Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, tha të martën se “të gjitha mundësitë janë në tryezë”, për t’u marrë me Korenë e Veriut, derisa vizitoi Japoninë për të biseduar mbi tregtinë dhe për të rikonfirmuar një aleat gjatë kësaj periudhe që ai e quajti “kohë sfiduese”.
Ashtu siç bëri edhe gjatë një ndalese më parë në Korenë e Jugut, Pence tha se “koha e durimit strategjik ka marrë fund” kur është fjala për Korenë e Veriut. Ai tha se SHBA është e vendosur të punojë me Korenë e Jugut, Japoninë dhe Kinën për të gjetur mënyrën paqësore për t’u siguruar se Koreja e Veriut nuk është një kërcënim bërthamor.
Kryeministri japonez Shinzo Abe, i cili priti zëvendës presidentin amerikan Pence për bisedime në Tokio, tha se vlerëson qasjen e administratës Trump “me të gjitha opsionet në tavolinë”. Abe ka shtuar se shpreson për dialog paqësor me Korenë e Veriut, por se “dialogu për hir të dialogut” nuk ka vlerë.
Në Washington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, ka lënë të kuptohet për një tolerancë dhe pak më shumë durim nga ana e SHBA-së, gjatë një konferencë me gazetarët të hënën.
“Mendoj se do të vazhdojmë të punojmë veçanërisht me Kinën, për të ndihmuar të gjendet një rrugë përpara” tha Spicer.
Ai e ka karakterizuar “epokën e durimit strategjik”, si një politikë të administratës Obama që në thelb nënkupton “të presim dhe të shohim”, që nuk është politikë e urtë për Shtetet e Bashkuara. Por, ai shtoi se si rezultat i bisedimeve të fundit midis presidentit Donald Trump dhe presidentit kinez, Xi Jinping, administrata e tanishme është duke i dhënë kohë e Pekinit për të përdorur ndikimin e vet ekonomik dhe politik mbi Phenianin.
Nënpresidenti, duke folur me gazetarët të hënën pranë Zonës së demilitarizuar koreane, tha se “presidenti Trump e ka bërë të qartë se durimi i Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë në këtë rajon ka marrë fund dhe ne duam të shohim ndryshim. Ne duam të shohim se Koreja e Veriut ka braktisur rrugën e vet të pamatur të zhvillimit të armëve bërthamore dhe po ashtu përdorimi i vazhdueshëm dhe prova e raketave balistike janë të papranueshme”.
Komentet u bënë një ditë pasi Koreja e Veriut u përpoq dhe dështoi për të nisur një raketë nga baza e saj e nëndetëseve në Sinpo.
Në një konferencë për gazetarë të hënën në New York, zëvendës ambasadori i Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara, Kim In Ryong, akuzoi Shtetet e Bashkuara se po shtyjnë gadishullin Korean “në prag të një lufte”, duke paralajmëruar se ” një luftë termo-bërthamore mund të shpërthejë në çdo moment në gadishull”.
Duke iu referuar vendosjes së aeroplanmbajtëses USS Carl Vinson në ujërat e gadishullit Korean, Kim tha se nëse Washingtoni “guxon të zgjedh një veprim ushtarak, DPRK është gati për të reaguar ndaj çfarëdo mënyre të luftës që dëshirojnë Shtete e Bashkuara”.
Një retorikë e tillë agresive është e zakonshme për mediet dhe zyrtarët e Koresë së Veriut.
Pheniani ende pritet të kryejë provën e gjashtë të paralajmëruar bërthamore, mes shenjave se ka bërë të gjitha përgatitjet për një ngjarje të tillë. Koreja e Veriut ka mbajtur një parakalim masiv ushtarak të shtunën, duke ekspozuar disa raketa të reja me rreze të gjatë veprimi.
Vizita e Pence në Azinë Verilindore ndodhë në një kohë të tensioneve të rritura rreth përpjekjeve sfiduese të Koresë së Veriut për të zhvilluar një raketë bërthamore balistike ndërkontinentale të aftë për të arritur në Shtetet e Bashkuara, dhe vendosmërisë së administratës Trump në anën tjetër, për të parandaluar një gjë të tillë.
“Mendoj se SHBA e ka bërë të qartë se duam të zgjidhim këtë çështje në mënyrë paqësore”, tha ushtruesja e detyrës së ndihmës sekretarit të shtetit, Susan Thornton. “Ne përfundimisht nuk po kërkojmë konflikt apo ndryshimin e regjimit, por jemi të angazhuar për të mbrojtur popullin tonë dhe aleatët tanë, nëse kjo është e domosdoshme”.
Trump të hënën i tha një gazetari se Koreja e Veriut duhet “të përmbahet” dhe gjatë një deklarimi të martën në një program në Fox News, pohoi se paraardhësit e tij presidencial të gjithë ishin “manipuluar” nga udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un.
Sipas një analisti, mbetet ende një pikëpyetje nëse Trump është serioz në lidhje me përdorimin e forcës kundër Kim apo vetëm po bën ‘blof’ për t’i bërë trysni atij dhe kinezëve.
Këshilltari i sigurisë kombëtare, H.R McMaster, dhe Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis, “janë të vetëdijshëm se Koreja e Veriut nuk është Siria apo Afganistani, dhe se një sulm ushtarak kundër Veriut është një hap i rrezikshëm, efekti i plotë i të cilit është e pamundur që të parashikohet”, i tha Zërit të Amerikës një ish analiste i CIA-s në çështjet koreane, Sue Mi Terry.
“Mendimi im është se e gjithë kjo retorikë bëhet thjesht që të shtohet trysnia dhe të dërgohet një sinjal për botën, veçanërisht për Kinën dhe Korënë e Veriut, se ata nuk janë ‘të dobët’ siç ata mendojnë se ka qenë administrata Obama”, shtoi Terry, e cila shërbeu si drejtoreshë e çështjeve të Azisë Verilindore në Këshillin e Sigurimit Kombëtar në fund të administratës së George Bush-it dhe në fillim të administratës Obama.
Terry tha se ajo e sheh qasjen e administratës Trump si “një intensifikim të qasjes së sanksioneve të Obamës”, duke shtuar se është ende e paqartë se cili është zëvendësimi për “durimin strategjik”.
Komentet