Të Hënën me 27 Korrik, në ditëlindjen e Prof. Arshi Pipës, Vatra organizoi një Konferencë Shkencore, ku u mbajtën kumtesa mbi jetën dhe veprimtarinë e Prof. Arshi Pipës në fushën e studimeve, të letërsisë, të përkthimeve, të publicistikës, të filozifisë, të kritikës letrare etj.
Në krye të sallës, një portret i Prof. Pipës, një karrige-ku ishin vendosë libra të tij dhe një buqetë lulesh, në urim të Ditëlindjes.Përmes ekranit shfaqej Prof. Arshi Pipa gjatë vizitës së tij në Shqipëri, takimi me njerëzit e dashur, motrat, shokët e fëminisë dhe të shkollës, si dhe zëshëm jepeshin kujtimet e tij të rinisë shkollore, studimet në Shkodër dhe Firence, pastaj arrestimi, burgu, arratisja, veprimtaria në SHBA.
Seminarin e ka hapë Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Buçaj, i cili pasi u uroi mirëseardhjen pjesmarërsve dhe ligjërusve, tha:”… Mirëse vini në perkujtimin e prof. Arshi Pipës, në ditën e 95 vjetorit të lindjes, që “Vatra” ka organizue për t’a nderue me mirënjohje jo vetëm për kontributin që ai i ka dhanë kulturës shqiptare, por edhe për shërbimin që i ka ba kësaj organizate kombëtare, si përkrahës dhe, për nji përiudhë të shkurtër njivjeçare, edhe si kryetar dhe editor i gazetës “Dielli”.
Nga ligjeratat e autorëve kompetentë, të cilët e kanë njoftë profesor Pipën edhe përsonalisht, do të njiheni me shumë aspekte të këtij personaliteti poliedrik të kulturës sonë: poet, shkrimtar eseist, polemist, kritik, filozof, pedagog, botues, studiues i palodhun dhe konseguent në qëndrimet e tij.
Komunizmin e ka pasqyrue dhe e ka quejtë ashtu siç asht, pansllavizëm në shërbim të nji iedologjije të huej kundër interesave të njerëzimit përgjithësisht dhe të kombit shqiptar në mënyrë të veçantë.
Kjo konferencë shkencore do të jetë nji kontribut i vlefshëm për njohjen e Arshi Pipës nga opinioni shqiptar dhe besoj se do të jetë nxitës për studime të ma tejshme të veprës së tij të larmishme.
Dëshiroj të shprehi mirënjohjen zotit Dalip Greca që, bashkë me ligjëruesat, ka koordinue organizimin e këtij përkujtimi dhe kam kënaqsinë t’ia kaloj mikrofonin që t’a moderojë këtë konferencë shkencore.”
Editori i Diellit, Dalip Greca, u shpreh se :-E kemi konceptuar këtë veprimtari shkencore si një festë të Ditëlindjes të Prof. Pipës,- është kjo arsyeja përse e kemi venë këtë karrige në ballë të sallës, ku janë librat e shkruar prej tij dhe një buqetë me lule.Lulet, natyrisht janë aty në vend të urimit.Aty do të ishte Prof. PIPA.
Gjithësesi, tha Editori, për ta nderuar Kujtimin e Prof. Pipës, do t’ju kërkoja që të ngriheni në këmbë dhe të mbajmë një minut Heshtje!
….I përjesthëm Kujtim i Tij!
Më pas editori bëri një koment të shkurtër: Në këtë veprimtari modeste, e para e organizuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës”VATRA”, që Prof. Arshi PIPA pati nderin ta drejtojë për një kohë të shkurtër, një vit, si dhe drejtoi e editoi Gazetën”Dielli”, studiuesit që kanë marrë përsipër kumtesat, do të sjellin madhështinë e figurës shumëdimensionale të Arshi Pipës, njëri prej princave të letrave shqipe,filozofit, poetit, studiuesit brilant, pedagogut të shkëlqyer,gjuhëtarit, kritikut, studuesit dhe mbledhësit të folklorit, qëndrestarit të paepur të burgjeve komuniste, denocuesit të ferrit komunist përmes Librit të Burgut, politikanit jo konformist etj.
E kanë vlerësuar Prof. Pipën personalitete të shumë Kombëtar dhe ndërkombëtar.E kanë krahasuar me Nolin dhe Konicën si intelektual, ndërkohë që si antikomunist është krahasuar me Solzhenicinin në Rusi, Gjilasin në ish Jugosllavi, dhe…Prof. Arshi Pipa, i treti, si simbol i antikomunizmit shqiptar.
Por le t’ua lëmë radhën folësve dhe ekranit për të hedhur dritë mbi figurën e madhërishme të Arshi Pipës, tha Editori Greca.
Nga ekrani është shfaqë Prof. Pipa, i cili përmes kujtimeve tregon kohëlindjen(saktëson se ka lindur me 27 Korrik 1920 dhe jo me 23 shkurt- siç shënohej në listat e gjendjes civile Shkodër) tregon për vendlindjen, shkollimin, …flasin shokët e tij të klasës dhe lodrave, flasin motrat e përmalluara….dhe veprimtaria bëhet emocionuese.
Më pas gazetari Frank Shkreli, Ish Drejtor i Divizonit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, sjell kumtesën e tij, ku hedh dritë mbi personalitetin e Arshi Pipës, të cilin e njohu nga afër.
Duke kombinuar kujtimet e Prof Pipës më kumtuesit, studiuesi Mithat Gashi solli kumtesën për kontributet e Prof Arshi Pipës në Letërsi, Kritikë Letrare, politikë, duke e vënë theksin tek guximi qytetar i intelektualit Arshi pipa.
Elegjinë e Arshi Pipës për shokun e Burgut, bashkëthemeluesin e Vatrës, deputetin, Kristo Kirka,i shuar në Burgun e Burrelit, e përcolli sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu.
Kumtesën e studiuesit Anton Çefa,” ARSHI PIPA, INTELEKTUALI, POETI, ATDHETARI IDEALIST, DEMOKRATI ANTIKOMUNIST NE 95 VJETORIN E LINDJES ” e përcolli Editori i Diellit, ndërsa studimin e gazetarit Astrit Lulushi”Montale, Dante dhe Arshi Pipa”, e përcolli gazetari Frank Shkreli.
Me shumë interes u ndoq Idriz Lamaj me kumtin e tij rreth ç’burgosjes të Librit të Burgut. Tashmë prej kohësh dihet se libri doli nga qelitë e Burrelit në letra cigaresh, të palosura në përmasa të vogla, të fshehura në rrobat që ai ua jepte motrave për t’i larë. Transkriptin e atyre letrave, pati fatin që ta bëjë studiuesi dhe gazetari idriz Lamaj, ish fqinj i Arshi Pipës.Përpaar se Lamaj të tregonte se si arriti që të bënte transkriptin e letrave, editori u tregoi pjesmarrësve një fotografi-Kartolinë, ku Prof Pipa, i shkruante Idriz Lamajt se ajo fotografi, ishte marrë përpara ish Burgut të Durrësit, ku ai vuajti 4 vite…Në atë shtëpi atë kohë që Prof. Pipa shkoi dhe e vizitoi e më pas u fotografua ishte kthyer në shtëpi banimi për romët, të cilët kur e panë profesorin, u frikën pasi menduans e ai ishte pronari,… shkruan kështu prof Pipa.
Z. Lamaj demonstroi transkripet e letrave origjinalin e “Librit të burgut”. Me interes ishte dhe dëgjimi i një fragmenti bisedash zanore të Shkrimtarit Martin Camaj dhe prof. Arshi Pipës, që Lamaj i kishte sjellë enkas për këtë veprimtari.
Nga ekrani, aktori Juli Nënshati përcolli vargjet”Shemo Hajduti”një ndër perlat e Prof Arshi Pipa, e shkruar në toskërisht, por që më vonë hoqi dorë nga toskërishtja si protestë ndaj standartizimit të gjuhës shqipe dhe Kongresit të Drejtshkrimit.
Veprimatria është mbyllë me pjesë nga dokumentari Kushtuar Prof. Arshi Pipës, i cili endet nëpër Shkodër, sodit Liqenin, Rozafën, dhe mejdiset e Shkodrës Loce.
Për këtë Konferencë kishte dërguar studimin e tij nga Australia Fritz Radovani” DOSJA 1167: JA KUSH ISHTE PROF. ARSHI PIPA…”. Kjo kumtesë botohët në këtë numër të Diellit në print.
Në mbyllje të veprimtarisë, moderatori Greca tha:Shpresoj që me këtë veprimtari Vatra shleu një pjesë ët vogël të borxhit ndaj udhëheqësit të saj dhe Editorit ët Diellit, Prof. Arshi Pipa. Shpresoj, shtoi ai, që në nëj të radhme jo të largët , Vatra, t’i propozojë Presidentit të Republikës, që Prof. Arshi Pipës t’i akordohet titulli plotësisht i merituar”Nderi i Kombit”
Komentet