kampi, ishin padyshim perëndimore, për faktin se këta, jo vetëm kishin të studiuar dhe jetuar në Itali, Austri, Amerikë, Francë, Gjermani, etj., por edhe se bënin pjesën më të pasur të familjeve shqiptare. E thënë ndryshe, këta ishin pinjollë të familjeve të mëdha shqiptare, në shekujt 19-20-të, çka përbënin ashtin e vetëdijes sonë kombëtare. Ndërsa kampi i shqiptarëve të tjerë (pa dashur t’i fyej aspak), jo vetëm që nuk bënin pjesën në grupin e familjeve të mëdha, por më e keqja ishte, se ishin të ndikuar prej ideologjisë komuniste, e importuar prej sllavëve, me prapavija djallëzore të tyre.

Them më e keqja sepse, që këta të luftonin kundër okupatorit, do të ishte një shembull ideal, por që paskëtaj t’u vërsuleshin për t’i shtypur e zhdukur, krejt vlerat që mbartin familjet e mëdha, kjo ishte tragjedi. Dhe kjo tragjedi nuk vonoi. Në fund nëntorin e vitit 1944, aradhat partizane e lanë ushtrinë gjermane,, të largohej e qetë nga Shqipëria, ndërsa nuk vonuan të organizojnë ekspeditat ndëshkimore të tipit Bolshevik, ndaj ‘borgjezisë”, përndryshe familjeve të mëdha shqiptare, madje edhe ndaj formacioneve ushtarake nacionaliste, siç ishin ato të ‘Ballit Kombëtar’, ‘Lidhjes së Dytë të Prizrenit’ (më pas të NDSH-së), dhe e tërë kjo bëhej, në bashkëpunim të ngushtë me partizanët e çetnikët serbo-sllav.

Dhe si rrjedhojë e këtyre ndëshkimeve ndaj “reaksionarëve”, ishte aq e përgjakur, saqë zgjati deri me nënshtrimin e Kosovës dhe viseve tjera etnike shqiptare, nën ish-Jugosllavinë titiste. Kjo bëri që në 45 vitet e diktaturës komuniste, një pjesë e shqiptarëve, ata që cilësoheshin “fitimtarë”, ta shihnin 29 nëntorin, si simbolin më të madh kombëtar, ndërsa pjesa tjetër, ajo e dhunuara në burgje dhe kampe të tmerrshëm pune, ta shihte si fatkeqësi, nga cila kërkonte të shpëtonte një orë e më parë. Ky handikap në marrëdhëniet e shqiptarëve mes veti, jo vetëm që nuk mund të shërbente si si një festë ngazëlluese, por për më tej, gozhdët e këpucëve në parada ushtarake, aplaudimet frenetike në plenumet komuniste, hapnin plagë të reja, në ndërgjegjen historike të shqiptarëve.

Tradhtia ndaj 28 nëntorit!

Në kushtet e debatit të sotëm, unë do t’u kujtoja lexuesve se; vlen të ndalemi në gjëra thelbësore, doktrinore dhe jo në kujtime veteranësh dhe aq më keq, dokumente të sajuar për 50 vjet me radhë, në bodrume skutash dhe arkivash të ideologjizuara. Kështu, është pranuar tanimë prej të gjithëve ne, se udhëheqja komuniste shqiptare, u shërbente me servilizmin më të madh politik, interesave të Beogradit. Këshilltarët jugosllavë në udhëheqje të komunistëve të Tiranës, vetëm emrin kishin të tillë, pasi të shumtën e kohës, dirigjonin të gjitha veprimet, aksionet dhe aq më shumë strategjinë e udhëheqjes.

Për të mos u zgjatur me këtë çështje, mjafton të përmend faktin se; në arkivat e shtetit shqiptar, ndodhen midis të tjerash, fjalët e Sejfulla Malëshovës, udhëheqës i lartë i komunistëve shqiptarë, i cili thekson midis të tjerash, se; “Miladin Popoviç, ka qenë udhëheqës kryesor i Partisë Komuniste Shqiptare. Kongresi i Përmetit, si dhe krijimi i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, ishin kryer prej tij, pasi Partia jonë: as Komiteti Qendror, nuk e kuptonin kongresin”. (Arkivi Qendror i Shtetit- Tiranë. Fondi 14, Ap.)

Pra, jo vetëm krijimi i Shtabit të Përgjithshëm, por edhe mekanizma e ngjarje të tjera të komunistëve shqiptarë, deri tek Kongresi i Përmetit, ai që vulosi përfundimisht drejtimin e Shqipërisë në kahje të popujve sllavë, mbajnë vulën sllavo – ortodokse. Pa dashur të hyj në imtësira dhe dokumente të tjerë, mendoj të sjellë në këto radhë, një urdhër të Enver Hoxhës, që mban datën 19 nëntor 1944 dhe që gjendet sot, në dosjen e dokumenteve të Shtabit të Përgjithshëm.

Midis të tjerave, këtu thuhet tekstualisht: “Qeveria do të hyjë në Tiranë më 28 nëntor. Duhet të sigurohet qyteti dhe të arrestohen elementët me të vërtetë të dyshimtë. Partia dhe të tjera organizata, të mobilizohen për sigurimin e qytetit, veçanërisht rinia. Qyteti të jetë i pastruar nga shenjat e luftës, rrugët të jenë të hapura. Të sigurohen banimet dhe ushqimet për qeverinë, këshillin, shtetin, rininë, gruan dhe të gjithë personelin e tyre, rreth 250 vetë, përveç 300 vetave të batalionit të Shtabit.

Të rregullohen zyrat. Për 28 nëntor të thirren delegacione nga 10 – 15 veta, nga Durrësi, Kavaja, Shijaku, Elbasani, Peqini, Shkodra, Kruja, Peza, krahinat e Peshkopisë dhe e Kukësit. Për Jugun, lajmërojmë ne. Të thërriten delegatë nga fshatrat afër Tiranës. Të sigurohet buka përgjithësisht në qytet dhe veçanërisht për 28 nëntorin, që të mos bëhen çrregullime atë ditë.

Të organizohet një paradë e madhe për 28 nëntorin, me Brigadën I, IV, VIII, XV. Nëse ndonjëra prej këtyre ndodhet larg, të zëvendësohet. Të organizohen manifestime të mëdha për këtë ditë, ku të marrin pjesë në mënyrë të organizuar, i gjithë populli. T’u jepen udhëzime organizatave të tjera të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut për këtë festë. Ardhja e qeverisë, të mbahet konspirative. Enver”!

Më 28 nëntor 1944, qeveria komuniste hyri triumfalisht në Tiranë, duke u brohoritur nga fshatarët e shumtë të ardhur prej rrethinave, ashtu sikundër jepte porosi të veçanta komandant Enveri. Në fjalën e tij, midis të tjerave, ai e pagëzoi 28 nëntorin, si ditë të çlirimit dhe gjithmonë sipas tij, kjo ditë do të kujtohej plot lavdi, prej shqiptarëve. Gjithashtu këtë ditë, e njoftoi jo vetëm shtypi i Tiranës, por edhe ai në Shkodër e gjetkë. Në arkivat e Shqipërisë ende ruhet sot zëri i spikerit të Radio-Moskës, i cili uronte 28 nëntorin, në emër të gjeneralizmit Stalin, për popullin shqiptar.

Por përse duhej çuar ora e shqiptarëve 24 orë më para?

Ndonëse gjermanët ishin larguar nga Shqipëria, ndonëse shqiptarët iu rikthye normalisht jetës, tani Tirana, duhet të paguante borxhet e pushtetit tek Beogradi. Ishin me mijra vullnetarët e shtetit amë, që dërgoheshin të luftonin kundër gjermanëve, përkrah vëllezërve jugosllavë, kurse vetë “vëllezërit”, bënin kërdinë ndaj shqiptarëve të pafajshëm, në vise të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare.

Udhëheqja e klikës komuniste shqiptare, nëpërmjet emisarëve të Beogradit, po përgatitej të shndërrohej në një shtojcë të sllavëve, për të çuar deri në fund, çdo aventurë të tyre ndaj popullit tonë. Çdo ditë e më shumë, në Beograd dhe Tiranë, krahas marrëdhënieve gjithfarësh, po strukturohej ideja që; edhe shteti amë, pra Shqipëria e cunguar, mund të ishte Republikë më vete, brenda Republikës Federale Jugosllave.

Pikërisht për këtë, duheshin sinkronizuar jo vetëm çështjet institucionale por, edhe simbolet apo mitet. Kështu, në 22 majin e vitit 1945, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, e vetëshpallur si një Presidencë, do të merrte vendimin mbi shpalljen e festave të reja të vendit, ku çuditërisht, do të hiqej fare data 28 nëntorit 1944. Kështu, në Fletoren Zyrtare të datës 16 qershor 1945, midis të tjerave lexojmë:

Vendim nr. 73

Mbi shpalljen e festave zyrtare.

Kryesia e Këshillit Antifashistë Nacional Çlirimtar

Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar në mbledhjen e datës 22 maj 1945 vendosi: Të shpall festa zyrtare:

  1. Dita 16 shtator – përvjetori i Konferencës së Pezës.
  2. Dita 10 korrik – festa e Ushtrisë, përvjetori i formimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare.
  3. Dita 24 maj – përvjetori i Kongresit të Përmetit.

Tiranë, më 22 maj 1945.

Për Kryesinë e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar,

Sekretari; Koço Tashko,    Kryetari; Omer Nishani

Ndërkaq më 29 nëntor 1943, ishte mbajtur në ish–Jugosllavi, mbledhja e dytë e AVNOJ dhe përgatitej që 29 nëntori 1945, të shpallej Republika Federale Popullore Jugosllave, nga Asambleja Popullore e vendit. Prandaj, për t’u sinkronizuar vendimet, udhëheqja e Tiranës, nuk pyeti shumë, as për çfarë kishte thënë disa muaj më parë, dhe as për atë se çfarë miqësie po farkëtonte me sllavët, këta armiq shekullorë të viseve arbërorë. Ajo çfarë ndodhi më pas, me buletinet e luftërave, me dokumentet e Partisë Komuniste apo, të Shtabit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar të Shqipërisë, ishin vetëm spekulime ideologjikë e perversë.

Pa hyrë në diskutime e debate pa vlerë, pa u marrë me faktin, se kur ka ikur ushtari i fundit gjerman nga trojet shqiptare ( sepse duhet vlerësuar më parë, çfarë lloj pushtuesi ka qenë ai për kombin tonë), unë e shohë “zjarrin” e ndezur të këtij debate, akoma më thellë. Lufta vëllavrasëse e shqiptarëve në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kërkon ndriçime më të thella, jashtë inateve dhe fanatizmave ideologjike. Asnjëra palë nuk mund të mbetet peng i palës tjetër, e aq më tepër, të kuazihistorianve shqiptarë të cilët, vazhdojnë të dërdëllisin ende sot, pa përdorur forcën e faktit.

Shoqëria e sotme shqiptare, vlen të ndahet saora nga mendësitë komuniste slave, jo thjeshtë për t’u inkuadruar në proçese brenda shqiptare, për vllezërim e bashkim kombëtar, por edhe për të dezinfektuar njëherë e mirë kombin, nga ky “virus” sllav. Veteranët e luftës, partizanët e ndershëm, duhet të distancohen nga 29 nëntori, sepse ata nuk i ka lidhur dhe nuk i lidh asgjë me Beogradin, nuk mund të mbajnë përgjegjësi për udhëheqësit e tyre të dikurshëm.

Këto mite, duhen denoncuar dhe gjykuar thellë, nga studiues e historian shqiptarë, të cilët ndershmërisht punojnë në të mirën e kombit dhe atdheut shqiptar. Me mijëra janë ende sot, varet e martirëve të kombit tonë, të cilët u flijuan për çlirimin e vendit dhe lirinë e kombit, pikërisht nga tradhtitë e së kaluarës. Ndaj 29 nëntori, mbetet në garbiçen e mbeturinave të së kaluarës. /Memorie.al

Depolitizimi i mërgatës!- Nga Florim Zeqa 

 

Partitë politike siq shihet nuk kanë nevojë për intelektual, por vetëm për tifozeri dhe fansa partiak që i ndihmojnë me mjete financiare dhe më votë partitë e dështuara politike.

Janë këto parti të dështuara politike që e përçanë mergatën edhe në të kaluarën përmes shoqatave, por jo sikurse tani në këto permasa me politizimin e skajshëm të mërgatës.

Një gjë duhet ta dijnë mirë mërgimtarët, se këta kusarë politikë që e zbrazën Kosovën, asnjëherë nuk do të krijojnë kushte për riatdhesim e mergimtarëve në vendlindje!

 

 

Fillim i ri me njerëz të rinj

 

Andaj duhet një fillim i ri, me njerëz të rinj për t’i dhën fund kësaj epoke të errët të historisë sonë kombëtare, për t’i dhënë fund mashtrimeve dhe abuzimeve me pushtetin, për t’i dhënë fund hajnisë dhe haraçit qeveritar, për t’i dhënë fund korrupsionit dhe krimit të organizuar, për t’iu dhënë fund një herë mirë padrejtësive dhe pabarazisë qytetare.

Për të arritur deri këtu duhet një klasë e re politike dhe një lider i ri shtetërorë që e merrë përgjegjësinë morale para qytetarëve për t’a kthyer vendin në binarë të shëndosh të qeverisjes dhe shtetndërtimit, ku funksionon ligji dhe drejtësia sikurse në çdo shtet të lirë dhe demokratik, ku pushtetarët e respektojnë dhe ia kanë frikën ligjit, kurse qytetarët i kryejnë lirshëm dhe më dëshirë të gjitha obligimet ndaj shtetit.

Nga rishpallja e pavarësisë e deri më sot nuk kemi pasur mirëfunksionim të sistemit të drejtësisë, që i bie se nuk kemi pasur drejtësi të pavarur dhe të njëjtë për të gjithë qytetarët e vendit. Por, në vend të kësaj kemi pasur drejtësi selektive, ku gjithnjë të fortët e politikës dhe oligarkët ekonomik kanë qëndruar mbi ligjin dhe drejtësinë.

Si rezultat i kësaj situate, asnjëherë deri më sot “peshqit e mëdhenj” nuk ranë në grepin e drejtësisë, pasi drejtësinë nuk e vendosi ligji por “maliqi”!

Si rezultat i mungesës së një lidershipi shtetëror, shteti Kosovës është kthyer në ‘Oazë’ të krimit të organizuar, në duart e grupeve kriminale dhe fajdegjinjëve që e kontrollojnë çdo institucion dhe segment të jetës në Kosovë.

Mjafton ta marrim si shëmbull sistemin shëndetësorë, i cili tërësisht ka rrëshqitur në duart e mjekve të fabrikuar dhe të kriminlaizuar, të cilët bëjnë tregti me jetën e qytetarëve. Janë mjekët abuziv ata që ndërmjetësojnë mes familjarëve të pacientëve dhe fajdegjinjëve për dërgimin e të sëmuarve për mjekim jasht vendit, duke përfituar me dhjetramijëra euro për një intervenim që mund të kryhet pa problem në QKUK dhe klinikat tona private!

E gjithë kjo ndodh para syve të tanë dhe të drejtuesve të lartë institucioneve shtetërore!

Në këtë rast, shtrohen pyetjet logjike, cili është roli i prokurorisë dhe gjykatave, cili është roli i ministrit të shëndetësisë, cili është roli i misnistrit të drejtësisë, cili është roli i liderëve shtetëror para këtyre akteve të rënda kriminale që ushtrohen ndaj qytetarëve të vendit tonë?!

Përgjigja është e thjeshtë, këta i shohin të gjitha por nuk bëjnë zë, pasi janë pjesëmarrës në çdo aferë korrruptive dhe kriminale që ndodhë në vendin tonë.

Sikur të ishte ndryshe, këta do duhej mobilizoheshin të gjithë së bashku për luftimin e këtij fenomeni të krimit të organizuar, i cili po i detyron njerëzit, i madh e i vogël të largohen sa më parë nga vendi i tyre i lindjes në kërkim të shërimit në një shtet të rajonit apo edhe më largë në shtetet evro-perëndimore!

Përgjegjësia në këtë rast bie në radhë të parë mbi liderët shtetëror dhe ata partiak, që mbyllin sy e vesh para fatkeqësisë së qytetarëve, për të cilët u bie ndërmend që ekzistojnë vetëm në fushata zgjedhore derisa t’ua grabitin votën për t’i harruar menjëherë dhe për katër vjet të tjera duke mos i trajtuar as si numra e lërë më si qytetarë të këtij vendi!

 

Çfarë duhet të bëjmë?

 

Ne si mërgatë nëse duam ta ndihmojmë vendin tonë duhet të mobilizohemi si një trupë e vetme për t’i bojkotuar këta kusarë politikë që na sollën shtetin në këtë gjendje të mjerë. Pra, duhet të distancohemi nga të gjitha aktivitetet partiake në mërgatë. Politikanëve që vijnë dhe e kërkojnë votën tonë duhet t’iu themi; “Nuk keni vota nga ne që na larguat nga vendi, kthehuni dhe kërkojuni votën atyre që ua bëtë jetën ferr në Kosovë”!

Vetëm kështu mërgata e jonë do të bënte aktin heroik për shtetin e Kosovës. Për shkak se vetëm largimi i tërësishëm i këtyre kusarve nga skena politike do të hapte rrugën për ndryshime të mirëfillta dhe përmbajtësore për vendin tonë.

1941 — Jehona për librin e Rifat Tiranës në SHBA, botuar me pseudonimin Thomas Reveille

1941 / “Plaçka e Evropës : teknika naziste e pushtimit politik dhe ekonomik” — Jehona për librin e Rifat Tiranës në SHBA, botuar me pseudonimin Thomas Reveille

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Nëntor 2024

“Plaçka e Evropës : teknika naziste e pushtimit politik dhe ekonomik — The spoil of Europe: The Nazi technique in political and economic conquest” është libri i Rifat Tiranës, botuar me pseudonimin Thomas Reveille më 1941, nga shtëpia botuese “W. W. Norton & Company, Inc.” në Nju Jork. Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, sjell për publikun shqiptar parathënien, hyrjen si dhe disa shkrime të mediave të kohës rreth këtij libri :

Parathënie nga Raymond Gram Swing

Adam Smith shkroi një libër të titulluar Pasuria e Kombeve. Nazistët po e rishkruajnë tani këtë libër. Adam Smith mësoi se si mund të grumbullohej pasuria përmes një jetese të ndershme dhe tregtisë së drejtë. Nazistët e zhvilluan grabitjen dhe plaçkitjen kombëtare, si dhe luftën e mekanizuar, në një sistem. Teknikat e tyre janë më shkatërruese se të gjitha ato të praktikuara më parë nga një shtet.

Megjithatë, do të ishte e gabuar të zmadhohej bëma naziste duke e cilësuar atë si një demonstrim të vërtetë të gjeniut krijues. Nazistët janë përshtatës. Metodat që ata përdorin për të grabitur kombet nuk janë origjinale. Të përdorura sot për të shkatërruar demokracitë, shumica e këtyre metodave janë krijuar për qëllime të tjera nga demokracitë. Avioni, i cili fluturoi për herë të parë në Shtetet e Bashkuara, luajti një rol jetik në humbjen e Francës dhe tani përdoret për të shkatërruar portet, industritë dhe shtëpitë britanike. Tanku sulmues, i zhvilluar nga britanikët, ishte baza për pushtimin e kontinentit. Edhe propaganda naziste mbështetet në konceptet e  reklamimit të Amerikës moderne.

Përshtatja është rregulli në format ekonomike që aplikojnë nazistët. Sistemi i tyre bujqësor, për aq sa ai përpiqet për vetë-mjaftueshmëri, frymëzohet kryesisht nga parimet që e kanë bërë Francën një vend të drejtë për fermerët dhe turistët. Kombinati industrial gjerman është modeluar sipas NRA-s sonë. Metodat gjermane të prodhimit janë imponimi më i pamëshirshëm i prodhimit në masë, ashtu siç është ideuar nga shpikja amerikane. Sistemi i kompensimit të këmbimit, përmes të cilit Gjermania është në gjendje të varfërojë kombet përmes tregtisë së jashtme, është një instrument i krijuar fillimisht nga federata zvicerane për qëllime më fisnike.

Në këtë libër shpjegohen teknikat naziste në fushën ekonomike dhe politike si në teori ashtu edhe në praktikë. Unë e njoh autorin e saj prej dhjetë vjetësh. Unë kam arritur t’i besoj gjykimit të tij, të jem i bindur për ashpërsinë shkencore të mendimit të tij dhe për besnikërinë e tij skrupuloze ndaj të vërtetave të revolucioneve amerikane dhe franceze. Meqenëse pozicioni i tij zyrtar e detyron atë të mbetet anonim, garantoj për realitetin dhe integritetin e tij. Mund të them për të se di dhjetë gjuhë, përfshirë gjermanishten, dhe se prej kohësh ka qenë i lidhur me persona udhëheqës që kontrollojnë jetën ekonomike, financiare dhe politike të Evropës. Ai është pjesë e brezit të pjekur pas luftës së fundit, ndaj e kupton mentalitetin e rinisë evropiane. Përmes formimit të tij akademik dhe përvojës profesionale, ai ka njohuri të gjera dhe të specializuara për Evropën Perëndimore.

Libri i tij përmban ushqim për shumë mendje të uritura. Profanët në ekonomi dhe politikë mund të mësojnë se si nazistët përfituan nga mosmarrëveshjet e brendshme për të imponuar vullnetin e tyre mbi kombet e tjera dhe çfarë ndodh me profanët dhe stilet e tyre të jetesës në vendet e pushtuara. Mësuesi profesionist do të mësojë rreziqet që pasojnë nëse një sistem arsimor i lë nxënësit pa bindje të thella. Financieri dhe industrialisti do të humbasin të gjithë iluzionin se është e mundur të merreni në mënyrë komerciale me nazistët ose të ruani sipërmarrjen e lirë dhe pronën private në një sistem që madje i ngjan paksa të tyreve. Ekspertët ushtarakë do ta vlerësojnë sërish faktin që nazistët nuk u mbështetën vetëm në mjetet ushtarake për të arritur pushtimet e tyre. Ky libër përshkruan me çfarë kujdesi dhe mjetesh nazistët krijuan një Shtab të Përgjithshëm Ekonomik të fuqishëm për të promovuar dhe përmbushur detyrat e Shtabit të tyre të Përgjithshëm Ushtarak. Të gjithë lexuesit duhet të ndihmohen të mësojnë se në çfarë mënyrash konkrete beteja për liri mund të fitohet duke korrigjuar gabimet ekonomike. è (Për më shumë për Raymond Gram Swing)

Plaçka e Evropës: teknika naziste e pushtimit politik dhe ekonomik

Arritjet e makinerisë së luftës naziste kanë marrë një publicitet të gjerë dhe tani janë të njohura. Por teoritë dhe teknikat që ndërtuan këtë Wehrmacht, të cilat i mundësuan të fitonte beteja dhe që konsoliduan fitoret e tij ushtarake, mbeten kryesisht të panjohura. Ky libër synon të mbushë këtë boshllëk të rëndësishëm në njohjen e demokracive të mëdha, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë funksionimin e brendshëm të një sistemi të cilit Wehrmacht është vetëm manifestimi i jashtëm.

“Plaçka e Evropës” mbulon vetëm ato tema që janë ende të mbuluara me errësirë dhe mister. Fushatat e njëpasnjëshme ushtarake të Gjermanisë janë mbuluar plotësisht nga korrespondentët e guximshëm, inteligjentë dhe të përkushtuar amerikanë jashtë vendit. Përdorimi i kolonës së pestë dhe se si funksionon për të ndihmuar në arritjen e atyre fitoreve janë përshkruar në mënyrë të shkëlqyer, veçanërisht nga Edmund Taylor në “Strategjia e Terrorit”, dhe nga Leland Stowe dhe John T. Whitaker. Transmetimet e William Shirer dhe Joseph C. Harsch dhe artikujt e Wallace Deuel të “The Chicago Daily News” kanë ndihmuar për të krijuar një pamje të qartë të jetës në Gjermani. Të gjitha këto janë shtesa të rëndësishme për të kuptuarit e Gjermanisë naziste. Por ato nuk mjaftojnë.

Ekzistenca e njerëzve të lirë dhe e parimeve demokratike në mbarë botën nuk do të sigurohet kurrë pa një kuptim po aq depërtues të teknikave të pamëshirshme dhe shumë të rafinuara naziste të pushtimit politik dhe ekonomik. “The Spoil of Europe” ofron një kontribut të parë në këtë kuptim.

Pushtuesit gjermanë nuk pushtuan vetëm me forcën e çelikut. Ata nuk e humbën kurrë nga sytë, as për një moment, objektivin e vendosur nga Hitleri në fillimin e kësaj lufte. Ky synim ishte të siguronte dominimin gjerman për “të paktën një mijë vjet”. Për të arritur këtë qëllim, mjeshtrit nazist u vunë në minimin e themeleve të jetës evropiane me një tërësi që edhe metodat e pamëshirshme me të cilat ata imponuan regjimin e Hitlerit në vendin e tyre nuk mund të krahasohen.

Për të formuar të gjithë Evropën për t’iu përshtatur ambicieve dhe aspiratave personale të një grushti njerëzish që sundojnë Gjermaninë, asnjë përpjekje nuk shmanget, asnjë hile nuk lihet pas dore. Sistemi politik po merret hap pas hapi në çdo territor të pushtuar me radhë dhe do t’u dorëzohet pasardhësve vendas të “Master Race”. Mosmarrëveshjet e brendshme dhe lakmia që vazhdojnë ende mbi Evropë, pavarësisht nga katastrofa e madhe, po shfrytëzohen djallëzisht për nënshtrimin më të shpejtë të kontinentit. Sistemi arsimor është duke u riparuar tërësisht për ta bërë atë në përputhje me recetat e përcaktuara në “Mein Kampf” dhe në “Abetaren Naziste”, manuali zyrtar për shkollimin e Rinisë Hitleriane. Vetë burimet e dijes po pastrohen dhe po ndoten në mënyrë që brezat e ardhshëm të të mundurve të mos arrijnë kurrë, kurrë, të mësojnë për lavdinë dhe madhështinë që ishte e tyre.

Manipulimi i politikës, arsimit, librit nuk konsiderohet i mjaftueshëm. Për të siguruar zotërim për të paktën një mijë vjet, nazistët dhe pasardhësit e tyre po zgjerojnë praktikat e tyre në vetë mjetet e ekzistencës së popujve të mundur. Rripat e çantës po kalojnë në duart e gjermanëve. Qytetarëve dhe bizneseve të Rajhut iu dha kontrolli i shumicës së bankave dhe institucioneve të kreditit të kombeve të pushtuara. Fshatarët e Evropës u detyruan të prodhonin ushqime dhe kultura të përshtatshme për shijet dhe strategjinë e luftës së zotërinjve të tyre të rinj. Industritë e të mundurve janë të integruara si dhëmbëza në makinën gjigante industriale të Rajhut. Berlini është bërë qendra evropiane e transportit, sigurimeve, modës dhe tregtisë së jashtme.

Truket, pajisjet dhe teknikat e përdorura në arritjen e këtij nazifikimi të shumëfishtë të Evropës shpjegohen në detaje në faqet në vijim. Për këtë shpjegim autori nuk është mbështetur vetëm në njohuritë dhe përvojën e tij të akumuluar për Evropën dhe Gjermaninë.

Vetë nazistët kanë dhënë dëshmi dhe material elokuent në aktet dhe deklaratat e tyre zyrtare dhe në revistat e tyre shkencore dhe popullore. Shpirtshmëria e shkrimtarëve gjermanë është bërë më e pacipë me çdo pushtim të ri. Planet dhe diagramet e sukseseve të tyre janë të shpërndara aty-këtu, në dorën e kujtdo që është i interesuar. Kjo vlen veçanërisht për revistat shkencore naziste, si “Die Deutsche Volkswirtschaft”, të cilat ata mendojnë ose i besojnë se nuk njihen dhe lexohen jashtë vendit. Vlera e këtyre burimeve mund të ilustrohet nga një shembull konkret. Përfshirja ekonomike e Çeko-Sllovakisë në Rajh ndodhi në 1 tetor 1940. Ligjet dhe masat për këtë inkorporim u botuan siç u miratuan përfundimisht rreth gjashtë muaj më parë, në numrin e prillit 1940, të “Die Deutsche Volkswirtschaft”. Në mënyrë të ngjashme, organi i shtypit i Elitës Hitleriane, “Das Schwarze Korps”, parashikon nga gjashtë deri në nëntë muaj masat zyrtare të regjimit. Kjo vlen edhe për masat e parëndësishme por domethënëse, prej të cilave mund të citohen dy shembuj. E para janë rekomandimet e SS-ëve për marrëdhënie të paligjshme, por të bekuara zyrtarisht midis grave të martuara gjermane dhe ushtarëve gjermanë të pamartuar, por me gjak të plotë. E dyta lidhet me veshjet dhe modën e grave siç përshkruhet në mënyrë të rreptë nga organi i shtypit i SS-ëve.

Me gjithë vigjilencën e pamëshirshme të censurësve gjermanë, përfaqësuesit e palodhur dhe të zgjuar të shtypit amerikan kanë dhënë përditë informacione dhe të dhëna që plotësojnë skeletin e dhënë nga zyrtarët dhe gazetat periodike naziste. Mospërfilljet e pafajshme dhe të llogaritura të autoriteteve vendase të vendeve të pushtuara gjithashtu shpesh gjejnë rrugën e tyre përmes rrjetave të ngushta të censurës gjermane në shtypin dhe radion amerikane. Përfaqësuesit diplomatikë dhe konsullorë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në Evropë vazhdojnë të mbledhin ligje dhe masa kyçe, të cilat më vonë botohen në revista zyrtare, të tilla si “Foreign Commerce Weekly” e Departamentit të Tregtisë së Shteteve të Bashkuara.

Së fundi, shtypi i përditshëm dhe gazetat periodike të Zvicrës neutrale dhe Suedisë, si dhe të palëve ndërluftuese, si London Times, London Economist, Statist dhe Buletini i Lajmeve Ndërkombëtare të Institutit Mbretëror të Çështjeve Ndërkombëtare, të gjitha botime serioze, kanë botuar rrëfime të detajuara të dëshmitarëve okularë të kushteve politike në vendet e pushtuara të sjella nga persona që kanë ikur nga këto vende. Këto burime, të cilat mund të konsiderohen nga disa si të njëanshme, janë përdorur me masë dhe vetëm kur konsiderohen më të arsyeshmet. Për shembull, të gjitha rrëfimet mbi shkallën e suksesit që ndjekin përpjekjet e pushtuesit për të fituar mbi popujt e mundur në kauzën nacionalsocialiste bazohen kryesisht në burime të tilla. Kjo procedurë u ndoq me besimin se shkrimtarët aleatë dhe shkrimtarët e pacensuruar që simpatizojnë aleatët, kishin më pak gjasa të ekzagjeronin sukseset naziste në fushën e asimilimit politik. Kurdoherë që iu është drejtuar burimeve neutrale ose aleate, qoftë për fakte, qoftë për interpretim, ky rekurs tregohet qartë dhe pa mëdyshje në tekst ose në referencat e burimeve në fund të librit. Faktet dhe shifrat mbi metodat naziste, mbi sasinë e shpërblimeve monetare, ushqimore, lëndëve të para dhe industriale të mbledhura nga Rajhu bazohen në burime rreptësisht gjermane, ose në dërgesat e transmetuara nga censuruesit gjermanë.

Autori beson se u takon të tjerëve të nxjerrin të gjitha përfundimet nga kjo histori. Kontributi i tij është i kufizuar në një paraqitje të qartë dhe të plotë të fakteve dhe shifrave. Këto ofrojnë në vetvete një imazh besnik dhe adekuat të Rendit të Ri.

Thomas Reveille

“Plaçka e Evropës” duhet të lexohet nga çdo amerikan

Nga Douglas Miller, autor i librit “Nuk mund të bësh biznes me Hitlerin”

The Nation, 30 gusht 1930, faqe n°187 :

“Pamja më e plotë dhe më e mirëorganizuar e Gjermanisë dhe vendeve të saj të pushtuara, e cila deri tani ka qenë e lidhur mes dy kopertinave. “Plaçka e Evropës” duhet të lexohet nga çdo amerikan që interesohet se çfarë do të thotë sistemi nazist për këtë vend dhe botën. Nuk ka asnjë pamje tjetër të praktikave ekonomike naziste në Evropë kaq të plotë dhe kaq të përgatitur.” — Douglas Miller, autor i librit “Nuk mund të bësh biznes me Hitlerin — You Can’t Do Business with Hitler”. è (Për më shumë për Douglas Miller)

Ka të ngjarë të jetë shumë i cituar përpara se 1941 të përfundojë – Revista Time

The New York Times, 7 shtator 1941, faqe n°29 :

Marrja e pushtetit në Evropë

Plaçka e Europës.

Nga Thomas Reveille. Nju Jork: W. W. Norton & Company, 1941. 324 Faqe; Indeksi; 2,75 dollarë.

Infantry Journal, tetor 1941, faqe n°92 – 93 :

Duke përdorur kryesisht burime gjermane naziste, autori i këtij libri përshkruan në detaje metodat përmes të cilave Gjermania, pasi pushtoi një pjesë të madhe të Evropës, po e kthen çdo burim të kapur të pasurisë dhe punës në avantazhin e saj. Është një histori mahnitëse e një organizimi të pamëshirshëm që ai tregon.

Megjithatë, ndonjëherë z. Reveille nxjerr konkluzione specifike nga një bazë mjaft e hollë referimi. Për më tepër, kërkimi i tij i mundimshëm do të mund të ishte paraqitur me më shumë forcë nëse toni i shkrimit të tij do të ishte pak më i rezervuar; sepse ka njëanshmëri të shprehur hapur në çdo faqe. Por kush mund të shkruajë për gjërat që po ndodhin në Evropë pa paragjykime? Do të ishte vërtet e vështirë të prezantosh kaq shumë fakte ekstreme pa i vënë ato në shtëpi me një gjuhë të fortë. Gjithsesi, goditja me çekan do të kishte qenë më efektive nëse nuk do të ishte kaq konstante dhe e rëndë.

Vlera e madhe e librit është se u mundëson lexuesve të tij të gjejnë rrugën e tyre përmes një organizimi të ndërlikuar të Evropës naziste pas tjetrës. Dhe ky Baedeker i vendeve të robëruara që zoti Reveille ka përgatitur për ne bazohet jo në vëzhgimet e jashtme të një udhëtari që po kthehej, por në shkrimet e atyre gjermanëve nazistë që panë me sytë e tyre shkatërrimin e qëllimshëm të strukturës së vjetër politike dhe ekonomike të Evropës dhe vendosjen e detyruar të çdo guri të strukturës së re që ata përshkruajnë.

Autori shkruan me pseudonim. Raymond Gram Swing në parathënie thotë se ai e njeh autorin prej dhjetë vitesh, i beson gjykimit të tij dhe ashpërsisë shkencore të mendimeve të tij. Ai “garanton për realitetin dhe integritetin e tij” dhe thotë se “ai ka qenë prej kohësh i lidhur me persona udhëheqës që kontrollojnë jetën ekonomike, financiare dhe politike të Evropës”. Ky libër është një kontribut i madh drejt kuptimit të asaj që ia vlen të urrehet më së miri në këtë botë.

Kush ishte Rifat Tirana ?

The New York Herald Tribune, e mërkurë, 16 prill 1952, faqe n°3 :

Një hetues mendjemprehtë, zoti Tirana ishte bërë vitet e fundit një nga analistët më të shkëlqyer ekonomikë në qeveri (në SHBA). I lindur në Shkodër (1907), Shqipëri, ai u bë shtetas i natyralizuar në vitin 1942. Ai kishte studiuar në Robert College, Stamboll, në Universitetin e Londrës dhe në Shkollën për Studime Ndërkombëtare në Gjenevë.

Që nga viti 1946 z. Tirana ishte këshilltar ekonomik për Evropën Perëndimore në Bankën e Eksport-Importit. Para kësaj ai ishte në Departamentin e Shtetit si këshilltar për çështjet italiane. Në vitin 1945 ishte Ndihmës Këshilltar Ekonomik në Ambasadën Amerikane në Paris.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, z. Tirana shërbeu në Zyrën e Luftës Ekonomike dhe më pas si shef i divizionit të Evropës Qendrore për Administratën Ekonomike të Jashtme. Ai shkoi në Itali në vitin 1943 si ndihmës special i Komisionit të Kontrollit Aleat.

Rifat Tirana ishte i martur me Rosamon Walling (Corbett). Çifti kishte tre djem, Bardhylin, Ganiun dhe një djalë të tretë student në Akademinë e Andover-it.

Rifat Tirana shuhet në moshën 44 vjeçare për shkak të një ataku në zemër mbrëmjen e 15 prillit në dhomën e tij në Hotel Palace, në Madrid.

Aforizmi i ditës- 24 nëntor 2024

There are more people who wish to be loved than there are who are willing to love.

Nicolas Chamfort

Ka më shumë njerëz që dëshirojnë t’i duan se sa që janë të gatshëm të duan.

Nicolas Chamfort

Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika e jashtme

VOA/Steve Herman

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka emëruar Senatorin republikan, Marco Rubio, për të drejtuar politikën e jashtme amerikane gjatë katër viteve të ardhshme të presidencës republikane. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, republikani Rubio ka përfaqësuar shtetin e Floridës në Senatin e Shteteve të Bashkuara që nga viti 2011 dhe shërben në komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë dhe komisionin për Zbulimin.

Senatori Marco Rubio, 53 vjeç, është bir emigrantësh nga Kuba. Nëse konfirmohet nga Senati, ai do të bëhet i pari sekretar shteti me prejardhje hispanike. Zoti Rubio njihet për qëndrimet e ashpra ndaj regjimeve autoritare në Kubë, Nikaragua, Venezuelë dhe Kinë.

“Ka treguar vendosmërinë për një sërë çështjesh, sigurisht edhe Kina mes tyre”, thotë analisti Michael O’Hanlon me Institutin Brookings.

Senatori Rubio ka thënë se Kina është në një linjë me Iranin, Korenë e Veriut dhe Rusinë kundër Shteteve të Bashkuara.

Pas agresionit rus në shkallë të gjerë kundër Ukrainës në vitin 2022, zoti Rubio ishte një mbështetës i zëshëm i Kievit. Kohët e fundit ai ka bërë thirrje për negociata për t’i dhënë fund konfliktit ndërsa në muajin prill votoi kundër një pakete ndihme prej 95 miliardë dollarësh.

“Qëllimi ynë, kur bëhet fjalë për Ukrainën, është që ta ndihmojmë në një mënyrë që nuk na shteron buxhetin, dhe nuk i dëmton aleancat tona në mbarë botën”, thotë zoti Rubio.

Senatorët që do të votojnë për konfirmimin, pritet që të shqyrtojnë bindjet e tij mbi politikën amerikane, thotë për Zërin e Amerikës analisti Michael O’Hanlon.

“Nëse do ta braktisnim Ukrainën, diçka që Rubio nuk e thotë, por nëse Ukraina do të pësonte disfatë, kjo do të bënte që shumë aleatë në mbarë botën të shtronin pyetjen nëse ne do t’i mbështesim ata.”

Tetë vjet më parë, zoti Rubio ishte një nga rivalët e zotit Trump në garën republikane për president. Në krye të Departamentit të Shtetit, zoti Rubio do të ishte përgjegjës për zbatimin e politikës së jashtme të Presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Zëri i Amerikës bisedoi hulumtuesen e politikës së jashtme, Vilma Petrash, profesore në Kolegjin Miami-Dade.

“Pavarësisht pritshmërive, duhet të jemi realistë. Shtetet e Bashkuara do t’i japin përparësi interesave të tyre mbi ato të pjesës tjetër të botës”, shprehet ajo.

Kur bëhet fjalë për Lindjen e Mesme, zoti Rubio ka qenë një mbështetës i fortë i Izraelit, në të njëjtën linjë me republikanin Trump. Senatori Rubio i ka bërë thirrje Izraelit që ta zhdukë Hamasin nga Gaza, ndërsa ka kundërshtuar armëpushimet, për të cilat ai thotë se do të mundësonin rigrupimin e Hamasit, që cilësohet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë: Një rikujtim i zymtë i “dështimit kolektiv”

Një pjesëmarrëse në protestën në Tiranë pas vrasjes së Martin Canit, mban në duar një letër ku shkruan: “Sot Martini, nesër mund të jetë fëmija yt!”.

 

Jetmira Delia-Kaci

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, mesditën e 18 nëntorit në Tiranë, tronditi opinionin në Shqipëri.

Institucionet, familja, shkolla, shoqëria – të gjithë janë duke kërkuar masa të reja, nisma ligjore, rregulla e protokolle se si ta reduktojnë dhunën te të miturit.

Reagimi apo mosreagimi i faktorëve dhe aktorëve të përfshirë në ngjarje janë tashmë pjesë e hetimeve.

Martini u vra nga sulmi me thikë nga një bashkëmoshatar, nxënës i së njëjtës shkollë në Tiranë.

Ai u arrestua nga policia, ndërsa një tjetër nxënës ndodhet në spital, pas plagëve që mori si pasojë e sherrit.

Pas vrasjes, autori i dyshuar publikoi në rrjetet sociale fotografi me dorën e plagosur dhe grushtin e ngritur, ndërsa më herët kishte publikuar edhe fotografi me thikë në dorë.

Rasti i Martinit është i treti i vrasjes së të miturve nga bashkëmoshatarët e tyre këtë vit në Shqipëri.

Policia: Masa të reja për ta ndalur dhunën te të miturit

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gent Mullai, thotë për Radion Evropa e Lirë se ngjarja ka treguar se zinxhiri i sigurisë ka dështuar.

“Ka një zinxhir sigurie, pjesë e të cilit nuk është vetëm policia, por edhe oficeri i sigurisë, stafi pedagogjik, psikologët, sociologët, prindërit. Ngjarja ka treguar se ka një dështim në këtë zinxhir sigurie – besoj jo me dashje apo nga neglizhenca”, thotë Mullai.

Ai shton se vrasja e Martinit e bën domosdoshmëri rishikimin e Paketës së sigurisë në shkolla dhe marrjen e disa masave të tjera.

“Paketa e sigurisë në shkolla ishte gjë e mirë që u zbatua, ndoshta ka ardhur koha të rifreskohet. Paketa e sigurisë nuk ka dështuar, por duke parë mangësitë – nisur edhe nga rastet konkrete – ka nevojë të rishikohet, për të sjellë masa më të mira të sigurisë”, thotë Mullai.

Paketa e sigurisë në shkolla

Kjo masë është në vitin e dytë të zbatimit.

Ajo është hartuar për shkak të rritjes së numrit të veprave penale të regjistruara pranë shkollave, ku shpesh përfshihen edhe të mitur.

Mes tjerash, paketa përfshin oficerë të sigurisë në shkolla, përcaktimin e një perimetri sigurie, brenda të cilit nuk mund të kalojnë persona të paautorizuar, largimin e shitësve ambulantë nga shkollat e të tjera.

Sipas Mullait, ngjarja është nën hetim dhe tani për tani nuk mund të thuhet nëse ka përgjegjësi mbi oficeren e sigurisë që nuk e ka referuar ngjarjen në polici.

“Mendoj se nuk është neglizhuar. I kanë marrë në pyetje disa herë, nxënësit janë pajtuar në prezencë të oficeres së sigurisë, psikologes, punonjëses sociale e drejtorisë së shkollës. Dhe, duke parë që të dy ishin nxënës të mirë në mësime dhe nuk kanë shfaqur probleme, kanë menduar se është zgjidhur si problem”, thotë Mullai.

Ai, po ashtu, tregon se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, menjëherë pas ngjarjes, ka mbledhur ekspertët e policisë në një analizë të detajuar për ngjarjen dhe zbatimin e masave të përcaktuara në Paketën e sigurisë.

Ai ka urdhëruar, gjithashtu, që videot që publikohen nga të rinjtë me armë apo duke bullizuar, të verifikohen dhe të merren masa të menjëhershme kundër tyre.

Sipas Mullait, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit i është drejtuar Ministrisë së Arsimit me një ftesë për bashkëpunim në ngritjen e një tryeze teknike dhe më pas për një debat të gjerë publik, me qëllim rifreskimin e masave të sigurisë, të përcaktuara në Paketën e sigurisë në shkolla.

“Ende nuk e dimë nëse fëmija [autori] ka hyrë me thikë në shkollë… Nuk kalon lehtë si ngjarje. Po bëhet analizë e detajuar, pasi është urgjente, është në pyetje jeta e fëmijëve tanë. Është kambanë alarmi që duhet të na bëjë të reflektojmë të gjithëve”, thotë zëdhënësi i Policisë së Shtetit në Shqipëri.

Ministria e Arsimit nuk iu përgjigj interesimit të REL-it në lidhje me trajtimin e kësaj ngjarjeje, masat që po diskutohen nga ky institucion pas vrasjes së Martinit dhe të dhënat që disponon për rastet e dhunës në shkolla.

Më herët, ajo doli me një komunikatë, ku kërkonte zbardhjen e vrasjes së Martinit.

Deri në 200 telefonata në ditë: Të miturit denoncojnë dhunë

Drejtuesja e Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijë “Alo 116”, që vepron prej 15 vjetësh në Shqipëri, thotë se çdo ditë marrin 150-200 telefonata për situata dhune fizike apo online nga fëmijët.

“Deri më sot në vitin 2024 kemi marrë 14 mijë telefonata”, thotë Belioza Çoku.

“Nga periudha 2018-2023 evidentohet qartë se ka rritje të madhe të raportimeve sa i përket dhunës online dhe offline. Kemi një shtatëfishim të raportimeve për dhunë. Fëmijët raportojnë mjedis më të pasigurt për dhunë fizike – familjen me 41%, komunitetin me 34% dhe më pas shkollën me 24%”, bën të ditur ajo.

Çoku, gjithashtu, tregon se grup-mosha e telefonuesve më të shpeshtë është 10-12 dhe 13-15 vjeç.

Ajo që vërehet me shqetësim është edhe rritja e raportimeve që kanë të bëjnë me tendenca vetëvrasëse, për shkak të dhunës apo shtantazhit online, sipas saj.

“Rastet vlerësohen nga një grup ekspertësh dhe më pas i referojmë te juristët, psikologët, qendrat shëndetësore, në varësi të specifikës së tyre. Në rastet e dhunës online kemi një bashkëpunim shumë të mirë me policinë, i referojmë rastet kur përdoren pamje, imazhe të fëmijëve”, thotë Çoku, duke shtuar se “përgjegjësia është e të gjithëve”.

“Duhet të bëhemi të gjithë bashkë për ta ndryshuar situatën”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Arsyet e shtimit të dhunës te të miturit

Sociologia Marsi Simo thotë se arsyet e dhunës te të miturit janë komplekse.

“Janë faktorë shoqërorë, psikologjikë, ekonomikë… Familjet përballen me probleme të mëdha pamjaftueshmërie ekonomike, e përveç kësaj, të kohës cilësore që duhet ta kalojnë me fëmijët që kur janë shumë të vegjël”, thotë Simo.

Si faktor tjetër, ajo përmend edhe modelet e dhunshme që i marrin nga rrjetet sociale, si TikTok-u.

Sipas Simos, ka po ashtu rritje të numrit të përdoruesve të lëndëve narkotike në mesin e më të vegjëlve.

“Nëse vite më parë ky fenomen ndeshej te 18-vjeçarët, tani e gjejmë në mosha 12 apo 10 vjeç. Përdorimi i tyre rrit më shumë agresivitetin”, thotë Simo për Radion Evropa e Lirë.

Sociologia shton se fëmijëve u mungon mbështetja sociale dhe psikologjike.

Familjet duan më të mirën, por nuk e dinë se ku të drejtohen, sipas saj.

“Më e keqja është se tani po normalizohet dhuna duke thënë: të miturit e sotëm janë të dhunshëm, nuk tolerojnë, nuk respektojnë, derisa shohim ngjarje të tilla të rënda si kjo e vrasjes së Martinit”, thotë Simo.

Ajo vëren se kjo situatë ka krijuar edhe probleme të shëndetit mendor te fëmijët.

Pas vrasjes së Martinit, ajo që tronditi opinionin publik në Shqipëri ishte një fotografi e autorit të dyshuar të vrasjes, e publikuar në rrjete sociale, ku ai shfaqej me plagë në njërën dorë dhe me grushtin lart.

“Fakti që pasi një i mitur kryen një veprim devijant dhe nuk shfaq pendesë, bën të kuptojmë që duhet t’i analizojmë më shumë elementet e shëndetit mendor. Sepse, një mendje e shëndoshë pranon atë që ka ndodhur, kërkon falje, merr parasysh pasojat”, thotë Simo.

Disa ditë pas vrasjes së 14-vjeçarit, Qeveria e Shqipërisë nxori në diskutim dy propozime që synojnë ta frenojnë ndikimin e rrjeteve sociale, TikTok dhe Snapchat, te fëmijët.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se vendimi do të merret pas konsultimit me mësues dhe prindër.

“Dilema është nëse duhet të provojmë të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave – kur, në fakt, nga të gjitha eksperiencat mësojmë se efektiviteti është ende shumë i ulët – apo të ndërmarrim masë drastike për mbylljen e plotë të TikTok-ut dhe të Snapchat-it në Shqipëri”, tha Rama.

Prindër dhe nxënës protestuan këtë javë, duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, marrjen e disa masave për të reduktuar dhunën te të miturit dhe buxhet më të lartë për arsimin, plotësimin e shkollave me psikologë dhe qëndrimin e nxënësve në hapësirat e shkollës deri në orën 16:00, duke u ofruar program, ushqim dhe mundësi për t’i bërë detyrat.

Radio Evropa e Lirë

Marrja nën hetim e kryebashkiakut të Shkodrës ilustrim se si është thurur rrjeta e merimangës së rilindjes

Organigama e grabitjeve të rilindjes nxjerr para kudo ku ta prekësh. Një herë një pastruse vjedh punëdhënësen e vet dhe nga tubi i aspiratorit derdhen “rastësisht” gjysëm milioni euro. Një herë SPAK sekuestron celularët për tendera rrugësh dhe papritmas kap një vjedhje në KESH.

Kështu ka ndodhur edhe herën e fundit, kur prokurorët e posatçëm po hetonin skemën e kompanive përmes të cilave dyshohet se bënte korrupsion ish drejtori i rrugëve Evis Berberi. Ish krahu i djathtë i Belinda Ballukut, që shihej kudo pas saj në videot promovuese u arrestua në mars të këtij viti. Prokurorët që e akuzojnë për korrupsion dhe pastrim parash dyshojnë se nën ombrellën e zv kryeministres është ngritur një skemë tjetër e ngjashme me atë 5D duke u nisur nga fakti se Berberi u kishte dhënë tendera publikë të njëjtëve biznesmenë me të cilët kishte qenë edhe në marëdhënie private, për shtitblerjen e një kompanie. Këto hetime vazhdojnë ende, por e bukura është se si efekt kolateral i tyre duket se e ka pësuar edhe kryebashkiaku aktual i Shkodrës, Benet Beci.

Si është e mundur dhe ç’lidhje ka mund të pyesë dikush? Historia është sa rastësore qa edhe qesharake. Sikurse e kanë bërë zakon agjentët e BKH ata ia behin për kontroll të befasishëm në në shtëpitë dhe të afërmit e atyre që prangosin. kështu ka ndodhur dhe me rastin Berberi. Ata nuk kanë gjetur vetëm udhëtime turistike të paguara nga klientët për atë vetë, bashkëshorten e tij Adela Ruko dhe fëmijët e tyre të mitur, por për të zbuluar më shumë kanë sekuestruar edhe celularin e Adelës.

Ashtu si i shoqi edhe ajo i kish pasur shpatullat të ngrohta për të siguruar një vend pëllumbash në administratën shtetërore. Pra Belinda Ballukiu ishte kujdesur ti sistemonte si familje. Adela në vitin 2020 kryente dhe detyrën e kryetares esë Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të një tenderi në KESH. Bëhej fjalë për një garë të shpikur gjoja për të kontraktuar një kompani që do hartonte një studim për strategjinë e sektorit energjetik. Në atë kohë, kreu i KESH, ishta krebashkiaku aktual i Shkodrës. Atij me sa duket i ishte propozuar  që studimi në fjalë do ë bëhej nga një kompani me përvojë nga iniversiteti me famë i Harvardit. Sigurisht duke i njohur rregullat e lojës Benet Beci nuk mund të kundërshtonte.

Pikërisht kjo duket qartë në bisedat që janë ruajur në celularin e sekuestruar. Celulari është i zonjës Adela Ruko, por atë e ka përdorur bashkëshorit i saj, Evsis Berberi për ti shkruar në numrin e tij personal Benet Becit, shefit direkt të gruas që drejtonte komisionin e tenderit. “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë” i ka shkruar ai Becit. Pra fjala është për të ndarë mes tyre afro 40% të shumës 834 mijë euroshe. Ngjarjet e mëvonshme regojnë se gjithçka është zhvilluar sipas parashikimeve dhe të gjitha gjasat janë që po ashtu të jenë ndarë edhe paratë.

Po a kemi të bëjmë këtu me një korrupsion të rastësishëm që u zbulua papritur nga marrja e një telefoni për arsye të tjera? Jo tamam. Dokumanta të nxjerra në dritë nga media Kapitali.al kanë treguar se e vërtata e këtij abuzimi nuk fshehej vetëm në bisedat e koduara të aplikacionit ëhats app të Adela Rukos. Ndarja e parave ishte një e fshehtë publike.

Që në vitin 2022 Kontrolli i Lartë i Shtetit pati hedhur dyshime për tenderin e zhvilluar në janar të 2021, e që ishte fituar nga kompania e vetme që garoi me 99.8 për qind e fondit limit. Sipas LKSH-së ky tender ishte fare i panevojshëm pasi tashmë ekzistonte një  strategji e sektorit energjitik e hartuar më parë, nga ministria e Energjisë me ndihmën e donatorëve të huaj.

E dyta dhe më qesharakja qëdel nga pjesët e KLSH që nga nxjerrë Genc Pollo, në dokumentin e përgatitur nga “profesorët e Harvardit” është se ata servirnin vetëm të dhëna nga institucionet tona publike si psh tatimet, INSTAT, Banka e Shqipërisë, të cilave këto informacione ia kishte dhënë vetë KESH.

Por, pavarësisht estradës, puna u krye dhe me siguri paratë u ndanë sipas planit.

Por, kjo histori tragjikomike, nxjerr në pah shumë më tepër se njollosja me vulën e mundshme prej hajduti të njeriut që u shndërrua në simbolin e rilindjes, në zgjedhjet e fundit lokale, për arsye se i ktheu asaj bastionin e Shkodrës. Ajo shkon përtej marrjes së Benet Becit si i pandehur nga SPAK. Prej saj rrjedhojnë disa pyetje që flasin për batërdinë e abuzimit me paranë publike. Sepse aty përfshihet krahu i djathtë i Belinda Ballukut, Evis Berberi, që akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Por ky zyrtar i lartë kishte sistemuar dhe gruan, Adela Ruko, në vend pëllumbash në administratë. Pra pa i mjaftuar paratë e rrugëve, gjithë familja qe regulluar nën çadrën e Belindës. Edhe ajo qe drejtuese tenderash, aq e përfshirë sa, njeriu me të cilin ndante krevatin është kapur në allishverishe me njeriun që ndante zyrën. A dinte gjë Balluku për këto? Le ta zëmë se jo, se edhe asaj i hanin kumblla dhe dardha pas shpine. Po çbëri ajo kur u njoh me raportin e KLSH, që fliste për tender fiktiv? A vuri ujin në zjarr prej dy vitesh? Apo mos qe dhe ajo një “e pashkollë”, me diploma fallco, që kishte pjesën e saj?

Fakt është se raporti i KLSH ra në vesh të shurdhër. Prandaj kjo ngarje nuk është një rastësi e çuditshme e dalë në dritë nga një celular i kapur për arsye të tjera. Ajo është simbol i një rrjeti që vijon të punojë si sahat.  /Lapsi.al

Aforizmi i ditës – 23 nëntor 2024

He is not a lover who does not love forever.

Euripides

Nuk është një i dashur që nuk dashuron përgjithmonë.

Euripidi

Represioni komunist mbi klerin mysliman: Hoxhë Selimi Brahja u vra te xhamia e Saukut! Ndërsa Hafiz Ali Korça u survejua nga Sigurimi deri në moshën 80-vjeçare…

I dënuar që në vitin 1945 e, deri sa vdiq, Hafiz Ali Korça u vu në survejim të Sigurimit të Shtetit, deri pas të tetëdhjetave, kohë kur u vendos që dosja të mbyllej. Dy djemtë e tij po ashtu, u dënuan si armiq, njëri me vdekje, tjetri me burg e përndjekje, deri kur mbylli sytë. Sot, në këtë ditë reflektimi, sjellim në vëmendje klerikët myslimanë të survejuar, të dënuar politikisht dhe të përndjekur në vite, dhe kontributin e tyre të çmuar për atdheun, shoqërinë dhe vlerat njerëzore. Midis hoxhallarëve të përndjekur nga pushtuesit, nga fanatikët dhe komunizmi, për idetë, pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre, është dhe Hafiz Ali Korça, i rritur në një mjedis patriotik, fetar e kulturor, korçar të pastër, ai u brumos me bindje dhe parime bazë, që e ngritën lart emrin e tij.


Hoxha i përndjekur

Për këto ai, në vitin 1893, kur ishte në moshën 20 vjeçare, u internua në Sinop, sepse ndërsa udhëtonte me trenin Sofje-Stamboll, iu kapën librat shqip, atëherë të ndaluar. Më 1900, u internua në Anadoll, për aktivitetin në Mësonjëtoren e Korçës. Pas Kongresit të Dibrës, ia shkatërruan shtëpinë. Më pas, Kabineti i Telat Pashës, e dënoi me vdekje, por me ndërhyrje, u fal. Më 1924, u përjashtua nga Këshilli i Lartë i Sheriatit. Më 1925, botoi në Tiranë pamfletin “Bolshevizma e shkatërrimi i njerëzimit”.

Hafiz Ali Korça zhvilloi një veprimtari intensive në disa drejtime dhe kryesisht në fushën e kulturës, të fesë dhe të publicistikës. Ai ka shkruar një varg veprash origjinale, në prozë e poezi fetare dhe laike. Ndër to shquhen: “Mevludi” (1900), “303 fjalë të Imam Aliut” (Botuar në Korçë, më 1910), “Historia e shenjtë dhe të katër halifetë”, (Botuar në Tiranë, më 1931, fq. 288), “Jusufi me Zelihanë”, (Botuar në Elbasan, më 1923), “Gjylistani”, përkthim nga Saadiu, (1918, “Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë”, poezi, (Botuar në Tiranë, më 1944), “Tefsiri i Kur’anit”, (mbetur dorëshkrim, me një vëllim prej 2000 faqesh, R.Z.) punuar gjatë viteve 1920-1924, “Rubaijjati Khajjam” (Hajjam, përkthim nga Omar Kajami, 1930-Ribotim 1942, në Tiranë).

Një rëndësi të veçantë kanë gjithashtu, edhe tekstet shkollore si: “Abetare shqip” (1910), “Fe-Rrëfënjësi morali” (1914), “Gramatika, Syntaksa shqip-arabisht edhe fjalime”, (1916). Hafiz Ali Korça ka lënë edhe një numër të konsiderueshëm dorëshkrimesh e përkthimesh. Hafiz Ali Korça, duke përkthyer kryeveprat, si; “Gjylistani”, “Rubairat”, si dhe “Jusufi me Zelihane”, i bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj, si Saadiun, Omar Kajamin, etj.

Hafiz Ali Korça, qe ndër mësuesit e parë të Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës. Aty dha pa pagesë, edukatë islame. Pas shpalljes së Pavarësisë, iu ngarkuan detyra të rëndësishme. Qe këshilltar i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm po i asaj Ministrie, Shef i Fetva-minit pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës, etj.

Gjatë jetës së tij, Hafiz Ali Korça bashkëpunoi me një varg figurash e personalitetesh që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë, siç janë: Kristo Luarasi, Jusuf Turabi Kërçova, Pandeli Sotiri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Sali Nivica etj.

Jeta e tij është një shembull i përsosur i atdhetarit të devotshëm, që nuk ndan fjalën nga veprat e poetit që fton bashkëpunëtorët të punojnë për mëmëdheun, të mos e braktisin.

                                                                            ***

Hafiz Ali Korça lindi në Korçë, në vitin 1873, u edukua në kryeqendrën më të famshme të edukimit gjatë kohën që jetoi, në Stamboll, dhe më pas u kthye për t’i shërbyer vatanit dhe popullit të tij, fillimisht në vendlindjen e tij, pastaj në Tiranë e, në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, derisa ndërroi jetë në qytetin e Kavajës, pas një internimi të gjatë, që regjimi komunist aplikoi, ndaj një prej figurave dhe personaliteteve më të njohur shqiptar, siç ishte ai.

Periudha kur Hafiz Ali Korça jetoi, studioi dhe veproi si mësues, edukator, atdhetar, personalitet fetar, botues, zyrtar shtetëror (ish-këshilltar i Ministrisë së Arsimit, si dhe drejtor i përgjithshëm i kësaj ministrie), ishte një nga periudhat më të rëndësishme për kombin dhe popullin shqiptar, në aspektin politik, kulturor dhe veprimtarive kombëtare, atdhetare dhe patriotike. Ishte koha e ndarjes nga shteti osman, dhe fillimi i një epoke të re, me shumë peripeci për shtetin dhe kombin shqiptar.

Ai ka studiuar dhe ka luftuar gjatë gjithë jetës së tij për pavarësinë kombëtare dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Aktivitetet dhe veprimtaria e tij fetare dhe atdhetare për kohën ishte një risi në mesin e popullit shqiptar, kryesisht për vetë bashkë-fetarët e tij myslimanë, të cilët lëvizjet dhe veprimtaritë e tij fillimisht i shihnin me dyshim dhe skepticizëm në atë kohë, por si njeri vizionar që ishte, fjalët e tij, të thurura me një mjeshtëri të veçantë artistike dhe stilistike, si dhe të kuptueshme për kohën, lanë gjurmët e veta duke u vërtetuar më vonë në praktikë, dhe në shumë prej librave të tij, të cilët përmbajnë laramani shkrimesh dhe temash, lexohen dhe merren si referencë edhe sot e kësaj dite.

Fatkeqësisht, figura e Hafiz Ali Korçës, madje dhe vetë ai sa ishte gjallë, u la në hije dhe u dëmtua më së shumti gjatë regjimit të dhunshëm të diktaturës komuniste në Shqipëri, nga sistemi famëkeq, i cili kërkonte të zhdukte çdo gjë fetare dhe kombëtare të popullit tonë. Figura e tij fetare, si një dijetar i urtë dhe i devotshëm, një njeri shumë i dashur nga të gjithë shqiptarët në atë kohë, nga atdhetarët, nxënësit e tij si dhe profesorët e ndryshëm, u zvetënua forcërisht nga diktatura e kuqe, duke bërë që të lihet në harresë brenda periudhës së “burgut” të quajtur Shqipëri, por ne këtu, me pak rreshta do të mundohemi të shpalosim disa nga veprimtaritë e tij më kryesore, kulturore, fetare, arsimore e atdhetare.

Edukimi i tij jo si një hoxhë i thjeshtë, por si një dijetar i vërtetë, i pajisur me dituri të ndryshme fetare, atdhetare, letrare dhe shkencore, e bëjnë Hafiz Ali Korçën, një njeri me dhunti të veçanta për thithjen e diturive, si dhe transmetimin e tyre tek populli. Mësimet e para fetare islame, Hafiz Ali Korça i kishte marrë që në Korçë, nga babai i tij Iljaz efendiu, ku që në moshën 12 vjeçare, atje kishte mësuar të gjithë Kur’anin përmendësh dhe ishte bërë Hafiz. Më pas, për njohuri fetare studimore të mirëfillta, ai shkoi në Stamboll, ku zgjeroi diapazonin e diturive të tij.

Si poliglot që ishte, në Stamboll ai mësoi gjuhën arabe dhe perse, ndërsa bazat e osmanishtes (dhe të turqishtes), i kishte marrë që në Korçë. Gjithashtu në Stamboll, mësoi edhe gjuhën frënge. Për shkak të njohurive të tij në frëngjisht, kur Princ Vidi erdhi në Durrës, më 7 mars 1914, Dervish Hima dhe Hafiz Ali Korça, mbajtën nga një fjalim në frëngjisht, dhe Princ Vidi, iu kthye atyre në të njëjtën gjuhë. Këtë kulturë të gjerë të cilën e përfitoi në Stamboll, pas kthimit në Shqipëri, ai donte ta përçonte edhe në mesin e popullit shqiptar. Një nga lëvizjet më të mëdha në këtë drejtim ,të nxitura prej tij, është përpjekja dhe mbështetja e madhe që ai dha për hapjen e shkollave shqipe, në të gjitha trojet shqiptare.

Hafiz Ali Korça, që kur mori titullin Hafiz, në moshën 12 vjeçare, pastaj vajtja për studime akademike islame në Stamboll, bënë që ai të jetojë dhe t’i përkushtohet parimeve dhe diturisë së fesë islame. Në këtë mënyrë, gjithë jetën e tij, ai e sakrifikoi për të vërtetën hyjnore, Islamin, si edhe për vatanin dhe popullin e tij. Për të vënë në praktikë studimet dhe dituritë e mëdha që kishte marrë, ai, kontributin e tij më të madh, përveç ligjëratave të ndryshme fetare, që ka mbajtur nëpër xhami të ndryshme në Shqipëri, e ka dhënë me shkrimin ose përkthimin e materialeve studimore islame, të dorës së parë. Nisja e përkthimit të disa ajeteve dhe sureve të Kur’anit nga ana e tij (botuar në vitin 1926), prej arabishtes në shqip, ishte një nga arritjet më të mëdha për prezantimin në shqip të Kur’anit.

Ngjitja e tij profesionale si figurë e lartë fetare islame, ishte kur ai u zgjodh si një nga anëtarët dhe Fetva Emini i Këshillit të Naltë të Sheriatit, nga viti 1918-1924. Gjithashtu, ai ka qenë mësues për një kohë të gjatë, në Medresenë e Tiranës. Botimet e tij fetare, si; “Mevludi” (1900), “303 fjalë të Imam Aliut” (Korçë, 1910), “Fe Rrëfenjësi, morali” (1914),“Jusufi me Zelihanë” (Elbasan, 1923), dhe “Historia e shenjtë dhe të katër halifetë” (Tiranë, 1931) ishin ndër librat më të dashur për besimtarët myslimanë të asaj kohe. Po ashtu, nuk mund të lëmë pa përmendur hytbet (ligjëratat), e shumta të mbajtura prej tij, në xhami si dhe shumë prej tyre të botuara në revistat e mirënjohura “Zani i Naltë”, “Kultura Islame” etj., të cilat u lexonin me ëndje të madhe, nga të gjithë shqiptarët e asaj kohe.

Atdheu i klerikut

Për shkak të mendimit të tij të lirë atdhetar, për shkak se ka përkrahur gjithmonë bashkimin kombëtar, të të gjitha trojeve shqiptare, dhe për shkak se e ka kundërshtuar gjithmonë dhe fuqimisht bolshevizmin, komunizmin dhe ateizmin, duke i konsideruar, si një; “kuçedër e zezë” për popullin shqiptar, atë dhe familjen e tij, për fat të keq, e ndoqi gjithmonë fati i zi i burgosjeve dhe përndjekjeve, si nga osmanët, që e njihnin si “hoxhë latinxhi”, si nga shqiptarët, pas krijimit të Shtetit Shqiptar, ashtu edhe nga sistemi i errët dhe i egër komunist, i cili e burgosi dhe e internoi, duke e çuar së fundmi në Kavajë, ku kaloi i vetëm dhe larg familjes së vet, vitet e fundit të jetës së tij në këtë dynja, ku ndërroi jetë, në vitin 1956.

Këtë veprim, ata e ndërmorën për të “zhdukur” kontributin e tij fetar dhe kombëtar, duke mos lënë hapësirë që idetë përparimtare të kalibrit intelektual të tij, për kombin dhe popullin tonë, të zbatoheshin në praktikë. Ai luftoi gjithmonë me armë, me dituri dhe me penë, për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet, si dhe për bashkimin e shqiptarëve kundër shovinistëve grekë dhe serbë, dhe jo për ndonjë ideal të veçantë, si ai i komunistëve. Duke iu kundërvënë bolshevizmit dhe duke parandjerë ardhjen e një “reje të zezë” për Shqipërinë dhe shqiptarët, ai e godet fort atë, që para instalimit të diktaturës komuniste, me vargjet:

“Bolshevizma s’pajton kurrë

Me dinin e Muhammedit,

Çelët do ta kenë luftën,

Gjer ditën e Kijametit”.

Ndërsa për vuajtjet e veta, me pak rreshta, ai i përmend shumë bukur, në një nga strofat e shkruara në manifestin e tij të rëndësishëm; “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”. Aty, ai për veten e vet, thotë:

“Për Shqipërinë u përpoqa

rrezikova jetën t’ime,

Nuk rëfehet se sa hoqa,

se shteti m’i njihte krime”.

Veprimtari tjetër e rëndësishme atdhetare e Hafiz Ali Korçës, është dhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Dibrës, më 23 Korrik 1909, ku përveç tij, merrnin pjesë edhe shumë atdhetarë të tjerë të shquar, si: Aqif Pashë Elbasani, Abdyl Bej Ypi, Dervish Hima, (të cilit Hafiz Ali Korça, i ka dedikuar një poezi në kohën që ndërroi jetë). Fjala e Hafiz Ali Korçës në këtë kongres, ishte kryesorja, dhe për këtë kongres dhe vendimet e tij, kanë folur gjerë e gjatë Abdyl Ypi, në librin e tij, “Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça” (1918) si dhe Haki Sharofi, në librin “Kongresi i Dibrës”, të lënë dorëshkrim, por të botuar në vitin 2009, në Tiranë, nga djali i tij, Islam Sharofi. Për veprimtarinë e tij patriotike për çështjen kombëtare shqiptare si dhe për përkrahjen që ai jepte për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në trojet shqiptare, kanë shkruar dhe gazetat e njohura të kohës në gjuhën osmane në Stamboll, si gazeta “Sabah” (30 maj 1311 (1894) dhe gazeta “Aksham” (9 korrik 1318 (1903).

Roald A. Hysa, ka ndarë këtë persekutim, e përndjekje në komunizëm, të klerikëve myslimanë, duke shënuar në gazetën “Drita Islame”, 2017, këto fakte: “Një pjesë e madhe e historisë sonë, u fsheh nga historiografia komuniste dhe persekutimi e vrasjet e hoxhallarëve të mirënjohur, është pikërisht një pjesë e rëndësishme për të cilën nuk flitet apo flitet shumë pak edhe sot. Me gjithë bujën me të cilën u festua 100 vjetori i Pavarësisë, asnjë nga figurat e Komunitetit Mysliman, nuk u dekorua apo, të përkujtohej. Regjimi komunist nuk i toleronte fetë, për shkak se i konsideronte si ideologji alternative e konkurruese, për politikat dhe ideologjinë marksiste leniniste.

Nisur nga kjo, ai i luftoi me të gjitha mënyrat e mundshme, dy fetë kryesore në Shqipëri, Krishterimin dhe Islamin. Të gjithë fetarët i konsideroi si armiq potencialë dhe për këtë i përndoqi vazhdimisht. Fillimisht fetarët u sulmuan dhe u luftuan në fillim të marrjes së pushtetit nga ana e Enver Hoxhës dhe Partisë Komuniste, duke u akuzuar si bashkëpunëtorë të okupatorit nazi-fashist apo, edhe të regjimit zogollian. Kjo u bë për të minimizuar fillimisht rezistencën antikomuniste e, më pas për të shkuar drejt zhdukjes së saj. Pa dyshim që nga këto lloj politikash, e sidomos prej urrejtjes klasore, kanë vuajtur qysh në momentet e para edhe shumë hoxhallarë, figura të mirënjohura lokale apo edhe në rang kombëtar.

Madje, para se të merrnin në dorë pushtetin, komunistët i luftuan dhe i vranë pa mëshirë, thjesht pse ata ishin kundërshtarë dhe flisnin e bënin propagandë kundër komunistëve dhe lidhjeve të tyre shpirtërore, me marksist-leninistët serbo-sllavë e sovjetikë. Për ta ilustruar më qartë, këtu po japim dy raste, të hoxhë Selim Brahjes, i njohur në popull si Hoxha i Saukut, dhe të imamit nga fshati Vrajtë i Peshkopisë, Seit Idriz Shehu. Të dy këta janë vrarë përpara se të mbaronte Lufta e Dytë Botërore dhe pushtetin ta merrnin komunistët. Hoxhë Selimi u vra në gusht të vitit 1943, m’u në hyrje të xhamisë së Saukut, (ku ai shërbente) në ditët e para të muajit të Ramazanit. Shkaku për vrasjen e tij ishte pse nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me komunistët dhe të shërbente politikisht për ta, kur anëtarë të njësitit të Pezës, i kishin kërkuar që ai të kalonte me ta.

Ndërsa hoxhë Seiti iu thoshte fshatarëve nëpër biseda të lira, se; komunistët do t’ua marrin tokën e, do t’ua marrin të gjitha pronat, ashtu si kishte ndodhur në Bashkimin Sovjetik, dhe do të vuanin për bukën e gojës më pas. Gjykohet dhe vritet me akuzën për; “agjitacion e propagandë”, kundër Frontit Nacional-Çlirimtar, nga një gjykatë partizane e Brigadës V-të Sulmuese, me komandant Shefqet Peçin, më 26 gusht 1944, pa u “çliruar” akoma Shqipëria. Me ardhjen në fuqi të regjimit komunist, fillon zyrtarisht përndjekja edhe e hoxhallarëve kundërshtarë, ku arrestohen e burgosen të gjithë ata që kishin shërbyer në rangjet e larta të Komunitetit Mysliman, si hafiz Sherif Langu, kryetar i KMSH-së, hafiz Ismet Dibra, drejtor i Medresesë së Tiranës, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, si dhe shumë hoxhallarë të tjerë.

Po ashtu arrestohen shumë myftinjtë, si hafiz Mustafa Varoshi, i cili vdes në burg nga torturat e rënda, që i bënin oficerët e Sigurimit, hafiz Xhemal Naipi, ish-kryetar i Parlamentit Shqiptar, i cili do të vdiste në qelitë e burgjeve komuniste dhe sot e kësaj dite, nuk dihet se ku e ka varrin. Në vijim, po publikojmë një listë me hoxhallarët e vrarë apo të pushkatuar nga regjimi komunist dhe që vdiqën burgjeve nga torturat e ndryshme. Kjo listë për momentin është e përkohshme, sepse mendojmë se ende nuk kanë dalë nga arkivat, shumë fakte që u mbajtën të fshehta nga regjimi komunist, për arsye të ndryshme.

Listë me hoxhallarë të vrarë nga komunistët

Hoxhë Selim Brahja – i njohur si “Hoxha i Saukut”, vrarë në gusht 1943, nga njësiti i Çetës së Pezës.

Imam Seit Idriz Shehu, nga fshati Vrajtë i Peshkopisë, mbaroi studimet në Prizren me Hafiz Shabanin. Ka dhënë mësim në mejtepet e xhamive dhe ka qenë imam në fshatrat: Deshat, Borovjan, Grevë dhe Zimur. Gjykohet dhe vritet me akuzën për “agjitacion e propagandë” kundër Frontit Nacional-Çlirimtar, nga një gjykatë partizane e Brigadës V-të Sulmuese, me komandant Shefqet Peçin, më 26 gusht 1944, pa u “çliruar” akoma Shqipëria.

Hafiz Mustafa Varoshi, ish-myfti i Durrësit, i burgosur në vitin 1945 dhe i vdekur në burg nga torturat çnjerëzore, më 1948.

Imam Liman Shabani – vdekur në burg, më 1945.

Imam Met Troci – dënohet fillimisht me vdekje dhe më pas i zbritet dënimi, me 30 vjet burgim. Vdiq në burg më 20 maj 1947, në rrethana të panjohura.

Imam Ahmet Hysejni – dënohet me pushkatim dhe më pas i kthehet vendimi me burgim të përjetshëm, më pas vdes në burg, më 1945-ën, në rrethana të panjohura.

Hafiz Xhemal Naipi – i burgosur më 1947. Vdiq në burgun famëkeq të Burrelit, në vitin 1955, në moshën 77 vjeçare, pa pasur dijeni familjarët, as për varrin e tij.

Hoxhë Jakup Dusha (Tropojë) – Në dosjen e tij thuhet se u arrestua së bashku me 6 persona të tjerë, më 3 shkurt 1953 dhe vdiq në hetuesi po atë vit, nga torturat çnjerëzore në Burgun e madh të Shkodrës.

Shyqyri Hoxha (Myftiu)- ish-myfti i Peqinit, pushkatuar më 1946, me akuzën si “armik i popullit”.

Salih Vuçiterna– ish-drejtor i zyrës së Vakëfeve të Komunitetit Mysliman, burgoset dhe vdes në burgun e Burrelit, në tetor të vitit 1949.

Qazim Rroji (1915-1946) myezin në Xhaminë e Tepes dhe Koplikaj, Shkodër. Nacionalist dhe pjesëmarrës në Kryengritjen e Postribës, arrestohet dhe pushkatohet pa gjyq, më 10 shtator 1946. Ende sot nuk i dihet varri.

Imam Halil Hoxha (1881-1946), me origjinë nga Bytyçi i Tropojës, dënohet me pushkatim dhe ekzekutohet me akuzat si “kriminel lufte, bashkëpunëtor i regjimit zogollian dhe i okupatorëve”, së bashku me të, dënohet edhe bashkëshortja Xhane Hoxha, me 5 vite burgim dhe dy bashkëfshatarë të tij, Demush e Shaban Qerimi, me vdekje, për shkak se e strehuan atë. Vendimi për pushkatim i të treve, ka marrë edhe miratimin e Enver Hoxhës. Memorie.al

Mbi “pacientët e lartë” nëpër “getot, izolimet ose karantinat” qeveritare- Nga Agron Shabani

Në “kozmosin” ose botën e çrregulluar shpirtëror, emocional, mental dhe psikologjik të personave ose individëve të ndryshëm me të meta ose aftësi të kufizuara shpirtërore, emocionale, mentale, psikofizike, psikosociale dhe të tjera, gjthmonë ose vazhdimisht sikur ndodhet ose ekziston një “dikush tjetër” si rival, kundërshtar apo si armik i tij imagjinar ose fiktiv… i një “bote” imagjinare ose fiktive të stërmbushur ose mbingarkuar me ” forcë” ose “energji të madhe” iracionale dhe teper negative!

Ndërkohë që zemra e një njeriu të shëndetshëm ose normal, brenda 24 orëve i shpërndan ose p0mpon afro 7000 litra gjak në trupin ose organizmin e tij, gjegjësisht, në muskujt, organet ose trurin e njeriut. Duke i mbushur ose pajisur ato edhe me oksigjen si dhe me elemente tjera kruciale ose jetike. Zemra e njeriut të shëndetshëm ose normal i kryen mëse 100.000 rrahje ose ritmime brenda 24 orëve.

Në këtë prizëm, sipas studimëve, analizave dhe teorive të njohura shkencore ose sociopsikologjike të Zigmund Frojdit, Karl Gustav Jungut, Alfred Adlerit,
Maks Veberit si dhe të shumë studiuesve dhe psikoanalistëve të tjerë në këtë drejtim: Si të thuash të të gjitha anomalitë, patologjitë, mediokritetët, turbulencat, fenomenët, reaksionet, destruksionet ose dekonstruksionet e ndryshme shoqërore ose qytetare në kontekstin e mesipërm reaksionar ose negatië të shtetit dhe shoqërisë: Në radhë të parë janë produkte ose rezultate të ndryshme objektive dhe subjektive, gjegjësisht, eksterne ose eksplikative të natyrës dhe karakterit të përgjithshëm shpirtëror, emocional, mental ose psikofizik të një personi ose individi të caktuar shoqërorë ose qytetar. Gjegjesisht, shteteror ose qeveritar. Ashtu siç mund të jenë edhe proceset, zhvillimet ose fenomenet e mësipërme në anën tjetër e kundërta e tyre. Gjegjësisht, si indikatorët ose predikatorët me të rëndësishëm ose kryesorë të stabilitetit dhe instabilitetit ( jostabilitetit) të njohur objektivë ose subjektivë të personit ose individit e kështu me radhë.

Së këndejmi, Zigmund Frojd, Karl Gustav Jung, Alfred Adler dhe psikoanalistë të tjerë, në kuader të studimeve, analizave dhe hulumtimeve të njohura shkencore dhe metodologjike të ” Robinson Krusove”, ” Zoon-politikokonëve”, “Homo-politikusëve” ose “Homo-ekonomikusëve” të ndryshëm në kohë dhe hapësirë, gjegjësisht, të qarqeve, strukturave, “elitave” ose “par exelencave” të ndryshme shtetërore, qeveritare, politike, policore, ushtarake, fetare, kulturore, sociale, societale, ekonomike dhe të tjera në këtë drejtim: Në kuadrin e studimëve, analizave, teorive ose konstatimeve të mësipërme shkencore ose psikologjike mbi ” kosmosin” ose ” botën e brendshme” shpirtërore, emocionale, mentale- psikologjike të personit ose individit i kanë paraparë dhe prognostifikuar edhe perceptimet, akceptimet, anticipimet dhe justifikimet e njohura teorike dhe praktike mbi ndikimet dhe reflektimet e tyre eksterne ose eksplikative në sfondin ose kontekstin e mësipërm të pothuajse të të gjitha zhvillimeve, proceseve, trendeve, fenomeneve, paradokseve ose turbulencave të ndryshme shoqërore ose qytetare. Kjo sidomos në marrëdhëniet, raportet ose dimensionet e njohura në relacionin personi(individi)- prindërit-familja-grupi-mjedisi-ambienti- institucionet e shtetit ose shoqëria e gjërë njerëzore dhe qytetare.

Ç´është e vërteta , konstaton në vazhdim Frojdi, psikologjia e njohur reflektive, perceptive, asertive, rezilente, kognitive, funksionale dhe aksionaliste mbi personin ose individin, në fokusin dhe agjendën e saj kryesore ose substanciale e ka pikërisht njeriun, gjegjësisht personin ose individin. Respektivisht, studimet, hulumtimet ose analizat e njohura shkencore dhe metodologjike me anë të të cilave një person ose individ i caktuar shoqeror, qeveritar ose politik mund t´i hasi, ushqejë, sigurojë dhe realizojë nevojat ose kërkesat e tij objektive dhe subjektive së bashku me ambiciet, qëllimet, idealet, vizionet ose pretëndimet e tij shoqërore, qytetare fetare, kulturore, sociale,politike, profesionale, karieriste, materiale, funksionale dhe të tjera. Duke i përfshirë dhe nënkuptua këtu edhe ” egon” ose “libidon” e tij pozitive dhe negative.

Gabriel Tardi ndërkaq, në kuader të studimeve dhe analizave të tij shkencore ose sociopsikologjike me titull ” Ligjet shoqërore ose qytetare”, si të thuash të të gjitha zhvillimet, proceset ose fenomenet e mundshme shoqërore ose qytetare në radhë të parë i ka mbështetur dhe projektuar pikërisht në natyrën dhe karakterin e njohur shpirtëror, emocional, mental ose psikofizik të personit ose individit. Përkatësisht, në substratin dhe substitutin e funksionimit optmimal ose maksimal të një personi ose individi të caktuar shoqëror ose qytetar që ndodhët në pozita ose funksione të larta shtetërore, qeveritare, shoqërore, politike etj.

I të të njëjtit mendim është edhe Maks Weberi; i cili në kuadër të veprave të tij të shquara si ” Etika Protestante” , “Shkenca si thirrje” , ” Politika si thirrje” etj… Në vazhdim konstaton faktin e mësipërm sipas të të cilit pothuajse të gjitha zhvillimet, proceset, dukuritë, reaksionët ose fenomenet e ndryshme shoqërore ose qytetare ( qofshin ato negative ose pozitive)-në radhë të parë janë pasoja, rezultate, indikacione ose predikacione të pashmangshme (eskterne ose eksplikative) të natyrës dhe krakterit të lartpërmendur të personit ose individit. Duke i përfshirë dhe nënkuptuar në vazhdim edhe aksionet dhe reaksionet ( reagimet) e qëllimshme dhe racionale në raport me qëllimet ose idealet e njohura objektive dhe subjektive të personit ose individit, gjegjësisht,,aksionet individuale dhe kolektive, aksionet ose reagimet e ndërgjegjshme, morale, humane, formale, normative, reflektive, afirmative dhe të tjera, aksionet ose veprimët e njohura shtetërore, fetare, kulturore, institucionale, konstitucionale, politike, aksionet ose reagimet tradicionale, empirike, evolutive, rekonstruktive, diakronike, pradigmatike dhe të tjera, aksionet logjike ose intelegjente, aksionet ose veprimet e njohura shkencore, akademike, pedagogjike dhe të tjera, aksionet ose reaksionet e ndryshme shpirtërore, emocionale, simpatike, parasimpatike, kognitive, negative, agresive, iracionale, imagjinre, fiktive, indikative,inkubative, simptomatike dhe shumë të tjera në këtë sfond.

Në këtë menyrë sipas pikëpamjeve, koncepteve ose vlerësimeve të njohura të J. Hajnzinh, H. G. Gadamer, H. Arendt dhe të tjerëve: Edhe raportët ose marrëdhëniet e ndryshme në mes nacionalzmit ekstrem ose radikal ( ultranacionalizmit) dhe patriotizmit të rrejshem ose lajkatar, vazhdimisht sikur u ngjajnë atyre marrëdhënieve ose raporteve të njohura në mes dashurisë dhe urrejtjes.

Në këtë mënyrë, mungesat ose deficitët e hetueshme të shtetit dhe pushtetit të preferuar ligjor, qytetar, parlamentar dhe demokratik vazhdimisht sikur kanë rezultuar me ngritjen dhe krijimin e strukturave, elitave ose ” par exelencave të reja ” pushtetmbajtëse, autoritare totalitariste dhe të tjera, gjegjësisht, të qarqeve dhe strukturave të ndryshme policore, ushtarake, burokratike, politokratike, kleptokratike, anrakoindividualiste, anarkoliberaliste etj… Të cilët me anë të bllokimit afatëshkurtër, afatëmesëm ose afatëgjatë të zhvillimeve ose proceseve të ndryshme politike dhe demokratike: E kanë për qëllim “rimobilizimin referendumial ” të shtetit dhe pushtetit autoritar dhe totalitarist, përkatësisht, rikthimin, ringritjen ose “riciklimin aklamativ” dhe “populist” të sistemeve ose regjimeve të njohura autoritare, totalitare, despotike, absolutiste, militare ,hegjemone, ekspanzioniste etj.

Ndërkohë që qarqeve ose faktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë si për shembull, të alarmuar ose skandalizuar paksa nga kërrcnimet e vazhdueshme nuklerare ose atomike të Rusisë- ndaj Natos, BE-së dhe kështu me radhë (rasti konkret i luftes se njohur ne Ukraine etj…) – po vazhdon t´u merret ( mekët) goja dhe stepet zëri në “koncertin e madh” të britmave dhe ulurimave të përditshme hegjemone, ekspansioniste, militare ose paramilitariste të Serbisë ndaj shqiptarëve ose Kosovës në veçanti, si dhe ndaj popujve dhe vendeve të tjera në përgjithësi.

Patriotizmi për me tepër ndërkaq, sipas studimeve dhe analizave të ndryshme në fushat e njohura të sociopsikologjisë politike, strukturale, funksionale, reflektive, kognitive etj.: Në radhë të parë është ndjenjë, përjetim, përceptim ose një situatë e thellë emocionale, sentimentale, inkarnative ose ataraktive dhe psikologjike në shpirtin, natyrën ose karakterin e njohur të individit dhe kolektivitetit. Përkatësisht, ndjenjë, nuhatje, reflektim, përjetim, ndjeshmëri, ndershmëri dhe obligim i thellë moral , patriotik dhe emocional që i shërben shpirtit, mbamendjes ose kujtesës së përgjithshme shteterore, nacionale dhe historike të kolektivitetit, grupit, personit ose individit në kontekste ose relacione të ndryshme humane, njerëzore, reflektive, simbolike, alternative, evolutive, empirike, organike, determinante, paradigmatike, rekonstruktive, diakronike, sociopsikologjike dhe të tjera. Për dallim të nacionalizmit që në të shumtën e rasteve është e kundërta e tij.

Roli dhe funksioni optmal ose maksimal i medias së shkruar dhe elektronike:

Gazetat, portalet, agjencitë e lajmeve, radio-televizioni, ose mediat e shkruara dhe elektronike, si instanca ose institucione të njohura mendore, ideore, kulturore, politike, patriotike dhe të tjera, respektivisht si fuqi e katërt e shtetit dhe shoqërisë, sigurisht se e kanë peshën, ndikimin dhe rëndësinë e madhe, epokale dhe historike në momente ose situata të caktuara politike, ushtarake ( luftarake) etj. Si për shëmbull konkret: gazeta e përditshme autoritative ose renomative shqiptare si “Bota Sot”, Epoka e Re”, “Kosova Sot”, “Kosova Press” në mos gabohem, ka qenë instanca të larta morale, ideore dhe patriotike te cilat para dhe pas luftës në Kosovë, e kane ngritur, glorifikuar dhe afirmuar luftën dhe levizjen çlimtare dhe heroike të shqiptarëve. Si sot me kujtohet edhe shkrimet dhe artikujt e mi autorial mbi UCK-së në “Bota Sot” me titull:” Aty ku gjithmonë ata shkojnë, patjetër se do të ndodhë diçka ( Gazeta Bota Sot, viti 1997) etj. etj… Pa i cekur ato të tjerat në Radio-televizionin shqiptar, ish revistën “Eurozëri” etj…

Ndërkaq, vetë editori i Voalit, ish kryeredaktori i gazetës “Bota Sot”, ish drejtori gjeneral i Radiotelevizionit Shqiptar dhe diplomat Shqipërisë në Zvicër, z.Skënder Buçpapaj së bashku me zonjën ose bashkëshorten e tij ( Elida Buçpapaj) si intelektual ekselent dhe kulminant, u dolën zot Kosovës dhe shqiptarëve kur e kishin më së vështiri dhe kur kishin nevojë.

Ndërkohë që media e shkruar dhe elektronike në epokën e re moderne ose bashkëkohore, kanë bërë aq shumë për psikologjinë dhe nueropsikiatrinë, duke na ofruar pamje, imazhe, portete ose mesazhe të ndryshme mbi “pacientët e lartë” institucionalë dhe funksionalë nëpër “getot, izolimet ose karantinat” e ndryshme qeveritare, dikasteriale, politike dhe të tjera, ku jonjerëzit e lozin shpesh rolin e njerëzve.(….).


Send this to a friend