SHKUP – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov nuk do të realizojë takim me eurokomisarin për Zgjerim, Johanes Hahn, informojnë nga kabineti i presidentit.
Prej aty theksojnë se presidenti Ivanov, i cili dje qëndroi për vizitë pune në Hungari, në Maqedoni do të kthehet vonë në mbrëmje, me ç’rast nuk do të ketë mundësi për takim me eurokomisarin Hahn.
Se Ivanov në axhendën e vet nuk ka planifikuar takim me eurokomisarin Hahn dhe me tre eurodeputetët që të premten iu kumtua ambasadorit Samuel Zhbogar, thonë nga kabineti i shefit të shtetit.
“Presidenti Ivanov qëndrimet e veta tashmë ia ka kumtuar eurokomisarit për Zgjerim Johanes Han në takimin e tyre të fundit më 10 shkurt të vitit 2017 dhe ato mbeten të pandryshuara. Ivanov qartë porositi se nuk do të ndajë mandat, pa dënim paraprak publik dhe hedhje poshtë të, siç thuhet, platformës së Tiranës”, bëhet e ditur në kumtesën e kabinetit të Ivanovit.
Duke patur parasysh atë se presidenti nuk do të realizojë takim me eurokomisarin Hahn, nga kabineti thonë se presidenti Ivanov terminin e paraparë ua lë përfaqësuesve të iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, të cilët kërkuan takim me të.
“Është mirë eurokomisari të njoftohet me argumentet dhe shkaqet për të cilat disa qytetarë të Maqedonisë protestojnë mbi njëzet ditë”, thonë nga kabineti i Ivanovit.
Presidenti Ivanov dje qëndroi për vizitë pune në Budapest, ku pati takime me presidentin e Hungarisë, kryeministrin dhe me kryetarin e Parlamentit hungarez.
Komentet