Lindja e tij, nuk ishte gëzim vetëm për familjen mbretërore, por në atë kohë, ngjarje e shënuar edhe për kombin. më 5 prill 1939, shqiptarët uruan dhe festuan, ardhjen në jetë të princit trashëgimtar… Thënë ndryshe, Mbretin e ardhshëm. Mirëpo, ashtu ishte e shkruar! Të largohej nga Atdheu pa e parë ende me sy, e jo më ta mbretëronte. Gjithsesi, një gjë është e vërtetë. Ai fëmijë, kudo që jetoi, u rrit dhe u ushqye, vetëm me shqiptarizëm. Ai fëmijë pati një fëmijëri burrërore!
I duhej që të ishte më i malluari, më i duruari, më i mënçuri, më i përkushtuari dhe më i privuari se gjithë fëmijët e botës.
Mësoi se ishte shqiptar dhe nuk kishte parë asnjëherë Shqipërinë, duke iu ndezur çdo ditë malli, krenaria dhe kërshëria për Atdheun. Ndërkohë, iu desh të mësonte qysh i vogël, disa gjuhë. Ngrohtësinë dhe dashurinë e nënës i ndjeu nëpërmjet gjermanishtes. Përkëdhelitë dhe këshillat e të atit i shkuan në theksin e gegërishtes që e dëshmon aq qartë edhe në të folurën e sotme. Në shkollë dhe mjedisin jashtë familjes, duhej të komunikonte në anglisht. Më pas, diktuar edhe nga rrethanat dhe kushtet e krijuara do të përvetësonte të tjera gjuhë, hungarishten, frëngjishten, italishten, arabishten dhe portugalishten.
Ndryshe nga fëmijët e tjerë të familjeve mbretërore, ai nuk bëri rehat në asnjë shtet. Sepse motivet dhe përgjegjësitë që ndjente para kombit të vet, e detyroi atë familje fisnike të shkonte, atje ku gjente rehat… çështja shqiptare.
Kështu në vitin 1946, “i hyjnë detit më këmbë”, duke lënë Anglinë për Egjiptin. Princi Lekë, në atë kohë ishte vetëm shtatë vjeç. Kujton atë det të trazuar që e turbulloi aq shumë, por nuk harruan as atë ndodhi të bukur që përjetoi në ngushticën e Gjibraltarit.
Lufta e Dytë Botërore kishte mbaruar, por jo pasojat e saj… Edhe në këtë udhëtim të gjatë detar, para kësaj ngushtice, vapori me të cilin udhëtonin, ndali gati krejt shpejtësinë. Një skuadër marinarësh të specializuar për asgjësimin e minave, filluan asgjësimin e tyre për të çelur shtegun. Për syrin e një fëmije që përfiton nga mosha, këto skena ishin bukuri, ndërsa për të rriturit ankth dhe shqetësim.
Krejt papritur, ftohen në këtë “argëtim” edhe oficerët që shoqëronin familjen mbretërore. Nuk kishte rast më të mirë për atë baba mbret që të bënte burrë fëmijën e vet. I zgjat armën dhe e pozicionon të qëllojë drejt një mine që përngjasonte me një rosë të zezë kur ajo pushkë angleze, ishte më e gjatë se vet ai fëmijë. Qëlloi, por mban mend se edhe nuk shënoi…
Natën vonë mbërritën në qytetin portual egjiptian, Port-Said. U mrekullua në agimin e asaj dite nga ajo pamje fantastike që iu shfaq para syve. Të gjitha ndërtesat e atij qyteti ishin të pushtuara nga bardhësia. Por, nuk ishte ajo bukuri dhe pastërti, kur ecje nëpër lagjet e tij. Kalimthi e përjetoi këtë ndjesi, sepse rezidenca e familjes ishte në Kajro, në një hotel tre katësh, më i miri i kryeqytetit për atë kohë.
Si për të kompensuar gjithë peripecitë dhe vështirësitë që ai fëmijë kishte përjetuar deri më tani, këtu gjithçka ishte si në përrallë. Lulishtja e madhe dhe e hijeshuar me lule shumëngjyrëshe dhe mbi të gjitha piramidat që i shikonte nga ballkoni, ia bënë Egjiptin shumë herë më të bukur se Anglia. Por, edhe pse komoditeti ishte mbretëror, detyrimet dhe kërkesat e të ardhmes, e ftonin për t’u aftësuar dhe burrëruar sa më shpejt. Regjistrohet në një shkollë që shquhej për nivelin e lartë pedagogjik. E frekuentonin atë fëmijët e familjeve më të njohura të shteteve të Mesdheut. Aty nis miqësia që do të vazhdonte gjatë gjithë jetës, me mbretin e Bullgarisë dhe princin e Jordanisë, i cili më vonë do të bëhej mbret. Në gjuhën angleze bëhej mësimi, por iu krijua mundësia që të mësonte edhe latinishten apo arabishten. Zgjedhjen e bëri nëna Gerdaldinë, që i përcaktoi të parën, duke ia lënë arabishten vetëm gjuhë veshi, pra, për ta kuptuar dhe jo shkruar. Mban mend se nga shtëpia për në shkollë, ikte vazhdimisht me biçikletë. Veçse përherë ka qenë i shoqëruar nga punonjësit e gardës së familjes mbretërore. I gjithë ky efektiv përbëhej nga shqiptarë dhe kryesisht matjanë. Fjala vjen, princi Lekë, ka qenë vazhdimisht nën kujdesin e Qazim Prenit.
I përhumbur në kujtimet e fëmijërisë, ndalet për një çast dhe pasi lëshon një buzëqeshje të lehtë, fillon të tregojë ndodhinë me mësuesin e matematikës. Ditën e premte, mësuesi u kishte dhënë detyrë shtëpie nxënësve, për të zgjidhur në pushimin e fundjavës disa ushtrime. Edhe pse në dispozicion kishte të shtunën dhe të dielën, Leka ikën të hënën i papërgatitur. Kur mësuesi i afrohet dhe i kërkon fletoren e detyrave, ai çohet më këmbë dhe i kërkon falje, pasi nuk i kishte zgjidhur ushtrimet. Por, kjo pendesa e nxënësit u keqpërdor.
I thotë që të zgjati para të dy duart dhe fillon ta qëllojë me shkop… Vetëm të majtën se nuk arriti dot te dora e djathtë! Nxënësi shqiptar, shtatë vjeçari Leka Zogu, që në fakt ishte më i gjatë se mësuesi, rrëmben fshirësen e dërrasës së zezë, si për t’i zbutur goditjen, hap krahun dhe e rrëzon në dysheme. Mësuesin e çojnë direkt e në spital, ndërsa nxënësi qetë-qetë, del nga klasa. Para shkollës, e priste Qazimi, shoqëruesi i tij, i cili çuditet për këtë dalje të parakohshme nga mësimi. Rrugës për në shtëpi, i tregon atij me inat ende të pa shuar, për gjithçka kishte ndodhur. Pak i ndrojtur, por jo i frikësuar hyn i pari në sallonin e shtëpisë, duke çuditur të atin, të ëmën dhe hallat e tij, që në atë çast ishin të gjithë bashkë. Para se ata t’i sqaronte shoqëruesi, nis dhe tregon për çfarë kishte ngjarë…
– S’ka problem!-dëgjoi reagimin e menjëhershëm të të atit. Më pas, Ahmeti vazhdon qetë dhe më serioz:
– Familja jonë nuk pranon as shpullë dhe as shkop!
Heshtja mbështetëse dhe komplimentuese pushtoi gjithë sallonin. Sepse ai fëmijë, nuk ishte fëmijë, por trashëgimtari i një mbreti shqiptar. Janë të njohura tashmë, vetitë dhe virtytet e Ahmet Zogut. Dy prej tyre, trimëria dhe krenaria!
Gjatë kohës që jetuan në Kajro, shumë mbresëlënëse për Lekën ka qenë edhe vizita që bëri në një teqe shqiptare. Kujton atë pritje shumë të ngrohtë që i bënë babai i tij dhe dy dervishët. Por edhe emocionuese ishte dhurata e çmuar. Një patllake e vendosur në kutinë e vet të zbukuruar hijshëm. Kthehet në shtëpi dhe gjëja e parë që i tregon të atit, ishte ajo dhuratë.
– Kjo është për këtu!,- iu drejtua Ahmeti, duke e vendos atë kuti, në njërin prej etazherëve të sallonit. Por, ka ardhur koha që edhe t’i të mbash armë! Dhe në çast, i zgjat një revolver anglez të kalibrit 45. Mund të tingëllojë pak si i çuditshëm ky xhest, por në mendjen dhe largpamësinë e Ahmet Zogut, qëndron përsosmërisht gjithçka. Nuk e dimë, nëse ishte thjesht një peshqesh apo amanet për të birin e vet, por është e vërtetë se Leka Zogu, asnjëherë nuk e hoqi nga brezi armën, në këtë jetë. E ku do të kishte më shumë hijeshi ai simbol burrërie dhe trimërie, se te ai shtatlartë i rritur me shqiptarizëm. Shtatë vjeç i vendosi të birit armën në brez dhe kur mbushi dhjetë vjeç, e bëri pjesëtar të detyrueshëm në të gjitha mbledhjet e takimet e punës.
-Dëgjo dhe mos fol!- i tha ditën e parë.
Kështu, veproi në dhjetra takime që Ahmet Zogu pati me mbretërit e disa shteteve dhe personalitete të tjerë të rëndësishëm, ku u shqua për largpamësinë e gjeopolitikës së tij.
Kështu, deri më 9 prill 1961, kur pas vdekjes së mbretit Ahmet Zogu, bëri betimin si Mbret i Shqiptarëve. Atëherë ishte 22 vjeç. Shumë i ri, por shumë i denjë dhe i aftë për të siguruar vazhdimësinë, sepse si rrallë kush, në fëmijëri kishte fituar pjekurinë dhe burrërinë…
Leka Zogu
– 5 prill 1939. Lindi në Tiranë dhe kaloi fëmijërinë në Britaninë e Madhe deri në moshën 7 vjeç.
– 1946-1955. Jetoi në Egjipt, ku filloi studimet në shkollën angleze “Victore College”, në qytetin e Aleksandrisë.
– 1956. Pas ardhjes në Francë, regjistrohet në kolegjin Eglon, në Vilar mbi Olon dhe merr diplomën “Matriculation of Oxford” në Zvicër.
– 1958. Përfundon studimet e larta në Londër, në Akademinë Ushtarake Mbretërore në Sandhërst të Mbretërisë së Bashkuar.
– Pas kthimit nga Britania e Madhe fillon studimet për Shkencat Politike dhe Ekonomike në Universitetin e Sorbonës në Francë, ku ndoqi edhe kursin e gjuhëve orientale.
– 9 prill 1961. Pas vdekjes së Mbretit Ahmet Zogu, bën betimin si Mbret i Shqiptarëve në moshën 22 vjeç.
– Zotëron shumë gjuhë të huaja, si anglisht, frengjisht, spanjisht, gjermanisht, italisht, arabisht, si dhe gjuhët hungareze e portugeze.
– Është marrë me biznesin e konstruksioneve të porteve detare dhe importeksportin e lëndëve të para, duke kryer veprimtarinë e tij njëkohësisht në Spanjë e në Britaninë e Madhe me shtrirjen e aktivitetit që nga SHBA e Kanadaja, në Lindjen e Mesme dhe deri në Japoni e Australi.
– 1972. Bëhet nismëtar i Kuvendit të Madridit për të bashkuar të gjitha forcat politike të emigracionit shqiptar sipas motos të Mbretit Zog: “Atdheu mbi të gjitha!”
– Gjatë këtyre viteve Leka I, zhvilloi takime me shqiptarët kudo në botë: në Londër e Paris, në New York e Toronto, në Bruksel e Mynih, në Ankara e Stamboll, në Sidnej e Melburn, etj. Gjeografia e tyre përfshinte Europën, Azinë, Afrikën, Amerikën e Australinë.
– Me autorizimin e Pentagonit, ka vëzhguar veprimet luftarake gjatë Luftës së Vietnamit dhe, më pas, ato të Rodezisë.
– Nga viti 1979, jetoi bashkë me Familjen Mbretërore Shqiptare në Johannesburg, në Afrikën e Jugut.
– 1990. Takohet me shqiptarët e parë që u larguan nga vendi në eksodin e madh me anije nga Porti i Durrësit.
1993. Vjen për herë të parë në Tiranë, por detyrohet të largohet të nesërmen, pas ndërhyrjes së autoriteteve të asaj kohe.
– 11 prill 1997. Vjen në Shqipëri, duke organizuar vizita, takime e bashkëbisedime në të gjitha rrethet e vendit.
– Merr pjesë në Referendumin e organizuar për formën e regjimit më 29 qershor 1997 dhe më 11 korrik 1997, largohet nga Shqipëria.
– Rikthehet për të jetuar në Shqipëri me 28 qershor 2002. Kthimi i Familjes Mbretërore u krye me ftesën e 76 deputetëve të Kuvendit shqiptar.
– Kuvendi i Shqipërisë, me Ligjin Nr. 9063, datë 8.5.2003, përcaktoi detyrimet ligjore – ekzekutive “Për Statusin e trashëgimtarëve të Familjes Mbretërore”.
Pas lindjes, në Atdhe vetëm 47 orë…
“më 5 prill 1939 në orën 5 të mëngjesit lindi Princi, Trashëgimtari i Shqipërisë. Sa u dha lajmi në popull se lindi një “Djalë Trashëgimtar i Shqipërisë”, të gjitha demonstratat anti-italiane që vazhdonin gjithandej, menjëherë u kthyen në një buçitje gëzimi të papërshkruar, duke shfaqur simpatinë për Familjen Mbretërore e duke thirrur: “Rroftë Mbreti”, “Rroftë Princi Trashëgimtar”, “Rroftë Mbretëresha e dashur e jona”… Ky lajm gazmor menjëherë u hap në të gjithë anët e Shqipërisë. Kështu filluan festimet, gjithandej. Populli i Kryeqytetit plot gëzim, shkollat e vajzave e djemve, e populli mbarë edhe ushtria që ndodhej në Kryeqytet, filluan përgatitjet për të parakaluar para Pallatit, të mbledhur e të renduar në Bulevardet rreth Pallatit, duke kënduar këngë kombëtare e duke tërhequr valle nacionale. Në orën 10 të mëngjesit filluan të hidhen 101 topa dhe tamam në këtë kohë filluan parakalimet para Pallatit Mbretëror dhe brenda në lulishte. Ishin të radhitur shkollat, populli i veshur me kostum kombëtar e ushtria. Bandat luanin Himnin Mbretëror e të Flamurit. Mbreti Zog, bashkë me Qeverinë e Parlamentin, kishin dalë në lulishte e i falenderonin të gjithë parakaluesit. Nga të gjitha Prefekturat kishin nisur të vinin delegacionet e popullit në Kryeqytet për të shfaqur urimet gazmore, që Perëndia i solli popullit bujar mbas 500 vjetëve trashëgimtarin. Të gjithë ishin të veshur me kostume kombëtare. Tamam në kohën kur po kalonin shkollat e vajzave e të djemve para Mbretit të tyre, duke kënduar në parakalim, vjen me shpejtësi ministri i Punëve të Jashtme shqiptare, Ekrem Libohova, me një letër në dorë. Ai ia paraqiti Mbretit Zog. Ishte ultimatumi musolinian…
6 prill 1939. Njëzëri, Mbledhja e Asamblesë Kombëtare vendosi që sot Madhëria e Saj Mbretëresha me Princin Trashëgimtar të nisen prej Tirane për në Korçë… Zog I, Mbreti shqiptarëve, hyri në Mbledhjen e përgjithshme të Asamblesë Kombëtare në orën 12 të natës, datë 6 Prill 1939. Por, sa u ul, Kryetari i Parlamentit, Pandeli Evangjeli, në emër të Asamblesë Kombëtare i parashtroi vendimin e marrë kështu:
“Lartmadhëri, Parlamenti dhe Qeveria së bashku, duke marrë parasysh ngjarjet eventuale që mund të na lindin, minutë më minutë, për interesin e Atdheut e të nderit të shqiptarëve, mbarë e për të qenë të lirë në veprimet që Atdheu lyp prej nesh “vendosi” që Madhëria e Saj Mbretëresha, bashkë me Princin Trashëgimtar qysh sot të dalin nga Tirana për në Korçë. Ai vend u caktua më i përshtatshëm”.
Pasi Mbreti Zog, pranoi vendimin e Parlamentit për nisjen e Madhërisë së Saj Mbretëreshës, bashkë me Princin Trashëgimtar, menjëherë u morën masat e përgatitjes, si të mjeteve dhe të sigurimit, që do të shoqëronin Mbretëreshën. Po ashtu dhe për sigurimin, si për rrugën, ashtu edhe për vendet e qëndrimit. Me Madhërinë e Saj Mbretëreshën, do të ishin edhe Princeshat, meqë Mbretëresha ishte mjaft e lodhur e me shumë temperaturë. Personeli mjekësor ishte i pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme. Po ashtu, kishte edhe mjete të tjera ushqimore dhe ilaçet e nevojshme. Në orën 4.00 të mëngjesit të gjithë ishin gati për t’u nisur. Profesori Veibel, preferoi ta vendosim në një automobil Mbretëreshën, shtruar me një masllakë, e jo në autoambulancë, se rruga ishte e gjatë dhe jo e mirë. Nuk ishte e përshtatshme. Princi Trashëgimtar me një tjetër automobil Mercedes, i përcjellë prej Princesësh Adile, Doktor Mouhin Shahinit, kapiten Zenel Shehut, dy infermiere dhe Qazim Prenit. Po ashtu dhe të gjitha plaçkat e nevojshme të Princit me një automobil mbrapa. Princeshat Mbretërore ndjekin Mbretëreshën me dy automobila të tjerë dhe baronesha me Stavro Stavrin me një automobil tjetër. Po ashtu, ndjekin Mbretëreshën edhe dy kamiona me plaçka. Tre kamiona me ushtarë me toger Hilmi Kullën, prinin kolonën përpara, po gjithnjë në lidhje me qendrën e kolonës për sigurimin e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës e të Princit Trashëgimtar. Shtatë kamiona me ushtarë me kapiten Halil Branicën, ndjekin kolonën mbrapa, dhe kanë me vete një stacion radio K3, për çdo eventualitet. Për t’u ndërlidhur me Komandën e Gardës Mbretërore me një parrullë të veçantë si edhe një shifër po të Komandës së Gardës. Lartmadhëria e saj, Mbretëresha bashkë me Princin Trashëgimtar në orën 4.15 të mëngjesit u nisën prej Tiranës për në Korçë me drejtim Krrabë, Elbasan, Librazhd, Qafë-Thanë, Pogradec e Korçë…”
*Nga kronikat e kohës. Arkivi i Oborrit Mbretëror Shqiptar
Komentet