Kaarst fle ende. Në qytezën e Renianias pushimi i të dielës është i shenjtë: çdo lloj veprimtarie, përveç blerjes së gazetës, konsiderohet sakrilegj. Kopshtet përrallorë, me barin e prerë në perfeksion dhe puset falsë me shumë rrotulla, shtëpitë me tulla të kuqe, dyqani i kaskave të çiklistëve, restoranti “Bollerwagen”: gjithçka është mbështjellë nga heshtja. Nuk lëviz asgjë: asnjë makinë, asnjë autobus, asnjë copë letre. Asgjë, përveç një flamuri gjerman që nis e valëvitet sapo fryn pak erë. Ish-piceria e të akuzuarit si killer i mafias, Giovani Strangio, sot quhet “O sole mio” dhe gjendet pothuajse në të njëjtën distancë nga flamuri, nga restoranti dhe dyqani i estetistit Ladiseba. Në krah të hyrjes është shkruajtur: “Lass die Seele baumeln”, – “Lër të përkundet shpirti”.
Nën qiellin e kaltërt të gushtit, edhe emri i picerisë, “O sole mio”, të duket si një ftesë për të shijuar jetën. Megjithatë, në brendësi të lokalit nuk ka gjurmë të gëzimit tipik italian për jetën: ka vetëm një sallë të madhe të shkretë, mbushur me tavolina të bardha dhe me dritaret e kuqe. Prapa banakut, një pirg me kartonë picash. Deri dy vjet më parë, kuzhinieri ishte Giovanni Strangio, një djalosh i pashëm 28-vjeçar. Sot, Strangio dyshohet se është pjesë e një prej klaneve më të fuqishëm të krimit të organizuar italian dhe që ka qenë ai vrasësi i ngjarjes së 3 vjetëve më parë në Duisburg. Në masakrën më të rëndë të kryer nga mafia italiane në Gjermani u vranë 6 të rinj kalabrezë të moshës nga 16 deri në 38 vjeç. Vrasësit i goditën befasisht në makinat e tyre mëngjesin e 15 gushtit 2007, përpara restorantit “Da Bruno”: pesë vdiqën menjëherë, i gjashti gjatë transportit për në spital. Masakra tronditi Gjermaninë dhe u kujtoi të gjithëve që mafia nuk është një problem vetëm italian. Këtyre anëve kishte mbërritur prej pak kohësh. Prapa banjës së gjakut të Duisburgut fshihet një luftë disavjeçare mes dy klaneve të qytetit kalabrez të San Luca-s, PelleRomeu dhe NirtaStrangio. Një luftë që e pati kulmin pikërisht me vrasjet e 15 gushtit.
Emigrantë apo kriminelë
Giovani Strangio ishte kushëriri i gruas së bosit kalabrez, Giovanni Nirta, i vrarë në San Luca ditën e Krishtlindjeve të 2006, kur ishte 33 vjeç. Mendohet që vrasësi i tij të ketë vdekur në masakrën e Duisburgut. Ishte ndoshta një hakmarrje. Për më shumë se një vit, Giovanni Strangio kishte qenë një prej kriminelëve më të kërkuar në Europë, deri kur në mars 2009 një patrullë policësh italianë, holandezë dhe gjermanë e kapi në periferi të Amsterdamit bashkë me kunatin, Francesco Romeo, i cili kishte punuar për pak kohë në një tjetër restorant në Duisburg, “La Gioconda”. Në apartamentin e tyre u gjetën armë dhe 575 mijë euro. Në maj, Strangio u ekstradua në Itali. Në fillim të këtij viti ka nisur procesi kundër tij dhe 40 personave të tjerë, pjesë e klanit. Policia gjermane dhe ajo italiane e shpallën kapjen e tij me dy konferenca shtypi, në Duisburg dhe Reggio Calabria. Prokurori antimafia Pietro Grasso përshëndeti hetuesit, ndërkohë që ministri i Brendshëm i landit të Nord RenVestfalisë, Ingo Wolf, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Mafia në Gjermani: histori e një suksesi. Mbi të gjitha për mafiozët. Deri në ngjarjen e Duisburgut, në Gjermani mafia kishte mbetur e padukshme. Nëse në San Luca, mafiozët qëllojnë me automatikë kundër tabelave rrugore për të shprehur të gjithë përbuzjen e tyre ndaj shtetit, në Kaarst, Giovanni Strangio dhe Francesco Romeo ndoshta mbanin kaskën edhe kur lëviznin me biçikletë. Kishte vetëm pak kohë që ishin varrosur të vdekurit e Duisburgut, kur shërbimi i fshehtë italian zbuloi se dy klanet rivale, Pelle Romeo dhe Nirta Strangio kishin bërë një pakt armëpushimi. Pas marrëveshjes, dy familjet nisën të bashkëpunojnë, duke u marrë me marrëdhënie publike: për të bërë të mundur që bizneset të vazhdonin pa probleme, ishte urgjente ribërja e imazhit. Kështu, gjatë qëndrimit në fshehje, Giovanni Strangio nisi të japë intervista, në të cilat fliste për vetveten si për një italian të persekutuar padrejtësisht nga drejtësia dhe faji i vetëm i të cilit ishte që kishte lindur në San Luca. Një bashkëpunëtor i Kurier, një e përditshme e Berlinit, kishte thënë se e kishte intervistuar me e-mail. Megjithatë, me sa duket Kurier nuk ka qenë i vetmi megafon i përdorur nga mafia. Edhe gazeta “Rheinische Post” ka botuar lajme për punonjës të shkretë picerie të përndjekur padrejtësisht dhe disa gazetarë kanë shkruajtur madje për histori plot lotë të rrëfyer nga bosët.
U fol për paragjykime kundër italianëve dhe për racizëm të gjermanëve, por jo për 229 klanet dhe 900 personat që sipas një raporti të Bundeskriminalamt (BKA, Policia e Gjermanisë Federale), akuzohen se janë një zgjatim i ndragheta-s në Gjermani.
Me një shumë të ardhurash të vlerësuar 44 miliardë euro, ndragheta kalabreze nuk është vetëm organizata më e pasur mafioze në Itali, por edhe më fleksibël. Në Gjermani është stabilizuar që në vitet ’60, në zonat ku imigrantët italiano-jugorë gjenin punë në linjat e montimit, në uzinat e çelikut apo në miniera. Bastionet e mafias në Gjermani kanë qenë gjithmonë Nord Rhein Vestfalia, Baviera, Assia dhe Baden-Württemberg, dhe në mënyrë të veçantë qyteti i Duisburgut, Bochumit, Oberhausenit, Shtutgartit dhe Mynihut, përveç – nga fillimi i viteve ’90 – Erfurtit, Laipcigut dhe Eisenach. Spas raportit të BKA, afro 200 pjesëtarë të klaneve të San Lucas banojnë në Gjermani. Dy vitet e fundit, BKA në bashkëpunim me hetuesit italianë, policinë, karabinierët dhe Guardia di Finanza, si dhe policinë gjyqësore të landeve gjermanë, ka hartuar një raport mbi veprimtarinë e ndragheta-s në Gjermani. Familjet Pelle-Romeo dhe Nirta-Strangio kanë rezultuar më të fuqishmet në të gjithë Gjermaninë. Në 396 faqet e dokumentit flitet për trafik armësh, vrasje, riciklime, trafik droge, biznes me mbetjet toksike dhe zhvatje. Ka informacione edhe për familjet mafioze, për krerët e klaneve dhe vartësit e tyre, për njerëzit e tyre të besuar gjermanë etj: që nga avokatët deri tek fiskalistët, që nga konsulentët bankarë deri tek bashkëshortet gjermane të bosëve. Por, raporti i BKA është edhe një lloj guide e krimit të organizuar: ai ka në fakt një listë me qindra restorante të menaxhuar nga ndragheta. 61 i përkasin klanit të Pelle-Romeo dhe vetëm 9 atij të Nirta-Strangio. Një minimum zilie ishte i pashmangshëm.
Një lulishtar i qendrës së Duisburgut që nuk dëshiron të bëjë publik emrin, flet mirë për menaxherin e ndjerë të restororantit de Bruno, ai Sebastian Strangio për të cilin flitet në raportin e BKA. Ishte një fqinj shumë i mirë, thotë, një njeri që merrej në mënyrë skrupuloze me lokalin e tij dhe që çdo mëngjes në orën 11, kur dilte nga shtëpia, e përshëndeste gjithmonë me mirësjellje. Pastaj, që Sebastiano Strangio (asnjë lidhje me të akuzuarin për vrasës të tij, Giovanni Strangio) i përkiste mafias, lulishtari në të vërtetë e dyshonte që kur restoranti ndodhej ende në Tonhallenstrasse, atje ku ndërkohë është inauguruar një librari me tekste juridikë. Përpara Krishtlindjeve, kur qëndronte e punonte deri vonë për të realizuar kurorat tipike të traditës gjermane, lulishtari kishte vënë re që herë pas here restoranti rrethohej nga policë. Një herë, kishin mbërritur 60 të tillë dhe kishin urdhëruar klilentët të dilnin për të bërë një kontroll. Megjithatë, këto episode të pakëndshme nuk e dekurajonin klientelën: shpesh herë përjashta kishte radhë për të zënë një tavolinë. Pas zhvendosjes nga Tonhallenstrasse për në Klöcknerhaus, një pallat i madh modern prapa stacionit të trenit, mafiozi i sjellshëm Sebastiano Strangio e kishte ftuar shpesh lulishtarin në lokalin e tij të ri. Dhe një herë, lulishtari kishte pranuar. Por, siç tregon, kur ishte ulur në tavolinë ishte gjendur shumë në siklet, mbi të gjitha sepse nuk e kishin lejuar të paguante faturën.
Në raportin e BKA janë plot 17 Sebastiano Strangio, dhjetë Antonio Romeo dhe 13 Domenico Giorgi. Shpesh herë kanë lindur në të njëjtin fshat dhe në të njëjtin vit. Për këtë arsye, hetuesve u është dashur që të ballafaqojnë emrat, vendet dhe datat e lindjes me ata të nënave. Si të mos mjaftonte kjo, gjërat i ngatërronte edhe më shumë fakti që disa pjesëtarë të një klani kanë mbiemrin e një klani rival. Në të kaluarën ka patur madje pjesëtarë të një familjeje që kanë kaluar në anën e armiqve. Pra, klanet e San Lucas janë të gjithë të lidhur. Edhe për këtë arsye ndragheta është e papenetrueshme, si triadat kineze.
Sfida
Nicola Gratteri, i lindur në Kalabri, është prokurori i dërguar pranë gjykatës së Reggio Calabrias. Në zyrën e tij – një sallë e ndriçuar me një pamje të bukur të gjirit të Mesinës – janë grumbulluar dhjetëra dosje dhe një mal me urdhëra ndalimi dhe shoqërimi, madje edhe në dyshemenë në hyrje. Vendimi për ta promovuar në pozicionin që ka nuk është marrë në unanimitet: një detaj i cili nuk e shqetëson magjistratin. Në këtë ambient, më thotë, unanimiteti e ka gjithmonë një çmim.
Pasdite, nga dritarja deti shkëlqen si një diamanti, por Gratteri i ka sytë vetëm tek dosjet e tij. Ndoshta mendon se sa arrestime nuk do të kryejë dot për shkak të bisedës sonë. Prokurori nuk po heton vetëm për autorët e ngjarjes së Duisburgut, por edhe mbi dy klanet e San Lucas. Ka arrestuar deri tani më shumë se 40 vetë. Në qershor 2009 arriti të kapë kreun e klanit, Antonio Pelle. Një vit më herët, në shtëpinë e tij ishin sekuestruar 150 milionë euro: një pjesë e vogël e pasurisë së tij, që konsistone dhe nga prona të paluajtshme, makina dhe troje. “Por në fund nuk ishte ndonjë fitore kaq e rëndësishme”, komenton ai.
Mafiozët riprodhohen si qeliza tumorale. San Luca ka 4 mijë banorë dhe 39 klane mafiozë. As edhe kapja e Giovanni Strangios nuk ka ndryshuar asgjë. Megjithatë, ka qenë një tregues i rëndësishëm i peshës së mafias në Gjermani. Në Republikën Federale nuk ekziston në ligj akuza për lidhje me mafian dhe riciklimi i parave të pista është më i kollajtë se në Itali. Deri sa ligjet nuk ndryshojnë, thotë Gratteri, në Gjermani do të jetë e pamundur të luftohet mafia në mënyrë efikase.
Në Itali, mallrat që dyshohet se i përkasin mafias mund të konfiskohen. Ndërsa në Gjermani policia duhet të demonstrojë që paratë e investuara kanë burime të paligjshme. Veç kësaj, interceptimet telefonike janë të ndaluar, si në vende publike edhe në banesa private. Neni 129 i kodit penal gjerman, që e bën të ndjekshëm penalisht krijimin e organizatave kriminale, nuk përmend lidhjet me mafian: në çdo rast duhet që të demonstrohet që organizata është duke përgatitur konkretisht një plan kriminal. Në Itali është e ndëshkueshme edhe vetëm pjesëmarrja në një klan.
“Kush jeton në Duisburg, Frankfurt apo Kopenhagë, nuk duhet të shqetësohet: atje mafiozët nuk vrasin, nuk qëllojnë, nuk kërkojnë para për të mbrojtur dhe nuk djegin makinat”, thotë Gratteri. Për të ricikluar paratë duhet të veprojnë me qetësi e të mos bien në sy. Për këtë arsye, vazhdon ai, në Vendet e Ulëta dhe Gjermani hetuesit duhet t’i hyjnë menjëherë punës: atje ku kapet një mafioz i fshehur ka gjithmonë një celulë mafioze. Sipas asaj që u mësua pas arrestimit, Giovanni Strangio ndodhej në Amsterdam prej një viti. Kishte konsoliduar marrëdhënie të reja kriminale dhe merrej me shpërndarjen e drogës, pa rënë në sy të askujt.
Që nga viti 2001, kur u hoqën kontrollet kufitarë në bazë të marrëveshjes së Shengenit, krimi i organizuar njohu një ekspansion të fortë në të gjithë Europën, nga Gjermania në Vendet e Ulëta, nga Belgjika në Francë, nga Spanja në Portugali: të gjithë vende ku opinioni publik është i bindur se nuk ekziston një mafie lokale. Të paktën deri kur nuk ka shkëmbime zjarri dhe larje hesapesh.
“Mafiozët veprojnë sikur të ndodhen nën një këmbanë qelqi”, thotë Gratteri. “Pa krime, mafia nuk ekziston. Dhe nëse mafia nuk ekziston, nuk ekziston as edhe riciklimi. Megjithatë, nuk bëhen hetime. Dhe nëse nuk bëhen hetime nuk zbulohet ekzistenca e kriminalitetit. Eshtë një qen që lëpin bishtin e tij”.
Prokurori merr frymë: denoncime të ngjashme duhet të ketë bërë me qindra herë. A do të gjejë Europa kurajën që të shpallë të ndëshkueshme penalisht përkitjen në klane mafiozë? Dhe a do të kuptojnë më në fund gjermanët që edhe në Gjermani, ndragheta ka infiltruar në administratën publike dhe qeveritë lokale për të kontrolluar shpërndarjen e kontratave? Apo besojnë ende se mafiozët janë ende tipa heronjsh romantikë alla Robin Hood?
Nëse lexon raportin e BKA, aty nuk mungojnë detaje të tmerrshëm. Për shembull, rasti i Giuseppina Cariati, bashkëshorte e një bosi të klanit Farao. Ndërkohë që i shoqi ishte në burg, ajo u vra nga kunati për arsye se kishte tradhëtuar bashkëshortin me një mafioz të një klani rival. Vrasësit e qëlluan në fillim me plumb në gojë, sepse kishte folur shumë; më pas i kishin prerë organet gjenitalë sepse kishte qenë jobesnike; dhe në fund e kishin varrosur me një këmbë jashtë. Vrasja ishte porositur nga klani Farao, familje aktive që nga fillimi i viteve ’80 në Kassel, Shtutgart, Mynih, Frankfurt dhe Dortmund. Por u krye në Itali: në Gjermani do të kishte shkaktuar shumë bujë.
Zhvatje dhe trafik droge
Hiltrup është një qytezë pranë Mynsterit. Vend i një universiteti antik, me shtëpiza me tulla të kuqe dhe pemë gështenje shekullore: në pamje të parë, rreziku më i madh që vjen vërdallë në këto anë është të përplasesh nga ndonjë çiklist i pakujdesshëm. Një grup agjentësh drejtohet për nga Piccolo Mondo, i vetmi restorant në qytet ku mund të shkohet në këmbë që nga instituti i policisë, aty ku sapo ka nisur një seminar mbi krimin e organizuar. Në menu ka sardele të marinuara, patëllxhanë zgare, makarona me asparagë dhe verë të bardhë siçiliane.
Tavolinat mbushen shpesh me burra me një vështrim të papenetrueshëm, tipik i policëve që nuk duan të lënë të kuptohet se çfarë dinë. Për shembull, që në Mynster klani hegjemonist është ai i Grande-Aracri, me origjinë nga provinca e Krotones dhe që merret me veprimtari tradicionale si trafiku i drogës, zhvatja dhe riciklimi i parave.
Në 2005, gjatë një hetimi ndërkombëtar në portin e Rostokut u gjetën 126 kilogramë kokainë. Ishin fshehur në tre thasë marinarësh të sistemuar në jesën e timonit të një anije venezueliane që transportonte qymyr. Në po ato ditë, policia kishte kapur edhe 600 gramë kokainë në aeroportin e Frankfurtit. Ndryshe nga hetimet e kryer deri atëherë nga policia gjermane, që nuk kishin sjellë asgjë, këtë herë bashkëpunimi edhe me agjentë të huaj solli arrestimin e 100 mafiozëve. Një prej tyre jetonte në Mynster.
Në tavolinat e Piccolo Mondo, komisarë, agjentë dhe drejtues policie janë ende të përqendruar në pjatat e tyre me makarona. Secili nuk është dakord me të tjerët. Disa mendojnë që gjëja më e rëndësishme është parandalimi, të tjerë mendojnë që shërben më shumë represioni. “Kush është prapa hekurave nuk kryen krime”, thotë një polic. “E megjithatë këtu tek ne, gjykatësit dhe prokurorët nuk përfundojnë të vrarë. Po të ishte kështu, ligjet do të ishin ndryshe”. Në Gjermani, pohon një tjetër hetues, mafia nuk perceptohet si një rrezik konkret, sepse ajo merret me veprimtari kriminale në dukje të pastra: për qytetarët e zakonshëm, hyrja me dhunë në një apartament është shumë më e rëndë se sa riciklimi i dhjetë milionë eurove. Ashtu si të tjerët me të cilët kam folur, bashkëbiseduesi im nuk dëshiron që emri i tij të përfundojë në gazeta: jo për shkak të frikës nga mafia, por nga Ministria e Brendshme.
Biznesmenë të dyshuar
Në Mynih, hetimi i fundit mbi pagesën për mbrojtje tek klani i përket vitit 1993. Siç shpjegon një hetues që punon në kryeqendrën bavareze, nga kjo kuptohet që tashmë qyteti është pushtuar dhe ndarë mes klaneve. Në Mynih, mafiozët nuk merren më me zhvatje, por i dedikohen bizneseve të pastër, pa rënë në sy, “jo si ata idiotët rusë që vazhdojnë të nxjerrin sheshit rivalitetet mes tyre”. Si sillet politika para gjithë kësaj? Për momentin, thotë polici, është më shumë e shqetësuar me terrorizmin islamik. Kur transferohet një hetues që merret me strukturat mafioze nuk e merr vesh askush. Përveç mafiozëve, sigurisht.
Shumë faqe të raportit të BKA të ngjajnë me mrekulli suksesesh biznesi. Si rasti i atij biznesmenit të copërave që u vendos në Mynih në vitin 1981 dhe sot deklaron një xhiro prej 665 milionë dollarësh në vit dhe që është pronar i shumë pronave dhe shtëpive në të gjithë vendin. Prej pak kohësh, ai dyshohet se pastron para të pista për llogari të Sacra Corona Unita, organizata mafioze e Pulias. “Nuk është e lehtë të përcaktosh se si ky italian është bërë multimiliarder brenda 15 vitesh”, thuhet në raport. “Shumat e parave që ka investuar në Laipcig janë kolosale dhe nuk mund të vijnë nga veprimtaria e biznesit të tij, as edhe po të imagjinojnë që ika ecur shkëlqyeshëm. Ky njeri ka edhe kontakte me influencë në botën politike dhe ekonomike. Për këtë arsye, do të jetë e vështirë të ndiqet veprimtaria e tij në Gjermani”.
Më tej është historia e një bosi të Kamorrës që kërkohet nga policia e shumë vendeve. Fillimisht ai u fsheh tek një kamerier në Laipcig, më pas mori dokumentet e tij (të dy ngjanin shumë) dhe u largua për në Mongoli, atje ku investoi dhjetë milionë dollarë në sektorin minerar. Përveç këtyre rasteve, në Gjermani është aktiv një rrjet mafiozësh më pak të rëndësishëm dhe në dukje të padëmshëm. Si rasti i atij personit të lidhur me ndraghetan që punonte në një uzinë çeliku në Herne dhe që më pas mori licencë për të bërë pica dhe për t’u marrë më mirë me punët e klanit. Autoritetet gjermane e zbuluan gjatë një kontrolli të policisë rrugore, sepse makina e tij nuk kishte siguracion. Kundër tij u bë denoncim: jo për lidhje me mafian, por për shkelje të ligjit për detyrimin e sigurimit të automjetit.
Të dhëna që s’përputhen
Berlin, Universiteti Humboldt. Zhvillohet një debat me temë “LUFTA KUNDER MAFIAS”. Mes organizatave të ftuara që marrin pjesë është edhe Viva, e para shoqatë antimafia e krijuar në Gjermani. E krijuar në Berlin, pak kohë pas ngjarjes së Duisburgut, drejtohet nga Bernd Finger, drejtor i departamentit të krimit të organizuar në Landeskriminalamt dhe nga Laura Garavini, një deputete italiane që në Parlamentin e Romës përfaqëson bashkëkombësit e saj me banim në Gjermani dhe është pjesë e komisionit parlamentar antimafia. Finger tregon se pak kohë pas ngjarjes së Duisburgut, 53 restorante italiane në Berlin morën kërkesa për të pagua para për mbrojtje. Në atë rast, shpjegon, zhvatësit u arresuan dhe gjykuan sepse më shumë se gjysma e pronarëve vendosën të denoncojnë në polici. E gjithë kjo qe e mundur falë një marrëveshjeje, përfunduar pak ditë pas ngjarjeve të Duisburgut, mes policisë së Berlinit dhe pronarëve italianë të restoranteve. Laura Garavini thotë se legjislacioni europian antimafia duhet të unifikohet.
Ajo përmend statistikat e pasurive të mafias të sekuestruara në Itali – një miliard euro vetëm në Palermo në periudhën 2005-2007 – dhe thotë se duhet bërë kujdes për infiltrimin e krimit të organizuar në ekonominë e ligjshme. Njeriu që është ulur krah saj, deputeti i PSD, Uëe Benneter, sheh orën. Shifrat që ai ka për dimensionet e krimit të organizuar në Gjermani nuk korrespondojnë me ato të sapopërmendura, thotë me një buzëqeshje, a thua sapo ka dëgjuar idetë e komplotuesve simpatikë. Benneter është pjesë e komisionit të punëve të brendshme të Bundestagut. Ashtu si ai mendojnë edhe shumë funksionarë të tjerë.
Pas 2001, shpjegon ai, është e qartë që lufta kundër terrorizmit islamik u bë prioritet. Megjithatë, pranon, duket se edhe në Gjermani dikush po përpiqet të riciklojë para. “Duket”, përsërit ai dhe largohet, me sa duket në një aktivitet më të rëndësishëm.
Drejtoria kombëtare antimafia në itali e ka qendrën në Romë, në një pallat që të kujton një fortesë baroke. Prokurori është Vincenzo Macri. Në zyrën e tij, në televizorin që rri gjithnjë ndezur shfaqen pa fund lajme. Macri e njeh më mirë se kushdo tjetër ndragheta-n. Më thotë se investimet e klaneve kalabrezë në Gjermani kanë patur një hop cilësor. Pasi ka investuar në restorante, hotele, prona të paluajtshme, kohët e fundit mafia ka forcuar praninë e saj në sektorin e ndërtimit dhe sot është specializuar në kontrollin e kontratave publike. Biznesi i saj më i mirë është gjithnjë korrupsioni.
Macri më shpjegon se bashkëpunimi ndërkombëtar funksionon dhe që, duke parë ligjet, policia gjermane nuk mund të bëjë më shumë. Rreziku më i madh për Gjermaninë, thotë ai, qëndron në faktin që opinioni publik nuk është në gjendje të lexojë sinjalet që vijnë nga bota mafioze. Shpesh mafiozët konsiderohen sipërmarrës që kufizohen të menaxhojnë restorante, hotele apo biznese. Macri thotë se ka vërejtur të njëjtin fenomen në Lombardi. Në italinë veriore, shumë biznesmenë pohojnë që nuk e njohin fjalën ndragheta. Kur prokuroria e Milanos denoncoi infiltrime mafioze në qytet, kryebashkiakja Leticia Morati protestoi, duke thënë se kështu njolloset emri i mirë i Milanos.
Shikimi i Macrit rikthehet tek televizori: Parlamenti italian ka votuar një ligj që ndalon përgjimet telefonike. Në të ardhmen mund të përgjohen telefonët e të dyshuarve për të cilët ka prova të tjera.
Që kur numri i të penduarve të mafias ka rënë dramatikisht, përgjimet telefonike u bënë arma kryesore e hetuesve. Giovanni Strangio do të ishte ende i lirë në Amsterdam nëse nuk do të regjistroheshin telefonatat mes bashkëshortes dhe motrës së tij. Në ekran shfaqet teksti i një deklarate të ministrit të Drejtësisë: me ligjin e ri për përgjimet, më në fund edhe Italia respekton Konventën europiane të të drejtave të njerit. “Eh, tamam”, komenton Macri.
Bastioni i ndragheta-s
Nëse në Erfurt nuk do të kishte rrugë me emra Juri Gagarin dhe Klara Zetkin, mund të mendohej që qyteti e ka kaluar shekullin e fundit i mbyllur në një shishe prej nga sapo ka dalë. Ndërtesa, rrugë e sheshe, fasada historike: gjithçka shkëlqen si e re. Në qendër të Erfurtit, pothuajse në çdo rrugë ka dyqane akulloresh, piceri apo restorante italianë. Tavolinat e sistemuara jashtë në qoshet më të bukura të qytetit janë plot me klientë të cilëve u shërbejnë kamerierë me veshje të bardha. Makaronat alla Norma kushtojnë 8 euro, si ëmbëlsirë ka Gondola veneziana, një tas me akullore dhe kush lë diçka në pjatë mund ta mbështjellë e ta marrë me vete në shtëpi.
Sipas raportit të BKA, në tre vitet e fundit 65 djem nga San Luca kanë ardhur në Erfurt për të punuar në restorante italianë. Të gjithë e kanë të pastër dosjen penale, por janë bij, nipër apo vëllezër bosësh mafiozë që janë dënuar tashmë për zhvatje, rrëmbime, trafik droge apo armësh. Kanë zgjedhur të transferohen në qytete ku pjesëtarë të klaneve të tyre kanë aktivitete tregtarë apo restorante. Dhe tani zhvendosen mes Erfurtit, Duisburgut, Vaimarit dhe Mynihut. Erfurti është shndërruar në një bastion të ndragheta-s kalabreze në mesin e viteve ’90, kur klani i Pelle-Romeo dërgoi këtu nga Duisburgu dy nga pjesëtarët e vet për të blerë prona dhe restorante. Në bazë të investimeve të mafias në Duisburg, thotë raporti i BKA, është një sistem kompleks: “tratativat kryhen nga persona besnikë të klanit. Për shitblerjet ndonjëherë krijohen kompani ad hoc. Zakonisht aksionerët janë thjeshtë emra të huazuar, që punojnë në nivelet më të ulët të hierarkisë mafioze. Prapa tyre janë bosët, që rrijnë të fshehur. Edhe burimi i kapitalit të investuar është i paqartë”.
Sa i përket veprimtarisë së klaneve Romeo dhe Pelle, duhet të kihet parasysh nëndarja mes sektorëve të ndryshëm operativë, tipike e mafias. Në Gjermani, me drogë mund të merret një pjesëtar që menaxhon restorante dhe dyqane delikatessen pranë kufirit me Vendet e Ulëta, ndërkohë që koordinatori i të gjithë bizneseve të familjes mund të jetë kushëriri i tij. Të tjerë pjesëtarë të klanit merren me investimin e parave që burojnë nga trafiku i drogës. Ngjarja e Duisburgut, thuhet në raport, vetëm sa thekson “lidhjet e ngushta mes klaneve të San Lucas dhe njerëzve të tyre në Gjermani”.
Çafkat e Sprenger
Heinz Sprenger është kreu i departamentit të krimeve në policinë e Duisburgut. Qëndron ulur mes jeshillëkut të kopshtit të tij dhe vështron ngultas peshqit e kuq. Në krah të një pamjeje të madhe ndodhet një pellg i vogël kur herë pas here vjen e qëndron një çafkë. Prej dy vitesh Sprenger punon për hetimin e ngjarjes së Duisburgut. Një mijë herë ka dëgjuar të njëjtën histori nga të dënuarit, të dyshuarit dhe dëshmitarët: djemtë e përfshirë janë thjeshtë punëtorë, të braktisur nga shteti, të ardhur në Gjermani për të rindërtuar jetën dhe të ndjekur nga drejtësia. Askush nuk ka dëgjuar asnjëherë të flitet për ndrangheta-n. Pastaj kur gjenden para, si 575 mijë eurot në shtëpinë e Giovanni Strangios, ka gjithmonë një justifikim: janë fitimet e picerisë së familjes, apo dhuratë e ndonjë të afërmi. Ndonjëherë paraqitet një akt dhurimi me burim nga Italia.
Në tre vitet e fundit, komisari Sprenger ka qenë shumë herë në Reggio Calabria. Takimet me kolegët italianë, shpjegon, e kanë forcuar bashkëpunimin dhe kanë bërë të lindin miqësi të vërteta. Nuk dëshiron të rrëfejë më shumë. Sheh një hije në qiell: “Duhet t’i mbaj sytë hapur!”, thotë duke u ngritur në këmbë. Por ndërkohë, çafka ka kaluar përtej.
Hollywood/Dashuri me mafian
Nuk është e vështirë të kuptosh marrëdhënien e dashurisë së Hollywoodit me mitologjinë e mafias. Bota e krimit të ofron të gjitha kurthet e një filmi super të suksesshëm: njerëz të rrezikshëm me një oreks të pashuar për pushtet që kërcejnë me vajza të bukura, në anën e gabuar të ligjit. Stampa e këtyre lloj filmave u vendos në 1932, me versionin origjinal të “Njeriu me shenjë”, një film hit nga regjisori legjendar Howard Hawks, që bazohej afërsisht në jetën e Al Capone-s. Censorët kërkuan që producenti Howard Hughes të shtonte nëntitullin “Turpi i kombit”, me qëllim që shikuesit nuk do ta interpretonin filmin si një glorifikim të stilit të jetesës së gangsterëve. Në kohën e daljes së tij, ai qe filmi më i dhunshëm që prodhohej në Hollywood, e megjithatë protagonisti i paedukuar, që eliminon në mënyrë brutale konkurrentët dhe që fiton miliona me kontrabandë, del në fund më shumë si një hero popullor se sa si një kriminel gjakftohtë.
Në vitin 1972, filmi “Kumbari” i Francis Ford Coppola-s, kapoja i padiskutueshëm i të gjithë filmave mbi mafian, e ngjiti formatin nga një kënaqësi e fajshme në një epikë shekspiriane. Marlon Brando injektoi tek Don Corleone një sens fisnikërie dhe mirësie. Ai është i ashpër por i drejtë, Robin Hood me një kostum Armani. Ai është dashamirës, për ata që e mbështesin dhe për ata që meritojnë ndëshkim. Në mendje të vjen menjëherë një kokë kali e prerë. Trilogjia Kumbari doli në një kohë kur mafia ishte në rënie në Shtetet e Bashkuara, kjo për shkak të legjislacionit të ashpër dhe përpjekjeve herkuliane nga ana e forcave të ligjit.
Në Itali, sidomos në Napoli, Kalabri dhe në Palermo, krimi i organizuar ishte në zenitin e vet në vitet ’70 dhe ’80. Trafiku i drogës i pasuronte mafiozët vendas dhe një betejë për pushtet që u njoh si luftëra e Cosa Nostra shkaktoi mijëra viktima. Dhuna nuk ishte vetëm mes fraksioneve rivalë. Edhe forcat e policisë dhe qytetarët e zakonshëm ishin shënjestra. Pjesëtarë të mafias infiltruan në organet e qeverisjes lokale dhe kishin një dorë në çdo segment të tregtisë në Sicili dhe në Italinë e Jugut, që nga pronat e paluajtshme deri tek mjekësia dhe bujqësia. Italianët ishin ngurrues për të folur për mafian dhe të tmerruar për të dëshmuar për horrorin që shpalosej mu përpara syve të tyre. Por romanca që ata kishin patur me “burrat e nderit” që dikur kishin mbrojtur fshatarët nga policia kombëtare e korruptuar po ftohej në Sicili, ashtu sikurse dhe marrëdhënia e dashurisë me legjendën e mafias në celuloid nisi të nxehej në SHBA.
Deri në 1992, vrasja e prokurorëve antimafia Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino nisi të kthejë opinionin publik në Itali kundër krimit të organizuar. Dëshmitë e dëshmitarëve si Rita Atria sollën qindra dënime dhe e gjymtuan dominimin e mafias në tregtinë italiane. Filmi i vitit 2008, Gomorrah (bazuar në librin e Roberto Savianos), mori vlerësime ndërkombëtare për përshkrimin grafik që i bën brutalitetit dhe dominimit ndërkombëtar të sindikatës napoletane të krimit, Kamorra.
Që nga suksesi i Gomorrah, një seri filmash neoraealistë antimafia kanë dalë nga regjisorë italianë. Në filma si Fortapa dhe “Io Ricordo” heronjtë nuk janë mafiozët, por ata që luftojnë kundër krimit të organizuar. Përkundër prototipeve të Njeriut me Shenjë dhe Kumbarit, heronjtë e rinj popullorë janë në anën e duhur të ligjit. Nuk është e lehtë të magjepsesh nga një njeri i rrezikshëm me kostum të shtrenjtë, kur e ke parë me sytë e tu dhunën që ai shkakton.
1972 – Kumbari
Kryevepra e vitit 1972 me regjisor Francis Ford Coppola, bazohej në romanin e Mario Puzos dhe në të u mblodhën disa prej aktorëve më të mirë të Amerikës, duke përfshirë Marlon Brando dhe Al Pacino. Filmi fitoi Oscar-in si filmim më i mirë dhe konsiderohet një prej filmave më të mirë të shekullit XX. Kumbari është imituar më vonë disa erë, por asnjëherë nuk është arritur niveli i tij. Edhe dy filmat pasardhës të Coppola-s nuk kanë arritur lavdinë e origjinalit.
1990 – Djemtë e mirë
“Për aq sa mundem të mbaj mend, gjithmonë kam dashur që të jem një gangster”. Kështu fillon filmi i vitit 1990 i Martin Scorcese, bazuar në jetën e mafiozit të penduar Henry Hill. Performanca e mrekullueshme e Ray Liotta përshkruan transformimin e Hill nga një aspirant për gangster në një njeri të rëndësishëm gjatë tre dekadave të tij në mafian e Nju Jorkut. Siç ka shkruajtur David Ansen, “çdo minutë e vetme në këtë film të gjatë vibron me energji të jashtëligjshmish”. Në fund, Hill kapet për trafik droge dhe përfundon si një “schnook” i zakonshëm në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, i djegur nga nostalgjia për kohët e tij si Goodfella.
1995 – Kazino
Në filmin e vitit 1995, Kazino, Scorcese u bashkua sërish me Nicholas Pileggi, i cili ishte bashkëskenarist i Goodfellas dhe gjithashtu shkruajti librin tek i cili ai bazohej. Joe Pesci rikthehet i njëjti protagonist tip psikopati që ishte tek Djemtë e Mirë, ndërkohë që Robert de Niro luan Sam Rothstein, një pjesëtar hebre i mafias që dërgohet të drejtojë një kazino në Las Vegas. Personazhi bazohet tek Frank Rosenthal, një bastvënës real nga Cikago. Ylli i vërtetë i filmit është Sharon Stone, e cila luan bashkëshorten e Rothstein, një grua joshëse që zhytet në drogë.
2008 – Gomorrah
Epika e vitit 2008 e regjisorit Matteo Garrone bazuar në librin e Roberto Savianos, është historia e pesë jetëve të prekura në një farë mënyre nga sindikata e krimit e Napolit e njohur si Kamorra. Me dëshpërimin e një lagjeje banimi të Napolit si sfond, filmi ofron një pamje të pagabueshme të impaktit gërryes të krimit të organizuar. Në një skenë të paharrueshme, aspirantë për gangsterë përmendin thënie të marra nga filmi i Brian de Palmas “Njeriu me shenjë”, riprodhimi i 1983, gjë që tregon se filmat frymëzojnë gangsterët po aq sa këta kanë frymëzuar filmat.
1932 – Njeriu me shenjë
“Njeriu me shenjë” ishte filmi i parë me gangsterë, por ai ka qenë më realisti, duke riofruar madje incidente nga jeta reale si Masakra e Ditës së Shën Valentinit e vitit 1929, në të cilën njerëzit e Capones rreshtuan pesë pjesëtarë të një bande rivale në një garazh në Cikago dhe i ekzekutuan. Capone nuk u akuzua asnjëherë për vrasjen dhe thuhet se ai u shqetësua se mos filmi, që doli në 1932, në një farë mënyre do ta implikonte edhe atë. Ai dërgoi një nga njerëzit e tij për një bisedë me regjisorin Hoëard Haëks, duke kërkuar që ta shihte një herë ai vetëm filmin para se të dilte. Regjisori i tha se duhej të blinte një biletë ashtu si gjithë të tjerët.
1991 – Gangsterët
Nëntitulli i filmit: “Ata u ngritën nga hiçi për të sunduar gjithçka”, përmbledh filmin “Gangsterët” dhe përshkrimin heroik të botës së krimit të epokës së depresionit të madh në qytetin e Neu Jorkut. Ndonëse filmi i vitit 1991 ka shumë liri artistike, ai nuk ndryshon emrat e gangsterëve legjendarë – Meyer Lansky, Lucky Luciano dhe Bugsy Siegel – mbi të cilët bazohet edhe skenari.
1984 – Na ishte një herë Amerika
Me një kohëzgjatje prej katër orësh, “Na ishte një herë Amerika” është rrëfimi epik i Noodles (Robert De Niro), një djalosh i varfër nga Brooklyni, që përfshihet në krimin e organizuar për arsye se duket që ky është opsioni më i mirë i mundshëm për të patur një karrierë. Për të punuar për filmin e vitit 1984, për të cilin iu desh një dekadë që ta përfundonte, regjisori Sergio Leone thuhet se hodhi poshtë një ofertë nga Paramount Pictures për të qenë ai regjisori i Kumbarit.
2009 – Fortapàsc
Fortapàsc është një italianizim i Fort Apache, qëllimi i të cilit është të përcjellë idenë e të qenit nën rrethim. Filmi është një tribut simpatizues për gazetarin italian Giancarlo Siani, i cili u vra nga një familje krimi e Napolit në vitin 1985 për arsye se ata mendonin që ai dinte shumë.
1993 – Përrallë nga Bronksi
Shkruar nga Chazz Palminteri dhe i bazuar në përvojat e jetës së tij, filmi i 1993 “Përrallë nga Bronksi” përshkruan zgjedhjen e vështirë të një djaloshi mes rrugës së jashtëzakonshme që ka përshkuar një i lidhur me mafian apo jetës së ndershme, por të zakonshme të babait të tij punëtor. Robert De Niro është regjisor i filmit dhe luan rolin e një shoferi autobusi që përpiqet të rrisë një djalë të bindur ndaj ligjit në një lagje të Bronksit të dominuar nga mafia.
1973 – Rrugë të këqia
Filmi i vitit 1973 “Rrugë të këqia” është filmi i parë i spikatur i Martin Scorceses dhe ai bazohet në skena që ai vetë kishte parë teksa rritej në Little Italy në qytetin e Nju Jorkut. Eshtë historia e një banditi të ri në moshë (Harvey Keitel), i cili përpiqet që të ngjisë radhët në familjen lokale të mafias. Ai është i mëdyshur mes përgjegjësive të tij profesionale si dhe besnikërisë ndaj miqve të tij.
SINANI/Arkitekti që lidhi Lindjen me Perëndimin
Jonathan Glancey
Po të ecësh me makinë në perëndim të Stambollit, të duket sikur qyteti nuk merr fund asnjëherë. Jashtë përtej mureve romakë të qytetit – të shembur në disa pjesë për të lejuar autostradat me gjashtë korsi – vija qiellore shndërrohet në një seri blloqesh apartamentesh të dorës së katërt.
Hotele të lirë ngrihen me njësi kondicionimi, qendra anonime biznesi janë të ngritura prapa vend parkimeve të mbushur të makinave, magazina të mëdha tapetesh ofrojnë shfaqje shumëngjyrëshe prapa dritareve gjigante me xhama.
Dhe vinçat gjigantë – nuk mund të filloja t’i numëroja të gjithë – ngrejnë skelete të tjerë betoni për blloqe të tjerë apartamentesh në fusha lumore dhe anë kodrash, aty ku dikur ka patur fusha dhe pyje.
A do të ndalet ndonjëherë hapësira e ndërtimit? Apo do të vazhdojë rrugën drejt Ballkanit, Greqisë dhe Italisë?
Ndoshta do të vazhdojë, sidomos nëse Turqia do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, dhe gjithashtu sepse Stambolli, me një popullsi kush e di se sa milionë banorë, është një prej qyteteve me rritje më të shpejtë në botë, i cili zgjerohet në veri, jug, lindje dhe perëndim.
Por, teksa shkoja drejt Liqenit Bujukcekmece në anën e skajme të qytetit nga krahu u Aeruportit ataturk, nuk mund të mos mendoja se edhe Perandoria Osmane që komandonte prej Stambollit për pjesën më të madhe të gjysmës së mijëvjeçarit, zgjerohej edhe ajo pikërisht nga ky drejtim.
Rilidhja e Stambollit
Nëse Sulejmani i Madhërishëm, perandori osman i shekullit XVI do t’ia kishte dalë mbanë, rruga në perëndim do të të çonte drejtpërdrejt në Romë – qyteti që kishte qenë nyja e perandorisë që kishte krijuar Stambollin apo Kostandinopojën, që në fillim.
Sulejmani, që e quante veten “Cezari i të gjithë tokave të Romës”, ëndërronte të rilidhte Stambollin me Romën. Ai do ta bënte këtë me pushtime, duke udhëtuar në rrugë që kalon mbi Liqenin Bujukcekmece mbi një urë të projektuar nga arkitekti i ri, Sinani. Në fakt, ushtritë e tij vunë këmbë në Itali – por ato nuk arritën asnjëherë deri në Romë. Në vitet e fundit, ura e jashtëzakonshme, shumë e ngushtë për trafikun modern, është anashkaluar.
Një vend joshës për turistë, ajo niset nga një park publik në gjendje të mjerë, ku ndodhet një statujë tip karikaturë më shumë e Sinanit me një çallmë dhe përfundon në këmbë të një tjetër panorame betoni, që bllokon pamjen në perëndim. Kjo është ura që Sulejmani pa të ngrihej teksa u nis në aventurën e tij të fundit ushtarake, për të pushtuar Hungarinë. Ai u vra në atë fushatë, kështu që nuk e pa kurrë të përfunduar.
Ai as nuk kishte imagjinuar të ngrinte një lidhje direkte mes asaj që kishte qenë Perandoria e lashtë Romake dhe Roma e tij e re, Stambolli osman. Që nga dita e vdekjes së tij në vitin 1566, perandoria u zhyt në një rënie që zgjati shumë. Megjithatë, një prej trashëgimive të rëndësishme që la pas Sulejmani ishte ajo e arkitektit të tij, Sinanit.
Art me ndikim
Sinani jetoi deri 100 vjeç, duke realizuar qindra projekte xhamish dhe medresesh, urash dhe kanalesh. Ky bashkëkohës i Mikelanxhelos dhe Andrea Paladios, dy prej arkitektëve italianë më me influencë është pak i njohur në perëndim, megjithatë, Sinani jo vetëm u dha formë disa prej ndërtesave më të bukrura në botë – kush mund të kundërshtojë zgjedhjen e Xhamisë së Sulejmanit në Stamboll apo Xhamisë së Selimit në Edirnë? – por vepra e tij do të kish ndikim edhe në atë të shumicës së arkitektëve më ambiciozë italianë, ashtu sikurse vepra e tyre do të kishte ndikim tek vepra e tij.
Ajo që arrita të kuptoj gjatë udhëtimit tim më të fundit në Stamboll – tek hidhja lirën turke duke kaluar urën e famshme – është se sa e vërtetë është kjo lidhje. Stambolli u lidh me perëndimin kulturalisht në mos politikisht apo në fe dhe në mos prej marrëveshjeve politike, atëherë prej arkitekturës. Kubeja e Mikelanxhelos, që ngrihet mbi sheshin e Shën Pjetrit në Romë, sigurisht që është ndërtuar nën ndikimin e një prej atyre xhamive guximtare të Sinanit në Stamboll.
Po kështu, është e mundur që Sinani vetë të ketë parë skica të italianëve. Përkrahësi dhe mbrojtësi i Paladios, Markantonio Barbaro kish qenë për gjashtë vite ambasador i Venedikut në Stamboll. Sigurisht që ai do të ketë bërë ndonjë lidhje mes Sinanit dhe Paladios?
Sa herë që shkoj në Venecia dhe u hedh një sy kishave sublime të Paladios të Shën Xhorxhio maxhore dhe Il redentore, jam i sigurtë se jam duke parë apo jam duke ndierë diçka në projektimin e tyre që vjen nga lindja e Mesdheut – ndoshta nga Stambolli?
Diku në arkiva të padokumentuara osmane, studiuesit mund të gjejnë ndoshta pjesë korrespondence mes arkitektëve më të mëdhenj të Italisë dhe të Stambollit, duke konfirmuar kështu një lidhje mes rilindjes italiane dhe rilindjes së Sulejmanit, ndërmjet Romës së vjetër dhe Romës së re.
Ëndrra e Sulejmanit
Sulejmani, që e quante veten “Cezari i të gjithë tokave të Romës”, ëndërronte të rilidhte Stambollin me Romën. Ai do ta bënte këtë me pushtime, duke udhëtuar në një rrugë që kalon mbi Liqenin Bujukcekmece mbi një urë të projektuar nga arkitekti i ti, Sinani. Në fakt, ushtritë e tij vunë këmbë në Itali – por ato nuk arritën asnjëherë deri në Romë. Në vitet e fundit, ura e jashtëzakonshme, shumë e ngushtë për trafikun modern, është anashkaluar. Një vend joshës për turistë, ajo niset nga një park publik në gjendje të mjerë, ku ndodhet një statujë tip karikaturë më shumë e Sinanit me një çallmë dhe përfundon në këmbë të një tjetër panorame betoni, që bllokon pamjen në perëndim. Kjo është ura që Sulejmani pa të ngrihej teksa u nis në aventurën e tij të fundit ushtarake, për të pushtuar Hungarinë. Ai u vra në atë fushatë, kështu që nuk e pa kurrë të përfunduar.
SPIUNAZHI/Rreziku “Anna Chapman”
Kur një rreth spiunësh rusë i zbuluan në rrethinat e disa qyteteve amerikanë në maj, shumë komentatorë nxituan që të minimizojnë rrezikun e tyre duke i quajtur si thjeshtë të pafatë. U duk se kishte një prekje prej opere komike në lidhje me aktivitetet e tyre të fshehtë, si dhe detaje të tjerë që dolën më vonë në lidhje me jetët e tyre në SHBA – që nga kultivimi i luleboreve, deri tek fotografitë tërheqëse të botuara në Facebook prej më magjepsëses së grupit, Anna Chapman.
Por jo të gjithë e panë në këtë mënyrë. Sir Stephen Lander, Drejtor i Përgjithshëm i MI5 deri në vitin 2002, ka thënë për një dokumentar të BBC “Përse Rusia spiunon”, se vetë ekzistenca e një rrethi “të paligjshmish” rusë (spiunë që operojnë pa mbulesë diplomatike) nuk është për të qeshur.
“Fakti që janë të paregjistruar apo që nuk duken si seriozë është pjesë e tërheqjes së kësaj lloj pune”, thotë ai. “Kjo është arsye përse rusët janë kaq shumë të suksesshëm në këto gjëra. Ata janë në gjendje të vendosin njerëz në ato pozicione që me kalimin e kohës këta të bëhen të dobishëm. Janë pjesë e një makinerie… dhe makineria është shumë profesionale dhe serioze”.
Të paligjshëm, të padukshëm
Ky është një lloj spiunazhi kanosës, thotë Lander, i perfeksionuar nga rusët gjatë Luftës së Ftohtë. “Ata dërgoheshin në perëndim, me njërin prej dy roleve”, thotë ai. “Njëri ishte të ndërtonin një mbulesë afatgjatë me qëllimin kryesor që me kalimin e kohës të siguronin një vend në një institucion qeveritar diku në perëndim, aty ku mund të spiunonin një herë e mirë. Roli tjetër ishte të bëheshin kryeagjentë të një rrjeti spiunësh që ishin rekrutuar nga të tjerë dhe që drejtoheshin nga një vend i tretë nga një i paligjshëm – edhe ky një oficer shërbimi, por pa ndonjë mbulesë zyrtare”.
Për shërbimin e fshehtë britanik, fakti që Rusia është ende e përgatitur të financoojë dhe dërgojë spiunë në perëndim është shkak për shqetësim, qoftë edhe për faktin se këta lloj spiunësh janë shumë të vështirë të zbulohen.
Sir Gerry Warner, ish-zëvendës shef i Shërbimit të Fshehtë, MI6, thotë se të paligjshmit dërgohen kryesisht në shtetet fqinjë me Rusinë, si Ukraina dhe Gjeorgjia. “Nëse ata do të donin të dërgonin këta lloj spiunësh, nuk kam asnjë dyshim që do t’i dërgonin edhe këtu në Britani. Thjeshtë nuk e di nëse ata mendojnë që ia vlen”.
Ka apo nuk ka të paligjshëm rusë në Britani – dhe nëse ka, nuk ka gjasa që të pikasen, thotë Sir Gerry – nuk ka asnjë dyshim që spiunë “të ligjshëm” rusë, ata që veprojnë nën mbulesë diplomatike, janë duke përgatitur një sulm inteligjence këtu. Në fakt, sulmi është po aq intensiv sot sa ka qenë edhe në kulmin e Luftës së Ftohtë.
“Në vitet ’90 pati një zbrazëti”, thotë Lander. “Më pas, makineria e spiunazhit u vu sërish në punë dhe SVR (ish KGB) i është rikthyer praktikave të dikurshme me një sens hakmarrje. Mendoj se deri në fundin e shekullit që kaloi, ata ishin rikthyer në pozicionin që kishin gjatë Luftës së Ftohtë, sa u përket shifrave”.
Cilat janë këto shifra? Në mesin e viteve ’80, gjatë Luftës së Ftohtë, ambasada sovjetike në Kesington dhe misioni i saj tregtar në Highgate kishin 30-35 oficerë të KGB, apo ekuivalentët e tyre në shërbimin ushtarak, GRU, që shfaqeshin si staf diplomatik. Së bashku ata zinin pothuajse gjysmën e personelit diplomatik të KGB në Londër. Sot, numrat janë thuajse të njëjtë, besojnë burimet në Whitehall.
Sir David Omand, ish-kreu i agjencisë së shërbimit të fshehtë GCHQ dhe Koordinator për Sigurinë dhe Inteligjencën deri në 2005, thotë se ndonëse niveli i spiunazhit rus është në nivelet e Luftës së Ftohtë, shënjestrat kanë ndryshuar.
“Për agjencitë e shërbimit të fshehtë sovjetik ka një ndjesi inercie”, thotë ai, “që ata thjeshtë vazhduan të ecin pas Luftës së Ftohtë. Por nuk ka asnjë dyshim që ata e ndryshuan orientimin drejt trageteve ekonomikë”.
Sir Stephen Lander miraton. “Ata janë tashmë pas gjërave që lidhen me pozicionin strategjik të Rusisë, sidomos rritjes së rëndësisë së saj në botën energjetike”, thotë ai. “Kështu që, çdo gjë që iu jep atyre avantazh në ato fusha ia vlen të vidhet si informacion apo të spiunohet. E njëjta gjë vlen edhe për zhvillimet tregtare dhe ato ushtarake”.
A mendon Lander që spiunazhi rus është një rrezik serioz afatgjat për Britaninë? “Po, mendoj që po”, përgjigjet ai. “Një Rusi e fortë dhe paqësore është në interesin tonë. Por në momentin kur ata përdorin mjete të fshehtë e të paligjshëm për të forcuar pozicionin e tyre në dëm të perëndimit, ne duhet të mbajmë sytë hapur”.
Gruaja e Berlinit/Angela, “vajza” që do ta rivendosë Gjermaninë në vendin e parë të Bashkimit Europian
Revista amerikane “Forbes” e ka paraqitur si “Gruaja më e fuqishme në botë”. Nuk e ka krejtësisht gabim. Angela Dorothea Merkel drejton nga viti 2005 Gjermaninë dhe sidomos nëpërmjet asaj që vetë ajo e ka quajtur “Kriza më e keqe për Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore”.
Por Kancelarja gjermane nuk është vetëm “Një grua e hekurt”, siç tha për të Presidenti amerikan Barack Obama. Në këto 5 vjet ka ditur ta lidhë një linjë politike jofleksibël me një vizion komplesiv të gjërave që pak e kanë pasur, duke mos shikuar vetëm nga Berlini, por nga e gjithë bota. Më pragmatiste se tjetër “Vogëlushja”, siç e quante Helmut Kohl, është gati për ta tragetuar Gjermaninë dhe Europën jashtë nga kriza.
E lindur në vitin 1954 në Hamburg, Merkel ka një formim rigoroz. Bijë e një pastori luteran dhe e një mësueseje, Angela studion Fizikë në Lajpcig dhe Kimi në Berlin-Adlershof, për të vazhduar më pas rrugën e saj akademike në kërkimet lidhur me kiminë kuantike.
Tifoze e operës – çdo vit merr pjesë në premierën e Deutsche Oper – dhe e natyrës, Angela duket se është saktësisht e kundërta e paraardhësit të saj Gerhard Schröder, ndoshta shumë e prirur ndaj kënaqësive të jetës. Më shumë se të mendojë për t’u argëtuar si bashkëmoshatarët, Angela studion shumë dhe jeton në mënyrë veçanërisht intensive raportin e saj me rënien e Murit të Berlinit, duke qenë se i afrohet Partisë së Rizgjimit Demokratik, i së cilës është zëdhënësja. Kohl tha pikërisht se kjo natyrë ndaj kushtimit dhe lodhjes është nxjerrë nga fëmijëria e jetuar në fshatin berlinez, në Templin. Falë Rizgjimit Demokratik, politika i pëlqen dhe fiton avantazh ndaj pjesës tjetër. Afrohet në bankat e shkollës dhe përbën një miksturë përvojash transversale, të pajisur me influenca të të dyja Gjemranive. Pastaj futet në CDU dhe kjo është kthesa e parë.
Arrin të nxjerrë jashtë loje atë kolos që ishte Kohl, i njëjti që e quajti “das Mädchen”, “Vogëlushja”, në kohërat e dikasterit mjedisor. Por më pas nxjerr jashtë loje edhe Wolfgang Schäuble, anëtar historik i CDU-së. Me kristiandemokratët ajo ka pak të bëjë. Si evangjeliste e bindur, ka pësuar kritika të rënda kur është zgjedhur në krye të Sekretarisë së Përgjithshme të CDU-së në vitin 1998, përgjithësisht konservatore dhe e markës katolike. Ka arritur edhe të nxjerrë jashtë loje Schröder për të qeverisur më pas e vetme në një det dyshimesh.
Megjithatë, konsensuset e saj kanë qenë unanime. Meritë e pragmatizmit të saj të pastër e të sinqertë, i njëjti që i ka shërbyer në momentin ndoshta më të vështirë të karrierës politike të saj për t’u bërë aleate me liberalët e FDP-së, bashkim i ndodhur në shtatorin e kaluar. Gjithçka dukej sërish e qetë, mëkat që më pas ka ardhur kriza financiare europiane. Por ajo tashmë ishte gati për këtë.
Financa e çmendur në vitin 2007 e ka shtyrë në një lloj të ri regjistri, më pak teutonocentrik dhe më ndërkombëtar. Falimentimi i Lehman Brothers dhe pasojat e tij janë ndoshta shenja se ekonomia botërore po ndryshon. Miliardat e kapitalizmit të humbura në Bursën e Frankfurtit dhe rreziku për të hyrë në një recesion, që më pas do të ndodhë njëlloj, e bëjnë që dalë përpara Bundestagut dhe të thotë se, “Nganjëherë arsyeja duhet të mbizotërojë dhe kështu që duhet kuptuar se të gjithë ne duhet të ndryshojmë regjistër”. Fjalë të rënda, që e çojnë në një rënie të popullaritetit midis qytetarëve të saj, por e bëjnë të qëndrojë lokomotivën gjermane. Në fakt, nuk është rastësi që ka qenë pikërisht Berlini i pari që ka propozuar një taksim mbi fitimet financiare dhe të ndalojë shitjen e titujve të zbuluar, duke e paraprirë edhe G20-ën lidhur me rregullat e financës së re.
Por kjo nuk i mjafton për t’i shmangur masakrimin mediatik të manovrës më të kushtueshme të viteve të fundit, të miratuar muaj më parë. 80 miliardë eurot e shtrëngesës, që do t’i shërbejnë Gjermanisë për riekuilibruar llogaritë publike të plaçkitura nga ndërhyrjet e shumta shtetërore në favor të sektorit bankar, nuk kanë qenë të lehta. Mbi të gjitha, Angela donte që t’i ulte taksat për qytetarët e saj, por pragmatizmi i zakonshëm e ka shtyrë që të heqë dorë. “Nuk jemi në gjendje t’i ulim taksat, por të paktën do të kërkojmë që të mos i ngremë më tej”, tha në diskutimin e saj për kombin.
Pastaj janë raportet e rinovuara me Francën dhe pjesën tjetër të botës. Presidenti transalpin Nicolas Sarkozy në vitin 2008 i dorëzon Çmimin Charlemagne “Për veprën e saj të reformës të Bashkimit Europian”. Me Sarkòn ka feeling qysh nga fillimi, deri në pikën që në periudhën më të zezë të krizës së borxheve sovrane, dy vendet e mëdha vendosin që të bashkohen për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për t’ia propozuar një Europë që duket se e ka humbur rrugën e arsyes. Aksi franko- gjerman është kthyer kështu në modë dhe me të edhe dëshira e rinovuar për të vlejtur akoma më shumë në një botë që po parafigurohet bipolare, e ndarë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për shkak të rënies europiane.
Fat i çuditshëm për një doktorante që ka përfunduar të bëjë politikë me mendimin e një kohezioni evropian mbi çdo gjë. Arrin që të lidhë episode modane dhe të lehta, si ai në të cilin Kryeministri italian Silvio Berlusconi i bëri “kukù” në atë të Triestes. Ajo zuri të qeshë, duke u demonstruar e sjellshme në çdo rast. Nga ana tjetër, nëqoftëse është bërë femra e parë që drejton G8-ën, një motiv duhet të ketë. Dhe nëqoftëse marrëdhëniet midis Berlinit dhe Moskës janë shumë të mira, kjo ndodh sepse Angela ka ditur që shfrytëzojë për mirë shpirtin e dyfishtë të formimit rinor të saj.
Arsye dhe rregull. Janë këto dy karakteristikat themelore të Merkel, e cila gjatë gjithë këtyre viteve është krahasuar shumë herë me Margaret Thatcher për forcën e saj shtytëse, pragmatiste dhe reformiste. Është një politikë e çuditshme dhe e vështirë për t’u deshifruar duke përdorur vetëm fjalorin politik. Për të thuhet se sfida më e madhe është gjithmonë ajo e radhës dhe, në këtë rast, është ajo që ta kthejë Gjermaninë në vendin e parë të Europës.
Burri i Ankarasë/Erdogan, historia e një shitësi limonatash që ka transformuar Turqinë
Protagonist i politikës ndërkombëtare për shkak të pozicionimeve luftarake dhe aftësive të tij për të ndjekur një politikë autonome, të pavarur nga aleatët e tij “tradicionalë”, me biografinë e tij, Kryeministri Erdogan duket se pasqyron kontradiktat dhe identitetet që përbëjnë imazhin kaleidoskopik të Turqisë së mijëvjeçarit të ri. Për më shumë se 80 vjet, Turqia ka treguar një imazh zyrtar të vetes që përfaqësonte pak mendimin dhe idetë e njerëzve të thjeshtë. Mustafa Kemali, babai i famshëm i turqve, e kish drejtuar popullin e tij drejt konsolidimit të një shteti – komb modern dhe shekullar, duke abroguar autoritetin e Perandorisë Otomane, “e sëmura e madhe e Europës”, që shembej nga goditjet e lëvizjeve indipendentiste. Qysh atëhere, klasa e re drejtuese turke ka ndjekur me fanatizëm ideologjinë kemaliste dhe ka kërkuar që të eliminojë çdo mbeturinë të së kaluarës perandorake dhe ta bëjë Turqinë më të ngjashme me Europën fqinje.
Islami u abrogua si feja shtetërore, alfabeti arab u zëvendësua nga shkronjat latine, poligamia u eliminua dhe iu dha e drejta e votës grave. Veç kësaj, ndërsa kodet civile, penale dhe tregtare u azhornuan sipas shembullit të atyre europiane dhe gjykatat islamike u abroguan, ushtarakëve iu besua roli i kontrollit dhe i kalibrimit të identitetit politik e kulturor të Turqisë dhe të ndërhynte në momentet në të cilat Kushtetuta e re nuk zbatohej. Një pauzë e papritur dhe drastike, e ardhur nga lart, që e ka influencuar thellësisht shoqërinë turke, e ndarë në mënyrë skicofrenike midis një tradite shekullare islamike dhe avancimit të modernizmit të markës perëndimore.
Kjo gjendje e gjërave ka zgjatur shumë. Për tri herë të mira ushtarakët kanë ndërhyrë në jetën politike turke duke i marrë drejtpërsëdrejti frenat e pushtetit. Kurse në raste të tjera ka qenë Këshilli i Sigurisë Kombëtare, gardian i ortodoksisë kemaliste, për të shkrirë formacionet politike antipatike: përpara vitit 1989 partitë që i përkisnin të majtës komuniste dhe, pas kësaj date, ato të afërta me idealet islamike. Në vitin 1997, “grushti i shtetit i heshtur” i fundit i Këshillit ka shkrirë partinë e Welfare (Refah) e ish-Kryeministrit Necmettin Erbakan, mentor gjatë viteve universitare të inicimit politik të Erdogan.
Në dritën e asaj që ka ndodhur në të kalurën duket e vështirë të mendohet se sot është një parti e markës islamike, AKP-ja, Partia e Drejtësisë dhe e Zhvillimit, që drejton Turqinë prej tashmë prej 8 vjetësh dhe që prej 7 vitesh Kryeministër është i njëjti njeri që në vitin 1998 u burgos me akuzën e nxitjes së urrejtjes fetare pse ka sfiduar shekullarizimin dogmatik turk duke recituar fjalë militomi islamik. Megjithatë, të vjen të mendosh se suksesi i Erdoganit, i konfirmuar në zgjedhjet e 2007 nga 46 përqind e preferencave, i detyrohet pikërisht rrugëtimit politik personal të tij.
Origjina e varfër dhe rrugëtimi i tij jotipik e bëjnë Erdoganin një model për klasën e mesme konservatore. Biri i një rojeje bregdetare, i rritur nëpër rrugët e një prej lagjeve më famëkeqe të Stambollit, i shtrënguar nga varfëria në të cilën dergjej familja e tij të shiste nëpër rrugë limonata dhe simite, Erdogani ka marrë një arsim islamik shumë të ngurtë, përpara se të diplomohej në administrim biznesi në Universitetin e Marmarasë. Në ndryshim nga protagonistët e tjerë politikë të Turqisë moderne, karriera politike e tij nuk i detyrohet as militimit në partinë trashëgimtare të ideologjisë kemaliste të Ataturkut, as punësimit në burokraci.
Në sytë e turqve, Erdogan nuk i ka ndyer duart duke bashkëpunuar me sistemin shtetëror të korruptuar, që bile e ka burgosur për idetë e tij dhe e ka pezulluar nga aktiviteti publik. Tifoz futbolli, lojë në të cilën ka luajtur si profesionist gjatë viteve të universitetit, është edhe mysliman konservator, që deri pak kohë më parë e shmangte dhënien e dorës grave dhe preferonte që të mos ulej në tavolinë nëqoftëse shokët e tavolinës konsumonin pije alkoolike.
Rasti i parë për të demonstruar aftësitë politike të tij, pas vitesh militomi në Partinë Refah, i është paraqitur kur u zgjodh kryebashkiak i Stambollit në vitin 1994. Efektiv dhe karizmatik, nga kjo përvojë siguroi një konsensus të madh pse ka përballuar me aftësi çështje si mungesa e ujit, ndotja dhe trafiku metropolitan, megjithëse ka tentuar edhe që të ndalojë shitjen e pijeve alkoolike në vendet publike. Ka mundësi, diplomimi i tij në menaxhim biznesi ka rezultuar i dobishëm për të shëndoshur financat e një prej qyteteve më kaotike dhe të mbipopulluara në botë dhe lufta e tij kundër korrupsionit i ka garantuar mbështetjen e klasave popullore, në pjesën më të madhe të fesë islamike dhe të biznesit të vogël, i lodhur nga keqqeverisja.
I huaj për establishmentin turk, europeist, por megjithatë mysliman, luftarak, por i hapur ndaj kompromisit në emër të së mirës të përbashkët: nëqoftëse Ataturku ka qenë babai i Turqisë moderne, Erdogani është portreti i Turqisë bashkëkohore, i aftë në të njëjtën kohë që të shikojë nga bota islamike dhe të ruajë aleancat strategjike më të rëndësishme.
Në fakt, në nivel ndërkombëtar, synimet e Turqisë janë përqendruar në shumë fronte. Tradicionalisht, Turqia portretizohej si një vend i afërt me Perëndimin. Megjithatë, kohët e fundit, vendi duket se po largohet nga brigjet perëndimore për të shikuar nga Lindja. Procesi i gjatë dhe i lodhshëm në Bashkimin Europian, i nisur në tetor të 2005 dhe i avancuar me vendosmërinë e Erdoganit, duket akoma larg nga një zgjidhje e mundshme. Kërkesat e Bashkimit Europian janë bërë gjithnjë e më të forta dhe vetë popullsia turke është bërë e pakënaqur ndaj një projekti që e kishte mbështetur me shumë entuziazëm.
Tani që Turqia, për t’iu shmangur standardeve europiane, ka arritur ta reduktojë rolin e ushtarakëve dhe të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të përmirësojë paraqitjet e ekonomisë kombëtare dhe po impenjohet për të reformuar Kushtetutën, banorët e saj duken më pak të interesuara ndaj fateve të kësaj “fejese të përjetshme” me Europën dhe janë të gatshëm të shikojnë tjetërkund. I njëjti Erdogan që, për largpamësi politike apo për oportunizëm, vazhdon që të mbështesë shpirtin evropian të Turqisë, në vitet e fundit ka filluar që të dizenjojë një profil të ndryshëm të politikës së jashtme turke.
Slogani është gjithmonë ai “asnjë problem me fqinjët”, por ideologjia nuk është më ajo ekskluzivisht europeiste e Ali Babaxhanit, por ajo e neo-osmanizmit e mbështetur nga ministri i Jashtëm, Ahmet Davotoglu, i emëruar më 1 maj të 2009. Sipas mendimit të tij, tani që Lufta e Ftohtë ka mbaruar, Turqia ka mundësinë që të luajë një rol ndërkombëtar të dorës së parë falë profilit gjeografik të saj si urë midis Europës dhe Azisë, atë kulturor si shtet mysliman laik dhe atë politik si shtet demokratik. Me pak fjalë, megjithëse Turqia mbetet një aleate e Shteteve të Bashkuara dhe një anëtar aspirues i Komunitetit Europian, ajo ka nisur t’i ripërcaktojë në mënyrë autonome interesat e saj, në disa raste duke u shkëputur nga mbështetja amerikane dhe europiane.
Qysh përpara emërimit të Davotoglu, duke filluar nga bombardimi i Gazas, Erdogani kishte vënë në diskutim fqinjësinë tradicionale me Izraelin, duke e braktisur në mënyrë polemizuese debatin mbi paqen në Lindjen e Mesme gjatë World Economic Forum të vitit 2008. Incidenti i fundit diplomatik ka ndodhur me rastin e episodit shumë të diskutuar të Freedom Flottilla, gjatë së cilës Erdogani nuk ka ngurruar që të rreshtohet kundër sulmit izraelian dhe t’i ofrojë solidaritetin e tij banorëve dhe qeverisë së Rripit. Kryeministri turk ka ofruar edhe mbështetjen e tij ndaj IHH-së (Insan Haklary Ve Hurriyetleri Vakfi), shoqata e markës islamike që ka organizuar ekspeditën, nga e cila janë evidentuar lidhjet me organizatat ekstremiste të markës islamike.
Për të dëshmuar zgjerimin e marrëdhënieve turke është krijimi më 17 maj i të ashtuquajturit aks Lula-Erdogan-Ahmadinejad. Bëhet fjalë për nënshkrimin e një marrëveshjeje me Brazilin dhe Iranin lidhur me shkëmbimin e uraniumit, për t’i shmangur Iranit një kthim të katërt të sanksioneve diplomatike. Megjithëse shumë vëzhgues ndërkombëtarë kanë ngritur objeksione të ndryshme lidhur me transparencën e kësaj marrëveshjeje, të tjerë kanë nënvizuar rolin e rëndësishëm prej ndërmjetësuesi të Turqisë në një prej krizave ndërkombëtare më të rënda.
Një tjetër pikë e rëndësishme e politikës së jashtme turke është interesi për Ballkanin. Faktikisht, në periudhën e fundit kontaktet dhe marrëdhëniet diplomatike midis Turqisë dhe vendeve ballkanike, në të kaluarën në orbitën e Perandorisë Otomane, janë intensifikuar. Objektivi është ai i një bashkëpunimi strategjik, sidomos në fushën ekonomike dhe të një forcimi të stabilitetit rajonal. Ky proces i futjes së Turqisë në Ballkan e ka pasur fillimin me dështimin e samitit të Butmirit, një takim lidhur me reformat kushtetuese të organizuar më 9 tetor 2009 nga amerikanë dhe europianë. Në emër të një bashkësie historike (e kaluara otomane) dhe fetare (islami) Turqia, së bashku me Rusinë, paraqitet si partner i mundshëm për një rilançim të rajonit, i braktisur nga Europa dhe nga vendet fqinje të Mesdheut.
Ky postim i aksit të politikës së jashtme turke lind edhe nga motivacione të forta të tipit ekonomik. Në fakt, ka tashmë 3 vjet që kompanitë turke po arrijnë rezultate të shkëlqyera në tregjet e Lindjes së Mesme dhe qendroaziatike, ndërsa Europa vuan për shkak të krizës së euros. Rishëndoshja ekonomike përbën një faktor të rëndësishëm të konsensusit për partinë e Erdoganit. Qysh kur ka marrë pushtetin, ai është impenjuar që t’i sigurojë një stabilitet më të madh ekonomik Turqisë, që gjatë viteve ’90 kishte përjetuar kriza ekonomike të ndryshme deri në krizën e tmerrshme financiare të 2001, që kishte kërkuar adoptimin e masave speciale për zgjidhjen e situatës.
Nga viti 2002 deri më sot, ekonomia turke është në ngritje të vazhdueshme: nuk ka mjaftuar as kriza ekonomike botërore e 2008 për ta ndaluar rritjen, e cila, megjithëse e frenuar, është rritur me 11.7 përqind në tremujorin e parë të 2010, përqindje që e vendos Turqinë menjëherë pas Kinës. Veç kësaj, AKP-ja shikohet si një prej forcave politike të pakta jo të përziera me korrupsionin shtetëror që skandali i fundit Ergenekon e ka nxjerrë në sipërfaqe me gjithë seriozitetin e saj.
Mbetet fakti se që nga kriza politike e 2007 që ka çuar në zgjedhjet e parakohshme shoqëria turke është e ndarë në dysh: nga njëra anë progresistët, konservatorët fetarë dhe zgjedhësit e bindur për rolin e rëndësishëm të luajtur nga AKP-ja në gjallërimin e ekonomisë turke, nga ana tjetër nacionalistët, laicistët dhe progresistët e rinj kundër rritjes së peshës politike të fesë. Një ndarje që pasqyrohet në interpretimet e ndryshme të politikës së brendshme, të çështjes së perçes, të mbështetjes ndaj kandidaturës turke në Bashkimin Europian, të ridimensionimit të rolit të ushtrisë.
Linja e vetme e vazhdueshmërisë e Erdoganit me paraardhësit e tij duket se janë çështjet e pazgjidhura të Turqisë: indipendentizmi kurd, njohja e gjenocidit të armenëve dhe çështja e Qipros. Deklarimet e fundit të Erdoganit në vijim të presioneve ndërkombëtare për njohjen e shfarosjes armene kanë ngjallur indinjatën e komunitetit ndërkombëtar. Ai ka deklaruar se Turqia do ta tolerojë në territorin e saj praninë e mbi 100000 sans-papier armenë, që sikur të qenë miratuar masa më të forta mund të përzihen. Fjalë të forta që kanë evidentuar jotolerancën e Kryeministrit turk për një çështje që i përket pothuajse 1 shekulli më parë, por është akoma në gjendje ta vonojë hyrjen e Turqisë në Bashkimin Europian.
Veç kësaj, tentativat e ndrojtura të hapjes ndaj minorancave etnike të pranishme në vend, në veçanti popullsia kurde, nëpërmjet një programi të quajtur “iniciativë demokratike” janë vënë në rrezik nga rigjallërimi i aktivitetit guerrilas në fundin e 2009. Ndalimi i formacionit politik kurd, DTP, e pesta nga vitet ’90, ka vënë në pikëpyetje procesin e afrimit që duket se Erdogani dëshironte të mbështeste. Së fundi, në Qipro situata vazhdon të jetë e bllokuar në vijim të dështimit të planit Annan dhe të hyrjes së Qipros Jugore në Bashkimin Europian.
Me pak fjalë, Erdogani është një Kryeministër në udhëkryq, ashtu si popullsia turke, midis traditës dhe modernizmit, islamit dhe shekullarizimit, synimeve aziatike dhe dëshirave të parealizuara europiane. Poliedrik, heterogjen, por në të njëjtën kohë konservator dhe tradicionalist, kohët e fundit, fajtor edhe korrupsioni i establishmentit turk, ka arritur të ruajë dhe ta rrisë besimin e elektoratit të tij. Një vit nga zgjedhjet e ardhshme, të parashikuara për vitin 2011, duket se Erdogani mund të luajë akoma një rol të dorës së parë. Por duhet parë nëse popullsia turke do të vazhdojë ta mbështesë projektin e Kryeministrit për t’i dhënë një “rol qendror” Turqisë.
Komentet