A do të thotë, imponimi i demarkimit të dyshimtë, luftë për shqiptarët ?!
Ka mbi një vit apo ndoshta edhe më tepër, që kryeministri aktual, ngado që sillet dhe rrotullohet, vetëm në një gjë aludon, atë të Demarkacionit me Malin e Zi.
Nuk e di pse ka rënë kaq në siklet ky njeri me një punë që nuk e ka nisë ai, as mund ta përfundojë i vetëm, sidomos kaq të diskutueshëm dhe në këtë formë të deformuar, gjithsesi jo!
E dhimbshme por dhe e frikshme njëkohësisht, se si disa nga politikë-bërësit kryesor të joshur nga pozitat në pushtet edhe në situata të tilla, humbin tërësisht sensin e veprimit parimor, respektin ndaj atdheut, tokave shqiptare, shtetit mezi të çliruar të Kosovës dhe çdo gjëje kombëtare.
Një fenomen i tillë , nuk bënë përjashtim tek asnjë parti, por së fundmi, ai paraqitet më i theksuar pikërisht nga z. Mustafa dhe klani që atë mbështet symbyllazi ,për çdo gjë që ky kryeministër propozon.
Ky klan, ktheu përfundimisht edhe LDK-n, e Dr. Ibrahim Rugovës, nga një Lëvizje gjithë-popullore, në një grupim përulës “shërbyesish” gati apolitik.
Veçantë, sjelljet autoritare të kryeministrit aktual edhe sa i takon çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, vërtetë kanë kaluar çdo kufi të normalitetit dhe degraduar në degjenerim antishtetëror dhe antikombëtar, të cilin siç duket vetëm ai nuk po mundet ta shohë as kuptojë.
Përsëritjet e shpeshta të banalizuara edhe me shfaqje diktati për votimin me detyrim nga deputetët e LDK-s, të opsionit disa herë të refuzuar të demarkacionit , shkojnë deri në penalizëm dhe akt autoritar, ngjashëm me veprimet e sistemit sllavo-komunist, ish pjesëtar aktiv i të cilit ishte edhe vet z. Mustafa.
Fatkeqësia qëndron edhe në faktin se pikërisht këto krijesa tanimë të konsumuara dhe të jashtë-kohëshme, që interesi i ka tjetërsuar tërësisht, zhveshur nga idealizmi e sinqeriteti kombëtar dhe kthyer në robotë të Isa Mustafës, të cilët sado që nuk kanë më asgjë të mirë ti ofrojnë LDK-s, me cinizëm janë ngulitur përjetshëm në kryesinë e kësaj partie, dhe vetëm ngrenë duart- për çdo diktat të kryetarit të tyre.
Këto klane të vjetra proletare, jo vetëm se janë ngurtësuara përjetësisht në kryesinë e LDK-s, por, ata po e mbysin nga brenda edhe demokracinë në këtë parti dhe dërgojnë atë çdo ditë e më tepër, drejtë humnerës dhe defragmentarizimit të sigurt, duke mos hezituar edhe në imponim vendimesh të dyshimta me të cilat rrezikohet tërësia territoriale e vendit tonë edhe ashtu të vogël e të kafshuar në të tri anët nga shtetet shoviniste sllave.
Ata kanë shndërruar LDK-n, thuajse në një “Eskortë” banale për rregullim klandestin rezultatesh dhe kurdisje mafioze votimesh, përmes të cilës, kryeministri aktual para disa kohësh katapultoi Hashim Thaqin president, kurse tani përpiqet ta imponoi me detyrim edhe opsionin e dyshimtë të demarkacionit me Malin e Zi, me ç ‘rast Kosova do të humbte mijëra hektar territor.
Fatkeqësisht, të njëjtit masakrojnë edhe faktet e prof. dr. Shpejtim Bulliqit dhe shkelin me të dy këmbët mbi të gjitha argumentet dhe dëshmitë e ofruara nga ekspertë profesionistë, që vërtetojnë bindshëm humbjen e mbi 8 mijë hektarëve tokë të territorit të Kosovës, me opsionin e dyshimtë aktual për demarkacion me Malin e Zi, vetëm pse një pjesë e tyre megjithëse nomad politik, për shërbimet ndaj kryetarit, -ngrihen e katapultohen nga partia në pozitat më të mira të mundshme për përfitime sa më të majme personale.
Figura të tilla klandestine, me gjithë palavdinë endacake dhe ngjitjet prostituive në lartësi, tanimë jo vetëm se janë fuqizuar së tepërmi në kryesi të LDK-s, por edhe bërë forca dominuese në këtë parti, e që me gatishmërinë për dhënien e votës së tyre të pa studiuar sa duhet, rrezikojnë seriozisht edhe territorin e Kosovës.
Më 1887, Forcat Kryengritëse të Lidhjes, mbrojtën heroikisht kufijtë kombëtar ,nga po ky Mal i Zi, i cili edhe asokohe synonte okupimin me forcë të Plavës e Gucisë dhe trojeve tjera shqiptare, por për ndryshim nga koha e tanishme, atëbotë vendimet e pa drejta vinin si prodhim i Kongresit të Berlinit, për të cilat thuhet se nuk ishin pyetur fare shqiptarët.
Kurse sot, kontesti qëndron krejt ndryshe. Nuk është më Kongresi i Berlinit, Konferenca e Versajës, as Vendimet e Ambasadorëve në Londër, që kanë vendosur përsëri ti shkëputet Kosovës edhe më tej territor, por është Komisioni i Hashim Thaqit dhe vendimet autoritare të Isa Mustafës, që me diktat dhe imponime, këmbëngulin që në mënyrë klandestine ti falen edhe mijëra hektar tjerë toke të Kosovës- Malit të Zi.
Madje, atëherë patriotët e kombit, nën drejtimin e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit, jo vetëm se kundërshtuan me forcë dhënien e tokave kombëtare këtij shteti hegjemonist i cili zuri fill dhe u rrit e zgjerua, po në trojet tona, por vranë edhe të dërguarin e Perandorisë turke Mareshalin Mehmert Ali Pashë Maxharin bashkë me ushtarët që e përcillnin dhe tradhtarët vendorë, të cilët i kishte marrë nën mbrojtje në kullën e tij renegati Abdullah pashë Dreni-Kryeziu, nga Gjakova.
Maxhar pasha, më 12 gusht të vitit 1878, nga Porta( e lartë) ishte emëruar emisar për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe dorëzimin e tokave shqiptare Malit të Zi dhe Serbisë. Por më 31 gusht të atij viti, gjatë udhëtimit me eskortën e vet, nga Prizreni në drejtim të Malit të Zi, nga kryengritësit e Lidhjes, atij do ti ndërpritej rruga në Gjakovë, me ç`rast për të shpëtuar kokën nga ta, u strehua në kullën e mikut të tij Abdullah pashë Drenit.
Me gjithë bisedimet e zhvilluara më 1 dhe 2 shtator 1878,gjatë të cilave nga luftëtarët e Lidhjes, pashait turk iu kërkua fuqishëm që të hiqte dorë nga misioni që kishte marrë përsipër dhe kthehej në Stamboll, ai këmbëngulte që me forcë t`ia dorëzonte tokat e premtuara shqiptare Malit të Zi.
Ndaj ndërmjet kryengritësve të Lidhjes Kombëtare Shqiptare dhe mbrojtësve të Maxharr Pashës, shpërthyen luftime të ashpra të cilat zgjatën deri më 6 shtator 1878, ditën kur luftëtarët shqiptar, përfundimisht dogjën kullën e Abdullah Drenit-Kryeziut, vranë atë vet si dhe mareshalin osman Maxhar Pasha bashkë me ushtarët që e shoqëronin dhe mbrojtësit vendor të këtij emisari të huaj, me ç ‘rast thuhet se në luftimet e zhvilluara ranë heroikisht edhe rreth 400 luftëtar të Lidhjes për parandalimin e faljes së Plavës dhe Gucisë Malit të Zi.
Pas vrasjes së mareshalit osman, i cili kishte udhëtuar enkas në Kosovë për jetësimin me dhunë të pazarit të arritur ndërmjet Perandorisë turke dhe këtij mini-shteti shovinist sllav, forcat shqiptare jo vetëm se, mbrojtën me sukses nga sulmet e pareshtura ushtarake, që nga tetori i vitit 1879, Plavën dhe Gucinë,por më 8 janar të vitit 1880,ata thyen përfundimisht edhe ushtrinë malazeze të udhëhequra nga Mark Milani, betejë kjo vendimtare dhe më e përgjakshmja e luftimeve gati tre-mujore, në të cilën u vra edhe Jakup Ferri, njëri nga udhëheqësit kryesor i kryengritjes shqiptare.
Po tani, çfarë do të ndodhë, nëse edhe në kohën tonë moderne, vet “gjeneralët” vendor me në krye “emisarin” Isa “pashë” Mustafa, këmbëngulin që gjithsesi, të imponojnë përsëri tjetërsimin e më tejmë ehe të këtyre tokave shqiptare dhe faljen e tyre me çdo kusht Malit të Zi, ashtu siç tani e sa kohë pareshtur ata pretendojnë?!….
Vet tendenca-për një akt të tillë të pa precedent, edhe nëse nuk votohet demarkacion i dyshimtë aktual as në Kuvend, druaj seriozisht se; Pa një Konsensus Kombëtar!…edhe tani mund të nxisë a shkaktojë luftë civile në Kosovë!, e cila nuk do të ishte e mirëseardhur as për vet kryeministrin autoritar, ngase zjarri i saj, mund ta rrezikojë edhe kokën e tij, si protagonisti kryesor i imponimit me diktat të pazareve më të reja antikombëtare në këto troje të mbrumura me gjak e luftë, për mbrojtjen e tyre përgjatë gjithë historisë.
Gani Qarri
Komentet